2011-03-05

Dixhitalizihet proza dhe i poezia shqipe

Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizojnë sot një simpozium shkencor me temë “Klasifikimi dhe dixhitalizimi i prozës dhe i poezisë popullore shqiptare”. Kjo nismë vjen pas dixhitalizimit përfundimtar të trashëgimisë zanore, lajm që u bë publik plot një vit më parë. Projekti, atëkohë u konsiderua si ndër më të rëndësishmit e realizuar në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shpëtuar këtë pjesë nga problemet e shumta që ka trashëgimia jonë materiale dhe shpirtërore. Ai u realizua në katër vjet nga Instituti i Antropologjisë Kulturore në bashkëpunim me Arkivin audiovisual të Vjenës, me një fond prej 180 mijë eurosh. Në fondin e shpëtuar llogaritet një numër i madh këngësh, rrëfenjash, proverbash, etj., material i pasur gojor, i mbledhur nga folkloristët nga ekspeditat e zhvilluara në të gjitha trevat shqiptare, gjatë 50 viteve të fundit.

Kalosh Çeliku: Dashuria hyjnore dhe dehja e mistikëve


( Flora Kastrati – Sela: Vazhdoj ta kërkoj të nesërmen (poezi), botoi Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, Shkup - 2009)
         
Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik, është thirrje hyjnore, arrin në qiell dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre, Hyut Nuk është ajo e përshkrimeve, përkushtimeve prijësve të partisë, parullave të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: toka, qielli, dita, nata, lindja, vdekja, ringjallja, rrugët, era, zogjtë, lumi… Vetëm, duhet një sy i mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata duhet shkrirë në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme.
        Dhe, novatorizmi që sjell në këtë libër Flora Kastrati – Sela i ka rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar moti pjesa më e fuqishme e poezisë shqipe, lirika e dashurisë.  Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i madh. Serembe, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Hida Halimi, Azem Shkreli, Mimoza Ahmeti, Mirko Gashi etj.
        Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik: Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, për çudi, përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë është lëruar poezia patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës artistike.
        Motivet e poezisë erotike te ky libër janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet, xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se në rolin e subjektit lirik paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshëherë gruaja sikur edhe mashkulli. Për më tepër, mes këtyre faqeve është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja. Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotme ende vazhdon të shkruhet poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria.  
        Poezia e Florës në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë-profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit. Stili i poetes është i përsosur, nuk vajton për të kaluarën, po për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj poezie e lufton hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetes shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të proçeseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave.
        Poezia e këtij libri e  ka gjakun dhe shpirtin, që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin. Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë është përsosur me imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë të “Borës në mars”: Pas borës së acart – Ti vjen sipranverë/ E nesërmja do të vij/ me Ty!/ dhe asaj erotike: Shijen e buzëve Tua/ do ta marr me vete. – Po, kam frikë se ma zbulojnë -/ Në kufi...!/  Vdekjes dhe Lindjes. Ringjalljes…
         Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që i qarkullon nëpër damarë gjak dhe shpirt, i ka rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji Tri Zana të maleve. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit…
        Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në poezinë e poetes, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e mirë duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poetja hedhë farën në tokë pjellore, ashtu si bujku me hebet në krah drithin në ara, kështu që frutat e pjekur, poezitë i lulëzojnë në libër, bregliqen…
         Armë e fuqishme është edhe lirika satirike, ku poetja përqesh momente njerëzore, politikën me prijësit e tyre, madje edhe vetë fatin e një populli: I flet zemra – zemrës të ruhet prej mërive/ Se bota më shumë kurtha ngriti se liri!.../ Origjinaliteti i poetes, fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës, në të cilën jeton brenda kufijve politikë.
        Poezia e Flora Kastrati - Sela sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi depërton në art.  Dashurinë ndaj lirisë e paraqet me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë. E zhvesh nga trupi ferexhen patetike dhe parullat e thata dhe i vesh rrobat e nusërisë: E, Ti më ke zili,/ për vetminë time./ Është e rëndë ajo/ por/ më i rëndë je Ti!/ Në poezinë e saj, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e poezisë ka disa veçori të saj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera, bukuria. Që, poetja e ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Senën, Gruan, vetminë, Varkën e Noes, Burrin, Engjëllin mbrojtës, Nimfën.  Qiririn, Natën e gjatë: Nuk jam në gjumëJam në udhëtim!/ Pas këngës dhe vargut kam hap duel!/ etj.
         Inspirimi i poetes është i sinqertë dhe i thellë duke u shërbyer me shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe alegorish:Në bregun e arritjes jam diçka unikate/ Në varkën e Noes – risi!.../  Ose: Rrëzëllima vrazhdësie më dalin në prita./ Vetmia durtrokitë pandalë!.../
        Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues dhe përkrahës. Poetja  rebele është e gatshme të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë. Lirinë. Shkurt, ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.
        E di se, rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti, janë poetët e rrejshëm të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, po të shkathët t’u vihen pas partive politike në pushtet, si dhelpra pas dashit, me shpresë se mos i bien udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk, sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…
        Herët a vonë, këta poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike të kohës së tij.
         Vargu i saj luftarak, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I lëshon paragjykimet, maxhen, burgun shtëpiak… Ferexhen e hudh në përrua… Robërinë... Shkolla është shtegu i saj drejtë Lirisë… Universiteti… Biblioteka… E nxjerrë vargun nga brezi: Filozofinë e jetës sime e ndërtoj mbi Ty.../ Poete me shpirt krenarë dhe e vetëdijshme në paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këtë poete rebele jeta e varur nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike”, shkaku se poetët bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet, por kurrë nuk do t’u bie duarve dhe këndojë arritjeve të tyre demagogjike.
      Shkëputja e poetes nga format klasike poetike nuk qe proces i lehtë, me vete mori edhe viktima. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse ( Shqipëri ) dhe sllave ( Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë ).
        Poezia  shqipe moderne sot ka një rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht, falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë, poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve...
        Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në traditën e poezisë popullore, Rilindjes, duke u pasuruar me rrugë të reja, për të hipur në Baba Tomorr. Atdheun e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…

