2011-07-15

Mbresa nga libri ‘Nëntëdhjeteshtata” i Fatos Lubonjës

image  
Nga Gezim Zilja

 Mbresa nga libri ‘Nëntëdhjeteshtata” i Fatos Lubonjës


 Pritej nje libër prej Fatos Lubonjës, për ngjarjet e vitit 1997, jo vetëm si analist dhe shkrimtar, si protagonist i ngjarjeve të atyre viteve, si një njeri objektiv që përgjithësisht shkruan pa mllefe, pa inate dhe subjektivizma. Në librin “Skaner 1997”, botuar në vitin 2009, në lidhje me “Tre musketierët” që  drejtuan “Forumin për Demokraci” kam shkruar midis të tjerash: “... vetë “Forumi” u shkri dhe krerët e saj ndoshta e kuptuan që u përdorën dhe aleanca me partitë u bë vetëm që opozita të vinte në pushtet. Pas fitores së të majtëve Daut Gumeni u bë këshilltar i Presidentit të ri Rexhep Mejdani, Kurt Kola u vu përsëri në krye të një grupi të persekutuarish ndërsa Fatos Lubonja kaloi në llogoren e tij të përherëshme të intelektualit rebel që nuk bën bën kompromise me parimet e veta. “Skaner 1997” fq.41.” Duke lexuar me kujdes librin e Lubonjës “ Nëntëdhjeteshtata. Apokalipsi i rremë” dhe qëndrimin e tij lidhur me atë krijesë që mori përsipër “rinashimenton” e shoqërisë shqiptare kuptoj që edhe tani pas trembëdhjetë vjetësh nuk ka pendesë ose ndonjë lloj brejtjeje ndërgjegjeje për veprimet e  “Forumit”. Përkundrazi me aq sa unë kuptoj nga faqet e librit kërkon ta mbulojë me lavdi dhe me merita që nuk mendoj se i takojnë.
Më poshtë do të argumentoj sipas këndvështrimit tim rolin e “Forumit për Demokraci” gjatë muajve janar-qershor të vitit 1997. Ndoshta drejtuesit e tij (jo ideatorët) u nisën nga qëllime të mira por nuk bënë gjë tjetër veçse përshpejtuan rimarrjen e pushtetit nga partia socialiste por jo me zgjedhje të lira por nën vringëllimin dhe kërcënimin e armëve, të paktën nga Shkumbini  e poshtë. Berisha me të tijët u larguan, ca me hir e ca me pahir ( në jug më armë) për gabimet e bëra, por “Rinashimento” nuk pati. Në krye të shtetit shqiptar erdhën një grup tjetër grabitqarësh që e rropën Shqipërinë sa mundën dhe ngritën republikën e shokëve, nipave dhe ishëve të PP-së.  
Ngjarjet e përshkruara në libër janë të jetuara nga vetë autori çka bën të mendosh që shkalla e vërtetësisë duhet të jetë e lartë. Lubonja merret gjerësisht me shkaqet që sollën ato ngjarje, faktorët e brendshëm, që e çuan situatën në zgrip, gati në pragun e një lufte civile, si dhe ndikimin ose mosndikimin e faktorit të jashtëm. Në libër jepet me vërtetësi themelimi dhe veprimtaria e «Forumit për Demokraci », ku ai së bashku me Daut Gumenin dhe Kurt Kolën e vunë në krye të tij, veprimtaria e përfaqësuesve të partive opozitare, kontradiktat midis tyre, dredhitë dhe kundërshtitë, pabesia e partive të opozitës daj « Forumit » gjatë dhe pas marrëveshjes së « 9 marsit », deri në shuarjen pa lavdi të vetë « Forumit. » Ndoshta dhe kjo është një nga arsyet që ngjarjet e librit shtrihen deri në prillin e atij viti. Sepse sapo iu arrit objektivit për zgjedhje të reja dhe qeveri teknike, d.m.th sapo u ndje era e pushtetit, partitë vrapuan pas tij, duke i lënë heronjtë-drejtues të platformës së re, vetëm si përherë.
