2011-07-15

Mbresa nga libri ‘Nëntëdhjeteshtata” i Fatos Lubonjës

image  
Nga Gezim Zilja

 Mbresa nga libri ‘Nëntëdhjeteshtata” i Fatos Lubonjës


 Pritej nje libër prej Fatos Lubonjës, për ngjarjet e vitit 1997, jo vetëm si analist dhe shkrimtar, si protagonist i ngjarjeve të atyre viteve, si një njeri objektiv që përgjithësisht shkruan pa mllefe, pa inate dhe subjektivizma. Në librin “Skaner 1997”, botuar në vitin 2009, në lidhje me “Tre musketierët” që  drejtuan “Forumin për Demokraci” kam shkruar midis të tjerash: “... vetë “Forumi” u shkri dhe krerët e saj ndoshta e kuptuan që u përdorën dhe aleanca me partitë u bë vetëm që opozita të vinte në pushtet. Pas fitores së të majtëve Daut Gumeni u bë këshilltar i Presidentit të ri Rexhep Mejdani, Kurt Kola u vu përsëri në krye të një grupi të persekutuarish ndërsa Fatos Lubonja kaloi në llogoren e tij të përherëshme të intelektualit rebel që nuk bën bën kompromise me parimet e veta. “Skaner 1997” fq.41.” Duke lexuar me kujdes librin e Lubonjës “ Nëntëdhjeteshtata. Apokalipsi i rremë” dhe qëndrimin e tij lidhur me atë krijesë që mori përsipër “rinashimenton” e shoqërisë shqiptare kuptoj që edhe tani pas trembëdhjetë vjetësh nuk ka pendesë ose ndonjë lloj brejtjeje ndërgjegjeje për veprimet e  “Forumit”. Përkundrazi me aq sa unë kuptoj nga faqet e librit kërkon ta mbulojë me lavdi dhe me merita që nuk mendoj se i takojnë.
Më poshtë do të argumentoj sipas këndvështrimit tim rolin e “Forumit për Demokraci” gjatë muajve janar-qershor të vitit 1997. Ndoshta drejtuesit e tij (jo ideatorët) u nisën nga qëllime të mira por nuk bënë gjë tjetër veçse përshpejtuan rimarrjen e pushtetit nga partia socialiste por jo me zgjedhje të lira por nën vringëllimin dhe kërcënimin e armëve, të paktën nga Shkumbini  e poshtë. Berisha me të tijët u larguan, ca me hir e ca me pahir ( në jug më armë) për gabimet e bëra, por “Rinashimento” nuk pati. Në krye të shtetit shqiptar erdhën një grup tjetër grabitqarësh që e rropën Shqipërinë sa mundën dhe ngritën republikën e shokëve, nipave dhe ishëve të PP-së.  
Ngjarjet e përshkruara në libër janë të jetuara nga vetë autori çka bën të mendosh që shkalla e vërtetësisë duhet të jetë e lartë. Lubonja merret gjerësisht me shkaqet që sollën ato ngjarje, faktorët e brendshëm, që e çuan situatën në zgrip, gati në pragun e një lufte civile, si dhe ndikimin ose mosndikimin e faktorit të jashtëm. Në libër jepet me vërtetësi themelimi dhe veprimtaria e «Forumit për Demokraci », ku ai së bashku me Daut Gumenin dhe Kurt Kolën e vunë në krye të tij, veprimtaria e përfaqësuesve të partive opozitare, kontradiktat midis tyre, dredhitë dhe kundërshtitë, pabesia e partive të opozitës daj « Forumit » gjatë dhe pas marrëveshjes së « 9 marsit », deri në shuarjen pa lavdi të vetë « Forumit. » Ndoshta dhe kjo është një nga arsyet që ngjarjet e librit shtrihen deri në prillin e atij viti. Sepse sapo iu arrit objektivit për zgjedhje të reja dhe qeveri teknike, d.m.th sapo u ndje era e pushtetit, partitë vrapuan pas tij, duke i lënë heronjtë-drejtues të platformës së re, vetëm si përherë.
Duke u ndodhur në « Syrin e ciklonit » të atyre ditëve, duke parë parë nga afër ato ngjarje, pasi lexova librin e zotit Lubonja, mendova të bëj disa saktësime, lidhur me veprimet që kanë të bëjnë me rolin e « Forumit për Demokraci » të « Komiteteve të Shpëtimit Publik », me armatosjen e Jugut, dhe ndonjë ngjarje tjetër. Nuk kam fare qëllim të analizoj në thellësi librin, në gjithçka që aty shkruhet, mendohet dhe supozohet. Qëllimi im është që në bazë të dokumenteve që unë disponoj dhe të fakteve të përjetuara, të saktësojë dhe të zbardh disa ngjarje që kanë të bëjnë me qëndrimin e qeverisë, institucioneve, partive, organizmave të ndryshme dhe personave të veçantë  ndaj vitit ’97.
Paraprakisht i qëndroj mendimit se ngjarjet e atij viti erdhën kryesisht si shkak i zgjedhjeve të kompromentuara të majit ’96, krizës së piramidave dhe keqmenaxhimit të situatës nga qeveria për daljen nga kjo krizë. Deri tani në shumicën dërrmuese, qoftë në artikujt e shkruar, qoftë në librat e botuar ngjarjet janë parë përgjithësisht bardhë e zi si shumë të tjera në Shqipëri: Ose fajtor 100% PD-ja me qeverinë Meksi e Berishën ose 100% ekstremistët e majtë (rëndom përdoret fjala komunistët), me « Forumin për Demokraci » dhe luftën e armatosur të Komiteteve të Shpëtimit Publik. Deri në marrëveshjen e « 9 Marsit », kemi një luftë dhëmb për dhëmb midis qeverisë dhe opozitës, përdorimin e forcës nga e para dhe vringëllimin e armëve nga e dyta. Pa filluar shtjellimin e metejshëm theksoj se pikpamja ime ka qenë dhe është që punët midis shqiptarëve nuk zgjidhen me përdorimin e dhunës dhe aq më keq atë të armëve. Por duhen zbardhur ato ngjarje që e keqja të mos përsëritet, që heronjtë nëqoftëse ato ngjarje patën, të jenë të vërtetë, që luftënxitësit, kontrabanditësit, terroristët e skafistët nëse nuk mund t’i futim dot në burg, tua tregojmë shqiptarëve cilët janë edhe nëse sot disa prej tyre janë në parlament, në qeveri, janë miliardarë, ose diktojnë në një mënyrë ose tjetër jetën e shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë këtu si përpiqet të thotë Lubonja për një njeri ose dy, por për qindra jeniçerë e mercenarë që sot i janë qepur Shqipërisë si ato këpushat, që për pushtet e para kanë borxh tia fillojnë nga e para, ta shkatërrojnë si në 90-91-shin ose t’i vënë zjarrin e të rrokin armët si në ’97-ën.      