Poezia, krijuesi, njohja dhe “ngatëresë-harresa”

nga Fatmir Terziu

Siç e kemi thënë edhe më parë, që nga fillimet e saj e deri vonë letërsia, krijimtaria letrare, është quajtur vetëm poezi. Kuptimi i saj përcaktohej përpos njësisë poetike që ishte forma e vargut ose metri, siç e quanin grekët e vjetër. Janë rreth 46 lloje poezish, që lëvrohen sot në botë. Të gjitha lëvrohen në fushën e krijimtarisë poetike. Dhe thuajse gati të gjitha kanë lakminë krijuese shqiptare sot. Dhe shpesh vetë poetët apo krijuesit i “ngatërrojnë” ato. Më e “ngatërueshmja” i përket poezisë së quajtur “ABC poezi”. Kjo më së shumti ndodh në mesin e krijuesve të rinj të Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët kanë mbetur prapa atyre që më herët e kanë lëvruar këtë tip poezie me sukses. Kjo lloj poezie ka një seri vargjesh që krijojnë emocion, imazh apo edhe ndjenja. Vargjet janë ndërtuar me fjalë dhe fraza. Fjala e parë e vargut të parë fillon me germën “A”, fjala e parë e vargut të dytë fillon me “B” e kështu me radhë. Kjo lloj poezie lëvrohet në krijimtarinë shqiptare kohët e fundit dhe mjaft poetë janë dashuruar me të. Poezi të tilla ka krijuar Kallupi, Zeqo, Duka, Dalipaj, Ahmeti, Krasniqi, Bala e mjaft të tjerë.
Një poezi tjetër që shpesh bëhet e vështirë në llojin e vet, por e ëmbël në lexim është poezia e quajtur “Analoge”, që në fakt është një ngjashmëri midis gjërave. Analogjia është një krahasim midis dy gjërave që kanë të njëjtën lidhje. Një nga shembujt e përdorimit me vend të kësaj lloji poezie është poet ii mirënjohur kosovar, Sabri Hamiti. Poezia e tij “Trungu Ilir” është një model që ngjiz në krahasimin midis gjërave me të njëjtën lidhje. Këtu në këtë poezi shfaqet portreti-peisazh i qytetit, ndoshta po aq mrekullueshëm sa “Mëngjes” i lasgush Poradecit. Të dy këta shembuj janë një arsye më shumë për shumë krijues që tentojnë këtë lloj poezie. Por në poezinë e Hamitit “Peisazh Urban” ajo është tipike moderne dhe një arritje që duhet parë si model:

“Reja e kuqe endet mbi qytet.
Poshtë dheu i zi si futa.
Në dritare të soliterit,
Dielli shtramon vetveten,
E mbytet mbas kodre, vdes.
Reja u vra nga zemërimi, u bë terr
E zbriti mbi rrugët, shtëpitë.
Edhe veten vështirë po e njoh.”

Por Sabri Hamiti është edhe një mjeshtër i përdorimit të Onomatopesë, ku fjalët janë vënë me mjeshtëri që të imitojnë zërin. Tek poezia e tij “Telefoni” fjalët “Alo! Alooo?” nuk janë thjesht një artificë poetike, por një fuqi potenciale e vargut. Poezia ushqehet ndjeshëm dhe lexuesi e sheh atë si një lehtësi e kuptueshme. Por një mjeshtër i kësaj poezie është dhe mbetet Ali Podrimja.

Le të lemë pak mënjanë këtë lloj të poezisë që tingëllon bukur. Një lloj tjetër që unë mendoj është më problematike është lëvrimi i një poezie uniforme, të cilën e ka lëvruar edhe Shekspiri në disa nga krijimet e veta. Kjo lloj poezie tashmë ka marë një formë të gjerë, sepse është e parimuar dhe me pesërrokësha (“pentametra”) iambike. Kjo lloj poezie lëvrohet nga shumë poetë sot që krijojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jashtë trojeve ku ata janë me punë e banim. Një nga poetët më të spikatur të kësaj gjinie është poeti Abdylasis Islami.
Poezia tjetër është ajo e quajtur “Kanzone” (Këngë) dhe është një lloj poezie lirike italiane, me pesë apo gjashtë strofa dhe me një strofë përmbyllëse të shkurtër. Kjo poezi e shënuar nga poet ii famshëm Italian, Françesko Petrarka, është e mirënjohur në krijimtarinë e Sulkuqit, Jorganxhiut, Doçit, Shehut, Lleshanakut, Traboinit, Alien, Jatru, Ahmetit e mjaft të tjerëve. Poezia e Petrarkës ka sjellë një dihatje të këndshme në stimulimin krijues poetik.
Pastaj vijnë poezitë që vijnë nga kultura japoneze si Haiku, Senriu dhe Tanka. Këto lloje poezish kanë gjetur përdorim edhe në mesin e poetëve shqiptarë. Përshembull Haiku ka tashmë vendin e vet në poezinë shqiptare, por shumë nga krijuesit e tij e kanë keqkuptuar atë. Haiku ka rregulla të strikta dhe ne kemi shkruar për të edhe më parë.
Por, më kryesorja në këtë njohje të llojeve të poezisë është ajo që lidhet me krijuesin, poetin, arritjet dhe vlerësimet e tij. Shpeshherë është ‘xhelozia’ që poeti Ali Podrimja e gjen dhe e zbulon si shkak në disa çmime e vlerësime deri tek evenimenti poetik “Kurora e artë” e Strugës. Ali Podrimja kohë më parë gjatë një interviste në lidhje me “Kurorën e artë” poetike të Strugës do të shprehej: “Në këtë Pellg të Ohrit ai që e ka merituar “Kurorën e artë” para së gjithëve ishte princi i letrave shqipe, Lasgush Poradeci, por Lasgushi nuk është më. Megjithate, mendoj se Kurorën e artë ka mundur t'i takoj letërsisë shqipe që moti, por ekzistojnë edhe momente xhelozie mes kulturave dhe nuk mund të pranohet ndoshta gjeniu krijues shqiptar. Disa nga ata që e kanë marrë “Kurorën e artë” unë i kam lexuar, për asgjë nuk kanë qenë më lart me vlerat e tyre se bie fjala miku im Fatos Arapi, i ndjeri Azem Shkreli apo bardi ynë, Dritëro Agolli apo krijuesit tanë të njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu. Pse nuk është marrë “Kurora e artë”: Lëre, ndoshta na kanë zili!” Në këtë lajtmotiv fjalësh del qartë edhe arsyeja pse disa herë ato që fitojnë bëhen të harruar, apo edhe të ngatërruar. Sipas Podrimes ata janë të tillë se ata pikësëpari krijojnë, por harrojnë të kuptojnë poezinë. Ata që krijojnë dhe e kuptojnë poezinë janë pak. Po aq pak është edhe poezia e mirëfilltë në të gjitha llojet e saj të zhvillimit sot. Duke vazhduar me Podrimen kuptojmë edhe anën tjetër: “Është e vërtetë se kam përkrahur poetët e rinj dhe atë e kam bërë që hapësira e jonë mos jetë e zbrazët, por të shtohen emra dhe dëshiroja që nga çdo cep i vendit tonë të shfaqet ndonjë yll që të bëjë dritë aty ku frymon. Nuk them se të gjithë e kanë merituar një përkujdesje të tillë, por qëllimi im ka qenë thjesht që fjala e bukur shqipe të vihet në lëvizje dhe të mos harrojmë se vlerat megjithatë do të shfaqen dhe do të nxjerrin emra në letrat shqipe. Gjithë këtë e kam bërë si redaktor i Shtëpisë botuese "Rilindja" që kishte për qëllim që në letrat shqipe të ketë emra të rinj, ndërkaq vlerat do të shfaqeshin vetvetiu e kjo varet nga potenca krijuese e poetëve.”

