2011-07-09

Poezi e përshtypjeve dhe përjetimeve reale


vehbi_miftari_thmbVështrim kritik rreth permbledhjes poetike  “Muret nuk mjaftojnë” te Vehbi Miftarit, botoi “Buzuku”, Prishtinë, 2008
Nga: Esat  VATOVCI
Studiuesi dhe kritiku i letërsisë shqipe, Vehbi Miftari, është dëshmuar edhe në fushën e poezisë, të cilën e shkruan me shumë pasion dhe me shumë shkathtësi prej poeti të rrallë. Sikur në librat e tij të mëparshëm, edhe në vëllimin poetik “Muret nuk mjaftojnë”, Miftari ka dëshmuar se poezinë e ka në shpirt dhe se frymëzimet e tij për të shkruar burojnë nga vet jeta e përditshme, nga ngjarjet, përjetimet dhe përshtypjet e tij. Në këtë vëllim poetik është pasqyruar një jetë plotë vuajtje, sakrifica dhe peripeci të shumta të popullit, që në mënyrë mjeshtërore ka arritur Miftari ta paraqes, ashtu siç janë apo siç kanë qenë në të vërtet.
          Vobektësia, mjerimi dhe vuajtjet e njerëzve që s’kanë, prekin thellë zemrën e poetit, duke bërë kështu që ai nëpërmes poezisë së tij të trajtojë edhe këtë temë, që sigurisht në rrethanat e tanishme është një temë më se e pashmangshme në përjetimin e secilit që jeton në kohën e tanishme. Miftarin e prekë thellë kërkim mëshira e të vobektëve, të cilët në pamundësi të sigurojnë ekzistencën e tyre në ndonjë mënyrë tjetër më të favorshme për ta, dalin rrugëve dhe kërkojnë lëmoshë, dhe mëshirë që të mbijetojnë. Në këtë rang ai futë edhe fëmijët që në moshë të vogël shfrytëzohen nga prindërit e tyre për të shitur cigare rrugëve dhe kafeneve të qytetit, duke shkelur kështu mbi ndjenjat e tyre të pastra fëmijërore, duke ua humbur krenarinë që kanë në moshën e tyre dhe duke ua shkelur të drejtat e tyre që kanë për të qenë të lumtur dhe për të bërë një jetë sa më fëmijërore që atyre iu duhet dhe iu nevojitet si të vegjël që janë. Sipas autorit, ata dalin në pozita të vështira, përjetojnë shumë poshtërime dhe preken në sedrën e tyre qysh në moshën e vegjëlisë dhe në këtë mënyrë paraqesin një nga mjerimet më të mëdha që mund t’i ketë dhe t’i përjetojë një popull duke i shfrytëzuar fëmijët si furnizues dhe mbajtës të familjeve, kurse ata kanë detyra dhe punë tjera të kryejnë, siç është shkollimi dhe edukimi i mirëfilltë i tyre.Po ashtu, një temë tjetër që trajtohet në librin “Muret nuk mjaftojnë”, është edhe tema e vdekjes, problemi i së cilës, sipas autorit, preokupon një nga kryeqytetet ballkanike, e bashkë me të preokupon edhe vet autorin, i cili duke portretizuar një plakë e cila lutet për një copë tokë për të vdekurin e saj, bënë që autori të ndjejë një nga përjetimet më të rënda në jetën e tj, ku në mënyrë të padrejtë dhe absurde nuk gjendet ndonjë vend i lirë në varreza për të varrosur një të sapo vdekur.
          Libri poetik “Muret nuk mjaftojnë”, është i ndarë në tri cikle: “Jetë e përditshme”,“Gjërat më pëlqejnë” dhe “Ëndërroja të kisha një dritare”, ku secili cikël përmban një pjesë të jetës së përditshme të autorit, përjetimeve të tij që nga fëmijëria deri në ditët e sotme, peripecitë, vuajtjet e tij, e po ashtu edhe vuajtjet, problemet dhe sakrificat e një populli të tërë.
          Me anë të poezive të tij në këtë vëllim poetik, Miftari është munduar që të paraqes një jetë sa më reale dhe në mënyrë të saktë dhe konkrete të pasqyrojë mënyrën e jetesës së shtresave të caktuara të shoqërisë së popullit të tij. Ai haptas ka shfaqur preokupimin e tij pasi që shoqëria ndahet në shtresa të varfra dhe ta pasura, pastaj e brengosë vuajtja e vazhdueshme, apo siç shprehet ai, errësira që vazhdimisht mbretëron në të dhe frika që kanë njerëzit nga errësira në shtëpitë e tyre. Me këtë ai lë të kuptohet se njerëzit janë gati shpresë humbur dhe krejt ajo prej së cilës ata frikësohen është se jeta e tyre po kalon në një errësirë të vazhdueshme dhe të llahtarshme për ta. Veçori e këtij vëllimi poetik është se secila poezi përmban në vete një mesazh, një porosi të qartë për lexuesit, që të vë në mendime, shpesh edhe të kthen në një kohë shumë mbrapa, të bënë të kujtosh me nostalgji një përjetim që gati secili e ka kaluar gjatë jetës së tij, një jetë plotë sakrifica dhe plot mundime.Tipar tjetër dallues i këtij vëllimi poetik është sepse poeti e ka vënë veten në sprova të ndryshme përmes poezive, apo ka dhënë tablo shumë interesante, të dhimbshme dhe rishtuese të përjetimeve të tij, apo edhe të njerëzve të ndryshëm në këtë jetë.Në një mënyrë të veçantë ai ka paraqitur një sërë gjërash që ai i ka në qejf, i pëlqejnë dhe që janë shumë të ndryshme nga gjërat normale që të tjerëve iu pëlqejnë. Ai bënë një lloj dallimi në mes shije së tij të veçantë që ka, dhe shijes së njerëzve tjerë, që pëlqejnë gjëra shumë të thjeshta ndoshta, apo gjërat që mund të thuhet se gjithsecili i pëlqen, përveç atij. Gjithashtu, ai ka vënë veten në pozita të vështira, apo ka theksuar përjetimet e tij në mënyra të vështira jetësore, duke bërë që për një moment ai nuk ka dashur dhe nuk ka menduar për asgjë tjetër në këtë botë, vetëm të ketë një dritare prej nga do të mund të kishte një dritë me të cilën do të mund të shikonte. Një dritare, prej nga do të mund të merrte pak ajër, një dritare prej nga do të mund të merrte fije shprese për jetë.Poezia e Vehbi Miftarit është vet jeta e tij, përjetimi i tij ditor, përjetimi i tij emocional, është pasqyrimi real i një jetë të jetuar, i një sakrifice dhe i një vuajtjeje të vazhdueshme dhe i një brenge të thellë të autorit për të gjitha ato që i i sheh dhe që s’i pëlqejnë, i të gjitha atyre që i pëlqejnë dhe që ëndërron t’i ketë.

