2011-06-02

Shqipja standarde, duhet pasuruar, jo të përmbyset


Gjuhëtari Mehmet Çeliku flet për shqipen standarde, temë për të cilën kohët e fundit po debatohet në media. Sipas tij, mirë është që drejtshkrimi të mos preket. Por, edhe nëse preket, ndryshimet, natyrisht duhet të jenë minimale

Gjuhëtari Mehmet Çeliku flet për konferencën shkencore mbi politikat e pasurimit dhe përmirësimit të standardit të shqipes, e cila do të organizohet në muajin dhjetor nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Përfshirë nga polemikat e debatet prej studiues të gjuhësisë etj, Çeliku thotë se qëndrimet e skajshme, nga njëra anë, qëndrimi që mbrojnë disa gjuhëtarë për të mos e prekur fare Drejtshkrimin 1973 e për të mos modifikuar asnjë rregull të tij, dhe nga ana tjetër, qëndrimi i kundërt për të zëvendësuar standardin e sotëm, të ligjësuar në vitin 1973, gati dyzetvjeçar, me një standard tjetër, janë ose të pafrytshme, ose të gabuara e joshkencore. Sipas tij, mirë është që drejtshkrimi të mos preket. Por, edhe kur preket, ndryshimet natyrisht janë minimale. Ai përmend edhe pasurimin e standardit me fjalë e frazeologji të gegërishtes. Çeliku është i mendimit se kjo mund të ndodhë, por vetëm kur këto janë të nevojshme për standardin dhe e pasurojnë atë.

Prof. Çeliku, është bërë e ditur se Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA) do të organizojë në muajin dhjetor 2010 një konferencë shkencore me temë: “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit”. Si e prisni ju këtë konferencë?

Në Seminarin XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mbajtur në Tiranë më 21 gusht 1995, kam kërkuar hapjen e një diskutimi shkencor, që do të përmbyllej me një konferencë shkencore për rishikimin e Drejtshkrimit 1973. Ishte fjala për një përmirësim të mëtejshëm të kësaj vepre dhe jo për ta përmbysur atë. Kjo kërkesë është përsëritur më vonë nga unë dhe nga gjuhëtarë të tjerë. Kjo vepër aq shumë e nevojshme e që mungon në treg prej vitesh duhet të ribotohet (pas 37 vjetësh), e përditësuar, e thjeshtuar, më e lehtë për t’u zotëruar e përdorur. Qëndrimet e skajshme, nga njëra anë, qëndrimi që mbrojnë disa gjuhëtarë për të mos e prekur fare Drejtshkrimin 1973 e për të mos modifikuar asnjë rregull të tij, dhe nga ana tjetër, qëndrimi i kundërt për të zëvendësuar standardin e sotëm, të ligjësuar në vitin 1973, gati dyzetvjeçar, me një standard tjetër, janë ose të pafrytshme, ose të gabuara e joshkencore. Dihet se drejtshkrimi është niveli më pak i ndjeshëm i sistemit gjuhësor. Siç e dëshmojnë disa gjuhë europiane, si anglishtja e frëngjishtja, mirë është që drejtshkrimi të mos preket. Por edhe kur preket, ndryshimet natyrisht janë minimale. Ndryshimin e imponon dinamika e lartë e zhvillimit të gjuhës së folur në krahasim me formën e shkruar; në gjuhë zhvillimi udhëhiqet nga forma e folur, çka krijon mospërputhje midis dy varianteve. Në rastin e drejtshkrimit të shqipes mund të modifikohen disa nga rregullat e tij. Këto  pak ndryshime nuk duhet të prekin bazën e standardit ekzistues, por të synojnë thjeshtimin e disa rregullave, respektimin e rregullsisë së sistemit, reflektimin e praktikës gati dyzetvjeçare. Ky do të ishte edhe rishikimi i parë i Drejtshkrimit aktual të shqipes pas rreth dyzet vjetësh. Një arsye më shumë kjo në të mirë të ndryshimit. Reagimet kundër kësaj konference janë të shumta. Disa specialistë dhe gjuhëtarë me emër, në grup a individualisht, në Shqipëri e në Kosovë, kanë deklaruar mospjesëmarrjen, duke shprehur rezerva e kritika paraprake ndaj saj. Qëndrimi mosmiratues shpjegohet, në radhë të parë, me organizimin e dobët të Konferencës. Për shqipen standarde, që është një çështje madhore kombëtare dhe pronë e përbashkët kombëtare, kërkohej një konferencë shkencore gjithëkombëtare, e organizuar jo vetëm nga QSA, por edhe nga FHF i UT dhe institucionet akademike e universitare të Kosovës, të Maqedonisë si Instituti Albanologjik i Prishtinës etj. Kërkohej që Platforma e Konferencës të hartohej nga një komision organizator, me përfaqësues nga të gjitha këto institucione shkencore, kërkohej një pjesëmarrje sa më e gjerë e gjuhëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Platforma duhej të ishte më e plotë, më e qartë, më e saktë, pa paragjykime. Aty theksohet nevoja e rishikimit të standardit, por nuk del e qartë se për çfarë rishikimi bëhet fjalë! Gabimisht motivohet rishikimi i standardit me zhvillimet politike-shoqërore që kanë ndodhur në hapësirën shqiptare në 20 vjetët e fundit! Çuditërisht aty shtrohet kërkesa “për të ndërmarrë politika gjuhësore të guximshme”! Pavarësisht nga të gjitha këto, nuk mendoj se Konferenca duhet bojkotuar. Në qoftë se nëpërmjet pasurimit kërkohet përmbysja e standardit aktual, atëherë duhet luftuar me forcë ndaj këtij mendimi antishkencor dhe antikombëtar.

A mund të thoni se çfarë duhet kuptuar me përmirësim dhe pasurim të standardit që theksohen në platformë, dhe cilat janë disa nga detyrat që dalin sot për përmirësimin e punës në fushë të gjuhës?

Përmirësimi i standardit lidhet drejtpërdrejt me rregullat e Drejtshkrimit dhe përbën vetëm një objektiv të Konferencës. Unë përmirësimin e standardit e kufizoj në atë që theksova më lart (modifikim i pak rregullave të Drejtshkrimit 1973 dhe redaktimi i tij, çka do të mundësonte ribotimin e përmirësuar të  Drejtshkrimit). Modifikimi duhet të mbështetet në këto kritere: mosprekja e bazës së standardit, ruajtja e njëtrajtshmërisë së njësive në sistem, reflektimi i praktikës gati dyzetvjeçare, thjeshtësimi i mëtejshëm. Konferenca duhet të na shpjerë më afër zgjidhjes shkencore. Pasurimi i standardit ka të bëjë kryesisht me përfshirjen në të, të fjalëve dhe frazeologjive të gegërishtes, por vetëm kur këto janë të nevojshme për standardin dhe e pasurojnë atë. Nga ana tjetër, nuk mund të konsiderohen përmirësim a pasurim i standardit integrimi i paskajores gege dhe i pjesores së shkurtuar në standard, reduktimi i gjerë i zanores së patheksuar ‘ë’ etj. Ka shumë argumente shkencore që i kundërshtojnë këto integrime. Integrime të tilla të panevojshme dhe të panatyrshme do të cenonin bazën mbi të cilën është ngritur standardi; kjo do të sillte një përzierje të dukurive themelore dalluese të dy dialekteve, një pështjellim në komunikim, shtimin e përjashtimeve nga rregullat dhe rritjen e vështirësisë në përvetësimin e rregullave, pra do ta prishte standardin e do ta kthenin gjuhën shumë vjet prapa, para 1972. Eklektizmi në ndërtimin e standardeve është i papranueshëm. Të presim, nuk besoj të merret konferenca me gjëra të tilla të tejkaluara.

Cilat janë disa prej objektivave e detyrave të lidhura me standardin që pritet të rrihen në konferencë?

Para institucioneve shkencore kërkohet: hartimi i rregullave të drejtshqiptimit të shqipes standarde, hartimi i një fjalori shqip-shqip i shqipes standarde më i pasur dhe më i ilustruar me rreth 60-80.000 fjalë dhe shprehje, mbrojtja e shqipes standarde dhe lufta ndaj ndikimeve të huaja në të gjitha sistemet e standardit, sidomos në leksik; bashkëpunimi akademik për studimin e shqipes dhe për zbatimin e veprave kodifikuese dhe vendimeve të forumeve në të gjitha trevat shqiptare etj. Para institucioneve shtetërore shtrohet urgjentisht detyra e mbrojtjes së shqipes standarde me ligje, zbatimi i standardit në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore e shoqërore. Zbatimi i standardit është i detyruar për të gjithë. Vetëm në letërsinë artistike njeriu ka të drejtë të krijojë edhe në variant letrar. Shteti duhet të mbështesë materialisht të gjitha institucionet shtetërore në hartimin e veprave kodifikuese etj. Urgjentisht duhet parë gjuha në shkollë, sidomos shtrirja e saj në të gjitha shkollat e mesme si lëndë e veçantë me një program tjetër katërvjeçar dhe me tekste të reja. Probleme shqetësuese ka edhe mësimdhënia e gjuhës në shkollat e larta të mësuesisë (planet, programet, tekstet). Probleme për t’u zgjidhur ka lidhur me mësimdhënien e shqipes standarde tek shqiptarët e Maqedonisë, tek arbrit e Greqisë dhe të Turqisë, tek arbëreshët e Italisë. E nevojshme është ringritja e Këshillit Akademik Kombëtar për Gjuhën si edhe e një forumi vendimmarrës për gjuhën për vënien në jetë të vendimeve të Këshillit Akademik Kombëtar. Problem aktual përbën edhe ndihma për shqiptarët e diasporës dhe emigrantët ekonomikë të shpërndarë në të gjithë botën. Ata duhen ndihmuar që të mos e harrojnë gjuhën amtare. Zgjidhja e vetme është përvetësimi prej tyre i shqipes standarde. Ata presin tekste, botime, gazeta, revista, emisione televizive, mësues e kurse etj.

Profesor, ç’mendim keni për materialet e botuara në shtyp ditët e fundit për shqipen standarde dhe cili është qëndrimi juaj?

Tema është madhore, por për çudi, ka zënë pak vend në media. I kam lexuar me vëmendje materialet dhe më duket se ende nuk ka filluar një debat i ri për standardin. Uroj që në artikuj, debate dhe në konferencë të mos shtrohen më gjëra të tejkaluara e të mos humbim kohën kot me tema e probleme tashmë të zgjidhura me sukses. Në konferencë të diskutojmë shkencërisht, kombëtarisht e jo politikisht e krahinorisht, të dëgjojmë me respekt njëri-tjetrin dhe të debatojmë në të mirë (në favor) të përsosjes së shqipes standarde ekzistuese dyzetvjeçare dhe të faktorëve që e mbështesin dhe e mirëmbajnë atë, për ta përvetësuar më lehtë, për ta përdorur më saktë, për ta shtrirë më shpejt në të gjitha trevat shqiptare, për ta pasuruar sa më shumë dhe për ta pastruar nga ndikimet e huaja të panevojshme. Analizat e politizuara nuk kanë vend në gjuhësi. Gjuha standarde i shërben kujtdo, kurdo dhe kudo. Ideja e njësimit apo e standardizimit të gegërishtes, që shtrohet sot nga ndonjë autor është e hershme, por kohët e fundit ajo është gjallëruar. Gjithsesi, nuk duhet synuar që njësimi i gegërishtes të rivalizojë shqipen standarde. (“Termi standardizim i gegërishtes është i qortueshëm, sepse tash dyzet vjet ekziston një shqipe standarde dhe nuk mund të kemi dy gjuhë standarde që t’i shërbejnë në të njëjtën kohë një kombi; këto s’do të ishin gjë tjetër veçse dy variante letrare. Nuk mund të kemi dhe as mund të krijojmë “standarde partiake, as standarde lokale, as standarde krahinore, as standarde ideologjike, as standarde politike”, - nënvizon një gjuhëtar kosovar). Shqipja standarde i ka qëndruar provës së kohës, ajo është bërë shumë e qëndrueshme dhe ka përmbushur me sukses të plotë nevojat komunikuese për të gjithë shqiptarët në të gjitha fushat e jetës. Rëndësia e shqipes standarde për forcimin e unitetit të sotëm kombëtar si dhe për të ardhmen e kombit shqiptar në BE është e jashtëzakonshme, prandaj ta mirëmbajmë e ta mbrojmë atë, se kështu mbrojmë identitetin dhe vetë kombin tonë.

Prof. Çeliku, është bërë e ditur se Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA) do të organizojë në muajin dhjetor 2010 një konferencë shkencore me temë: “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit”. Si e prisni ju këtë konferencë?