Poezia bashkëkohore shqipe, në gjuhën malazeze

Ditë më parë, nën kujdesin e Akademisë Dukleane të Podgoricës, doli nga shtypi antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe, si i pari botim letërsie në gjuhën e standardizuar malazeze. Në antologji janë përfshirë tridhjetë e katër autorë nga hapësira gjithëshqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çamëria, arbëreshët dhe diaspora, nën përzgjedhjen e Bashkim Kuçukut, përkthyer në gjuhën malazeze nga Qazim Muja. Në fjalën hyrëse, akademiku Jevrem Bërkoviq thekson se "poezia shqipe ekziston që prej kohës që ekziston populli shqiptar... Nuk është e vështirë të dëshmosh dhe të dokumentosh se poezia shqipe sot është njëra ndër poezitë më të freskëta europiane, ndër ato poezi që shquhet me freskinë e metaforës, mendimit, imazhit, poetikës, me diçka aq të veçantë që na bën të konstatojmë se edhe popujt më të mëdhenj do të ishin fatlumë po të kishin poezinë siç është poezia bashkëkohore shqipe, po të kishin poetë të këtillë, si këta të prezantuar në këtë libër të artë të poezisë bashkëkohore shqipe në gjuhën malazeze". Antologjia do të përurohet në Podgoricë, Ulqin, Tiranë dhe Prishtinë.

Dardanizmi si obsesion kreativ i piktorit Isa Alimusaj


Mustafa FERIZI – Studiues i artit
Piktori dhe profesori ISA ALIMUSAJ (1950), pa dyshim është njeri nga artistët më produktiv të artit pamor të Kosovës.
Arti, njësoj si jeta, është fenomen me shumë shtresa, me shumë kuptime dhe mesazhe, është  për më tepër, mister përlotë sfida , të papritura dhe labirinte. Si fenomen i tillë mund të cilësohet edhe piktura e Alimusajt, në të cilën projektohet  figura e njeriut   që ka formë guri e përmbajtje lashtësie, që është reale, në atë masë sa është ideale. Pra mbi konceptin filozofik realo-ideal,(Shelin) ndërton Alimusaj botën e tij pikturale.