Nje stacion për Shën Dashuritë



librI-ilirianesNga: Gezim  LLOJDIA
1. Mozaik Letrar
“Po plas “ me autore Iliriana Sulkuqi mozaik letrar . Është një ndërthyrje të ese, skica, tregime , shkrime , kritikë, intervistë, letra, mesazhe . Është fryma e fundit e nje krijimi bashkohor . Në thelb është një mozaik i rrallë xhevahirësh i punuar nga dora e një mjeshtre të letrave shqipe . Iliriana Sulkuqi me krijimet e fundit ka bërë vend në letrat shqipe . “Po plas ‘është edhe forma e re ku ndërthuren të gjitha gjinitë e krijimit është një libër i pasur me vlera . Klithmat e një ndritareje në vetvete përmbledh një gjeografi të gjerrë pa përmasa katundesh, qytetesh, shtetesh , apo detra pa mjegullina . Nëse në suprinën e një deti arrin të rrokësh me sy të thjeshtë  xhevahirët në fundin e tij atëherë këtë provë mund ta bëshë me librin e poetes :” Mozaik letrar “.  Atmosfera që lindin befasisht , festa që tronditin metropole, tituj , promovime,  kuturisje vjeshte, përmallime , krisje qelqesh dhe fjalësh , lotë , pikëllime  ,mesazhe të nisura , ëndërra , intervista ,poezi . Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda vargut lëviz fjala e ëmbël e penës së Ilirianës.
2-Duke u nisur nga një stacion për  Shën dashuritë .
Duke u nisur nga një stacion për  Shën dashuritë . Kur shprehet poetja që të gjitha festat janë të bukura .Kanë të vecantën e vete domethënie ,tisin e virgjër të lindjes së tyre,pra ajo që në thelb është dashuri dhe vret më shumë  . Duke u nisur nga shenjtërimi për autorën dhe prore për njerëzinë dashuria e përfituar në një ditë dashurie është e madherishme ,ndërsa ke të shënuar Shën Valentin . Historit se si dhe përse u krijua nga tharmi biblik mbesin ,por ajo që nuk shlyhet është dashuri e shenjtëruar . Këtu nëse do të isha pak Dritëro do të shkruaja , “plugu i poetes” po “grish brazdën “e parë të publicistikës ndoshta nga më të mirat në vjetët e fundit .Nuk ka skërka tokë e tharë por është ugar e shkuar ugarit biro . Brazdat të kafenjta palosura ndë anë . Letrës së paradhur që në vetëvete është një lloj ese e mbrujtur me shumë me kujdesë . Unë shikojë me qetësi se cështë mëngjesi i lodhur . Që në fillesë kuptoj se përse është hequr dhe po vuan shpirtërisht  poetja . Kafen se ka pirë sapo ka dalë nga thellësia  e oqeanit ku kishte vite të tëra  e haruar nga vetë Zoti . E di që thotë të vërtetën . Përse zonja Shën Mëri hakmerreni  me ne kështu u ankua xhivari i Kunjovës kam shkruar në një vargëzim ca muaj të fundit . I la të thaheshin dhe tu binin tërër rrebeshet e botës , xhivarit tonë asokohe të Kunjovës . Ka një shpengim në të tërë dhe lirshmëri pena e Ilirianë   kur  shkruan , apo përshkruan dasma e rrëfimi i jetuar, tregimi ishulli i të pafatit . Në kohë emigrimi zunë ullishtat e botës dhe i tundinin me purteka për të rrëzuar ullinjtë . Në ishujt e fqinjit ullishtat kishin mbajtur tërë kokërat , për ti vjelë fukara fakiri ardhur nga shteti , ku pëllciste miu dhe kokën thyente , në dyqanet e shtetit fukara . Si e kam përshkruar këtë mot ikjesh nga vatani i tyre ? C’histori kanë emigrantët ,bijët  e shqipes ,që u shpërndanë si zogjë të korbit në prishjen e diktaturës . Madje do të thoja se aty nga ajo kohë kur humbëtira e madhe ujore dhe qyteti në këmbët e tij, llapashitej nën kapotën ushtarake. Të kohes.Njerëzit e ngritur me sytë e përgjumur nën cigrimën e atij dimri,kërkonin rishtazi një cop truall të ri.Mars,’91. Regjistrohet kohë e ftohtë,në të gjitha buletinet metrologjike. Frymorja e përditshmërisë së qytetit ishte shtuar. Copëra nga bisedat, që ndeshje në rrugë: Kanë filluar të nisen anije për në Itali… Kështu ëndrra për një troll të ri, perëndimin e shpresës, mbeti dhimbje, mbeti kujtim i shndërruar tash në rrëfim. Për ata , që si varr u mbeti deti , streha e fundme e tyre vendi ku ish ngjizur dhimbja , gëzimi, dëshpërimi, ëndrra, frika, dhe vdekja në fund . Kështu,kujtimet e dhjetëra shqiptarëve, që i mori deti,vijnë tek ne dhe mbijnë përherë të reja në tokën e shpirtit tonë. Një lutje prano ti udhëtar i detrave ,aty hidh një lule,se për të mbritur këtu në vendin tënd , ata rrugët i shtruan me gjak . Mirëpo kjo ishte Otrantoja që binte më shkurt nga qyteti ynë . Poetja ishte diku tjetër . Në fqinjën  e jugut . Si gjithë emigrantët . Poetja shpenguar thotë se nuk shkoi si turiste  por si emigrante . Befasisht më zë syri një krijim për ditën kur ajo shkoi tek manastiri i shenjtë . Atje ku shkojnë vetëm meshkujtë . Por aty ka bërë një vizitë zonja Shën Mëri. Nuk ka kufi ndarës për poetët as doganë . Bëri udhë poetja për të shkuar tek vendvarrimi i Kazanzaqit . Tek ullinjtë i thjeshtë me një simbolikë . Erë dhe ngricë, frymë poetësh zgjohet . Atje për ku ishe nisur :Mirëvafshë! Nuk flene poetët . Gjegjësisht të paoksidueshme nga koha . Dhe të pavdekshëm sigurisht . Cfarë është pika e hënës përmbi lotimin e një poeti ? Hëna e bronxtë. Përveçse dritë pikon në shpirtëra. Ndriçon    mistere. Eshtë  një habitat i çuditshëm ku enden, zogjtë shtegëtar të andejshëm. Ndërkaq në vetvete, unë dua të mbeten i bindur se ky diell i majit, ka më tepër zjarr. Në të vërtet ky diell kërkon të lulëzoj, shpirtin e ngecur të një trëndafili. A ka fund horizonti  i shtrirë ball shkëmbit-pyes ? Duke udhëtuar nëpër faqet  e librit gjenë poezinë ,  publicistikën , esen , tregimin e shkurtër,rrëfimin pra  gjitshka , që qarthojnë gjinitë e letrave shqipe .
3- Intervistat
 Intervistat që janë vendosur në këtë libër janë copëza ose perla të vogla sepse në vetëvete mozaiku nuk bënte pa ato . Njërën prej tyre e kam dëgjuar nga goja e autores.Fjala bie për Dr Harxhin .Aso kohe gjëndej në fill të perit në një shtet të huaj , një poet shkruan se ishte sulmuar prej mortjes . Në mëhallën tonë mortja pritej kështu:”Cirrja, klithma. Plakaria uluriste në kor , në mëhallën tonë.C’farë është mortja ?E largët. E shurdhueshme. E tmershme. Me zëra vuajtjesh. Ulur përmbi heshtjen. atje ku pabesia të zë pritë. Mirëpo. Në ç’qiell ndodhet Zoti? Në qiejtë e Zotit . E pamatshme,por e pafundme.E pavdekshme,por e gjithkundshme. Ndriçimi qiellor i Perëndisë. I dha frymë jetës së saj për të sjell : Të nxjerrësh dritën kuptohet zbritja e së vërtetës. Pra drita është qartësimi. Është zbardhja e të fshehurës pas mjegullave. Drita e Zotit : E vërteta , mirësia , urtësia , bukuria të rrojnë tek Iliriana . Autorja ka përmbledhur intervistat , që i janë bërë nga reporterë të medias . Gjuha e tyre e pasur shqet më tepër se një kuptim i zakonshëm . Promovimet . Më kishte shkruar njëher se në kompjuterin e saj kishte disa file me të gjitha që nga letrkëmbimet një lloj epistolari promovimet për librat e saj deri tek cmimi i fundit në vendlindje nga bashkia Elbasan . Një promovim të librit të saj organizuam në Vlorë . Iliriana e ka përmbledhur këtë në libër dhe pas saj ka edhe letërkëmbimin me familjen timë . Ka qënë nëse nuk gaboj 2007 si vit dhe dimër sigurisht i acartë . Shkova në Tiranë ditën që Iliriana bënte promovimin e librit . Kur ju afrova mikrofonit dhe thash se vija nga Vlora ajo tha se cfarë suprize .  
