Nga Fritz RADOVANI:
“PRIFTI JUBANI U
FUT NDËR VARREZA…”
“Nji
polic tre katër metra larg meje lajmoi me radio shokët e vet, Prifti Jubani u
fut ndër varreza...”, shkruen Don Somoni në librin “Mesha e Parë”, për atë ditë
të 11 Nandorit 1990, kur mërriti në Rrëmaji me celebrue Meshen e Tij Historike,
në prani të 50.000 Shqiptarëve që prisnin vorrosjen e komunizmit edhe në një
prej skutave të vjetra të Ballkanit, ku viktimat e gjenocidit të Enver Hoxhës
ishin pikrisht Aty, mbas murit...
Në moshen 31 vjeçare, kur
vëllai i Tij Don Lazer Jubani ishte i burgosun vetem se ishte Klerik Katolik
Shqiptar që në vitin 1947 dhe i dënuem me 15 vjet burg, Don Simoni Shugurohet
edhe Ky Meshtar në vitin 1958 nga Imzot Errnesto Çoba dhe shkon me sherbye ndër
malet e Mirditës. Me datën 31 janar 1964 u arrestue dhe u dënue me burg, të
cilin do ta vuente në burgun e mënershëm të Burrelit. Po sa vjet u dënue?...
Dihet se ka dalë mbi 9 herë para “trupit gjykues” tue u dënue dhe ridënue nga
10 apo 20 vjet burg dhe gjatë kohës së vuejtjes së dënimit në Burrel, kishte
një birucë që të burgosunit e quenin “biruca e Don Simonit”, mbasi gjatë 26
vjetëve që ishte atje, mbi 3 vjet e gjysë i ka kalue n’ atë birucë i lidhun për
një unazë hekuri, që as nuk shtrihej as nuk ngrihej në kambë, ku i jepej vetem
një batani, tri herë në ditë pak ujë dhe tri cigare, si dhe ushqimi i zakonshem
i njohun i birucave shfarosëse të
burgjeve komuniste. Prifti i “pabindur” do të vazhdonte atë jetë mizore deri në
13 Prill të vitit 1989, kur “lirimi” i Tij, ju imponue terroristit Ramiz Alia nga
nderhymja e Shtrausit të Gjermanisë Perëndimore.
Por nuk shkon gjatë dhe me
16 Janar 1990, dy ditë mbas demostratës së heshtun për heqjen e bustit Stalinit
në sheshin qendror të Shkodres, bie prap telefoni: “Po, brenda është Prifti
Jubani...” dhe porsa hapet dera shtëpisë ku banon, njeni nga xhelat i
drejtohet: “Në emer të Popullit je i arrestuar!”(“Në fakt këta pa vullnetin e
Popullit nuk bajnë asgja. Janë të ndershem!!”) shenon Don Simoni në librin e
tij “Mesha e Parë”, dhe, i përgjegjet: “Unë vuejta kot 26 vjet, sot e ka
rradhen Ramiz Alia me shokë, që e kanë shitë vendin...” Me siguri telefoni i
kriminelit të ministrisë së mbrendshme Zylyftar Ramizi...lajmon “shokun” Ramiz:
“priftin kokëshkrepur e kemi këtu, me të po merremi...”. Don Simoni prap ma
poshtë shkruen: “Kremlini në teori ia kishte pre kokën komunizmit, por në
Shqipni tundej bishti.” Dhe me të vertetë kur në gjithë Europen Lindore mbas
“ramjes së Murit të Berlinit” ata kishin fillue frymëmarrjen ma lirisht, në
Shqipni Ramiz Alia shetitë djelmët e rijë ndër makina, të vramë në kufi e
të lidhun ndër hunjë me tela me ferra, me
terrorizue deri në palcë Rininë Shqiptare. Protesta e vrasjes Pllumb Pëllumbajt
zgjon edhe Malet e fushat e Shkodres me thirrjet e Tyne Burrnore, në Korrikun e
1990...
Ndërsa, telefoni vazhdon:
“Po, brenda është, Prifti nuk ka lëvizur...” Edhe pse na dukej se Don Simoni
asht i lirë, sigurimi vazhdonte të patrullonte jo vetem rrugicen e Tij, po
gjithë lagjen me spijunët e sigurimit, që ishin aq të marrakotun, sa vazhdonin
me ruejtë endè edhe shtëpinë e At Mëshkallës, që ishte rreth 100 ml. ma këndej,
ndonse Ai kishte gati dy vjet që nuk jetonte ma...Po, komunistët kanë provue se
në shumë rasa ata kanë frikë ma shumë të vdekunit se të gjalltë. E këte e
verteton shkatrrimi i Vorrezave!
Me daten 12 Korrik 2011 u
njoftuem se Don Simon Jubani ndrroi jetë. As atë ditë nuk munguen
fallsifikatorët, me lotët e tyne prej kokodrili...Jo e pa pritun!