Në Seminarin XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mbajtur në Tiranë më 21 gusht 1995, kam kërkuar hapjen e një diskutimi shkencor, që do të përmbyllej me një konferencë shkencore për rishikimin e Drejtshkrimit 1973. Ishte fjala për një përmirësim të mëtejshëm të kësaj vepre dhe jo për ta përmbysur atë. Kjo kërkesë është përsëritur më vonë nga unë dhe nga gjuhëtarë të tjerë. Kjo vepër aq shumë e nevojshme e që mungon në treg prej vitesh duhet të ribotohet (pas 37 vjetësh), e përditësuar, e thjeshtuar, më e lehtë për t’u zotëruar e përdorur. Qëndrimet e skajshme, nga njëra anë, qëndrimi që mbrojnë disa gjuhëtarë për të mos e prekur fare Drejtshkrimin 1973 e për të mos modifikuar asnjë rregull të tij, dhe nga ana tjetër, qëndrimi i kundërt për të zëvendësuar standardin e sotëm, të ligjësuar në vitin 1973, gati dyzetvjeçar, me një standard tjetër, janë ose të pafrytshme, ose të gabuara e joshkencore. Dihet se drejtshkrimi është niveli më pak i ndjeshëm i sistemit gjuhësor. Siç e dëshmojnë disa gjuhë europiane, si anglishtja e frëngjishtja, mirë është që drejtshkrimi të mos preket. Por edhe kur preket, ndryshimet natyrisht janë minimale. Ndryshimin e imponon dinamika e lartë e zhvillimit të gjuhës së folur në krahasim me formën e shkruar; në gjuhë zhvillimi udhëhiqet nga forma e folur, çka krijon mospërputhje midis dy varianteve. Në rastin e drejtshkrimit të shqipes mund të modifikohen disa nga rregullat e tij. Këto  pak ndryshime nuk duhet të prekin bazën e standardit ekzistues, por të synojnë thjeshtimin e disa rregullave, respektimin e rregullsisë së sistemit, reflektimin e praktikës gati dyzetvjeçare. Ky do të ishte edhe rishikimi i parë i Drejtshkrimit aktual të shqipes pas rreth dyzet vjetësh. Një arsye më shumë kjo në të mirë të ndryshimit. Reagimet kundër kësaj konference janë të shumta. Disa specialistë dhe gjuhëtarë me emër, në grup a individualisht, në Shqipëri e në Kosovë, kanë deklaruar mospjesëmarrjen, duke shprehur rezerva e kritika paraprake ndaj saj. Qëndrimi mosmiratues shpjegohet, në radhë të parë, me organizimin e dobët të Konferencës. Për shqipen standarde, që është një çështje madhore kombëtare dhe pronë e përbashkët kombëtare, kërkohej një konferencë shkencore gjithëkombëtare, e organizuar jo vetëm nga QSA, por edhe nga FHF i UT dhe institucionet akademike e universitare të Kosovës, të Maqedonisë si Instituti Albanologjik i Prishtinës etj. Kërkohej që Platforma e Konferencës të hartohej nga një komision organizator, me përfaqësues nga të gjitha këto institucione shkencore, kërkohej një pjesëmarrje sa më e gjerë e gjuhëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Platforma duhej të ishte më e plotë, më e qartë, më e saktë, pa paragjykime. Aty theksohet nevoja e rishikimit të standardit, por nuk del e qartë se për çfarë rishikimi bëhet fjalë! Gabimisht motivohet rishikimi i standardit me zhvillimet politike-shoqërore që kanë ndodhur në hapësirën shqiptare në 20 vjetët e fundit! Çuditërisht aty shtrohet kërkesa “për të ndërmarrë politika gjuhësore të guximshme”! Pavarësisht nga të gjitha këto, nuk mendoj se Konferenca duhet bojkotuar. Në qoftë se nëpërmjet pasurimit kërkohet përmbysja e standardit aktual, atëherë duhet luftuar me forcë ndaj këtij mendimi antishkencor dhe antikombëtar.

A mund të thoni se çfarë duhet kuptuar me përmirësim dhe pasurim të standardit që theksohen në platformë, dhe cilat janë disa nga detyrat që dalin sot për përmirësimin e punës në fushë të gjuhës?

Përmirësimi i standardit lidhet drejtpërdrejt me rregullat e Drejtshkrimit dhe përbën vetëm një objektiv të Konferencës. Unë përmirësimin e standardit e kufizoj në atë që theksova më lart (modifikim i pak rregullave të Drejtshkrimit 1973 dhe redaktimi i tij, çka do të mundësonte ribotimin e përmirësuar të  Drejtshkrimit). Modifikimi duhet të mbështetet në këto kritere: mosprekja e bazës së standardit, ruajtja e njëtrajtshmërisë së njësive në sistem, reflektimi i praktikës gati dyzetvjeçare, thjeshtësimi i mëtejshëm. Konferenca duhet të na shpjerë më afër zgjidhjes shkencore. Pasurimi i standardit ka të bëjë kryesisht me përfshirjen në të, të fjalëve dhe frazeologjive të gegërishtes, por vetëm kur këto janë të nevojshme për standardin dhe e pasurojnë atë. Nga ana tjetër, nuk mund të konsiderohen përmirësim a pasurim i standardit integrimi i paskajores gege dhe i pjesores së shkurtuar në standard, reduktimi i gjerë i zanores së patheksuar ‘ë’ etj. Ka shumë argumente shkencore që i kundërshtojnë këto integrime. Integrime të tilla të panevojshme dhe të panatyrshme do të cenonin bazën mbi të cilën është ngritur standardi; kjo do të sillte një përzierje të dukurive themelore dalluese të dy dialekteve, një pështjellim në komunikim, shtimin e përjashtimeve nga rregullat dhe rritjen e vështirësisë në përvetësimin e rregullave, pra do ta prishte standardin e do ta kthenin gjuhën shumë vjet prapa, para 1972. Eklektizmi në ndërtimin e standardeve është i papranueshëm. Të presim, nuk besoj të merret konferenca me gjëra të tilla të tejkaluara.

Cilat janë disa prej objektivave e detyrave të lidhura me standardin që pritet të rrihen në konferencë?

Para institucioneve shkencore kërkohet: hartimi i rregullave të drejtshqiptimit të shqipes standarde, hartimi i një fjalori shqip-shqip i shqipes standarde më i pasur dhe më i ilustruar me rreth 60-80.000 fjalë dhe shprehje, mbrojtja e shqipes standarde dhe lufta ndaj ndikimeve të huaja në të gjitha sistemet e standardit, sidomos në leksik; bashkëpunimi akademik për studimin e shqipes dhe për zbatimin e veprave kodifikuese dhe vendimeve të forumeve në të gjitha trevat shqiptare etj. Para institucioneve shtetërore shtrohet urgjentisht detyra e mbrojtjes së shqipes standarde me ligje, zbatimi i standardit në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore e shoqërore. Zbatimi i standardit është i detyruar për të gjithë. Vetëm në letërsinë artistike njeriu ka të drejtë të krijojë edhe në variant letrar. Shteti duhet të mbështesë materialisht të gjitha institucionet shtetërore në hartimin e veprave kodifikuese etj. Urgjentisht duhet parë gjuha në shkollë, sidomos shtrirja e saj në të gjitha shkollat e mesme si lëndë e veçantë me një program tjetër katërvjeçar dhe me tekste të reja. Probleme shqetësuese ka edhe mësimdhënia e gjuhës në shkollat e larta të mësuesisë (planet, programet, tekstet). Probleme për t’u zgjidhur ka lidhur me mësimdhënien e shqipes standarde tek shqiptarët e Maqedonisë, tek arbrit e Greqisë dhe të Turqisë, tek arbëreshët e Italisë. E nevojshme është ringritja e Këshillit Akademik Kombëtar për Gjuhën si edhe e një forumi vendimmarrës për gjuhën për vënien në jetë të vendimeve të Këshillit Akademik Kombëtar. Problem aktual përbën edhe ndihma për shqiptarët e diasporës dhe emigrantët ekonomikë të shpërndarë në të gjithë botën. Ata duhen ndihmuar që të mos e harrojnë gjuhën amtare. Zgjidhja e vetme është përvetësimi prej tyre i shqipes standarde. Ata presin tekste, botime, gazeta, revista, emisione televizive, mësues e kurse etj.

Profesor, ç’mendim keni për materialet e botuara në shtyp ditët e fundit për shqipen standarde dhe cili është qëndrimi juaj?

Tema është madhore, por për çudi, ka zënë pak vend në media. I kam lexuar me vëmendje materialet dhe më duket se ende nuk ka filluar një debat i ri për standardin. Uroj që në artikuj, debate dhe në konferencë të mos shtrohen më gjëra të tejkaluara e të mos humbim kohën kot me tema e probleme tashmë të zgjidhura me sukses. Në konferencë të diskutojmë shkencërisht, kombëtarisht e jo politikisht e krahinorisht, të dëgjojmë me respekt njëri-tjetrin dhe të debatojmë në të mirë (në favor) të përsosjes së shqipes standarde ekzistuese dyzetvjeçare dhe të faktorëve që e mbështesin dhe e mirëmbajnë atë, për ta përvetësuar më lehtë, për ta përdorur më saktë, për ta shtrirë më shpejt në të gjitha trevat shqiptare, për ta pasuruar sa më shumë dhe për ta pastruar nga ndikimet e huaja të panevojshme. Analizat e politizuara nuk kanë vend në gjuhësi. Gjuha standarde i shërben kujtdo, kurdo dhe kudo. Ideja e njësimit apo e standardizimit të gegërishtes, që shtrohet sot nga ndonjë autor është e hershme, por kohët e fundit ajo është gjallëruar. Gjithsesi, nuk duhet synuar që njësimi i gegërishtes të rivalizojë shqipen standarde. (“Termi standardizim i gegërishtes është i qortueshëm, sepse tash dyzet vjet ekziston një shqipe standarde dhe nuk mund të kemi dy gjuhë standarde që t’i shërbejnë në të njëjtën kohë një kombi; këto s’do të ishin gjë tjetër veçse dy variante letrare. Nuk mund të kemi dhe as mund të krijojmë “standarde partiake, as standarde lokale, as standarde krahinore, as standarde ideologjike, as standarde politike”, - nënvizon një gjuhëtar kosovar). Shqipja standarde i ka qëndruar provës së kohës, ajo është bërë shumë e qëndrueshme dhe ka përmbushur me sukses të plotë nevojat komunikuese për të gjithë shqiptarët në të gjitha fushat e jetës. Rëndësia e shqipes standarde për forcimin e unitetit të sotëm kombëtar si dhe për të ardhmen e kombit shqiptar në BE është e jashtëzakonshme, prandaj ta mirëmbajmë e ta mbrojmë atë, se kështu mbrojmë identitetin dhe vetë kombin tonë.


Lexime të këqija





ARDIAN VEHBIU

Mbi leximin e gabuar që i është bërë librit "Shqipja totalitare" të Ardian Vehbiut.

Autori: "Koncepti që ushqejnë Memushaj dhe Kadareja për raportet e gjuhës me shoqërinë dhe kulturën nuk përputhet me timin; por kjo mospërputhje aspak nuk provon, në vetvete, se teza ime është e gabuar, ndërsa të tyret të drejta.

Për mua, shqipja publike sot e kësaj dite nuk i ka bjerrë tiparet që iu imponuan nën totalitarizëm."

Kohët e fundit, ndoshta edhe ngaqë po afrohet data e Konferencës për çështje të standardit të shqipes që do të organizojë QSA-ja në dhjetor të këtij viti, është zgjuar interesi kritik ndaj librit tim "Shqipja totalitare", të botuar në vitin 2009.


Sikurse e merr vesh lehtë kushdo që i hedh një sy kopertinës, eseja ime mëton të përshkruajë "tipare të ligjërimit publik të shqipes gjatë viteve 1945-1990"; dhe pikërisht mënyrën dhe trajtat e reflektimit të pushtetit komunist në komunikimin gjuhësor publik në Shqipëri.

Ky aspekt i kopertinës, dhe i librit vetë, duket t'i ketë shpëtuar gjuhëtarit Rami Memushaj, i cili në një artikull të botuar në "Shekulli", titullin "Shqipja totalitare" e lexon sikur unë epitetin dhe cilësinë "totalitare" ia kam blatuar krejt gjuhës shqipe në hapësirë, në kohë dhe në shoqëri; me fjalë të tjera, se mos unë kam gabuar dhe e kam konsideruar shqipen, dhe më saktësisht shqipen e njësuar të sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, si totalitare dhe njëlloj të meritueshme për buldozer sa edhe piramida e ish-muzeut Enver Hoxha.

Ndoshta Memushajt nuk do t'i ketë dalë koha për ta shfletuar librin, për të parë që unë atje merrem fare pak me çështjen e standardit të shqipes: vetëm në kapitullin ku ndalem kalimthi në aspektet totalitare të politikës gjuhësore që u ndoq nga regjimi për t'ia imponuar këtë standard shoqërisë dhe kulturës shqiptare, duke i dëbuar nga përdorimi publik format alternative, si gegërishten letrare të Shkodrës.

Për mua totalitar nuk është as ka qenë standardi si tërësi rregullash, por standardizimi, ose mënyra si u imponua standardi në kulturën shqiptare të asaj kohe - por kjo çështje ka të bëjë para së gjithash me politikën gjuhësore të regjimit të Enver Hoxhës, ose me KQ të PPSh, jo me Fjalorin drejtshkrimor të shqipes.

Së njëjtës çështje, ose komentimit të titullit të librit tim, i është kthyer edhe shkrimtari I. Kadare, në librin e tij "Mosmarrëveshja", të botuar ditët e Panairit të Librit në Tiranë. Kadareja në atë vepër i shpenzon disa faqe për ta mbrojtur standardin nga sulmet e "albanologëve të rinj", siç i quan ai, për t'iu përveshur pastaj, në një shënim të gjatë, librit tim të lartpërmendur, ose, më mirë, titullit fatal të atij libri.

Kadareja e krahason shqipen e përdorur gjatë regjimit komunist me gjermanishten e kohës së nazizmit dhe rusishten sovjetike, duke vërejtur se këto dy gjuhë nuk janë quajtur ndonjëherë totalitare; edhe pse unë, në bibliografinë e librit, kam përmendur disa studime të rëndësishme në lidhje me çfarë ndodhi me rusishten, përkatësisht me gjermanishten, kur këto gjuhë u vunë, madje u rekrutuan në shërbim të pushtetit politik totalitar; studime që i kushtohen njëri "ligjërimit sovjetik" (nga Patrick Seriot) dhe tjetri "gjuhës së Rajhut të tretë" (nga Victor Klemperer); madje ky i fundit përshkruan edhe raste të shumta kur zhargoni politik nazist përfundoi i përdorur në komunikimin e përditshëm, jopolitik. Shkruan Klemperer në hyrje të librit:

"Nazizmi depërtoi në mishin dhe gjakun e njerëzve, përmes disa fjalëve, shprehjeve dhe strukturave të fjalisë, të cilat iu imponuan atyre nëpërmjet një milion përsëritjeve dhe u përvetësuan mekanikisht dhe pa vetëdije...