Forumi për Demokraci

Themelimi i ”Forumit” daton më 28.01.1997: më 4.01 mbylli sportelet « Gjallica », më 11.01. qeveria mbylli fondacionet “Xhaferi” e “Populli”, më 15.01 fillojnë protestat e fajdeve në Tiranë, më 16.01 zhvillohet protesta e parë në Vlorë për fajdet, më 21.02 arrestohet Fitim Gërxhaliu, më 22.01. burgosen bosët e fondacioneve, më 23.01. Partia Socialiste në aktivin e saj deklaron se do të vihet në krye të protestave. Një ditë më vonë ndodhën ngjarje që tronditën shoqërinë dhe politikën shqiptare. Me 24.01.1997 shpërthyen trazirat në Lushnjë, më 25.01. ato u shtrinë në Berat, Gramsh e Belsh dhe më 26.01. në Vlorë. Këto trazira u shoqëruan me veprime të dhunëshme kundër forcave të rendit, me djegien e bashkive, prefekturave, gjykatave, komisariateve  dhe sulme kundër individëve të veçantë të PD-së. Ndërkohë në Tiranë krahas protestave, njerëz afër qeverisë kishin sulmuar e masakruar Edi Ramën dhe Ndre Legisin.
Ky ishte pak a shumë sfondi në të cilën tetë parti shqiptare të spektrit të djathë e të majtë formuan ”Forumin për Demokraci”. Në krye të tij u vendosën tre ish-të burgosur politikë Kurt Kola, Daut Gumeni dhe Fatos Lubonja.
Në mbledhjen e tij të parë u kërkua:
- Zëvëndësimi i qeverisë aktuale me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja, të përbërë nga specialistë të aftë e të mbështetur nga të gjitha forcat politike dhe shoqatat e ndryshme.
- Zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare
- Përcaktimi i procedurës së hartimit dhe miratimit të kushtetutës si dhe përcaktimin me referendum të formës së rregjimit. (libri i Lubonjës, Nëntëdhjeteshtata, fq.59) Më tej Lubonja shkruan: Kuptohej që prapa pamundësisë që punët të shkonin ashtu si duhej fshihej qëllimi i tyre për të rrëzuar Berishën... (Nëntëdhjeteshtata, fq. 60)  
Në traktin e parë të lëshuar nga ky “Forum” dhe të pasqyruar më hollësi në libër të bën përshtypje, që edhe pse ishin djegur e shkrumbuar institucione shtetërore në disa qytete të jugut, ishin vrarë policë dhe kishte një tendencë në rritje të dhunës kundër institucioneve dhe forcave të rendit, “Forumi” as që i përmendte këto fakte. Tjetra që bie në sy është se ‘Forumi” i përbërë nga ish-sigurimsa, ish-ministra, ish kuadro të lartë të rregjimit komunist, dhe nga ish-të burgosur politikë nuk sqaronte sesi do të arrihej deri në plotësimin e kërkesave të mësipërme, pavarësisht se më posht autori sqaron “... se ishte fjala për një dorëzim paqësor të pushtetit....Nëntëdhjeteshtata. fq60...”
Në deklaratat e mëvonëshme kërkohej përshkallëzimi i protestave deri në arritjen e qëllimeve përfundimtare. Nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare të “Forumit” ku ky të thoshte se “duheshin marrë armët”, se “Berisha nuk bie pa armë” se “vetëm me luftë mund të rrëzohet maloku.et etj.” Por ka me dhjetëra deklarata e biseda që jepen shkoqur në libër ku kërkohej paralizimi i policisë, më vonë i ushtrisë dhe sidomos shkallëzimi i veprimeve të armatosura në jug. Thirrje për rrëmbimin e armëve në emër të “Forumit’ i kanë bërë krerë të “Forumit”, para turmave në Sheshin e Flamurit.
Nëse atje në Tiranë, rrotull ambasadave dhe Rognerit, deklaratat, kërkesat dhe protestat e “Forumit” kishin vlerë, i shërbenin qëllimit që ai i kishte vënë vetes dhe kishte përkrahës të shumtë, krejt ndryshe qëndronte puna në Jugun e Shqipërisë sidomos në Vlorë. Në një thirrje të “Forumit” më 12.02.1997 nën titullin: “Kundërshtoni urdhërat kriminale të Aleksandër Meksit dhe të Halit Shamatës”,  ndër të tjera thuhet: Vëllezër oficerë, nënoficerë dhe ushtarakë. Ju bëjmë thirrje të mos u bindeni urdhërave kriminale të Halit Shamatës dhe Sheme Kosovës për të mbytur në gjak dhe për të thyer kafkat e vëllezërve tuaj shqiptarë në protestat e ligjëshme, kushtetuese, paqësore. Bashkohuni me popullin...”. Duhet thënë se kur u vihet flaka institucioneve, vriten e plagosen policët e shtetit nuk bëhet më fjalë për protesta paqësore. E vërteta ishte që ushtria u vu me urdhër të mbronte objektet të veçanta si ujësjellësat, kabinat elektrike, bashkitë e prefekturat, gjykatat, e deri te kopshtet, shkollat, muzetë e bibliotekat që ishin bërë objekt sulmesh nga grupet speciale jo nga masa e gjerë e protestuesve. Asnjë urdhër nuk ka pasur as me zë, e as nën zë, për të qëlluar turmat ose njerëzit e pambrojtur. Kam qenë vetë në Vlorë deri më  28.06.1997 dhe i kam parë sesi vriteshin e dhunoheshin policët e paarmatosur (shtatëmbëdhjetë policë të vrarë vetëm në qarkun në Vlorës). Kam parë me sytë e mi deri në detaje sesi u rrahën policët e shtetit nga grupe të veçanta, të mirëorganizuara, si e hodhën përtokë flamurin kombëtar, e si ia vunë flakën bashkisë së Vlorës dy ditë para themelimit të “Forumit”. Qysh në fillim të janarit në Vlorë u shfaqën grupe me armë, jo të ushtrisë shqiptare, që vepronin të fshehur në turmat e protestuesve të shumtë.    
