Ndaj në radarin e këtij projekti hyn menjëherë një grup miqsh të përbërë nga disa poetë, shkrimtarë dhe intelektualë. Zemra Prindërore, ashtu
si të gjitha projektet e tjera në letërsi që nisin me një ide apo me
një grup idesh filloi dhe u realizua edhe botimi i antologjisë poetike Zemra Prindërore.
Por askush më parë se poeti Agim Bacelli, ideator i këtij botimi, nuk
do të ishte dakord se distanca midis një ideje dhe realizimit të saj
është shpesh aq larg sa ç’është ëndërrimi nga realiteti. Për fat të mirë
ideve të mira u bashkëngjiten gjithmonë njerëzit e mirë.
Përgatitur,
redaktuar dhe korrektuar nga tre anëtarë të shquar të Shoqatës së
Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: Agim Bacelli, sekretarja e shtypit
pranë shoqatës Këze (Kozeta) Zylo dhe Kostaq Duka, duke pasë pranë edhe
përkujdesjen e vazhdueshme të kryetarit të shoqatës z. Dalan Luzaj. Një
kontribut të veçantë në këtë drejtim dhanë edhe konsultantët Mardena
Kelmendi e Edmond Ismailati, krijuesja e arti grafik Eva Saliu si dhe
redaktori teknik Albert Zholi. Këtë mozaik poetik e kanë bërë edhe më të
shndritshëm dy poetë të ftuar si poet nderi, dy ikona të poezisë
shqipe, Dritëro Agolli dhe Agim Shehu.
Të
gjithë prindërit e mbi pesëdhjetë poetëve të përfshirë në këtë
antologji do të ishin krenarë me paraqitjen teknike dhe kualitetin e
poezive të kësaj antologjie që u dedikohet ekskluzivisht atyre. S’do
mend, siç ndodh me të gjitha botimet e antologjive, mund të ketë edhe
nga ata që do e kundërshtonin përfshirjen në antologji të disa poetëve
më pak të njohur në komunitetin letrar. Por për fat të mirë, grupi i
punës është mbështetur në qëllimin e mirë të tyre dhe është përkrahur
nga njerëz që zakonisht flasin me vepra. Në këtë vorbull hyjnë edhe
sponsorët e veprës si nënkryetari i shoqatës Mëhill Velaj, Mardena
Kelmendi dhe studiuesi e përkthyesi i njohur Dr. Selaudin Velaj. Me
shumë të drejtë, kjo Antologji është e ndërtuar tërësisht me poezi që
poetët u kanë dedikuar prindërve të tyre e që andej të gjithë prindërve
shqiptarë.
Për
misionin e shenjtë që kanë, të gjitha poezitë, pa përjashtim, janë të
mira dhe shumë prej tyre të shkëlqyera. Ato janë poezi të
drejtpërdrejta, të pastra dhe të depërtueshme. Ajo që të tërheq
vëmendjen është hollësia e detajeve, seleksionimi i kujtimeve; secili
poet ka idenë e vet se cilat kujtime duhen përfshirë e cilat duhen lenë
jashtë poezisë. E gjithë kjo dhënë me atë ndjenjën dhe dashurinë që
vetëm poetët e kanë kapacitetin letrar ta thonë në vargje.
Ndarja
me prindërit, me tokën në të cilën janë rritur, është një farë vdekjeje
për poetët. Distanca gjeografike dhe koha e shkëputjes, vuajtjet për të
na rritur dhe sekretet e mbijetesës, gjendja e shëndetit apo humbja e
tij, mundësia e vdekjes apo vetë vdekja përbëjnë universin drejt të
cilit graviton pesha e madhe e shqetësimit të poetëve për ata që i
lindën dhe i rritën me dashurinë më të madhe dhe me mundimin më të
sinqertë.
