2019-09-11

Bolton ishte shpresa e Thaçit, Vuçiç dhe Ramës


Nga Enver Robelli 

Kush nuk vringëllon revolen, në sytë e John Boltonit është vetëm një «pëllumb». Me këso shpezësh nuk bëhet politikë, është i bindur ai. Në kujtimet e tij nga viti 2007 Bolton shkruan: «Nuk kam arritur asgjë çfarë kam dashur të bëjë në Iran». Me gjithë zemër ai i kishte përkrahur dy luftëra të presidentit George W. Bush – kundër Afganistanit dhe Irakut. Tani kërkonte një luftë të tretë – kundër Iranit, kundër «regjimit të mullahëve», siç i quante udhëheqësit në Teheran. George W. Bush nuk e dëgjoi Boltonin, sepse presidenti i kishte djegur gishtat me ndërhyrjen në Irak. Më 2007 Bolton ishte detyruar të largohet nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në OKB. Ishte koha kur Washingtoni po koordinohej me vendet kryesore europiane për t’i dhënë leje Kosovës të shpallë pavarësinë. Bolton ishte kundërshtar i mëvetësisë së Kosovës.
Në një editorial të botuar në fund të janarit 2008, dy javë para se Kosova të shpallte pavarësinë, Bolton, bashkë me ish-ministrin e Jashtëm, Lawrence Eagleburger, dhe ish-ndihmëssekretarin e Mbrojtjes, Peter Rodman, kërkoi që administrata e presidentit George W. Bush të pengojë pavarësinë e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, sipas Boltonit, do të destabilizojë rajonin. Në vitin 2008 Bolton dhe Eagleburger konsideroheshin si pjesëtarë të fraksionit të vogël proserb në establishmentin politik të Washingtonit. Eagleburger (vdiq më 2011) kishte punuar si diplomat në ambasadën e SHBA-ve në Beograd mes viteve 1961 dhe 1965. Pas tërmetit në Shkup më 1963 ai u angazhua në dërgimin e ndihmave dhe nga mediat u quajt «Lawrence of Macedonia» – një aludim në filmin e famshëm «Lawrence of Arabia». Mes viteve 1977 dhe 1980 Eagleburger mbajti postin e ambasadorit të SHBA-ve në Beograd.
Pas largimit nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në OKB, Bolton dhe mustaqet e tij qenë shpesh mysafirë të mediave ultrakonservatore amerikane dhe të televizionit propagandistik të Kremlinit RT. Në prill të vitit 2018 Donald Trump, presidenti kampion i dëbimit dhe ndërrimit të stafit, e angazhoi John Boltonin si këshilltar për siguri nacionale. Bolton ishte aty ku dëshironte: në pultin e vendimeve. Ai kishte qasje direkte te presidenti, pa Boltonin nuk do të merrej asnjë vendim me rëndësi (gjeo)politike. Ëndrra e tij ishte rrëzimi i pushtetit në Teheran. Me ashpërsimin e krizës në Gjirin Persik, me bllokimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit nga ana e forcave të Iranit, Bolton sërish i intensifikoi përpjekjet për të bindur presidentin për të sulmuar Iranin.
Trump dhe Bolton e duan një Amerikë të fuqishme dhe nuk interesohen aq për mendimin e aleatëve, por ata dy i ndan qasja: Bolton vepron sipas parimit «njëherë shkrep me revole, pastaj bisedo», ndërsa Trump nuk është intervencionist ushtarak, ai i ka fituar zgjedhjet me premtimin se do t’i kthejë ushtarët amerikanë nga vatrat e krizave dhe nuk do ta kyç Amerikën në luftëra të reja. Trump vepron si tyxhar që me çdo kusht dëshiron të blejë diçka. Diplomacinë ai e sheh si shou të një njeriu – dhe ai njeri duhet të jetë vetëm Trumpi. Në këtë garë Bolton u shndërrua në pengesë. Ai mund të kritikohet për qasjen e ashpër ndaj Koresë së Veriut, për shembull, por edhe dashuria e Trumpit ndaj diktatorit Kim Jong-un është më shumë se bizare. Ka ardhur dita kur presidenti amerikan i çon letër dashurie një diktatori aziatik dhe e ofendon kryeministrin e Kandasë, një vend me të cilin Amerika i ndan të gjitha vlerat perëndimore. Sado i papërshtatshëm të ketë qenë Bolton, tani afër Trumpit nuk është pothuaj askush që ka mundësi ta ndalë pak të mos përulet para diktatorëve të botës.
Politika e jashtme e Trumpit nuk është konsistente. Ai i ka përzënë ekspertët e profilizuar si ministrin e Mbrojtjes Jim Mattis apo këshilltarin për siguri nacionale H. R. McMaster. Trump i konsideronte ata si tepër të butë. Kështu i erdhi radha Boltonit, për të cilin Trump kishte vetëm fjalë të mira. Trump vendosi të tërhiqet nga Marrëveshje Bërthamore me Iranin, të tërheq të gjitha trupat nga Siria dhe të shpallë të pavlefshëm marrëveshjen me Rusinë mbi raketat me rreze të mesme veprimi (Intermediate Range Nuclear Forces). A është bërë bota më e sigurt me këtë politikë? Jo.
Bolton ishte këshilltar për kaos. Por nganjëherë edhe ai kishte të drejtë. Për shembull kur e kundërshtoi presidentin, i cili gjatë fundjavës përgatiti një spektakël: do t’i priste në Camp David udhëheqësit e talibanëve afganë për të arritur një marrëveshje (një «deal»). Legjitimimi i tillë i talibanëve, nga territori i të cilëve janë përgatitur sulmet e 11 shtatorit 2001, do të ishte një goditje ndaj kredibilitetit amerikan. Por Trump nuk bëhet merak për këso gjërash. Ai e do pazarin. Rrjedhimisht, presidenti po përgatitet për një samit të tretë me diktatorin e Penjanit dhe po kërkon të takohet pa kushte me presidentin e Iranit Hasan Rohani. Ky takim mund të zhvillohet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.
John Bolton dëshironte të bombardonte Iranin, Venezuelën, Korenë e Veriut. Për këtë u largua nga posti. Kosova nuk duket se ka qenë arsyeja e largimit. Me ikjen e këshilltarit për kaos planet për prishjen e kufijve të Kosovës kanë pësuar një goditje, por ende nuk janë varrosur. Bolton ishte shpresa e madhe e Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe Edi Ramës dhe kamarillës së tyre nga «publicistika e nëntokës» për dizajnimin e Ballkanit – sipas planeve fillimisht të Beogradit. Për të treguar sa më shumë servilizëm ndaj Boltonit, Rama madje e dëboi nga posti edhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili me kohë kishte parlajmëruar se Kosova nuk duhet të nxjerr në pazar territorin e saj për të kënaqur apetitet serbe dhe Tirana nuk duhet të jetë pjesë e aventurave politike në rajon. Dëbimi spektakular i Boltonit i jep të drejtë Bushatit.
Bolton ka pasur një «raport special» me Shqipërinë prej se ky vend ka pranuar disa anëtarë të Mojahedin-e-Khalq-Organization, një organizatë opozitare militante e Iranit. Bolton beson se këta muxhahedinë mund të jenë pushtetarët e ardhshëm në Teheran. Bolton ishte i lumtur kur Shqipëria i përzuri disa diplomatë iranianë. Dhe kur John Bolton ishte i lumtur, këtë Edi Rama patjetër duhej ta bënte publike në Twitter. Krejt kjo në shërbim të propagandës se «ka një plan amerikan për Kosovën», të cilin shqiptarët nuk bën ta refuzojnë.
Bolton nuk kishte plan konkret për Kosovën, por një synim: prishjen e kufijve të Kosovës. Në korrik të vitit të kaluar ai e takoi ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiq dhe tha se Washingtoni është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Serbinë. Në fund të gushtit 2018 Bolton deklaroi në Kiev se SHBA-të nuk do të kyçen direkt në muhabetet për kufijtë e rinj të Kosovës, por nëse palët merren vesh, atëherë Amerika nuk kundërshton. «Nuk kundërshtojmë korrigjimin e kufijve», tha Bolton. Ishte vokabulari i njëjtë që e përdorte Thaçi në kalërimin e tij apokaliptik gjuhësor. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar Bolton sërish u kyç në debatin rreth Kosovës. Ai bëri thirrje që Kosova e Serbia «të shfrytëzojnë rastin» të zgjidhin ngatërresat mes tyre dhe të afrohen me Bashkimin Europian. Atëbotë Bolton e takoi në Washington Hashim Thaçin. Nga mesi i dhjetorit në Prishtinë dhe Beograd erdhi letra e Donald Trumpit (në të vërtetë letra e Boltonit e nënshkruar nga Trumpi), ku Thaçit dhe Vuçiqit si presidentë të dy vendeve u bëhej thirrje të shfrytëzojnë momentin për marrëveshje historike. Trump i joshte Thaçin dhe Vuçiçin me një ceremoni nënshkrimi në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
Nga mesi i korrikut të këtij viti ministri i Jashtëm serb Daçiç e takoi sërish Boltonin, me të cilin, sipas mediave të Beogradit, foli për përparimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha nivelet. Në fillim të gushtit, një vit pasi Thaçi nisi festivalin e tij të konferencave për shtyp, të sharjeve me Sali Berishën dhe të takimeve «për kafe» me Edi Ramën, pra një vit pasi opinionit shqiptar iu tha se korrigjimi nënkuptuaka që Kosova të marrë Luginën e Preshevës pa dhënë asnjë centimeter të territorit të Kosovës, u paralajmërua një vizitë e Boltonit në Beograd dhe Prishtinë. Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, vizita e Boltonit, sipas «Zërit të Amerikës», u shty. Pastaj disa media në Prishtinë njoftuan se Boltoni do të vijë kur të hiqen tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe dhe kur të krijohet qeveria e re. Për 16 muaj në detyrë Bolton ishte mjaft aktiv në çuarjen përpara të planeve për prishjen e shtetit të Kosovës në këtë formë. Me dëbimin e tij forcohet roli i Departamentit të Shtetit dhe i të emëruarit të posaçëm Matthew Palmer. Nëse këshilltari i ardhshëm për siguri nacionale nuk ia kujton Trumpit Kosovën, ai s’do të kujtohet më për këtë temë. Vëmendja e Trumpit për një problem të politikës ndërkombëtare zakonisht nuk zgjat më shumë se pesë minuta.
Pas largimit të Federica Mogherinit nga posti i kryediplomates së BE-së, pas kalimit të Johannes Hahnit në një post tjetër në Komisionin e BE-së, largimi i Boltonit paraqet ikjen e radhës të sponsorëve e mbështetësve të ndarjes së Kosovës. Do të jetë interesante të shihet nëse kryetari i Kosovës Hashim Thaçi do të vazhdojë të angazhohet për «korrigjimin e kufijve» në të ardhmen. Dhe po aq interesante do të jetë të shihet nëse nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri do të përsërisë premtimin e tij të bërë para një viti se do t’i bashkojë me Kosovën Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, hekurudhën dhe autostradën. Jo të gjitha, por shumë gjëra do të varen edhe nga qeveria e ardhshme e Kosovës. A do të jetë qeveri që i nënshtrohet presionit apo jo? A do të jetë qeveri që refuzon prishjen e kufijve, por lëshon pe sa i përket asociacionit të komunave serbe? Debatet për ndarjen e Kosovës i kanë rritur apetitet e Serbisë. Gjatë vizitës pak ditë më në Prishtinë dhe Beograd të senatorëve Chris Murphy dhe Ron Johnson mesazhi ishte i pakëndshëm për Kosovën. Johnson, i cili anon qartë nga Beogradi, tha se Amerika dëshiron të bëjë gjithçka për të përkrahur dialogun dhe procesin në të cilin të dy popujt, serbët dhe shqiptarët, duhet të japin dhe të marrin diçka. Qeveria e re e Kosovës do të ballafaqohet me pasojat katastrofale të politikave të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. I pari ka negociuar për ndryshimin e kufijve, i dyti thoshte se nuk ka kohë të merret me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kujtimet e Boltonit një kapitull mbi kohën e tij si ambasador i SHBA-ve në OKB bart këtë titull: «Frikë dhe përbuzje». Aty ai me kënaqësi demonstrative shkruan se si i janë frikësuar diplomatët dhe si e kanë përbuzur kundërshtarët e tij. Bashkëpunëtorët që e kundërshtonin për shkak se shpërndante informata që nuk përputheshin me të gjeturat e shërbimeve sekrete Bolton i përjashtonte nga mbledhjet. Një senator republikan ka thënë për Boltonin: «Ai është një rast shembullor se si dikush nuk duhet të jetë në shërbimin diplomatik».

