2022-05-11

Shtatorja e Hasan Prishtinës në Vlorë, përmbushje e ëndrrës për "nipin" e tij

 

Zbulimi i shtatores së heroit kombëtar, Hasan Prishtina, në qytetin e Vlorës po konsiderohet përmbushje ëndrre për nipin e tij, Mehmetin.

Për emisionin “Sot” në KTV, Mehmet Prishtina ka thënë se vendosja e shtatores së ish-kryeministrit shqiptar ka qenë kulmi i arritjes për të, si përfaqësues i familjes.

Shtatorja e Hasan Prishtinës u përurua në Vlorë më 7 maj 2022. Nipi i tij ka thënë se shtatorja në këtë qytet ka rëndësi të veçantë. E ka quajtur ëndërr të kamotshme përjetësimin në bronz të figurës së Prishtinës në qytetin historik.

“Hasan Prishtina ka qenë i të gjithëve, më shumë se i familjes. Si fëmijë i shihte nxënësit, si familje e shihte popullin. Synimi ishte ta bashkonte popullin e ndarë padrejtësisht. E kam amanet të babës, që para se të vritej në luftën e fundit, dy javë para se të vritej më 1999 në Polac, më tha që ‘mua dhe eshtrat të mos më gjinden, merruni me figurën e Hasan Prishtinës që nga Shkupi e deri në Vlorë’. Ka qenë përmbushje, kulmi i arritjes së jetës sime. I them bacës tash fli i qetë sepse amaneti yt u përmbush”, ka deklaruar ai.


Studiuesi i biografisë dhe jetës së Hasan Prishtinës ka thënë se s’ka menduar se do të marrë kaq shumë kohë deri në inaugurimin e shtatores në qendrat kryesore kombëtare.

“Nga vetë fakti se sa më shumë të merresh me këtë figurë e kam kuptuar se s’mjafton një jetë e tërë për ta kuptuar. Është aq i thellë dhe kam gjetur punime në master e doktoraturë gjithandej. Ka në botën arabe, turke e greke. Kam kuptuar se meriton edhe nga një shqiptar një temë doktorature. Kam dërguar mesazh dhe jam me fat që s’jam i vetëm, por janë disa që edhe në universitetet turke që e kanë përzgjedhur si temë figurën e tij”, ka thënë Mehmet Prishtina që ka bërë të ditur se po trajton diplomacinë e fshehtë ruse të lansuar nga Austria dhe ndikimin e saj. Ka shtuar se Hasan Prishtina ka qenë ndër figurat e rralla që ka nuhatur atë politikë dhe ka refuzuar vizitat në Moskë.








Burimi i huazuar :

https://www.koha.net/kulture/324305/shtatorja-e-hasan-prishtines-ne-vlore-me-simboliken-e-bashkimit-kombetar/


Kuvendi i KOsovës hap rrugë përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OSHP-së

 




Me 69 vota për është formuar organi përzgjedhës i pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Anëtarë të Komisionit do të jenë Rustem Thaçi, Franciska Zhitia-Imeri, Nikola Petroljeviç.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, para votimit të kësaj pike, ka thënë se me procedurën që ka bërë qeveria po del që paska mundur para një viti ta kryej këtë punë.

“Qeveria në këtë rast është pjesë e një afere korruptive me tenderë njëburimor. Ky është problemi që e ka Kuvendi. Një orë pa ardhur kjo pikë në rend kryeministri prej Amerike e ka ndalë counter strike-in edhe e ka propozu një emër”, ka thënë ai.

Bordi i OSHP-së nuk është funksional nga 31 marsi i vitit 2021.

Seanca ka përfunduar në mungesë kourumi dhe do të vazhdojë të premten.

15:36

Opozita thotë se nuk do ta votojë organin për përzgjedhjen e Bordit të OSHP-së

Pika për formimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka nxitur debat mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Deputeti i LDK-së, Driton Semanaj, ka thënë se që nga marsi 2021 Organi Shqyrtues i Prokurimit është pa Bord funksional, që sipas tij i bije se janë qindra mijëra euro të bllokuara.

Ai ka thënë se Ligji për OSHP-në nuk e obligon Qeverinë të shpallë konkurs, por në Kosovë ka më shumë se 4 raunde që është instaluar praktika e organizimit të konkursit.

