Katër ditët e kaluara ishin mes 10 më të nxehtave të regjistruara ndonjëherë, me temperaturat që arritën deri në 50 gradë Celsius në disa zona të caktuara.
Në kushte të tilla, me probleme po përballen edhe kafshët në kopshtet zoologjike të vendit. Luanët e detit ushqehen me peshq të ngrirë, elefantët nuk dalin nga uji dhe gjirafat pinë vetëm ujë me akull. Kështu, kafshët në Kopshtin Zoologjik të Sidneit, po përpiqen t’i bëjnë ballë të nxehtit.
“Ata po ia dalin mbanë mirë. Notojnë shumë, çdo mëngjes dhe pasdite, për të zbutur të nxehtin. Është shumë e këndshme t’i shohësh ata”, tha Tim Bennett, kujdestar i elefantëve.
Mbi 90 kuaj të egër kanë ngordhur në Australi si rezultat i temperaturave shumë të larta. Autoritetet përkatëse kanë gjetur kafshët e ngordhura jo larg Alis Springs. Dhjetëra kafshë kishin ngordhur nga dehidrimi dhe mungesa e ushqimit në një kanal të tharë uji.
Australia është prekur nga temperaturat e larta që tashmë kanë thyer të gjitha rekordet.
Në Adelaide sot është regjistruar temperatura prej + 46,2 gradë celsius, duke bërë kështu të thyhet rekordi që ishte regjistruar në vitin 1939.
Në anën tjetër autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me rrezet e diellit, përveç nëse janë të detyruar për çështje të ndryshme.
F.B.