Koordinatat imagjinare të varrit të Skënderbeut

Moikom Zeqo

Varri i  Gjergj Kastriot Skenderbeut, ka tërhequr, ka grishur vëmendjen e shekujve dhe të njerëzve, ka fituar gati statusin e një tabuje jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.
Si një motiv filmik, hollivudian do ta sfiliste (shekujve)  dhe e sfilit edhe sot fantazinë tonë.
Varri lind si njeriu, ka ditëlindjen ditëvdekjen e njeriut. Është e njëjta datë e dyfishtë, kundërshtore me vetveten. 17 janari i vitit 1468 është vdekja e Heroit, por pa këtë vdekje nuk do të krijohej mahnitshëm, nga e panjohura e veshur si e papritura.
Njëlloj Hirushe e Kalendarit, do të shënonte ekzistencën e tij në botë dhe në amshim, Varri i Heroit.
***
Varri është kështu aq kuptimplotë dhe i papërputhshëm për njeriun, sa kali i luftës për kalorësin.
Nëse ajo që quhet vdekja e njeriut shënon një pikë fikse të rrugëtimit të tij, varri shënon startin e një rrugëtimi tjetër, sepse vetëm kështu fundi është njëkohësisht edhe fillimi.
Apologjia e varreve ngandonjëherë tejkalon gjithçka.
Tempulli varr, i quajtur Taxh Mahall, në Igra të Indisë, është një metaforë lirike e piramidave, varreve plot epikë të frikshme me madhështi astronomike të faraonëve të vdekur.
Moikom Zeqo
Moikom Zeqo
Po të mos ishte Piramida e Keopsit, nuk do të kujtohej ndoshta emri perandorak, i vështirë dhe i egër, i kumbueshëm dhe i kotë.
Kjo është plotësisht e vërtetë, nëse nuk harrojmë që Akili nuk ka varr, as Odiseu.
Nëse varri humbet, ahere kemi një mallkim të shumëfishuar, një ankth gërryes, një shi prej acidi, që tret dhe shkatërron Kujtesën.
***
Skënderbeu e ka një varr të përcaktuar në koordinata të dyfishta hapësinore dhe kohore, data kalendarike është bërë substanciale, në një motiv hapësinor, të pashmangshëm në botë.
Kronika thotë, në mënyrë të pamëshirshme, por dhe asnjanëse dhe indiferente, se Skënderbeu u varros në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë, jo në ndonjë vend tjetër.
Kështu, një pikë e kritikuar kohore bëhet një pikë e kritikuar hapësinore, data është lëvozhga, heroi është bërthama.
Gjithë vështirësia, pabesia, imagjinata e sëmurë, fataliteti, paradoksi kanë të bëjnë ose me njësimin përfundimtar, ose me shpërbërjen; mund të ruhet varri bosh, por eshtrat jo, nëse heroi është mëma e varrit (njëkohësisht dhe ati), varri është fëmija (trashëgimtari), vijuesi, rrugëvazhduesi etj., etj.
Historia e varreve bosh është e frikshme, por e rëndomtë.
Në lashtësi njerëzit ndërtonin varre bosh, të quajtura kenotafe, për njerëzit e tyre të afërt që kishin vdekur diku nëpër botë, nëpër qytete të huaja, mbi lumenj apo dete të pafund, duke mos u kthyer kurrë në vendlindje.
Kenotafet ishin fizikisht bosh, por shpirtërisht plot.
Apologjia na e mëson këtë aventurë, madje na rutinizon me çudirat.
E nëse varri i Skënderbeut nuk humbi, kjo nuk do të thotë aspak se një humbje përfundimtare e këtij varri do ta bënte të humbte në hiç e në pluhur vetë Skënderbeun. Dalim kështu te një kuptim metaforik, konvencional, delikat, i brishtë, ose ndoshta, në fund të fundit, të panevojshëm.
Ne nuk i dimë duart, që skalitën mermerin dhe ndërtuan varrin, sarkofagun e Skënderbeut.
Nuk e përfytyrojmë dot ceremoninë rituale të vdekjes, nuk kishte as kamera, as magnetofona, as aparate fotografike.
Njerëzit janë prej mishi dhe gjaku, kujtesat e tyre autentike janë po kaq të pambrojtura dhe rrezikshmërisht të shkatërrueshme.
Nuk dimë nëse mbi pllakën mbivarrore u shkrua në shqip, apo në latinisht emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, epitafi i tij, titujt, fjalët kushtimore të shekullit, simbolet heraldike, kryqi sa i pagantë aq dhe i krishterë. Kryqi, me pikën, ku bashkohen gjymtyrët, vertikalja dhe horizontalja, e Përjetshmja dhe e Përkohshmja, e Paharrueshmja dhe Monotonia.
Nuk i dimë fytyrat e përlotura, as duart e dridhura, as temjanin gati si tymi i topave dhe bombardave të amshimit.
As ngashërimin e thekshëm, ulëritës, të pafuqishëm, ajkunor të gruas, as belbëzimin gjithë gulç, lotët e të birit.
TE DEUME transparente, të lëvizshme, që pluhurizohen. Flokët e shkulur të Lekë Dukagjinit, mjegullat, këngët, profecitë e zymta. Kambanat e kishave të Shqipërisë, të përvëluara, inkandeshente nga goditjet. Të krejt. Europës.
Ankthi i thurur, shermashek vajtimi që ngjitet që nga Hadi.
Fatalizmi, pamendimi i mediokërve, humbja e shumë shpirtrave për hir të një shpirti, këngë funebre pa tinguj, madhështi e kuarcuar, shekuj të thyeshëm si qelq, libra që digjen vetvetiu, pa zjarr, ikona që zbardhen befas, dete të epërme që shndërrohen në stalagmite, Njëshi i Krishterimit i harruar, enigma të helmëta me këmbë insektesh, fëmijë ,që lindin me gjak të bardhë, jo të kuq, ethe të Kujtesës që rraskapitin gjithçka, djaj të gjelbëruar si mijëra shkurre, që dyndin një qytet antik të braktisur, poçe të thyera të darkave mistike të dikurshme, Klepsidra e Hënës, që rrjedh ujëra të zeza, apokaliptike.
***
Më këmbëngulësi, më i zymti dhe më i hershmi, më zhbiruesi, pra më i pabesueshmi, dijetari sanguin dhe i paepur Cosmo Serembe,autor dhe studiues arberesh, botoi në fillim të shek. XX, në Milano, edhe një libër të pazakontë, hulumtues, heretik, buçitës për kërkimet identifikuese të varrit dhe të salmës së Skënderbeut.
Libri i vogël ishte i furishëm dhe stuhidiskutimndjellës.
Serembe citon Barletin si pikënisje, në të njëjtin kuptim si limani i nisjes së Kristofor Kolombit përpara zbulimit epokal.
Serembe përdor një teknikë çmitolotizuese të faktit të vërtetë historik.
Sipas tij, skenari i varrosjes së trupit të Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, ka qenë thjesht një strategji, një motiv apokrif, një parathënie e re, për të vërtetën krejt ndryshe.