“Qeveria çfarë bën? Shpallë konkurs dhe pasi të mbyllet i shton edhe tre emra të tjerë. Për ta shtuar paradoksin dy orë para se kjo të vijë në votim qeveria shtoi edhe një propozim. Çfarë po ndodh me këtë qeveri? Nuk respekton as praktiken as ligjin. Edhe organizon konkurs edhe propozon emra jashtë konkursit. I bije që kryeministri ka emra të përveçëm që ka blerë më shumë se ata që kanë konkurruar. Për këtë shkak ne nuk mund të votojmë dhe nuk bëhemi pjesë e kësaj loje të pakuptimte që tregon qëllimin për kapjen e këtij institucioni”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo qeveri edhe i ka dëgjuar miqtë ndërkombëtar edhe ka propozuar jashtë konkursit njerëz.

“Kryeministrit nuk i ka pëlqyer konkursi dhe emirat në të, sot na erdhi edhe i katërti. Prej Amerike ka organizuar mbledhje të qeverisë për ta propozuar edhe emrin e katërt”, ka thënë ai.

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në raportin e Freedom House është përmirësuar Qeverisja në Kosovë.

Ajo ka thënë se nuk mund ta prishim një praktikë që tregon rezultat pozitiv.

“Nëse duan destruktivitet le të provojnë metoda të tjera. Mos të dalin dhe të vendosin fajin tjetër kund për arsye se sot është një proces i rëndësishëm. Ftoj deputetët të votojnë propozimin e KGJK-së për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së për zhbllokimin e qindra-mijëra eurove”, ka thënë ajo.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se janë mbi 200 milionë të bllokuara në institucione si pasojë e moszgjidhjes së bordit të OSHP-së tash e 12 muaj.

Sipas tij, kjo nënkupton që Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit për të vendosur një bord që u shkon përshtati kontraktimeve të Qeverisë.

“Ne si GP e kontestojmë procesin dhe tej zgjatjen, si rezultat si GP nuk e votojmë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka pyetur se ku ka mbërritur akumulimi i fondeve nga tenderët e pa kontraktuar.

Ai ka thënë se nuk mundet paaftësia të kamuflohet, kur sipas tij, për çdo ditë është bërë thirrje për funksionalizim të OSHP-së.

“Dyshimet tona janë të bazuara kontratat burimore të negociuara në tavolinë në katër sy dhe prapa tyre qëndrojnë afera të mëdha korruptive. 

Të thuhet që ne jemi kundër zhbllokimit kjo nuk është e vërtetë por ne kemi bërë thirrje që të mos kapet ky organ i rëndësishëm. 

Të thuhet që nuk u përkrah një marrëveshje ndërkombëtare është gënjeshtër ajo jepet për trajnime për gjëra që janë bazike dhe të cilat për mendimin tonë i ka kaluar Republika e Kosovës. 

Njerëzit që paguhen aty janë të paguar ta kryejnë atë detyrë, ka kaluar koha e trajnimeve e ligjëratave, kemi ecur përpara. Kreditë nuk janë falë të buta a të forta ato duhet të kthehen nga taksat e qytetarëve. Bllokimi ka pasur arsye, arsyet kanë qenë korruptive, nuk ka tjetër”, ka thënë ai.

Deputeti Hajdar Beqa ka thënë se nuk do ta votojë këtë pikë, pavarësisht se çfarë vendimi merr grupi i tij parlamentar.

2022-05-10

Vendimi për kardiologët invazivë u mor me tendencë të prishjes së rendit

 


 

Kardiologët invazivë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk po pranojnë të kthehen në repartin e Kardiologjisë duke e kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e statutit të QKUK-së.

Në fillim të prillit, MSH-ja kishte nënshkruar një vendim përmes së cilit ka kthyer shërbimin e Kardiologjisë Invazive në Klinikën e Kardiologjisë përmes ndryshimit të statutit.

Florin Shefqeti, përfaqësues ligjor i kardiologëve invazivë, ka thënë se problemet e kardiologëve nuk janë fillestare dhe se kanë filluar qysh moti.

“Ne i kemi drejtuar kryeministrit, nuk kemi pranuar përgjigje, jemi drejtuar edhe në Kushtetuese ku kemi kërkuar masë të përkohshme, shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi. Janë 10 kardiologë, dy gjenden në pushim pa pagesë. Nënkupton se të gjithë kardiologët që janë në punë janë të një qëndrimi”

Sipas tij, vendimi ka të bëjë me tendenca për prishje të rendit.

