“Brenda
një teksti fare të zakonshëm siç është himni ynë (pothuaj të gjithë
himnet e shteteve dhe kombeve të tjerë nuk shquajnë shumë për bukuri
estetike dhe shpesh autorët janë periferikë), Kadare i bën një lexim
tjetër këtyre strofave të Aleksandër Drenovës, të cilat kanë njëherësh
edhe kushtesën për të qëndruar përballë sfidave të moteve të ndryshëm,
ashtu edhe parathonë disa vërteta për fatin e shqiptarëve.”
Nga Çerçiz Loloçi
Ismail
Kadare rivjen sërish para lexuesve të vet jo si zakonisht me gjininë më
të preferueshme të tij, romanin, por me një sprovë letrare që e ka
titulluar “Mosmarrëveshja…”. E konceptuar në trembëdhjetë kapituj (një
prej tyre intermexo) dhe me një tufë shënimesh që plotësojnë ato, Kadare
rimerr trajtimin e fatit të shqiptarëve në shekuj duke më shkuar më tej
se shqetësimi i rilindasve, Fishtës apo Konicës. Mbështetur në histori
por jo si një renditës tradicional i fakteve të saj, shfletues i
vëmendshëm i qindramijë faqeve të shkruara pro dhe kundër shqiptarëve në
mote dhe njerëz të ndryshëm, pikërisht me mjetet që i zotëron vetëm
letërsia (sprova letrare) ai arrin të zbulojë të vërtetat e mëdha që
trondisin dhe që mund të konsiderohen edhe si testament për të sotmen e
më gjerë. Secili nga kapitujt, me gjithë intermexon midis, mund të
qëndrojnë edhe më vete, por autori bën kujdes që ato të shkrihen në
mënyrë të përkryer me ansamblin e ngrehës letrare.
Për
të shkruar këtë ese të jashtëzakonshme që duhet thënë se nuk mund të
lexohet me një frymë, autori ka vënë disa shtylla bazë: himnin,
flamurin, gjuhën shqipe, Skënderbeun dhe rreth tyre shpalos mendimin e
vet herë diku të ngjashëm me atë të paraardhësve të tij të shquar dhe
herë krejt original. Brenda një teksti fare të zakonshëm siç është himni
ynë (pothuaj të gjithë himnet e shteteve dhe kombeve të tjerë nuk
shquajnë shumë për bukuri estetike dhe shpesh autorët janë periferikë),
Kadare i bën një lexim tjetër këtyre strofave të Aleksandër Drenovës, të
cilat kanë njëherësh edhe kushtesën për të qëndruar përballë sfidave të
moteve të ndryshëm, ashtu edhe parathonë disa vërteta për fatin e
shqiptarëve. Natyrisht një vvështrim tjetër ka Kadare edhe për
heraldikën e flamurit që, sipas tij, është një shenjë e qënësisë
europiane të shqiptarëve.
Kur
ke përfunduar së lexuari krejt sprovën me gjithë shënimet, kupton lehtë
se figurë qendrore në këtë libër është ajo e Skënderbeut e parë jo me
hiperbolizim dhe as duke u rreshtuar përkrah kombëtaristëve, por duke
spjeguar se lidhja e shqiptarëve me kontinetin e vjetër është pikërisht
ai me gjithçka bëri qysh nga ardhja në Krujë e deri me vdekjen e tij
tepër të thjeshtë në një kishë modeste të Lezhës. Kadare kalon në sitë
krejt çfarë është shkruar për të nga Barleti e Noli kryesisht, por edhe
nga personalitete të tjera jashtëshqiptare të muzikës, artit, kulturës
dhe nuk e mohon se përveç një dukurie historike të dëshmuar botërisht,
Gjergj Kastrioti ka pasur edhe një vel miti. Dhe teksa i bën një
portretizim të gjithkahshëm kësaj figure shqiptare dhe europiane
njëheri, merret me mend se shkas për sprovën ka qenë monografia
“Skënderbeu” e zvicerianit Oliver Jens Schmitt. Dhe jo vetëm ai, por
edhe një luzmë albanologësh të rinj që, kinse në emër të modernitetit
por në të vërtet kor vajtues për diktaturën që iku, iu u sulën shumçka
të mirë shqiptare duke përdhosur çdo gjë.
Libri
i zviceranit pati një fat të trishtë jo thjesht prej irritimit që erdhi
këndej dhe andej viseve shqiptare, por për faktin e thjeshtë se ai
ishtë një kopje e shëmtuar e dhjetra librave dhe broshurave të publikuar
kryesisht nga serbët e nga miqtë e tyre në kohë të ndryshme. Autori,
ndoshta më shumë dhe më gjerësisht se në ese të mëparshme dhe ligjërata
të mbajtura brenda dhe jashtë vendit, i kushton vëmendje të veçantë
ceneve tona, të cilat shpesh kanë qenë më të dëmshme dhe më vendimtare
se sa të ish armiqve tradicionalë.