Serembe është i bindur në mënyrë titanike se shqiptarët, rrethi i afërm i heroit, kanë përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për t’i shpëtuar eshtrat e Skënderbeut nga duart e turqve.
Këtu shkëlqen me një dritë verbuese, halucinante sekreti i mbartjes së kufomës së Skënderbeut, duke ndryshuar përcaktimin e vendosjes, duke bërë një mospërputhje të fshehtë të dukjes së jashtme me thelbin e duke falsifikuar informacionin në kohë.
***
Serembe është këmbëngulës, nuk thyhet.
Për të zhdukja e historisë së Tivarasit, të shtypur 13 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ka ndodhur për arsye madhore, se kinse në këtë libër kishte shënime tepër të qarta mbi vdekjen dhe varrimin e Heroit, se Dogji Mocenigo, për t’i ndaluar turqit, që të orientuar nga shënimet e sakta të Tivarasit për varrin e vërtetë të Skënderbeut, urdhëruan që të zhdukeshin të gjitha kopjet e këtij libri, përveç një kopjeje, që i ra më vonë në dorë Biemm-it kokëkrisur dhe fantazist.
Po a thua i ra në dorë Biemm-it?
Serembe i skajëzon hamendësimet e tij.
Libri i Tivarasit u shqye që të mos e merrte vesh njeri sekretin e fshehjes së trupit të Skënderbeut.
Ndoshta dhe libri i Gjon Buzukut – kopja e vetme që ka mbetu në botë, i ka të shqyera fletët e para, frontespicin, simbolin tipografik, për shkak të ruajtjes së një sekreti, që do të ishte më i kobshëm po të zbulohej.
Kështu, zhdukja e sekretit dhe jo ruajtja e tij, përbënte një motiv mbijetese, ruajtje.
Kështu, paradoksi tingëllon i plotë, si monedha me dy faqe, jo si sfera.
Serembe i përkorë mbështetet në logjikën gati të pakundërshtueshme se shqiptarët, në asnjë mënyrë, absolutisht nuk do të donin që turqit, pas pushtimit të Lezhës, të dhunon varrin e Heroit.
Po a nuk do të pushtohej Lezha një ditë ?
Ç’naivitet absurd do të konstruktonte shpresën kinse utopike se turqit nuk do të shkonin në katedrale, do të trembeshin nga shikimet shigjetuese të afreskeve, nuk do ta preknin varrin tabu ?
Shqiptarët e dinin fare mirë se dhuna do të shumëfishohej si hakmarrje, rituali i zhvarrimit do të ishte një motiv më i epërm sesa ai i fitores.
Ahere ç’duhej të bënin shqiptarët ?
Serembe mendon përvujtërisht një projekt konceptual për shpalljen paraprakisht të varrosjes së trupit të Heroit në Katedralen e Shën Nikollës, duke ia bërë këtë të njohur gjithë botës, njëkohësisht do ta varrosnin diku, në një vend të panjohur, sekret, misterioz, kufomën.
Por Serembe nuk mund ta rrënjëzojë ashtu siç duhet këtë hamendësim.
Ai gjen motive të tërthorta, sfilitet prej tyre, hakërritet, egërsohet, por edhe merr fuqi arsyetimi dhe pushtet këmbënguljeje.
Bindja e Serembes është se shqiptarët duhet të kenë lënë diku një dëshmi, një shenjë, një simbol grafik, një semiologji të kohës, një gremç të artë, por dhe të padukshëm në formën e një kriptografie.
Duke qenë i zotëruar prej filologjisë, ai bëhet një lloj Aladini i filologjisë së emrit të Heroit, emër që ka përjetuar plot përçudnime, qoftë prej padijes, qoftë prej gabimeve të kopistëve, si p.sh., Scanderbego, Scanderebech, Scandaribech, Skandalbech. Përçudnimet e emrit e ruajnë njëfarë probabiliteti, por midis këtyre përçudnimeve ruhet edhe ermi, që sipas Serembes është çelësi i Davidit që i hap gjitha portat e fshehtësive, të sekretit të dhimbshëm të vendvarrosjes së trupit të Skënderbeut.
***
Në vitin 1468, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut, Ferdinandi i Aragonës i dërgon një letër së vesë së Heroit. Me këtë rast, në letër shkruhet « Scandalibech ».
Serembe mendon se kemi të bëjmë me një kriptogram të jashtëzakonshëm, të habitshëm, sfidues, grishës, marramendës.
Është një fjali konvencionale, e cila duhet ta shpërthejë substancën e saj në secilën germë në vetvete, germë nismëtare, kuptimore, kumtmbartëse.
Gjithë misteri lidhet me lehtësinë e të lexuarit nga e djathta në të majtë, pra në të kundërt, sipas leximit arab dhe jo atij latin.
Kështu kemi të bëjmë me këto germa iniciale të mëdha : H. C. E. B. I. L. A. D. N. A. C. S.
Duke plotësuar germat nistore me fjalë latine, formojmë përfundimisht, ultimisht, konkretisht, fuqimisht, lehtësisht, mrekullisht dhe marrëzisht, këtë fjali : HUMILITER CORNU EPISTOLAE BARBARIS IN LOCO ANGUSTO DOMINI NOSTRAE ALBANIAE CELAT SEPULERUM.
Një përkthim i lirë i kësaj latinishteje hieronimase, na njofton se Zoti i Shqipërisë (pra Gjergj Kastriot Skenderbeu) e ka të vendosur salmën (kufomën) në një vend të ngushtë pranë altarit, në krah, ku lexohet Epistula.
Cila Epistula (Letra) ?
Një Epistula biblike si ato të Shën Palit, apo një Epistula Testamentum, e vetë Skënderbeut?
Serembe nuk e ftillëzon enigmën e Epistula-s.
Këtu nis terri.
E padepërtueshmja.
Mbase Serembe ishte frymëzuar nga Kabala, ku kombinimi i germave përfton krijesa fantazmagorike.
Një shkrimtar entuziast do ta besonte, do të thurte subjektin tronditës, ku përtej të Pabesueshmes gjallon e Besueshmja.
Por një shkrimtar i tillë nuk ka lindur ende.
Për fatin e mirë shkrimtarët mediokër janë indiferente, trillet e dijes për ta janë kotësi shqetësuese, bezdisëse.
***
Serembe shpiku një ide, bëri piedestalin për një monument të mangët, parashtroi, por nuk vërtetoi. Këmbënguli, por nuk gjeti dot asgjë.
Hodhi një fishekzjarr, por terri nuk u tërhoq. Parandjeu, bëri një nisje, por nuk arriti.
Skeptikët nuk guxuan ta mëshironin, as ta përkëdhelnin.
Skënderbeu i gjallë ishte pa varr.
Por edhe pas vdekjes nuk i duhet varri.
Varri?
Një rrobë e gardërobës funerare?
S’ka nevojë heroi për këtë rrobë simbolike.
***
Heroi s’ka varr se është në substancën e Historisë. Varri hapet,prishet, profanohet, shkaterrohet  në tokë, por jo në Histori.
***
Varri është konvencional,- përtej Konkretësisë. Historia është konkrete,- përtej Konvencionalitetit.
Skënderbeu s’ka varr!
KY VARR JEMI TANI VETE NE!
DHET ATA, QE DO TE VIJNE NE AMESHIM!
Një vend imagjinar nuk i duhet askujt!