“Secili prej tyre dhe të klinikave të tjera ka kontratë të punës me klinikën përkatëse, kryen detyrat në kuadër të përgatitjes tij dhe ata kardiologë të tjerë nuk janë të gatshëm të kryejnë intervenime invazive ato që i kryejnë kardiologët aktualë. Atje ka orar të punës dhe listë të pritjes dhe punë jashtë orarit që bëhet nga këta kardiologë. E para, është qëllimi që të prishet rendi dhe puna e mirë që është duke u kryer. Ekziston një tendencë ku ne kemi pasur përfaqësim edhe të doktorëve të tjerë, ku është heqë puna pas orarit dhe vikendeve dhe tash në listë të pritjes dhe CT dhe rezonanca magnetike kemi me muaj të tërë”, ka thënë ai.

Shefqeti emëroi Bordin e SHSKUK-së si fajtor të këtij vendimi.

“Sipas deklarimeve nga kardiologët është qëllimi që të krijohet një kontroll edhe në raport me kthimin e gjendjes, i atyre që e kanë bërë, që del të jetë bordi, sepse Bordi i SHSKUK e ka nxjerrë një iniciativë legjislative që vetëm një nen e ndryshon dhe pretendon ta ndryshojë statutin. Sipas asaj që kemi, përmes kësaj tentohet të kthehet sistemi i kaluar i rekomandimit nga ana e 3 mjekëve për intervenim në institucion privat ose jashtë vendit”, ka shtuar ai.

Ai sqaroi pse nuk mund të funksionojnë kardiologët invazivë në kardiologji.

“Përfaqësues nga kjo klinikë kanë deklaruar që u duhen minimum 6 muaj për t’u trajnuar për të kryer operime intervente. Secili kardiolog invazivë punën e kryen nën rrezatime X që janë të dëmshme për shëndetin dhe kanë orar të kufizuar të punës sipas ligjit. Nëse me këtë formë të ndërhyrjes pretendohet të vazhdohet, secili kardiolog invaziv nuk do kryejë detyra përveç orarit të punës. Ata kanë mbajtur kujdestari”.

Shefqeti shtoi se bashkimi i këtyre klinikave e pengon punën për shkak të mungesës së përgatitjes së kardiokirurgëve tjerë, për shkak të paqartësive të shfrytëzimit sepse janë dy salla që përdoret dhe kthimit të sistemit ku do të vendoset rekomandimi për intervenim në institucione privat apo zgjerim të listës së pritjes”.

“Klinika e kardiologjisë do vendosë rreth trajtimit të pacientit. Kujdesi ndaj pacientit do të largohet prej gjenezës ku kryhet intervenimi në një funksion më të lartë”.

Shqipëria nuk do të ndalojë hyrjen e turistëve rusë, pavarësisht kërkesës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksky.

 


Shqipëria nuk do të ndalojë hyrjen e turistëve rusë, pavarësisht kërkesës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksky.

Presidenti ukrainas në një fjalim përmes video-lidhjes me parlamentin e Shqipërisë, të martën mes tjerash kërkoi ndalimin e turistëve rusë në Shqipëri.

“Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi te ju, ndoshta janë vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariupolit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj”, tha presidenti Zelensky para deputetëve të Shqipërisë.

Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën u shpreh se mbetet në fuqi vendimi i 20 prillit për hyrjen pa viza të turistëve rusë në Shqipëri.Rama tha se një vendim i tillë nuk është marrë nga asnjë vend i Bashkimit Evropian.

“Vendimet tona janë të linjëzuara me BE-në dhe për sa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar të BE-së, atëherë do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Nëse do të ketë vendim nga BE-ja atëherë edhe ne do të linjëzohemi”, deklaroi Edi Rama të mërkurën.

Në mbledhjen e qeverisë të datës 20 prill, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi që edhe Rusia të jetë në listën e vendeve, shtetasve të të cilave u lehtësohen procedurat për hyrje në Shqipëri.

Në bazë të vendimit, shtetasit rus mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë në periudhën 1 maj – 30 shtator për turizëm.

Shqipëria ndër të parat iu bashkua shteteve perëndimore për vënie të sanksioneve Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Sipas të dhënave, rusët përbëjnë 0.63% të numrit të përgjithshëm të turistëve të huajë që vizitojnë Shqipërinë.