Duke u ndodhur në « Syrin e ciklonit » të atyre ditëve, duke parë parë nga afër ato ngjarje, pasi lexova librin e zotit Lubonja, mendova të bëj disa saktësime, lidhur me veprimet që kanë të bëjnë me rolin e « Forumit për Demokraci » të « Komiteteve të Shpëtimit Publik », me armatosjen e Jugut, dhe ndonjë ngjarje tjetër. Nuk kam fare qëllim të analizoj në thellësi librin, në gjithçka që aty shkruhet, mendohet dhe supozohet. Qëllimi im është që në bazë të dokumenteve që unë disponoj dhe të fakteve të përjetuara, të saktësojë dhe të zbardh disa ngjarje që kanë të bëjnë me qëndrimin e qeverisë, institucioneve, partive, organizmave të ndryshme dhe personave të veçantë  ndaj vitit ’97.
Paraprakisht i qëndroj mendimit se ngjarjet e atij viti erdhën kryesisht si shkak i zgjedhjeve të kompromentuara të majit ’96, krizës së piramidave dhe keqmenaxhimit të situatës nga qeveria për daljen nga kjo krizë. Deri tani në shumicën dërrmuese, qoftë në artikujt e shkruar, qoftë në librat e botuar ngjarjet janë parë përgjithësisht bardhë e zi si shumë të tjera në Shqipëri: Ose fajtor 100% PD-ja me qeverinë Meksi e Berishën ose 100% ekstremistët e majtë (rëndom përdoret fjala komunistët), me « Forumin për Demokraci » dhe luftën e armatosur të Komiteteve të Shpëtimit Publik. Deri në marrëveshjen e « 9 Marsit », kemi një luftë dhëmb për dhëmb midis qeverisë dhe opozitës, përdorimin e forcës nga e para dhe vringëllimin e armëve nga e dyta. Pa filluar shtjellimin e metejshëm theksoj se pikpamja ime ka qenë dhe është që punët midis shqiptarëve nuk zgjidhen me përdorimin e dhunës dhe aq më keq atë të armëve. Por duhen zbardhur ato ngjarje që e keqja të mos përsëritet, që heronjtë nëqoftëse ato ngjarje patën, të jenë të vërtetë, që luftënxitësit, kontrabanditësit, terroristët e skafistët nëse nuk mund t’i futim dot në burg, tua tregojmë shqiptarëve cilët janë edhe nëse sot disa prej tyre janë në parlament, në qeveri, janë miliardarë, ose diktojnë në një mënyrë ose tjetër jetën e shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë këtu si përpiqet të thotë Lubonja për një njeri ose dy, por për qindra jeniçerë e mercenarë që sot i janë qepur Shqipërisë si ato këpushat, që për pushtet e para kanë borxh tia fillojnë nga e para, ta shkatërrojnë si në 90-91-shin ose t’i vënë zjarrin e të rrokin armët si në ’97-ën.      

Forumi për Demokraci

Themelimi i ”Forumit” daton më 28.01.1997: më 4.01 mbylli sportelet « Gjallica », më 11.01. qeveria mbylli fondacionet “Xhaferi” e “Populli”, më 15.01 fillojnë protestat e fajdeve në Tiranë, më 16.01 zhvillohet protesta e parë në Vlorë për fajdet, më 21.02 arrestohet Fitim Gërxhaliu, më 22.01. burgosen bosët e fondacioneve, më 23.01. Partia Socialiste në aktivin e saj deklaron se do të vihet në krye të protestave. Një ditë më vonë ndodhën ngjarje që tronditën shoqërinë dhe politikën shqiptare. Me 24.01.1997 shpërthyen trazirat në Lushnjë, më 25.01. ato u shtrinë në Berat, Gramsh e Belsh dhe më 26.01. në Vlorë. Këto trazira u shoqëruan me veprime të dhunëshme kundër forcave të rendit, me djegien e bashkive, prefekturave, gjykatave, komisariateve  dhe sulme kundër individëve të veçantë të PD-së. Ndërkohë në Tiranë krahas protestave, njerëz afër qeverisë kishin sulmuar e masakruar Edi Ramën dhe Ndre Legisin.