U arrestuan zjarrëvënësit e bashkisë që ishin të filmuar. Nga ato pak deponime të tyre del se ishin grup i organizuar, i parapërgatitur, për t’i (dokumentet e filmimet janë ende në prokurori) vënë zjarrin bashkisë e që provën e parë disa prej tyre e kishin kaluar dy ditë më parë në qytetin e Lushnjes. Jo më kot pastaj, ditë me rradhë, ”ustallarët” e drejtuan turmën drejt komisariatit derisa sa arritën të lirojnë të arrestuarit dhe t’i vënë zjarrin komisariatit.      
10 Shkurt 1997
Ka një pasktësi në libër lidhur me datën e vrasjes së protestuesit nga vlonjat Artur Rustemi. Ai u vra më 10-të, jo më 5 shkurt dhe përplasja e famshme me policinë u bë po në atë datë. Deri atëherë kishte përleshje me policinë por jo si ajo e datës 10.02.1997. Atë ditë në të gdhirë Vlora, u gjend e rrethuar nga qindra policë të ardhur nga të gjitha komisariatet e Shqipërisë. Në librin “Skaner 1997”, kam dhënë me hollësi se nga erdhën këto forca, dhe emrat e komandantëve të tyre. (Shih Skaner 1997 fq.99) . Forcat policore që do të bënin ”terbiet” Vlorën e pabindur ishin të armatosura me shkopinj gome, mburoja plastike dhe skafandra. Jo pasdreken e 5 shkurtit si shkruan autori por më 10.02 në mëngjez, vlonjatët panë qyetin e rrethuar nga larushët e qeverisë. Kjo për ta ishte e tepërt. Përshkrimi i përplasjes së vlonjatëve me policinë nuk pati një front ballëpërballë ( shih Nëntëdhjeteshtata, fq.68) siç thotë Lubonja. Fronti u shtri pothuaj në të njejtën kohë në rrugët e kryqëzimet kryesore, atje ku ishin vendosur forcat qeveritare, kryesisht në qendrën e qytetit. Përsëris si dëshmitar okular, se policët nuk ishin të armatosur me armë zjarri. Vlonjatët ashtu si thotë edhe Lubonja i rrahën, i lanë në brekë larushët e qeverisë dhe ua dogjën veshjet e paisjet. Pastaj i morën në shtëpia, iu veshën nga një palë tuta sporti dhe nëpërmjet ullishtave i nxorën nga Vlora. Por nëse policët (se edhe ata shqiptarë ishin)  do të kishin armë me vete ndoshta jo të gjithë por të paktëm nja katër a pesë, mendoj se  nuk do të lejonin t’i turpëronin në atë mënyrë.
Vrasja e protestuesit Artur Rustemi, mbrapa Shtëpisë së Beut, në qendër të Vlorës, është ende enigmë. Shumë u tha e u spekulua atëherë, u bënë dhe shumë betime nga drejtuesit e opozitës së atëherëshme madje edhe nga “Forumi.” Por qeveria e ardhur në vitin 1997 edhe pse u betua se do të vinte drejtësi (“Forumi” u shkri shpejt. Më 28 mars krerët e tij, u shfaqën për herë të fundit në Vlorë) as që u kujtua për të bërë hetime. Nuk mund të thuhet kush e vrau atë djal të pafajshëm të Vlorës, që protestonte kundër qeverisë, pa u zhvilluar hetime e pa u gjetur fajtori i vërtetë. Kjo vrasje u shfrytëzua mjeshtërisht nga ekstremistë të PS-së dhe grupe të tjera kriminale, për të ngritur më vonë nën kërcënimin a armëve shtetin e lirë të Vlorës. Në një artikull të datës 28.03.1997 në gazetën KJ shkruhej: Këtu merr frymë lirisht. .... Mendoj se njerëzit i ka marrë malli për të parë veten në të tillë parajsë... Modeli i lirisë ndodhet në Vlorë.
Në prill të atij viti Lubonja ndodhet në Vlorë por nuk thotë ashtu si kolegu i tij se Vlora ishte një parajsë. Midis të tjerëve takon edhe Albert Shytin, udhëheqësin e revoltave dhe kryetarin e KSHP-së së Vlorës. Nuk jep asnjë mendim për të, veç basetave të gjata që ia kishte parë në TVSH. Nuk di sa zgjati biseda me ta. Nuk mbaj mend edhe se çfarë u thashë. Ndoshta për shkak të tronditjes që pësova në çastin kur u ngrita të ikja “Shtëdhjeteshtata.” Fq.276
Më duket pak e çuditëshme që të takosh kryeheroin e ’97-ës dhe të mos mbash mend se çfarë bisedove me të. Të paktën ta pyeste sesi ishte e mundur që një ditë pasi erdhi nga Greqia, të vihej në krye të protestave, një njeri fare i panjohur për vlonjatët deri atëherë, e që filogreku Stavri Marko, e bëri po atë ditë me dije në shtypin e kohës? Nuk ka çudira këtu zoti Lubonja. Shyti dhe të tjerë si ai, nuk u ndodhën rastësisht, në kohën e duhur, në vendin e duhur, në postin e duhur. Ka fakte boll për këtë.
Sa i përket skenës ku Zan Çaushi, rreh Albert Shytin, Mos u habisni! Fuqia e të parit qëndronte jo se njeri ishte më bandit se tjetri, por se KSHP-ja dhe udhëheqësit e saj gjithë punët e pista, sidomos kërcënimet, vrasjet e policëve dhe presionin me armë mbi demokratët e realizonin me anë të Zan Caushit. Pra midis tyre kishte një lidhje shumë të ngushtë dhe sigurisht që kapua ishte Zani, që me të drejtë ishte mërzitur nga një “kulish” si Shyti. Pikërisht Çaushi, veç vrasjeve e vjedhjeve për llogari të tij me njoftimin e shytëve (nënkupto të KSHP-së) rrëmbente e torturonte njerëzit e PD-së, u mitralonte shtëpitë ose u hidhte granada në oborr. Këto nuk janë përralla. Në librat e mi për nëntëdhjeteshtatën ka shembuj konkretë. Kjo gjendje terrori vazhdoi deri më 28.06.1997, kur u zhvilluan zgjedhjet e parakohëshme.
Mirë do të ishte që të shkruaje se para shkollës kishte njerëz të armatosur me kallashë dhe se në qytet nuk kishte policë.     
                                 
