Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/01/20

Fragment nga romani: Kristaq Turtulli “Misteret e Parisit të vogël”

Apologjia e Nënës


Imazh i ngjashëm
Lëviz me nervozizëm rreth vetes. Karfica më pickon përsëri. Dreqja majë karfice, s’ do të qëndrojë në fole. ‘S’më bëjnë këmbët të shkoj, të kërkoj drejtësi te Marko Kalemi, nuse djali në këtë ditë të përçudnuar, me ëndrra të rënda. S’e kuptoj përse e drejta mbahet e lidhur në mijëra vargonj dhe e keqja livadhis azat?! Përse ndëshkohet, nëpërkëmbet dhe vdes herët i miri, ndërsa i ligu zhgërryhet për shtatë palë qejfe mbi dafina?! Na thënkan me qesëndi: I plotfuqishmi Zot i do shumë të mirët, i ka në zemër, prandaj i merr pranë. Punë e bukur qenka: T’i marrësh të mirit jetën e bekuar që nuk përsëritet kurrë më. Të braktisë dritën e diellit, ujin e kaltër, ajrin e freskët, këngën e bukur, fjalën e ëmbël të mëmës, të shkojë në terr, në errësirë. Atje, nën dhe, në terr, prej nga nuk kthehet më. Hë, a ka bythë vend ku të rrijë?! Domethënë, sipas budallenjve, moj krushkë shtrigë, drita e diellit, qielli, ajri, ylberi, uji, blerimi, pylli, shpendët, kafshët, e çdo tjetër e gjallë na qenkan për të ligjtë, vrastarët, kurvat e kurvarët, spiunët, maskarenjtë, hipokritët, kodoshët, mosmirënjohësit! Me pak fjalë, mirësia të shpërblehet gjithnjë me të keq?! Hëm! A mos je pak budallaqe, moj grua plakë?! Kartoni i dritares rrahu me potere si të më thoshte ‘O grua, akoma nuk e ke marrë vesh që s’ka mirënjohje? S’ka dreqi ta marrë, s’ka dhe, s’ka..! E nëmën, e pështynë e kafshuan dhe në fund e hëngri kuçedra me dy koka. -Plasja të preftë!- rënkoj. Koka më shungullon dhe them me maraz. Si të ngushëlloj veten, pëshpërit: Mbase gjendet një që e njeh, e vlerëson mirënjohjen dhe do Zoti ky të jetë Marko Kalemi. Si përgjigje, fytyra m’u spërkat nga shiu i ftohtë.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...