2011-07-09

Dy dekadat e katharsisit letrar



Nga: Ndue  UKAJ
1. Kthimi ka letërsia
 Fillimvitet e nëntëdhjeta, ndryshuan kahet e zhvillimeve shoqërore dhe politike te shqiptarët. Këto ndërrime u pasuan me transformime kulturore e letrare, që krijuan një hapësire kulturore dhe letrare të favorshme, kur letërsia u kthye nga objekti i saj. Pra, kemi një kthim kah letërsia (Tvetan Todorov), pas ferrit të vërtetë nëpër të cilin kaloi ajo. Krijimi i realiteteve të reja shoqërore, ndikoi në masë të madhe, në qenien e letërsisë dhe sidomos në mendimin për të. Ndonëse, mund të pohohet se gjatë këtyre viteve ka pas një hapje dhe komunikim intensiv të letërsisë shqipe, situatat e tendosura shqiptare, problemet socio-psikologjike, ekonomike, tranzicioni i stërzgjatur dhe i mundimshëm politikë dhe mungesa e një kulture e letërsie të konsoliduar, u banë diga të fuqishme, që ndikuan fuqishëm e në shumë dimensione letrare, në zhvillimin dhe përhapjen e saj, në planin e brendshëm dhe atë global. Mbase, segmentet e përmenduna, shpeshherë kanë ushtruar një lloj “presioni” mbi qenien e letërsisë, duke e penguar të zhvillohej sipas ligjësive universale letrare. Në këtë kontekst, ndofta heshtazi, por në kontinuitet, është vërejtur një përpjekje dashakeqe e politikës, që nëpërmjet formave të caktuara, të presionit apo favoreve të ndryshme, ta kontrolloj letërsinë, madje në rastet më të këqija, të krijoj hierarki letrare, duke e “marr” kështu rolin e kritikës letrare, dukuni kjo, prej të cilës letërsia shqipe ka vuajtur shumë. Në anën tjetër, janë këto elemente, të cilat, rishtas e kanë orientuar letërsinë, drejtë funksionit praktikë, një lloj funksioni që intencë e mision ka, edukimin e popullit, siç do të thoshte Arshi Pipa. Një filozofi të tillë kulturimi dhe një mision të tillë shkrimtarie, letërsia shqipe e ka pasur përgjatë gjithë historisë së saj. Letërsia jonë, deri me tani, asnjëherë nuk ka arritur të ketë objekt vetëm të bukurën dhe të shkëputet nga funksionet e synimet praktike, herë etike e herë politike.Përgjatë këtyre viteve, kultura letrare shqipe, synoj të shkëputet nga qëllimet praktike për t’u kundrua vetëm si arti i së bukurës. Ky qëllim, përveç tjerash, nënkuptonte një hapje të gjithanshme të qenies letrare, në raport me ligjësitë universale të kësaj bote specifike. Në këtë mënyrë, ajo mund të çlirohej njëherë e përgjithmonë, prej gjitha pengesave të natyrave joletrare, të cilat e penguan dhe në raste të ndryshme, vazhdojnë ta pengojnë, edhe sot.Mirëpo, ashtu sikurse çdo periudhë në letërsi, edhe dy dekadat e fundit kanë karakteristikat e veta, veçoritë dhe tiparet dalluese.Në të vërtetë, nëse marrim për bazë empirinë, mund të pohojmë se çdo periudhë në letërsi, i ka specifikat e veta dhe mbahet mend për prurje dhe vlera të reja. Mirëpo, të qartësojmë se prurjet e reja, në kuptimin e mirëfilltë, nuk janë ekuivalente me cilësi apo vlera artistike. Krijimtaria letrare, gjithmonë është në kërkimin të risive, e këto, sidomos bëhen më të theksuara, në kohë përthyerjesh socio-psikologjike, sikur që është drama e jetës shqiptare, tanimë dy dekada, e papërfunduar. Në parim, letërsia është fushë që jeton duke synuar të renë si akt krijimi dhe model shkrimi. Ndaj, duhet theksuar faktin se shumica e rrymave letrare nëpër kohë, janë pikërisht rrjedhojë e kërkesave gjithmonë të reja që kishte e ka letërsia para vetës. Në të vërtetë, e reja, si kërkim metafizikë e shpirtëror, e bënë fuqinë e fjalës artistike kaq dinamike, në kohë dhe hapësirë. Mirëpo, transformimet e mëdha e cilësore, apo prurjet e reja dhe cilësore, në letërsi zakonisht ndodhin rrallë dhe atë vetëm pasi të jenë pjekur kushtet për një begati dinamike kulturore, pas debateve të fuqishme për letërsinë- objektin e saj- qenësinë e saj. Shoqëria shqiptare, ende nuk e ka një jetë të begatë kulturore, përkundrazi jeta kulturore dhe letrare shqiptare, vazhdon të jetë tejet e vobektë. Dhe letërsia, ashtu sikurse shumica e arteve, tanimë dy dekada, ndodhen para sfidave të mëdha, ndonjëherë edhe të natyrës ekzistenciale. Kjo bën që letërsia shqipe, të vazhdoj të jetë akoma në procese të konsolidimit e emancipimit. Në të tilla kushte, kur vërehet dukshëm mungesa e një periodiku letrar serioz, mungesa e një rrjeti funksional të shpërndarjes së librit, mungesa e shtëpive botuese të fuqishme, mungesa e asociacioneve të shkrimtarëve dhe debateve për letërsinë, mungesa e përkthyesve dhe përkrahjes për këtë veprimtari- megjithatë mund të pohohet, se këto vite shënuan një avancim të dukshëm. Mirëpo, jo aq të kënaqshëm, për sa mund të ishin pritshmëritë. Këtë e them, kur i analizoj trendët e zhvillimeve të përbotshme, letërsinë pararendëse dhe shumë faktorë të tjerë socio-psikologjikë, të cilët, do të duhej t’i jepnin letërsisë shqipe një impuls më të hovshëm dhe më cilësor.
2. Dekadat e katharsisit letrar
Nëse marrin për bazë mendimin empirik se kritika (letrare, N. U.) asht shenjë e mendjes së pjekun ( Arshi Pipa), dy dekadat e fundit të kulturës letrare shqiptare, e dëshmuan dhe shenjuan, në shumë  aspekte një  gjë të tillë. Kjo për faktin se mendimi për letërsinë, ka evoluar dukshëm, duke përvetësuar shkolla të avancuara e prirje letrare të përbotshme, të cilat i bëri pjesë të diskursit letrar kombëtar. Gjatë kësaj periode, mendimi për letërsinë,  ka marr përgjegjësi të vështira, si një kritikë në përpjeke për t’u vetëdijesuar dhe konsoliduar, e dal nga rrënojat e një  kohe të  errët, ku letërsinë  ishte skajshmërisht e manipuluar nga dogmat, ideologjia mbytëse dhe arti në  funksion ideologjik. Në misionin e kësaj kritike letrare, ishte të  ndaj vlerat nga jovlerat dhe t’ia rikthej letërsinë kah letërsia. Pas shpërpjesëtimeve të mëdha letrare dhe një hierarkie të sajuar nga diktati, në këto vite, kritika duhej të formësoi hierarkinë letrare cilësore, sipas parimeve të shëndosha letrare. Ky synim, edhe pse ndofta s’u realizua në  plotëni, gjatë këtyre viteve janë ba korrigjime shumë domethënëse në mendimin e përgjithshëm për letërsinë. Mendimi për letërsinë, i cili ekzistonte, është  përmbysur, ndërkaq historia e re e letërsisë, s’është  ajo që  na shkruanin byrotë politike dhe kritika ideologjike. Shikuar nga ky aspekt, kritika letrare shqipe ka pasur sfida të shumëfishta e të karaktereve letrare e joletrare. Asaj ju dashtë të  jetë  e guximshme, për të synuar e krijuar rregull, në aporinë e studimeve letrare dhe për të  sanuar pasojat e gjatë të ekskomunikimeve, përjashtimeve, fragmentimeve, përbuzjeve, me të  cilat dukuni ishte shëmtuar  trupi i letërsisë  kombëtare.Një nga elementet dalluese, mbi të cilat u krijua letërsia e këtyre dy dekadave dhe mendimi për letërsinë, pa dyshim se mbeti qëndrimi refuzues/kundërshtues, në raport me letërsinë pararendëse, dogmat dhe soc-realizmin, dukuni këto që kishin vërshuar e ngulfatun letërsinë shqipe, për dekada të tëra, e sidomos atë që krijohej në Shqipëri.Qysh në fillimvitet 90-ta, u artikulua ky qëndrim refuzues dhe u ndje nevoja për rikthimin traditës së viteve 30-ta dhe shkrimtarëve të ekskomunikuar, që realisht përbënin aureolën e letërsisë shqiptare.  Ky qëndrim, zaten ka pasur një mision/funksion etikë, përmes të cilit është synuar një katharsis i mendimit për letërsinë dhe kulturën letrare shqiptare në tërësi. Sikur në Tiranë, ashtu edhe Prishtinë e gjetiu, lëvizjet e pakta letrare, ishin kryesisht ato që motivoheshin dhe synon letërsinë t’ia kthenin letërsisë, duke e defamiljarizuar (Roman Jakobson) atë nga dogma dhe ideologjia rrënuese, e cila qe bërë me kohë mendësi tipike letrare, sidomos dominonte në Shqipëri, përjashtimet e së cilës në Kosovë ishin të dukshme dhe shumë më cilësore. Kjo nënkuptonte një betejë jo të lehtë, më norma, dogma të krijuar dhe me një korpus të gjerë krijimesh dhe studimesh letrare, që ishin ba gjatë viteve të soc-realizmit, kur letërsia ishte zhvesh nga gjitha tiparet e saja esenciale dhe kishte marr trajta deformuese, thellësisht ideologjike, e duke mbet më së paku letërsi.Prandaj, përgjatë këtyre viteve, ndodhi përmbysja e një hierarkike letrare të shpikur që kishte krijuar soc-realizimi, pa kurrfarë kritere letrare dhe estetike; një hierarkike letrare që ishte fund e krye e vendosur nga diktatet e dhunshme, përjashtuese dhe fragmentuese.