 4. Erdhi poetja .
 Një hapësirë kilometrike pa gurë ndarës . Fillojnë në mesvedi krijimet . Ashtu si vijnë në kohë migrimesh të mëdha gjiththarë lejlekësh në lagunën e jugut .Aty lënë gjithshka , që kanë me vete pendet , bardhësin dhe në fund bukurinë . Kur vakti i ikjes i thërret dmth këmbana emigrimit ulurin u bashkohen me turmat e stërmëdha për të shtegëtuar diku dhe larg . Edhe me poetët si në një ritual të hershëm , të lashtë , ndodh ardhja dhe emigrimi . Ngjalat në lagunën tonë migrojnë deri në ujërat e Amerikës Latine atje shtohen dhe ngordhin ndërsa të vogëlat e tyre kthehen në ujrat ku u  rrit mëma e tyre . Nuk e harrojnë për asnjë motiv vendin ku duhet të shkojnë . Kthehen gjitheras. Erdhi poetja .
5. Ka ardhur poetja
 Ka ardhur poetja nuk është një vargëzim poetik . Ka ardhur Iliriana . Që kur u duk në hyrje Bradasheshi ,pasqyrimi në qelq ishte disi më i trazuar . Drurë lakuriq peisazhi . Me një mercedez gri vështrojmë  luginën dhe rrjedhen e Shkumbinit .  Ecim nëpër autostradën e ngushtë,gri . Elbasani më zgjon ëndërrn , në mëndje kam këngët e Isuf Myzyrit . Një shtrirje interesante e qytetit . Dhe deri në kodër .Ku gjëndet kinemaja e qytetit , kemi lënë takim të shihemi me Ilirianën . Është ftohtë . Ndërsa dielli shfaqet paqësisht . Ne vinim nga jugu .Deti ishte fare i qetë kur ikëm . Briza detare skishte filluar . Me Myrteza Marën , kryetar i shoqatës së shkrimtarëve   “Petro Marko “ telefonojmë në mobil Ilirianën . Zëri i Ilirianës . Takohemi tek kino . Kinemaja ishte përball shumëkatëshit në qëndër të qytetit . Iliriana priste atje .U takuam tash në qytetin e saj .Me Ilirianën ishte një poet .Quhej Milianov Kallupi dhe kush nuk e njihte ,patriakun e haikut shqiptar . Ngjitemi sipër sqaroi Iliriana, të sodisim Elbasanin. Sipër shumëkatëshit një kullë lëvizëse . Elbasani prej pikës më të lartë në qëndër të tij ishte një qytet bashkohor .Banesat  karaktristike me tjegullat e kuqe ,shtrija deri në rrëzë të kodrinave andej përkonte me lindjen . Elbasani është i vendosur midis gjerësive gjeografike veriore 41° 27′, jugore 40° 10′, lindore 20° 34′ dhe perëndimore 19° 03′ dhe ndodhet në një lartësi mesatare prej 125 m mbi nivelin e detit. Ai shtrihet në fushën e Elbasanit, në krahun e djathtë të rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, i rrethuar në lindje nga Krasta e Madhe dhe e Vogël, në veri dhe veriperëndim nga kodrat e Ullishtave, në perëndim nga përroi i Zaranikës, në jug kufizohet nga lumi Shkumbin. Në anën perëndimore të qytetit kalon përroi i Zaranikës dhe nga lindja ai i Manazderies. Kalaja .Nuk kam parë një monument kulture kaq të bukur nga ajri . Edhe kur shkuam për kafe në lulishte ku ishin ca lokale komode ,zhytur në gjelbërim  në katet sipër loklae dhe poshtë muze i hapur gjetjet arkeologjike .Një befasi që ndërthurte shumë element , gjelbërimin ,bashkohoren, të shkuarën historike , bukurinë ,luksin ,traditën .Të këtill pamje përputhen me shqiptimin se thellësia është pafundësi . Jemi tre dhe bëhemi gjashtë në një tryezë në kullën lëvizëse . Kafen e filuam në veri të Elbasanit dhe e sosëm në perëndim . U shtuan Kujtim Agalliu përkthyes ,njeri dede, shpirt mirë themi në jug. Kishte përkthyer edhe Ilirianën në librin  e fundit,  që kishte dicka me galaktikën por fliste për qirinjtë ndezur të saj . Më pleqeu shumë poeti Milianov Kallupi . Ishte i mencur si gjithë poetët . Më dhuroi dy libra . Kishte shije .Filluam bisedën për bektashizmin . Milionovi kishte shkruar për Tomorrin një libërth i këndshëm që më pëlqeu sepse sillte aty atmosferën e malit në ditët e shenjta të tij .Kishte një poezi të lezetcme . Thashë më sipër patriak  po është .Haiku shqiptar ka udhërrfyes Milianovin , ai sjell këndshëm haikun nuk bie ne prozaiëm e bënë vargun të lexueshëm . Kishte njohuri kulturë ishte bashkohor . Sigurisht që në thelb edhe te ky poet shqova ngjizje  me dehje qielllore që  është udhë përtej horizonteve tona . Sidoqoftë kjo udhë shpirti ka dalje autostrade e parfumosje qiellore, ndriçimi më i madh në errësira të largëta. Iliriana shkonë tek e ema dhe kthehet me librin time “Dielli lind atje ku perëndon”,nëna ime e lexon gjithë kohës dhe e mbanë tek jastëku .Aty flitej për bektashizmin shqiptar . Zumë poezinë ,vërtitemi tek bashkëpunimet që mund të kemi mes krijuesve . Iliriana tregon se ka përgatitur librat ,një do të ket firmën e Egnatia pra të shtëpisë së Milianovit .  Zbresim nga shumkatëshi .Unë kërkojë të shikoj kalan ndërsa shkojmë drejt saj . Kalaja e Elbasanit thuhet në një studim është një ndërtim romak, ngritur si një kështjellë ushtarake për strehimin e një legjioni dhe për të siguruar kontrollin e rrugës Egnatia, që në atë kohë ishte një arterie e rëndësishme e Perandorisë Romake.Luftërat barbare gjatë shekullit IV dhe V të erës sonë sollën shkatërrimin e kështjellave, dhe u desh dora perandorit bizantin me origjinë Dardane Justinian, që e rindërtoi kështjellën mbi themelet e vjetra. Sot ruhet vetëm porta jugore e kalasë. Ne hymë nga perëndimi . Një muze vërtetë me interes . Gjetje arkeologjike që i përkasin shekujve vendosur në katin e poshtëm ,sipër dekoracioni është mahnitshëm . Dhe tradita tek veglat muzikore . Në mëndje kam Isuf Myzyrin . Jemi pesë krijues të ambienti i kalasë . Qëndruam deri në mesditë .Shetitëm bëmë foto . U kthyem .Duhej të shkonim . Mes miqësh orët nuk ndjehen . Në të vërtet,pa bërë hasha do ta themi mes miqësh minutat vrapojnë cmendurisht . Tek shumëkatëshi ku kemi lënë mercedesin . Takohemi do të shihemi ,mirëpo në cilën ditë ? Atherë lamtumirë miq të mirë .Kur do të shihemi më poete ?Sdihet shpejt në Tiranë më tha . Nuk u takuam dhe më mbeti peng .Kur do të shihemi ?Kjo pyetje si luzmë,ka kohë ,që më rëndon në shpirt.Vazhdimisht cepat e saj zgjaten.Është një lloj treguesi për shkumbëzimin e valëve . Do të shihemi në qytetin tim .
 Vepra të autores:
“Me kerkojnë sytë e nënes’(1974)
- Te’ fala stinëve nga une?”(1988)
-”Të jesh grua”(1990)
-”Do të jetoj”(199ë)
-”Trokit e zgjo”( “Egnatia”- 2000)
-”Ma vrane Ofeline!… – italisht-shqip( Toena-2000)
-”Per një moIIë që hëngri Eva…”( Prishtinë 2002) –
-” Shihemi në sy” (2002)
-”Pulëbardhe në det’ të zi”( “Ilar”2002)
-”Lirika” (Medaur-2003)
“Hajku”- bashkautorë (“Egnatia”-2004)
-”…Më kërkon falje” (Arbëria-2004)
-”Poezi” (dy Libra në Një) , “Snaj”-2007
-”Qirinjte e galaktikës” Shqip-anglisht (ADA -2009)
-”Po plas” (Egnatia 2009)

