2011-01-22

nga Sarah Gretler :Reflektim i mangët i të kaluarës së afërt në marrëdhëniet Zvicër – Kosovë

image de l'article
Kritikat ndaj presidentes së shtetit, Calmy-Rey, ose, madje kërkesat për kthimin mbrapa të njohjes së pavarësisë së Kosovës që po bëhen në kontekstin e debatit për raportin e Dick Marty-t, dëshmojnë për një ballafaqim të mangët të Zvicrës me historinë e re të Jugosllavisë dhe të Kosovës, ashtu si dhe të rolit të saj në gjithë këtë.

Edhe më tutje vazhdon të hakmerret fakti se Kosova dikur ka qenë një fëmijë jetim (thjeshtër) mezi i rënë në sy i politikës ndërkombëtare. Jugosllavia, në botën bipolare të Luftës së Ftohtë, devijonte nga rregulli: ajo ishte një vend socialist, por, falë rrugës së veçantë të Titos, për të kishte në Perëndim një parashenjë pozitive. Në të kundërtën, emërtimi “shqiptar” nuk ngjallte asociacion tjetër përveçse atë me Enver Hoxhën dhe me Shqipërinë e tij. Dhe Shqipëria po vinte tash në sytë e Perëndimit – edhe të shumicës së të majtëve perëndimorë – pikërisht në skajin tjetër të grafikut të trajtave të mundshme të paraqitjeve socrealiste dhe të shumtën është treguar si vendi me fjalën kyç “Stalinizëm”.

Kosova: Nga fëmija jetim i politikës, deri te fëmija i preferuar i SHBA-së

Gjendja e popullatës shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavi, prandaj, ndodhej në këndin e vdekur të interesit politik ndërkombëtar. Asnjë orientim ideologjik, asnjë strategji e fuqisë politike nuk hidhte një sy mbi Kosovën dhe kështu nuk u shtruan kurrë çështjet që ishte me kaq shumë rëndësi të shtroheshin. Në lidhje me njohjen e pavarësisë, fjala vjen, do të ishte e udhës të kihet një ide për faktin se si paraqitej çështja e një Republike të Kosovës atëbotë në kuadrin e Jugosllavisë. Mirëpo, kjo çështje nuk e preokuponte në vitet tetëdhjetë askënd jashtë Jugosllavisë, para së gjithash – me gjithë praninë e dhjetëra-mijërave sezonierëve shqiptarë – asnjë parlamentar zviceran. Në Kosovë mund të sundonin të gjithë mujsharët (despotët) jugosllavë nga Tito e Rankoviçi, e deri te Millosheviqi, ashtu si t’ u pëlqente.

Vetëm në vitet e fundit para luftës Kosova filloi të bëhej deri në njëfarë shkalle objekt i perceptimit zviceran dhe, madje, me vlerësime kundërthënëse. Ende në vitin 1997 presidenti i Zvicrës, Arnold Koller, pas negociatave pafundësisht të gjata pati nënshkruar një marrëveshje kthimi të refugjatëve me ministrin e Brendshëm dhe të besueshmin e Millosheviqit, Zoran Sokoloviq, për riatdhesimin e mijëra azilkërkuesve kosovarë. Nga ana tjetër, organizata si “Schweizerische Flüchtlingshilfe” dhe shumë personalitete nga politika, kultura dhe drejtësia po shihnin në Kosovë një situatë të dhunës gjithëpërfshirëse dhe të shkeljes më të rëndë, sistematike, të të drejtave të njeriut. Kjo pjesë, politikisht jo shumë e fuqishme e opinionit publik, protestonte kundër marrëveshjes dhe i kërkonte politikës së jashtme zvicerane që të angazhohet në mënyrë aktive për një zgjidhje politike të konfliktit të Kosovës.

Për herë të parë kur në pranverën e vitit 1998 njësitet jugosllave-serbe ushtruan masakra të tmerrshme mbi familjen Ahmeti dhe atë Jashari në Drenicë, dhe me këtë lufta e Kosovës filloi, fillimisht në mes të UÇK-së dhe trupave serbe-jugosllave, Bundesrati tregoi se e kishte marrë seriozisht situatën në Kosovë. Këtë e dëshmoi duke marrë gradualisht veprime zemërgjera ndaj të gjithë azilkërkuesve ekzistues kosovarë dhe atyre që po vinin, të cilëve u ndau leje qëndrimi. Ndërsa, familjarëve të kosovarëve që jetojnë në Zvicër u ofroi procedurë të lehtësuar të vizave për vizita në Zvicër.

Sot Kosova nuk është më fëmijë bonjak politik, por ajo po quhet fëmijë i preferuar i SHBA-së. Portreti i madh i Bill Clintonit shkëlqen me përmasa mbidimensionale në një mur ndërtese mbi Bulevardin Bill Clinton në Prishtinë. Shumë njerëz në botë, edhe në Evropën Perëndimore, SHBA-ja nuk ka mundur t`i bindë, së paku nga lufta e Vietnamit e këndej, se ajo politikën e saj të jashtme e udhëheq në emër të diçkaje që nuk është thjesht politikë e forcës.