Komitetet e Shpëtimit Publik.
Në librin “Skaner 1997” kam shkruar gjërësisht për Komitetet e Shpëtimit Publik, si u formuan, rolin që luajtën dhe si u shkrinë ashtu si u formuan me urdhër nga lart.
Fatos Lubonja përpiqet të heqë një paralele midis ngjarjeve të vitit 91-92 dhe vitit 1997. Ai thotë: Vërtet ka disa gjëra të përbashkëta me atë të viteve ’90-’91. E përbashkëta kryesore është kriza ekonomike e politike, zjarrit të së cilës ne po i fryjmë. Por është dhe frika e rregjimit nga krimet që ka kryer...... Asokohe Alia, e shfaqi qartë se donte të kryente një zbritje të butë dhe të tërhiqej nga skena politike... (Nënëdhjeteshtata. fq.136”
Në këtë pikë ndahem plotësisht me Lubonjën. Të gjithë shqiptarët, të mëdhenj e  të vegjël e kanë parë në TVSH dhe emisionet e Robert Papës, kur Alia deklaron: Ua kemi vrarë baballarët për 40 vjet dhe do ua vrasim përsëri.... Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim por pushtetin nuk e dorëzojmë...”. Në rast se nuk pati gjakderdhje në protestat e vitit 90-’92, nuk është aspak merita e komunistëve shqiptarë në pushtet. Ajo është meritë e popullit shqiptar që vazhdoi të demonstrojë paqësisht mbi dhê e nën dhê pa plagosur dhe pa vrarë qoftë dhe një polic të vetëm. (Gjatë vitit 1997 në Shqipëri u vranë mbi 100 policë dhe oficerë policie.) Megjithëse nga burgjet dolën me mijëra të burgosur politikë dhe jo politikë dhe njerëzit ishin të mbarsur me urrejtje ndaj rregjimit diktatorial, as edhe një njeri i vetëm nuk tha: “Rrëmbeni armët! Diktatura bie me armë. Merrni armët të hakmerremi...etj, etj”. Kjo sipas meje sepse ata që protestonin në vitet ’90-91, e kuptonin që demokracia nuk e pranonte gjakun dhe luftën. Krejt ndryshe ndodhi me ekstremistët e majtë. Duke shfrytëzuar pakënaqësitë ndaj zgjedhjeve të kompromentuara të 26 Majit, dhe sidomos krizën e fajdeve, ata manipuluan protestuesit dhe hodhën parullat e famshme: “ Saliu nuk ikën pa luftë! Maloku po i hipi kalit nga andej mund të zbresë vetëm i vdekur! etj.”
Ka fakte të panumërta që Vlora dhe një pjesë e Jugut rezultojnë të armatosur shumë kohë para “9 Marsit” e jo pas kësaj date si rreket të sqarojë zoti Lubonja në libër. Le të besojmë që ka mungesë informacioni. Njerëzit e armatosur janë shfaqur (jam dëshmitar okular) qysh në fund të dhjetorit 1996. Ka një numër artikujsh të shkruar nga gazetarët e asaj kohe si Frrok Çupi, Martin Leka, Zenepe Luka, Anilda Brahimi, Alfred Peza etj, gjatë shkurtit ’97 (Shih Skaner fq.192-199) ku ata pohojnë që njerëzit e armatosur në Vlorë nuk janë nja gjashtë a shtatë, por nja njëzet a dyzetmijë. Por edhe me njëqind ta pjestojmë këtë shifër prap del goxha e madhe.
Shumë e dhembshme skena (Nëntëdhjeteshtata fq. 146) ku Qorri, alias Fatos Lubonja, shpreh habinë që ndodhej në një front me njerëz të hurit e litarit dhe me ata që e kishin rrahur e goditur me grushte në burg e tash po e përqafonin. Ai thotë: “ ... Më në fund e njohu dhe mbeti si i shtangur. Nuk po u besonte syve; Ishte Gjergji me nofkën Topalli një nga gardianët  më të urryer të Spaçit, që e kishte rrahur dhe goditur me grushte. ... E kapi një ndjenjë faji kur përfytyroi se ndër përkrahësit e “Forumit’ mund të kishte edhe xhelatë si ky.(Nëntëdhjeteshtata fq.146)”
Nuk po diskutoj se ç’ndjeu më tej Qorri, ato çaste. Por më habit fakti sesi ai dhe shokët e tij nuk kuptuan atëherë por as edhe sot, se atje në Jug, në Vlorë në veçanti, shokët e atij gardianit kishin rrëmbyer armët jo për të rivendosur demokracinë, dhe për të shpëtuar popullin nga diktatori Berisha, por për të rimarrë pushtetin sipas mësimeve marksist-leniniste. Themelimi i KSHP-së në Vlorë daton 05.03.1997. Ato ishin formacione të armatosura që siç e kanë pohuar vetë krerët e tyre do t’i lëshonin armët kur të ikte Berisha. Po citoj autorët e librit e librit “Çështja Shqiptare “ Miranda Vickers dhe James Pettifer për ngjarjet a atij viti: ... Gjithsesi rënia e shtetit nuk erdhi si pasojë e mafies apo krizës së piramidave. Ndryshimi midis asaj që shkaktoi serinë e krizave të veçuara në Jug, dhe një kryengritjeje të përgjithëshme që rrëzoi qeverinë, qëndron te fakti se jugorët (kupto komitetasit. Shën. im) që e urrenin qeverinë qenë në gjendje të mbështeteshin te modelet partizane të sprovuara prej kohësh dhe drejtues kryengritjesh.... Në jug linjat e PS-së së vjetër dhe Sigurimit të Shtetit e përhapën pushtetin në rradhët e puntorëve dhe fshatarëve, në lokalitete të reja, disa të organizuara nën kontrollin e komiteteve popullore.Libr. fq80
Nëse nuk do të ishte ‘9 Marsi”, këto formacione që qeverisnin Jugun me  (në kohën e luftës në zonat e  çliruara nga komunistët, quheshin këshilla antifashistë), komandantët e tyre do marshonin në Tiranë.