Ajo që e karakterizon qartësisht mendimin për letërsinë në këtë periudhë kohore dhe letrare, pa dyshim është synimi për t’i korrigjuar leximet e mbrapshta, të cilat i ishin bërë letërsisë shqipe dhe këndej pari, synimi për t’ia rikthyer asaj figurat eminente, të munguara dhe të ndalura, me motive absurde e aspak letrare. Ky motivim letrar i korrigjimit dhe arsyetimit (Ian Meclean) të një mendimi letrar, bëhet shënjues tipologjik i kësaj kohe në letërsi. Shëmtitë që kishte krijuar dhe instaluar diktatura e njëmendësia kulturore dhe letrare, fillojnë të korrigjohen dhe arsyetohen me lexime e interpretime tjera. Pra, përgjatë këtyre viteve, mendimi për letërsinë është motivuar, duke nënkuptuar kontekstin e letërsisë pararendëse, prej të cilit është vënë në pah fuqishëm nevoja, që e quajtëm etike, të bëhen korrigjime në gjithë sistemin vlerave letrare, nga shëmtitë dhe degradimet që i krijoi letërsia e viteve të diktatit, përjashtimeve dhe selektimeve ideologjike, fetare, etj. Këtë trashëgim të keqe letrare, mendimi i ri për letërsinë synoi ta korrigjoi në tërësi për t’i dhënë një kahe dhe dimension të mirëfilltë letrar. Studimet e shumta, të cilat janë bërë e bëhen në Tiranë, Prishtinë e gjetiu, janë të fokusuara kryesisht të autorët, të cilët, për disa dekada, i mungonin letërsisë shqipe, tek ata të ekskomunikuarit, ata të fragmentuarit, ata të përbuzurit, të cilët në realitetin e ri, përbëjnë, siç e përmendëm, aureolën e letërsisë shqipe. Ndaj, në këto dy dekada, autorët dominues të letërsisë shqipe, nuk janë ata që ishin deri në fillimvitet e 90-ta. Përgjatë këtyre viteve, zënë të shfaqën çdo herë e më fuqishëm, si referenca themelore, autorët e fuqishëm të viteve të 30-ta, emra që emancipuan letërsinë shqipe, mendimin për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe ngritën atë në piedestalin më të lartë, si At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prendushi, At Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Et’hem Haxhademi, Krist Maloku, Mit’hat Frashëri (i njohur edhe si Lumo Skendo), Vangjel Koca, Brako Merxhani, dhe pastaj, pasusit e tyre, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Anton Pashku, Frederik Reshpja, Zef Zorba, At Zef Pllumi, etj. Me këta autorë, është marrë e merret pjesa dërmuese dhe më kualitative e kritikës letrare gjatë këtyre dy dekadave. Përveç tjerash, gjithashtu gjatë këtyre viteve letrare, vërehet një rikthim domethënës te autorët e klasikes, si themelues të kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj), te autorët si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, korpus ky letrar që studiohet si materie estetike dhe jo si lëndë me rëndësi gjuhësore, siç pretendohej pa asnjë kritere letrarë, stilistikë, gjuhësor, estetikë, nga sejmenët e soc-realizmit. Nga këndej, gjithashtu vërehet një ngulmim i vazhdueshëm për të integruar në plotëni letërsinë e krijuar tek Arbëreshët e Italisë, brenda turpit të përbashkët të letërsisë shqipe, e cila letërsi, në të vërtetë përbënë një hallkë me rëndësi të posaçme në letërsinë shqipe, përgjithësisht.