Gjuha jo vetëm shkruan dhe mendon për mua, por edhe, gjithnjë e më tepër, dikton ndjenjat e mia dhe qeveris krejt qenien time shpirtërore, sa më shumë unë i dorëzohem asaj, me bindje dhe i pandërgjegjshëm.

Por çfarë ndodh kur gjuha e lëvruar përmban elemente helmuese ose i përcjell këto helme? Fjalët veprojnë si doza të vogla arseniku: ato gëlltiten si pa u vënë re, duket sikur nuk kanë efekt, por më pas, pas një farë kohe, e japin efektin toksik gjithsesi.


Rajhu i tretë... ua ndryshoi vlerën fjalëve dhe dendurinë e përdorimit, rekrutoi në shërbim të pjesës çfarë ishte më parë pronë e të gjithëve dhe në proces e sipër i mbushi fjalët, togfjalëshat dhe strukturat e fjalive me helmin e vet." [Victor Klemperer, The Language of the Third Reich: A Philologist's Notebook, Continuum, 2006, f. 14.]

Nuk ka dyshim se as rusishtja, as gjermanishtja, as shqipja nuk janë totalitare në vetvete, sikurse nuk ka dyshim se të tri këto gjuhë, në periudha të caktuara historike, u kanë shërbyer regjimeve totalitare, duke u dhënë formë, duke i ndihmuar të riprodhohen dhe duke përçuar, me anë të çdo akti komunikimi publik, raportet midis shtetit nga njëra anë dhe publikut ose individit nga ana tjetër.

(Për të njëjtën arsye, jemi të lejuar ta quajmë një armë krimi "thika vrastare", edhe pse kjo vegël kuzhine deri atëherë ishte përdorur për të qëruar mollë.)

Më tej, duke kundërshtuar tezën time se përdorimi politik i gjuhës nga regjimet totalitare mishërohet në tipare, trajta dhe rregullsi të caktuara në ligjërimin publik, Kadareja vëren se "makina gjuhësore", siç shprehet ai, "shërben në mënyrë krejtësisht asnjanëse"; po këtë metaforë, këtë herë në trajtën e "mekanizmit gjuhësor", ai e merr sërish, për të shpjeguar si dëshirorja e shqipes vihet në shërbim të bekimit ose të mallkimit me të njëjtën shpërfillje.

Edhe Memushaj i drejtohet për ndihmë metaforës së gjuhës si vegël ose instrument, madje duke cituar një pasazh timin nga libri, ku përsiat se "përdorimi që i bëhet një instrumenti sjell ndryshime në instrumentin vetë"; me çka ky autor nuk pajtohet, meqë "[t]jetër gjë është ligjërimi dhe tjetër gjë sistemi që shfrytëzohet në ligjërim".

Natyrisht, të gjithë biem dakord se regjimi totalitar e përdori shqipen publike (ligjërimin publik në shqip) për qëllimet e veta; para së gjithash, për të riprodhuar pushtetin. Çështja është nëse ky pushtet i përcjellë dhe i ndërmjetësuar nëpërmjet ligjërimit publik ka lënë aty gjurmë të shumta të cilat meritojnë të studiohen (siç jam përpjekur të bëj unë); dhe sidomos, nëse ky ligjërim publik i veshur me uniformë ka ndikuar apo jo, me kalimin e kohës, në strukturat dhe rregullsitë e gjuhës vetë.

Nëse ka pasur një ndikim të tillë përçudnues, dhe unë besoj se ka pasur, atëherë ai ka vepruar dhe është manifestuar në nivelet më të larta të shqipes: retorik, stilistik dhe pragmatik, ose në rregullsitë e përdorimit të shqipes në komunikimin publik, siç edhe më ka rezultuar.

Për Memushajn dhe Kadarenë, gjuha funksionon si bisturia, të cilën njëlloj mund ta përdorësh për të shpëtuar një jetë në sallë të operacionit, për të këputur një bistak rrushi nga dega e hardhisë në vreshtë, ose për të prerë damarët në vaskë të banjës.

Të dy këta autorë i falen, duke e marrë për të mirëqenë, një nocioni statik për gjuhën si vegël, makinë ose mekanizëm; i cili nuk është doemos i gabuar, por nuk është i vetmi, as më i përshtatshmi për të shpjeguar si funksionon gjuha në komunikim; dhe aq më pak për të shpjeguar si ndërmjetëson ligjërimi, për t'u dhënë formë institucioneve shoqërore, mes të cilave edhe gjuhës vetë.

Duke arsyetuar ab absurdo, Memushaj vëren se "Të flasësh për shqipe totalitare, do të thotë të pranosh se para saj ka ekzistuar një shqipe 'mbretërore' dhe sot një shqipe 'demokratike', dmth. të thuash marrëzira."

Në të vërtetë, ndryshe nga monarkia dhe demokracia, shteti totalitar, nëpërmjet pushtetit, jo vetëm merr kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e jetës sociale dhe individuale, duke përfshirë edhe përdorimin që i bëhet gjuhës; por edhe e ushtron këtë kontroll në mënyrë të dhunshme ose me rrugë policore, duke i mbytur alternativat në shpërgënj.

Kjo do të thotë edhe se në totalitarizëm çdo aspekt i komunikimit publik kontrollohet nga pushteti dhe i shërben para së gjithash riprodhimit të marrëdhënieve të pushtetit, çfarë nuk mund të thuhet as për monarkinë, as për demokracinë.

Edhe monarkia, edhe demokracia i japin ngjyrë karakteristike ligjërimit publik; por as njëra, as tjetra nuk orvaten ta rekrutojnë këtë ligjërim, me forcë të pakundërshtueshme, në shërbim të riprodhimit të vetvetes.

Kadareja, nga ana e vet, sjell një argument disi të ndryshëm: meqë shumë forma dhe trajta dhe klishé të shqipes totalitare, të identifikuara në librin tim, mund të përdoren lirisht edhe në kontekste jototalitare, ai vëren se karakteri totalitar i ligjërimit publik në atë periudhë të historisë shqiptare nuk përcaktohej as përkufizohej aq nga mjetet e shumëllojshme gjuhësore të shtëna në punë madje edhe sistematikisht, por nga qëllimet specifike të përdoruesve.

Koncepti që kanë dhe ushqejnë Memushaj dhe Kadareja për raportet e gjuhës me shoqërinë dhe kulturën nuk përputhet me timin; por kjo mospërputhje aspak nuk provon, në vetvete, se teza ime është e gabuar, ndërsa të tyret të drejta.

Për mua, shqipja publike sot e kësaj dite nuk i ka bjerrë tiparet që iu imponuan nën totalitarizëm; jo vetëm ngaqë kultura shqiptare pas vitit 1990 nuk ka arritur të organizohet dot në kundërvënie me sistemin kulturor totalitar të para 1990-ës dhe ka vazhduar të riprodhohet në mënyrë inerciale, por edhe ngaqë agjencitë dhe organizmat e propagandës politike dhe mediat ende besojnë se teknikat totalitare të komunikimit mund t'i ndihmojnë për t'i përçuar frytshëm mesazhe, të drejtpërdrejta dhe subliminale, opinionit publik.

E gjithë kjo, e kotë ta shtoj, nuk ka ndonjë lidhje organike as me drejtshkrimin e vitit 1972, as me nevojën për ta ndryshuar ose reformuar standardin ekzistues të shqipes, prandaj le të mos i turbullojmë ujërat pa nevojë; rrënjët e problemit duhen kërkuar aty ku komunikimi dhe kultura riprodhohen ndërsjellazi, duke përftuar edhe rolet sociale të ligjëruesve publikë.

Debatit për shqipen totalitare i kërkohet të ndriçojë, para së gjithash, raportet e komunikimit me pushtetin, të ligjërimit me dhunën psikologjike dhe propagandën, të fjalës me manipulimin gjatë gjysmë shekulli diktaturë komuniste; nuk ka vend në të fetishizimi i gjuhës, as adhurimi romantik për shqipen, që kemi trashëguar nga Rilindja.

Edhe Memushaj, që është gjuhëtar, edhe Kadareja, që gjuhëtar nuk është, mbeten, hë për hë, larg pozicioneve konstruktive në këtë debat.

Koha e katërt e “Nëna Kosovë”



Nga Qemal Sakajeva

Fatet e autorëve  e i veprave të tyre, edhe mund të ngjasojnë, po s’mund të jenë vëllezër siamezë. Te ky lloj ndryshimi, që përbën pangjashmëri, futet edhe libri “Nëna Kosovë - Shqipëria e vërtetë”. Dr. Vasfi Samimi - Visoka, që, aspak për nostalgji, mbarti si zhguall emrin e vendlindjes për mbiemër të përngjitur, duke e shkruar atë vepër, i dha vetvetes dy përmasa të atdhetarit. Gjysmën e parë ai e përmbushi me kthimin, në Shqipëri, më 1929. Pas një shkollimi perandorak, në Stamboll, dhe gjermanik, në Berlin, me një britmë të vetme lëshuar për kthim, nxitimthi erdhi në atdhe. Firma e Mbretit Zog, në dekretin për emërimin e tij  në detyrë, dukej si një nder që Mbretëria po i bënte të emigruarit që vocërrak, nga Visoka e Mallakastrës, por vitet e mëpasme vërtetuan se Dr. Samimi ishte ai që i bëri nder Mbretërisë. Shqipërisë ai i përkushtoi dijet, edhe pse i pakënaqur, në frymën e fundit, të dy bijve, Ergjinit dhe Gencit, u tha se po ikte nga kjo botë me pengun se “Nuk kam shprehur as 1/3 e asaj që kam për të thënë” dhe se “Po shkoj duke marrë me vete ¾ e asaj që desha të shpreh e komunikoj”, ndërsa ne gjendemi para habisë të 28 veprave të tij, tashmë të botuara! Kurse, më 1938 shkeli në Kosovë, të cilës i dorëzoi shpirtin pa asnjë kusht. “Nëna Kosovë”, e shkruar nga pesë udhëtimet e tij atje, e botuar libër më 1943, ishte letër, bojë, shkronja, frymë dhe ide. Është një rast i rrallë, madje fort i rrallë, se si vetëm një libër mundi të barazpeshonte, sa, me dy gjysma të barazvlefshme, të ndërtohej personaliteti i Dr. Samimit - krahas kontributit të jashtëzakonshëm në shkencën e veterinarisë, vuri vulën e tij të pashlyeshme në çështjen kombëtare, në një periudhë dramatike e tragjike për kombin. Ai ka shkruar që, “Po të mos e kisha shkruar librin për Kosovën, sytë e mi në varr do të mbeteshin të hapur”.