Prejardhja është si fati, si hija. Ajo e përcjellë krijuesin gjithkah: nëpër ëndrra, nëpër  aventura imagjinative, përtej ylberit, përtej kohës. Mu për këtë piktori Isa Alimusal lidhet aq shumë gjenezën e tij,  me vendlindjen, me Kosovën, Dhe ky kjo lidhje pasionante e këtij piktori me  për prejardhjen e vet vjen e sublimohet në ciklin e pikturave “Profilët  dardane”që është terësia tematike më e avancuar në opusin e tij kreativ. Pra ky cikël, përkatësisht dardanizmi është pikënisja obsesionale e çdo qasjeje pikturale të  Alimusajt, është mbi të gjitha univers tematik mbi të cilin ai  po e sendërton idealin e tij piktural  tash e  afro pesë dekada..
Arti i  Isa Alimusajt është konglomerat elementesh figurative nga më të ndryshme. Në këtë tërësi figurash, në këtë gërshet vijash, trajtash e formash horizontale e vertikale, në  këta njerëz prej guri, apo krushq të ngrirë, siç do ti quante shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare,  ka diçka dehëse,  diçka dioniziane që të shpien përtej logjikës së ftohtë, përtej realitetit mimetik, e drejt mitit dhe epikës kombëtare.
Krahas figurave që ndonjëherë ngjajnë në silueta amorfe,  apo   në qenie të fosilizuar e në silikate, piktori Alimusaj pikturon peizazhin e vendlindjes së vet,  projekton kullat, pra shtëpitë tradicionale të popullit të cilit i takon. Ndonëse janë të  pikturuara  në formë  fragmentesh, piktori na përkujton se brenda kullave, në të kaluarën e largët historike, lidhej besa, lihej peng fjala e burrit – dhe si në senatin antik -  ndahej drejtësia, trajtohej morali dhe virtytet tjera njerëzore. Në të vërtetë,  vetë nocioni “kullë” lidhet me  ekzistencën, qëndresën dhe  me  shumë momente të jetës dhe jetesës shqiptare.
Problemi kryesor  me të cilin ballafaqohet piktori Isa Alimusaj gjatë projeksioneve të tij dardane, është  koha:  si të bartet ajo nga lashtësia, në bashkohësi, apo të paktën, si të krijohet  iluzioni për  lashtësinë e saj. Mu për këtë,  ai aplikon rrafshin njëdimensional  të pikturës dhe  plasticitetin tredimensional të  skulpturës. Me këtë simbiozë, krijon  figura, fytyra e profile që të shëmbëllejnë në relikte të gërmuara nga toka, e pastaj të vendosura në sfonde plazmatike, me çka  njëmend  krijon përshtypje lashtësie. Krejt këtë proces alkimik Alimusaj e realizon me anë të koloritit ku ekspresiv e të përndezur, ku impresiv e  të heshtur,  varësisht nga  dhembja,  agonia  e   figurave që i trajton. Autori e ndien dhe e përjeton ngjyrën, dhe  në pikturat e tij ajo ka timbër kumbues, dhe kumbon si muzika, si akordi i lashtësisë, si heshtja.
Isa Alimusaj pra  në mënyrë pasionante gjurmon nëpër lashtësinë historike për të mësuar për rrënjët dhe prejardhjen e vet. Dhe kur njeriu  interesohet për qenien dhe qenësinë e vet, do të thotë se vetëdijesohet, apo siç thotë Hegeli, bëhet i vetëdijshëm për vete.
Në të vërtetë, krejt krijimtaria pikturale e këtij piktori të zellshëm  i cili  flet shqip mendon shqip dhe pikturon shqip, është pasion kreativ gjurmues, është mbi të gjitha, shprehje e  vetëdijesimit të tij kombëtar, historik e  krijues.

U promovua monografia “Flakadani i Arsimit Kombëtar”