Një tjetër tipar dalluese që e shquan këtë periudhë letrare është vetëdija për objektin e letërsisë, ku vërehen  gjithnjë e më shumë mendje kritike, të mprehta të gjykojnë drejtë letërsinë, autorë e dukuni letrare, si dëshmi e një kritike letrare të pjekun, e cila ndihmon në konsolidim e mendimit për letërsinë.
3. Kritika letrare dhe letërsia
Raporti mes fiksonit dhe ligjërimit mbi fiksionin (kritikën letrare), vlerësohet të jetë njëri nga raportet më komplekse në botë e letërsisë. Ky raport, jo rrallëherë është formësuar mbi paragjykime, të cilat kanë rezultuar me konsekuenca negative, edhe në shkrimin fiksional. Një eksperiencë të tillë, e nxjerrim nga dekadat e letërsisë shqipe pas Luftës së Dytë Botërore, me një theks të veçantë të ajo e krijuar në Shqipëri.Ky raporti kompleks, ka tronditur gjithmonë shkrimtarët, kritikët dhe të pasionuarit pas letërsisë. Si rezultat e kësaj, ndodh shpeshherë që kritika dhe mendimi për letërsinë të zhvillohen në divergjenca, mirëpo të cilat nuk e cenojnë qenien e letërsisë, përkundrazi e pasurojnë dhe plotësojnë. Dëgjojmë të thuhet, madje edhe lexojmë, nganjëherë me nervozizëm të tepruar, se letërsisë shqipe i mungon kritika, i mungon një lloj e kritikës së drejtë, një kritike letrare sistematike, e aftë për me ba selektimet e nevojshme dhe e guximshme për me thënë të vërtetën, sikur për vlerat e vërteta letrare dhe anasjelltas, për jovlerat. Kësaj dileme është e vështirë me ju përgjigj, por mënyra më e mirë është me pa letërsinë në tanësinë e saj, si një sistem, sepse vetëm ashtu mund të kuptohet pa keqkuptime. Unë mendoj se mendimi për letërsinë në këto vite ka pas një “detyrë” aspak të lehtë, të lexoi, siç e përmendën më lartë, të rilexoi dhe korrigjoi gabimet e panumërta që la trashëgimia e errët komuniste, aporinë e studimeve letrare, historinë e deformuar të letërsisë, sajimet hierarkike, etj. Në këtë drejtim, është arritur mjaft shumë. Mirëpo, kjo ka ba që letërsia e krijuar gjatë këtyre viteve, të mbetet jashtë vëmendjes së kritikës letrare. Mbase, ky segment, sipas shumë krijuesve, kritikëve, ka stimuluar aty këtu një letërsi mediokre, me shumë emra që defilojnë pa asnjë inspirim krijues dhe pa kurrfarë shije letrare.Krahasuar me letërsinë pararendëse, në këto dekada, debatet për letërsinë janë qartësisht më të identifikueshme dhe më funksionale. Gjithashtu, prirjet e bashkëkohore teorike e kritike, gjithnjë e më shumë bëhen pjesë e diskursit letrar e kulturor shqiptar.Shikuar në përgjithësi, mund të pohohet se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe, gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive. Në fakt, ajo për të cilën mund të konkludohet është se letërsia dhe mendimi për letërsinë ka tejkaluar njëmendësinë soc-realiste. Nuk ka një uniformitet në studimet letrare, përkundrazi kultivohen shumësi e shkollash dhe vlerësimesh letrare, të bazuara tek teoritë klasike e bashkëkohore. E gjithë kjo mund të vlerësohet e tumiret si një shenjë shpresëdhënëse, për një të ardhme më të begatë për letërsinë shqipe, sidomos në fushën e fiksionit, ne të cilën çdo ditë e më shumë dalin individualitete të fuqishme.

Banjo hene



Nga: Mirela  KAPAJ
Heshtja eshte e zhurmshme ne kete nate pa hene. Zera te mbytur, te lodhur, me ngjyre, te piset, pjella te erresires, mizerojne koken e lodhur. Dhe bulkthat, kori i tmerrshem i bulkthave te stonuar, apo veshet e mi jane te stonuar? Ti, ketu nuk mund te jesh, sepse je diku tjeter, ne nje tjeter dimension, atje ku une isha, por kam harruar rrugen tashme. Kujtesa ime e stermunduar neper rrjeta detajesh eshte nje llumnaje ndjesish te daleboje. Rendon mbi shpirtin tim gjithcka sonte, e dhemb gjithcka, e skermit dhembet pasqyra e shtremberuar, do te me gllaberoje. Une dal, iki, por gjithcka eshte shnderruar ne pasqyre, nuk shoh veten aty, te shoh ty. Ty, me syte e tu te ujshem, kerkues, lutes, deshirues, je ti qe do te me perpish ekzistencen, apo kjo pasqyre e shemtuar? Gjethet e pemes qe me njeh aq mire mendimet, qe i njoh aq mire arkitekturen, e qe naten shnderrohet ne perbindesh hijezues, pershperisin sonte, kane zerin tend, timbrin e pangaterrueshem qe dritheron fijezat e neuroneve te mia, sa here e degjoj, jo, sa here me duket se e degjoj. Pema me flet, ka kaq shume gjethe kjo peme, e ato flasin, shushurijne ne kor, nuk arrij te shquaj fjalet…ndoshta ne vjeshte do kuptoj dicka, dhe ne dimer, ne dimer pema me nuk do flase, zhurme e heshtur stina e te ardhmes…I kthej kurrizin pemes, frymemarrja ime eshte shpeshtuar, e nis te vrapoj, duhet te iki, dua te iki nga kjo pasqyre e marre! Bulkthat nuk lodhen, as gjethet, as pasqyra, e une, une nuk mundem te vrapoj.Atehere shtrihem mbi bar, per nje cope here numeroj fijet qe me gudulisin shpinen. Qielli eshte i zi, pa hene, pa yje, pa fryme, qielli eshte arratisur sonte, me siguri ne ndonje takim dashurie me nje tjeter qiell…Mbyll syte, dua te degjoj, te ndjej, ndoshta kjo e marre pasqyre qe s’me shqitet dicka do te me thote.Asgje, vetem bulkthat, pershperima e gjetheve, sa shume zhurmon kjo heshtje! 
Ti, del prej pasqyres, ngadale avitesh, nuk te shoh, syte e mi jane te mbyllur, por me mire keshtu, nuk me duhen syte per te ndjere prezencen tende, aromen tende, thirrjen tende…Prekja, prekja jote beri mrekullisht te heshtin bulkthat, te pushojne gjethet, prekja jote beri te heshte heshtjen.Ndjej duart e tua butesisht mbi lekure, ne lekure, nen lekure…duart e tua tejpershkuese, e lekura ime i njeh gishterinjte e tu, e zgjohet, e skuqet, e qan, e qesh, lumturohet….Sfumohet ndjesia, rifillon kori i merzitshem i bulkthave, pershperisin pakuptimshem gjethet, qielli u kthye nga takimi, pashe henen te nemitur kur gishterinjte e tu u shkeputen prej lekures sime. 
….
U ktheve ne pasqyren e shtremberuar, ajo te perpiu e iku, duke qeshur, tallshem, zhurmshem.Shtrire mbi bar jam, lekura ime e zhgenjyer, lotuese, e nxehte ende. Dua te ulerij, te ulerij, te ngrihem e te vrapoj, te iki, oh, te iki, por a ka nje vend per mua ku ti nuk je? Dhe nuk ulerij, nuk vrapoj, nuk iki…Vendos te bej nje banjo hene, lekura ime do ngushelluar disi….