1999: Debate të ashpra ndërzvicerane lidhur me bombat e NATO-s mbi Jugosllavinë

Po ashtu jo, edhe kur ajo, (SHBA) respektivisht NATO-ja e dominuar nga ajo në vitin 1999 bombarduan Jugosllavinë. Debati në Zvicër mbi dhe gjatë kohës tremujore të bombardimeve të NATO-s ishte i ashpër.  Blocheri ishte kundër bombave të NATO-s, (por jo për shkak të një qëndrimi antimilitarist), ndërsa bashkëthemeluesi i GSOA, Andreas Gros, (Grupi për një Zvicër pa ushtri) ishte pro.  Ngjashëm sikur në debatin aktual, në qarqet e majta kalonte një hendek në mes të përkrahësve dhe kundërshtarëve. Befasisht shumë kundërshtarë të NATO-s dolën në rrugë, ballafaqimi i argumenteve tërhoqi rrathë të gjerë në të gjitha mediet. Dhe kjo, të kemi parasysh, po ndodhte në Zvicër, në vendin që nuk po merrte pjesë në veprimet luftarake. Ishte dëshpërues krahasimi i kësaj mase imponuese të angazhimit antiluftarak me bilancin e dobët që dilte nga interesimi i gjithëmbarshëm politik për shqiptarët e Kosovës në njëzet vjetët e fundit.

Në mes të kritikës për NATO-n dhe mungesës së mëparshme të interesimit për fatin e Kosovës, e cila prej dhjetë vjetësh po vuante nën sundimin e armatosur e arbitrar të Millosheviqit -  e të mos flasim për mosdijen edhe më të madhe për dhjetëvjetëshat pararendës për dënimet e gjata me burgim, për torturat dhe vdekjen e të burgosurve politikë - tregohej një diskrepancë më shumë se e qartë.

Dhe, pikëpamjet politike ngjashëm me ato tashmë të llojit të përmendur nga koha e luftës së Vietnamit, pra antiamerikane, antimilitariste dhe pikëpamjet të cilat luftën me bomba të NATO-s e paraqitnin si mjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut-  siç përshkruhej nga zëdhënësit e SHBA-së dhe NATO-s – ishin të ndara, në shumë raste, nga hendeqe ideologjike të thella. Andaj një akt edhe më të madh balancimi duhet të realizonte dikush që, nga njëra anë ishte antimilitarist dhe, në të njëjtën kohë, e kishte parasysh gjithë historinë e popullit të shtypur të Kosovës. Dhe kjo nuk mund t`i lejonte një kritikë të izoluar të luftës së NATO-s pa qëndrimin kritik për faktin që situata pararendëse në Kosovë nuk është marrë seriozisht.

Njohja e pavarësisë kërkon diskutim të hapur lidhur me historinë më të re të Kosovës

Në këtë kontekst Qeveria e Zvicrës ka bërë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, ajo, të paktën për aq sa mund të kuptohet nga mediet, asnjëherë nuk është thelluar në mënyrë eksplicite në historinë komplekse të Kosovës dhe në rrethanat që sollën deri aty që Kosova në përgjithësi të mund të shpallte pavarësinë e saj. Nuk është thelluar (qeveria zvicerane) as në qëndrimin e saj për Kosovën para luftës së NATO-s. Zvicra nuk kishte pasur të bënte as në planin teorik e as në atë praktik me çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Ishin shkaqe pragmatike ato që shtynë qeverinë e Zvicrës për të marrë këtë hap diplomatik. Për këtë arsye nuk habisin qëndrimet e ndryshme të cilat shfaqeshin që nga koha e luftës së NATO-s, qëndrime që edhe sot sërish, pak a shumë qëndrojnë papajtueshëm kundër njëri-tjetrit. Këtu nevojitet një debat i hapur për historinë e re të Kosovës dhe rolin e Perëndimit e të Zvicrës në të.

Ai që i emërton gabimet dhe lëshimet e tij, mund të ushtrojë kritikë të papenguar për partnerin. Të marrësh sot me seriozitet Republikën e Kosovës si partnere dhe të mbështetësh atë, nënkupton që edhe të mund të shtrosh pyetje rreth NATO-s dhe UÇK-së. Politika e sotme shumë aktive e Zvicrës për Kosovën dhe po ashtu ndihma zemërgjerë për zhvillim, kanë nevojë për një mbështetje të brendshme politike të gjerë. Shqetësimi aktual i shkaktuar nga raporti i Dick Marty-t zbulon një konsensus të brishtë dhe shumë pyetje të drejta, pa përgjigje, të cilat kanë të bëjnë me raportet Zvicër – Kosovë, bile i tejkalojnë ato nganjëherë. Sepse, siç u parashtrua tashmë, qëndrime të ndryshme në lidhje me luftën në Kosovë dhe lidhur me kohën pas saj kishin lindur, në një farë përmase, mbi bazën e parimeve botëkuptimore. Relevanca politike e çështjeve të shtruara në lidhje me raportin e Martyt e bën më të qartë të dhënën se Kosova sot është më shumë se vetëm emri i këtij regjioni. Pra, Kosova është një shembull shkollor që nuk i mungon pothuaj asnjë analize apo traktati ose qëndrimi politik për një spektër të gjerë temash të diskursit politik. Duke filluar nga raporti në mes të të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, nga i ashtuquajturi “intervenim humanitar” për shkak të “pastrimit etnik”, e drejta e popujve për vetëvendosje, udhëheqja ndërkombëtare dhe administrimi i protektorateve të OKB-së, municioni me uran e deri te angazhimi ushtarak jashtë vendit dhe shumë tema të tjera.

