FIGURACION I DHIMBJES
Per librin “Leximi i vetmisë”, i Mazllum Sanejes
FIGURACION I DHIMBJES
Poeti, përkthyesi, shkrimtari dhe krijuesi i mirënjohur Mazllum Saneja edhe në veprën e tij më të re “Leximi i vetmisë”,
botoi Shtëpia botuese “Komograf”, Varshavë, 2010, vazhdon po atë bisedë
artistike e krijuese me lexuesin e poezisë dhe krijimtarisë së tij, të
cilën e pati filluar që me vëllimet e tij të para “Këlthitje”, 1973,
“Heshtja e një kohe”, Tiranë, 1976, “Shpuzë e ftoftë”, Prishtinë, 1988,
pastaj “Shëmbëllime të trazuara” “Pe një ëndërr”, “Vetëtimë jete”, e të
tjera si dhe një numër edhe më të madh përkthimesh nga shqipja në
polonishte dhe anasjelltas, e antologjish, që janë mirëpritur nga
lexuesi dhe nga juritë duke u laureuar me disa çmime letrare kombëtare, e
pse jo edhe ndërkombëtare.
Makro dhe mikro strukturimi i veprës
Vepra
më e re e Mazllum Sanejes “Leximi i vetmisë”, që në fillim na
ballafaqon me këtë sintagmë kaq domethënëse poetike, sa që kur të
lexohen materialet në të, duket se janë mendime dhe shtresime që
depërtojnë nga shpirti dhe dhimbja e poetit, në këtë rast krijuesit të
saj, për të shpërfaqur atë me një lehtësi, por edhe përjetim edhe tek
lexuesi. Sintagma “leximi i vetmisë” ka dy shtylla mbi të cilat peshon
kuptimi dhe domethënia filozofike e saj. Leximi në këtë rast ka kuptimin
e një shpalimi të dhimbjeve dhe mallit të subjektit poetik të
shpërfaqur figurativisht, ndërsa vetmia ka konotacion me unazën më
intime dhe më mallëngjyese të mërgimit, të ndarjes dhe të jetës larg
atdheut, që kurorëzohet me mallin dhe dhimbjen e thellë. Ky bashkëdyzim
fatmirësisht nuk qëndron i tkurrur, por shtrihet në të gjitha poret e
veprës.
Kjo
më se miri shihet edhe në ndërtimin strukturor të veprës. Vepra “Leximi
i vetmisë” ka ndërtim në dy stadet, që janë makro dhe mikro sistemi
strukturor i saj. Këto dy stade kanë mini strukturat e veta.Makro
struktura ka shtrirje në dy hemisfera artistike dhe janë:Pjesa e parë:
“Albumi i familjes sime”, poezi, dhe
Pjesa
e dytë: “Ditari im 1985 – 2010”, prozë, e cila është një hemisferë
tjetër që shtrihet në këtë vepër. “Albumi i familjes sime”, poezi, që
ndahet në gjashtë mikro njësi apo qerthuj poetikë dhe nga 32 forma
poetike apo poezi me tematikë dhe kredo figurative të nyjëtuar dhe të
dimensionuar sipas tipit të strukturës së veprës.
Kjo
pjesë e veprës ka gjithsej pesë qerthuj (cikle) poetikë: 1. “Albumi i
familjes sime”dhe ka vetëm një poezi 2. “Vetëm fillikat”, ka dymbëdhjetë
poezi, 3. “Të gjallët dhe të vdekurit e mi”, nëntë, 4. “Leximi i
vetmisë”, poashtu nëntë dhe 5. “Memento”, vetëm një poezi prej të cilëve
tre janë kryesorë, ndërsa dy të tjerët: “Albumi i familjes sime” dhe
“Memento” mund të jenë edhe prologu dhe epilogu i kësaj makro pjese. Pas
leximit të poezive mund të konstatohen dy gjera që janë evidente. Disa
nga këto poezi janë të botuara edhe në veprat e mëparme të këtij poeti
dhe ai i ka ribotuar edhe këtu, mbase, për të mos i harruar, apo më
mirë, për ta “larë” borxhin ndaj mallit, dhimbjes personale dhe mërgimit
që është hallkë më vete për të gjithë të mërguarit, apo kurbetçarët,
siç njihen në fjalorin e popullit.