Alberto Moravia, trajta cingëritëse e një shpirti flatrues


Nga: Albert  VATAJ

Shkëndi që feksi papritmas, mes reve dhe terratisë që skërmiste dhëmbët në një botë që qasej të shqitej nga shpërgenjt e të shkuares. Përflaku si drita e një qiriri të mpakur, duke ju zgrapsur një shëndeti ndëshkues, që ndali vetëm për pak, atë dritim që vërboi tërbimin e urryeshëm që vërbonte, asokohe, dhe jo vetëm. Ndriti ndër dëshirat e shpirtrave për dlirësi, dhe më 26 shtator të 1990 rroku amshimin si i tillë, ai, gazetari dhe shkrimtari, Alberto Moravia.
Njëzet vjet më parë, Italia,dhe jo vetëm ajo, i dhanë lamtumirën një prëj figurave më perfaqësuese të publicistikës dhe narracionit. Një ndarje, si çdo ndarje me një korife të mendimit dhe shpirtit. Një ndarje si me Alberto Moravian. Ai mbylli sytë për të lënë në veprën e tij trajtën e shumëformëshe dhe turitëse të rrethrrotullisë, ku ai u hoq zvarrë, por dhe u ngazëllye në fluturimin e triumfit. Ngarëndja e tij nuk u ndal që prej asokohe, kur përndiqej dhe censurohej. Edhe më pas, ai do të ishte i tillë,rebel deri në kuptimin më të epërm të etimologjisë së shprehjes. Kacafytej, gjithnjë dhe përplot me zemëratë dhe tërbim, me përditshmërinë italiane dhe gjithçka që ajo e mbarste.Stil i Alberto Moravias, parë me optikën e kritikës, cilësuar si brendaletrare dhe estetike, mund të themi se i përkon një qasjeje realist dhe jokonformiste. Anipse mendonte dhe e pohonte publikisht, se shkruante për të përmbushur dëshirat e tij,këton ngjizje artistike dhe estetike, përkonin njëherazi me allurimin dhe përflakjen e publikut që e admironte. Italia dhe italianët nuk është se e mbuluan me shumë lëvdata dhe nderime. Megjithëse për të nuk kishte të ndalur turri dhe Golgota. Ai nuk bëri asnjë kompromis, as si gazetar, e për më tepër si shkrimtar. Gjithëpoaq,universi i tij si shkrimtar do të tejshkonte kufinjtë, duke u bërë vlerë dhe frymëzim, andje dhe ngasje kudo ku ai u botua. Veçmas mund të cilësojmë në këtë përbotshmëri vlerash, admirimin francez. Mund të themi se Franca ishte atdheu i tij letrar. Atje ai u lexua shumë dhe filmi i bërë nga “Përçmimi’ i Godard, konsiderohen si gurë themeltarë të kinematografisë. Pavarësisht se nuk mbante shënime, kur ulej në tavolinën e tij të punës, duke hapur letrat, njiherash nxirrte nga skutat e kujtesës shkëndijat e përjetimeve dhe impresioneve dhe i lëshonte me një frymë, e përplot me ngashërim dhe zemëratë. Pa zbukurime, të karakterizuar nga shumë detaje,fjalë të zakonshme që veshin përditshmërinë, një sintaksë të përpunuar. Këta ishin shtigjet nga mund të merrte turravrapin shpirti i trazuar i Moravias.I pëlqente që letërsinë ta krahasonte me pikturën, me metodën si ajo merr formë në tablo, shtresë pas shtrese. Drafti i parë është mjaft e papërpunuar, ngarëndja për të zënë frymëzimin e tij ishin larg nga të qenit të përsosur. Në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhej të ishte e gatshme për t’ia mbathur e për të marrë rrugën në kërkim të lexuesit. Atë duhej dhe mund ta gjenin. Albertos i’a kishte ëndja të thoshte për veten “jam i tredhur”, tregon në një intervistë bashkëshortja e tij. Me këtë nënkuptonte diçka të thellë dhe esenciale. Nuk duhet të ngatërrohet letërsia me jetën. Ai vetë pohonte se seksi ishte për të ajo çka për Balzakun ishte paraja: një filtër përmes të cilit duhet të rrëfehet bota. Problemi është se ia rrëfente një vendi katolik, familjar dhe sentimental që kurrë s’e ka pranuar përnjëmend racionalitetin e tij të thellë. Sot s’do të bënte kurrfarë skandali, por në Italinë e asaj kohe, Moravia ishte një personazh jo i rehatshëm, u dukej antipatik.
“Një vepër e artit, në anën tjetër, ka një përfaqësues dhe funksion ekspresive. Në këtë përfaqësim idetë e autorit, gjykimet e tij, vetë autori, janë të angazhuar me realitetin. Kritika, në këtë mënyrë, është jo më shumë se një pjesë, një aspekt. Unë mendoj, duke e vënë atë në këtë mënyrë, unë jam, pas të gjitha, një njeri i pastër në një farë mase. Ne të gjithë jemi. Ju e dini, ndonjëherë ju të zgjoheni në mëngjes në revoltë kundër çdo gjëje. Asgjë nuk duket e drejte. Dhe për atë ditë apo më shumë, të paktën deri sa të marrë përsipër atë, ju jeni një njeri i pastër. Vënë në këtë mënyrë: çdo njeri është një njeri i pastër në mënyrë e vet, por ai është shumë gjëra të tjera përveç”, perkufizon ai.Alberto Moravia lindi në Romë më 28 nëntor 1907. I ati, Carlo Pincherle Moravia,arkitekt dhe piktor, është me origjinë veneciane, ndërsa e ëma, Gina de Marsanich,është nga Ancona. Alberto, i treti nga katër fëmijët, kaloi një fëmijëri normale,çka se të vetmuar. Në moshën nëndë vjeç ai u sëmur nga tuberkulozi i kockave,sëmundje me dhimbje të tmerrshme që e gozhdon në shtrat për pesë vjet rresht.Studimet i vazhdon në mënyrë të parregullt, por prapë nuk arrin të kryejë më shumë se gjimnazin. Lexon shumë e shumë libra, mes të cilëve Dostojevskin, Joyce, Goldon,Shekspirin, Molierin, Mallarmé, Leopardi e mjaft të tjerë. Shkruan vargje në frëngjisht e në italisht. Studion edhe gjermanisht. Libri i tij i parë, romani “Indiferentët”, që u botua më 1929, pati sukses të gjerë i dhe e bëri menjëherë të njohur. Shumë nga romanet e tregimet e Moravia-s janë bërë edhe filma prej regjisorësh të famshëm.  Alberto Moravia vdiq më 26 shtator 1990, në banesën e tij,në Romë.Tematika letrare ngasej nga një thatësirë morale, hipokrizia e jetës bashkëkohore,dhe paaftësisë të konsiderueshme të njerëzve të gjetur lumturinë në mënyra  tradicionale të tilla, si dashuria dhe martesa, janë temat në fron në veprat e Alberto Moravia. Zakonisht, këto kushte janë patologjikisht tipike të jetës në klasë të mesme, martesë, në veçanti, është objekt i punimeve të tilla si Mosbindja dhe coniugale L’amore (“Dashuria bashkëshortore”) (1949). Tjetërsimi është temë në vepra të tilla si disprezzo Il (“Shpërfillje” apo “Një fantazmë në mesditë”) (1954) dhe La Noia (“The Canvas Empty”), nga vitet 1950, pavarësisht nga vëzhgimi nga një perspektivë racionale-realiste. Politike tema janë shpesh të pranishme: një shembullështë La Romana (“Gruaja e Romës”) (1947), historia e një prostitute ngatërruar me regjimin fashist dhe me një rrjet të komplotistët. Realizmin ekstrem seksual në La Noia (“The Canvas Empty”) (1960), paraqiti veprat psikologjikisht eksperimentale të viteve 1970. Moravia iku për të mbetur një nga emrat e spikatur të letërsisë italiane dhe një gurë i rëndësishëm në mozaikun e letërsisë botërore.