Emërtimi i gabimeve dhe i lëshimeve të Perëndimit mundëson distancën me strategjinë e UÇK-së dhe NATO-n

Ngadhënjimi ndaj trupave të Milosheviqit në Kosovë ishte shumë më tepër vepër e intervenimit të ashtuquajtur humanitar të NATO-s, se sa i veprimit të UÇK-së. Është e kuptueshme se në rrjedhën e viteve të gjata të despotizmit të armatosur serb, pjesë të popullatës në Kosovë ta ndjenin veten të detyruar të ushtronin rezistencë të armatosur. Para së gjithash, pasi që Rugova, me gjithë politikën e tij paqësore, nuk kishte hasur në sukses për një intervenim politik dhe ushtarak ndërkombëtar në Kosovë, burra të rinj nxorën një konsekuencë më të guximshme, atë që duke lënë peng jetët e tyre të sillte ndryshimin, pas poshtërimit të vazhdueshëm që përjetonin, perspektivës së zymtë për gjithë popullin. Por se UÇK-së për të luftuar kundër armatës jugosllave i nevojitej një ndihmëtar i fuqishëm, ishte fare e qartë që në fillim, dhe sipas të gjitha gjasave menjëherë pas themelimit kjo ishte bërë pjesë e kalkulimeve të strategëve të saj. Për këtë, parimisht, nuk mund t`i bëhet vërejtje dikujt nga askush, i cili në logjikën e tij e inkorporon edhe luftën si Ultima Ratio (mjetin e fundit). Kjo logjikë vazhdon të jetë mbizotëruese në botë dhe po ashtu edhe në Evropë. Mirëpo, duke ecur këtij shtegu, zgjidhjet e tjera, të mbështetura në qasje politike paqësore, bëhen gjithnjë më të vështira.

Një zgjidhje e tillë, e përqendruar në mjete paqësore do të duhej të vihej në veprim më herët, së voni pas marrëveshjes së Daytonit, në vitin 1995. Siç dihet, Perëndimi vazhdonte të mbështetej në Milosheviqin si të ashtuquajtur garant të stabilitetit. Nëpërmjet këtij qëndrimi ndikimi i UÇK-së po legjitimohej po aq sa edhe po forcohej nëpërmjet faktit që në vitin 1998, gjatë kohës së kërcënimeve të shumëfishta të NATO-s, UÇK-ja nuk ishte përfshirë në negociatat në mes të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe Milosheviqit.

Pas përfundimit të luftës Zvicra ka ndihmuar fuqishëm dhe në mënyrë zemërgjerë rindërtimin e Kosovës. Nga ajo kohë ajo realizon një bashkëpunim shumë profesional për zhvillim në Kosovë dhe angazhohet në rrafshe të ndryshme për shtetin e ri. Mirëpo, mungon ballafaqimi (vetë)kritik me qëndrimin perëndimor dhe të sajin gjatë dhjetëvjetëshave të shtypjes në Kosovë, ballafaqimi me parahistorinë e luftës së NATO-s, me rolin e NATO-s dhe rolin e UÇK-së. Po qe se qeveria dhe parlamenti i Zvicrës do ta kompensonin këtë mungesë, ndarja e një çmimi të diasporës shqiptare mund të rridhte në një atmosferë transparente. Në lidhje me një raport si ai i Martyt do të reagohej më me kompetencë dhe në mënyrë më specifike, për arsyen se vetëdija jonë për aspektet kritike të historisë më të re të Kosovës do të ishte tashmë pjesë e nënkuptuar e diskursit tonë të përbashkët. Po ashtu me këtë, kontributi i sotëm konstruktiv zviceran për Kosovën dhe diasporën e saj do të vendosej në themelet e një politike koherente.

nga Léonard Bender :,,I ri dhe pa ardhmëri!,,

image de l'article
Skenat e rebelimit që përsëritën në shumë vende të Maghrebit  janë mjaft  shqetësuese. Sidomos kur, me sa duket, qeveritë e këtyre vendeve nuk arrijnë të sigurojnë perspektiva të qarta profesionale për këto grupe studentësh.

Është fakt se këto shoqëri kanë një popullsi me moshë shumë të re - edhe pse numri i lindjeve është në rënie e sipër në dyzet vjetët e fundit.  Piramida e moshës të vendeve të Afrikës Veriore i përngjan një çadre, pak ca e ngushtuar në bazë.  Kjo e fundit është në kontrast me piramidën e shoqërive perëndimore, e cila duket sikur një bredh apo një tempull budistësh.

Kështu që  sfidat e Maghrebit,  i cili ka  një strukturë të popullsisë shumë të ngjashme me atë të shqiptarëve,  janë të një shkalle gjigante.