Libri “Nëna Kosovë” dhe autori, u përballën e u mbijetuan katër kohëve.
Koha e parë (1938 - 1944), qe klithma dhe dehja e një intelektuali të njëmendtë, duke marrë në mbrojtje gjysmën tjetër të vetvetes. Aq i ndjeshëm, romantik e racional qe, sa që, më 1968, në plazhin e Bunecit të Lukovës në Sarandë, shoferi që e ka çuar pesë herë në Kosovë, më pati treguar se, Dr. Samimi e ka shkruar “Nëna Kosovë” duke lotuar, i pushtuar fuqishëm nga mendime e ndjesi të paprovuara.
Koha e dytë dhe e tretë (1945 - 1998), kapërthuren bashkë, sepse u përftua simbioza e çuditshme, ndëshkim - mistifikim. Diktatura i goditi ashpër që të dy, Dr. Samimin e rrasi në burg për Kriminel Lufte (!) dhe përndjekjen e pati hije deri në vdekje, ndërsa “Nëna  Kosovë” u varros aq thellë sa autori kurrë nuk mundi ta shohë të ribotuar e, kur i mbylli sytë përgjithmonë, ky mbeti pengu i dytë, dhe i fundit, që ua numëroi të bijve. Por përballë pushtetit, u shfaq jopushteti, i cili e mbarti jehonën asisoj sa, përveç që nuk e la të vdiste e harrohej, thuajse i mistifikoi të dy, vetëm për t’i mbijetuar. Por, si shumë gjërave në këtë botë, të cilave ndalimi i dhunshëm u bie përsipër më keq se dheu i rëndë varreve, Dr. Samimi kishte lënë pas veprën në fletë të zverdhura, mbyllur kutiave të kartonit nën pluhur, pa guxuar të besonte se bashkë me to kishte trashëguar asi djemsh të cilët, duke botuar kolanën 28 vëllimshe, libri i 3-të  i  të cilës është “Nëna  Kosovë”, ata u vërtetuan bij të denjë e të ditur, që çmojnë  e të zot të përmbushin, sepse  kryen një zhvarrim të pashembullt e përjetësuan dijet që zotëroi dhe dha i ati.
Koha e katërt (1999 - 2008), është e vërtetimi. Nëse klithma kundër padrejtësisë ishte revoltë e shpirtit, nëse romantizmi në Tokat e Liruara ishte dehje nga një gjendje e pabesueshme, ajo që e bëri jetëgjatë librin “Nëna Kosovë” janë idetë që Dr. Samimi ka shprehur me kurajë të pazakontë, që më 1938, ose 26 vjet pas lënies jashtë kufijve të shtetit shqiptar, të gjysmën së territoreve të tij.
Dhjetë vite kohë, që nga 24 marsi 1999, kur NATO sulmoi Jugosllavinë e mbetur, për të çliruar Kosovën, dhe deri më 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, idetë e  shprehura nga Dr. Samimi në “Nëna Kosovë”, kishin dalë nga ndëshkimi  e mosdëgjimi  në vërtetim e jetësim.  Përkushtimi i tij, në fillim të librit, mbeti i gjithëkohshëm, tek shkruante që “Ky libër u dedikohet martirëve të motshëm e të ri, të kohërave të kaluara e të ditëve të sotshme, që kanë rënë dëshmorë për lirinë e kombit e t’atdheut.
Në këtë libër nuk ka politikë, shovinizëm dhe pamje të njianëshme, por ka vetëm nji parashtrim të sinqertë për një të vërtet të shenjtë njerëzore. 1938 - 1943. Tiranë - Kosovë”. Dr. Samimi i druhej shenjimit si shovinist, siç edhe sot lëshohen shigjetime të tilla, që i stepin autorët në vetëcensurë, por ai e tha me plot gojën se, “Kosova është aq shqiptare sa nuk kishte nevojë për një vërtetim të vulosur”. Për ta pranuar këtë të vërtetë të patronditshme, ai së pari i drejtohet Serbisë, ashtu si edhe sot e gjithë ditën bëjnë autorë të tjerë, duke theksuar se, “Ky libër u zgjaton dorën të gjithëve, sidomos apelon drejt ndërgjegjes së pastër të humanistëve fqinj serbë!”, nga që ai dyshon se ata nuk ishin atëherë siç, fatkeqësisht, nuk janë as sot. Dhe druan se do të dalin njerëz e politika, kundër këtyre pikëpamjeve, por ato ai i cilëson qendrime despotike dhe absolutiste që “nuk duan të lejojnë jo vetëm një protestë për një padrejtësi, por dëshirojnë edhe të ndalojnë vajtimin mbi një viktimë”, e, sqaron me germa të mëdha pozicionin vetjak dhe të popullit në të dy anët e kufirit, duke vënë në spikamë se, “Ne shqiptarët nuk jemi shovinista dhe e dimë fare mirë se kjo nuk na përshtatet aspak. Ky vetëmohim nuk rrjedh nga vogëlsija e tokës dhe e popullsisë s’onë, por rrjedh nga madhësija shpirtërore e qënies t’onë kombetare e historike”.
Dr. Samimi ka parathënë, i zhgënjyer, atë që shqiptuan autorë dhe njerëz të zakonshëm deri në pafundësi, edhe  pak para se  SHBA në krye të NATO-s, të ndërmerrnin luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës: “Qytetërimi europjan, si i kishte mbyllur sytë përpara kësaj padrejtësie që i ishte bërë një kombi të vogël e të pafajshëm? Ky vend nuk ishte as Afrikë dhe as Azi, por ishte Europë, një kënd i Ballkanit!”. Dhe, kur ky njeri, me shpirt vlues, përjetoi emocione të thella (si ne sot në Kosovën e çliruar), duke udhëtuar asaj here, në Tokat e Liruara, (ai lirim qe si lulja e brishtë para ngricës së ashpër), qe aq i ditur sa të vërente pasojat e ndarjes së padrejtë, siç edhe ne kundrojmë e kritikojmë sjellje të dyanshme, që vijnë nga ndarja e gjatë: “Historija, politika, lufta dhe e drejta njerëzore na kishin njohur hakën. Tashti çdo gjë ishte për ne. Por me gjithë këtë, Kosova e bukur ende qëndron lark. Kufijt politikë, artificjalë, të vizatuar prej të huajsh ende nuk ishin shëmbur…Shpirtërat, mendjet, zemrat t’ona ishin bashkuar si përpara, por trupi, lënda, vatrat dhe arat ende ishin lark njëri tjetrit. Me të vërtetë ky çast ironik, organizuar prej dreqvet të skëterrit ishte “drama më mallëngjyese” e historisë shqiptare”. Pulsimin e përbashkët për çështjen e zhvillimit, ai e sheh fort qartë, tek shkruan se, “Atdheu jonë tashti fillon prej lindjes dhe mbaron në perëndim, agon në “Fushat e Kosovës” dhe perëndon në “Detin e kaltërt të Vlorës”, apo po ta shprehim me mendimin e sotëm, janë autostrada ose Rruga e Kombit Durrës - Prishtinë dhe  Shëngjini që bëhet porti i Republikës së Kosovës në brigjet e Adriatikut. Dr. Samim u thërriste njerëzve, siç u thirret edhe sot e gjithë ditën, që të shkunden, të hapin sytë, siç shkruante, drejt “qytetërimit modern europijan…Bëje kryengritjen shoqërore dhe kulturore. Nuk duhet të mbetesh në mes të Europës si një element i huaj, i braktisur dhe i hedhur në një anë. Për ndryshe të pret një rrezik i math. Përfito nga shpëtimi dhe bashkimi i sotëm. Kërko një ardhmeni të re…Ti me kryengritjen t’ënde kulturore e shoqërore duhet të ndryshosh krejtësisht qënien t’ënde. Vetëm në këtë mënyrë do ta fitosh të drejtën e ekzistencës e të jetës. Çoji sytë nga dheu në diell! Vetëm atëherë mund të ndryshohesh prej “Njeriut orjental në njeriun oksidental, dhe vetëm atëherë do të jesh i fortë dhe i lumtur”!”.Ai e dinte aq thellë gjendjen e shoqërisë sa, siç në mjekësi njihte sëmundjen dhe këshillonte barnat,  edhe në përparimin e vendit, e shihte gruan si gjysmën tjetër të fuqisë, dhe jo vetëm si të tillë, por rrëfen mënyrën e zhvillimit, kur qartëson se “Shoqërinë tonë mundet ta lartësojë vetëm një grua europiane me një botëkuptim perëndimor”.
Edhe sot e kësaj dite, si në kohën kur shkruante Dr.Samimi, kishte një ethe e, sëmundja nuk i lëshon politikat në Beograd e mbështetësit e tij, duke akuzuar se, Serbisë i qenkan marrë territoret, se ështe shkelur e drejta ndërkombëtare, se Kosova është “Jeruzalemi serb”, se është bërë ndryshimi i kufijve me armë, se NATO ka kryer një luftë pushtuese ndaj Serbisë, Dr. Samimi shtronte si detyrë të madhe që, “Përpara botës duhet të tregojmë që nevojat  t’ona më të mëdha kombëtare nuk janë as sulmet, as grabitjet, as sundimet dhe as gjakrat, por dëshirat dhe idealet t’ona të larta përmblidhen rreth një revolucioni shoqëror dhe ekonomik, për një lumturi, qytetërim perëndimor… këto mendime e ndjenja nuk janë vetëm për Shqipërinë t’onë të vogël e të gjymtuar, por përmbledhin edhe Shqipërinë e re, Shqipërinë e vërtetë! Ky është ndryshimi rrënjësor që na ndan nga kolonialistët shovinistë jugosllavë dhe nga udhëheqësit absolutë të Beligradit… Çdo njeri, nga poli i veriut në atë të jugut, nga lindja në perëndim duhet ta dijë se populli shqiptar, i sigurtë për të drejtën e tij etnike mbi Kosovën, është gati për një plebishit të drejtë sqaronjës!” dhe, politikanëve, intelektualëve shovinistë dhe kishës serbe, të sotme, Dr. Samimi u është përgjigjur që atëherë, se Kosova për serbët “…ishte vetëm e vetëm një koloni, thjeshtësisht një koloni e asgjë tjetër!...” Dr. Samimi është matematikisht i saktë, duke shprehur të vërtetën kundër sajuesve të tezës së Shqipërisë së Madhe, e cila sorollatet edhe sot e kësaj dite, e shtyrë nga serbët dhe mbështetësit e tyre, nëpër tavolina politike, për të mundur të pengohet njohja edhe më e shpejt ndërkombëtare e Republikës së Kosovës dhe përparimi i saj. Dr.Samimi theksonte që, “… duhet ta dijë e gjithë bota që ne jemi një komb mikpritës dhe si një familje e tillë nuk duam të kapërcejmë asnjë “milimetër” kufirin tonë dhe nuk duam të grabisim asnjë “milimetër” tokë jashtë caqeve tona etnike që janë caktuar prej natyrës, historisë e fatit hyjnor… Ne duam t’ia respektojmë dhe ta realizojmë miqësinë vëllazërore me fqinjët tanë…Çdo njeri duhet ta dijë se ne nuk duam asnjë Shqipëri të vogël, asnjë Shqipëri të madhe, por duam vetëm e vetëm një Shqipëri të vërtetë!...”. Dr.Samimi, edhe pse ka shkruar kthjelltësisht për të ardhmen, qysh më 1938, në mënyrë parashikuese ka thënë për 80 vite më pas, sikur të mos kishte udhëtuar atëherë në Tokat e Liruara, por sot tek shkruan që “Çlirimi i Kosovës,.. për ne, nuk është vetëm një ndreqje politike, një fitim lufte, ose një çështje historike!...Jo! Përkundrazi. Kjo për ne është një gjë më e madhe! Është një diell që na rrëmben të gjithëve së bashku, pa ndonjë ndasi, si atë të riun, ashtu edhe të vjetrin e të paditurin, positivin e negativin, aktivin e pasivin, sosjalin dhe asosjalin, të gjithë shqiptarët në gjirin e vet, për një lartësim jetik dhe për një lumturi të përgjithshme kombëtare”. Si të jetonte m’u në kohën e pasçlirimit dhe të paspavarësimit, Dr. Samimi përpiqet të kthjellojë mendjet e njerëzve që dolën të vuajtur nga kolonializmi serb dhe lufta barbare që ai zbatoi për ta spastruar, duke thënë që serbët  “shkencën e kanë përdorur si një vegël grabitëse, planin si një vjedhje shfaruese, programin dhe sistemin si një kurth të ndyrë për zhdukjen e një pjese të kombit të vogël,  kurse neve të gjitha këto mjete të qytetërimit e të përparimit do t’i përdorim si një vegël të sinqertë e fisnike për lartësim, lumturi e qytetrim…Prandaj Kosova për neve nuk është një Siberi, por është një Tempull, ku ngjallen dhe jetojnë të gjitha vlerat tona kombëtare!...”                            
Libri “Nëna Kosovë”, i përfshirë në volumin nr.3, të kolanës së veprës 28-të vëllimshe, është botuar përpikmërisht, me tërësinë e elementëve, që nga kopertina deri në kopertinë, si herën e parë, më 1943, në shenjë homazhi për një dëshmore. Ai nuk ka më shumë se 150 faqe, por aq shumë sa e ka të spikatur frymëzimin romantik entuziastë gjatë udhëtimeve në Tokat e Liruara, më shumë se aq në të janë hedhur ide të shumta, të cilat mbeten problematika për intelektualë të fushave të ndryshme, politikanë, gazetarët, mjekët, juristë, arsimtarë, sociologët. Nëse Dr. Samimi do të kishte jetuar deri në përjetimin e çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj, vështirë se mund të thurte mendime më të thella, më të ndjera, më të sakta e më të  vërteta, nga ato që ka shprehur 80 vjet më parë, siç, tek shkruante që, “O Kosovë… Tani të dashuroj më tepër se çdo herë, por jo si një shovinist i verbër, jo si një nacionalist i flaktë, por të dua më tepër si njeri i thjeshtë, si njeri që adhuron të drejtën!”
Filozofi Rene Raymond ka shkruar që, “Historia e ideve nuk rregullohet vetëm dhe kryesisht përmes determinizmit të jashtëm, nëse ato nuk u bëjmë jehonë ideve të kohës. Shpesh e vërteta shkencore është sharë dhe pështyrë, por ajo ruan gjithmonë aspektin autonom, pavarësisht ngjarjeve, sukseseve dhe disfatave. Pushtetet politike janë të përkohshme”.
Edhe me “Nëna Kosovë”, dhe vet Dr. Vasfi Samim-Visokën, ndodhi poashtu: Koha e parë qe suksesi.  Koha e dytë dhe e tretë qenë dënimi, sharja e pështyrja kundër qendrimit ndaj një të vërtete historike. Por autori dhe libri mbartën ide të drejta, të mëdha, të pazhbëshme, ndaj u  mbijetuan pushteteve politike dhe, ja ku jemi sot: Kosova është e çliruar, ndërsa libri “Nëna Kosovë” mbetet një mbrojtëse e paepur e saj.


Pse u bë i madh At Zef Valentini?!