Pas trembëdhjetë vjetësh autori mbron tezën se ajo luftë ishte e drejtë. Po e ritheksoj se armët fillimisht nuk i mori gjithë populli (depot u hapën shumë më vonë) për rivendosjen e demokracisë së dhunuar nga qeveria demokratike, por ish-sigurimsat dhe ekstremistët e majtë, thjesht pë të rrimarë pushtetin e humbur katër vjet më parë. Lubonja shkruan: “....Ky përjashtim i Jugut (nga bisedimet me Vranickin) ishte tradhëtim i një lufte që, megjithë anarkinë e rrezikëshme që kishte shkaktuar, ishte në thelb e drejtë, sepse ndoshta për herë të parë në historinë e tyre shqiptarët po u tregonin pushtetarëve të tyre se qenë në gjendje t’i ndëshkonin për zullumet e bëra. Dhe kjo mund të hapte një epokë të re, duke krijuar edhe një tip të ri politikani. (Nëntëdhjeteshtata f.q228).
Sikur të ishte ashtu edhe unë do të ishta dakord që populli ynë trim e liridashës po rivendoste demokracinë e po ndëshkonte të korruptuarit qoftë dhe me grykën e armës. Po nuk ishte aspak ashtu. Kryengritësit (jo protestuesit) ishin një grup fanatikësh të PS-së, ish sigurimsa, ( më vonë u bashkuan dhe me kriminelë) që duke përfituar nga rrethanat rrëmbyen armët. Koha tregoi se megjithëse Berisha, u mund dhe mbeti me një grusht përkrahësish, ata që erdhën në pushtet e shpërdoruan atë në mënyrën më të keqe të mundëshme, duke vendosur rekorde të papara në fushën e korrupsionit. Si nuk e kuptoi që në fillim Qorri, që po i përdornin ( në marrëveshjen e “9 marsit” nuk i pyeti kurkush) thjesht si fasadë dhe roli i “Forumit” veçanërisht në jug ishte zero? Cili nga gjeneralët e  KSHP-ve në Jug, i mori mendim Fatos Lubonjës, Daut Gumenit apo Kurt Kolës? Vranicki megjithëse vinte nga Europa, ishte në gjendje të kuptonte se KSHP-të ishin të paligjëshme dhe kishin marrë rolin e pushtetit vendor, duke u vënë pushkën njerëzve të zgjedhur në bashki e komuna. Ai deklaroi (ky ishte dhe qëndrimi i SHBA-ve) se njeh pushtetet vendore të dala nga zgjedhjet e tetorit 1997, e jo ato të dala nga gryka e pushkës. Çudi sesi i vjen keq autorit që Europa nuk legjitimoi KSHP-të si pushtete vendore!?
Autori deri në fund mbron tezën se: .... Nuk kishte asnjë kokë që i bashkërendonte këto veprime në Jug. Përkundrazi mu pse ishin të dobët dhe pa kokë njerëzit shtinin në qiell.(Nënëdhjeteshtata fq. 239 )  
Atëherë po bëj pyetjen e thjeshtë: Kush i organizoi disa kuvënde të KSHP-ve të Jugut në Gjirokastër, Delvinë, Lushnjë, Ballsh, Vlorë e gjetkë për bashkëveprim veprimesh? Kush e organizoi takimin e famshëm më 28.03.1997 në qytetin e Vlorës, ku ishte i ftuar edhe “Forumi për Demokraci?” Kush e hartoi deklaratën që u firmos nga të gjitha partitë e opozitës (për “Forumin” ka firmosur Daut Gumeni) së atëherëshme përfshi dhe atë Republikane? Dokumenti veç partive të opozitës u firmos edhe nga nëntëmbëdhjetë përfaqësuesit e KSHP-ve. Fotokopja e dokumentit me 27 firmat gjendet në librin “Skaner 1997”fq. 602. E theksoj që “Forumi” me të tijët atje ishte i ftuar, se organizatorë ishin KSHP-të e Jugut. Ka dhe një dokument tjetër (Skaner fq. 598) ku 14 intelektualë edhe nga ”Forumi”, përshëndetin formimin e KSHP-së së Vlorës dhe shprehin përkrahjen pa kushte ndaj tij. Po shkoj më tej dhe po e mbyll këtë pasaktësi ose lajthitje të Lubonjës jo të Qorrit, me një deklaratë  më 30.03.1997. Është një deklaratë e ”Forumit” pas takimit të 28 Marsit në Vlorë. Pasi argumentohet që krijimi dhe veprimtaria e Komiteteve është një domosdoshmëri për fatet e mëtejëshme të Shqipërisë në fund të pikës pesë thuhet: ... Duke pasur parasysh sa më lart ”Forumi” i konsideron këto komitete shprehës  të mirëfilltë të vullnetit të popullit në ato zona. ”Forumi” i bën thirrje qeverisë Fino, si dhe të gjitha partive politike të vendit t’i konsiderojnë ato si një forcë me të cilën është e domosdoshme të dialogohet për normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes.” Skaner” 1997. fq.275”
Përfundimisht KSHP-të ishin të organizuara, të bashkuara, të bashkërenduara, të armatosura. Atëherë çfarë thotë Lubonja, në në faqen 239 të librit të tij se nuk kishte asnjë forcë që i bashkërendonte veprimet në Jug?! Dhe me gjithë mend pyes: Edhe tani pas trembëdhjetë vjetësh i ka për zemër ato formacione ushtarake të gjeneralëvë të Jugut dhe ende beson se me grykën e pushkës ata do të sillnin demokracinë!? Ende nuk e kupton se ustallarët që e futën në burg e shfrytëzuan në mënyrën më të keqe të mundëshme për të rimarë pushtetin për veten e tyre? Ende nuk i vjen keq që nën emrin e ”Forumit” u morën armët e u shpërthyen depot në Jug? Dhe kjo ndodhi jo pas ”9 Marsit’ se atëherë e kishte marrë ferra uratën, por ditën e sulmit mbi SHIK-un, në Vlorë. Nga data 1 deri në 3 mars Jugu, ishte i armatosur. Më tre mars formohet formacioni i parë luftarak: Komiteti i Shpëtimit Publik në Sarandë, dy ditë më vonë ai i Vlorës e me rradhë. Ata që udhëhiqnin repartet e KSHP-ve dhe organizuan ”mbrojtjen e qyeteve” ishin të gjithë ish-oficerë të Enver Hoxhës.