Ky ishte pak a shumë sfondi në të cilën tetë parti shqiptare të spektrit të djathë e të majtë formuan ”Forumin për Demokraci”. Në krye të tij u vendosën tre ish-të burgosur politikë Kurt Kola, Daut Gumeni dhe Fatos Lubonja.
Në mbledhjen e tij të parë u kërkua:
- Zëvëndësimi i qeverisë aktuale me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja, të përbërë nga specialistë të aftë e të mbështetur nga të gjitha forcat politike dhe shoqatat e ndryshme.
- Zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare
- Përcaktimi i procedurës së hartimit dhe miratimit të kushtetutës si dhe përcaktimin me referendum të formës së rregjimit. (libri i Lubonjës, Nëntëdhjeteshtata, fq.59) Më tej Lubonja shkruan: Kuptohej që prapa pamundësisë që punët të shkonin ashtu si duhej fshihej qëllimi i tyre për të rrëzuar Berishën... (Nëntëdhjeteshtata, fq. 60)  
Në traktin e parë të lëshuar nga ky “Forum” dhe të pasqyruar më hollësi në libër të bën përshtypje, që edhe pse ishin djegur e shkrumbuar institucione shtetërore në disa qytete të jugut, ishin vrarë policë dhe kishte një tendencë në rritje të dhunës kundër institucioneve dhe forcave të rendit, “Forumi” as që i përmendte këto fakte. Tjetra që bie në sy është se ‘Forumi” i përbërë nga ish-sigurimsa, ish-ministra, ish kuadro të lartë të rregjimit komunist, dhe nga ish-të burgosur politikë nuk sqaronte sesi do të arrihej deri në plotësimin e kërkesave të mësipërme, pavarësisht se më posht autori sqaron “... se ishte fjala për një dorëzim paqësor të pushtetit....Nëntëdhjeteshtata. fq60...”
Në deklaratat e mëvonëshme kërkohej përshkallëzimi i protestave deri në arritjen e qëllimeve përfundimtare. Nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare të “Forumit” ku ky të thoshte se “duheshin marrë armët”, se “Berisha nuk bie pa armë” se “vetëm me luftë mund të rrëzohet maloku.et etj.” Por ka me dhjetëra deklarata e biseda që jepen shkoqur në libër ku kërkohej paralizimi i policisë, më vonë i ushtrisë dhe sidomos shkallëzimi i veprimeve të armatosura në jug. Thirrje për rrëmbimin e armëve në emër të “Forumit’ i kanë bërë krerë të “Forumit”, para turmave në Sheshin e Flamurit.
Nëse atje në Tiranë, rrotull ambasadave dhe Rognerit, deklaratat, kërkesat dhe protestat e “Forumit” kishin vlerë, i shërbenin qëllimit që ai i kishte vënë vetes dhe kishte përkrahës të shumtë, krejt ndryshe qëndronte puna në Jugun e Shqipërisë sidomos në Vlorë. Në një thirrje të “Forumit” më 12.02.1997 nën titullin: “Kundërshtoni urdhërat kriminale të Aleksandër Meksit dhe të Halit Shamatës”,  ndër të tjera thuhet: Vëllezër oficerë, nënoficerë dhe ushtarakë. Ju bëjmë thirrje të mos u bindeni urdhërave kriminale të Halit Shamatës dhe Sheme Kosovës për të mbytur në gjak dhe për të thyer kafkat e vëllezërve tuaj shqiptarë në protestat e ligjëshme, kushtetuese, paqësore. Bashkohuni me popullin...”. Duhet thënë se kur u vihet flaka institucioneve, vriten e plagosen policët e shtetit nuk bëhet më fjalë për protesta paqësore. E vërteta ishte që ushtria u vu me urdhër të mbronte objektet të veçanta si ujësjellësat, kabinat elektrike, bashkitë e prefekturat, gjykatat, e deri te kopshtet, shkollat, muzetë e bibliotekat që ishin bërë objekt sulmesh nga grupet speciale jo nga masa e gjerë e protestuesve. Asnjë urdhër nuk ka pasur as me zë, e as nën zë, për të qëlluar turmat ose njerëzit e pambrojtur. Kam qenë vetë në Vlorë deri më  28.06.1997 dhe i kam parë sesi vriteshin e dhunoheshin policët e paarmatosur (shtatëmbëdhjetë policë të vrarë vetëm në qarkun në Vlorës). Kam parë me sytë e mi deri në detaje sesi u rrahën policët e shtetit nga grupe të veçanta, të mirëorganizuara, si e hodhën përtokë flamurin kombëtar, e si ia vunë flakën bashkisë së Vlorës dy ditë para themelimit të “Forumit”. Qysh në fillim të janarit në Vlorë u shfaqën grupe me armë, jo të ushtrisë shqiptare, që vepronin të fshehur në turmat e protestuesve të shumtë.    