Arritja e flukseve masive të të rinjve që kërkojnë punë është një granatë me siguresë të tërhequr. Aq më tepër kur dihet se plakja e këtyre popullsive do të jetë shumë më e shpejtë se ajo e Evropës.

Mbetet nevoja urgjente për zhvillimin ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe zgjerimi i të drejtave politike. 

nga Jeton Kryeziu :Trashëgimia

image de l'article
© albinfo.ch: Jeton Kryeziu, avokat, Lausanne

Pjesa e tretë dhe e fundit rreth të drejtës së suksesionit i kushtohet  ndarjes në mes të trashëgimtarëve. Për të lehtësuar të kuptuarit, secili rast do të shoqërohet me shpjegime si dhe me një tabelë.


Në bazë të artikullit 462 ch 2CC, kur njëri nga bashkëshortët e çiftit pa fëmijë vdes, në këtë rast gruaja, ¾ e pasurisë i takon bashkëshortit tjetër. Kurse ¼ e mbetur u takon prindërve të personit që ka ndërruar jetë (gjegjësisht 1/8). Në rast se prindërit kanë vdekur, atëherë kjo pjesë ¼ u takon motrave dhe vëllezërve.
Në rast se prindërit, si dhe motrat dhe vëllezërit janë të vdekur, pasuria në fjalë nuk do t’ u takojë nipave dhe mbesave, por bashkëshortit.
Kur personi që ka ndërruar jetë lë bashkëshortin me një fëmijë apo me më shumë, prindërit, vëllezërit dhe motrat përjashtohen nga e drejta për trashëgimi (megjithatë, këtyre të fundit u mbetet e mundur të trashëgojnë një gjë të caktuar ose të bëhen trashëgimtarë).
Tani, vetëm bashkëshorti dhe fëmijët janë trashëgimtarë. Bashkëshortit i takon ½ e pasurisë (462ch 1 CC). Fëmijëve u takon (të gjithëve së bashku) ½ e pasurisë. Kështu që, në këtë rast, çdo fëmijë merr ¼, duke e pasur parasysh se fëmijët e ndajnë gjysmën e tyre në dy.

Personi i vdekur, i cili kishte bashkëshortin të vdekur dhe që si pasardhës ka vetëm fëmijët e tij, do të ndajë pasurinë e tij ndërmjet tyre. Kjo vlen edhe në qoftë se i vdekuri i ka prindërit e gjallë.
Në rastin tonë, burri vdes, kurse gruaja e tij ka vdekur më herët. Burri lë pas tij prindërit dhe tre fëmijë. Këta të fundit (tre fëmijët) janë ata që ndajnë pasurinë në mënyrë të barabartë, ose 1/3 secili.




Tipari i veçantë i ligjit zviceran për trashëgimi qëndron në faktin se ai parashikon rezerva legale për disa trashëgimtarë ligjorë. Kështu që rezerva për pasardhësit (fëmijët ose, në rast vdekjeje të këtyre, nipat ose mbesat) është ¾ e të drejtës së tyre për trashëgimi (neni 471 ch. 1 CC).

Pjesa për prindërit e të vdekurit (por që nuk u është dhënë fëmijëve, ndryshe vëllezërve dhe motrave të të ndjerit) përben ½ të drejtës për trashëgimi (ch2). Së fundi, pjesa për bashkëshortin ngritet po ashtu deri në gjysmën e së drejtës për trashëgimi.
Instituti për Rezerva Ligjore ka për qëllim t’ u mundësojë trashëgimtarëve të lartpërmendur të marrin të paktën pjesën për të cilën kanë të drejtë, falë nenit 471 CC.

Kështu që ky ligj mbron trashëgimtarët e lartpërmendur në rast se i vdekuri (trashëgimlënësi) parashikon dispozita që shkojnë në dëm të tyre. Megjithatë, vihet në dukje se ka disa raste kur është e mundur të mos respektohet rezerva dhe dhënia më e ulët për trashëgimtarët e rezervuar, p. sh. në rast përjashtimi nga trashëgimia (nenet 477 dhe 480 CC).

nga Blerim Shabani : Kthim nga kultura dhe vlerat e mirëfillta

Qendra për integrim „Aleksandër Moisiu" ka lansuar projektin „Kulturë për të gjithë - të gjithë për kulturën"
image de l'article
  

Ditë më parë, në Brütisellen të Cyrihut u bë lancimi i projektit „Kulturë për të gjithë - të gjithë për Kulturën", iniciuar nga Qendra për Integrim „Aleksandër Moisiu".  Siç na informon Liri Lushi, drejtuese e projektit dhe aktore e njohur, puna me këtë projekt ka filluar në muajin gusht të vitit 2010. Znj. Lushi flet për albinfo.ch lidhur me projektin, në të cilin ajo ka investuar jo vetëm punën por edhe emocionet e saj.