Sarkofagu emblematik i Lezhës



Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe

Të shumtë janë vizitorët dhe turistët që ndërsa kanë vizituar vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë, nuk e kanë ditur se poshtë këmbëve të tyre fshihet edhe një tjetër thesar i çmuar. Madje, as ciceronët nuk e përmendin një fakt të tillë.


Kapaku në mes të katedrales së Shën Nikollit nuk hapet prej vitesh duke mbajtur të fshehur pjesë të historisë. As lezhjanët nuk e dinë se çfarë ndodhet dy metër poshtë vendit ku janë vendosur imitimet e përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut.


Këtë e thotë specialisti i monumenteve të kulturës, Dedë Margjoni. Ai shpjegon se ekzistojnë dyshime se krahas strukturës që është e punuar me një nivel të lartë artistik, i fshehur mund të jetë edhe një sarkofag. Hapja dhe ekspozimi i këtij zbulimi të madh do të ishte një tjetër tërheqje për vizitorët dhe turistët.

Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe

Margjoni ka edhe sugjerimet e tij sesi mund te realizohet ky qëllim. Burime nga Bashkia e Lezhës kanë bërë të ditur se do të kërkohet bashkëpunimi me institutin e arkeologjisë që ky vend të hapet dhe të jetë i vizitueshëm.

Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe


Për këtë veçori që fsheh vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë flet edhe ish-çërgjegjësi i Kulturës Kombëtarë në Lezhë, historiani Paulin Zefi. Sipas tij, në vitet 1978-1981, gjatë procesit të punimeve që u zhvilluan tek Katedralja e Shën Nikollit (cendvarrimi i Skënderbeut) nga ana e specialistëve të “Ateliesë së Monumenteve të Kulturës” në Tiranë, përveç zbulimit të themeleve të mureve perimetrale të këtij objekti, stratigrafia e pasur antike dhe mesjetare, heqja e suvatimit, zbulimi i rrugës antike Iliro-Romake dhe të tjera gjetje, është zbuluar edhe një Kriptë (varr i nëndheshëm). Gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet e tjera strukturore nxorën në dritë muraturën origjinale që i përket fazave të para ndërtimore deri në shekullit XV-të.

Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe

Gjatë gërmimeve në hapësirën e brendshme të Katedrales së Shën Nikollit, pranë vendit ku ndodhej altari (i shkatërruar nga osmanët), u zbulua varri i fshehte dhe një sarkofag prej guri gëlqeror i punuar sipas tipologjisë së sarkofagëve të periudhës së mesjetës. Ky sarkofag ishte i mbuluar nga një material me trashësi rreth 1.8 metra në raport me nivelin e dyshemesë së Kishës. Ai rezultoi të ishte bosh, pra pa asnjë fragment kocke apo relike të tjera. Pozicionimi i sarkofagut nuk ishte sipas aksit të Kishës, lindje-perëndim, por pak i devijuar në aksin veriperëndim-juglindje. Mendohet se gjatë gërmimit brutal (1478) ka pësuar edhe dëmtime të ndryshme.

Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe
Specialistët vendosen që pikërisht mbi vendin ku u zbulua ky sarkofag, të vendosej pllaka prej mermeri, përkrenarja dhe shpata ceremoniale prej bronzi (sipas modelit origjinal). Struktura që shohim sot përfaqëson varrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, por realisht ndodhet dy metra mbi sarkofagun e zbrazët dhe kriptën e këtij objekti religjioz.

Rikonceptimi i këtij varri simbolik, rihapja e kriptës së Kishës dhe ekspozimi i sarkofagut duke nxjerrë në pah varrin e vërtetë që vazhdon të qëndrojë i fshehur poshtë një kapaku prej betoni, do t’i jepte edhe më shumë vlera këtij vendi të shenjtë për shqiptarët.

***
Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe

Një dhomë e fshehtë poshtë dyshemesë së vendvarrimit të Skënderbeut ka 40 vjet që shoqërohet me mister. Me ndërhyrjet më të fundit për restaurimin e këtij vendvarrimi, kapaku u hap përsëri dhe aty u gjet një sarkofag që nuk dihet kujt i përket. Megjithatë ende mbetet enigmë pse zbulimi i shumë viteve më parë u mbyll dhe u vendos që të mos flitej për të.



Kapaku mbi dyshemene e vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë u hap. Poshtë tij thuhej se kishte gjetje të rëndësishme, por që asnjëherë nuk u publikuan. ABC News e ka përcjellë edhe më herët emblematikën mbi zbulimet e 40 viteve më parë nga arkeologët Frano Prendi, Loro Gjeçi dhe Ndue Përleka.

U desh ndërhyrja për restaurimin e vendvarrimit që të guxohej për të parë se çfarë fshihej poshtë dyshemesë, në dhomën katrore. Përgjegjësi i muze-memorialit në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi thotë se zbulimi i shumë viteve më parë u mbyll në mënyrë misterioze dhe në mënyrë të pashpjegueshme u vendos që të mos flitej më për të. Por ai afron disa të dhëna se çfare dyshohet.

“Historianët dhe arkeologët janë të ndarë në dy mendime të ndryshme. Një pjesë ka thënë se mund të jetë një basament i shekullit të dytë antik. Pjesa tjetër ishte e mendimit se blloqet janë antike, por të ripërdorura për vendosjen e një sarkofagu”, tha ai.
Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe
Zefi thotë se pavarësisht se çfarë do të nxjerrin studimet, ky sarkofag duhet të ekspozohet, ndaj edhe do të hartohet një projekt për këtë qëllim që do t’i dërgohet edhe Ministrisë së Kulturës.

Rezultate imazhesh për sarkofagu i skenderbeut ne lezhe

Ekzistenca e një objekti tjetër poshtë vendvarrimit të Skënderbeut u soll për herë të parë nga ABC News rreth 1 vit më parë dhe tashmë sarkofagu emblematik pret që të ekspozohet

Alice Taylor : Vend legjendash, një parajsë e veçuar nga bota plot mrekulli dhe mister



Alice Taylor, blogerja, shkrimtarja, editorja dhe specialistja e PR ka vizituar veriun e Shqipërisë. Britanikja duket se është e dashuruar me Ballkanin pasi ka braktisuar vendlindjen e saj për të jetuar në Maltë. Në blogun Balkanista, Taylor ka publikuar të përkthyer reportazhin e saj mbi udhëtimin në Shqipëri.

Shkrimi i blogeres për Thethin:

Në qoftë se dikush do të më kishte thënë një vit më parë, se unë sot do të isha duke udhëtuar përmes maleve të Shqipërisë veriore, majë një Harley Davidson-i, do ta quaja të çmendur. Por ia tek isha, me ajrin e nxehtë aromë manushaqe që më rreh fytyrën, diellin që godet lëkurën time të përskuqur, dhe vibrimet e motorrit që dallgëzojnë deri në thelb të qënies time.

“Kjo është ndjesia e lirisë”-mendova më vete ndërsa tërhoqa duart nga gjoksi i tij duke i hapur anash për ti shtriqur, me sytë e mbyllur e kokën e tërhequr prapa, ndërsa bota nxitimthi mbetej pas.
Hapa sytë dhe bota përreth vërshoi brenda meje; shtëpi shumëngjyrëshe me çati të qeramiketa, male të kadifenjta që dallgëzonin në horizont me butësinë e kolme të ijeve të një gruaje, e lumenj që çanin përdredhimthi mes gjelbërimit, si plagë të hapura nga derdheshin ujërat me kaltërsinë e tyre të argjendtë.

Me zemrën në grykë, e me një buzëqeshje që më shtrihej në gjithë fytyrën, ndihesha e lirë dhe e lumtur. E ndjeja se i përkisja këtij vendi, këtij vendi që më bëntë të ndihesha kaq e vogël, këtij vendi me këta qiej të hapur të pamatë, male me lartësi marramendëse, dhe ujëra që rrjedhin pambarimithi. Natyra duket më madhështore këtu dhe ka fuqinë që të të bëjë të ndihesh fare i parëndësishëm para saj, por në një mënyrë të mrekullueshme.

Ishim në rrethin e Shkodrës, që shtrihet në veri të kryeqytetit Tiranë e shkon deri në kufi të Malit të Zi e Kosovës. Është një vend me një bukuri natyrore të mahnitshme, dhe unë e quajta “vendi i përrallave”, për shkak të cilësive gati mistike dhe natyrës së egër e të paprekur që shtrihet ngado. Vitet kalojnë, ushtritë vijnë e shkojnë, diktatore ngrihen e bien, por ky vend qëndron i njëjti. Është vetë rrahja e pulsimi i parreshtur i natyrës që nuk mund të ndalet.

Ka gjëra në jetë të cilat njeriu nuk mund t’i shkatërrojë, dhe këto male, liqene, e lumenj kanë fuqinë e mahnitshme që të mbijetojnë, të gjallojnë, e mrekullojnë përtej gjithçkaje njerëzimi mund të ëndërrojë.

Pikëmbërritja jonë ishte Thethi, një fshat i vogël strukur në mes maleve të Shalës. Të shkosh atje është e mundur vetëm nëpërmjet një rrugë të gurtë prej 25 kilometrash që përqafon shpatet e malit, e gjarpëron lart e poshtë majash kërcënuese që paralajmërojnë vdekjen e kujtdo që nuk i përmbahet shtegut të ngushtë malor.

I kërkova shoferit tonë të më tregonte për Thethin, dhe me një anglishtë të çale m’u pergjigj:
“Në të gjithë e kemi prejardhjen nga një njeri, Dedë Nika, dhe u vendosëm këtu rreth 350 vjet më parë. Ata donin të mbronin besimin e tyre katolik nga Otomanët, kështu që u vendosën në një nga zonat më të largëta të vendit”.
Por ky nuk është një vend i sunduar nga krahu i gjatë i Vatikanit, duke qënë se Kanuni i Lekë Dukagjinit pat’ qënë gjithashtu zotërues këtu. Një bashkësi ligjesh tradicionale shqiptare, qeveriste çdo aspekt të shoqërisë nga familja, e deri tek mosmarrëveshjet midis palësh ndërluftuese.

Nga ky kod sjelljeje e kanë origjinën edhe gjaqet, bazuar në konceptin “gjak për gjak”, i cili i mëson ndjekësit e tij të hyjnë në një rreth vrasjesh për hakmarrje, deri në pikën që në disa fshatëra të Shqipërisë burrat gati janë zhdukur duke lënë vetëm gratë të trashëgojnë emrin e familjes.