Mbi kritikën letrare!



ilir_sefaj_09Shkruan: Ilir  SEFAJ
“Kritika është një punë tjetër dhe ca më e vështirë. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një veprë nuk arrij të kërcej e të çfryj: duhet të çfaq përset’ e  pëlqimit a të çpëlqimit t’im, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua”- F. Konica
Krijimet e caktuara letrare dhe jo vetëm letrare, gjithnjë i ka përcjellë edhe kritika mbi to. Nëse iks krijuesi është shfaqur para lexuesit (dëgjuesit, shikuesit)  me një libër, këngë, skenar filmi, regji e të tjera aktivitete si këto, është ballafaquar edhe me vlerësimet që janë dhënë mbi krijimin e caktuar. Ky është në esencë qëllimi i parë dhe final i kritikës.
 Me termin kritikë, në një përkufizim më të përgjithësuar nënkuptojmë; vlerësimin. Pra, pse është i mirë ose pse ka vlera një krijim i caktuar dhe e kundërta, pse nuk është në nivel ose pse është pa vlera një tjetër krijim i caktuar.Meqenëse përkufizimi; mbi kritikën, është paksa i përgjithësuar, dhe duke e pasur këtë epitet kërkon një përqasje më përgjithësuese shumëdimensionale, ne sikur do të ngushtohemi paska.Do flasim mbi kritikën letrare bashkëkohore shqiptare, gjithnjë në linja shumë të ngushta, meqë edhe kjo aventurë kërkon goxha përkushtim, përgjegjësi e njohuri. Faktikisht formulimi ‘mbi kritikën’ më shumë mëton të jetë i natyrës polemizuese, inicuese në kuptimin e asaj se kah po shkon kritika letrare sot…Libra janë botuar gjithnjë, botohen edhe sot. Po ashtu gjithnjë ka pasur krijime të arrira, deri-diku të arrira, dhe të paarrira. Mirëpo, kritika letrare shqipe sot (sidomos në Kosovë), sikur e ka marrë një dhe të vetmin drejtim, mendoj se mungon një përqasje më objektive ndaj krijimeve të caktuara letrare, në mënyrë që kur të flasim për letërsinë nga lexuesi eventual të konsiderohemi/ perceptohemi më kompetent! Shumë kritikë të letrave shqipe sot, sikur e kanë harruar formulën me mjaft domethënie te babait të kritikës sonë, Faik Konica, i cili kur fliste për kritikën letrare ndër të tjera thoshte: ”Lyrismi nukë ka punë me kritikën”. Gjithnjë sipas kësaj formule, mendoj se duhet bërë ndarjen/ dallimin e veprës letrare nga krijuesi i veprës letrare dhe kritiku i veprës letrare, në kuptimin emotiv të tyre, ndërsa në kuptimin e përqasjes (shih. procesit vlerësues ndër-lidhshmërisë) gjithsesi këto të tria janë të ndërliksura, dhe vetëm si të tilla japin plotninë e tyre.
Meqenëse kritiku konsiderohet si njeri më kulturë të gjerë letrare, shenjat e objektivitetit duhet të jenë prezent në formulimet e dhëna mbi veprën letrare, përkundër asaj se nga  recipienti i mundshëm çdo formulim konsiderohet vetëm një përshtypje, nëse shprehemi me terminologjinë e estetikës.Sidoqoftë, jo rrallë ka ngjarë që krijime me një cilësi shumë të varfër kanë fituar epitetin e diçkaje shumë të arrirë, dhe me këtë fjalor nuk kontribuohet për letërsinë, për artin në përgjithësi, përkundrazi vlerësime të tilla e shpijnë artin në vulgarizim, në kuantitet duke shtuar epshin për t’u marrë me krijime letrare edhe njerëz që nuk është fushë e veprimtarisë së tyre, apo njerëz që nuk e ndjejnë në palcë një nevojë të tillë.Formulime si; një vepër e shkëlqyer, e përmasave universale, kryevepër, vepër model, temë e virgjër, postmoderne etj,,etj..kam përshtypjen se janë ekzagjeruar aq shumë sa që kanë kaluar në banalitet.Nuk krijohen çdo ditë kryevepra, nuk mund ta marrë epitetin e “veprës model” secili krijim, secila vepër..Përfundimisht, kur flasim për kritikën letrare shqipe sot, flasim për kritikën e mikut për mikun, përderisa  do të duhej te flitej për kritikën e studiuesit për veprën….