Sipas saj, më shumë se projekt i thjeshtë, ai është një apel drejtuar komunitetit tonë në Zvicër për vetëdijesim dhe kthim vlerave kulturore të mirëfillta. „Apel dhe këmbana për vlerat tona të mirëfillta që u drejtohet të gjithë shqiptarëve kudo që janë! Këtyre këmbanave kam dëshirë tu biem në mënyrë që të mos shpalosim me frikë gjithmonë faqet e gazetave në mëngjes se do të lexojmë lajme që trondisin, për komunitetin tonë.

T`i dëgjojnë fëmijët tanë këto këmbana, të dëgjojnë apelin, të apelojnë edhe ata vetë, të mos kenë drojë, të mos kenë komplekse inferioriteti. Prindërit e tyre kanë vlera të trashëguara, të ruajtura mirë, duhet vetëm të jenë aktivë, t`i shpalosin ato, për vete e për fëmijët e tyre si model, që ata të bëhen të denjë për shoqërinë! Të njohin dhe të respektojne vlerat, të bëjënë krahasime, të mësojnë", thotë Liri Lushi. 

Koha për njohje dhe vërtetim të vlerave

Ajo po ashtu shprehet e bindur se tashmë ka ardhur momenti për njohje dhe vërtetim të vlerave. „Është një domosdoshmëri e pakundërshtueshme kjo, pasi tani, pas luftës për ekzistencë, kërkesës për siguri dhe përmbushje të nevojave sociale, i vjen radha edhe kulturës, kujdesit për gjeneratat e reja", thotë ajo.


Lidhur me vetë lancimin e projektit, Lushi thotë se ky u bë më 19 dhjetor, me metodën Brainstorming dhe përkujton se me këtë rast viti 2011 u shpall vit i Kulturës. Siç shprehet ajo, me këtë rast është zhvilluar edhe një debat i gjallë. «Rezultati i debatit ishte i mirë. Diskutimet dhe qëndrimet e ndryshme vërtetuan se duhet me çdo kusht të punohet në këtë drejtim.
   
Doli edhe ndonjë mendim që `shqiptarët nuk arrijnë dot te sukseset`. Pati diskutime madje edhe për aftësinë e shqiptarëve si `njerëz të lindur për delikte` e të ngjashme. Duhet thënë edhe këtë se fëmijët e pranishëm pohuan se nuk kanë kuptuar shumë nga çfarë u tha, megjithëse u bisedua në shqip… » shpreh shqetësimin e saj udhëheqësja e projektit.

Por, shton ajo, nënat e pranishme e kishin kuptuar rëndësinë e projektit për fëmijët e tyre. Ato u shprehën shumë të kënaqura. Kështu, Vjollca Kqiku, e cila kishte sjellë me vete edhe dy fëmijët e saj të vegjël, në një mënyrë e filloi apelin ndër të parët. Njëra vajzë e saj, Fiona, recitoi vjershën `Mëmëdheu` ndërsa tjetra, Liza, këndoi këngën `Qengji i vogël`, thotë Liri Lushi.
  


Përgëzimet e ambasadorëve dhe takimi me Shoqatën Shqiptare të Winterthurit

Në vazhdën e aktivitetit të saj, Qendra për Integrim "Aleksandër Moisiu" pati ditë më parë edhe një takim me Shoqatën Shqiptare në Winterthur, shoqatë që udhëhiqet nga gratë. „Zonjat prezente reaguan të gjitha pozitivisht. I veçantë dhe emocionues ishte reagimi i Hava Shalës, ndërsa të gjitha të pranishmet shfaqën gatishmëri të kontribonin me mundësitë e tyre në projekt", thotë Liri Lushi.

„Ajo çfare shoh si tepër të rëndësishme është se të dy ambasadorët tanë, Mehmet Elezi dhe Naim Malaj konfirmuan mbështetjen e tyre, gjë e cila më ka dhënë shumë kënaqësi dhe besim", shpreh optimizmin e saj për mbarëvajtjen e projektit, udhëheqësja e Qendrës për Integrim „Aleksandër Moisiu", Liri Lushi.

Nga Xhemal Ahmeti : Fëmijët e internateve

Nëpër internate të ndryshme të Zvicrës gjenden të rinj e të reja shqiptare, të cilët e kanë humbur kontrollin për fatin e tyre
image de l'article
© Portret i tjetërsuar i Nexhmijes

Ajo mbyll dritaret, ndez një qiri, ulet, merr frymë thellë dhe nis të flas: «Kjo atmosferë më ndihmon që të rrëfej historinë time qetë dhe pa kërkuar shpëtim në gjithë ato medikamente që mi ka dhënë mjekja ime», thotë Nexhmije H*. (19). Ka një vit që shitësja, me origjinë nga një katund kosovar, i është kthyer «jetës normale». Së paku për momentin.  «Shpesh çohem e hutuar, e bërë lloç nga djersët», fikson shikimin drejt shtratit të saj dhe vazhdon: «së paku çdo natë të tretë ëndërroj, jo nuk ëndërroj, por jam në jetën time të mëhershme, sikur koha të mos kishte ecur fare». Pse Nexhmija ikë dhe ka frikë nga e kaluara e saj? 