Ja
me ç’mjeshtëri poetike e me ç’pastërti mendimi filozofik e kthen në
vargje ndjenjën e ndarjes dhe natyrën rreth saj poetja Raimonda Moisiu: “Nata, para se të nisesha për në kurbet, / Kishte hënë—si fytyrë e vdekjes nata—e qetë”
(Raimonda Moisiu, “Gurët e Rrugicës Sime”, fq. 139). Apo poetja tjetër e
talentuar Julia Gjika, e cila di ta humanizojnë subjektin e vetmisë në
atë mënyrë sa të bën që ta përjetosh atë në nivelin që e përjeton ajo
vetë kur shkruan: “Kur dikush i
troket në derë, / ai nuk e dëgjon, / po të dëgjojë, / nuk beson, / se
dikush troket për të. / Babai jetim në pleqëri” (Julia Gjika, “I
vetëm brenda katër mureve”, Fq. 82). Duke poetizuar në të njëjtën ide
poeti Adnan Mehmeti e zgjeron hapësirën e mendimit duke i shtuar atij
nocione inventive përshkrimesh shpirtërore: “Në
thinjat e mia / Fëmijët përkëdhelin / Bardhësinë e tyre. / Kujdes, mos u
dashuroni me to, / Se në zbardhjen e tyre, / Sodis thinjat e babait ti”
(Adnan Mehmeti, “Thinjat”, fq. 20)
Për
prindërit të gjithë fëmijët janë poetë ndonëse ata mund të mos
shkruajnë poezi. Ndaj disa prej tyre nganjëherë janë mospërfillës ndaj
kësaj të fundit. Edhe
mospërfillja e prindërve tanë ndaj poezisë, në këtë vepër, eksploron
vetveten si një çelës sa krijues aq edhe sofist në brendësinë e një
origjinaliteti të rrallë në varg. Poetët dhe shkrimtarët e ndjejnë më
mirë se kushdo tjetër se çdo lëvizje që bëjmë në këtë jetë gjeneron një
forcë energjie dhe se kjo energji duhet vënë në shërbim të suksesit jo
vetëm të vetes por edhe të tjerëve.
Poeti
ynë kombëtar Dritëro Agulli, e sheh raportin midis vetës dhe babait të
tij jo si baba e poet por si baba e bir, një energji poetike kjo që do
të jepte jetë edhe te lexuesi më i plogët: “S'e thur poemën aq të gjatë, / Me vargje si litarë, / Se kushedi e gris im atë / Dhe dredh me te cigare” (Dritëro
Agolli, “Poemë për babanë dhe veten”, fq. 16). Nisur nga fakti se
universi operon nëpërmes shndërrimeve dinamike të cilat marrin kuptim më
së miri në jetën dhe veprimtarinë e njerëzve të mirë, të atyre që u
japin të tjerëve një pjesë të vetvetes, në cilëndo formë të jetë e
mundshme dhe e përshtatshme, mund të themi se edhe prindërit tanë na
duan pa pretendime për shpërblime qoftë edhe nga ato artistike. Ja
mendimet e poetes Arta Mezini në këtë pikë: “Kam
frikë pena ime, kam frikë / Prej botës së madhe asgjë nuk marr hua /
Dhuratë kam gjithçka, veç zemrës që rreh / Udhën e jetës dhe udhëtarët
që dua” (Arta Mezini, “Buzëqeshja e penës”, fq. 31).