“Flakadani i arsimit kombëtar” përkon me mësuesin e gjithë mësuesve të Kosovës, i cili do të mbetet i papërsëritshëm dhe unikat në arsimin tonë kombëtar, u tha me rastin e promovimit të kësaj monografie kushtuar Mehmet Gjevorit, autorit të abetares së parë shqipe në Kosovë.
Në prag të 7 marsit, Ditës së Mësuesit, të premten në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës u promovua libri “Flakadani i arsimit kombëtar”, i bashkautorëve Mehmet Gjevori dhe Mehmet Halimi.
Në promovimin e këtij libri morën pjesë drejtues të MASHT-it, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, intelektual, familjarë dhe miq të Mehmet Gjevorit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja, duke folur për kontributin e çmuar ndër vite të Mehmet Gjevorit, ka thënë se Gjevori nuk është marrë më politikë, por ka krijuar politikanë. “Krejt kjo që ai ka bërë nuk pas mundësi të jetë jashtë politikës, ai s’është marrë me politikë, po politika është marrë me të. Ai s’është marrë me politikë, por ka krijuar politikanë, ai s’është marrë drejtpërdrejt me armën, por ka krijuar luftëtarë lire, ka krijuar bartës të lirës. Kjo është mrekullia që ne e imitofshim dhe paçim mundësi që disa të tillë të realizojmë e vështirë, besoj shumë e vështirë”, ka thënë Buja.
Bashkëautori i librit, Mehmet Halimi, pasi ka falënderuar vlerësuesit e librit, ka ilustruar me një anekdotë librin e tij dhe të autorit Gjevori duke thënë se ai mbetet i papërsëritshëm në arsimin tonë kombëtar.
“Dikur kur erdh Mehmet Gjevori në Kosovë, kur e gjeti Kosovën me 99 për qind analfabetë, e njerëzit i paskan thënë, ‘Lumi ti lumi që po di gjithçka, po tha di diçka, ata u çuditën, e thonë, e unë di diçka, të gjitha’. E sot të gjithë ne së bashku dimë, por megjithatë Mehmet Gjevori mbetet i pa përsëritshëm, unikat në arsimin tonë kombëtar”, është shprehur Halimi.
Me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur edhe djali i autorit Mehmet Gjevori, i cili ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar për botimin e këtij libri.
“ Përmes babait, miqësisë dhe bashkëpunimit që kemi pas me të, unë gjithnjë kam ushqyer respekt ndaj jush dhe punës tuaj. Respekt për angazhimin për botimin e këtij libri dhe kujtimet që mbani për Mehmet Gjevorin”, ka thënë Gjevori.
Për jetën dhe veprën e Mehmet Gjevorit folën edhe Ramiz Kelmendi, Mark Krasniqi, Jusuf Osmani, Andi Gjoi, këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, dhe shumë intelektual të pranishëm.
Monografia “Flakadani i arsimit kombëtar” nuk do të jetë për shitje, por ajo do t’i dhurohet BKUK-së dhe institucioneve tjera arsimore në Kosovë dhe Shqipëri.
Autori i abetares së parë Shqipe në Kosovë, mësuesi, pedagogu, dhe veterani i arsimit, Mehmet Gjevori, ndërroi jetë në vitin 2007, në moshën 93-vjeçare.