PASQYRIMI I BËMAVE TË KOHËS NË ROMANIN E RI TË NDRECAJT


Shkruan: Halil  HAXHOSAJ

Preludi
Krijuesi Pal Ndrecaj, u lind më 1960 në fshatin Moglicë të Gjakovës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmin në Gjakovë, ndërsa studimet i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe gjuhës shqipe. Disa vite ka punuar në arsim si ligjërues, arsimtar dhe profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla fillore dhe të mesme. Po ashtu ishte gazetar në të përditshmen “Koha ditore” ku dallohej me shkrimet e tij dhe komente e trajtesa të tjera. Gjatë kësaj kohe u dallua edhe si publicist dhe la gjurmë në krijimtarinë e vet publicistike.Pal Ndrecaj për lexuesin tonë është si njohur si poet e publicist. Ai deri tash ka botuar dy përmbledhje me poezi: “Lule mbi plagë” (1993) dhe “Akti i krijimit” (1998), të botuara nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” e Prishtinës.Poezia e këtij autori ka disa veçori që atë e bëjnë të dallohet për disa nuanca nga poezia e kohës. Duke shënuar këto veçanti, jo vetëm lexuesi, por edhe kritika letrare ka thënë atë që duhej thënë për poezinë e poetit Pal Ndrecaj. Në vargjet e kësaj poezi trajtohen elemente që kapërthejnë në figuracionin poetik, problemet e kaluara, të sotme, por edhe të nesërme të historisë sonë. Duke zbritur në esencën e tematikës për të cilën frymëzohet që të shkruaj poeti, pasqyron atë që është më dominuese, më aktuale, por edhe më elementare për të kaluarën historike të etnikumit tonë. Shenja dhe zbërthimi i kësaj jete merr elemente edhe nga fatumi biblik, andaj nuk është e rastësishme nëse kjo shihet edhe në titujt e dy përmbledhjeve të tij poetike të botuara deri më tash. Poashtu, dalluese dhe esenciale në shtresimet poetike, madje edhe strukturore të poezisë së Pal Ndercajt është edhe figuracioni dhe gjuha e përdorur. Figuracioni qëndron në rangun e përshkallëzimit dhe nivelit të domethënies poetike, ndërsa gjuha poetike e vargëzimit të këtij poeti përkon me nivelin e përgatitjes së tij shkollore dhe përvojës gazetareske e publicistike. Ajo i përmbush me saktësi të gjitha kërkesat sintaksore, andaj është një gjuhë e strukturuar bukur poetikisht.Dhe më në fund krijuesi Pal Ndrecaj doli me veprën më të re letrare në prozë. Ai botoi romanin e tij të parë “Lista e zezë” (botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2010) dhe përmbushi thënien se koha më e suksesshme e shkrimit të prozës, gjegjësisht e romanit, për shkrimtarët, është ajo mbi 40 vjeçare. Mbase këtë element, autori Pal Ndrecaj e përmbush me përpikëri, duke e tejkaluar, madje.Përveç kësaj, suksesin e këtij romani do ta ngritin edhe tematika, fabula, madje forma, zhanri i tij si dhe shumë elemente të tjerë, të cilët do t’i hetojë lexuesi, madje edhe kritika me rastin e leximit, gjegjësisht të interesimit për të.
Përqasja e ambientimit të rrëfimit
Romanit i Pal Ndercajt me titull “Lista e zezë”, vjen në shkrimin e romanit të sotëm me një temë dhe ambientim të një realiteti tejet të afërt, madje edhe prezent bashkë me ne, me të sotmen tonë, por edhe me të djeshmen, që është ende i pranishëm tek pragu pa e mbyllur derën për të ikur. Në tematikën e romanit, pikë së pari, vërejmë se lënda e tij bashkërenditet përmes rrëfimit tejet interesant, të ditës, përplot tragjizëm, rrëfime, ndodhi e të bëma të kësaj kohe dhe të kësaj treve. Harmonizimi i bazës së perceptimit të lëndës, gjithsesi kalon nëpër pleksjen në vazhdimësi të elementeve kriminale, policore, tragjike e të tjera, që janë themelore duke përkuar me realitetin dhe aktin ireal, në këtë rast krijues, të shkrimtarit. Edhe pse në roman dhe ngjarjen e tij kryesore fundekrye kemi të bëjmë me gjërat më të rënda dhe më tragjike që kanë uniformën e kohës në kundërshti, prapëseprapë, në ndërthurjen e saj arrihet të krijohet një vijë lineare, që mund të quhet linja bosht. Vija bosht nuk mbetet e vetmuar, por ajo, madje, ndërthuret me poret e tjera të zhvillimit të fabulës, e cila krijon segmentin e hapur ndaj rrëfimit dhe përqasjes. Korrelacioni i këtillë mëton të rrumbullakojë të gjithë parametrat që burojnë nergut për zhvillimin e fabulës, tash rrëfimit, në përqasje ambientale të kohës si domen i patjetërsueshëm në konfliktin, pse jo, edhe dramatik. Ngjarjet e romanit ndërlidhen krejtësisht të planifikuara dhe kalojnë pa ndonjë pengesë nga njëri skaj i zhvillimit te tjetri, duke u përmbysur dhe kthyer në çdo pozitë e situatë sipas nevojës, (siç është rasti i shkronjës U), por njëherësh ato edhe ngrihen lart, përdridhen, kamuflohen, gërvishten, kurdisen, rrjedhin, ngatërrohen e përshkallëzohen. Andaj, ato si të tilla, kryekëput, i përkasin përditshmërisë sonë, shpalosen një nga një si tragjedi të çuditshme, manifestohen me anë të lakmive e interesave të panumërta, vlojnë si reagim i brendshëm, si vegulli marramendëse, e tjerë, për t’u shkoqitur me anë të fantazisë krijuese të shkrimtarit. Sado që shumica prej tyre janë ngjarje episodike, ato kapërthehen njëra me tjetrën edhe në linjën bosht, por edhe midis skajeve polarizuese. Atëherë, në të vërtetë, duket sheshit se funksionojnë në mënyrë të njëjtësuar, herë duke ndërhyrë herë njëra e herë tjetra, gjithnjë sipas shtysës së fuqishme krijuese e imagjinatave të shkrimtarit, me qëllimin e vetëm që të gatuhet një brumë i rëndë kriminalistik dhe i ndërlikuar. Nëpërmjet kurdisjeve të shumta, përplot makinacione, thyerje, shtresime dhe përgjime, shkrimtari detyrimisht futet me penën e tij nëpër sfera të tmerrshme, të cilat aq sa ngjajnë realisht, po aq na duken të fytyruara dhe po aq i kalojnë kufijtë e njëmendësisë sonë normale. Kjo kurdisje e lakueshme krijohet në ndjesi të thellë dhe lidhet me një botë ku përplasen krimi, dhuna, shpifja, vrasja, urrejtja, lakmia, që nga ëndrrat shndërrohen në zhgjëndrra. Andaj, konkretja dhe abstraktja, e mundshmja dhe e pamundshmja, nuk kanë kufij dallues, madje as