Ngaqë prindërit përbëjnë një pjesë kaq esenciale në jetën e poetëve në fjalë, Zemra Prindërore
vjen te lexuesi si një reflektim i kësaj lidhje shpirtërore, si shteg
në kërkim të përjetësisë së tyre në format e pranueshme të shoqërisë
prej së cilës vijmë. Madje edhe marrëdhëniet me prindërit tanë u
nënshtrohen ligjeve të marrjes dhe dhënies së anasjelltë të kësaj
sentonie. Siç do e shohim më poshtë të perceptuar në metafora të
goditura, të japësh dashuri nënkupton edhe të pranosh atë. Poezia “Një
pjesë e imja” e Diana Seitajt e ilustron më së mirë këtë koncept: “Dhe po të më pyesin nesër, çfarë do të zgjidhja për ju, / sërish, pavdekësinë do të thërrisja! / E nëse them, se jeni një pjesë e imja, / besoj se unë për ju.., jam e tëra” (Diana
Seitaj, “Një pjesë e imja”, fq. 39). Sado që mundohemi ta idealizojmë
jetën, ngaqë ajo ka një fund dhe fundi i saj do i shkaktojnë dhembje të
tjerëve që mbeten pas, jeta mbeten një harmoni komunikimi e të gjitha
elementeve të shpirtësisë që përbëjnë strukturën e ekzistencës. Ky fund
edhe kur nuk është peltik është dhe mbetet i frikshëm, i përmallshëm e
deri në fund njerëzor: “Natën
vonë kur doli hëna, / Mbi bar na gjeti nëpër ëndrra. / Veç gjallë nëna
shuplakat hap, / Si tjegulla mbi ne e vesa s’na lag”(Çerçiz N. Myftari “Në shuplakë të nënës”, fq. 38).
Nga
Myftari mësojmë një nga arsyet se pse ndjehemi gjithmonë të vegjël para
prindërve tanë. Dashuria prindërore ka një ligj të koduar në gjakun
tonë si shqiptarë dhe si humane që jemi. Kjo qëndron edhe më e tillë për
ne krijuesit ku ligji është në një manifest me të cilin shpallim
parimet e qëllimeve tona themelore. Brenda këtij ligji e shohim veten në
një proces të çuditshëm ku observuesi behet i observuari, një proces ky
i ngjashëm me atë ku ëndërruesi manifeston ëndrrën e tij. Për ta
shijuar në një formë më të bukur këtë ide le t’i referohemi të talentuarës Zylo:“Nga kripa e currilit të lotit, / S’duronin dot këtë lloj vese, / Që buronte nga zërat e mekura, / Brenda pentagramit që s’buzëqeshte!” (Këze (Kozeta) Zylo “Rrudhnin Fletët”, Fq. 94). Edhe Valbona Dardha ka mënyrën e saj të poetizimit në këtë pikë: “Ti akoma vazhdon të më përkundësh, / Për ty, unë akoma fëmijë i parritur / Mbuluar me thinja”
(Valbona Bardha, “Mall Etern”, Fq. 172). Pikërisht për këto nivele sa
personale aq edhe të përgjithshme poeti Dhori Thanasi sugjeron: “Ti ruajmë “të lashtat”/ Le të rrjedhin si lumë / Të duash është pak / Të kujdesesh është shumë” (Dhori Thanasi, “Kujdes”, Fq. 43).
Mendimet
e Thanasit janë jo vetëm pjesë e ingranazhit të kulturës sonë por edhe
të etikës që e vlerësojmë aq lart. Sepse burimi i gjithë krijesës është
vetëdija, potenciali që gjakon shprehjen e dashurisë dhe dhimbjes, të
bukurës dhe të shëmtuarës, të bekuarës dhe mëkateve nëpër të cilat kalon
njeriu gjatë jetës. Atributet e tjera që përfshijnë këto aspekte të
vetëdijes janë zakoni, heshtja e pafund, ekuilibri, thjeshtësia si dhe
cilësi të tjera esenciale të natyrës tonë. Të asaj natyre të ndërtuar
nga Zoti dhe të zbukuruar nga ne dhe brezat e tjerë papa nesh.