DHUNA SI PROMOTOR

Historinë e saj, ajo e nis nga një mbrëmje shkurti të vitit 2005. Nexhmija atëherë ka qenë katërmbëdhjetëvjeçare. «E di që, kur u zgjova në fund të shtratit ishin duke pëshpëritur disa njerëz të panjohur. Ndër ta ishte një polic, të tjerët ishin personel i spitalit», thotë ajo. Në spital Nexhmija përfundon pas një përleshjeje të rëndë brenda familjes. «Babi im...», e bën një pauzë me sy të mbyllur dhe «...babi im, gjatë ditës më kishte parë me do shok e shoqe duke u endur nëpër qytet. Nënës sime unë i kisha thënë se do jem tek do shoqe për t’i bërë detyrat e shtëpisë. Kur u ktheva në shtëpi pashë nënën duke qarë. Fytyra e saj ishte plotë vija të kuqe. Ishin gjurmët e gishtave të babit. Ai më kapi për flokësh dhe...». Nexhmija nuk donë të përshkruaj në detaje atë natë. Ka qenë nata më e tmerrshme e jetës së saj – thotë ajo.

Ditëve të ardhshme, prokurori për të rinj i Bernës vendos: Prindërve të Nexhmijes u merret e drejta e përkujdesjes për shkak dhunës së ushtruar në familje. Enti për të Rinj do të jetë tash e tutje shtëpia dhe familja e saj. Pasojnë internate, azile fëmijësh. As kontaktet e shpeshta me policinë nuk kanë munguar. Nexhmija nuk ka ditur se si të sillet me «lirinë» e saj. Shpesh ikë nga internatet dhe kalon ditë të tëra nëpër «miq e mikesha», në shoqërinë e të cilëve nuk mungojnë as narkotikë të ndryshëm dhe alkooli. Kështu jeton ajo deri në ditën e kolapsit, kur e helmuar përfundon në spital. Enti Social për të Rinj revidon vendimin e tij: Nexhmije H. humb statusin e viktimës dhe pajiset me stampën e «të résë që edukohet rëndë». Me të drejtë?.

«Jo», kundërshton ajo dhe «unë kam qenë çikë shumë e sjellshme. Vetëm njëherë më ndodhi që t’i thyejë rregullat dhe menjëherë më dënuan me internate». Procesverbalet e Entit për të Rinj flasin diçka krejt tjetër. Sipas tyre Nexhmija disa herë thyen rregullat e «azileve», duke u zhdukur për ditë të tëra pa paralajmërim.

DHIMBJA DHE KOKËFORTËSIA E PRINDËRVE

«Çka? Kush jeni ju?» na bërtet prindi i Nexhmijes në telefon. Përpiqemi t’ia sqarojmë edhe njëherë butë kërkesën tonë. «Kush është ajo? Nuk kam e as që kam pasur ndonjëherë vajzë me emrin Nexhmije». Na mbyll telefonin. Pas një ore thirrëm sërish. Kërkojmë takim me të. Më në fund pranon. Me një kusht: Nexhmija nuk duhet të jetë as në afërsi. Pas një ore në restorantin «Pronto» të Bernës. «Ajo ma ka prish jetën. Ma ka marrë fytyrën. E këta të Jugendamtit veçse presin që të na rrëmbejnë fëmijët», kështu plot mllef Arsim H*, i cili nuk mohon të jetë sjellë brutalisht ndaj familjes së tij, atë natën e përshkruar nga Nexhmija.

«Ka qenë hera e parë, pasha Zotin», përbetohet ai. Një përbetim që poashtu nuk përkon me raportet dhe protokollet e organeve të involvuara. E Nexhmija? Burri qanë. «Ka qenë çikë shumë e sjellshme», thotë duke belbëzuar Arsim H. dhe braktis tavolinën. Pas një ore na thirr sërish në telefon. «Mos ma merrni fytyrën edhe më shumë», na thotë duke na lutur që mos ia bëjmë storien publike. Merremi vesh disi.

Kasollja-internat «Ferme Imaginaire»

PROCEDURA DHE INTERNATET

Në Effingerstrasse 2,  të Bernës na thonë diçka tjetër, sa i përket procesit të «rekrutimit» të të rinjve, diçka krejt ndryshe nga ajo siç e shpalon Nexhmija: «Ne bëjmë planin resocializues pas vendimit të Prokurorisë për të Rinj. Paragjykimet se ne shpejtë dhe pa menduar mirë i ndajmë fëmijët nga familjet e tyre nuk qëndrojnë», kundërshtojnë nga «Meer - haus» i Bernës. Nga rastet tjera që ne hulumtojmë rreth kësaj teme e dimë se procedurat e tilla janë të koklavitura dhe se një vendim aty për aty është gati i pamundshëm. Në asnjë rast tjetër, që ne jemi duke hulumtuar nuk na mbeti përshtypja sikur organet përkatëse të kishin bërë ndonjë padrejtësi. Frustrimi i të afërmve të Nexhimjes ndaj organeve është i natyrshëm, mirëpo jo edhe korrekt.