Autoritetet kanë vlerësuar se rreth 150.000 turistë nga Ukraina, Rusia e Bjellorusia pritet t'i mungojnë Shqipërisë këtë verë nëse lufta midis Rusisë e Ukrainës do të zgjasë. Vitin e kaluar, 36 mijë rusë vizituan Shqipërinë, ndërkohë numri i ukrainasve ishte shumë më i madh – 110 mijë. Bjellorusë ishin 2.500.


Kanë filluar me gërmime në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës

 



Sot, e martë, është filluar me gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë, në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës, ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë çdo informatë që mund të kenë në arkivat e tyre, por edhe informatat e siguruara ndërkohë për këtë lokacion, duke theksuar se familjet vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur dhunshëm gjatë luftës”, thuhet në njoftim.

Në vendin e gërmimeve janë edhe përfaqësuesit nga Kosova.

Luis Dupre, piktori që takoi Ali Pashanë e shqiptarët

 

Luis Dupre, kishte kaluar disa vite si nxënës në atelienë parisiene të skulptorit dhe piktorit Zhak-Luis David, autor i mjaft veprave mbi Napoleonin, dhe më pas kishte fituar një bursë nga mbreti i Uestfalisë, Zherom Bonaparte për të shkuar në Romë, për ta përsosur artin e tij dhe për t’u njohur në thellësi me artin e “Rinascimento”-s italian