Arqipeshkëvi
Metropolitan i Dioqezit Shkodër-Pult Imzot Angjelo Massafra, shprehet, se: “Dom
Simon Jubani dhe vepra e Tij si klerik i kushtuar ndaj Zotit janë shembull për
brezat...Edhe sot kur e kishte të pamundur të shërbente nëpër male ai në rrëfyestoren
e katedrales ishte i pranishem, tashmë ai
vend do mbetët bosh...” Më kujtoj ky rresht kohën kur armiqtë e terbuem të
Klerit Katolik Shqiptar, “mendonin” se kur vdiq At Zef Saraçi, i verbuem dy
syshë po në atë Rrëfyestore, “Ajo mbet bosh”...edhe kur arrestuen At Florian
Berishen në vitin 1957 prap “Ajo mbet bosh...” Edhe kur interrnuen dy klerikët
At Leonard Shajakun dhe At Marjan Prelen, në 1958, se “nuk pranuen me nxjerrë
sekretin e Asaj Rrëfyestore...Ajo prap ‘mbet bosh”, edhe kur mbyten Imz.
Errnesto Çoben në degen e mbrendshme të Shkodres, Ajo “mbet bosh”...edhe kur
vdiq në baraken e llamarinave në Zallin e Kirit At Donat Kurti, Ajo prap “mbet
bosh”...Edhe kur ishte i interrnuem At Ferdinand Pali, dhe ushqehej me ushqimin
e derrave...Ajo “mbet bosh”. Kleri i sotem nuk di se Ajo Rrëfyestore, ishte edhe në një furrë ku flente Don Injac Gjoka,
e prap sot persëritet se: Ajo “mbet bosh”...tash që vdiq edhe Don Simon Jubani,... Kleriku që sfidoi
Komunizmin në Shqipni, Ai Burrë që me veprat e Tij Atdhetare dhe Fetare, pa Ju
tutë syni me 4 dhe 11 Nandor 1990, nën tytat e shnajperit që rrethonin Vorrezat
e Rrëmajit të Shkodres, shpartalloj prangat e ateizmit komunist, të mberthyeme
me dryjt e “Kushtetutës së RPSSH”. Ai solli Epoken e Re, të Lirisë e të
Demokracisë, që po mos ta sillte Ai me guximin e trimninë e Tij, edhe sot mund
t’ ishim të pranguem e ndër kampet e shfarosjes së Ramiz Alisë e Nexhmije
Hoxhës, pa asnjë shpresë me pa me sy ndonjëherë Driten... ashtu si ishim për 47
vjet rresht skllav të komunizmit barbar!
Jam i sigurt se edhe dje
me 14 Korrik, kur arkivoli me Trupin e Heroit ka arrijtë në Token e Bekueme,
telefoni duhet të kenë lajmërue Ramiz Alinë, i cili dje asht sigurue se:
“Prifti Jubani u fut ndër Vorreza të Rrëmajit...”. E jam shumë i sigurt se
kriminelët e gjaksorët e Popullit Shqiptar, e njohin mirë edhe Fisnikrinë e
Krishtenë, nga e cila ata mbajnë mend “Faljen” për krimet e kryeme, po edhe
dinë mirë fort se të gjithë Klerikët Katolik edhe luten për armiqtë e Tyne...
Një “privilegj” i pamerituem për të panduemit!
Ndonse vepra e heroike e Don Simonit
tashma asht e njohun në gjithë Boten, e cila, sa Ai kje gjallë, nuk ka kursye
as dafinat e as medaljet e dekoratat për Heroin Don Simon Jubani. Ai asht i
pari Shqiptar mbas vitit 1989 që asht thirrë në audiencë nga Toka e robnueme Shqiptare,
nga Papa Gjon Pali II në Vatikan në Romë. Në vitin 1991 Universiteti i San Franciscos në Kaliforni
i akordoi Don Simonit diplomen "doctor honoris causa" në shkenca
humane me motivacionin: "Protagonist i një Epokës së Re në Shqipni", Shteti
i Michiganit e nderoi me diplomën e posaçme me motivacion "Nismëtar i
Lirisë së fjalës dhe i shtypit katolik në Shqipni”, që e ka zanafillen e vet në
fletushken e 20 dhetorit 1990, në prag të Festës së Krishtlindjes; përshpejtues
i të gjitha veprimtarive, qi i hapën Shqiptarëve dyert e Përendimit; ndertues i
urave ndërmjet Tiranës dhe Europës...dhe Botës mbarë! Dom Simon Jubani, me 11
Nandor 1990Ju u ringjallët, po na ringjallët edhe ne. Sot me 12 Korrik 2011, Ju
mbijetoni Përgjithmonë!
Don Simon Jubani, jam i sigurt se Shpirti
Yt asht pranë Krijuesit Tand... Ai të vuni në provë, dhe Ti jo vetem ato i
përballove me nder, po edhe u bane një shembull qendrese dhe i Besniknisë ndaj
Zotit dhe Atdheut, i cili gjithënjë ka me e kujtue Vepren Tande, Lirinë e Fesë
pa të cilen nuk ka asnjë Liri tjetër në truellin e Paraardhësve të Tuej, Gjergj
Kastriotit dhe Nanë Terezës, me të cilët Ju lidhi Gjaku, Atdheu, Feja dhe
Ideali, simbol i të cilave edhe Ju do të jeni për shekuj të shekujve në Tokën
Shqiptare!
Melbourne, 15 Korrik 2011.