Në “Zemra Prindërore” poetët nuk e kanë lënë pas dore se komponentin e vuajtjes si pjesë e jetës. Kostaq Duka e thotë si s’ka më mirë: “Im
atë punëtor është, / nga më të thjeshtët, nxjerr gëlqere të bardhë”… /
Ç’më erdhën ndërmënd këto vargje, / vargjet e parë për babanë”(Kostaq
Duka, “S’janë vetëm disa fjalë”, Fq. 90). Kurse Petraq Pali, i njohur
si poet që jep maksimumin e vet në lartësimin e figurës së babait të tij
Janko Pali (mësues i popullit) për këtë antologji vë në pah edhe
vuajtjet e së ëmës. Ja me ç’maturi poetike e kryen këtë akt autorial: “Kur litari nëpër supe / Të kish prerë e të kish grirë / Mbushur bucela me ujë.... / Tharë buza shkretëtirë!” (Petraq Pali “Bucela”, Fq. 136). E si mund të mos i vlerësosh vargjet që pasojnë: “Më
pret gjithnjë tek prag’ i portës, / Duart nën përparëse sikur fsheh
diçka, / Njëlloj si nënat në mëhallët e botës, / Nëna ime, e plakura” (Thani Naqo, “Nënës” Fq. 166).
Mundësitë
e interpretimit të këtij aspekti poetik si nga pikëpamja e dialogut me
të kaluarën ashtu edhe të formalizmit sentonik të realitetit jepen me
mjeshtri dhe ndjenjë edhe nga një poet tjetër i përfshirë në këtë
antologji. Ai është Gëzim Llojdia, një fragment i poezisë të së cilit
vijon:“Mullarët e barit u
kalbën, te konakët tanë, në katundin e largët. / Oborri gri i heshtur
ditën dhe natën, kasollja e lopës me bajga tharë, / thupërishtet rënë,
mbi thanë. / Fener poçethyer, gjysmë i ngrënë” (Gëzim Llojdia, “Do ti mbledh lotët e gjyshes pas plisit”, Fq. 62). Ndërsa
poeti Shqfqet Dibrani, në një nga poezitë më të arrira të tij,
trishtimin njerëzor e vë mbi hallet e përditshme që karakterizojnë
shumicën e nënave tona. Ai e kthen atë në një dramë të vërtet. Në fakt
ai e përkufizon domethënien e vuajtjes njerëzore në mënyrën e tij, duke e
lënë lexuesin në shkallën e gjykimit të vet për zinë që vetëm pak vite
më parë u përzie me ajrin që thithte njeriu kosovar në rrugën e vështirë
të lirisë së vet: “Diku në rrugët e Prishtinës, Nëna ra / Lemeria e klithmës sate shpirtrat shurdhon pa pra…“ (Shefqet Dibrani, “Baladë për nënën dhe motrën Xifë duke ikur nga Prishtina”, Fq. 160).
Poema
e Dibranit na futë në një shteg poetik ku potencialet semantike dhe
estetike të poezisë e fuqizojnë mendimin se mungesa e prindërve tanë ka
diçka të shenjtë dhe humane në vetvete. Gjë
që shpjegon se standardet e larta intelektuale dhe morale të poetëve
bëjnë që roli i prindërve në vargun e tyre të shkëputet nga realja te
surealja edhe anasjelltas. Ndue Hila dhe Skendër Rusi, secili në mënyrën
e vet, e konsiderojnë këtë aplikim të jetës sociale si fenomen sa të
pamundshëm aq dhe të paevitueshëm në marrëdhënie me veten. I pari
shkruan: “Marr të flas me të, por nuk mundem / Marr t’i shkruaj por jo. / Sa shumë unë për të po vuaj, / Siç vuan për mua dhe ajo.” (Ndue Hila, “Malli për Nënën” 128). Ndërsa Rusi thotë: “Gjithnjë po bëhesh më e kërrusur, / Sikur po i afrohesh tokës! / Unë jam atje,në sytë e rrudhur, / Ku është fillimi i gjithë botës!” (Skënder Rusi, “Nënës sime”, Fq. 155).
Si
të tillë poetët duhet të falën për ndjenjën e një krenarie të ligjshme
që rritet më parë brenda gjoksit e pastaj brenda vargut të tyre. Sepse
poetët, siç dihet, janë gjithmonë në luftë të brendshme midis arsyes dhe
dashurisë distinktive që kanë për prindërit:“Dhe
ikja larg teje shumë herë / dhimbja lozte me këmbët e mia / mërzia
frynte furishëm si erë / e çdo ditë prej mallit të mbinin thinja!..” (Lekë Gjoka, “Nënës” Fq. 98). Po kështu edhe poeti Edmond Ismailiati me një intuitë vërtet fine poetizon dhimbshëm: “I
trishtuar çohem çdo mëngjes, / Me shpresë se do të përqafoj, / Krahët
bosh i mbledh me përtesë, / Mbushur plot dhimbje i shtrëngoj” (Edmond Ismailati, “Tek loti mungesën përjetoj—Babait tim Sherif Ismailati”, Fq. 44).