“PRIFTI JUBANI U FUT NDËR VARREZA…”


Nga Fritz RADOVANI:

“PRIFTI  JUBANI  U  FUT  NDËR  VARREZA…”
           
            “Nji polic tre katër metra larg meje lajmoi me radio shokët e vet, Prifti Jubani u fut ndër varreza...”, shkruen Don Somoni në librin “Mesha e Parë”, për atë ditë të 11 Nandorit 1990, kur mërriti në Rrëmaji me celebrue Meshen e Tij Historike, në prani të 50.000 Shqiptarëve që prisnin vorrosjen e komunizmit edhe në një prej skutave të vjetra të Ballkanit, ku viktimat e gjenocidit të Enver Hoxhës ishin pikrisht Aty, mbas murit...
            Në moshen 31 vjeçare, kur vëllai i Tij Don Lazer Jubani ishte i burgosun vetem se ishte Klerik Katolik Shqiptar që në vitin 1947 dhe i dënuem me 15 vjet burg, Don Simoni Shugurohet edhe Ky Meshtar në vitin 1958 nga Imzot Errnesto Çoba dhe shkon me sherbye ndër malet e Mirditës. Me datën 31 janar 1964 u arrestue dhe u dënue me burg, të cilin do ta vuente në burgun e mënershëm të Burrelit. Po sa vjet u dënue?... Dihet se ka dalë mbi 9 herë para “trupit gjykues” tue u dënue dhe ridënue nga 10 apo 20 vjet burg dhe gjatë kohës së vuejtjes së dënimit në Burrel, kishte një birucë që të burgosunit e quenin “biruca e Don Simonit”, mbasi gjatë 26 vjetëve që ishte atje, mbi 3 vjet e gjysë i ka kalue n’ atë birucë i lidhun për një unazë hekuri, që as nuk shtrihej as nuk ngrihej në kambë, ku i jepej vetem një batani, tri herë në ditë pak ujë dhe tri cigare, si dhe ushqimi i zakonshem i njohun i  birucave shfarosëse të burgjeve komuniste. Prifti i “pabindur” do të vazhdonte atë jetë mizore deri në 13 Prill të vitit 1989, kur “lirimi” i Tij, ju imponue terroristit Ramiz Alia nga nderhymja e Shtrausit të Gjermanisë Perëndimore.
            Por nuk shkon gjatë dhe me 16 Janar 1990, dy ditë mbas demostratës së heshtun për heqjen e bustit Stalinit në sheshin qendror të Shkodres, bie prap telefoni: “Po, brenda është Prifti Jubani...” dhe porsa hapet dera shtëpisë ku banon, njeni nga xhelat i drejtohet: “Në emer të Popullit je i arrestuar!”(“Në fakt këta pa vullnetin e Popullit nuk bajnë asgja. Janë të ndershem!!”) shenon Don Simoni në librin e tij “Mesha e Parë”, dhe, i përgjegjet: “Unë vuejta kot 26 vjet, sot e ka rradhen Ramiz Alia me shokë, që e kanë shitë vendin...” Me siguri telefoni i kriminelit të ministrisë së mbrendshme Zylyftar Ramizi...lajmon “shokun” Ramiz: “priftin kokëshkrepur e kemi këtu, me të po merremi...”. Don Simoni prap ma poshtë shkruen: “Kremlini në teori ia kishte pre kokën komunizmit, por në Shqipni tundej bishti.” Dhe me të vertetë kur në gjithë Europen Lindore mbas “ramjes së Murit të Berlinit” ata kishin fillue frymëmarrjen ma lirisht, në Shqipni Ramiz Alia shetitë djelmët e rijë ndër makina, të vramë në kufi e të  lidhun ndër hunjë me tela me ferra, me terrorizue deri në palcë Rininë Shqiptare. Protesta e vrasjes Pllumb Pëllumbajt zgjon edhe Malet e fushat e Shkodres me thirrjet e Tyne Burrnore, në Korrikun e 1990...
            Ndërsa, telefoni vazhdon: “Po, brenda është, Prifti nuk ka lëvizur...” Edhe pse na dukej se Don Simoni asht i lirë, sigurimi vazhdonte të patrullonte jo vetem rrugicen e Tij, po gjithë lagjen me spijunët e sigurimit, që ishin aq të marrakotun, sa vazhdonin me ruejtë endè edhe shtëpinë e At Mëshkallës, që ishte rreth 100 ml. ma këndej, ndonse Ai kishte gati dy vjet që nuk jetonte ma...Po, komunistët kanë provue se në shumë rasa ata kanë frikë ma shumë të vdekunit se të gjalltë. E këte e verteton shkatrrimi i Vorrezave!
            Me daten 12 Korrik 2011 u njoftuem se Don Simon Jubani ndrroi jetë. As atë ditë nuk munguen fallsifikatorët, me lotët e tyne prej kokodrili...Jo e pa pritun!
            Arqipeshkëvi Metropolitan i Dioqezit Shkodër-Pult Imzot Angjelo Massafra, shprehet, se: “Dom Simon Jubani dhe vepra e Tij si klerik i kushtuar ndaj Zotit janë shembull për brezat...Edhe sot kur e kishte të pamundur të shërbente nëpër male ai në rrëfyestoren e katedrales ishte i pranishem, tashmë ai vend do mbetët bosh...” Më kujtoj ky rresht kohën kur armiqtë e terbuem të Klerit Katolik Shqiptar, “mendonin” se kur vdiq At Zef Saraçi, i verbuem dy syshë po në atë Rrëfyestore, “Ajo mbet bosh”...edhe kur arrestuen At Florian Berishen në vitin 1957 prap “Ajo mbet bosh...” Edhe kur interrnuen dy klerikët At Leonard Shajakun dhe At Marjan Prelen, në 1958, se “nuk pranuen me nxjerrë sekretin e Asaj Rrëfyestore...Ajo prap ‘mbet bosh”, edhe kur mbyten Imz. Errnesto Çoben në degen e mbrendshme të Shkodres, Ajo “mbet bosh”...edhe kur vdiq në baraken e llamarinave në Zallin e Kirit At Donat Kurti, Ajo prap “mbet bosh”...Edhe kur ishte i interrnuem At Ferdinand Pali, dhe ushqehej me ushqimin e derrave...Ajo “mbet bosh”. Kleri i sotem nuk di se Ajo Rrëfyestore, ishte edhe në një furrë ku flente Don Injac Gjoka, e prap sot persëritet se: Ajo “mbet bosh”...tash që vdiq edhe  Don Simon Jubani,... Kleriku që sfidoi Komunizmin në Shqipni, Ai Burrë që me veprat e Tij Atdhetare dhe Fetare, pa Ju tutë syni me 4 dhe 11 Nandor 1990, nën tytat e shnajperit që rrethonin Vorrezat e Rrëmajit të Shkodres, shpartalloj prangat e ateizmit komunist, të mberthyeme me dryjt e “Kushtetutës së RPSSH”. Ai solli Epoken e Re, të Lirisë e të Demokracisë, që po mos ta sillte Ai me guximin e trimninë e Tij, edhe sot mund t’ ishim të pranguem e ndër kampet e shfarosjes së Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, pa asnjë shpresë me pa me sy  ndonjëherë Driten... ashtu si ishim për 47 vjet rresht skllav të komunizmit barbar!
            Jam i sigurt se edhe dje me 14 Korrik, kur arkivoli me Trupin e Heroit ka arrijtë në Token e Bekueme, telefoni duhet të kenë lajmërue Ramiz Alinë, i cili dje asht sigurue se: “Prifti Jubani u fut ndër Vorreza të Rrëmajit...”. E jam shumë i sigurt se kriminelët e gjaksorët e Popullit Shqiptar, e njohin mirë edhe Fisnikrinë e Krishtenë, nga e cila ata mbajnë mend “Faljen” për krimet e kryeme, po edhe dinë mirë fort se të gjithë Klerikët Katolik edhe luten për armiqtë e Tyne... Një “privilegj” i pamerituem për të panduemit!
Ndonse vepra e heroike e Don Simonit tashma asht e njohun në gjithë Boten, e cila, sa Ai kje gjallë, nuk ka kursye as dafinat e as medaljet e dekoratat për Heroin Don Simon Jubani. Ai asht i pari Shqiptar mbas vitit 1989 që asht thirrë në audiencë nga Toka e robnueme Shqiptare, nga Papa Gjon Pali II në Vatikan në Romë. Në vitin 1991 Universiteti i San Franciscos në Kaliforni i akordoi Don Simonit diplomen "doctor honoris causa" në shkenca humane me motivacionin: "Protagonist i një Epokës së Re në Shqipni", Shteti i Michiganit e nderoi me diplomën e posaçme me motivacion "Nismëtar i Lirisë së fjalës dhe i shtypit katolik në Shqipni”, që e ka zanafillen e vet në fletushken e 20 dhetorit 1990, në prag të Festës së Krishtlindjes; përshpejtues i të gjitha veprimtarive, qi i hapën Shqiptarëve dyert e Përendimit; ndertues i urave ndërmjet Tiranës dhe Europës...dhe Botës mbarë! Dom Simon Jubani, me 11 Nandor 1990Ju u ringjallët, po na ringjallët edhe ne. Sot me 12 Korrik 2011, Ju mbijetoni Përgjithmonë!
Don Simon Jubani, jam i sigurt se Shpirti Yt asht pranë Krijuesit Tand... Ai të vuni në provë, dhe Ti jo vetem ato i përballove me nder, po edhe u bane një shembull qendrese dhe i Besniknisë ndaj Zotit dhe Atdheut, i cili gjithënjë ka me e kujtue Vepren Tande, Lirinë e Fesë pa të cilen nuk ka asnjë Liri tjetër në truellin e Paraardhësve të Tuej, Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezës, me të cilët Ju lidhi Gjaku, Atdheu, Feja dhe Ideali, simbol i të cilave edhe Ju do të jeni për shekuj të shekujve në Tokën Shqiptare!
Melbourne, 15 Korrik 2011.