Luan Rama

Madje, për një kohë ai do të ishte piktori zyrtar i këtij princi dhe do të pikturonte shumë tablo me portrete të tij, të dukëve të Burbonëve, të familjeve princore d’Orleans, de Gramont etj, paraqitur me rastin e kurorëzimit të mbretit të Francës Sharl X.
Deri në vitin 1818, datë kur do të nisej në udhëtim dhe Luis Dupre, Ali Pasha kishte fituar një famë internacionale, si një luftëtar i regjur e i sprovuar, një njeri mjaft inteligjent, duke u mbështetur herë tek rusët që kërkonin të vendosnin hegjemoninë e tyre në detin Jon e Egje, herë me anglezët konkurrentë të francezëve në këto luftëra, e herë me francezët e kohës së Bonapartit dhe pas largimit të tij.
Përmes Bonapartit dhe oficerëve të shumtë që dërgoi ai në vitet e para të shekullit XIX arriti të organizonte ushtrinë e tij, artilerinë, fortifikimet e fortesave e kështjellave për të realizuar projektin e madh që ëndërronte prej kohësh për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti të Epirit, duke bashkuar Shqipërinë me Greqinë.
Më 22 shkurt të atij viti, anija ngriti velat dhe u nis. Por deri sa të shkonin në Korfuz, ata u detyruan të ndalojnë në Bari e Brindizi, duke u penguar nga koha e keqe dhe kolera që kishte rënë në ato anë. Duke kaluar Adriatikun, ata iu afruan detit Jon dhe ja ku brigjet Akrokeraune nga Karaburuni gjer në Sarandë iu shfaq përpara syve. “E shtyrë nga erërat e freskëta, – shkruante ai në librin e tij, – anija jonë përshkonte detin Jon dhe nuk vonuam të hynim në Kanalin e Korfuzit. Sytë tanë të etur për të parë vende të reja, shpejt zbuluan nga një anë lartësitë e Korfuzit të mbuluar nga ullinjtë dhe manaferrat dhe nga ana tjetër malet e Akrokerauneve me dëborën dhe ashpërsinë e tyre.
Ah që s’mund të pikturoja atë çka më ofronte natyra, ato pamje dhe shkëmbinj të pashkelur, shpesh të goditur nga rrufetë, atë det me shkumë që vinte e godiste plazhin e shkretë të Lukovës, atë horizont ngazëllyes, ato re plot ngjyra dhe ato mijëra të çara drite që krijoheshin nga dielli dhe hijet në qiell, mbi tokë dhe mbi ujë.
Por, shpejtësia e anijes nuk më lejoi të pikturoja diçka dhe unë veç vështroja tek humbisja njërën pas tjetrës pamje që na e paraqisnin aq poetikisht Greqinë…” .
Si të gjithë artistët, Dupre kërkoi menjëherë t’i vizatonte ato figura epike dhe dramatike dhe ata nuk kundërshtuan edhe pse qëndrimi i tyre ishte hijerëndë, pasi dukej se kishin mbetur të braktisur nga bota, njerëz pa shtëpitë dhe tokën e tyre. “Me të mbaruar vizatimin, – shtonte Dupre në librin e tij, – ia tregova atyre dy suljotëve, të cilët u dukën të habitur nga ngjashmëria e tyre me vizatimet. Por, ai që më shërbeu si model, më demonstrativ se kolegu tjetër, përmes gjesteve kërkoi të më dëshmojë kënaqësinë dhe habinë e tij. Papritur, duke hequr nga rripi i tij një lloj mbajtëse lapsi, ai shkroi anash portretit të tij disa fjalë greqishte që e nxita të m’i shpjegonte: ishte emri i tij dhe ai i vendlindjes së tij, Sulit, pra Foto i Sulit: “Ah, pyeta menjëherë, mos ishte ndonjë i familjes së Foto Xhavellës të famshëm dhe të heroinës Mosko?…” .
Ato ditë në Athinë, kur do të merrte anijen në Pire, Dupre pati dhe një takim mjaft interesant për të cilin do të shkruante në kujtimet e tij e madje dhe do ta pikturonte, çka përbën një nga figurat më interesante të koleksionit të këtij udhëtimi të artistit francez: “… Sapo takova një tjetër trim, – shkruante ai, – ish- adjutantin e Marko Boçarit, i cili ishte dërguar në Pire dhe nga Pireu në Paris me rekomandimin e komitetit grek, që të mjekonte plagët e rënda që ai mori në krah të Karaiskait si dhe plagët akoma më të rënda që e detyruan të dilte nga Misolongji para asaj dite fatale, ku gjithçka që mbeti në qytet, u mbulua nga shkatërrimi. Ky njeri quhej Vasil Gudha, i cili ishte tepër interesant për këdo që e shikonte dhe kur e pashë, mendova menjëherë se do ishte mirë ta gjenin atë figurë fisnike e mashkullore në koleksionin e pikturave të mia. Ai po përgatitej të kthehej në Greqi. Nuk i ka mbetur më asgjë nga kjo botë, por ai do ende të luftojë për atdheun e tij. Kishte një djalë që i kishte vdekur papritur në moshën katërvjeçare. Njëmbëdhjetë nga anëtarët e familjes së tij ia kthyen në skllevër. I kërkojnë 16 mijë piastra turke që t’ia lirojnë, por ky haraç është mbi mundësitë e tij…”.
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, Greqi dhe në Konstantinopojë, Dupre realizoi shumë vizatime me portrete ku më së shumti dallohet cikli i tij në sarajet e Ali Pashës, si dhe suljotët, të cilët ai i pikëtakoi në Korfuz. Kur ai i ekspozoi ato më vonë në Sallonin e Artit në Paris, kritika i priti në një mënyrë të shkëlqyer, pasi jo vetëm personazhet ishin vizatuar në një mënyrë të përsosur, por ato ishin të rrethuar dhe me një dritë të bardhë që dukej se mbizotëronte në peizazhet e Ballkanit, të brigjeve të Jonit. Më pas, një pjesë e litografive të tij me ngjyra u shpërndanë ndër koleksionistë të ndryshëm. Padyshim, më e njohura ishte ajo e Ali Pashës në barkë gjatë gjuetisë në Liqenin e Butrintit, por ai ka pikturuar jo pak personazhe që e rrethonin Ali Pashën, siç ishin dhe mbajtësi i vulës së tij, apo portretet e familjarëve, ku krah tyre ka vajza greke apo djelmosha të bukur, që Ali Pasha kishte qejf t’i mbante pranë apo tipa popullorë, siç është dhe tabloja e një kasapi shqiptar. Vizatimet me ngjyra të bëra në Korfuz shprehin qartë karakterin e suljotëve të shpërngulur, që edhe pse të privuar nga trojet e tyre historike, përsëri qëndronin krenarë, burrërorë, të gatshëm për luftëra të reja, siç do të tregoheshin kur pak vjet më vonë do të binin kambanat e Revolucionit Grek.
Nga fondi i vizatimeve të Dupre-së gjatë këtij udhëtimi kemi autoportretin e tij, gjatë në pushimi apo vizatime në kalem si “Dy gra në një burim”, “Burimi i Kiatana”-s, “Meteoret”, “Drejt Thermopileve”, “Një rrugë e Athinës”, “Drekë tek vojvodi i Athinës”, “Portreti i Konstantin Kanaris”, “Virgjëresha e Thyamis”, “Një grua nga Livadhja”, etj., të cilat pasurojnë imazhet e këtij libri.
Luis Dupre vdiq shpejt, në moshën 48-vjeçare. Duke rishikuar veprën e tij pikturale, tablotë e dimensioneve të mëdha në vaj, portretet e shumta, akuarelet dhe litografitë që shoqëruan botimin e librit të tij me format të madh “Udhëtim në Athinë e Kostantinopojë”, e kupton se po të jetonte më gjatë, ky piktor do të krijonte vepra akoma më të shkëlqyera që do të mbeteshin në fondin e artë të pikturës orientale franceze të shekullit XIX.
Me shpirtin e tij të aventurës dhe të udhëtimit drejt botëve të tjera, ky artist do të ndiqte me siguri shembullin e një piktori të madh si Delakrua, i cili në Francë solli imazhet e një Magrebi të jashtëzakonshëm plot ngjyra e me figura mahnitëse. Sidoqoftë, për Shqipërinë dhe Greqinë, kontributi i Dupre-së është i jashtëzakonshëm, pasi ai na solli figurat heroike të suljotëve dhe tipin e shqiptarit të shekullit XIX, botën e pashallëkut të Janinës, figurat e arvanitasve apo imazhet e një dasme arvanitase, që nuk e gjejmë ndër piktorë të tjerë.