Nga Violeta Murati


At Zef Valentini
At Zef Valentini, dje, për herë të parë promovim dinjitoz në një takim mes albanologëve dhe përfaqësuesve françeskanë; 11 botime të reja plotësojnë 20 volume në shqip nga seria e studimeve albanologjike të priftit jezuit që iku nga Shqipëria në vitin 1943, duke marrë me vete gjithë veprën, pjesa dërrmuese e së cilës fle në arkivat evropiane, ndërsa në Shqipëri nuk ekziston asgjë nga sekuestrimi komunist; heshtja 50-vjeçare nuk është kompensuar në këta 20 vjet, konkluzioni: asnjë studiues për këtë vepër, nuk është i përfshirë në asnjë program shkollor dhe universitar. Një doracak që shoqëron veprën na njeh me vlerësimin e këtij albanologu nga personalitete të huaja e shqiptare, disa prej të cilëve i botojmë më poshtë
Një doracak i botuar përkrah 11 vëllimeve të At Zef Valentinit, që përmbushin kështu 20 volume nga puna e tij jo shteruese me studimet shqiptare, ndihmon për të kuptuar se kush ishte ky jezuit, që la Shqipërinë më ‘43. Sikur mos të largohej në këtë moment, veprat e tij jo vetëm se nuk do të botoheshin, por dhe ai vetë do të ishte varur nga regjimi komunist. Këtë fjali të fundit na e thotë Willy Kamsi, i pranishëm dje në promovimin e vëllimeve të reja nga At Zef Valentini. Ky albanolog, albanofil me famë qartësisht ndërkombëtare, na thuhet se pavarësisht këtyre 20 volumeve, pjesa më e madhe e veprës së tij “fle nëpër arkivat e bibliotekave dhe në raftet e shtëpive të ndryshme botuese evropiane”. Për 50 vjet vepra e tij “u zhduk”, u la krejtësisht në heshtje. “Nuk ishte e lehtë të bëheshe facto, dhe i besueshëm, për t’iu imponuar institucioneve për t’i kushtuar vëmendje At Zef Valentinit”. Këto ishin fjalët e botuesit të “Plejad”, Ndriçim Kullës, kur në pak minuta ka treguar sa shumë vite iu deshën për të bindur ministër pas ministri për këto botime që njihen për herë të parë në shqip, duke kujtuar se kemi të bëjmë një nismë private, sikur të ishte një institucion shkencor. Pse konsiderohet i madh At Zef Valentini?! Për ta marrë direkt përgjigjen, pa hyrë në 20 volumet e tij, bibliografia e librave të botuar përfshin: “Ligji i maleve shqiptare”; “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”; “Familja në të drejtën tradicionale shqiptare”; “Fiset e Shqipërisë së Veriut (organizimi i tyre shoqëror dhe politik); “Të drejtat e Shqipërisë etnike”; “Sprovë për një regjistër historik të Shqipërisë”; “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (313-395); “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (395-700)”; “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (1060-1560)”; “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë (1571-1941)”; “Shënime për historinë kulturore shqiptare”; “Nomenklator (fjalor bibliografik iliro-shqiptar)”; “Shënime mbi regjimin e vendqëndrimeve venete në Shqipëri”; “Ma i pari kuvend i studimeve shqiptare”; “Statusi personal në Shqipëri në epokën e Skënderbeut”; “Liber Brevium i Papa Kalistit III”; “Traktat për vargnimin e shqipes”; “Shëtitje historike në Shqipërinë e Veriut”; “Metrofani, kanonet trinitare”; “Domus Ecclessiae: arkitektura e shenjtë kishtare ilirike”; “Poliektri i Kornejit”; “Sauli i Alfierit”; “Akte shqiptaro-juridike” (në dy vëllime); “Akte shqiptaro-venete” (në 30 vëllime) etj. Pra, siç shihet, është një listë e gjatë, që rrallëkush mund t’i afrohet nga bibliografia. Në fund të jetës, kur ishte i shtruar në klinikën e spitalit të Milanos, mësojmë se në duar kishte vëllimin e 26-të “Act Albania”, gati për botim, por nuk arriti ta përfundonte. Gjithë ky volum pune në studime albanologjike kishte konkluzionin: Aftësia e shqiptarëve të mendojnë edhe në sensin juridik. Studimi i historisë shqiptare, sidomos ana kanunore juridike, të drejtës zakonore – për studiuesin Willy Kamsi përfshin me gjithë meritat pse At Zef Valentini duhet të quhet i madh! Kamsi na tregon se e ka njohur nga afër priftin, nga lidhjet familjare, dhe prej tij nxjerr mendimin pse ishte “autonom”. At Zef Valentini “ishte i pavarur, në konkluzione i pandikuar prej ideologjive, por që janë “të pleqnueme në mendjen e tij”. At Valentini, një jezuit italian, që erdhi shumë vite para luftës, kur ishte shumë i ri, e mësoi shpejt gjuhën shqipe. Kjo e bëri që t'i dedikohej si asgjë tjetër shqipes, aq sa ishte e vështirë që ta njihje nga një klerik shqiptar i zakonshëm. Kamsi na kujton se ai gjithnjë thoshte “ne shqiptarët”. Është domethënëse kjo, për të kuptuar më pas përfshirjen e tij në fushën e studimeve ku do t’i kushtohej me zemër përditshmërisë shqiptare. Por, i kufizuar vetëm në mjedisin katolik të Shkodrës dhe atë që rrethonte, mundohej të dilte jashtë këtij qerthulli. Për të dalë nga kjo gjendje nga viti 1932 drejtoi revistën “LEKA” deri më 1943, së bashku me të, revistën “Lajmtari i zemrës së Krishtit”. Kishte ngjitur të gjithë hierarkinë e duhur të studjuesve shqiptarë të kohës, derisa 1941 punoi madje edhe "si këshilltar e sekretar i përgjithshem i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare".
Kulmin e arrin me projektin më madhor të gjithë jetës, korpusit gjigand prej 30 vëllimesh, të mbledhura e të dokumentuara mes mijëra e mijëra skedash biblioteke, të titulluar "Akte albane-venete të shekullit XIV-XV", që përmbledh një numer prej 5000 dokumentesh që, sipas vellimeve, datojnë që nga viti 1301 deri në vitin 1447. Martin Camaj nga Mynihu e cilëson "botimi i këtyre dokumenteve po bën mjaft bujë në rrethet shkencore gjermane duke bërë që At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm në Shqipëri por njëri nga më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin Ballkanik". Vite më pas erdhi përndjekja nga Shqiperia e pas Luftës, nën argumentin se "kish guxuar të monopolizonte kulturën shqiptare” apo si “spiun i vjetër i SIM-it e Gestapo-s", - sicç shkruan vetë At Valentini në kujtimet e tij.
Si gjithë jezuitët e tjerë, trashëgimia e të cilëve qëndronte në arkivat e françeskanëve, në kohën e diktaturës u shkatërrua, duke u sekuestruar në mënyrën më çnjerëzore dhe antikulturore që njihet - kujton Kamsi.
Mendohet se dorëshkrime të tjera të At Zef Valentinit mund të jenë në Palermo, pasi aty ka dhënë mësim gjuhën shqipe për arbëreshët e atjeshëm dhe kohët e fundit në Milano kur ishte i sëmurë në klinikë.
Asnjë studiues deri tani nuk është marrë me këtë punë voluminoze. Çfarë na thotë një prej tyre, Willy Kamsi, janë ca fjalë të kursyera e të pakta, për shkak tani të moshës, por duke përjashtuar edhe kohën e komunizmit kur nuk kishin kurrfarë kontakti me veprën. Por sot për sot nuk ka studiues të kësaj vepre.
I vetmi aktivitet organizuar deri tani për At Zef Valentinin është i vitit 1999, në Shkodër prej Willy Kamsit, ku kujton se në revistën “Fenix” në katër numra ka botuar shkrime të albanologut. Në universitetet tona ky autor nuk njihet, as në shkencat juridike, as historike, dhe as letrare. Rektori Dhori Kule vetëm sa e zuri në gojë këtë fakt, por se kur do të ketë një vullnet konkret për t’i përfshirë plejadën e albanologëve në kurrikula nuk dha. Mbyllja është se etërit e albanologjisë janë shumë, po nuk njihen nga institucionet shkencore, me një fjalë si At Zef Valentini, nuk është bërë gjë tjetër veçse vepra e tyre është “shfrytëzu dhe ësht’ sha”!

***
Papa Pauli VI, Romë 1968
Më 25 prill të vitit 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Papa Pauli VI, në Romë, ndër të tjera foli edhe për At Zef (Giuseppe) Valentinin, duke thënë: “Shqiptarë! Duajeni At Zef Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon pa prerë për të njohur përpara botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka vënë çështjes suaj mendjen dhe zemrën e vet”.

Ernest Koliqi
Nga “Njeriu Valentini”, në “Shejzat”, 1970
Fatkeqsisht, dallgë tronditëse idesh kundërshtare, e ndërprenë veprën e fillueme nga brezi që u shfaq plot vullnet preterits në skenën kulturore e politike t’Shqipnis në fillimet e viteve Tridhetë.
Me të ra barrierat e fundme të nacionalizmit me frymëzim evropian, sundimtarët e papritun të vendit lëshuen akuza të rànda ndaj At Valentinit dhe veprës së tij. Nga ana tjetër nuk kursyen asnji prej tyre individëve që s’e pranonin doktrinën e tyne asgjësuese t’cilësive njerzore e kombtare. Si reagoi At Valentini përballë tanë kësaj mosmirënjohjeje? Tue vazhdue qetësisht aktivitetin e tij në fushën e albanologjisë. Nën veshjen e një nacionalizmi të markës aziatike sot bahen orvatje me nënshtrue instinktin jetik të races shqiptare që arriti me shpëtue në shekuj t’errët tue ruejtë të paprekun kultin e traditave.
Por profetët e rremë mashtrojnë veten: karakteri shqiptar i farkëtuem në shekuj nëpër shtërngata e fatkeqësi, as edhe këtë here nuk do të përulet. Do t’i rikthehet autoktonisë e atëherë edhe ndihmesa e dhanë nga At Valentini për kulturën dhe jetën e vendit tone, do të ketë mirënjohjen e meritueme prej atyne që e duen popullin me gjak shqiptari dhe shpirtin e tij.
Ai sot asht ma i madhi albanolog i gjallë. Por historia e Shqipnis do ta kujtojë mbi të gjitha si shkencëtar, që i dashunuem me objektin e studimeve të veta, Shqipnin, me një përkushtim të hapun ndaj rreziqeve e kërkoi dhe e gjeti ndër arkiva e biblioteka, në kujtesën kolektive e jetën e popullit, manifestimet e lashtësisë së tij fisnike, asaj fisnikërie që e ban të dejë popullin shqiptar për me pasë nji vend me vyrtytet e tij të veçanta etnike në gjinin e kombeve europiane.

Prof. Peter Bartl
Mbi veprën historike të Xhuzepe Valentinit (Shejzat, 1970)
Duket thuajse e pamundur që të kesh parasysh plotësisht në një përmbledhje të shkurtër publikimet e panumërta të Xhuzepe Valentinit, që kanë si objekt çështjet e historisë shqiptare.
…Në një periudhë edhe më të hershme shkon përpjekja e Valentinit për të hartuar një kronologji të historisë së shqiptarëve. Do të ishte shumë e dëshirueshme që të vazhdonte ky mjet ndihmës shumë i nevojshëm për shkencën e historisë.
Në tre deri katër vitet e fundit profesor Valentini ka shpalosur një aktivitet botues shumë të madh me serinë e botuar dhe e themeluar prej tij “Acta Albaniae Veneta”.
… Nëse seria do të jetë një herë e plotë gjendja e burimeve për një hulumtim kritiko- shkencor të periudhës së Skënderbeut do të jetë më e përshtatshme sesa tani, ku mund të flitet për botimin disi të pasaktë dhe të paplotë të Jovan Radoniçit.
Sidomos në mënyrë intensive G. Valentini, u mor me të drejtën zakonore të shqiptarëve… ai arrin në përfundimin e përligjur sipas mendimit tim se ishte mungesa e një autoriteti të vërtetë shtetëror, ai detyrimi moral falë të cilit u krijuan normat tradicionale ligjore.
…Me të drejtë, ndryshe nga studiuesit e deritanishëm, kryesisht mendimi i përhapur në Shqipëri, i cili e çmon kategorikisht në mënyrë negative sundimin venedikas në Shqipëri, Valentini arrin në përfundimin se “për ato kohë, sundimi venet ishte një rregjim i dëshirueshëm, ose të paktën i tolerueshëm për të shmangur të keqen”.
...Ky vështrim i shkurtër, siç shpresoj, ka treguar sesa e gjerë dhe e shumanshme është vepra historike e Giuseppe Valentinit. Si asnjë tjetër ai ka shfrytëzuar njohuritë e tij të shkëlqyeshme dhe ka hartuar një tablo të historisë shqiptare, e cila është e çliruar nga tendencat nacionaliste. Atij i duhen uruar shumë vite të tjera të pasura me krijimtari që të mund të realizohen projektet e tij shkencore, në dobi të hulumtimit të historisë dhe të popullit shqiptar, historia e të cilit duhet të shkruhet ende në shumë fusha.

Prof. Giuseppe Gradilone
“Giuseppe Valentini dhe letërsia shqipe”, (Shejzat 1970)
Giuseppe Valentini, me një dashuri të ethshme e gjithnjë në rritje, shoqëruar nga një ndërmarrje rigoroze kulturore, u nxit në njohjen e thellë të çdo manifestimi të jetës së popullit shqiptar, të gjuhës, të zakoneve etnike, të historisë politiko-sociale, me rezultate të till në çdo disiplinë sa të konsiderohet sot me të drejtë një mjeshtër i albanologjisë.
Madje, prania e figurës së tij prej studiuesi në fusha të ndryshme të shkencave humane, e bën të kotë çfarëdolloj orvajtje për ta klasifikuar produktin e tij shkencor në mënyrë përfundimtare.
Por, pa dyshim, përgatitja e spikatur dhe vepra prej historiani dhe etnografi, përbëjnë parakushtin e rëndësishëm të formimit të një metode personale në kritikën letrare shqiptare.
Trajtimi i prurjeve të traditave kulturore dhe historike, nga më të moçmet në kohë deri te më të hershmet, në literaturën shqiptare, e cila në këtë mënyrë zhvellon gjithnjë e më shumë përvoja, motive dhe rryma që e kushtëzojnë qoftë në lindjen ashtu dhe në zhvillimin e saj: ja, çfarë është në thelb metoda valentiniane.
Falë kësaj natyre të veçantë metodologjike, mund të pohojmë pa grimë dyshimi se studimet e tij konstituojnë një hyrje të mrekullueshme në njohjen e problematikës së letërsisë shqiptare dhe të autorëve të saj, duke përbërë një kontribut të spikatur në historiografinë kritike shqiptare...   

Martin Camaj
Recension, “Shejzat” 1970
 “Botimi i këtyre dokumenteve po bën mjaft bujë në rrethet shkencore gjermane duke bërë që At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm i Shqipërisë, por njeri nga më të mëdhenjtë e gjithë Gadishullit Ballkanik”.

Martin Camaj
“Studime albanologjike,ballkanologjike, bizantine dhe orientale” 1986.
... Veprat e Zef Valentinit përmbajnë nji numër të madh emna vendesh, fisesh e familjesh apo vëllaznish shqiptare. Vetëm mbledhja e dokumentacioni tyne historik asht ndihmesë kryesore për kthjellimin e historisë të popullsisë shqiptare mbrendë e jashtë kufijve.

