2019-09-11

“Letrat që kurrë s’i lexove”, shkrim që nuk duhet humbur


Nga Çun Lajçi 

Eh moj miloshe, sa plakë t’u ka baba!

Shumë muej para e kam shkrue këtë letër e çue s’e kam. Pse e qysh, nuk di, por udhë s’i paskam dhanë!
Si duket xhamat e syzave m’u paskan pasë mjegullua, kur loti nga malli hajnisht paska pas pikë mbi to, tue mos m’lanë me nisë! Sot po i jap udhë kah Zhlebi, e për Qafën e Qyqes e Majën e Nik Dedës le t’zbret n’Drelaj.
Ti lexoje kur t’ikin dritat e t’del hana natën vonë!
Bubë!
Unë vazhdoj t’heshti n’qoshe, kur rreth e rrotull zbrazen filxhanat e digjen cigaret tue u lakua e përdredhë me krenari emna hajnash e pushtetarësh, t’atyne që shkretinë e banë dhe e mjeruen Kosovën edhe ma shumë seç e ke lanë.
Posi miloshe, mbasi pinë kafe sade i bien gjanë e gjatë qarshisë shqiptarët e mi t’papunë. Bile harrojnë kush janë e kacafyten edhe me pashallarë e bajraktarë.
Hashimit i thonë: Ky Çikllopi! Po pra, pse jo?!
Pema, kur bahet kalavesh prej frutave, po s’i vune çatrra, ajo çkyhet. Bile edhe rrëzohet e rrajtë i dalin përmbi dhe.
E ky Hashimi ynë, trim mbi trima si Çikllopi, n’shpinë e merr Kosovën (pa çatrra), e shkon n’Bruksel me folë me Vuçiqin e Serbisë, e hiç s’frigohet se mundet me fry era e me ia nxjerrë rrajtë. Me çua me krejtë pemët e Burojës përpjetë!
Medet për Kosovën moj Bubë, se me ba me mbet pa kët trim, kafet e idhta asht dro m’u ba t’amla e me na mbet n’fyt!
Se mos t’folim për Ramushin. Kurkush s’po e din çka asht ba me kryet e tij. S’po i rrinë kapuçat kurrsesi! Veç po i ndrron! Bile Hashimi shajkaçën s’pe hjek hiç, se po m’shkon me ftyrë po thot! E ky s’po din a asht Rambo njishi a dyshi, apo treshi! E ka marrë n’krah Çakorrin e çua e ka n’Podogricë. Pe baj kurban për Plavën e Gucinë, ka thanë trimi!
– Kështu kanë thanë se atje s’jam kanë, – kështu përfundojnë të gjitha kangët n’lahutë miloshe!
Bile po tutna se këta të dy do t’ia bajnë si Mark Milani. Ai n’luftën e Nokshiqit kish pas thanë:
– Rugovë, po e bajmë luftën me mejdanxhi dhe cili t’fiton e ka fitue luftën.
Po kur Demë Isufi ia preu ma trimin, u idhnue e tha:
– Edhe nji herë Rugovë po i qesim mejdanxhijtë.
Kur Dema ia preu edhe të dytin, Marku e qiti edhe të tretin. e kur ia preu kryet edhe atij, me ndihmën e Rexhë Avdisë, i çmendun Marku briti:
– Futuni n’luftë sokolat e mi!
Marku shpëtoi tue u mbajtë për bishtin e kalit, se ushtarët pa krena Limi ia çoi në Vishegrad!
Ne, vetëm me mejdanxhiun e parë jemi takua n’Çakorr. Priteni tash të dytin n’Mitrovicë e të tretin n’Karaçevë. Kadria e Ramushi me Hashimin po e luejnë babën e fortë (si unë dikur para teje), por këta s’janë as Demë Isuf, as Avdyl Povatë, por as Ukshin Kovaçicë m’u pre me Malin e Zi e Sërbinë.
Këta sot janë pashallartë tonë, e bajraktarët e rrejshëm Bubulaqe që na i lidhën duer e kambë n’oborr! Qe dhetë vjet i lshuen pllumbat havasë e ata n’kafaz se n’kafaz! Medet kjo lëvizja e lirë…
Ti flej, e unë po pi kafe e fjalë t’thata e po mbyllna n’lëvozhgën e vorfnisë sime. S’po merrem ma me ta. Se kur ti mjekoheshe spitaleve, asnjeni nga mullarët e lamës vet, nji tfurk sanë për ty s’ma dhanë.
Eh, fukaraja tutet mos po e humb ftyrën, kurse i pasuni…?
Natën e mirë, Bubë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...