Teknologji kibernetike...

 
Facebook ka njoftuar se së shpejti përdoruesit e rrejtit social Facebook do të kenë mundësi të komunikojnë edhe nëpërmjet videos me miqtë e tyre.

Në faqen e njoftimeve të kompanisë nuk bëhet i ditur lajmi por thjeshtë njoftohet orari për lëshimin e një shërbimi të ri.
Sipas Fox News ky shërbim do të ofrohet në bashkëpunim me Skype duke hedhur poshtë idenë fillestare që bënte fjalë për një prodhim të krijuar nga vetë Facebook, pasi mesa duket teknikët e rrjetit social nuk ia kanë arritur të krijojnë një plug-in të tillë.


Ndryshimi kryesor ka të bëj me rrëshqitjen e faqjes: kur të bëjmë scroll down, do të zbresë vetëm news feed-i dhe jo e gjithë faqja.
Kështu, funksionet e krahut të majtë, siç janë mesazhet, fotografitë, groups, events etj., do të jenë gjithnjë të posedueshme.
Të palëvizëshme do të jenë edhe reklamat e krahut të djathtë dhe kjo do të bëj që fitimet nga to, të bëhen akoma më të mëdha, për shkak të kohës më të gjatë që do të publikohen.
Aktualisht Facebook-un e përdorin 750 milionë vetë dhe pikësynimi është të arrijë në 1 miliardë(!).
Për momentin, ende nuk dihet koha e ndryhsimeve në fjalë.

Facebook lançoi opsionin e ri të passwordit të përkohshëm i cili zgjat vetëm 20 minuta dhe e bën shumë më të sigurtë logimin në llogarinë tuaj tek nje kompjuter jo i juaji.
Ky opsion është shumë i nevojshëm veçanërisht kur shkohet në Internet Caffe’ ku ka shumë mundësi që dikush përmes një keyloggeri të regjistrojë passwordin tuaj.
Procedura është e tillë: Ju dërgoni një SMS me fjalën “opt” në numrin 32665 dhe menjëherë Facebooku do t’ju dërgojë me SMS një password të përkohshëm që zgjat vetëm 20 minuta.
Ky password i përkohshëm nuk e ndryshon passwordin tuaj origjinal.
Për ta aktivizuar këtë shërbim ju duhet të lidhni profilin tuaj me celularin tuaj dhe më pas ta regjistroni numrin për këtë shërbim.


 

Enciklopedia më e vizituar në web mundëson së shpejti të tregoni mirënjohjen tuaj me anë të zgjedhjes “Love”.
Wikipedia vendosi të vlerësojë dhe të stimulojë redaktorët e saj  duke shtuar zgjedhjen “Love”,  duke pasuar  Facebook-un me butonin “Like” dhe tashmë edhe Google me butonin “+1”.
Statistikat tregojnë se redaktorët e Wikipedia nuk po ndihen të vlerësuar për artikujt që ata vullnetarisht publikojnë prej dhjetë vitesh.
78% e tyre pohoi se komplimentet e marra nga publiku ishin një motivuese për punën e tyre dhe e vetmja që i frymëzonte të punonin mbi artikuj të tjerë.
Me anë të këtij butoni çdo redaktor  vullnetar do të marrë prej lexuesve vlerësimin që meriton.


Kompania e kërkimit në internet, www.Google.com për sa i përket numrit të vizitorëve në faqet e saj, që arriti në 1 miliardë vetë.
Të dhënat statistikore të kompanisë së analizave “ComScore” tregojnë për herë të parë në historinë e internetit, një kompani të arrijë një numër kaq të madh vizitorësh.
Në këtë përllogaritje nuk përfshihen klikimet e shpeshta të të njëjtit person. Shifra-rekord prej 1 miliardë vizitorësh është 8 % e lartë ose 100 milionë vizitorë më tepër se për kompaninë tjetër Microsoft, për të njëjtin muaj.
Rjeti i komunukimit shoqëror Facebook u rendit i treti me rreth 700 milionë vizitorë.