Ndërkohë gjaqet u zhdukën në Theth gjatë periudhës së komunizmit, kujtime të largëta të kësaj kohë të përgjakur mbijetojnë. Një dëshmitar i kësaj kohe është një nga të fundit “kulla të ngujimit”, që gjendet në fund të luginës. Ka shërbyer për shumë vjet si një formë historike mbrojtjeje për familjet që ishin “në gjak”. Këtu mund të gjenin strehë nga gjakësi, ndërkohë që prisnin për një falje gjaku, ose mendonin për një plan arratisjeje.

Tek përparonim e zvarriteshim rrugëve të pjerrëta, një ndjesi e fortë e diçkaje të papritur që po vinte me pushtoi, e cila rritej me çdo hap që bënim ndërsa ngjiteshim. Çfarë po na priste? Nuk dija se çfarë të prisja, por u ndjeva sikur po udhëtoja drejt një vendi legjendash, një parajsë të veçuar nga bota plot mrekullira dhe mister.

Këtu lart ajri ishte kaq më i pastër dhe unë mbusha me sa munda mushkëritë me freskinë e tij, ndërsa përpiqesha të mos shihja humnerën që thellohej disa qindra këmbë poshtë nesh. Vështrova shoferët tanë në vendet e përparme të makinës; dy të rinj jo më tepër se 25 vjeç, që më sterion në maksimum dëgjonin gangsta rrep. Jeta ime ishte praktikisht në duart e tyre dhe ky fakt nuk është se me mbushte me besim.
Më në fund arritëm majën dhe filluam të zbresim në luginën poshtë.

Çatitë e shtëpive kuqëlonin mes gjelbërimit dhe shkëmbinj të thepisur i bënin korrnizë vendmbërritjes sonë. Më dukej sikur po zbrisja në një krater madhështor të gjelbëruar që të çonte drejt e në zemër të tokës. Ky ishte një vend i mbetur gati i paprekur nga duart e botës, plotësisht i padepërtueshëm gjatë muajve të dimrit; një ndjenjë tronditëse ngazëllimi më pushtoi, tek mendova këtë veçim gati të plotë nga bota që më priste.

Vendmbërritja jonë ishte një kompleks i vjetër komunist pushimesh që ishte kthyer në një shtëpi pritjeje. Ishte një bllok i madh në formë drejtkëndshi ngjyrë portokalli, i cili do të dukej frikëndjellës sikur të mos ishte për pulat që çukisnin e gërrmonin në hyrje të godinës. U regjistruam në dhomat tona dhe duke dashur të çlodhesha pak u sorollata në kopështin që po e mbysnin barërat deri tek një pikë nga ku dukej poshtë lugina.

Ulur në atë ç’kish mbetur nga një ndërtesë e vjetër, thitha ajrin e ftohtë e të lagësht, e mrekulluar nga ndjesia e çlirimit që më pushtoi trupin e lodhur. Heshtja thyhej vetëm nga ndonjë tingëllimë e rastësishme e ziles së ndonjë lope, ose bisedat e deleve në fushën poshtë. Mes degëve e gjetheve dukeshin shtëpitë si njolla shumëngjyrëshe dhe unë nisa të mendoj se si do ishte të jetoje këtu.

Nuk mund ta imagjinoj atë lloj paqeje që mund t’i sjellë ky vend shpirtit të një njeriu; një jetë e thjeshtë, me ushqim të thjeshtë e gjëra teë thjeshta, një botë larg dritave të shkëlqyeshme e zhurmave të Tiranës. E ndjeva veten të dëshpëruar për këtë lloj paqeje, të aftë të shkëputem e të largohem nga stërmundimi i të jetuarit në një botë kaq të vrrullshme dhe të pamëshirëshme. E gjeta veten të mrekulluar dhe shpirtin tim të etur për paqen që jepte ky vend, dhe ndjeva si dalëngadalë po zinte vend brenda meje duke larguar egërsinë dhe ndjesinë e të qënit e paplotë që më mundonte.

Atë natë darkuam me mish të freskët, perime dhe djathë. Elektriciteti vinte e ikte ndërsa uleshim rrotull tavolinës të ndriçuar nga qirinjtë, por unë nuk mundesha të përqëndrohesha në bisedën mbi politikën botërore ose rrezikshmërine e ulqërve dhe arinjve të zonës. Në vend që të merrja pjesë në bisedë e shkëputa mendjen tek dëgjoja trokitjen e shiut malor dhe dehesha nga atmosfera rrotull meje, me shpresën se do të mund ta ruaja këtë ndjesi kur të vinte koha të kthehesha në realitetin e ekzistencës sime.

Për një çast, realiteti u përplas mbi mua ndërsa ai kërkonte vëmendjen time me një prekje të butë tek gjuri im.
“A je mirë shpirt”?
“Sigurisht”- iu pergjigja me nje buzeqeshje të gëzuar, një nga ato buzëqeshje që t’i bëjnë sytë të ndihen të vegjël.
Një nga pjesëmarrësit e festës po na dhuronte historitë e tij mbi telashet e ngatërresat që kishte pasur në Lindjen e Mesme përpara se të më pyeste se cilat preferoja, rrugët e jugut apo të veriut të Shqipërisë.

“Të veriut pa dyshim”!- thërrita unë me zërin plot entuziazëm të amplifikuar nga një verë e kuqe e fortë me aromë frutash që e kisha rrëkëllyer ashtu siç vetëm një grua angleze mundet.
“Çfarë”?- thirri miku im. Duke qënë me origjinë nga Vlora, atij fjalët time iu duken fyese dhe nuk mundej të kuptonte sesi unë mund të preferoja këto rrugë të rrezikshme përpara atyre rrugëve gjarpëruese të rivierës shqiptare.

“Shiko”!- i thashë. “Vërtet ju keni male edhe det në jug, por malet këtu janë një milion herë më të mirë. Ata duken të lashtë e të paprekur, të gjelbër e pjellore, dhe unë ndihem sikur fluturoj duke udhëtuar përmes tyre. Po, Vlora është e bukur por këtu ka shije lirije”.
“Këtë natë nuk duhet të kesh kujdes nga ujqit e arinjtë”- tha ai duke mbërthyer thikën e tij ndërsa një buzëqeshje e madhe shkëlqente në fytyrë,- “është nga unë që duhet të kesh kujdes pas atij komenti që bërë”.

Pas shumë të qeshurave, ushqimi, dhe vere, u tërhoqëm në dhomat tona dhe unë rashë në një gjumë të thellë, përkëdhelur nga drita e zbehtë e qirinjve dhe zhurmat nanuritëse të ujërave pranverore në tokën poshtë nesh.

“Letrat që kurrë s’i lexove”, shkrim që nuk duhet humbur


Nga Çun Lajçi 

Eh moj miloshe, sa plakë t’u ka baba!

