“Tregimet e Veriut” nën një emër të ri
“Tregimet e Veriut” nën një emër të ri
nga NAIM ZOTO
“Për
vlerat e librit të ri të shkrimtarit Bardhok Pulaj, me titullin
“Tregime” u organizua para disa ditësh një promovim në sallën “Gjegj
Fishta” të bibliotekës së
Lezhës, ku kolegë të shkrimtarit nga Tirana, Shkodra, Lezha, Mirëdita si
Ndue Gjika, Ndue Dedaj, Kujtim Dashi, Naim Zoto folën për vlerat dhe
mesazhet e librit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i bashkisë
së Rrëshenit Gjon Dedaj, i cili përgëzoi shkrimtarin Bardhok Pulaj,
aktualisht mësues i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit”.
Nuk
është ndonjë gjë e madhe sot të shkruash, të publikosh, të botosh.
Problemi është çfarë shkruan, për kë shkruan dhe si shkruan. Kur, para
disa muajsh, Bardhok Pulaj, autori i librit me tregime e novela që sapo
ka dalë në qarkullim për lexuesit, miku im i vjetër i fakultetit
filologjik të Tiranës, për degën gjuhë-letërsi, më solli librin e tij të
sapobotuar “Tregime”, u bëra shumë kurioz dhe, nga padurimi, tregimin
që hapte vëllimin pothuaj e kam lexuar në këmbë. Më tronditi “Kolla” e
tij, tregimi me të cilin hapej libri, duke më risjellë në mendje skicat e
paharruara të Migjenit mbi mjerimin në qytetthet shqiptare. Tregimi nuk
ka personazhe; personazh është kolla e minatorëve. Nëpërmjet saj bëhet
komunikimi, përmes saj minatorët njohin njëri-tjetrin kur nisen herët në
mëngjes për në galeritë e nëntokës. Me
pak fjalë, përmes një metafore sa artistike, aq edhe jetësore, Bardhok
Pulaj jep një dëshmi artistike, duke u fokusuar jo në qytet, por në
mjedise aspak atraktive për artistët, siç janë të ashtuquajturat qyteza
minatorësh, që, në fakt, nuk ishin as qytete dhe as katunde.Jo
rastësisht, autori nuk merret me njerëzit drejtpërsëdrejti, as me
përshkrime të mjedisit. Autori gjen detaje, sende, aspekte të rutinës së
përditshme njerëzorë të cilat, pastaj, përmes laboratorit krijues,
kthehen në simbolikë, metafora që të befasojnë, duke dëshmuar për
njeriun, kohën, shoqërinë, pasojat e politikës apo regjimit mbi to,
shumë më tepër se sa krijimi i personazheve konkretë. Ky cikël tregimesh
duket sikur janë pjesë e një romani me personazhe të çuditshëm
si”kolla”(“vargu i kollitjeve u vu për udhë”), “nënsupa”, “i ftohti”, “qumështi pluhur”, “lexuesi i gazetës së partisë”(“Shumica ishin gra, shumicën e grave e përbënin plakat, shumicë së plakave do t’u lexohej shtypi i ditës”), “tualeti i katundit” (“Nuk kemi çfarë të hamë dhe nuk dalim fare jashtë”),
“kokrrat e kafes”, “kokrrat e misrit”, “rrjedha e ujit”, “pëllumbi”,
“cjapi”, “kumbulla” etj. Në tregimet e Bardhok Pulajt verifikohet ajo që
thuhet se shpesh realitetit është më art se arti vetë, më fantastik se
fantazia vetë, më paradoksal se paradoksi i krijuar nga fantazia e
krijuesit. Shkrimtarët janë me
fat kur jetojnë apo zbulojnë këtë realitet. Duket si një art i gatshëm,
si diamantet apo perlat që dalin rastësisht në sipërfaqe apo anash
rruge. Por kjo nuk është e lehtë dhe jo kushdo mund të bëhet shkrimtar.
Tregime të tilla, si këto të Pulajt, mund të qëmtohen dhe të servilen si
letërsi vetëm nga njerëz që iu dhimbset njeriu, pavarësisht nga fati
apo statusi, pavarësisht se sa poshtë ka rënë apo se sa poshtë e kanë
vënë.Tregimet dhe novelat e Bardhok Pulajt të përfshira në këtë libër
nën titullin thjesht “Tregime” duken si tregime të jetuara; ato janë të
përcaktuara në hapësirë dhe, pak a shumë, përputhen me rrugën e jetës së
autorit, ndonëse drejtpërdrejt apo edhe tërthorazi nuk rezulton të ketë
implikime personale në kuptimin e jetës së autorit. Bardhok Pulaj ia ka
dalë që të bëjë letërsi dhe jo si shumë amatorë që shpesh duan të
evidentojnë vetveten në mënyrë banale. Poeti mund të rrëfejë vetveten,
ndjenjat e tij, por shkrimtar i mirë është ai që rrëfen për të tjerët.
Egoizmi iu shkon poetëve, por jo shkrimtarëve, ndonëse arti në thelb
është dhuratë e egoizmit njerëzor. Tregimet dhe novelat e Bardhokut janë
tregime dhe rrëfime që dalin nga fshati i tij, nga krahina e tij, nga
rrëfenjat e vjetra dhe më të reja të krahinës së Mirditës. Merita e
shkrimtarit është që këto kujtime dhe fakte historike t’i kthejë në
letërsi me qëllim që të bëhen pronë artistike e të gjithëve, pavarësisht
nga vendlindja e tyre apo e autorit. Bardhok Pulaj duket se ia ka
arritur kësaj. Autori ia ka arritur të kapërcejë katundin, lokalitetin,
krahinën, të kapërcejë fisin dhe vetveten, jo duke shkelur apo
nënvlerësuar ato. Përkundrazi, duke i ngritur në art, në letërsi, iu ka
shumëfishuar vlerat dhe referencat. Mbi të gjitha, ai shkruan si qytetar
për fshatin, për katundet, për provincën, për kanunin dhe ndërgjegjen e
frustuar. Shumë autorë kanë
përshkruar, për shembull, për ditën, më saktë natën e parë të martesës,
por unë nuk njoh një rast kaq dramatik sa i këtij autori kur “nusja me
fishek në pajë”, vajza me këmisha “shtatë shtat” i
thotë burrit të paracaktuar se nuk mund të jetë e tija, por e
tjetërkujt. Shkrimtarët e Kanunit e kanë vrarë këtë grua, kurse dhëndëri
i Pulajt e shpie nusen tek i dashuri i saj. Është për t’u vënë re se
autori i këtij libri, jo vetëm në këtë rast, parapëlqen personazhet që
“tradhtojnë Kanunin”, ndryshe nga një grup autorësh që, për t’u bërë
interesantë, sidomos ndaj disa të huajve që duan ta shohin Shqipërinë si
muze të së kaluarës, shtojnë
artificialisht “romantizmin” e veprave të tyre duke hyjnizuar tradita
dhe sjellje anakronike. Një novelë interesante, që nuk e di pse më
kujton romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, është
novela “Toka e falur”. Një vlerë me vete e autorit është aspekti
leksikor dhe frazeologjik, duke rifutur me sukses në përdorim
dialektalizma apo duke krijuar edhe fjalë të reja.
No comments:
Post a Comment