Intelekti
poetik që gjendet në këtë antologji është i përbërë nga një fenomen që
paraqitet here si gjysmë-art e here gjysmë-instinkt, por që të dyja janë
të përdoruara me efektivitet në gjuhën poetike dhe tonin përmallues që
zotërojnë në vetvete poezitë e tyre. Këto efekte mundësojnë apo
argëtojnë idenë se dashuria prindërore i përket sa ekzistencës njerëzore
aq edhe asaj hyjnore. Një ide kjo që gjeneron fuqi të mëdha ndjesishë
dhe elaboron pastër në aspektet e shqetësimit intelektual dhe
kapacitetit të vetëdijes humane që tentojnë në varg: Ne jemi lisa me rrënjë / në gurë e varre / jehonë zërash të rinj / oshëtimë zërash të të parëve (Mëhill Simon Velaj “Fragment Historie” Fq. 121). Këtë vetëdije poetja e re Marjeta Ismailati e thotë me një sinqeritet gati fëmijëror dhe me një pastërti te admirueshme mendimi: “Më kujtohet gjyshi im ! / Këngë labe seç këndonte, / Kur arat me parmendë lëronte, / Unë ecja si flutur pas tij, / Nëpër gjurmët që ai lëshonte” (Marjeta Ismailati, “Më kujtohet gjyshi im—Shahin Tusha” Fq. 115).
Edhe
zhvillimi i cilësive morale është një dukuri interesante në këtë libër.
Rëndësia e mësimeve të prindërve nuk humbet në mes të rreshtave por
është një e dhënë direkte dhe me forcën poetike që meriton. Në shumicën e
poezive tabani ideor shtihet në sferat e instinkteve sociale përfshi
këtu edhe rolin e prindërve që shkojnë si vektorë paralel me jetën në
vazhdim. Këto instinkte janë shumë komplekse e nganjëherë drejtohen
drejt disa veprimeve specifike që kanë lënë gjurmë në kujtimet e
poetëve. Elementet kryesore që përbëjnë këto episode janë dashuria,
emocionet dhe simpatia, të cilat tek poetët, më duket mua, gjenden në
një shkallë më të lartë se në pjesën tjetër të popullsisë. Poetët e
skanojnë dashurinë prindërore më një përkujdesje të veçantë. Ata e
lartësojë karakterin e lartë prindëror dhe derivacionin e tyre deri në
nivel interpersonal. Ja një fragment poetik nga Resmi Corbaxhi: “Herë më rri në krah / më jep një këshillë / Bir! / Shokë pa gabime mos kërko, / është e kotë / në qoftë se ti do / të mos mbetesh pa shokë” (Resmi Corbaxhi, “Hija e tij” Fq. 142) . Llemadeo
Dukagjini është një poet tjetër që me një vizion filozofik të filtruar
në traditën burrërore të vendlindjes së tij ndër të tjera shkruan: “Ndërsa
njëzëri, etrit, që të dy më thanë; / ‘Sa të mundesh o bir të ligun e
duro, / Por largohu prej tij po munde´ një ditë udhe larg… / Kurrë besë mos i fal, as borxh´ kurrë mos i kërko’! “ (Llemadeo Dukagjini, “Porosi e etërve” Fq. 102).