Prof. Maximilian Lambertz:
Recension në “Sudost-Forcshungen”, periodik i Instutit të studimeve te historisë dhe kulturës së Europës Orientale, Mynih, 1959
Valentini në veprën “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, ka lënë listën më të plotë të fiseve dhe vëllaznive shqiptare, të shoqëruar me saktësime të çmuara mbi vendodhjen e tyre të sotme dhe dokumentimin e tyre historik. Përgjatë trajtimit të kësaj liste ai bën shpesh orvajtjen e lidhjes së emrave të fiseve shqiptare me ato të fiseve ilirike, hipotezë kjo që gjen miratimin tim të plotë…” 

Dr. Carmelo Capizzi
Recension i “Akte Shqiptaro-venete”, vëllimi XII), në “Studime për Lindjen e krishterë”, 1970
Vit pas viti, me një zell vërtet të pashoq, me një durim të mrekullueshëm e me një dashuri e kopetencë shkencëtari, aktiviteti i tij i drejtonte energjitë e veta kah asaj që do të ishte projekti më madhor i gjithë jetës, korpusi gjigand i mbledhur e të dokumentuar mes mijëra e mijëra skedash biblioteke, i titulluar “Akte shqiptaro-venete të shekullit XIV-XV”, një kompleks ky sa monumental aq edhe i gjithanshëm, rigorozisht shkencor, që përmbledh një numër prej 4000 dokumentesh që, sipas vëllimeve, datojnë që nga viti 1301 deri në vitin 1447. Larg cdo krahasimi, ai përfaqëson panoramën gjerësisht më tërësore dokumentare që ekziston deri më sot për historinë e Shqipërisë.

Dr. Carmelo Capizzi
Recension mbi librin “Ligji i Maleve Shqiptare”, (Shejzat 1969)
Ky vëllim, së bashku me përshkrimet e Gjeçovit e të misionarit italian Ernesto Cozzi mbi Kanunin, (të mbledhur dhe sistemuar nga Valentini), shoqëruar me dokumentacionin historik të “Akte shqiptaro-juridike”, të punuar po nga Valentini, formojnë bazën themelore për njohjen e thellë dhe shkencore të këtij aspekti magjepës të traditës shqiptare.

Dr. Attilio Vaccaro:
At Giuseppe (Zef) Valentini (1900-1979): albanolog dhe bizantinist. (Studime mbi Lindjen e Krishterë, Romë, 2008)
Ai, i cili shfaqi një interes të madh për Shqipërinë e për historinë e saj, së cilës i njohu karakterin autonom, qe shkencëtari At Xhuzeppe Valentini, një albanolog i jashtëzakonshëm, i njohur nga të gjithë ata që merren me studimin e kulturës shqiptare, por edhe nëpër ambientet historike, letrare dhe fetare ndërkombëtare. Me anë të prodhimit të stërmadh shkencor, ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në zhvillimin e studimeve bizantine dhe të Albanologjisë moderne.
Nuk ka aspekt të historisë Mesjetare shqiptare dhe arbëreshe që të mos ketë ndjerë penën studiuese të Valentinit. Ai qe jo vetëm më pjellori, por edhe më i zhdërvjellti i albanologëve italianë, që arriti t’i shohë lidhjet midis popujve të Adriatikut në një rrafsh të epërm të këndvështrimit historik, të dokumentuar në mënyrë madhështore, në një nga veprat e tij monumentale, nga më të rëndësishmet, siç është “Acta Albaniae Veneta” (Akte shqiptaro-venete).

Prof. Ignazio Parrino
nga “At Zef Valentini: Shënime biografike”, në “Shejzat”, 1970
Valentini arriti në Shqipëri në një kohë kur misionarët jezuitë tashmë e quanin të konsoliduar pozitën e tyre në gjirin e katoliçizmit shkodran. Megjithatë, me mprehtësinë dhe intuitën që e karakterizonte, ai e kuptoi menjëherë se veprimtaria e tyre vërtitej e gjitha brenda qerthullit katolik shkodran, pa e kapërcyer gardhin e tij dhe pa hyrë në lëmin e gjerë të lëvizjes kulturore dhe shoqërore që kishte nisur të shpërthente në Shqipëri, pas viteve 20-të. Këtë hop cilësor jezuitët do ta bënin vetëm më vonë, në fillim të viteve 30-të me botimin e një reviste me qëllime të qarta dhe të prera filozofike, letrare e social kulturore, që ata e quajtën L.E.K.A. Është pikërisht kjo revistë ku At Zef Valentini do të dëftojë gjithë pasionin e tij për shkencë, gjithë aftësitë e tij mendore, gjithë vetitë e tij si studiues me përgatitje të thellë e të gjerë, që kapte skajet e erudicionit të ndriçuar nga kultura e tij humaniste, veshur me petkun e largpamësisë dhe origjinalitetit të spikatur të talentit të vet, sidomos në dyert e fushave të shkencave shoqërore.
Asokohe në Shqipëri numëroheshin rreth 170 revista me veprimtari të përcaktuar në fusha të ndryshme të kulturës dhe fesë. Por kriteret nga të cilat nisi punën Zef Valentini qenë goxha të larta në krahasim me ato të të tjerëve.
Dalloheshin kryesisht artikujt që filluan të përfaqësonin filozofinë dhe teologjinë, letërsinë dhe historinë, ekonominë dhe të drejtat politike e morale; pra, praktikisht të gjithë argumentet e nevojshëm për ringjalljen dhe zhvillimin e ambjentit shqiptar. Ky nivel mjaft i lartë filozofiko-shoqëror i shkrimeve, pati në fillim kritikë të shumtë që i mëshonin faktit se ai do të sillte moskuptimin e artikujve e të lëndës në përgjithësi, në një kohë kur përkundrazi, ishte pikërisht ky stil ai që filloi të ngjallte kënaqësinë dhe entuziazmin e lexuesve, duke i shtyrë gjithnjë e më tej caqet e zhvillimit të tyre kulturor, e duke i bërë ata të ndiheshin krenarë që kishin nisur të arsyetonin në nivelin me të cilin trajtoheshin nga kjo revistë argumente të ndryshëm të realitetit shqiptar...
Qëllimi i tij kryesor ishte sistemimi në mënyrë të qartë i periudhave më të trazuara të historisë shqiptare, nëpërmjet sitës së një kontrolli të saktë të dokumentacionit. Për këtë arsye, ai ndërmorri fushata të shpeshta kërkimesh arkivistike në Itali, veçanërisht gjatë verës, duke filluar që në vitin 1932 në Arkivin Civil të Padovës, më 1934-35 në atë të Ambasadës së Spanjës në Romë pranë Selisë së Shenjtë, nga 1935 deri më 1938, frekuenton dendur Arkivën Sekrete të Vatikanit dhe atë të Shtetit në Venezia. Më 1939 shkon në Napoli, ku viziton Benedeto Kroçen, asokohe filozof me famë botërore, duke i kërkuar atij tregues shpjegimor për Arkivën e Napolit dhe një letër rekomandimi për drejtorin e këtij arkivi...
Madje tregohet se ai s’u zmpraps së vazhduari kërkimet e tij si inspektor i Arkivës historike të Korfuzit më 1942, edhe pse gjatë shfletimit të materialeve i duheshin mjete të posaçme mbrojtëse nga infeksioni që mund t’i përhapte mortaja e një lloji të veçantë që shkakton “lunga” të mëdha në trup e që mikrobin e saj mund ta mbajë të mbijetuar për shekuj të tërë...
Ia vlen të theksohet një karakteristikë a dhunti e veçantë e Valentinit: rregulli i përpiktë mendor në të cilin çdo ide për aq sa është e mundur nga pikëpamja njerëzore, shoshitet, kontrollohet e zinxhirëzohet racionalisht me të gjitha të tjerat...

Si reaguan shkrimtarët ndaj censurës komuniste



Bashkim Kuçuku *

Letërsia shqipe, e botuar në Shqipërinë shtetërore, në vitet '45-'90, dhe letërsia e realizmit socialist, megjithëse në masën më të madhe janë në përputhje dhe e njëjta dukuri, pjesërisht janë të dallueshme, diku me kontraste të zbehtë dhe kufij të mezidukshëm, gjetkë me ndryshime të theksuar e kundërshti, ndarë qartas në problematikë, pikëvështrim, struktura, stile dhe në shkallaret e cilësisë artistike. Ajo nuk është e gjithë e realizmit socialist, sikurse etiketohet jo rrallë nga pakujdesia e mosnjohja, apo, siç barazohet në disa keqinterpretime të ngushtuar, duke anashkaluar qëllimisht, deri edhe vepra të shquara, të mirëpranuara e të çmuara edhe në kontekstin e letërsive të gjuhëve të ndryshme të botës.
Të përbashkëta për letërsinë e botuar brenda shtetit shqiptar kanë qenë rrethanat e pazakonshme e të panatyrshme, të jashtëzakonshme në të cilat është shkruar, si dhe pasojat e tyre. Në to, veç kontekstit politiko-shoqëror e moral detyrues/imponues ishte edhe faktori subjektiv shtesë, përmbi shkrimtarët dhe letërsinë, i quajtur metoda e realizmit socialist, që ka ushtruar një trysni shformuese e tjetërsuese të vazhdueshme. Krahasuar me rrethanat e periudhave të tjera, të mëparshme dhe të mëpasme, faktori subjektiv zyrtar ishte më i rëndësishëm edhe se konteksti shoqëror e letrar, pasi edhe këta shndërroheshin për t'i u përshtatur atij. Krejt sistemi i përftimit ishte i përmbysur, prandaj, edhe analiza e saj, e jo thjesht kritika mohuese en globe, ka vështirësi specifike, të cilat ndërlikohen edhe më, nëse synohet që, mes rrënimeve të djeshme e gërmadhave të sotme, të veçohen vlerat e njëmendta, krijuar me sakrifica e sublimime njerëzore, në kundërshtim me të. Aq e madhe e shumëpërfshirëse ka qenë trysnia e saj, sa nuk ka mundur t'i shmangej plotësisht as krijimtaria disidente, e shkruar dhe e pabotuar, pavarësisht vullnetit dhe përpjekjeve të autorëve. Në pamje të parë, është vështirë të pranohet, më saktë, është paradoksale të pohohet se metoda e realizmit socialist ka ndikuar edhe në ndonjë tipar të krijimtarisë disidente. Konkretisht, zgjedhja e saj, gjithashtu, e poliideologjizuar, së paku, në vështrimin tonë, ngjan, se është homologuar nën trysninë e realizmit socialist. Për t'i u kundërvënë ndikimit të tij politik dhe ideologjik te lexuesi, dhe për ta tërhequr në anën e vet, edhe krijimtaria disidente është pajisur me të njëjtat mjete ballafaqimi e kundërshtimi.

Qendrimet
e shkrimtareve

Nëse metoda ishte vetcensura, e përgatitur dhe e zbatuar nga të gjithë shkrimtarët që mendonin t'i nxirrnin në dritë veprat, censura ishte ndalimi me urdhër, në duar vetëm të grupeve të caktuara të specialistëve. Në këtë mënyrë përputhej e duhej të përputhej subjekti krijues me rrethanat dhe metodën, si kusht sine qua non i asaj lloj letërsie, mirëpo shpesh nuk përputhej. Pavarësisht nga totalitarizimi i saj, qëndrimet e shkrimtarëve kanë qenë të ndryshëm:
1. Disa e përqafuan metodën me bindje dhe i qëndruan besnikë, kryesisht, shkrimtarë të ideologjizuar, që erdhën idealistë nga lufta kundër fashizmit dhe morën mësimet e para letrare të specializuara në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe me dhunti të pakta letrare. Si tip krijuesish, të prirur për të ndjekur rrugën e të tjerëve, nga paaftësia për të hapur rrugë vetjake, e për të qëndruar brenda skemave të njohura, edhe pse tashmë të kapërcyera, ata nuk e kishin problem të vegjetonin në skemën e re të realizmit socialist, aq më tepër që ajo u a lehtësonte mjaft të bënin emër dhe karrierë.
2. Disa të tjerë, idealistë të brezit më të ri, edhe pse e përqafuan me bindje dhe u përpoqën ta përdornin si gjedhe pune, dikush më herët e dikush më vonë e panë se ishte e pamundur t'u nënshtroheshin atyre rregullave, ndërkohë, që, kolegë të tyre, pa e kuptuar e pa dashje kishin dalë prej saj.
3. Shumë shkrimtarë të vetëdijshëm për pamundësinë e përdorimit dhe për pasojat në letërsi, për kompromis botimi, e pranuan publikisht, dhe për këtë e propaganduan dhe u shprehën në mbrojtje të saj, shkruan edhe vepra të atij lloji, dhe, nga ana tjetër, sa herë kishin mundësi, shkruanin lirshëm, jashtë dhe në kundërshtim estetik me të, dhe herë pas here edhe në kundërshtim politik.
Si çdo trysni, aq më shumë kjo që ishte totalitare, e gjithanshme, shoqërore e shtetërore, veçanërisht te shkrimtarët e quajtur të kompromisit, pati pasoja të ndryshme psiko-morale, botëkuptimore dhe letrare, në vetëdije dhe në vepra, në vartësi të formimeve, bindjeve, karakterit njerëzor dhe jo më pak të aftësive krijuese. Më dramatikja, pa u ndalur te llojet e tjetërsimeve, ka qenë dyzimi i shkrimtarit (dysia), që do të thotë, - i njëjti shkrimtar kishte qëndrime politike, morale e letrare të kundërt me njëri-tjetrin, karakteristikë e prejardhur dhe e njohur nën çdo censurë, veçse në këtë rast, me përmasa tejet më të mëdha e shumëpërfshirëse.
Prirja e brendshme, që kërkonte të shprehej lirshëm për probleme, në mënyra e trajta të ardhura vetvetishëm, ishte ndryshe, ose, dhe në kundërshtim me metodën dhe censurën, që detyronin një problematikë dhe mënyrë trajtimi të caktuar. Në këtë vërtitje mospërputhjeje të subjektit krijues me rrethanat, për të mbijetuar letrarisht, d.m.th., që vepra të shkruhej deri diku lirshëm dhe të botohej, nuk mbetej veçse ndryshe të mendohej e ndryshe të flitej e të veprohej, sipas rrethanave, e, njëkohësisht, duke e cënuar atë sa më pak. Kështu, shpesh thyhej morali, ndahej vetëdija nga propaganda, vepra letrare nga shkrimet kritike, herë-herë edhe nga qenia, prirjet e dëshirat e tij të njëmendta. Strukturat e parapëlqyera analogjike, simbolike dhe alegorike janë përdorur, pikërisht, për të fshehur këtë dyzim e për ta nxjerrë veprën në dritë. Dyzimi ka qenë karakteristikë e shumicës së shkrimtarëve që shkruanin dhe mendonin botimin, e, për pasojë, në forma e në masa të ndryshme, është shfaqur edhe në veprat e tyre.