Ndërkaq
elementi i dytë që dallohet poashtu është sepse poeti Mazllum Saneja u
ka kushtuar nga dy e më tepër poezi familjarëve të vet, si dhe miqve,
shokëve dhe të tjerëve, si: dy-tri poezi për motrën Shuretën,
vëllezërit, pastaj dy poezi ia kushton mikes se vet Evës, e të tjera.
“Ditari
im 1985 – 2010” që është prozë, apo hemisfera tjetër që shtrihet në
këtë pjesë ka nën njësitë e veta që tash janë shënime ditari personal i
autorit, duke filluar që nga data 30.III.1985 e deri më 20.VI.2010.
Kjo
pjesë e veprës, pra “Ditari im 1985 – 2010” fillon me fjalën hyrëse
“Pika vese” të shkrimtarit Saneja i cili ndër të tjera thotë: “ Fundi i
shkurtit 1985. Zura të shkruaj ditarin tim. Një ditar mërgimtari në
mërgim. Më përshkonin mbresa të mëdha të papërshkrueshme dhe emocione
plot ngashërim”. Ndërkaq si nën njësi, apo mikro elemente të kësaj makro
strukture, janë të gjitha datat e shënuara që nga 30 marsi 1985 e deri
më 10 qershor të vitit 2010.
Kredoja poetike e dhimbjes dhe mallit
Kredoja
poetike e krijuesit Mazllum Saneja në këtë gjysmë vëllimi të poezisë,
sepse pjesa tjetër e veprës është ditar i shkruar në prozë, është
dashuria e pafund dhe malli i zjarrtë për Kosovën, për vendlindjen e tij
Gjakovën, dashuria për njerëzit e për familjen, për vëllezërit,
prindërit, motrat, shokët, krajatat e jetës, të cilat ai i kujton dhe i
rikujton për t’i futur në brendësi e pastaj për t’i nxjerrë me ndjenjë e
mendim refleksiv në vargje poetike pas më se tridhjetë vjet mërgimi.
Kështu autori shpalon në kuadrin e krijimit poetik edhe përkushtimin që
është një thirrje e ndjeshme dhe e fshehur në thellësitë e shpirtit të
tij prej malli të mërgimtarit: “Në kujtim të gjallëve dhe të vdekurve të mi. Autori”.
Kjo kredo poetike që është moto përkushtuese e këtij vëllimi, e kësaj
vepre, nuk është e tkurrur, nuk është e ngushtë, nuk është veç sa për
t’u thënë, por ajo depërton dhe udhëton qoftë heshtazi, qoftë haptazi që
nga veprat e mëhershme poetike të tij, që ngritin kokë në figura e
vargje të poezive me tematikë e kredo të këtillë. Andaj, ai vjen i
përmallur të puthë tokën mëmë, që e lindi, që e rriti dhe e pa
buzëplasur tek e linte për një jetë më të mirë diku atje larg në
Poloninë e ftoftë, në Poloninë e ëndrrave e të mrekullive që ishin
skalitur në imagjinatën e mërgimtarit Saneja, poet e krijues.. Shpirti i
poetit tash i ngjan kraterit të një vullkani, ku shpërthen gjithë ajo
dhimbje e gjithë ai mall përvëlues, ndaj ai merr penën dhe derdh vargje
ende pa prekur dheun e shtrenjtë të Gjakovës e Kosovës, në qytete e
krahina polake, në tren, në avion, mes udhëve qiellore, që e çojnë drejt
dashurisë së tij të madhe, njeriut, familjes dhe atdheut.