përzgjedhës. Tendenca të tilla dhe të përcaktuara për t’u shfaqur gjithmonë në trajtën e një elementi kriminalistik e policor kanë bërthamë të përbashkët. Prandaj, vetvetiu hetohet, madje edhe përcaktohet, sepse rrëfimi i këtillë ka ndërtim të përsosur, të dendur, përplot befasi dhe nuanca. Përmes rrjedhës së tij, shkrimtari ka qëllim që gjërat t’i vendosë në pozita të ngjyrimeve kriminalistike e policore për t’i kamufluar skajet reale me ato tragjike, të kurdisura, të dhunshme e pse jo edhe vdekjeprurëse.Qëllimi i shkrimtarit Pal Ndrecaj është që për këto çështje të rrëfejë kryesisht nëpërmjet formës së rrjedhës kriminalistike në roman si mundësi artistike, ku do të mund të shpërfaqet e gjithë ajo që është thelbësore për zhanrin e romanit kriminalistik e policor brenda kohës dhe hapësirës së caktuar në Kosovën e fillim shekullit XXI dhe në kohën e organizimit e zhvillimit të pluralizmit politik. Poashtu, këtu paraqiten edhe pasojat, lakmitë, e pse jo edhe të bëmat, madje edhe tragjike, të partive politike me rastin e organizimit të zgjedhjeve të para demokratike në Kosovë.
Krimi, kurdisja dhe tragjikja
Pikënisja e krejt dëftimit të krimit, vrasjeve, kurdisjeve dhe të tjerave në roman qëndron në suazat e rrafshit të njohur, madje edhe të fiksuar kohor ( 25 qershori i vitit 2002), me të cilën njoftohet lexuesi. Shkrimtari gjatë vazhdës shtjellon si mishërim kryesor transformimi e intrigës kriminalistike të krimit dhe tragjikes, duke i dhënë forcë më të madhe veprimit të beftë dhe të kamufluar. Dhe, për sa i përket kësaj, duhet thënë se krimi, kurdisja, tragjikja e madje edhe vrasja e vdekja janë jeta bazë e asaj që shihet dhe defilon përreth. Pikërisht në këtë aspekt rrënohet kufiri ndarës ndërmjet kriminalistikës dhe policores që fatkeqësisht gërshetohen sa herë që duhet të krijojnë mozaikun në rrafshe të tilla, duke e shkrirë vijën e kuqe që i ndan në mes. Prandaj edhe në këtë roman kemi të bëjmë me konceptin tipik si te romanet “Shkaba” e “Spiritus” të Ismail Kadaresë, “Thika” i Neshat Tozajt, por edhe tek romanet e Agata Kristit, të Fjodor Dostojevskit, e të tjerë. Prandaj, sipas kësaj, mund të konstatohet se edhe Pal Ndrecaj me romanin e tij “Lista e zezë” bën një paraqitje tejet fantastike të një realiteti tonë, sigurisht për t’i dhënë kuptim sa më të çuditshëm atij. Elementet kriminalistike e policore brenda këtij romani i nënshtrohet një funksionimi të pazakontë, madje edhe me përmasa jonjerëzore. Pothuajse të gjitha personazhet e romanit qysh në fillim jetojnë, veprojnë dhe sillën sipas rregullave të përcaktuara policore dhe kriminalistike, sipas parimit se likuidohet çdokush që di, zbulon, vëren apo hulumton diçka. Kjo formë e veprimit kapërdihet mjeshtërisht, edhe pse pa ndonjë ndjenjë humaniteti e njerëzoreje. Të gjitha ata që janë pjesë përbërëse e kësaj liste të zezë, duhet patjetër, ose janë detyrimisht të obliguar, madje edhe të dënuar, që t’i shpaguajnë bëmat e tyre me jetë. Ky shpagim ka erë të një mallkimi, mosbesimi, tjetërsimi dhe heqje nga rruga e “idealit” të të gjithë atyre që mëtojnë të zbardhin fatin e vet, por edhe të të vetëve. Parimi i këtillë ka tatimin e shpagimit në romanet e këtij zhanri që janë vrasja, atentati, apo vdekja misterioze. Dhe ky epilog, me prolog edhe më të vrazhdë nuk kalon lehtë, nuk rrjedh pa intriga e pasoja që kanë bagazh të rëndë e të papërballueshëm. Andaj, pothuajse të gjitha personazhet e romanit kanë një linjë jetësore të kushtëzuar, madje të njëjtësuar me krimin e dënimin që duhet shpaguar me vdekjen. Kështu Teuta, burri i saj, Avokati, por edhe Urani dhe të tjerët janë të futur thellë në hinkën e kriminalistikës dhe patjetër duhet t’i shpaguajnë të gjitha veprimet me shpagimin më të rëndë, pra me torturën, dhunën dhe më në fund me vdekjen. Parabolat e tilla mbesin të hapura dhe janë të mbushura përplot me tragjizëm. Këto janë përçapje me kurdisjen, pasojën dhe vdekjen. Unaza e mbështjelljes dhe veprimit të rrëfimit sipas kodit policor nuk është i një veprimi dhe as i një linje. Kjo bëhet me veprim e linjë të kurdisur dhe tejet efikase që funksionon me elementin e njëshit, që në këtë rrëfim quhet Shefi, i cili shpesh me bashkëpunëtorët e tij njihen vetëm me pseudonime apo emërtime krejt të thjeshta si ai, ajo, i cili, e tjerë.Vetë titulli i romanit “Lista e zezë” ka në bërthamën e vet një konspiracion të vendosur mbi dy shtylla që e sqarojnë veprimin e fabulës në bazë të referencave artistike, në këtë rast kriminalistike që marrin. Andaj lidhëza “e” që qëndron në mes fjalëve “lista” dhe  “zezë” ndan kufirin e kuptimit të tyre, por jo në gjendje të ngurtë. Në mes kësaj hapësire shtrirëse manovrojnë të gjitha të kurdisurat e veprimit që i hynë në punë shkrimtarit për ta shtjelluar veprimin fabulativ të ngjarjes në tërësinë e saj si dhe të episodeve veç e veç. Dhe kjo gjë ka hapësirën e veprimit policor, kriminalistik dhe të kurdisjeve me likuidime. Kjo gjë mundësohet kur fjala “lista” merr ngjyrimin e zi, pra shtrihet në hapësirën e zezë. Cilësori “e zezë” pas emrit “lista” merr konotacionin e frymës së akorduar me zhdukjen e çdo gjëje që del përpara, ose më mirë me thanë, që bëhet pengesë. Dhe kodet e tilla janë funksionale në faqet e romanit “Lista e zezë” të Pal Ndrecajt.Edhe gjuha e romanit përkon dhe rrjedh nëpër poret e tij duke u bashkëdyzuar me të folmen e personazheve. Bile, kjo gjuhë përshtatet edhe me zhanrin e romanit, por edhe të syzheut, fabulës dhe të tjerave që zhvillohen aty. Andaj, me të drejtë mund të thuhet se edhe gjuha e përdorur në romanin “Lista e zezë” të autorit Pal Ndrecaj është gjuhë e rrjedhës dhe tingëllimës paksa kriminilastike e policore, por i përmbush mirë të gjitha rregullat sintaksore dhe të tjera.Ky roman sigurisht se do ta plotësojë në përgjithësi prozën tonë, por në veçanti romanin me zhanrin e romanit kriminalistik e policor, duke e bërë më të pasur dhe më të avancuar.