Sipas
këtyre sy poetëve, vlerat e prindërve janë të pazëvendësueshme në jetën
tonë pavarësisht nga statusi personale që fitojmë në jetë. Orvatja për
ekzistencë apo nevoja për të mbijetuar është dhënë në një mozaik
ngjyrë-plotë metaforash, që lë vend si për interpretim shpirtëror ashtu
edhe filozofik. Kushtet e pafavorshme të jetesës së prindërve të poetëve
nuk paraqiten si intriga politike ndaj fatit të tyre, por më tepër si
përpjekje për të rritur fëmijët pavarësisht vështirësive që mund të
sjellë koha. Poeti Gjeto Turmalaj gjendet brenda këtij perceptimi: “Se
është krijesa ma e madhe e dashnisë, / Se është shpirti ma i madh i
ngrohtësisë, / Edhe kur të mbarojë drita e Diellit e Hanës, / S’ka për
të mbarue madhështia e Nanës” (Gjeto Turmalaj, “Për Nanën”, Fq. 70). Ja edhe Flori Bruqi: “Ti kërkon dritë / se ishe dritë / siç janë dritë / të gjitha nënat” (Flori Bruqi, “Rreze drite”, Fq. 55). Fatjon Pajo futet direkt në zemër të kësaj vërtetësie: “Sot bie shi… / Mbështes ballin në gjoksin tend / E me vehte them: / -S’ka si Ti!”
(Fatjon Pajo, “Tim eti” Fq. 52). E njëjta rrjedhë e vetëdijes se
prindërit janë gjithçka për fëmijët e tyre buron edhe nga poezia
kuptimplote “Zemra Prindërore” e poetit Agim Bacelli (titull ky që është huazuar dhe si titull i antologjisë) “Askush në botë s’ju do më shumë / Se prindi që ju ka sjell në jetë! / Prindi ju bëhet çadër apo gunë / Në stinën përvëluese a në qamet” (Agim Bacelli, “Zemra prindërore” fq. 24).
Pa u larguar nga ky kuzerizëm, si gjithmonë magjik ne fjalën e tij, poeti Dalan Luzaj shkruan: “Rëndojnë
mbi të tetëdhjetë e ca vite / çdo vit i solli një dhuratë / Me shpirtin
e pastër prej fëmije / Atdheut ia nisi për shpatë” Dalan Luzaj. “Babai”
Fq. 56). Poeti dhe përkthyesi mirënjohur Vangjush Ziko, po ashtu, vë në lëvizje ndjenjat e thella që ka në një nga poezitë e bukura të tij tme titull “Ikja e babait”: “Si na e bëre kështu,baba?!... / Flisje,buzëqeshje,rënkoje ngadalë. / Brym'e verdhë mbi fytyrën tënde ra, / Tingëllove dhe heshte si një këmbanë.”
Natyrisht, poezi të arrira nga shumë drejtime janë edhe ato të poetëve Zeqir
Gërvalla, Mardena Kelmendi, Argetina Tanushi, Maliq Lila, Hysen
Cifligu, Zaho Balili, Vitore Stefa, Rozi Theohari, Eleonora Gjoka, Agim
Vatoci, Robert Martiko, Vangjush Ziko, Riza Lahi, Mimoza Ahmetaj, Eduard
Dilo, Belul Shaqo Arapi, Hasibe Alishani-Bllaca, Gjezide Isufi, Medije
Vraniqi, Gëzim Ajgeraj, Fatjon Thanasi etj.
Së
fundi, duket qartë se poezitë e kësaj antologjie janë të frymëzuar nga
motivet më humane të poetëve dhe organizatorëve pjesëmarrës. Qëllimi i
mirë u jep vlera edhe të mëdha virtyteve të tyre të mëdha. Perceptimi
artistik që gjejmë në këtë grup poetësh është karakteristikë e poetëve
shqiptarë, të cilët me dashurinë më sublime i vënë nënat dhe baballarët e
tyre në një platformë të atillë njerëzore e sociale që për shumë njerëz
në botë një perceptim i tillë do të konsiderohej si një lloj utopie
brenda ligjeve të trashëgimisë familjare. Shkurt “Zemra Prindërore”
është një antologji deri në fund poetike në kuptimin më poetik të
fjalës.