2022-04-22

Kush ishte Fadil Paçrami dhe si i tha Bilal Xhaferrit armik

 Fadil Paçrami (Shkodër25 maj 1922 - Tiranë15 janar 2008) ka qenë nëpunës, ministër dhe dramaturg shqiptar. në Shkodër më 25 maj 1922.


 Ndoqi gjimnazin e Shkodrës ndër vitet 1935 - 1938, më 1937 u anëtarësua në Grupin Komunist të Korçës

Studimet e larta i vijoi për mjekësi në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku ndoqi vetëm vitin e parë akademik (1941-'42).


 Më 1943 u anëtarësua në Partinë Komuniste Shqiptare, dhe po atë vit u emërua anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë në Tiranë. Në shkurt të 1944 u zgjodh anëtar i Komitetit të Partisë për Tiranën.

Më 1945 u zgjodh anëtar i sekretariatit të Frontit. Më 1946 - 1947 shërbeu si zëvendësministër i arsimit. Nga janari i 1947 deri në nëntor të 1948 qe drejtor i muzeut arkeologjik.



 Në nëntor të 1948 deri në 19 qershor 1958 qe kryeredaktor i gazetës "Zëri i Popullit". Nga viti 1952 e deri më 1973 qe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.


 Më 1958 deri më 15 dhjetor 1960 student në shkollën e partisë në Moskë. Më 1960 - 1965 qe drejtor i propagandës i Komitetit Qendror të PP-së. Më 1965 - 1966 qe ministër i Kulturës dhe Arteve. 


Më 1966 deri më 11 prill 1973 sekretar i Komitetit të PP-së, ndërkohë më 1970 - 1973 qe edhe kryetar i Kuvendit Popullor.


Shkarkohet nga të gjitha funksionet për liberalizëm, më 26 - 28 qershor 1973 pleniumi i 4-t e përjashtoi nga partia.

 Iu hoq mandati i deputeti që e kishte nga 1947 dhe nuk pranoi që të jepte llogari para zgjedhësve të tij. 

Më 15 shtator 1973 Kuvendi Popullor e shkarkoi nga detyra e kryetarit të tij. 

U arrestua më 20 tetor 1975 si "armik i popullit" dhe u dënua për agjitacion e propagandë, burgimi i tij zgjati deri më 17 mars 1991.

 Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe në afërsi të Elbasanit. 

U lirua më 17 mars të vitit 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste.


Vdiq në Tiranë më 15 janar 2008.



Shkruan Kolec Traboini


Për ta kuptuar se kush ishte Fadil Paçrami, mjafton të rikujtoni mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve kur diskutohej romani i soc-realizmit skematik “Dasma”, kur duke marrë në mbrojtje autorin, në mes të mbledhjes së hapur, ju vërsul shkrimtarit Bilal Xhaferri me këto fjalë:

Të kemi pushkatuar babanë. Edhe ti je armik!”.

Kjo shprehje e tij cinike, e egër, vrastare, ti thuash të birit të kemi pushkatuar atin, aty nga presidiumi ku tundej e shkundej si aga, e tregon më së miri çfarë njeriu i ulët e megalloman ka qenë Fadil Paçrami. Asnjë mëshirë njerëzore nuk kish në shpirtin e tij. Ai veç artist e shkrimtar nuk mund të ishte. Sepse arti fjalës nuk ka të bëjë në asgjë me hanxharin e kasapit.

E kam takuar rastësisht në Minierën e Tuçit, ku kisha shkuar për një shkrim në gazetën “Zëri i Rinisë” se e kisha punë praktike gazetarie në kohën që isha student në Universitetin e Tiranës. Mbaj mend te kem takuar aty teknikun Mitro Qeparoi me të cilin më pas do të ndanim fatin e emigrantit në Greqi.   Fadil Paçrami ishte tek gryka tunelit ku seleksiononte mineral. Më pa, po jo në sy. Mua afrua me një gur në dorë e më tha se çfarë kualiteti i mirë ishte minerali.

Mu zunë sytë kur mu kujtua Bilal Xhaferri, por nuk fola asnjë fjalë. Librin e Bilalit që ma kishte dhuruar bashkëstudentja Zenepe Çekrezi (Luka), i kisha grisur kapakun dhe emrin e Bilal Xhaferrit dhe e ruaja të fshehur në një valixhe druri të kyçur poshtë krevatit në Qytetin “Studenti” të cilën ma kishte punuar një komshi në Shkodër, Zefi, vëllai i Don Nikoll Mazrrekut, i njohur me pseudonimin e famshëm Nik Barcolla. Për mua që shkruaja tregime ishte një manual artistik për mënyrën se si duhej kërkuar e gjetur e bukura në jetë e si duhej mishëruar në art. E dija se po t’ma gjenin do të më përjashtonin nga Universiteti e madje punët do të venin keq e më keq.

Po vazhdoja ta ruaja si një relikë e çmuar. Ishte ushqimi im i përditshëm shpirtëror ashtu si “Vërshimet e lumenjve të Konstandin Paustovskit dhe tregimet me shi të Minelaos Ludemis. Atë çast kisha parasysh librin e fshehtë të Bilal Xhaferrit të arratisur në Amerikë. Kisha parasysh edhe persekutorin e atij që e adhuroja si shkrimtar. E kisha urryer kur anatemonte si të ishte një Zeus shkrimtarin Bilal Xhaferri, i rritur jetim e me sakrifica, talentin e madh, shpresën për një art të lirë e sublime që dilte nga shpirti.

Po të më zinte ky Fadil Paçrami në kohën e studimeve të mia universitare me librin me tregime të Bilal Xhaferrit në dorë, me siguri do të përfundoja në Spaç. Kaq fanatik komunist ishte.

 Tani ai, Fadil Paçrami, gjëmëmadhi, ishte kthyer në një grusht njeri në pritje të fatit të vet të gremisur. Atë çast e mëshirova shpirtvogëlsinë e tij sepse tashmë edhe ai ishte asgjë më shumë veç një viktimë e makinës shtypëse komuniste, të asaj monstre e cila, meqë nuk u ngop me gjakun e popullit, kishte nisur të hante edhe bijtë e vet.

I ktheva krahët Fadil Paçramit dhe ika. Ish kthyer në kufomë e gjallë ky njeri që kërkonte ti kthente në kufoma të tjerët.


 E pse duhet që për hir te faktit se “morën çfarë deshën” siç thotë Bukowski në një poezi, ne tani të thurim ditirambe nëpër portale e gazeta neokomuniste për Fadil Paçramin e banditë te tjerë bolshevikë si ai, këta persekutorë të shkrimtarëve.

Ky pra ishte intelektuali komunist Fadil Paçrami. Lyejeni me bojë sa të doni.

I harruar qoftë kujtimi i tij!

18 gusht 2017

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...