Siguri kibernetike në RSH



Ministri Genc Pollo dhe Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, z. Xhozef Uilliams morën pjesë në fillimin e Programit, të mbështetur nga USAID, për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri, një nismë njëvjeçare që do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të qeverisë shqiptare për të parandaluar dhe reaguar ndaj incidenteve kibernetike.
Gjatë ceremonisë Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Në vendin tonë, në pesë vitet e fundit, projekti Shqipëria Digjitale ka hedhur hapa të rëndësishëm madje ka transformuar mënyrën e të vepruarit në shumë sektorë. Janë jo të pakta agjencitë shtetërore që ndërveprojnë me zyrtarët, klientët apo publikun e gjerë përmes website-eve e portaleve interaktive. Edhe ne kemi regjistruar sulme ndaj website-eve, duke filluar me ato të hacker-ave të thjeshtë, që në të shumtën e rasteve janë të rinj me dhunti teknike dhe intelektuale si dhe me karakter rebel. Por të mos harrojmë që ka edhe agresorë më seriozë se ata, të cilët mund të kenë pasoja serioze, si për shtetin ashtu edhe për organizata jo shtetërore, në rast se nuk u kushtohet vëmendje.
Kohët e fundit SHBA, sipas doktrinës së mbrojtjes kibernetike, ka deklaruar se, nëse i nënshtrohet një sulmi të tillë, do të ruajë të drejtën për tu përgjigjur me një sulm ushtarak konvencional. Për tu siguruar edhe ne, për të ndërtuar edhe ne mbrojtjen kibernetike në Shqipëri, institucionet, rregullat, procedurat, infrastrukturën përkatëse, po bashkëpunojmë me një universitet amerikan, më të njohurin në këtë fushë Carnegie Mellon, që për çështje të tilla është ndër partnerët e qeverisë së SHBA-ve; një bashkëpunim i cili na u mundësua nga USAID, drejtori në vendin tonë, z. Xhozef Uilliams, i cili si zakonisht iu përgjigj kërkesës sime specifike jo vetëm pozitivisht por edhe në një kohë të shkurtër, duke bërë të mundur fillimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm dhe që unë besoj se do të jetë i suksesshëm.”
Në vijim të kësaj ceremonie, ekspertë nga Software Engineering Insitute (SEI) të Universitetit “Carnegie Mellon” do të zhvillojnë një workshop njëjavor për të ndihmuar institucionet qeveritare dhe joqeveritare të kuptojnë modelet e sigurisë kibernetike, të përfitojnë aftësi dhe të zhvillojnë procedura për t’u rezistuar dhe për të menaxhuar incidentet e sigurisë kibernetike.
Pjesëmarrësit në program do të jenë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI) dhe specialistë të teknologjisë së informacionit nga institucione të ndryshme qeveritare, përfshirë Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, etj.
Gjatë periudhës Shtator 2011 – Mars 2012, SEI do të zhvilojë një sërë workshopesh që do të përcjellin për institucionet shqiptare metodat dhe njohuritë e nevojshme për të ngritur strukturën për sigurinë kibernetike, që do të mbrojë Shqipërinë nga kërcënimet kibernetike që vijnë nga katastrofat natyrore apo sulmet kibernetike. Temat e workshopeve do të përfshijnë planifikimin dhe zbatimin e strategjive, modelet, afatet kohore, burimet e nevojshme, grumbullimin e raporteve për incidentet kibernetike, ngritjen dhe mirëmbajtjen e një baze të dhënash për incidentet e sigurisë, shërbimet e paralajmërimit, publikimin e rolit të strukturës në fjalë dhe lidhjet me organziata të ngjashme të sigurisë kibernetike.
Prej disa vjetësh, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (TIK) kanë qenë pjesë integrale e planifikimit të USAID në Shqipëri. Vitin e fundit, USAID ka kryer një vlerësim gjithëpërfshirës për sektorin e TIK në Shqipëri. Ky vlerësim konfirmoi rëndësinë dhe ndikimin që kanë zgjidhjet e IT për çështje të transparencës dhe mirëqeverisjes, në veçanti për reformat e e-qeverisjes të zbatuar në kuadër të Programit i Pragut të Korparatë për Sfidat e Mijëvjeçarit.

Anglia mund të ndalojë Facebook-un


Akoma dhe të ndalohet përfundimisht rrjeti social Facebook në territorin e Britanisë së Madhe, diskutojnë autoritetet në ishullin e madh, pas denocimeve të përdoruesve për eksopzimin publik të të dhënave personale, pa lejen e tyre.
“Sistemi i ri i përdorimit të Faceboo-ut, ngjall një sërë çështjesh të ruajtjes së jetës personale dhe do të qe e drejtë, përdoruesit të kishin një njoftim të hollishëm për këtë, dhe pastaj të vendosnin nëse duan ta përdorin apo jo. Jemi në bisedime me Facebook për çështjen e ruajtjes së të dhënave personale të qytetarëve”, deklaroi një zëdhënës i organit britanik për ruajtjen e të dhënave personale.
Problem serioz po konstatohet një teknologji e re e identifikimit të personave në fotografitë e tyre, pa e ditur ose vënë në dijeni ata vetë më parë (ajo që përdoruesit e njohin si tag). Kur një miku ynë, vendos një foton tonë në Facabook dhe na bën tag në të, atëherë sistemi kërkon automatikisht përmes të dhënave biometrike të të gjithë fotografive që ekzistojnë dhe na identifikon në cilëndo fotografi tonën ndodhet në Facebook, në cilindo vend të botës, pa qenë nevoja ta dimë ne këtë ose jo.

Përse femrat janë më të varura nga rrjetet virtuale www.facebook.com,www.twiter.com?



Të gjithë njerëzit dhe sidomos femrat kanë nevojë të ndajnë me të tjerët ndjenja të tilla si mërzitja, trishtimi apo melankolia.
Pas pushimeve, një ditëlindje ose një momenti të veçantë, shumë femra dëshirojnë të tregojnë fotot e tyre te miqtë. Është një histori dashurie mes femrës dhe botës virtuale.
Rrjetet sociale, blog-u apo vetë chat-i, kanë mbi femrat një fuqi të madhe tërheqje, kontakti, shkëmbimi, ndarje dhe ndikimi tek të tjerët. Kështu, femrat, më shumë se meshkujt janë gjithmonë në një status, online.
Sipas një studimi të kryer në kryer në Universitetin e Buffalo në New York, femrat konsumojnë më shumë kohë para kompjuterit në krahasim me meshkujt.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Motivi i kësaj tërheqje që është më i madh tek seksi femër pasi femrat harxhojnë më shumë kohë para pasqyrës si edhe në bisedat telefonike.
Në studim u ekzaminuan 311 persona,  meshkuj dhe femra, me një moshë mesatare 23-vjeç .
Michael A. Stefanone, autor i këtij studimi, konfirmon se “rezultatet tregojnë se ky ndryshim mes meshkujve dhe fermave është derivat i një kulture të ndryshme në lidhje me fokusimin që kërkojnë ata në imazhet respektive dhe në mënyrën se si e paraqesin”.

Për ta shpëtuar klubin femrat ruse luajnë futboll me bikini


I themeluar në vitin 1990, FC Rossiyanka ka fituar Kampionatin e Ligës Futbollistike të Femrave tri herë, më 2005, 2006 dhe 2010, ndërsa është kualifikuar dy herë për Ligën e Kampionëve të Futbollit të Femrave – dy herë ka arritur në çerekfinale.

Për ta shpëtuar klubin femrat ruse luajnë futboll me bikini





Një klub futbolli i femrave nga Rusia i cili po përballet me probleme financiare ka gjetur një metodë të veçantë për të tërhequr shikuesit në stadium – lojën e ardhshme lojtaret e klubit do ta luajnë vetëm me bikini.

Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës mori këtë vendim pasi panë në fund të sezonit se borxhet po rriteshin.

I themeluar në vitin 1990, FC Rossiyanka ka fituar Kampionatin e Ligës Futbollistike të Femrave tri herë, më 2005, 2006 dhe 2010, ndërsa është kualifikuar dy herë për Ligën e Kampionëve të Futbollit të Femrave – dy herë ka arritur në çerekfinale.
Zmadho fotografinë
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës

Trajnerja e klubit Tatyana Egorova tha se përkundër këtij suksesi, ende nuk janë shumë të famshëm dhe shpreson se pak reklamë do t’i ndihmojë klubit për të grumbulluar fonde.

Fotografia e tyre publicitare për të promovuar ndeshjen e ardhshme është pritur shumë mirë nga mediat ruse por edhe ato botërore.
Zmadho fotografinë
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Zmadho fotografinë
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Zmadho fotografinë
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës
Klubi Futbollistik Rossiyanka nga Krasnoarmeysk afër Moskës

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...