Malli intimë dhimbjeje poetike
Poeti
Mazllum Saneja niset nga konkretja, nga imtësitë dhe çastet e provuara
nga jeta, të përjetuara thellë intimisht të cilat edhe di t’i shndërrojë
në vargje në mënyrë poetike, ndaj shpesh figurat që ai përdor befasojnë
me gjetjen, shtrirjen dhe domethënien e vet. Intima e dhimbja në
vargjet e këtyre poezive shpërthejnë me gjithë fuqinë e shpirtit me
pezëm që e mban zemra. Ky pezëm kthehet shpeshherë në dhimbje dhe poeti
ka arsye të jetë i pikëlluar të cilin pikëllim ai arrin ta derdhë në
vargje. Pena e poetit pikon trazime kur kujton, madje edhe kur shkon "të
vizitojë" të dashurit e tij tashmë të ikur në botën tjetër, në varrezat
e qytetit. Janë këto vargje të dala nga shpirti, për humbjen e tyre dhe
këtë çast dhimbjeje ai ka ditur ta japë me forcë tronditëse me këto
vargje:
Lejleku solli në fluturim
shaminë me lot
nga varri i motrës sime
për të vazhduar me vargjet e tjera kushtuar babait, nënës, vëllait e të tjerëve.
Zëri
mallëngjyes i mërgimtarit bëhet përcjellës i të gjitha domethënieve që
si përjetime shfaqen edhe në formë të strukturimi poetik e letrar të
gjendjes së subjektit, të nënshtresimeve që i percepton ai. Të gjitha
këto shtresohen mirë dhe më kujdes duke u zhvilluar nëpër stazat
shkëlqyese poetike. Edhe pse aty - këtu ndihet ndonjë ofshamë që del nga
thellësia e shpirtit, ajo nuk rri e tillë por suksesshëm shndërrohet në
figuracion poetik. Kjo formë e poezisë së tij është thirrje jetësore
ngase poeti Mazllum Saneja është i vetëdijshëm për çka shkruan. Ai
zhvillon një dialog me subjektin lirik, në ndonjë rast edhe me vetveten,
me njerëzit, kohën,
bashkëkohësit dhe familjarët e tij, andaj si poet i dhimbjes njerëzore,
mallit, dashurisë, etj., këto ndjenja i bën bazë figurative e ideoemocionale
të poezive të tij. Edhe pse gjendet larg vendlindjes dhe atdheut të
dashur, ai përsëri mbetet i lidhur me mijëra fije të padukshme, që
burojnë nga zemra dhe këto lidhje shpirtërore nuk i këput kurrë,
pavarësisht nga mërgimi i pamëshirshëm. Këto bëhen udhë zemre, të cilat e
kthejnë tek njeriu, tek familja, tek vendlindja e atdheu si qenie të
përmallur
Vepra
“Leximi i vetmisë” e Mazllum Sanejes , nuk do të ishte e plotë pa
poetikën e prozës së ditarit, e cila ia ka zgjeruar me sukses një
ndjenjë shumë të hollë që është si vegim i dashurisë për jetën dhe
njeriun. Në këto shënime në formë ditari ai shfaqet një person
intelektual që mban shënime të tilla për t’i shndërruar në vepër. Ditar
kanë shkruar shumë personalitete të shquara të jetës dhe historisë, por
ditari i këtij shkrimtari dallon për një nuancë, e cila është e veçantë,
madje edhe tipike individualiste e përjetimeve dhe ndjenjave të autorit
të dashuruar përmallshëm dhe, i cili si poet luan bukur me vargun, që
me të drejtë mund të quhet varg i thellë, përbajtësor dhe ndijesor. Me
këtë vepër, ai tregon se ka pasuruar përvojën e tij krijuese jo vetëm me
ndjenja, por edhe me ide, motive e vizione të reja. Pra, vetë libri
paraqet një fazë të re të pjekurisë së këtij autori dhe të përgjegjësisë
së tij ndaj artit në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti, duke
paraqitur një evoluim të pandërprerë dhe duke e mbushur me shprehje të
pasura ideoartistke dhe emocionale. Ndaj kjo vepër, sikurse edhe të
tjerat të këtij autori, do të jetë e mirëseardhur, sepse ai paraqitet me
dinjitet, para lexuesit.