METAFIZIKA FILOZOFIKE E POEZISË MODERNE



ora_e_paqesNga: Shefqet  DIBRANI
Poezia e Rainer Schulte-s,është poezi tipike e mendimit të thellë, përkatësisht poezi e logjikës. Nëse thuhet se gjuha gjermane është “gjuhë e logjikës!”, atëherë mund të shprehemi se poezia e Schulte-s ka logjikën si synim parësor. Po ashtu dihet se atdheu i këtij poeti, Gjermania është trualli që ka rritur filozofë e shkrimtarë të mëdhenj, kurse ndikimi i filozofisë dhe i letërsisë gjermane historikisht është i pranueshëm, sepse shumë filozofë e shkrimtar të njohur gjerman ndihmuan në formimin e filozofisë  dhe letërsisë perëndimore, dhe pa dyshim edhe te poeti Rajner Schulte.Prandaj mund të konsiderojmë se në vazhdën e konkurrencës filozofike nuk kanë mbetur mbrapa  edhe zhvillime e tjera kulturore, veçmas konceptet letrare, ku shkrimtarë të tërë kanë bërë nam dhe kanë lënë famë në këtë fushë, duke e pasuruar literaturën gjermane me vepra që kanë pasë ndikim të pashmangshëm edhe në rrjedhat e letërsisë Evropiane dhe më gjerë. Në kuadër të kësaj gurre të pasur, (edhe pse jo ndoshta i këtyre përmasave?!), në planin letrar e shohim tërë krijimtarinë letrare e poetike të Rainer Schulte-s, (gjermanit të amerikanizuar sipas gjuhës së re moderne), i cili që prej shumë vitesh jeton në Dallas të Texasit.Ai është redaktor i njohur, profesor universitar dhe drejtues i Institutit Goethe pranë Universitetit të Teksasit në Dallas (UTD). Janë këto disa nga vlerësimet që na shtyjnë për të besuar se koncepti i poezisë që ai krijon, sikur ka marrë konotacione të poezisë me një logjikë filozofike, ku poeti me sukses ka provokuar mendjen e lexuesit duke e detyruar atë të mendoj për mesazhin, idenë dhe porosinë filozofike që përcjell poezia si tërësi tematike e motivore.
Si duket forma e lënies pezull të një koncepti a mendimi poetik, sikur ka për qëllim të nxit lexuesin për ide të reja, që atë ta kthen në një mendimtar, ose së paku Schulte ka për qëllim që të edukoj lexuesin si një vëmendje e arsyeshme, që mendimi i tij të jetë sa më racional dhe më i kompletuar drejt zbërthimeve të nocioneve teorike në njërën anë, kurse në anën tjetër më duket sikur ai, qëllimisht e ka lënë të hapur mundësinë e interpretimit të dyfishtë në poezinë e tij.
Poezia e Schulte-s (sa do që ai jeton në Amerikë), ka një ngjashmëri me poezinë e sotme gjermane, dhe ky vend sikur ia ka bërë shtratin e shplodhjes dhe kthimin në origjinën kah është nisur, prandaj poezia e këtij autori për shumë arsye është krejt afër të asaj që i thuhet sot: “poezi moderne gjermane”.Ky eveniment Schulte-n e bënë një personalitet të shquar të poezisë dhe letërsisë në përgjithësi, sepse ai sikur ka marrë të gjitha vlerat ekuivalente që i ka gjuha dhe kultura gjermane, dhe ato vlera i ka sendërtuar si arritje në vendin  e ri ku ai po kalon pjesën më produktive në fushën e artit, muzikës e letërsisë, duke u bërë një emër i njohur në letërsinë amerikane. Ai, tashti me krahë hapur e ka pranuar edhe misionin e ndërmjetësuesit, përkatësisht përfaqësuesit kulturor, në mes dy botëve të mëdha letrare, filozofike, muzikore e kulturore.Poezia e Rainer Schulte-s e përfshirë në përmbledhjen poetike “Ora e paqes”, vjen në gjuhën shqipe nën përkthimin e kujdesshëm të Gjekë Marinajt i cili sikurse Schulte mëton të luaj rolin e ndërmjetësuesit kulturor në mes dy popujve e dy kulturave. Marinaj ka kryer një mision në dobi të kulturës shqipe kur ka përkthyer me kaq kujdes këtë poet të njohur jo vetëm në hapësirën amerikane, por edhe në atdheun e tij, në Gjermani dhe me gjerë.Simbolika e poezisë së Schulte-s jo rrallë duket e thjesht, ashtu sikurse edhe vargu i tij poetik. Por kjo simbolikë, kaq e tejdukshme dhe ky varg kaq depërtues e bëjnë këtë tip poezie më të pranishëm, me shije kualitative dhe me një mesazh mbase të qartë.Si duket Schulte më shumë i ka kushtuar rëndësi metaforës, megjithatë kjo formë poetike e ka një estetikë specifike dhe ka një sintaksë gjuhësore të pasur e cila (sigurisht është meritë edhe e përkthyesit), vjen në gjuhën shqipe me një interpretim tejet logjik dhe me nocione të kuptueshme letrare.Sigurisht eksperienca e madhe që ka Schulte në fushën e përkthimeve, shkollimet e shumta akademike, përvoja profesionale, qoftë si redaktor i revistave me ndikim, a si pedagog universitar i kanë shërbyer atij të nxjerr një varg të kursyer, por që jep mesazhe e porosi filozofike mjaftë të mëdha, siç i ndeshim në vargjet e poezisë që po citojmë: 
LOJË ME FJALËT
 Si fëmijë
luaja me guralecë në rrugë.
Tani
luaj me fjalë në fletë
të cilat përfundojnë duke luajtur me mua.
Vetë krijimi i raporteve me rrethin jetësor ekzistencial dhe lidhjet e këtyre raporteve qoftë me ndikime filozofike a të jetës në atdheun e tij, kanë bërë që metafizika e tekstit të poezisë së Schulte-s t’i shërbej përvojës gjithënjerëzore, dhe që ka si tendencë  të zbuloj thelbin e konceptit të tij nga thellësia e mundshme e dijeve dhe kulturës filozofike që ai si  poet e kultivon. Pastaj lidhjet e tij për shoqërinë dhe emancipimin shoqëror sikur janë një preokupim i vazhdueshëm i këtij autori i cili edhe për kundër begative që ia mundëson Amerika, (pa ia mohuar vlerat edhe atdheut të tij), ai vazhdimisht shqetësohet kur bota ka kriza, e shoqëria njerëzore përballet me skamjen dhe varfërinë. Si poet që është, vazhdimisht “vret vetën/ që të ringjall poezinë”, dhe nga kjo klithmë e turbullt “Ankthet e tija(mia) shtyjnë/ faqet e pagjuma/ të orëve të pasosura/ në thellësinë e natës”Tipi i poezisë së shkurtër është një prirje e këtij autori i cili falë talentit dhe kulturës së gjerë poetike, poezinë e bënë të panevojshme që të shkruhet më gjatë siç e kemi rastin ta zëmë te poezia “NË LIBRA”:
 NË LIBRA
Në libra
ne kërkojmë jetën
që nuk e kemi jetuar
Ky mendim kaq filozofik, dhe ky mesazh kaq impresiv që e përcjell poezinë janë tipare poetike që e ndeshim edhe në poezinë e sotme moderne gjermane e evropiane, ku mëtohet të arrihen dhe të thuhen gjithë ato që kanë për t’u thënë, me vetëm pak fjalë. Por jo gjithmonë ky lloj  poezie do ta ketë efikasitetin e vet ashtu siç e ndeshim te poezia e Schulte-s që cituam më parë.Në disa nga poezitë e R. Schulte-s gjejmë edhe një lloj ironizimi që ai u bënë fenomeneve a individëve, dhe ato mund të dalin edhe si lloj citatesh që kanë mesazh e kuptime të mëvetësishme: “Durimi thyhet nga procedura/ jo nga substanca”, “Mos thuaj se koka juaj/ është fryrë nga ide të mëdha”, “Natën/ pena ime merr një sy gjumë/ në faqet e bardha”, “Shenjat në qiell bëhen më pak të kthjellëta”, etj.Por gjithsesi elementi psiko-filozofik është më i dukshëm, dhe këtë e gjejmë te vargjet e fundit të poezisë “Jetë nate”, e cila më shumë se çdo gjë tjetër, plotëson kuptimin e nocionin për të cilin po flasim:
Meshtarët
Meshtaret
tepër të dobët të lakuriqësohen
fshihen mbas mëkateve
të fetarëve.
Ata nuk kanë njohur kurrë uri
në gjakun e tyre
dhe nuk kanë dëshirë
ta kthejnë ujin
në verë.

Janë raportet e poetit me shoqërinë, që e kanë bërë atë si një vrojtues të suksesshëm të fenomeneve, dhe si poet gjithherë është në përpjekje t’i ndryshoj ose sadopak të ndikoj në këto ndryshime:
LODHJE
Jam lodhur
nga njerëzit e lodhur.
Ata ecin më ngadalë
se dielli në mesditë. 
Pikërisht mbi këto parime sa fisnike po aq humane ai mëton të shtoj dinamizmin e jetës mbi të cilat ndërtohet poezia e këtij autori. Një bllok tjetër i temave dhe ideve në poezinë e Schulte-s ka për bazë humanizmin kulturor dhe njerëzor. Poezia “Të vrasësh në emër të fesë”, është një dimension i këtij koncepti, duke e bërë autorin ndër zërat më përparimtar që ka humanizmi i sotëm letrar në njërën anë, dhe në anën tjetër shfaqet protesta më njerëzore dhe intelektuale që e bënë një poet, ndikimet e të cilit kanë prekur brigjet e dhembjes jo vetëm të dy kontinenteve por të globit si tërësi.
TË VRASËSH NË EMËR TË FESË
Në emër të fesë,
ata torturojnë tokën
dhe shuajnë këngët
e gjinkallave.
 Në emër të fesë
ata kthejnë lumenjtë
në gjak.
Në emër të fesë
ata kryqëzojnë fjalët
të përligjin gjenocidin e madh.
Në emër të fesë
ata dërgojnë qilima bombash
në xhamia dhe muzeume.
Në emër të fesë
ata vazhdojnë të vrasin
pa fund. 
Në këtë shënim kritik, nuk është e gjitha ajo që mund të thuhet për poezinë e këtij libri e aq më pak për gamën e madhe të tij krijuese. Megjithatë këto mbresa sipërfaqësore le të mbeten vetëm si një lexim i kujdesshëm, dhe një interpretim racional i poezisë së tij, me shpresë se saktësia e vërtetë e këtyre interpretimeve mbetet vet poezia që është përmbledhur te vëllimi poetik “Ora e paqes”, i bindur se krijimi i Schulte-s është një poezi komplekse e shkruar me ndjenja dhe pasion të veçantë, duke e bërë atë emër të dalluar në kuadrin e poezisë së sotme gjermano-amerikane.
SHËNIME PËR AUTORIN:
schulte-rainer-2009-10Rainer Schulte është poet, përkthyes, dramaturg, eseist dhe kritik i letërsisë bashkëkohore ndërkombëtare. Ai ka të botuar një varg librash me poezi, pastaj libra e studime mbi artin dhe artin e përkthimit, studime kritike, si dhe për mënyrën e përkthimit dhe të interpretimit.Gradën shkencore të docentit Ph.D. në Letërsinë Krahasuese e ka marrë në Universitetin e Michigan USA. Më parë Schulte ka studiuar për filozofi në Universitetin Gutenberg ne Mainz, ka kryer studimet për master në piano në Akademinë e Muzikës në Darmstadt. Hulumtimet e tij përfshijnë studimet në fushën e gjuhësisë që i ka bërë në atdheun e tij Gjermani, pastaj edhe në Francë, Itali, Spanjë, dhe Meksikë. Shulte ka përkthyer vepra të poetëve dhe shkrimtarëve bashkëkohor nga gjermanishtja, frëngjishtja dhe spanjishtja.Ai ka redaktuar disa antologji të letërsisë bashkëkohore ndërkombëtare dhe ka shkruar studime të shumta mbi artin dhe teoritë e përkthimit letrar. Është drejtor i Qendrës për Studime dhe Përkthim, redaktor i revistës  “Translation Review”, që e ka themeluar në vitin 1978. Po ashtu Schulte është edhe bashkëthemelues i “American Translators Association Literary”, (ALTA).Rainer Schulte është profesor i Arteve dhe shkencave Humane  në Universitetin e Teksasit në Dallas (UTD), dhe ushtron edhe një varg detyrash akademike  si profesori i përkthimit letrar, letërsisë botërore, studimeve ndërdisiplinore dhe i komunikimit ndërkulturor.Për më tepër, Rainer Schulte konsiderohet si njëri ndër ekspertët më të mirë në fushën e përkthimit artistik letrar.R. Schulte jeton në Dallas të Amerikës.