Vepër jetësore e Ismail Dodës


Studiuesi Ismail Doda ka botuar ditë më parë librin “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi (Përmbledhje) I”, që është pjesë e temës së disertacionit për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, të mbrojtur në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Përmbledhja përfshin 129 balada me 8 100 vargje, të cilat autori i ka mbledhur ndër shqiptarët në Malin e Zi: në Ulqin, në Anë të Malit, në Krajë, në Tivar me rrethinë, në Malësi të Madhe, në krahinën e Plavës dhe Gucisë si dhe në Rozhajë e Malësi të saj. Këngët janë ndarë në balada legjendare, balada realiste dhe balada revoltimi, që përbëjnë edhe kapitujt e librit. Pjesë e librit janë edhe Fjalori i fjalëve të rralla (krahinore dhe të huaja), Burimet e lëndës, Këngëtarët (nga të cilët i ka mbledhur këngët), Indekset e emrave të vendeve dhe të personazheve.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensentë Prof. dr. Agron Xhagolli dhe Prof. dr. Alfred Çapaliku, redaktor gjuhësor Dr. Haxhi Shabani dhe redaktor teknik Qazim Muja.
Në recensionin e tij për librin, Prof. dr. Agron Xhagolli thekson se lënda folklorike e përfshirë në këtë vëllim i plotëson të gjitha kriteret për botimet folklorike.
“Dr. I. Doda, njohës i mirë i të folmeve në hapësirat e shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi, ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë, si një mbledhës serioz, lëndën folklorike, mbi të gjitha, duke respektuar parimin fonetik. Ai ka ndjekur me vëmendje dhe ndryshimet në të folmet e ndryshme nga koha në kohë, rrjedhojë e ndryshimeve normale që përcjell vetë jeta shoqërore”, thekson ai.
Ndërsa për Prof. dr. Alfred Çapalikun, recensentin tjetër të librit, Dr. Ismail Doda i ngjan gjeologut, kur gjen gurët fort të çmuar të traditës mijëravjeçare.
“Në të njëjtën kohë ai i shëmbëllen edhe gjeometrit, kur ndesh përmasat e pafundme të folkut. Përndryshe Ismail Doda është shtegtari me zemrën që i rreh me sistola e diastola në kadencat e tetërrokëshit e të dhjetërrokëshit popullor. Gjithashtu ai i përngjan pelegrinit të palodhshëm, i cili nuk e ndal ritmin e hapit pa moshë nëpër shtigjet e arealit gjuhësor…” në trevat shqiptare në Malin e Zi.
Libri “Balada popullore të shqiptarëve të Malin e Zi” është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Ky është libri i dytë i autorit dr. Ismail Doda, pas librit “Në prehër të jetës së re (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)” që e përpiloi në bashkautorësi me tani të ndjerët Lucë Lucaj, Gjergj Gjokaj dhe Gjergj Berisha. Ai po ashtu ka përgatitur për botim si redaktor shkencor librin “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar” me përmbledhje të punimeve nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar i organizuar nga Këshilli Nacion i Shqiptarëve në Malin e Zi në Ulqin

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...