U arrestuan zjarrëvënësit e bashkisë që ishin të filmuar. Nga ato pak deponime të tyre del se ishin grup i organizuar, i parapërgatitur, për t’i (dokumentet e filmimet janë ende në prokurori) vënë zjarrin bashkisë e që provën e parë disa prej tyre e kishin kaluar dy ditë më parë në qytetin e Lushnjes. Jo më kot pastaj, ditë me rradhë, ”ustallarët” e drejtuan turmën drejt komisariatit derisa sa arritën të lirojnë të arrestuarit dhe t’i vënë zjarrin komisariatit.      
10 Shkurt 1997
Ka një pasktësi në libër lidhur me datën e vrasjes së protestuesit nga vlonjat Artur Rustemi. Ai u vra më 10-të, jo më 5 shkurt dhe përplasja e famshme me policinë u bë po në atë datë. Deri atëherë kishte përleshje me policinë por jo si ajo e datës 10.02.1997. Atë ditë në të gdhirë Vlora, u gjend e rrethuar nga qindra policë të ardhur nga të gjitha komisariatet e Shqipërisë. Në librin “Skaner 1997”, kam dhënë me hollësi se nga erdhën këto forca, dhe emrat e komandantëve të tyre. (Shih Skaner 1997 fq.99) . Forcat policore që do të bënin ”terbiet” Vlorën e pabindur ishin të armatosura me shkopinj gome, mburoja plastike dhe skafandra. Jo pasdreken e 5 shkurtit si shkruan autori por më 10.02 në mëngjez, vlonjatët panë qyetin e rrethuar nga larushët e qeverisë. Kjo për ta ishte e tepërt. Përshkrimi i përplasjes së vlonjatëve me policinë nuk pati një front ballëpërballë ( shih Nëntëdhjeteshtata, fq.68) siç thotë Lubonja. Fronti u shtri pothuaj në të njejtën kohë në rrugët e kryqëzimet kryesore, atje ku ishin vendosur forcat qeveritare, kryesisht në qendrën e qytetit. Përsëris si dëshmitar okular, se policët nuk ishin të armatosur me armë zjarri. Vlonjatët ashtu si thotë edhe Lubonja i rrahën, i lanë në brekë larushët e qeverisë dhe ua dogjën veshjet e paisjet. Pastaj i morën në shtëpia, iu veshën nga një palë tuta sporti dhe nëpërmjet ullishtave i nxorën nga Vlora. Por nëse policët (se edhe ata shqiptarë ishin)  do të kishin armë me vete ndoshta jo të gjithë por të paktëm nja katër a pesë, mendoj se  nuk do të lejonin t’i turpëronin në atë mënyrë.