Heronjtë dhe tradhtarët


Shkruan: Ndue UKAJ
Historia e njerëzimit, është e mbushur me personazhe të gjithfarshëm, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë njerëzore, për të mirë apo të keqe. Në fakt, historia e heronjve dhe tradhtarëve, duket të jetë e vjetër, aq sa gjallimet njerëzore. Në mos, njeriu ka lindur bashkë me prirjet e çuditshme, për të qenë hero ose tradhtar.
Nëse gjurmojmë nëpër historinë njerëzore, empiria na tregon se faqe të shumta të historisë së tij, janë të stërmbushura me elemente të fuqishme dhe të thella konfrontuese, pikërisht mes tradhtarëve dhe heronjve. Pikërisht për këtë, shumë drama njerëzore, kanë si pikënisje pikërisht konfrontimet e ashpra mes këtyre dy kategorive njerëzore. Ndërkohë që këto modele, për etni të caktuara, qytetërime, kultura e fe, nëpër kohë janë shndërruar në modele ose antipod të tyre.
Një analizë e thelluar në këto dy kategori, le të kuptohet se këto prirje të njeriut kanë stimuluar aq shumë, dhe në të gjitha kohët, njëra-tjetrën, aq sa duket se kanë bërë njëlloj bashkëjetese të dhunshme. Heronjtë kanë lindur, janë krijuar, shpikur shpeshherë, do të mund të shprehej njeriu, vetëm pse kanë ekzistuar tradhtarët dhe atë në çdo kohë, kulturë, etni e fe.
Në historinë biblike, tek e cila gjen mbështetjen civilizimi perëndimore, shenjat e shumta të këtyre dy kategorive i gjejmë që në zanafillë. Mjafton të rikujtojmë ngjarjen dramatike mes Abelit dhe Kainit, nga zanafilla biblike. Kjo histori, flet shumë. Mirëpo, një shembull të fuqishëm dhe ilustrativ, po në këtë aspekt paraqet historia e Makabejve, nga Testamenti i Vjetër Biblik. Aty kemi një tipizim të fuqishëm të tipareve të heroit, i cili flijohet për atdhe e fe dhe tradhtarit, që për smirë, para e lakmi, tradhton. Këtë subjekt biblik, me mjeshtëri e ka funksionalizuar në letërsinë shqipe, edhe shkrimtari ynë kombëtar At Gjergj Fishta, te tragjedia me titull ”Juda Makabe”, e shkruar në vitet e para të lirisë së Shqipërisë. Koha e botimit të saj është viti 1920. Mirëpo, autori filloi ta shkruante këtë tekst në vitin 1911, në një periudhë tejet të ndjeshme kombëtare të transformimeve historike, që shoqëroheshin me dramacitet e dhimbje të mëdha. Nëse vendoset tragjedia në kontekstin politiko shoqëror që kalonte Shqipëria, atëherë alegoritë që i sugjerojnë faktet biblike të tremijë vjetëve më parë me faktet aktuale shqiptare të zhvillimeve 1891-1914, janë të prekshme, shenja e ide që tingëllojnë fuqishëmKjo tragjedi letrare, ruan shenja të fuqishme aktuale në çdo kohë, veçmas në ambientin shqiptar, i cili edhe sot, pas afërsisht një shekulli, ballafaqohet me të njëjtat probleme. Dhe e ka të pamundur të ndajë qartësisht tradhtarët nga heronjtë. Për pasojë, ajo ende nuk ka ndërtuar një histori unike reprezentative.
Fishta përmes kësaj tragjedie stigmatizon fuqishëm njeriun shqiptar që për kamje e pasuri, tradhton heroin e idealeve të shenjta, heroin e mishëruar me pasionin për liri, për përparim të kombit e fesë. Mirëpo, At Fishta përmes kësaj tragjedie thekson fuqishëm nevojën e njohjes së tradhtarëve dhe heronjve, sepse kështu vetëdijesohet njeriu, konsolidohet shoqëria dhe etnia mund të ec qartësisht drejt së ardhmes më të ndritshme. Për arsyen e thjeshtë, sepse, ata bëhen udhërrëfyes. Prandaj të tillë, pra udhërrëfyes, nuk guxojnë të bëhen psuedoheronjtë, ata që shesin atdhe e fe, pra tradhtarët. Apo edhe më keq, ata që shpiken heronj.
Këto ditë të acarta dimri, duke soditur zhvillimet dramatike në Shqipëri e Kosovë, tingëllon fuqishëm thënia e At Fishtës nga tragjedia në fjalë: “O Perëndu, a’ndjeve/ Tradhëtarët na lanë pa Atdhe”. Një luftë ë pashembullt, absurde, tanimë afër dy dekada zhvillohet në Shqipërinë e lirë, për të ditur heronjtë dhe mundësisht tradhtarët e Shqipërisë. Sekush mundet dhe sekush di pakëz, mundohet t’i përvetësoi bëmat e mëdha të thyerjes së komunizmit. Duke i soditur këto ngjarje, vetja më duket sikur ndodhem para një teatri absurd, ku personazhet luajnë fatet e një kombi të mjerë. Mirëpo, kjo ndodh, realisht në Shqipërinë dhe Kosovën tonë, aty ku sendërtimi i ëndrrave për liri të njëmend ende vazhdon, ku konsolidimi i shtetit të mirëfilltë, ende mungon, ku ligji dhe politika janë për një kategori të caktuar shoqërore dhe ku populli i traumatizuar bërtet Hosana dhe Kryqëzoje, thuajse paralelisht.