Shumë muej para e kam shkrue këtë letër e çue s’e kam. Pse e qysh, nuk di, por udhë s’i paskam dhanë!
Si duket xhamat e syzave m’u paskan pasë mjegullua, kur loti nga malli hajnisht paska pas pikë mbi to, tue mos m’lanë me nisë! Sot po i jap udhë kah Zhlebi, e për Qafën e Qyqes e Majën e Nik Dedës le t’zbret n’Drelaj.
Ti lexoje kur t’ikin dritat e t’del hana natën vonë!
Bubë!
Unë vazhdoj t’heshti n’qoshe, kur rreth e rrotull zbrazen filxhanat e digjen cigaret tue u lakua e përdredhë me krenari emna hajnash e pushtetarësh, t’atyne që shkretinë e banë dhe e mjeruen Kosovën edhe ma shumë seç e ke lanë.
Posi miloshe, mbasi pinë kafe sade i bien gjanë e gjatë qarshisë shqiptarët e mi t’papunë. Bile harrojnë kush janë e kacafyten edhe me pashallarë e bajraktarë.
Hashimit i thonë: Ky Çikllopi! Po pra, pse jo?!
Pema, kur bahet kalavesh prej frutave, po s’i vune çatrra, ajo çkyhet. Bile edhe rrëzohet e rrajtë i dalin përmbi dhe.
E ky Hashimi ynë, trim mbi trima si Çikllopi, n’shpinë e merr Kosovën (pa çatrra), e shkon n’Bruksel me folë me Vuçiqin e Serbisë, e hiç s’frigohet se mundet me fry era e me ia nxjerrë rrajtë. Me çua me krejtë pemët e Burojës përpjetë!
Medet për Kosovën moj Bubë, se me ba me mbet pa kët trim, kafet e idhta asht dro m’u ba t’amla e me na mbet n’fyt!
Se mos t’folim për Ramushin. Kurkush s’po e din çka asht ba me kryet e tij. S’po i rrinë kapuçat kurrsesi! Veç po i ndrron! Bile Hashimi shajkaçën s’pe hjek hiç, se po m’shkon me ftyrë po thot! E ky s’po din a asht Rambo njishi a dyshi, apo treshi! E ka marrë n’krah Çakorrin e çua e ka n’Podogricë. Pe baj kurban për Plavën e Gucinë, ka thanë trimi!
– Kështu kanë thanë se atje s’jam kanë, – kështu përfundojnë të gjitha kangët n’lahutë miloshe!
Bile po tutna se këta të dy do t’ia bajnë si Mark Milani. Ai n’luftën e Nokshiqit kish pas thanë:
– Rugovë, po e bajmë luftën me mejdanxhi dhe cili t’fiton e ka fitue luftën.
Po kur Demë Isufi ia preu ma trimin, u idhnue e tha:
– Edhe nji herë Rugovë po i qesim mejdanxhijtë.
Kur Dema ia preu edhe të dytin, Marku e qiti edhe të tretin. e kur ia preu kryet edhe atij, me ndihmën e Rexhë Avdisë, i çmendun Marku briti:
– Futuni n’luftë sokolat e mi!
Marku shpëtoi tue u mbajtë për bishtin e kalit, se ushtarët pa krena Limi ia çoi në Vishegrad!
Ne, vetëm me mejdanxhiun e parë jemi takua n’Çakorr. Priteni tash të dytin n’Mitrovicë e të tretin n’Karaçevë. Kadria e Ramushi me Hashimin po e luejnë babën e fortë (si unë dikur para teje), por këta s’janë as Demë Isuf, as Avdyl Povatë, por as Ukshin Kovaçicë m’u pre me Malin e Zi e Sërbinë.
Këta sot janë pashallartë tonë, e bajraktarët e rrejshëm Bubulaqe që na i lidhën duer e kambë n’oborr! Qe dhetë vjet i lshuen pllumbat havasë e ata n’kafaz se n’kafaz! Medet kjo lëvizja e lirë…
Ti flej, e unë po pi kafe e fjalë t’thata e po mbyllna n’lëvozhgën e vorfnisë sime. S’po merrem ma me ta. Se kur ti mjekoheshe spitaleve, asnjeni nga mullarët e lamës vet, nji tfurk sanë për ty s’ma dhanë.
Eh, fukaraja tutet mos po e humb ftyrën, kurse i pasuni…?
Natën e mirë, Bubë.

Lufta Nacionalçlirimtare, këshilla e Dritëroit: E shenjtë mbi të shenjtat, ai që mundohet ta rrëzojë bie në lumë dhe bëhet ushqim për zhabat


Teksa ditët e fundit debati publik për Luftën Nacional Çlirimtare është intensifikuar ndjeshëm, vlen të kujtohen këshillat e mençura të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.


Në një intervistë të radhë të vitit 1993, Dritëro Agolli e konsideron këtë ngjarje historike si të “shenjtë mbi të shenjtat” ku kritikon individët që tentojnë të zbehin rëndësinë e saj.


“Për mua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë mbi të shenjtat .

Është ndër luftërat më të mëdha dhe me ideale humane më të larta nga të gjitha luftërat.

Çdo popull do të krenohej me të, pasi është harku me qemer i urës më të madhe dhe më të qëndrueshme të historisë së Shqipërisë, që lidhin dy brigje: bregun e traditës së shkuar dhe bregun e kohëve moderne.

Pa këtë urë, demokracia e sotme do ta kishte të vështirë.

Ai që mundohet ta rrëzojë këtë hark madhështor me qemer, rrëzon gjithë urën, bie në lumë bashkë me mbeturinat e urës, mbytet dhe bëhet ushqim i mirë për zhabat dhe qeniet e tjera të lumit”, ka nënvizuar Agolli i cili ka qenë edhe dëshmitar i kësaj ngjarje historike ku që në fëmijëri ka mbajtur detyrën si korrier i çetave partizane".





Shqiptarët po shfrytëzojnë internetin dhe rrjetet sociale për të nxjerrë të ardhura: Ja si të bësh para nga shtëpia




Edhe pse vendi jonë nuk ofron mjaftueshëm mundësi, të gjithë që kanë hulumtuar e kanë gjetur një rrugë apo më shumë se si të fitojnë para, sidomos të rinjtë.

-Ka persona në vendin tonë që e kanë nisur si formë argëtimi, apo thjesht si eksperiment dhe kanë arritur 800 mijë deri 2 milionë subscriber duke fituar mesatarisht 180- 600 mijë dollarë në vit.

-Shumë blogerë që janë dhe personazhe publike në Shqipëri, e kanë profesion me kohë të plotë daljen vetë në instagramin e tyre duke reklamuar produkte, biznese e kompani të ndryshme duke marrë përfitime tepër të larta krahasuar me pagat në vendin tonë.

Për shumë njerëz në vendin tonë, të bësh para nga shtëpia do të ishte si një ëndërr e bërë realitet. Nëse ata mund të gjejnë një mënyrë për të fituar para me një faqe interneti ose ndonjë ndërmarrje tjetër në internet, njerëzit mund të lënë punën e tyre për t’u përqendruar në sipërmarrjet online, të cilat të fusin në një botë sa që mund t’u marrë aq shumë kohë sa mund të mos keni më mundësi të shpenzoni kohë me familjen tuaj. Shumë njerëz në Shqipëri në ditët e sotme po angazhohen dhe po investojnë shumë online.

Edhe pse vendi jonë nuk ofron mjaftueshëm mundësi, të gjithë që kanë hulumtuar e kanë gjetur një rrugë apo më shumë se si të fitojnë para, sidomos të rinjtë. Teknologjia është një fushë e cila përditësohet shumë shpejt dhe gjëja më e rëndësishme është të kapësh trendet. Mundësia më e mirë që kjo fushë ofron është ‘si të bëni para nga shtëpia’ e cila është një ndër punët më komode që kushdo mund të gjejë. Tani, këtu është lajmi i mirë.