Vrasja e protestuesit Artur Rustemi, mbrapa Shtëpisë së Beut, në qendër të Vlorës, është ende enigmë. Shumë u tha e u spekulua atëherë, u bënë dhe shumë betime nga drejtuesit e opozitës së atëherëshme madje edhe nga “Forumi.” Por qeveria e ardhur në vitin 1997 edhe pse u betua se do të vinte drejtësi (“Forumi” u shkri shpejt. Më 28 mars krerët e tij, u shfaqën për herë të fundit në Vlorë) as që u kujtua për të bërë hetime. Nuk mund të thuhet kush e vrau atë djal të pafajshëm të Vlorës, që protestonte kundër qeverisë, pa u zhvilluar hetime e pa u gjetur fajtori i vërtetë. Kjo vrasje u shfrytëzua mjeshtërisht nga ekstremistë të PS-së dhe grupe të tjera kriminale, për të ngritur më vonë nën kërcënimin a armëve shtetin e lirë të Vlorës. Në një artikull të datës 28.03.1997 në gazetën KJ shkruhej: Këtu merr frymë lirisht. .... Mendoj se njerëzit i ka marrë malli për të parë veten në të tillë parajsë... Modeli i lirisë ndodhet në Vlorë.
Në prill të atij viti Lubonja ndodhet në Vlorë por nuk thotë ashtu si kolegu i tij se Vlora ishte një parajsë. Midis të tjerëve takon edhe Albert Shytin, udhëheqësin e revoltave dhe kryetarin e KSHP-së së Vlorës. Nuk jep asnjë mendim për të, veç basetave të gjata që ia kishte parë në TVSH. Nuk di sa zgjati biseda me ta. Nuk mbaj mend edhe se çfarë u thashë. Ndoshta për shkak të tronditjes që pësova në çastin kur u ngrita të ikja “Shtëdhjeteshtata.” Fq.276
Më duket pak e çuditëshme që të takosh kryeheroin e ’97-ës dhe të mos mbash mend se çfarë bisedove me të. Të paktën ta pyeste sesi ishte e mundur që një ditë pasi erdhi nga Greqia, të vihej në krye të protestave, një njeri fare i panjohur për vlonjatët deri atëherë, e që filogreku Stavri Marko, e bëri po atë ditë me dije në shtypin e kohës? Nuk ka çudira këtu zoti Lubonja. Shyti dhe të tjerë si ai, nuk u ndodhën rastësisht, në kohën e duhur, në vendin e duhur, në postin e duhur. Ka fakte boll për këtë.
Sa i përket skenës ku Zan Çaushi, rreh Albert Shytin, Mos u habisni! Fuqia e të parit qëndronte jo se njeri ishte më bandit se tjetri, por se KSHP-ja dhe udhëheqësit e saj gjithë punët e pista, sidomos kërcënimet, vrasjet e policëve dhe presionin me armë mbi demokratët e realizonin me anë të Zan Caushit. Pra midis tyre kishte një lidhje shumë të ngushtë dhe sigurisht që kapua ishte Zani, që me të drejtë ishte mërzitur nga një “kulish” si Shyti. Pikërisht Çaushi, veç vrasjeve e vjedhjeve për llogari të tij me njoftimin e shytëve (nënkupto të KSHP-së) rrëmbente e torturonte njerëzit e PD-së, u mitralonte shtëpitë ose u hidhte granada në oborr. Këto nuk janë përralla. Në librat e mi për nëntëdhjeteshtatën ka shembuj konkretë. Kjo gjendje terrori vazhdoi deri më 28.06.1997, kur u zhvilluan zgjedhjet e parakohëshme.
Mirë do të ishte që të shkruaje se para shkollës kishte njerëz të armatosur me kallashë dhe se në qytet nuk kishte policë.     
                                 
Komitetet e Shpëtimit Publik.
Në librin “Skaner 1997” kam shkruar gjërësisht për Komitetet e Shpëtimit Publik, si u formuan, rolin që luajtën dhe si u shkrinë ashtu si u formuan me urdhër nga lart.