Gjendja shqiptare është përplot makth. Pasiguri. Kemi lojë me zgjedhje të gjithfarshme, përpos demokratike, shpikje heronjsh e tradhtarësh, që luhen sikur nga kalamaj që imagjinatën e ushqejnë me filma të ndryshëm aksion. Dhe e gjithë kjo bëhet, sepse ne ende na mungon një vlerësim i qartë sekush është hero, se kush ka vlera dhe kush ja ka shpikur vetës ato. Prandaj, në historinë e re të Kosovës, bëmat e shumëpërfolura, më shumë tingëllojnë të shpikura sesa reale.
Aspak puna më mirë nuk qëndron me raportin tonë me historinë dhe figurat historike, në raport me ngjarje dhe fenomene të caktuara historike.
Po cila është e vërteta shqiptare në këtë kontekst dhe a kemi arritur ne si komb të bëjmë një vlerësim aproksimativisht të pranueshëm për heronjtë kombëtar, së këndejmi edhe për tradhtarët? Kjo pyetje ka dhjetëra nën pyetje tjera, të cilat, asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje të duhur, as nga historianët, as nga filozofët, as nga politikanët, as nga shkrimtarët. Pra, kjo pyetje rri ankthshëm mbi etninë shqiptare, e bënë të tashëm e saj shumë të komplikuar dhe të ardhmen e zbehtë.
Një popull që nuk arrin të vlerësoi dhe selektoi historinë e tij ashtu siç duhet, e ka të vështirë të konsolidohet mirë, mbase të pamundshme të paraqitet unik para botës. Mbi të gjitha, ai e ka të pamundur të tejkaloi ngërçet politike, përçarjet e shumta dhe harmoninë etnike e ka vetëm iluzion. Kjo e bënë atë të jetë i nëpërkëmbur nga faktorët e fuqishëm ndërkombëtar.
Nuk është asgjë e re nëse themi se shumica e problemeve shqiptare i dedikohet historisë, apo më mirë të themi vlerësimit të saj sipas parakoncepteve të caktuara, herë lokaliste, herë regjionaliste, e madje, herë sipas prirjeve fetare e ideologjike. Kësisoj, nuk kemi arritur asnjëherë të ndërtojmë një koncept unik për të kaluarën, për heronjtë tanë, për shenjat identitare, për historinë tonë, letërsinë, artin, etj. Mbase, konfrontimet më të mëdha shqiptare të politikës e dijës, në mënyrë implicite i dedikohen të kaluarës së paqartë dhe vlerësimit ambiguel të saj. Dhe për fat të keq, edhe dy dekada pas lirisë nga diktatura, Shqipëria feston dy dada të çlirimit, Kosova ka disa shenja identitare shtetërore. Historianët shqiptar grindën si është më keq për figurën e Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, për fillimet e nacionalizimit shqiptar, për pasojat e Perandorisë Otomane, për Haxhi Qamilin e Ismail Qemajlin, për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, për Ernest Koliqin e Fan S. Nolin. Ata grindën për heronjtë e demokracisë. Nesër për ata të integrimeve. Pra, historia jonë është arenë e grindjeve të pashembullta.  Kësisoj, siç thoshte i madhi At Zef Pllumi, ne vazhdojmë të numërojmë në vend dhe e kemi të pamundur të organizojmë kaosin që gjendet brenda nesh.
Edhe historitë e kombeve të tjera njohin heronj dhe tradhtar. Mirëpo, kombet e konsoliduara, i kanë tejkaluar ato probleme, me debate konstruktive dhe qëllimmire, me histori të vërteta dhe jo kauzihistori e shpikje. Prandaj, ata para botës paraqiten unik. Është koha e jonë, të unifikojmë historinë, të kaluarën, rrjedhat e saj, heronjtë dhe të paraqitemi denjësisht para botës.
Të qartësojmë vetveten dhe identitetin tonë.
Duke mos festuar ndaras data të rëndësishme kombëtare, duke mos i vlerësuar heronjtë tanë ndaras, apo duke mos i diferencuar; duke mos i përvetësuar ata që nuk përvetësohen dhe duke ndërtuar një histori unike të identitetit shqiptar, shoqëria shqiptare tejkalon edhe shumë ngërçe, përçarje çoroditëse dhe kështu mund të bëhet e aftë të hyjë në rrugën e mirëfilltë të prosperimit.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...