Ndeshja midis
realizmit socialist,
realizmit dhe
modernitetit

Letërsia shqipe, kur u shfaq metoda e realizmit socialist dhe letërsia e gjedhes së saj, nuk ishte fushë djerrë e pashkruar fare. Me përvojën shekullore dhe zhvillimin gjinor, me stilet e formësuar, të kthyer në traditë, si dhe me stilet e reja, të çelur në vitet '30-'40 të shekullit XX, veçanërisht me formimin filozofik, filologjik e letrar, klasik, e, në një masë jo të vogël modern bashkëkohor të shkrimtarëve që ishin në apogje, po ashtu, dhe të brezave më të rinj, kryesisht, me po këtë formim, ajo ishte duke frymëmarrë thellë për të vazhduar ecurinë e vet të natyrshme, pas lufte.
Pasi ishin hedhur hapat e parë të formimit teorik dhe të lëvrimit të stilit realist, në rrethana normale dhe njëmendësisht, në kushtëzim prej kontekstit shoqëror e kulturor, sidomos shkallares së zhvillimit letrar, sipas gjasave më e mundshmja ishte të formësohej realizmi, si dhe dukuri e prirje të caktuara të modernitetit bashkëkohor. Mbartja në të e metodës së realizmit socialist, si një ndërhyrje subjektive prej forcave jashtëletrare, çrregulloi krejt procesin, duke krijuar një konfrontim dhe ndeshje të ashpër mes zhvillimit normal e natyror dhe atij të sajuar e të detyruar shtetërisht, e cila ka përshkuar dramatikisht tërë historinë e kësaj periudhe. Në të dhe nëpërmjet vorbullës së saj janë shpërbërë dhjetëra romane, vëllime me tregime, novela e drama, me zanafillë e strukturë realiste, pa llogaritur ato qindra të tjera, të tjetërsuara nga ndërhyrjet e censurës ose të ngjizura e sendërtuar sipas gjedhes së realizmit socialist. Ndërkohë, jo pak të tjera që u shmangën prej saj për të qenë sa më realiste apo në tërësi realiste mund të jenë edhe sot në fondin aktiv, ndërsa, atëherë janë kritikuar dhe ndaluar. Seria e tyre, që pasurohej kohë pas kohe, është një bibliotekë më vete, me interes të veçantë për t'u studiuar në gjenezën dhe sendërtimin letrar. Edhe pse kishin struktura dhe përmbajtje të veçanta, pa ndonjë përcaktueshmëri të saktë, përpara metodës së realizmit socialist dhe censurës së saj, ishin të njësuara, - ato ishin gjedhja e botuar dhe e ndaluar, sepse ishin njëherësh brenda dhe jashtë, për dhe kundër tyre. Sidoqoftë, edhe nga pikëpamja tipologjike mund të grupohen në mënyrë të rrumbullakosur, përderisa përbëjnë, së paku, një linjë krijimi më vete midisore, që, relativisht e afërsisht mund të cilësohet prirja e ndërmjetme, midis realizmit apo disidencës realiste dhe realizmit socialist, kryesisht, e, në tërësi, me lëndë, strukturë, përftesa e mjete karakteristike realiste, përzier me segmente e fragmente të realizmit socialist, duke kryqëzuar një qeniesi të tillë, sa më realiste, aq më e qëndrueshme e cilësore, dhe sa më e realizmit socialist, aq më e paqëndrueshme dhe e dobët. Nuk ka shkrimtar me emër, që, në kohë të ndryshme apo herë pas here, dhe disave shpesh, mos t'u jenë ndaluar vepra të caktuara.
* Studiues

Stereotipa mbi besimet fetare në albanologji


Go to fullsize image
nga Artan Fuga 


Cilado shkencë apo grumbull sistematik shkencash humane, shoqërore apo edhe natyrore e teknike, sado që pretendon të tregojë të vërteta universale dhe të përjetshme, deri tani nuk ka mundur t’u shpëtojë kufizimeve dhe arritjeve interpretuese të çdo brezi njerëzish. Shpeshherë, konceptimet e një kohe për faktet e vërteta nisin e zënë rrënjë, transmetohen nga brezi në brez nëpërmjet shkollimit, përsëriten nga brezi në brez prej shtresave intelektuale apo studiuesve, elitave ideologjike në pushtet dhe me pushtet, që i marrin si të padiskutueshme dhe pastaj mbeten si postulate të palëvizshme, u transmetohen brezave të mëvonshëm si aksioma, të cilat nuk kanë nevojë të vërtetohen. Kush i prek këto tabu konsiderohet se është jashtë normës që pranon bashkësia e studiuesve lokalë apo edhe jo fort i përshtatshëm për ta lejuar atë që mbi bazën e kundërshtive apo mendimeve alternative të konceptojë tekste për shkollarët. Këta të fundit, deri në fund të arsimit të përgjithshëm ndodh që përkunden në konsiderata, të cilat duken si të vetëkuptueshme, por që në të vërtetë kanë nevojë të diskutohen.
            E kam fjalën konkretisht këtu hëpërhë vetëm për njërën prej tyre, atë që shpreh se shqiptarët apo paraardhësit e tyre kanë pasur si specifikë të tyre krejt të veçantë se nuk kanë qenë besnikë ndaj feve të tyre të para, pra në histori e kanë ndryshuar besimin fetar. Është fjala kur mbahet parasysh kalimi i një pjese të konsiderueshme të popullsisë shqiptare nga besimi i krishterë drejt besimit mysliman. Fakti historik sigurisht që nuk mund të vihet në diskutim, por interpretimi i tij ndodh që përbën problem.

            Cili është ky interpretim që është kthyer gati në një zakon, në një gjë që kuptohet vetiu, që merret si pa vërtetim? Ndryshimi i besimit fetar konsiderohet si një specifikë e veçantë shqiptarëve, që i dallon ata nga popujt e tjerë. Nga njëra anë kjo duket si një instrument për t’u dalluar nga të tjerët, nga kombet e tjera. Më në fund u gjet se nga dallojmë nga popujt e tjerë! Nëse ata i kanë qëndruar besnikë përgjithësisht një feje të caktuar, shqiptari, thuhet, nuk e kanë bërë këtë, por i ka ndryshuar fetë përgjatë historisë së tij.

            E vërteta është se bashkësia e studiuesve të çdo vendi rreket me çdo kusht të gjejë se çfarë e dallon kombin, të cilit i përket, nga kombet e tjera. Duket se këtu është kulmi i dijes kombëtare. Në fakt, këtu është edhe kurthi. U gjet një specifikë që na dallon: Të parët tanë nuk paskan qenë të ngujuar në besimet që lidhen me një fe, sepse ata kaluan nga format e paganizmit në ato të feve politeiste, pastaj monoteiste, u ndanë në katolikë dhe të krishterë kur Kishat u përçanë me njëra-tjetrën, e më në fund pasi u shndërruan në myslimanë, përgjatë disa dekadave ateizëm, e humbën në një masë të madhe sensin e fesë!

            Duket se nxjerrja në pah e kësaj historie që shitet si krejt specifike, është përdorur edhe për të treguar njëfarë gjallërie të botës shqiptare në marrëdhëniet e saj me dogmat fetare. Para besimeve konservatore, na paraqitet edhe nga disa udhëtarë të huaj, kujtimet e të cilëve merren si flori safi nga pikëpamja e vërtetësisë, një shqiptar çapërxhi, i shkathët, pragmatist, që nuk pyet fort për besim dhe fe, por sheh veçse ku të përmirësojë jetesën e vet materiale, të bëjë pare dhe pasuri, vret e vjedh dhe rend pas diskurit më të parë që ai që ka pushtet dhe burime pasurish materiale i nxjerr përpara syve dhe mendjes, por pa i besuar asnjëherë seriozisht.

            Në njëfarë mënyre, kjo ide, pra se shqiptari nuk pyet fort për fenë dhe besimet fetare, u përdor me të drejtë, nga pikëpamja e aksionit politik të Rilindjes sonë, mendjendritur, për të themeluar ndërgjegjen kolektive kombëtare. Me anë të fesë ishte e pamundur që shqiptarët të unifikoheshin si grupim më vete. Mbetej gjuha si instrument i përbashkët njësues. Feja përfaqësonte një realitet të fragmentuar ndër shqiptarët, kurse gjuha, duke braktisur dialektet, përfaqësonte një element më të besueshëm dhe të kollajshëm për t’u konsideruar si kriter unifikimi. Në njëfarë mënyre pati edhe poetë apo njerëz të tjerë të penës që për hir të krijimit dhe ndërgjegjësimit të shpirtit të përbashkët të kombit, hodhën edhe shigjeta ndaj feve të ndryshme që besonin shqiptarët. Me të drejtë ata ngulmonin që feja të mos konsiderohej karakteristika e shqiptarëve, asnjë fe, meqë kjo ndante dhe nuk bashkonte si njësi vlerësuese e identitetit kombëtar. Ndante si kriter abstrakt, teorik, nuk vlente për krijimin e njësisë, por nuk ishte fare e vërtetë se fetë përçanin si natyrë e tyre vetë shqiptarët, të cilët edhe jetonin brenda komuniteteve të veçanta fetare, por edhe dinin të bashkëjetonin. Rilindja e nënvleftëson rolin e besimit te shqiptarët dhe ka arsyet e veta për këtë. Çdo argument nganjëherë është i mirë kur është i dobishëm. Por duke qenë i dobishëm nuk do të thotë se është i vërtetë. E dobishmja dhe e vërteta shpesh bashkëjetojnë, por jo çdo herë mbivendosen, aq më pak janë e njëjta gjë.

            U gjet edhe argumenti se përse feja ndër shqiptarët nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. U tha jo pak herë se ndryshe nga popujt e tjerë përreth apo larg nesh, të parët tanë kishin ndryshuar fe sipas interesave të tyre. U gjet specifika shqiptare më në fund! Kjo ide u zhvillua fort edhe përgjatë kohës së shoqërisë ateiste, sepse edhe asaj i interesonte tanimë të tregonte se ndalimi i fesë me anë të dhunës nuk kishte se përse të konsiderohej tjetër, as më shumë dhe as më pak, porse vetëm në vazhdimësi të natyrës specifike të shqiptarit. Përderisa shqiptarët e kishin ndryshuar fenë disa herë, përderisa edhe rilindasit u kishin bërë thirrje, ndonjëherë edhe hapur, që ta braktisnin fenë për shqiptarinë, atëherë mund të pranohej që shqiptarët mund të ishin edhe afetarë, pra t’u ndalohej feja në përgjithësi.

            Në këtë mënyrë, brenda dy shekujsh, vazhdon edhe tani, një pjesë e konsiderueshme e albanologjisë konsideron se nëse duam të dallojmë specifikat e shpirtit shqiptar, ndryshe nga ai i kombeve të tjera, kemi mundësinë ta bëjmë lidhur me fenë duke u mbështetur në tri postulate, që në fakt plotësojnë njëri-tjetrin dhe të tre së bashku shkojnë te parimi themeltar, tabuja e palëvizshme, sipas së cilës, është një karakteristikë specifike shqiptare fakti që:

            a) shqiptarët e ndryshojnë fenë kollaj,

            b) shqiptarët kanë pasur një besim shumë të cekët fetar,

            c) shqiptarët kanë ditur të bashkëjetojnë në një shoqëri me shumë besime fetare dhe ta tolerojnë njëri-tjetrin pavarësisht besimeve të tyre fetare.

            E theksoj edhe një herë se këtu nuk është fjala te çështja nëse secili nga këto vlerësime është i vërtetë ose jo, por fillimisht vetëm te çështja nëse këto janë karakteristika apo jo specifike, pra që na dallojnë ne nga popujt e tjerë?

            Sepse, duke dashur të theksojmë këto anë, sot nuk duket se del ndonjë gjë pozitive. Ideja se shqiptari e ka ndryshuar fenë, çka e karakterizon specifikisht, ndryshe nga popujt e tjerë, në njëfarë mënyre nxjerr atë një individ që disi është i pabesë. Në çfarë kuptimi mund të konsiderohet i pabesë? Jo në kuptimin thjesht të mbajtjes së fjalës, por në atë të respektimit të besimit të të parëve. Se këtu krijohet edhe një amulli e paparë: Nga njëra anë thuhet se shqiptari është i besës, pastaj nga ana tjetër thuhet se ai nuk ka ditur të mbajë besën themelore, që është besimi fetar! Hyjmë kështu në një rrugë pa krye!

            Por, nëse e shohim pak më me kujdes çështjen tonë, do të vëmë re se nuk është vetëm popullsia shqiptare që ka ndryshuar besimin dhe fenë përgjatë shekujve. Nuk ka asnjëfarë karakteristike të veçantë shqiptare në këtë mes. Përgjithësisht popujt e kanë ndryshuar besimin fetar përgjatë historive të tyre në funksion të kushteve dhe rrethanave historike. Ka edhe përjashtime, por ato janë shumë të rralla dhe karakterizojnë shoqëritë e mbrojtura disi nga ndikimet e jashtme, madje shumë konservatore. Madje, mund të thuhet se ka popuj që e kanë ndryshuar formën e besimit fetar, që kanë ndjekur në mënyrë shumë më radikale dhe shumë më të shpejtë e revolucionare sesa shqiptarët.