Fatos Lubonja përpiqet të heqë një paralele midis ngjarjeve të vitit 91-92 dhe vitit 1997. Ai thotë: Vërtet ka disa gjëra të përbashkëta me atë të viteve ’90-’91. E përbashkëta kryesore është kriza ekonomike e politike, zjarrit të së cilës ne po i fryjmë. Por është dhe frika e rregjimit nga krimet që ka kryer...... Asokohe Alia, e shfaqi qartë se donte të kryente një zbritje të butë dhe të tërhiqej nga skena politike... (Nënëdhjeteshtata. fq.136”
Në këtë pikë ndahem plotësisht me Lubonjën. Të gjithë shqiptarët, të mëdhenj e  të vegjël e kanë parë në TVSH dhe emisionet e Robert Papës, kur Alia deklaron: Ua kemi vrarë baballarët për 40 vjet dhe do ua vrasim përsëri.... Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim por pushtetin nuk e dorëzojmë...”. Në rast se nuk pati gjakderdhje në protestat e vitit 90-’92, nuk është aspak merita e komunistëve shqiptarë në pushtet. Ajo është meritë e popullit shqiptar që vazhdoi të demonstrojë paqësisht mbi dhê e nën dhê pa plagosur dhe pa vrarë qoftë dhe një polic të vetëm. (Gjatë vitit 1997 në Shqipëri u vranë mbi 100 policë dhe oficerë policie.) Megjithëse nga burgjet dolën me mijëra të burgosur politikë dhe jo politikë dhe njerëzit ishin të mbarsur me urrejtje ndaj rregjimit diktatorial, as edhe një njeri i vetëm nuk tha: “Rrëmbeni armët! Diktatura bie me armë. Merrni armët të hakmerremi...etj, etj”. Kjo sipas meje sepse ata që protestonin në vitet ’90-91, e kuptonin që demokracia nuk e pranonte gjakun dhe luftën. Krejt ndryshe ndodhi me ekstremistët e majtë. Duke shfrytëzuar pakënaqësitë ndaj zgjedhjeve të kompromentuara të 26 Majit, dhe sidomos krizën e fajdeve, ata manipuluan protestuesit dhe hodhën parullat e famshme: “ Saliu nuk ikën pa luftë! Maloku po i hipi kalit nga andej mund të zbresë vetëm i vdekur! etj.”
Ka fakte të panumërta që Vlora dhe një pjesë e Jugut rezultojnë të armatosur shumë kohë para “9 Marsit” e jo pas kësaj date si rreket të sqarojë zoti Lubonja në libër. Le të besojmë që ka mungesë informacioni. Njerëzit e armatosur janë shfaqur (jam dëshmitar okular) qysh në fund të dhjetorit 1996. Ka një numër artikujsh të shkruar nga gazetarët e asaj kohe si Frrok Çupi, Martin Leka, Zenepe Luka, Anilda Brahimi, Alfred Peza etj, gjatë shkurtit ’97 (Shih Skaner fq.192-199) ku ata pohojnë që njerëzit e armatosur në Vlorë nuk janë nja gjashtë a shtatë, por nja njëzet a dyzetmijë. Por edhe me njëqind ta pjestojmë këtë shifër prap del goxha e madhe.