Dhoma e ndejës në «Ferme Imaginaire»
Dhoma e fjetjes

25 minuta larg Bienit gjendet «La Ferme Imaginaire», në fshatin Champoz, ku Nexhmija ka kaluar një kohë të konsiderueshme të saj. «Me kuajt e kisha më së miri», thotë plotë cinizëm ajo. Internati është një kasolle kuajsh, e përshtatur sipas konditave të Enteve që kanë të bëjnë me risocializimin e vajzave që nuk «edukohen lehtë» dhe gjendet nën patronatin e Qendrës resocializuese «Sternen» të Erlenbach-ut.

Bernhard Eichenberger

«Shumica e të rinjve dhe të rejave që vijnë tek ne kanë një biografi të tillë», thotë Bernhard Eichenberger, udhëheqësi administrativ i internateve të Qendrës në fjalë. Më shumë rreth rastit konkret Eichenberger nuk donë të thotë. Përgjegjësi për media, shefi i tij, gjendet aktualisht në pushime. 

«SHUMICA MBETET RRUGËVE»

«Plotë nga shokët dhe shoqet e mia, mund të them shumica e tyre nuk kanë arritur të stabilizohen», dinë Nexhmija. Pas absolvimit të një praktike në Migros ajo e ka të garantuar punën si shitëse aty. E pyesim se ku qëndron burimi i forcës që e motivon atë ta marrë jetën sërish në dorë. «Ndoshta familja ime më pranon sërish. Nuk e di. Të gjithë e kemi tepruar atëherë. Sidomos unë dhe babi». Është kjo dëshira e saj supreme. «Po», thotë ajo dhe na tradhton edhe diçka më shumë. «Edhe një burrë të mirë, mundësisht që nuk rreh gra», na thotë ajo duke veshur mantelin e shitëses në njërin nga Migroset e qytetit të Bernës.

*Me kërkesën e familjes së involvuar në hulumtimin tonë emrat e tyre janë ndryshuar nga redaksia.

Nënë Tereza: Ambasadorja e dinjitetit njerëzor

"Me gjak jam shqiptare, me kombësi jam indiane, me besim jam e krishtere dhe me vokacion i përkas botës".
image de l'article
Për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, më 18 dhjetor u mbajt një ceremoni përkujtimore nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, me mbështetjen e misioneve të përhershme të Selisë së Shenjtë, Maqedonisë dhe Indisë.



Në emër të Drejtorit të përgjithshëm të Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, z. Sergei Ordzhonikadze, Presidenti i Komitetit per Aktivitete Kulturore dhe Drejtor i Bibliotekes se OKB-se ne Gjeneve Pierre Le Loarer mirëpriti personalitetet e shumta të pranishme dhe lexoi një tekst të prekshëm për Nënë Terezën, të cilën e quajti “ambasadore e dinjitetit njerëzor”.


Ambasadorët e Shqipërisë, i Selisë së Shenjtë, i Maqedonisë dhe i Indisë mbajtën një fjalim për rrugën dhe misionin humanitar të Nënë Terezës, e cila "tërë jetën e saj është munduar të mbrojë mirëqenien shpirtërore, mendore  dhe fizike të njerëzve me vuajtje të rënda dhe të varfër".  "E veshur me veladonin blu të pambukut, Nënë Tereza bëri që kufijtë fizikë dhe politikë të harrohen",  tha ambasadori i Indisë.

"Në shenjë respekti, dashurie dhe përkushtimi për vajzën tonë, e cila më pas u bë Nëna e botës, Republika e Maqedonisë bëri të  përjetshëm kujtimin e punës dhe jetës së saj, duke ndërtuar në qendër të Shkupit Muzeun e Shtëpisë Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza", shpjegoi ambasadori i Maqedonisë, Aziz Pollozhani. Ambasadori paraqiti po ashtu një koleksion prej 79 poezish të shkruara në gjuhën shqipe nga dora  e Nënë Terezës dhe të botuara së fundi edhe në gjuhën maqedonase dhe atë angleze. Z. Pollazhani raportoi se një kopje do t’ i dhurohet bibliotekës së Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Shkrimtari dhe ish-ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, lexoi disa pasazhe nga shkrimet e Nënë Terezës, ku ajo shpreh dhimbjen për ata që i quan "të gjakut të saj". Më 1929, në moshën 18-vjeçare, në prag të nisjes për në Indi ajo përshkruan shtëpinë e saj si një "shtëpi e ndriçuar nga zemra e familjes dhe e miqve të saj". Besnik Mustafaj vuri në dukje se “për Nënë Terezën shqiptarët përbëjnë një dhimbje që e ndoqi  gjatë tërë jetës së saj”. 60 vjet më vonë ajo deklaroi se dëshironte të kthehej në Shqipëri "për t’i shërbyer më të varfrit e gjakut tim" ...

Ceremonia përfundoi me shfaqjen e shumë fotografive që tregonin Nënë Terezën që nga fëmijëria e deri në ditët e saj të fundit.

Shkëndijat e “Flakës së janarit” frymëzojnë mërgatën

Këshilli i përvjetorit të demonstratave kërkon nga institucionet ngritjen e një lapidari në Prishtinë kushtuar tre dëshmorëve të janarit
image de l'article
Në Münsingen, afër Bernës, është mbajtur të shtunën, më 15 janar, manifestimi përkujtimor në 29 vjetorin e rënies së dëshmorëve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Manifestimin e ka përgatitur një këshill i ngritur në nivel të mërgatës sonë në Zvicër, për organizimin e përvjetorit të tridhjetë të demonstratave të vitit 1981.

