Bedri Halimi
(Ngjarjeve të 11 shtatorit në Amerikë)
Atë ditë, gjarpërinjtë
ngulën gozhdë në trurin e njeriut
deshën ta rrëzojnë Qiellin.
Gjarpërinjtë e Zi
me rrjetë marimangash, duan ta rrethojnë shtëpinë
për ta lënë të vetmuar.
Këngës t’i krijojnë dilemë
të përpëlitet me veten
të mos i ndaj ngjyrat.
Është lojë e kainit kjo
për t’mashtruar horizontet
përmes përmbytjes së mexhës së lartë.
Atë ditë, në Nju-Jork, ra kambana.
Lutja e saj lajmëroi
mbarimin e celulave të vdekjes.
Ëndrrat e trupshme të mos fshihen më
nga Kuajt e Rërës!
Atë ditë, edhe qentë thurën elegji për trishtimin.
Lumi i Zgjuar të rrijë gatitu
në ëndërr e në zhgjëndërr
t’i bëjë pritje natës kriminale
të mos prangoset Pranvera – dritarja e jetës.
Sot, troket zemra në një ritëm
që qentë e rërës, askund, t’mos mbajnë koncert.
Për Krishtlindje Kali i Trojës
dëgjon këngën e ushtarëve të paqes
dhe në Kinemanë e Vjetër
i thur portret këngës së turpshme.
E njeriut edhe më tej i pëlqejnë fabulat
edhe pse çdo ditë shumëzohen sizifët.
Atë ditë ëndrra e jetës u fut nën ombrellë
balada harroi të folurit
dritarja e hapur theu pasqyrën
shoferët e mortit s’kanë ku ta shohin fytyrën.
Atë ditë, ah atë ditë
edhe qielli e humbi ngjyrën
Njeriu u gënjye nga grixha e maceve të zeza
diçka e madhe po ndodhte në skenë
verbimi i fjalës nga njeriu pa emër
si u përmbys buka e përditshme.
Atë ditë Hitleri, Musolini e Franko
nga trishtimi i zbritën Kalit të Vdekjes
Mbreti Çarls e Bonaparti
i ndërruan detajet e këshillave
për projektin e ri urbanistik.
Atë ditë edhe sulltanët u bashkuan
që baladës së zezë t’ia marrin një ditë të bardhë.
Nuk do t’i lënë thithësit e llullës
me fije shkrepse në dorë
ta mbajnë botën në pëllëmbë
Atë natë, vetëm mbretëria e zotërave të vegjël
të veshur me kostum flake
ngritën dolli!
Mik hap sytë
Edhe toka i kërkon urdhëtarët e çmendur të Qiellit!