Shumë e dhembshme skena (Nëntëdhjeteshtata fq. 146) ku Qorri, alias Fatos Lubonja, shpreh habinë që ndodhej në një front me njerëz të hurit e litarit dhe me ata që e kishin rrahur e goditur me grushte në burg e tash po e përqafonin. Ai thotë: “ ... Më në fund e njohu dhe mbeti si i shtangur. Nuk po u besonte syve; Ishte Gjergji me nofkën Topalli një nga gardianët  më të urryer të Spaçit, që e kishte rrahur dhe goditur me grushte. ... E kapi një ndjenjë faji kur përfytyroi se ndër përkrahësit e “Forumit’ mund të kishte edhe xhelatë si ky.(Nëntëdhjeteshtata fq.146)”
Nuk po diskutoj se ç’ndjeu më tej Qorri, ato çaste. Por më habit fakti sesi ai dhe shokët e tij nuk kuptuan atëherë por as edhe sot, se atje në Jug, në Vlorë në veçanti, shokët e atij gardianit kishin rrëmbyer armët jo për të rivendosur demokracinë, dhe për të shpëtuar popullin nga diktatori Berisha, por për të rimarrë pushtetin sipas mësimeve marksist-leniniste. Themelimi i KSHP-së në Vlorë daton 05.03.1997. Ato ishin formacione të armatosura që siç e kanë pohuar vetë krerët e tyre do t’i lëshonin armët kur të ikte Berisha. Po citoj autorët e librit e librit “Çështja Shqiptare “ Miranda Vickers dhe James Pettifer për ngjarjet a atij viti: ... Gjithsesi rënia e shtetit nuk erdhi si pasojë e mafies apo krizës së piramidave. Ndryshimi midis asaj që shkaktoi serinë e krizave të veçuara në Jug, dhe një kryengritjeje të përgjithëshme që rrëzoi qeverinë, qëndron te fakti se jugorët (kupto komitetasit. Shën. im) që e urrenin qeverinë qenë në gjendje të mbështeteshin te modelet partizane të sprovuara prej kohësh dhe drejtues kryengritjesh.... Në jug linjat e PS-së së vjetër dhe Sigurimit të Shtetit e përhapën pushtetin në rradhët e puntorëve dhe fshatarëve, në lokalitete të reja, disa të organizuara nën kontrollin e komiteteve popullore.Libr. fq80
Nëse nuk do të ishte ‘9 Marsi”, këto formacione që qeverisnin Jugun me  (në kohën e luftës në zonat e  çliruara nga komunistët, quheshin këshilla antifashistë), komandantët e tyre do marshonin në Tiranë.
Pas trembëdhjetë vjetësh autori mbron tezën se ajo luftë ishte e drejtë. Po e ritheksoj se armët fillimisht nuk i mori gjithë populli (depot u hapën shumë më vonë) për rivendosjen e demokracisë së dhunuar nga qeveria demokratike, por ish-sigurimsat dhe ekstremistët e majtë, thjesht pë të rrimarë pushtetin e humbur katër vjet më parë. Lubonja shkruan: “....Ky përjashtim i Jugut (nga bisedimet me Vranickin) ishte tradhëtim i një lufte që, megjithë anarkinë e rrezikëshme që kishte shkaktuar, ishte në thelb e drejtë, sepse ndoshta për herë të parë në historinë e tyre shqiptarët po u tregonin pushtetarëve të tyre se qenë në gjendje t’i ndëshkonin për zullumet e bëra. Dhe kjo mund të hapte një epokë të re, duke krijuar edhe një tip të ri politikani. (Nëntëdhjeteshtata f.q228).
Sikur të ishte ashtu edhe unë do të ishta dakord që populli ynë trim e liridashës po rivendoste demokracinë e po ndëshkonte të korruptuarit qoftë dhe me grykën e armës. Po nuk ishte aspak ashtu. Kryengritësit (jo protestuesit) ishin një grup fanatikësh të PS-së, ish sigurimsa, ( më vonë u bashkuan dhe me kriminelë) që duke përfituar nga rrethanat rrëmbyen armët. Koha tregoi se megjithëse Berisha, u mund dhe mbeti me një grusht përkrahësish, ata që erdhën në pushtet e shpërdoruan atë në mënyrën më të keqe të mundëshme, duke vendosur rekorde të papara në fushën e korrupsionit. Si nuk e kuptoi që në fillim Qorri, që po i përdornin ( në marrëveshjen e “9 marsit” nuk i pyeti kurkush) thjesht si fasadë dhe roli i “Forumit” veçanërisht në jug ishte zero? Cili nga gjeneralët e  KSHP-ve në Jug, i mori mendim Fatos Lubonjës, Daut Gumenit apo Kurt Kolës? Vranicki megjithëse vinte nga Europa, ishte në gjendje të kuptonte se KSHP-të ishin të paligjëshme dhe kishin marrë rolin e pushtetit vendor, duke u vënë pushkën njerëzve të zgjedhur në bashki e komuna. Ai deklaroi (ky ishte dhe qëndrimi i SHBA-ve) se njeh pushtetet vendore të dala nga zgjedhjet e tetorit 1997, e jo ato të dala nga gryka e pushkës. Çudi sesi i vjen keq autorit që Europa nuk legjitimoi KSHP-të si pushtete vendore!?