Imazhe impresive nga poezia lirike…


20091130-rexhepi_sNga: Shefqet  DIBRANI
Vetëm pak kohë pas librit të parë “Simfoni e heshtur”, dhe atij në gjuhën angleze “The Sounds of Waterfalls – Tinguj ujëvarash”, Sevdije Rexhepi ka botuar edhe librin e tretë me poezi “Orët e mungesës”. Ndonëse për ne që jemi larg atdheut, këto evenimente kulturore na bien hise pak me vonesë, përmbledhja poetike “Orët e mungesës” në masë të madhe i ka avancuar vlerat e poezisë së kësaj poeteje karshi librit të parë. Dhe kjo është mirë pasi Sevdije Rexhepi poezinë e shkruan më shumë si impresion, si ndjenjë dhe si përjetim personal. Ajo me kujdes i ka regjistruar mbresat e përditshmërisë si vrojtime, me syrin e një poeteshe që mëton përmes lirikave poetike të shprehë ndjenjën e saj. Po ashtu ka shprehur botëkuptimin filozofik me një imazh impresiv, si një lloj bashkëbisedimi siç e ndeshim te poezia “Deti i pafund”:
A thua
Sa tregime dashurish
Përkund në djepin tënd
Ti det i pafund.
Faqe 11.
Komunikimi figurativ për poezinë lirike është mjaftë esencial, kjo mënyrë jo vetëm si vlerë estetike por edhe si meditim psiko-filozofik është mjaftë i rëndësishëm pasi shprehë një botëkuptim dhe një preokupim, por që është ilustruar me mjete sforcuese duke e bërë poezinë më me vlerë letrare. Sevdije Rexhepi zakonisht poezinë lirike e ndërton me mjete të thjeshta nga gjërat e rëndomta në përditshmërinë e saj. Kjo mënyrë kaq e thjesht e pa sforcime të shumta figurative ka krijuar një lirizëm të rrjedhshëm dhe të komunikueshëm.
NË SYTË E TU
Zgjuar si nga ankthi
Kthej kokën andej
Në sytë e tu të pushoj
Puthje të të fal
Në këtë agim
Edhe sot…
Kishe ikur ngadalë
Pa më trazuar
E dëshpëruar
Dorën zgjata tek jastëku yt
Kujtova çastet
Kur të shprishja flokun.
Faqe 12.
Rëndomtësia e kësaj poezie, përkatësisht thjeshtësia e vargut të këtyre poezive, struktura dhe paraqitja organike sikur imponon një lloj vazhdimësie të krijimit poetik që autorja me mjaftë xhelozi e ka ruajtur nga libri pararendës. Gjithsesi verbi poetik dhe përgjithësisht poezia e Sevdijes nuk ka pësuar ndonjë modifikim, as ndonjë strukturalizëm, qoftë në ide e qoftë në përmbajtje, por një vëmendësim poetik, edhe në planin estetik sikur është më i pranishëm, dhe kjo ka bërë që në këtë libër të kemi një varg poezish mjaftë të realizuar, kurse një cikël i tërë ka një tematikë tjetër që nuk e kemi pasur te libri i parë. Ky lloj zhvillimi na shtynë për të besuar se kjo poete me këtë libër nis për të krijuar një lloj identiteti krijues, qoftë me stilin po me shumë me vlerat ideo estetike, si një krijim lirik që e dallon poezinë e saj.
NË PRISHTINË
Po të vish
Sërish në Prishtinë
Të premtoj
Se nuk do të pendohesh
Kur të shohësh
Si gëzon jeta
Ajo e vërteta
Me këto rreze dielli
Që koha fali
Zërat gumëzhijnë
Si hoje blete
Ëndrrat rriten kudo
Edhe në krahët e fluturës
Asaj më të bukurës
Nëse…
Vjen këtë stinë
Këtu në Prishtinë.
Veç kafes që do të pimë
Të premtoj dashurinë…
Faqe 13.
Poezia që cituam është ndër krijimet më ta mira që gjenden jo vetëm brenda këtij libri por përgjithësisht njëra nga poezitë më të bukura që ka shkruar deri më tani Sevdije Rexhepi. Ky tip i poezisë me një dramë përplot jetë e gjallëri, i jep poezisë së saj kuptimin më lirik, kurse poetes epitetin e femrës që me afsh i krijon poezi qytetit në të cilin u shkollua dhe edukua ndër ditët më të zymta të historisë së tij. Sigurisht fryma kaq lirike që e përcjell këtë poezi lidhet drejtpërdrejt me vitet e para të çlirimit të Prishtinës, ku jeta kishte marrë hov, tamam siç e përshkruan ajo përplot gjallëri, me ëndrra për një të ardhme më të mirë. Kjo poezi do të mbetej si një klishe po sikur të mos mbyllej me ftesën “Eja në Prishtinë”, ku e tërë drama jetësore kurorëzohet me aktin më sublimë që shpreh poezia pa druajtje, pa frikë, e çliruar nga kompleksi, madje hapur e me bujari i ka premtuar njeriut që e fton edhe “dashurinë” si një akt sublim që justifikon ardhjen a shkuarjen në Prishtinë si kurorëzimi më fatlum i jetës dhe ardhmërisë.
Vëllimi me poezi “Orët e mungesës” është një libër që në shumicën e poezive shquhet për një përjetim të thellë, duke qitur në pah vlerën si tipar dominues të kësaj poezie e cila imponohet me mënyrën e ekspresionit dhe të përjetimit edhe te poezitë: “Kafe mëngjesi”, “Peng Dashurie”, “Humb(ik)je”, “Piano e heshtur”,”Akull”, “5+1”, “Lot i fshehur”, “Dhuratë e premtuar” e disa të tjera.
Poezia e Sevdije Rexhepit i përket tipit të poezisë urbane, (të pakten për problemet moderne që i shtjellon ajo?!), ku ka regjistruar momentet konfliktuoze të njohjes dhe braktisjes si pasojë e civilizimeve dhe trendit të ri qytetar, ku feshitizimet lokalizojnë veprimin e pakontrolluar në mes harmonisë dhe dashurisë reale si dy komponenta që formojnë botëkuptimin qytetar të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi me të gjitha dëshpërimet e saj:
SA SHPEJT
Ike shpejt
Pa ardhur fare
Mbylle sytë
Pa më falë shikimin
Prita bardhësi
Më solle trishtimin
Pa fillim
Dhuratë më le mbarimin
Sa shpejt
Edhe unë të harrova.
Faqe 32.