Per njerezoren dhe disa mendime te tjera


Nga: Mirela  PETALLI – KAPAJ

 
1- Per njerezoren - Kam veshur me shtresa butesie berthamen e qenies sime. Kohe kam shpenzuar, jam perqendruar, perkushtuar, perkufizuar ne kete nderrmarrje si ne nje pune me grep, ritmikisht, njetrajtesisht. Por, si ne nje pune me grep, ngjeshja nuk eshte kurre e mjaftueshme, sado shtresa te mbivendos, edhe pse terthorazi, duket ende berthama. Ndjej lakuriqesine,e prek ate sa here nje ngacmim i jashtem terheq fillin, zhben tere punen time ne nje moment. Moment i varur ne fijen e mendimit me te cilin une thur. Ndalem te kundroj berthamen e qenies sime te zhveshur. Cuditerisht nuk ka ftohte. Qendron ashtu natyrshem, si nje grua e shtrire ne shtratin e dashurise. 
2- Per Lirine - Mundem, edhe te gerric me thonj ajrin e lirise sime. Lirine qe kerkova, lirine qe e pagova me gjithe cpata te vlerte, me hunden time te gjakosur, por qe ende mbetet hunde. Lirine time qe me tepron. O Zot, mos ju teprofte kurre liria!
3- Per zemerimin - Zemerimi eshte veshja e diteve te festes. Kaq e pacipe, sa nxjerr jashte te perbendshmet dhe fut shtate pashe nen dhe lekuret e mia njerezore. Ndjehem nje qenie e neveritshme, e paforme dhe e erret, kuterboj ere kalbesire. Dhe pas festes kam dhimbje koke si pas nje dehjeje. Sikur te mund te villja…
4-Per dashurine - Dashuroj rrembimshem. Shperthej fishekzjarre. Drite, me shume drite. Verboj me dashurine time.Drita eshte ushqimi im,ndaj kur dashuroj jam e tejdukshme. 
5-Per memesine - Qumeshti eshte i bardhe.Mbaj ne dore nje dhurate teper te cmuar.Me dridhen duart,mendimet, ndjesite. Zot, mos guxo te me kerkosh mbrapsht ate qe me dhe…te lutem!
6-Per miqesine - Po te duash rri, po te duash, prape rri. Marr me nje dore, jap me te dyja. Ma jep doren te kalojme bashke lumin tend, s’ka gje, timin e kaloj dhe vete…
7-Per martesen - Nje pasqyre qe perplas imazhet vazhdimisht, vish rroba sa te duash, ne ke sy gjen te verteten me ulje cmimi, paguaj nje, merr tere dyqanin.
8-Per vdekjen - Une mendoj se e kam pare. Por jo, thjesht kam qelluar aty, eshte e ftohte. Me tej nuk di, une vazhdoj te jem e ngrohte. 

ATJE KU GJITHÇKA PËRQAFOHET PRISHTINÇE


Nga: Sevdije  REXHEPI

Përsëri marr krahët e fluturoj atje ku së pari fluturoi shqiponja, çdo herë me bindjen se do të jetë i fundit shtegtim. Më vonë e  kuptoj se kalkulimi që bëj s’është aspak i saktë dhe  se kjo rrugë mbetet edhe më tej e parafundit.Nën një atmosferë të këndshme që zgjatë për pak ditë, i kthehesh normalitetit, një bote tjetër që të mungon në çdo çast, një botë e qetë dhe me ngjyra. Për një moment  mundohesh të jesh pjesë e saj, me risitë, të mirat e mangësitë dhe e çdo gjëje  që ka ndodhur në mungesën tënde.Numëron miqtë që ikin dhe të tjerët që  janë të zënë nga rutina dhe politika, e disa sosh brenda kohës  sa të nevojitet të pish një makijato, presin me kërshëri të përshkruash pëditëshmërinë në një zonë lufte, mbi të gjitha duan t’a kuptojnë si në shaka se sa përmban një 30 ditësh në plikon e bardhë, pa hyrë fare në detajet që kanë të bëjnë më shumë me peripecitë, ajo që ka rëndësi, frymëmarrja e lirë  e bashkë me të edhe vazhdimësia e ëndrrave të ndërprera?Dhe Ti qeshesh me hapësirën  që të lënë, për të bërë  pastaj një përshkrim aq të gjatë të asaj që i ngjet tregimeve të gjyshërve tanë për luftërat e tyre klasike. Natyrisht makjatot vazhdojnë të gëlltiten njëra pas tjetrës përderisa të shuhet bile pak kureshtja që lexohet lehtë në fytyrat e tyre, megjithatë flas dhe buzëqesh njëkohësisht se edhe buzëqeshja është një mënyrë e veçantë e përgjigjes.Përkundër  anomalive  që sheh në atdhe të lulëzon ndjenja, bëhesh pjesë e gjallërisë dhe kënaqesh me peizazhe që të mungojnë, zhurmë rinie dhe lojë fëmijësh nëpër rrugëngushtat e vendlindjes. Kokëmbështetur në dritare, mendimet lëvizin nëpër vija të gjata tek lidhin qytetet e fshatrat. Bëhesh pjesë e pafundësisë dhe e sheh që Atdheu është shumë i madh, por që mund t’a fusësh në zemrën tënde e t’a marrësh me vete. Ofshama të del nga thellësia e shpirtit si një ëmbëlsi e jashtëzakonshme, se fjalët nuk mjaftojnë të të shprehësh lavën shpirtërore. Ti sheh  veç të bukurën që të plotëson çdo ind të qenies sate.Në kryeqytet, si përherë gumëzhin jeta dhe e sheh vërtetë se sa shumë momente të rrëshqasin nëpër kohë për të mos i kapur më kurrë. Fundja Jeta përbëhet nga Momentet apo jo?Tek ecë bulevardeve të kryeqytetit sheh studentët e gjallëruar, njëri mbase ngutet për ligjërata, tjetri sot do të ketë provim, seç u bëra pjesë e  vrulleve të tyre në çdo lëvizje. Isha e lumtur për ta se ecnin me hapa të lehtë, mësojnë lirshëm, nuk e kanë frikë nëse kanë indeksin me vete. Dikur  sa e sa  u grisën hiç pa faj, jo nga lagështia e kohës por ngase ishin shkruar shqip dhe se aty qëndronte alfabeti i së ardhmes.Mbrëmjeve bëhesh dritë neoni për t’a ndriçuar Prishtinën në zemrën tënde, asnjëherë dritëthyer, betohesh në krahët e saj, se është ajo dritë e syve të tu, të mi, të saj. Ngjitesh me teleferik dëshirash e cep më cep i bie Prishtinës, pastaj të kthehen kujtime të brishta dhe sheh se sa ka ndryshuar, ke ndryshuar edhe ti përveç kujtimeve që kacavjerrën nëpër shkallët kohës.
Qëndrimi në një vend lufte mbase të ngrit në shtat palë qiej për të parë dhe ndier sa të rëndësishme janë të gjitha këto, mbase edhe gjërat më të imta. Një udhëtim me autobus bashkë me njerëz të panjohur duke lexuar çdo fytyrë në mënyrë të heshtur, një kafe me mikun, miken, një takim befasie, një fllad mbrëmjeje apo zëra fëmijësh dhe pa dashje i krahason të gjitha këto me makina të blinduara, shtëllunga pluhuri, zhurma që përsëriten, alarme të pa pritshme, shkretëtirë  të pafund. Përkundër të gjithave, ti me çdo kusht krijon  një oazë të pashtershme brenda teje për të vazhduar më tutje të frymosh, duke i vënë vizë çdo date që ikë dhe thua: I falem Atij.Në këtë kopsht të vjetër të bëhet se vërtetë dëgjon pëshpërima perëndish e kohërash dhe të çon peshë historia. Çuditërisht futesh nëpër rrugë labirinte dhe kërkon të vërtetën, që  as  Gilgameshi s’mundi t’a gjej dot. Vazhdojmë e frymojmë ilirisht mes popujsh të tjerë, në një skaj  të largët, të zjarrtë nga diell e luftë dhe jeta të ngjan në lojë bixhozi.Ditët ikin dhe i merr era për të mos i kthyer asnjëherë të njëjtat. Më tutje ti numëron orët për të arritur përsëri aty ku jeta ka tjetër kuptim. Gjatë tërë rrugës mendja bredh pa pra duke mbledhur kujdesshëm copëzat e shpërndara nëpër stacione të botës gjersa zemra ende rrah me ritme të shpejta.Edhe më tej mbetet Enigmë udhëtimi i ardhshëm për në atdhe, atje ku ndihesh gjallë, ku gjithçka përqafohet prishtinçe. Atje ku Kosova përkund ëndrrat tona dhe lexon pa fjalë mëngjeset nën qepalla stinësh.