Autori deri në fund mbron tezën se: .... Nuk kishte asnjë kokë që i bashkërendonte këto veprime në Jug. Përkundrazi mu pse ishin të dobët dhe pa kokë njerëzit shtinin në qiell.(Nënëdhjeteshtata fq. 239 )  
Atëherë po bëj pyetjen e thjeshtë: Kush i organizoi disa kuvënde të KSHP-ve të Jugut në Gjirokastër, Delvinë, Lushnjë, Ballsh, Vlorë e gjetkë për bashkëveprim veprimesh? Kush e organizoi takimin e famshëm më 28.03.1997 në qytetin e Vlorës, ku ishte i ftuar edhe “Forumi për Demokraci?” Kush e hartoi deklaratën që u firmos nga të gjitha partitë e opozitës (për “Forumin” ka firmosur Daut Gumeni) së atëherëshme përfshi dhe atë Republikane? Dokumenti veç partive të opozitës u firmos edhe nga nëntëmbëdhjetë përfaqësuesit e KSHP-ve. Fotokopja e dokumentit me 27 firmat gjendet në librin “Skaner 1997”fq. 602. E theksoj që “Forumi” me të tijët atje ishte i ftuar, se organizatorë ishin KSHP-të e Jugut. Ka dhe një dokument tjetër (Skaner fq. 598) ku 14 intelektualë edhe nga ”Forumi”, përshëndetin formimin e KSHP-së së Vlorës dhe shprehin përkrahjen pa kushte ndaj tij. Po shkoj më tej dhe po e mbyll këtë pasaktësi ose lajthitje të Lubonjës jo të Qorrit, me një deklaratë  më 30.03.1997. Është një deklaratë e ”Forumit” pas takimit të 28 Marsit në Vlorë. Pasi argumentohet që krijimi dhe veprimtaria e Komiteteve është një domosdoshmëri për fatet e mëtejëshme të Shqipërisë në fund të pikës pesë thuhet: ... Duke pasur parasysh sa më lart ”Forumi” i konsideron këto komitete shprehës  të mirëfilltë të vullnetit të popullit në ato zona. ”Forumi” i bën thirrje qeverisë Fino, si dhe të gjitha partive politike të vendit t’i konsiderojnë ato si një forcë me të cilën është e domosdoshme të dialogohet për normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes.” Skaner” 1997. fq.275”
Përfundimisht KSHP-të ishin të organizuara, të bashkuara, të bashkërenduara, të armatosura. Atëherë çfarë thotë Lubonja, në në faqen 239 të librit të tij se nuk kishte asnjë forcë që i bashkërendonte veprimet në Jug?! Dhe me gjithë mend pyes: Edhe tani pas trembëdhjetë vjetësh i ka për zemër ato formacione ushtarake të gjeneralëvë të Jugut dhe ende beson se me grykën e pushkës ata do të sillnin demokracinë!? Ende nuk e kupton se ustallarët që e futën në burg e shfrytëzuan në mënyrën më të keqe të mundëshme për të rimarë pushtetin për veten e tyre? Ende nuk i vjen keq që nën emrin e ”Forumit” u morën armët e u shpërthyen depot në Jug? Dhe kjo ndodhi jo pas ”9 Marsit’ se atëherë e kishte marrë ferra uratën, por ditën e sulmit mbi SHIK-un, në Vlorë. Nga data 1 deri në 3 mars Jugu, ishte i armatosur. Më tre mars formohet formacioni i parë luftarak: Komiteti i Shpëtimit Publik në Sarandë, dy ditë më vonë ai i Vlorës e me rradhë. Ata që udhëhiqnin repartet e KSHP-ve dhe organizuan ”mbrojtjen e qyeteve” ishin të gjithë ish-oficerë të Enver Hoxhës.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...