Kur këto komponente fillojnë të dekompozohen, patjetër që do të zbehen marrëdhëniet si tipare klasike, si marrëdhënie të shprishura të shoqërisë a partnerëve në përgjithësi, e bashkë me këto edhe fenomenet e deformuara siç është ta zëmë divorci, jo vetëm si rezultat i koncepteve moderniste, por si një fenomen në rritje e sipër, ku dashuria shpejt mund të braktiset, prandaj mendojmë se as si element erotik më nuk e ka atë tiparin klasik të lidhjes së ngushtë shpirtërore, si akte normative të një lloj bashkëdyzimi në mes të aventurës moderne si akt dhe të braktisjes si një përplasje që shkakton dhembje e melankoli, ku gjejmë një shpërputhje si dekompozim i lidhjeve reale e të pandashme të asaj që e quajtëm tipar klasik. Këtë modalitet që shprehëm më parë po e ilustrojmë me dy strofat e poezisë “Peng dashurie” në të cilën pak a shumë shprehet një gjendje e zymtë e raporteve që kanë lënë peng dashurin: “Kur nuk më je afër/ Gjithçka është larg/ Edhe ëndrra/ që ne thurim/ Netëve të bardha”, në rastin tjetër e gjejmë peshën e mungesës: “Pse…?/ pas çdo ikje/ më ik edhe imazhi yt/ Shpirti qetësohet pak/ Pastaj/ jam peng dashurie”, (faqe 16).Ndonëse as në këtë libër elementi historik nuk shquhet si një modalitet specifik i poezisë së Sevdije Rexhepit, por ky tipar në këtë libër sforcohet më shumë si nënvetëdije e poezisë, si një mjet figurative përmes të të cilit zhvillohen proceset e tjera që janë pjesë e historisë siç dëshmojnë edhe këto vargje: “Do te vijnë gjithmonë/ I dhanë gjak/ Ne do t’i japim jetë/ E njomën këtë tokë/ Të lulëzoj/ Të tharë nga baroti/ Të rilindur përsëri/…/ Ndër shekuj/ Do të fluturojmë të lirë”, (faqe 45), ose vargjet: “Nëpër shekujt mëkatarë/ Askush s’mund ta shkulë/ Këtë trung/ Të vjetër sa bota vet”, (faqe 57).Imazhi i këtyre vargjeve riprodhon realitetin lirik që bashkërendon me të gjitha zhvillimet e poezisë së sotme shqipe, si zhvillime perceptuese të atdhedashurisë apo si imazhe impresive të figurave njerëzore që kjo autore u ka kushtuar poezi, ta zëmë: “Për (pa) ty – Babokit”, “Fjalëbardha – Lokes”, “Ti zgjatje dorën” dhe poezia “Diell i dashurisë – Nënës Tereze”, “Luleborë e bukurisë – Zyrijes”, etj.Ndër poezitë më të mira brenda këtij tipi të poezive është poezia që ia kushton këngëtares kosovare Nexhmije Pagarushës, poezi kjo që mbërthen tërë dallgën emocionale të poetes e cila me mjaftë sukses ia del ta përjetëson në poezinë e saj “Mbretëreshën” e këngës kosovare Nexhmije Pagarushën:
MBRETËRESHË E KOSOVËS
(Nexhmije Pagarushës)
Bashkë me ty
Udhëtuam nëpër vite
Na freskove zemrat
Me këngët e tua mite
Ashtu si zbardhnin agimet
Lindnin meloditë
Vargjet mirrnin rrugën
Puthnin Prishtinën
Përqafonin Strugën
Me ushtimë tupanesh
Dasma fillonte
Zëri yt magjik
Shpirtrat e fjetur zgjonte
Seç ngacmoje
Poetin poeteshën
Kur me atë zë të ëmbël
Këndoje Bareshën
E madhërishmja Jonë
Motër e Teutës
Mbretëreshë e Kosovës
Faqe 90.
Sido qoftë, Sevdije Rexhepi më shumë është vrojtuese e fenomeneve se sa objekt i këtyre imazheve. Kundrimi i imazhit nga distanca duke mos u bërë pjesë e procesit rrit produktivitetin e mendimit sa impresionist po aq edhe përjetues, kurse lirikave të saja u jep një dimension më të gjerë: “Malli që nuk matet/ As me ar/ E di/ Mysafiri juaj për çdo stinë/ Në dimër borën shkrin/ Në verë zemrën mërdhin/ Por ju jeni mërgimtarë/ Thesar i atdheut tim/ …/ Një fjalë e juaj/ Ngjallë një shpresë/ Vargjet që nga ju lindin/ Nuk e lënë shpresën të vdes/ Ju jeni lumturia vetë/ Keni dashuri sa një planet”, (faqe 97).Poezia e Sevdijes ka shënuar trendë pozitive ngase edhe metafora ka një rritje qoftë si ndjeshmëri e qoftë si fikësion artistik, ku subjekti real bëhet si një figurë surrealiste duke sforcuar temën dhe stilin e kësaj poezie: “Nga taktet e zemrës/ Nëpër vija pentagramesh”, “Shpresa rri zgjuar/ Në ditët e heshtura”, “Më fal/ Nëse mundohem shumë/ Të marr pak shkëlqim/ Nga një yll i largët/ Që nuk fle/ E ta sjell në atdheun tim”, “Këngëve të pa zë/ U fal melodinë/ Të jehojnë/ Atje…/ Ku vargu nuk më ik/ Por çan stuhinë”, etj. etj.Leksiku i këtyre lirikave ripërsërit jo vetëm fjalët por edhe imazhet e njohura nga libri i parë duke iu bërë poetes tipar shprehës dhe përjetues që përmes, shiut, vjeshtës, erërave të ftohta, natës, vetmisë, drithërimave e pritjeve të gjata ka sendërtuar në hollësi imazhin impresionist të përditshmërisë, të përjetimit dhe të komunikimit, por i rishfaqur si identitet dhe letërnjoftimi më i mirë krijues i kësaj poeteshe.Gjithsesi përmes kësaj poezie e kuptojmë rolin e poetes që bënë përpjekje për të përfaqësuar tipin e femrës shqiptare të çliruar nga komplekset e së kaluarës patriarkale e cila çanë ardhmërinë e saj edhe përmes poezisë lirike që pak a shumë nuancon kah “elementi erotik”, të cilat vetëm sa e sforcojnë botëkuptimin logjik dhe etik të kësaj poezie. Pa dyshim kjo poezi ngjall emocione të fuqishme të jetës e mbijetesës, të përpjekjeve dhe ngadhënjimit që jo rrallë duket si një misionare e cila me shkop në dorë çanë furtunat me re sterrë nëpër shiun e ftohtë a dallgët e detit që janë bërë simbolikë në poezinë e saj.
Më beko, o zot
Të lundroj ngadalë
Nëpër valë jete
Si një pulëbardhë
E patrembur
Faqe 53.
Sevdije Rexhepi është bërë si regjistruese e dalluar e vëzhgimit, përjetimit dhe e perceptimit të fenomeneve duke i artikuluar ato si esenca jetësore dhe mbase ekzistenciale përplot me shenja e simbole kuptimore që i japin kuptim jetës dhe sharmin lirk kësaj poezie.
TINGUJ KITAREJE
Sa më ka marrë malli
Prishtinës t’ia puth ballin
Në mëngjeset e bardha
Si atëherë
Kur shkruanim
Nëpër gjethe lulesh
Vargje dashurie