            Nuk ka kuptim atëherë të pyesim se përse shqiptarët specifikisht, në mënyrë të pangjashme me popuj të tjerë, janë konvertuar nga njëra fe te tjetra. Përgjigjja këtu nuk do të ishte duke rrekur të gjendet kjo specifikë. Pyetja që bëhet ndonjëherë edhe në media, kur ka emisione për këtë temë, kërkon të manipulojë përgjigjen. Pyetja në fakt ka kështu mospërgjigjen e vet. Është e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje për të vetmen arsye themelore se nuk është e vërtetë që vetëm shqiptarët kanë pasur në histori të tillë sjellje të lëvizshme në raport me besimet e tyre fetare. Jezusi ishte lindur brenda besimit hebre, por kjo nuk e pengoi birin e Zotit ta ndryshonte fenë e tij dhe të bënte kalimin epokal nga Testamenti i Vjetër te ai i Riu. Të krishterët e parë ishin paraprakisht në përgjithësi të besimit hebre. Në kohën kur besimi i krishterë kaloi në Romë nëpërmjet skllevërve apo i migruar nëpërmjet trupave të ushtrisë romake që ktheheshin në vendlindje, ai solli një ndikim të ri fetar. Romakët paganë, pasi e persekutuan fenë e re që po trokiste në portat e qytetërimit të tyre, u kthyen në të krishterë dhe e kthyen këtë besim në fe të perandorisë. Po se mos ka siguri për të thënë se feja në detaje e shpallur nga Jezusi i Nazaretit është e njëjtë në hollësitë e veta me atë besim që pranuan romakët dhe e shndërruan më pas në ideologji sunduese të Perandorisë! Pale pastaj po të shohim ndryshimet në brendësi të çdo besimi! Kush mund të thotë se Inkuizicioni u përket të njëjtave praktika fetare dhe besimi sikurse edhe feja e sotme e krishterë në hapjen e saj ndaj shkencës dhe modernitetit! Mjafton të lexosh Maks Veberin për të kuptuar se edhe vetë Krishtërimi brenda vetes së vet ka kaluar nga fe rurale në fe si tërësi besimesh të popullsive urbane. Por, kjo është një çështje tjetër.

            Nuk ka vend për t’u zgjatur edhe për të parët helenë në Athinën antike apo qytetet e tjera shtet përreth saj. Paganë, politeistë, deistë e më pas të kthyer gradualisht në të krishterë qysh herët, atëherë kur Shën Pali predikonte në krahinat tona e më pas, të ngujuar pas një besimi ortodoks lindor, në dallim nga katolicizmi perëndimor. Brenda 20 a 30 shekujsh konstatohen ndryshime thelbësore, rrënjësore në besimet fetare.

            Nuk ka asnjë dyshim kur kthejmë sytë drejt Evropës Qendrore dhe Lindore se popujt kanë ndryshuar fenë. Është pothuajse një karakteristikë e përgjithshme, një gjendje natyrore e identiteteve kombëtare, e sjelljes kolektive të popujve. Princërit barbarë të Evropës Qendrore u kthyen shumë vonë, nën presionin dhe ndikimin e Vatikanit, në katolikë. Një pjesë e tyre, sidomos në botën gjermanike, nuk qëndruan më shumë se katër a pesë shekuj brenda këtij ndikimi, sepse gradualisht u shndërruan në protestantë. Ndikimi i reformës luteriane dhe kalviniste u bë kaq i madh saqë shënoi lindjen e një universi të ri kulturor dhe fetar mu brenda zemrës së kontinentit evropian. Kudo ku të hedhësh sytë, do të shohësh si vazhdimësi besimesh të vjetra, ashtu edhe ndryshime në bindjet dhe besimet fetare.

            Çfarë kuptimi ka të pyesësh atëherë se çfarë gjëje të çuditshme ka në shpirtin e shqiptarit që ai nuk qenka kaq i lidhur me besimet fetare dhe, në ndryshim nga popujt e tjerë, i ndryshuaka lehtë ato? Pyetja është pa kuptim dhe e gabuar, sikurse e bën ndonjë gazetar, ashtu edhe kur e bën ndonjë person publik që nuk dëshmon në këtë rast veçse faktin që është ende shumë i ngarkuar me stereotipa që albanologjia fatkeqësisht ka mbrujtur dhe konservuar brenda saj. Kur pyetja është pa kuptim, edhe përgjigjet nuk mund të jenë veçse të gabuara dhe asnjëherë nuk mund të gjejnë një konsensus. Pyetje e kotë, përgjigje me argumente të kota. Përgjigjja e vërtetë do të ishte: Pyetja është e gabuar, sepse nuk është e vërtetë që ndryshimi i besimeve fetare u ka ndodhur vetëm shqiptarëve.

            Specifikat vazhdojnë të gjenden atje ku, në fakt, nuk janë aspak. Lihet të kuptohet se feja e shqiptarit është shqiptaria. Mirë, po shqiptaria çfarë është? A nuk është e ngjizur ajo me kulturën, etikën, moralin e fesë? Nëse shqiptaria do të ishte diçka që nuk do të kishte të bënte me asnjë vlerë fetare, atëherë këtu do të ndodheshim para një paradoksi, shpëtim nga i cili do të kishte vetëm po ta konsideronim veten tonë si element popujsh barbarë. Në fakt, feja ka qenë në kontinentin tonë mekanizmi ngjizës i etikës humane, pra edhe i karakteristikave etike të popujve. Por, se mos vetëm në Evropë...! Feja e shqiptarit është shqiptaria, po shqiptaria me vlerat e veta si u krijua? A nuk është edhe ajo e ndikuar në konstitucionin e vet shpirtëror nga vlera fetare? Përndryshe, po të pranonim të kundërtën, do të duhej të përgjigjeshim se si këto vlera etike që i ndajmë me kombet e tjera, ku i kemi gjetur, nga na kanë ardhur.

            Nuk duket të ketë asgjë specifike për shpirtin e shqiptarit, kur është fjala për faktin e ndryshimit të fesë. Nuk është çështje shpirti, është çështje institucionesh. Përgjatë Mesjetës, më parë a më pas, sa herë që institucionet e një feje dobësohen, sa herë që feja humbet jo vetëm terrenin e vet institucional, por edhe mbështetjen e pushteteve laike, sa herë elitat ndryshojnë besim për t’u rreshtuar brenda aleancave të reja brenda një shoqërie globale, të paktën kontinentale, aq herë krijohen kushtet që edhe masat popullore të ndryshojnë besim fetar. Nuk është çështje karakteristikash të veçanta shpirtërore, por problem prirjesh historike universale. Nuk kemi asgjë as për t’u dalluar, as për t’u krenuar, as për t’u sharë për sa më sipër, jemi dhe kemi qenë si të gjithë të tjerët. As më të pabesë dhe as më të besës se të tjerët kur është fjala për besim fetar.

            Natyra e shqiptarit në specifikën e tij shpirtërore nuk mund të përmblidhet aspak edhe te fakti se shqiptarët kanë ditur të jenë tolerantë, sepse kanë bashkëjetuar pa luftëra fetare mes tyre. Popujt përgjithësisht kanë jetuar në një pluralizëm fetar për arsye koniunkturale të çdo vendi. Si vështirë të gjesh sot shoqëri të pastra etnikisht, por edhe për sa i përket konstitucionit të tyre shpirtëror dhe fetar. Luftëra kanë bërë princërit me njëri-tjetrin, presion dhe shtypje bazuar mbi luftëra fetare kanë bërë mbretërit, princërit, shtypja fetare ka qenë në fakt një shtypje politike e prejardhur nga faktorë jashtëfetarë, por shumë të rralla janë rastet që të ketë pasur luftëra të vërteta fetare në rrafshin horizontal mes grupeve të të njëjtit komb. Këtu duhet dalluar nëse tensionet fetare në rrafshin e lëvizjeve dhe konflikteve janë të mirëfillta fetare apo veshja fetare mbulon në fakt konflikte pronësore, etnike e të tjera. Sa kohë që nuk është dhënë kjo përgjigje, nuk ka asnjë arsye të thuhet se popujt e tjerë kanë bërë luftëra fetare mes tyre. I kanë bërë njerëzit e pushtetshëm duke manipuluar turma besimtarësh të thjeshtë, por jo këta të fundit në vetvete.

            Ku nuk ka përzierje të popullsisë edhe brenda një fshati mes individësh dhe rrethesh fisnore që u përkasin fiseve të njëjtë? - që të mund të themi pastaj se është e çuditshme që në Shqipëri vetëm ka hibride specifike familjesh ku babai ka qenë i krishterë, kurse i biri ka qenë mysliman?! Po kjo është gjëja më normale që karakterizon të gjitha shoqëritë në tranzicion përgjatë historisë kur ndryshimet sociale, shpirtërore apo zakonore janë të shpeshta. A nuk ishte e rrjedhur nga paraardhës hebre nëna e Jesuzit, themeluesit të Krishtërimit? Mjafton të shkosh nëpër Evropën e sotme Qendrore, të vizitosh fshatra dhe zona urbane dhe sheh krahpërkrah kishën ortodokse, kishën katolike, sinagogën dhe ndruajtur, ende në forma arkitekturore të ndaluara, edhe fillesat e xhamive. A nuk kanë jetuar prej shekujsh protestantë, anglikanë, hebre, katolikë etj. në Mbretërinë e Bashkuar? A nuk shohim në vendet sllave identitete fetare të ndryshme, myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe përkatësisht të identifikuar me popujt të tjerë? Kanë jetuar ngjitur me njëri-tjetrin, pranë njëri-tjetrit, me fetë të ndryshme gjithnjë e më shpesh edhe brenda familjeve, as më pak dhe as më shumë se shqiptarët.

            Përse na duhet, me çfarë e masim atëherë faktin statistikor se brenda familjes shqiptare ka pasur besime fetare të ndryshme, çka përdoret për të gjendur një rast unikal, të papërsëritshëm në strukturën shpirtërore të popujve të tjerë? Edhe në kultura të tjera kështu ka qenë. Nuk jemi as më pak të përçartur as më shumë të ngurtë në identitetet familjare dhe fetare krahasuar me ato të popujve të tjerë. As më shumë tolerantë dhe as më pak tolerantë.

            Kushdo që do të thoshte se ka raste kur katolikët, për shembull, në Mesjetën e hershme apo më pas në Europën Qendrore masakrojnë hebrenjtë, përsëri do të ndodhej brenda një qerthulli pasigurie dhe amalgamash të faktorëve fetarë, etnikë, ekonomikë, do të ngatërronte keqazi fenë dhe besimet fetare në kësi rastesh si mbulesa dogmatike konfliktesh jashtëfetare me konfliktet fetare mes të njëjtit popull dhe etni.

            Shqiptari ka ndryshuar fe, sepse ndër të tjera, thuhet se ka pasur një ndërgjegje të ulët fetare, ka pasur një kulturë të cekët fetare, ka pasur një ndjenjë të dobët fetare...! Çfarë do të thotë kjo në mos qoftë një tautologji e thjeshtë? Një shprehje që as mund të rrëzohet dhe as mund të vërtetohet. Pra, asnjëherë një të vërtetë shkencore.

            Nga dallohet një ndjenjë besimi e thellë nga një ndjenjë besimi e dobët? Askush nuk mund ta masë. Po t’iu referohemi dokumenteve mesjetare që rrëfejnë për jetën e përditshme mesjetare në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, besimtari në fakt atje është një analfabet. Ai nuk mund ta lexojë tekstin e shenjtë dhe nuk merr informacion për të, veçse nëpërmjet komunikimit kolektiv në institucionin e kultit të dielave. Se shqiptari nuk e ka marrë predikimin fetar, për një kohë të gjatë në gjuhën e vet amtare, thuhet duke kujtuar sikur gjendet aty ndonjë specifikë që na tregon se ne jemi më të pabesë së popujt e tjerë, e trishtueshëm këtë pabesi të paqenë e brohorasin pa kuptuar sa dëm bëjnë... Po predikimi në gjuhët amtare është një fakt shumë i vonshëm në historinë e popujve. Edhe sot ai nuk është i plotë, pale nëse shikojmë se çfarë bëhej para humanizmit evropian, në Mesjetën e hershme a të periudhës së mesme ku gjuha latine nuk ishte kurrfarë gjuha e popullit të thjeshtë.

            Besimet nuk janë as të cekëta as të rrënjosura për jetë, ato varen nga ndikimi që ushtrojnë institucionet apo elitat mbi masat, janë në njëfarë mënyre forma komunikimi propagandues. Nëse agjencitë që i komunikojnë nuk kanë më forcë për t’i përhapur, besimet largohen dhe harrohen.

            Kështu ka ndodhur. Ndryshimi i besimeve nuk është një faktor që shpjegohet automatikisht me cektësinë e besimeve fetare të mëparshme. Elitat fetare klerike katolike që u konvertuan në kishën anglikane, apo më parë në protestantizëm, nuk është se kishin besim dhe njohuri të cekëta për fenë katolike. Nuk shpjegohet ky konvertim me cektësinë e besimeve të mëparshme. Ka faktorë të tjerë.

            Nisur nga sa më sipër, ka vend të mendojmë në mënyrë kritike para se ta gjejmë specifikën e shpirtit shqiptar, të identitetit shqiptar, atje ku në fakt nuk është. Shpesh nga mosnjohja e historisë së popujve të tjerë na është dukur se ajo që ka ndodhur në trevat tona është shumë specifike si karakteristikë e jona e dallueshme. Dalja në botën e madhe pastaj e mëson njeriun se nuk është asfare kështu. Se ajo që ka ndodhur te ne, ka ndodhur me specifikat e veta edhe te popujt e tjerë. Dallimet nuk gjenden dot në formulime propagandistike, të dobishme për të legjitimuar këtë apo atë aksion politik të dobishëm të kohës. Duhen analiza kritike përtej dogmave rutinë. Përndryshe do të vazhdojmë të themi me pak fjalë ose me fjalë të tjera se shqiptari paska një shpirt të veçantë historikisht dhe veçanësia e tij qenka se paskësh qenë i pabesë...

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...