Një libër i mirë në kohën e duhur


Nga: Ilir  SEFAJ

Ditë më parë SHKK ”Anton Pashku”e Prishtinës nxori nga shtypi librin publicistik “Bashkëbisedime III” të shkrimtarit, gazetarit, publicistit e poetit, Smajl Smaka.Them një libër i mirë në kohën e duhur ngase ky libër intervistash sigurisht se do të zgjojë kërshërinë e lexuesit, për faktin se në mënyrën e saj më të shkëlqyer, mes kopertinave të saj, ka ngërthyer disa intervista të cilat autori i saj i ka bërë me personalitete të shquara të jetës politike e krijuese, të cilët në opinion shqiptar, por edhe atë ballkanas, shquhen për diskursin e tyre të drejtpërdrejt dhe mjaft parimor mbi çështjet e caktuara politike e letrare, që lidhen direkt me Ballkanin Perëndimor.
Smajl Smakën, lexuesi ynë e njeh edhe si përkthyes e poet mjaft serioz dhe si gazetar shumëvjeçar të Kosovës. Gjithsesi, autori i këtij libri e ka parë të udhës që këto intervista të bëra në kohë e rrethana të caktuara të mos mbesin të shkapërderdhura në gazetat ditore, apo në kujtesën e një numri të caktuar shikuesish që kanë pasur rastin t’i ndjekin në ekranin televiziv, meqë problemet që rrah autori i librit me bashkëbiseduesit e tij, nuk janë probleme ditore, përkundrazi janë fragmente që sigurisht lidhen me epoka të ndryshme dhe si të tilla gjithsesi se meritojnë të mblidhen mes kopertinave të një libri, ngase vetëm në këtë mënyrë këto intervista tejet me interes do të bëjnë rrugëtimin e tyre të sigurt në vetëdijen e lexuesit.Mes kopertinave të këtij libri janë prezent intervistat me shkrimtarët, historianët, intelektualët, të cilët kush më shumë e kush më pak, luajtën një rol tepër përmbajtsor, afirmativ në përpjekjen për një stabilitetet politik në këtë pjesë të Europës, synim i të cilëve ishte ruajtja e një balance në kontekstin gjeopolitik të Ballkanit perëndimor.Personalitetet e intervistuara këtu, në opinion publik shqiptar e rajonal, po edhe atë ndërkombëtar njihen si oponentë të politikës oportuniste të Millosheviqit, dhe “armiq”  të çfarëdo tendence tjetër shtypjeje që gatuhej në kuzhinat e diplomacisë serbe dhe jo vetëm serbe, e që kishin synim destabilizimin e rajonit.
Postulate me interes 
Libri hapet me intervistën e Abdullah Sindranit,  shkrimtar e intelektual boshnjak i cili njihet për qëndrimin e tij opozitar karshi politikës serbomadhe, në veçanti të asaj pas vitit 1990, kur ish-Jugosllavia bie në duart e kasapit Millosheviq, shkaktar i një terrori të paparë në Europën perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore.Duke jetuar në realitetin e trepushtetit etnik të Bosnjës, ky intelektual i shquar boshnjak me mjaft përgjegjësi citon drojën e gjeneralit Atif Dudakoviq i cili thoshte se: “Lufta ka mbaruar vetëm për ata të cilët në të janë vrarë!“.Intelektuali Sidran, ashtu sikurse edhe pjesa më e madhe e qytetarëve boshnjakë shfaqin pakënaqësinë me mënyrën e përmbylljes së çështjes së Bosnjës, të cilën gjithsesi më tepër do konsideruar si të hapur ende.Libri “Bashkëbisedime III” nuk do ta kishte peshën e tij të madhe, sikurse jashtë kopertinave të tij të lihej intervista e realizuar me historianin e shquar shqiptar, Arben Puto, i cili jep detaje me mjaft interes rreth rrugës së gjatë e të mundimshme të krijimit të shtetit shqiptar. Ishte pra kjo rrugë e shtruar me gjemba hekuri mbase, e cila falë një përpjekjeje të jashtëzakonshme të intelektualëve shqiptarë të mbledhur rreth një ideali, me në fund rezultoi me krijimin e shtetit dhe identitetit kombëtar shqiptarVargu i personaliteteve të intervistuara këtu është tejet i gjatë, megjithatë libri mund të lexohet me vetëm një frymë, e kjo falë gjetjes mjaft të mirë të autorit Smaka, i cili në pyetjet e tij është tejet konciz dhe i qartë rreth asaj që kërkon nga i intervistuari, dhe falë këtij konciziteti ka arritur ta mbajë të paluhatur kërshërinë e lexuesit të supozuar.
Shikuar nga një prizëm tjetër, librin “Bashkëbisedime III” të Smajl Smakës do konsideruar të rëndësishëm edhe për faktin se personalitetet e intervistuar këtu, jo rrallë janë ballafaquar me “plasaritje” rreth konceptit të tyre intelektual, duke u konsideruar si persona jo konsekuent në pikëpamjet e tyre politike e intelektuale, përkundër thënies që unë do ta konsideroja antologjike të Filip Davidit, intelektual e shkrimtar i talentuar i cili ndër të tjera thotë: “Intelektuali i mirëfilltë është kritik ndaj çdo pushteti”.Pra, alfa dhe omega e një intelektuali të mirëfilltë është kritika ndaj secilit pushtet sado demokratik që do të mund të konsiderohej, meqë vetëm një kritikë konstruktive, e mbështetur në argumente do të mund të bëjë saldimin e plasaritjeve të cilat ndikojnë në rrugëtimin e një shoqërie në kontekstin e brendshëm politik, po edhe në atë të gjeopolitikës.Gjithmonë në këtë linjë, jam mëse i bindur se kureshtjen e lexuesit do ta ngacmojnë edhe intervistat e tjera të bëra me personalitete të dëshmuara të hapësirës së ish-Jugosllavisë, dhe të Shtetit shqiptar të cilët me veprimtarinë dhe krijimtarinë e tyre, dëshmuan se edhe në periudhat më të errëta të historisë së kombeve, ka të tillë që predikojnë paqen, lirinë, njerëzoren. Sigurisht, autori i këtij libri më shumë se tjetër, ka dashur që këto postulate të të intervistuarve të tij të mbesin brenda kopertinave të librit, ngase vetëm në këtë mënyrë do ta bëjnë rrugëtimin e tyre të sigurt dhe do të përçojnë mesazhet e tyre autentike tek brezat e ardhshëm.Përfundimisht, në kohën kur në jetën tonë kulturore e artistike janë të shumtë (për të mos thënë të tepërt) botimet e librave, pastaj promovimet me pompozitet të këtyre ”krijimeve” që rëndom marrin lëvdata kuturu e të falsifikuara, librin “Bashkëbisedime III” të gazetarit e publicistit Smaka e “gëlltita” me vetëm një frymë dhe me kënaqësinë më të madhe; ngase ky libër intervistash, sikur mëton thyerjen e këtij shablloni kulturor me të cilin karakterizohet Kosova sot.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...