Sa më ka marrë malli
Prishtinën ta pushtoj
Si dikur!
Faqe 95.
Sevdije Rexhepi me vëllimin poetik “Orët e mungesës” edhe më shumë vërteton se është regjistruese besnike e ndjenjave të përjetuar. Kjo sprovë poetike është një përpjekje për t’i dhënë emër lirik poezisë shqipe që krijohet në Kosovë, e cila edhe kështu siç është, dëshmon se autorja është në kërkim të vazhdueshëm të identitetit artistik, që ia vlen të lexohet dhe komentohet!

Kova dhe pusi



kove-pusiNga: Suzana  KUQI
Nuk ka gjë më të lehtë e më të këndëshme se sa të mbushësh ujë me kovë në pus. Kështu m’u duk kur pashë një nga vajzat simpatike të shtëpisë tek po bënte këtë punë. Hidhte kovën brenda dhe e nxirrte plot përbuzë. Ky proces nuk zgjaste më shumë se dy ose tre sekonda, hedhje, mbushje, ngritje. Rrëmbeva dhe unë kovën dhe e hodha. Dikush klithi:
- Kujdes litarin!
Por tashmë ish tepër vonë. Kova kish fluturuar brenda në pus e bashkë me të edhe litari. E ç’të bëja? Vetë nuk e nxirrja dot. I thirra plakës së shtëpisë, ajo vajzave të veta, ato plakut dhe plaku të birin. Ky i fundit se nga mori një kallam a ku e di unë se ç’farë dhe e nxorri kovën fët e fët. Tash e kisha rradhën unë përsëri. Shtërngova fort litarin në njërën dorë sa m’u zbardhën gishtat dhe me tjetrën fluturova kovën në pus. Tërhoqa litarin, por për çudi pesha ishte e lehtë. E lëshova përsëri e përsëri i njëjti rezultat. Prita pak se mos ndoshta donte një farë kohe të mbushej. Hiç. Hodha sytë poshtë e ç’të shihja. Kova lëkundej lehtë mbi sipërfaqen e ujit për shtatë palë qejfe, në freskllëk, sikur unë ja kisha ngenë. Sigurisht ajo donte të zbavitej ca, por grumbulli i enëve po priste për t’u larë. Fundja ajo për këtë punë ishte sajuar, për të nxjerrë ujë nga pusi e jo për t’u zbavitur brenda në të.E humba durimin e fillova t’a përplasja kovën pas ujit. Si për inat bosh. Në inat e sipër e nxorra, e ngrita lart, e ktheva së prapthi dhe e hodha pingulthi me sa fuqi pata. Në çast ajo u mbush e ndjeva litarin të më tërhiqte dorën poshtë. E tërhoqa lart pak e nxehur, sepse qëndrimi soditës i familjes mikpritëse m’i kish cingrisur nervat. Rrinin aty tërë ato lloj burra e grash e bënin sehir. Nejse, lava pjatat e ata prapë aty. Mora përsëri kovën dhe e hodha po me atë stil. Sukses i plotë, proces i kryer në tri sekonda. Fillova të shpëlaj enët. Por kur më duhej edhe një kovë ujë, vetëm një, ndodhi një habi e madhe. Kova jo vetëm se doli bosh por i mungonte edhe fundi. E kotë të zgjatem se si buzëqeshja e atyre njerëzve sehirxhinj e simpatikë u kthye në ngërdheshje. Por po them vetëm, se unë i përfundova së shpëlari enët pasi pagova paret për kovën, sigurisht dyfishin e çmimit nëse do t’a kisha blerë të re në treg, kështu që ata më sollën një kovë tjetër. Pas ditës së pestë të pushimeve u bëra mjeshtre në këtë punë, por kisha nxjerrë jashtë përdorimit edhe dy kova të tjera…

Besnikëria e hijeve



hijet-ekullaveNë romanin e Albina Idrizit, Kosova shungullon si një lumë kujtimesh, mendimesh dhe trishtimesh. Libri i saj është edhe një mbrojtje e re në emër të dashurisë dhe të jetës së lindur përjetë, ngase, madje edhe lumi i ka brigjet e tij, apo jo?
Nga: Mihai  ANTONESCU
Ekzistojnë momente në jetën e njerëzve kur gjithçka reduktohet në asgjë, ndërsa asgjëja kaplon dimensionet e shpresës së fundit prej nga mund të riintegrosh dikurë fijen e një fillimi të ri. Të ripërtëritjes së së ekuilibrit, dhe natyrisht, të shpirtit dhe kuptimit. Na flet prë këtë, në një gjuhë krejtësisht të veçantë dhe me një forcë depërtimi të jashtëzakonshëm, Albina Idrizi, në “Hijet e Kullave”, roman i botuar në Bukuresht, në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. I shkruar në regjistrin dramatik mbi përmasa të kohës dhe të harresës së njerëzores nga njerëzit, teksti të cilit i referohemi ndërtohet mbi një dëshmi të përgjakur duke reflektuar në një hapësirë të vogël, duke nyancuar ekzodin e madh në kohë dhe dashuri të një populli të ashpër, duke mbajtur me krenari historinë dhe plagët para një Evrope shpesh të pandjeshme ndaj vuajtjeve të fëmijëve të saj.Duke e deshifruar përmbajtjen, u vumë domosdoshmërisht në peshoren ndërmjet dramatizmit të situatave dhe forcës së eksponimit të tyre, shenjë e vlerës së pakontestueshme për të cilën jep dëshmi Albina Idrizi, duke na trishtuar në drejtim të admirimit siç do të thuhej, në një lojë pothuajse të pamundshme. Ka në libër sqena të tmerrshme, material autentik dhe episodik i përjetuar për së gjalli nga pala shqiptare, që i japin konture subjektit, vlerë dorëshkrimit dhe mesazh me tentë precize për një ardhmëri të shpresuar, idealiste në kuptimin e lumtur të fjalës Balsam për plagët mbi një termin të gjatë, ngase lëvizim ndërmjet paqartësisë dhe ambiguitetit, aq kohë sa të fuqishmit e botës e ndajnë historinë (më mirë thënë e shkruajnë) sipas interesave të tyre, duke përfituar mbi një kohë të pacaktuar. E këtillë është ajo vuajtje e brendshme, te përcjellësi, siç mund të thuhet, me të cilin njeriu pa faj jeton përmes mirëkuptimit, por jo edhe përmes përfilljes së kushtëzuar deri në pambarim.
Kullat e Albina Idrizit janë shenja të qëndresës, të durimit në përkufizim, derisa hijet e tyre i shoqërojnë njerëzit kudo që ti shpie fati dhe ora e ligë, duke na përkujtuar se rruga duhet përshkuar edhe anasjelltas, që nga rrënjët dhe ripërtëritja e trungut të shëndoshë e të paërkulshëm. Shtyllat e shtëpisë shqiptare me një shqiponjë të plotë në latimin e tyre në drurin e shenjtë, për të cilin ëndër/fluturimi e lind dorën e skalitësit madje dhe nga vdekja e tij,  vasha e të shpërngulurve duke e riintegruar në imagjinatë kukllën e shakmisur nga plumbat e urrejtjes dhe të mospranimit të evidencave historike, ushqimin “fli”, shenjën e vlerësimit të njeriut të varfër për çdo kend që kalon pragun e shtëpisë me një mendim të mirë apo pajtim, dhe jo në instancë të fundit, koloneli serb, njeriu i dërguar përkundër vullnentit të tij, për të levizur data dhe ligje të cilat mendja e tij nuk i përmbledh, të cilat njerëzorja nuk i përfill dhe nuk i afron.Por, besnikëria e hijeve, peceta të gjalla mbi zemrën e atyre që kanë mbetur, si dhe mbi sytë e mbyllur të atyre që kanë vajtur në pakthim, nuk harrohen dhe nuk falen, ngase e dukshmja dhe e padukshmja kanë një Kosovë dhe një mall mbi të cilin vetëm vdekja çapëlon duke u lutur. Të rrallë janë librat ku gjejmë aq thellësi, aq (mirë)kuptim dhe përkëdhelje për qenjen humane të ndodhur në kotarin e njerkëzimit dhe urrejtjes nën shenjën e fatkeqësisë.  Në Hijet e Kullave kam shpaluar një skaj nga shpirti i florinjtë i kësaj prozatore të madhe, që është Albina Idrizi, duke i dëshiruar përgjatë 100 faqeve sa ka libri, një mik të mirë të mirëkuptimit dhe lotit në emër të popullit shqiptar në Kosovë. Nga jemi apo nga po ia mbajmë, çdokush që do të na shpiente, e bëjmë vetëm për të patur një shteg nga mund të kthehemi. Me gjethin dhe me hijen e tij mbi zemër, me mendimin dhe dëshirën gjithmonë në vatrën e lisave të pavdekshëm. Në romanin e Albina Idrizit Kosova shungullon si një lumë kujtimesh, mendimesh dhe trishtimesh. Libri i saj është edhe një mbrojtje e re në emër të dashurisë dhe të jetës së lindur përjetë, ngase, madje edhe lumi i ka brigjet e tij, apo jo? (Albina Idrizi, Umbrele Turnurilor/ Hijet e Kullave, Përkthyen Adriana&Sherban Tabaku, Bukuresht, 2009).

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...