Shumica e strategjive të të ardhurave online nuk janë aq të komplikuara. Ashtu si çdo sipërmarrje biznesi, të ardhurat tuaja online kërkojnë kohë për t’u rritur. Duhet të jeni të gatshëm të kushtoni kohën dhe energjinë e nevojshme, nëse ju nuk hiqni dorë kollaj probabiliteti që ju të dilni të fituar është shumë i lartë. Një gjë është e sigurt të gjithë duan të fitojnë para online, por nuk kanë informacion të sigurt se si të fillojnë, personalisht nga hulumtimet e bëra dhe eksperienca personale këto janë mundësitë më të mira dhe realiste për tu marrë parasysh:

Google Adsense

Nëse keni vizituar ndonjë faqe interneti, keni parë reklama nga Google. Këto reklama janë kudo, dhe për arsye të mirë. Jo vetëm që ato janë të lehta për t’u vendosur në çdo faqe interneti bazë, por mund të jenë fitimprurëse kur faqja juaj fillon të sjellë një sasi të qëndrueshme vizitorësh. Në Shqipëri ka shumë të rinj të cilët fitojnë para nëpërmjet ‘Adsensit’ pasi ka plot njerëz, video, apo tutoriale të cilat ta shpjegojnë metodën e punës. Facebook është aktualisht rrjeti ku gjenden më kollaj mënyrat e fitimit. Personalisht kur e kam nisur mendoja se pak shqipëtarë e dinin por pasi gjëja më shumë grupe pune kam njohur aq shumë sa që ndanim edhe eksperiencat apo format më të lehta dhe të sigurta të fitimit. Google AdSense është një ndër opsionet më të thjeshta të punës online. Nëse keni një blog ose faqe interneti, mund të regjistroheni për një llogari e cila është falas në Google AdSense. Prej atje, Google do t’ju japë një kod unik që ju do të ngjitni në faqen tuaj te internetit. Google e merr atë nga atje, duke ndjekur shikimet tuaja të faqeve, trafikun dhe fitimet në emrin tuaj. Puna më e vështirë në ‘AdSense’ është tërheqja e vizitorëve pasi shumë kollaj mund të krijosh një website apo të bësh postime. Por nga eksperienca të mësosh ‘truket’ e Google AdSense të cilat mësohen hap pas hapi por gjithmonë duke hulumtuar, mund t’ju sjellin fitime më të larta dhe pa u lodhur shumë. “Truket” do iu mësojnë gjithçka duke nisur nga krijimi i një profili me vendodhje në SHBA apo Europë pasi fitimet janë më të larta për këto vende, gjithashtu më e rëndësishmja, grupet e punës ku mund të shkëmbesh klikime të konvertuara në para me persona të ndryshëm nga e gjithë bota. Pjesa përfundimtare e punës është shpërblimi, i vetmi problem është se pagesa e cila merret nëpërmjet një karte krediti të porositur online, del 21 ditë pasi përmbushet muaji. Fitimet janë tepër të larta në qoftë se punoni me seriozitet, madje mund të kapni shifrat e rreth 1 mijë dollarë në muaj duke punuar 4-6 orë në ditë. Është një punë tepër e mirë pasi bota e reklamave online po merr gjithmonë e më shumë investime.

Një anë tjetër e mirë e Adsense është që mund të fitosh edhe nëpërmjet YouTube, ku në vendin tonë për një farë kohe ‘vidhnin’ video humoristike, ‘vines’ nga personat publik amerikanë të cilët postonin video të tilla pothuajse përditë në Instagram. Por fitimet nga Adsense ishin plotësuese pasi YouTube ka platformën e vet të reklamave dhe të sponsorizimeve. Puna për YouTube ndryshe nga Adsense ishte më e vështirë pasi duhen selektuar videot, duhen montuar, problem mund të kishte dhe ‘Copyright’ i cili nuk të lejonte të merrje videot e të tjerëve duhet të punoje mirë me ndjekësit ose “subscribers”. Pranimi në YouTube në kategorinë ku mund të fitoje para kishte kërkesat në numër ndjekësish dhe në orë shikimi. Sikurse në Adsense edhe këtu të duhet të mësosh hilet, ku ndër të parat është vendosja e vendodhjes në SHBA pasi fitimet ishin shumë të larta nëse kishe ecuri pune dhe trafiku. Personat që bëjnë para online në vendin tonë nuk njihen publikisht ose preferojnë kështu. Janë disa persona të cilët e kanë nisur si formë argëtimi në vendin tonë apo thjesht diçka që duhej eksperimentuar dhe kanë arritur deri në 800 mijë subscriber (të regjistruar) apo rreth 2 milionë subscriber dhe kanë fitime mesatarisht deri në 180 mijë dollarë në vit por që në periudhat më të mira kanë fituar deri në 600 mijë dollarë.

Faqet në rrjetet sociale

Shit-Blerja e Facebook page apo Instagram është një tjetër mënyrë e bërjes së parave në vendin tonë. Faqet në Facebook u bënë shumë të njohura në një periudhë deri para 5 viteve. Duke qenë se rrjeti social në atë periudhe ishte më i përdoruri, nisën dhe krijimet e faqeve të cilat mund të bëheshin edhe shumë shpejt virale dhe personi që e kishte krijonte faqe të tjera dhe niste reklamimi i faqeve me njëra tjetrën dhe rritja e ndjekësve në to. Më pas faqet që kishin rreth 50 mijë ndjekës shiteshin në bazë të aktivitetit vendodhjes së ndjekësve dhe çmimet vendoseshin nga vetë shitësit. Faqet më të mira kanë kapur ndjekës deri në 1 milion apo edhe më shumë ku kryesisht synoheshin ndjekësit amerikanë dhe kanë kapur shifrat deri në 20 mijë apo 50 mijë euro në vit. Por rënia e aktivitetit të Facebook dhe ndryshimi i politikave bëri që këto faqe mos ecnin më pra nuk rriteshin vetëm në qoftë se ti paguaje lekë për sponsorizime dhe gjithashtu disa faqe u mbyllen nga rrjeti pasi kontenti i tyre nuk ishte shumë i përshtatshëm dhe për shkak të opsionit ‘block’ apo ‘report’ që mund të merrnin nga ndjekësit.

Forma e shit-blerjes u transferua në Instagram. Pasi ishte forma e vetme në fillimet e saj për të bërë para. Por këtu nuk kishte kategorizime dhe e vetmja mënyrë ishte që ti të rrisje ndjekësit në një profil që mund ta përdorje edhe si faqe. Gjithmonë përmbajtja që zgjidhej vlerësohej shumë gjithashtu gjetja e një ndonjë produkti ekskluziv mund të bënte viral një profil instagrami brenda ditës, dhe kishin të njëjtën procedurë pune si në Facebook. Në Instagram rritja e trafikut ishte më e vështirë pasi popullimi i tepërt rriti profilet të kthyera në faqe. Por që në bazë të aktivitetit dhe ndjekësve një faqe me 50 mijë followers mund të shitej deri në 2 mijë dollarë. Më pas Instagram kaloi në një fazë tjetër ajo e reklamimit të bizneseve nga profilet e cila vijon edhe tani dhe është një mënyrë e mirë për të fituar, ku në faqet me të njohura duhet të paguash 50 $ deri në 200 $ në ditë për t’i siguruar biznesit tuaj një numër klientësh të tërhequr nga reklama në Instagram. Shumë blogerë të cilët janë edhe personazhe publik në vendin tonë e kanë profesion me kohë të plotë duke dalë vetë në instagramin e tyre dhe reklamojnë produkte , biznese, kompani të ndryshme duke marrë përfitime tepër të larta krahasuar me pagat në vendin tonë

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...