Hydajet Hyseni
Në këtë mbrëmje përkujtimore morën pjesë edhe mysafirë nga Kosova si Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së Ish të Burgosurve të Kosovës dhe bashkëveprimtar i tre dëshmorëve, Zenun Pajaziti, familjar i dëshmorit Kadri Zeka dhe të tjerë Manifestimin e nderuan po ashtu, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi pastaj bashkëpunëtorët e Kadri Zekës e Hydajet Hysenit, miqtë zviceranë, Katrina Asal dhe Beat Schaffer. 

Me një lojë koreografike me tematikë jetën dhe rënien e dëshmorëve të janarit, programin e hapi Shkolla e Vallëzimit “Shota” nga Arau, e drejtuar nga Agron Bajrami.

Pastaj, në skenë u ngjit Saime Isufi, veprimtare dhe ish bashkëshorte e Kadri Zekës. Në fjalën e saj, znj. Isufi, krahas tre të rënëve të 17 janarit përkujtoi edhe dëshmorët tjerë si Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe veprimtarët që kanë ndërruar jetë larg atdheut si Zijah Shemsiu, Rrustem Mahmutaj, Hasan Kadriu, Rexhep Halimi, Shahin Hajdini dhe Nexhmedin Ahmeti. Ajo, me këtë rast, bëri të ditur se këshilli i formuar në Zvicër për shënimin e 30 vjetorit të demonstratave ka vendosur të kërkojë nga institucionet e Kosovës ngritjen e një lapidari në Prishtinë kushtuar tre dëshmorëve të janarit: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Saime Isufi
Bashkëveprimtari i tre dëshmorëve, kryetari aktual i Shoqatës së Ish të Burgosurve të Kosovës, Hydajet Hyseni ka folur gjerësisht për simbolikën e Flakës së janarit, emër që tashmë e mban manifestimi maratonik i cili mbahet prej 20 vjetësh në Kosovë.” “Duke nderuar dëshmorët e janarit, nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, të çdo brezi dhe të çdo orientimi politik të gjithë hapësirës së copëzuar shqiptare”, ka thënë Hyseni i cili pastaj është ndalur edhe në raportet Zvicër-Kosovë. “Shpreh mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për Zvicrën demokratike për strehën e ofruar. Raportet miqësore midis dy popujve tanë, të ndërtuara në ditë të vështira, nuk mund t`i cenojë kurrfarë raporti i stisur me akuza falso të sajuara e të lansuara nga kuzhina serbomëdha”, ka shtuar ai, duke iu referuar raportit të shumëpërfolur të Martyt.

Publicisti dhe veprimtari Ismet Rashiti,duke bërë fjalë rreth shëmbëlltyrës së dëshmorëve të janarit, i quajti ata “tre ideatorët e mëvetësisë së Kosovës dhe të bashkimit të trojeve shqiptare”.

Në vazhdim, me fjalë përshëndetjeje, publikut iu drejtuan edhe ambasadori i Kosovës Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi.

Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi, me bashkëshortet

Me fjalime spontane janë paraqitur në vazhdim dy veprimtarë të moçëm të çështjes kombëtare dhe bashkëpunëtorë të hershëm të vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës: Hasan Ukëhaxhaj dhe Hasan Malaj. Ukëhaxhaj duke folur me pietet për bashkëveprimtarët e tij të ndjerë, ka shtruar pyetjen: “vallë a do të kishin arritur Jusufi, Kadriu e Bardhoshi që me organizimin e tyre brilant, pendën e mprehtë dhe fjalën e zjarrtë ta ngrinin ndërgjegjen kombëtare në atë nivel, qysh e ngritën me rënien e tyre heroike, sikur ata të ishin gjallë?” Ndërkaq, veterani tjetër i lëvizjes kombëtare, Hasan Malaj, ka evokuar hollësi interesante nga jeta dhe aktiviteti i tre dëshmorëve që i kishte njohur nga afër dhe në rrethana të ndryshme.

Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla
Anëtarët e Këshillit Organizativ, Riza Demaj dhe Bejtullah Tahiri në vazhdim u kanë ndarë mirënjohje familjeve të dëshmorëve: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka. Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci dhe Zija Shemsiu.

Me një recital kushtuar rezistencës dhe dëshmorëve janë prezantuar nxënësit e mësimit plotësues: Shkëlqim Qerimi, Ilire Kozhani, Greta Musliu, Detjon Koleka dhe Redoin Rrmoku. Idriz mehmeti ka recituar një poezi të veten kushtuar UÇK-së ndërsa Xhezide Lumi, në rolin e moderatores, ka deklamuar edhe poezi të autorëve të ndryshëm. Këngëtarët: Ajshe Muriqi-Fetaj, Xhemal Murtishi, Naim Sulejmani dhe Nikolin Përpali janë paraqitur me këngë të zgjedhura kushtuar dëshmorëve.

Ajshe Muriqi-Fetaj

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...