Nga Fritz RADOVANI:
Erdhi...Qé ku asht.
Erdhi Don Simoni... Shihe aty në mes djelmëve të rijë ... Erdhi... E ma shumë
se 50 mijë... Shqiptarë, Katolikë, Muslimanë, Ortodoksë, fshatarë e malësorë,
të huej të trupave diplomatike, gazetarë, studenta nga Universiteti i Tiranës,
miqë nga Kavaja, Tirana e Durrësi e nga të katër anët e vendit çohen në maje të
gishtave me pa Don Simon Jubanin e rrethuem nga Rinia Shkodrane... Nuk mungojnë
as ushtarët e forcat e armatosuna të sambistëve apo spijunët e Ramiz Alisë ndër
vagona nën çinarët në Zallin e Kirit...që edhe ata presin vetëm “urdhën”... por
që nuk do të “arrijë” kurrëma!
Erdhi si
Burrat, në mes t’atyne selvijave që për një gjysë shekulli kanë ulë kryet dhe
nuk u ndihej zani...Janë dishmitaret e vetme që flasin, u merret zani e ashtu
të lodhuna e të molisuna nga krismat e automatikëve e të armëve “trofe” të
komunistëve, tregojnë me qendrimin e tyne kryeulun dhimbjen e madhe për Ata
Heroj kryenaltë, që pa pikë frike, ranë në Zallin përbrijë tue thirrë:
“Rrënoftë Shqipnia e Lirë e Demokratike!”
Aty janë
po edhe dy çinarë që nën degët e Tyne ruejnë “Monumentin e Madh” të viktimave
të Gjenocidit komunist të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Koçi Xoxes, Mehmet Shehut,
Haxhi Lleshit, Kadri Hazbiut, Zoji Thëmelit, Hilmi Seitit, Aranit Çelës, Feqorr
Shehut, Çapajev Taçit e të sa terroristëve...që edhe për së vdekuni kanë dhunue
Shkodrën dhe rrethinat e saj, deri në Maje të Hakurave e pertej Kelmendit. Ju
nuk e shihni Ate, po Ai nuk kalbet edhe pse Dheu e ka mbulue që në Marsin e
vitit 1945, kur Prek Cali e Don Ndre Zadeja, si vëllazen të lidhun në zixhirë e
dryj, me vargun e pafund të Atdhetarëve n’ Atë Zall Kiri, thirrën “Rrënoftë
Shqipnia!”...E Gjaku i Tyne vazhdoi me vlue...
Aty asht
edhe një Kapelë e vogel e Atyne Vorrezave, që edhe Ajo i qendroi atij rrebeshi
të pashoq të diktaturës komuniste e nuk mujti me e shembë ashtu si Don Simon
Jubanin, as përbindshi i mnershem i vitit 1967, “Revolucioni Kultural” i
anadollakut Ramiz Alia, që nuk la kompanjel as minare në qytetin Martir! E
bashkë me Ta u fshinë Klerikët e veprat e Tyne letrare, kulturore e
fetare...Por Kleri, edhe pse ishte i shfarosun gati plotësisht, kishte mbetë
ndonjë “përfarë”, sa me i këndue atë ditë Nandori “shartet e fundit”: ISHTE DON
SIMONI Ai që do të Ringjallte Shkodrën... Ai erdhi me pamjen e Një Heroi që
pervujtnisht po pritej me një madhështi të pamendueme nga mbarë Shkodra.
Ishte dita e Diele e datës 11 Nandor 1990... Po
afrohej edhe ora 11.00...
Ai Ju drejtue Asaj Kapele të Atyne Vorrezave, që
Madhështia e Saj ngjante me ndonjë Katedrale shekullore...” M’u mbushën sytë me
lot atëherë edhe sot...Sa afër ishim me Vëllaznit Muslimanë atëherë kur At
Fishta pat lidhë përjetsisht kandilat e dritave nga kompanjeli i Kishës së
Fretenve me Xhaminë e Fushës së Çelës, e flladi i Shkodres valvitte Flamurin
Kombëtar, ndonse në 1990 nuk ishte asnjena, as Kisha e as Xhamija, vëllaznimi e
miqësia mes nesh në Shkodër vazhdonin me kenë të pazgjidhuna! Ishim mbrenda
Vorrezave ku fletët e selvijave e gjethet e çinarëve dukeshin sikur edhe ata
nga gëzimi vazhdonin pandërpremje duertrokitjet... edhe zogjët ishin aq të
gëzuem, sa edhe ata atë ditë nuk dukeshin se vazhdonin kangën e tyne të
zakonshme. Përshndetje dhe shtërngime duersh...shterngime të forta e miqësore
shoqnue me lot, me lot mallëngjimi...
Erdhi Don Simoni ..... Heshtje... U ndigjue zani i Tij i fortë:
“Vëllazën dhe Motra!
Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje
të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata Vëllazën e
Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të
shkueme.
Në vitin 1443, kur Heroi ynë Kombëtar,
Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti
Popullin Shqiptar me këto fjalë:
“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta
midis jush!”
Unë, i padenjë për këte mision, po Ju
them: Se fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!...
...Shkodra, qytet me një histori ma të
lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit, e
Teutës, e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë
tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe
sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse
trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e
Bushatlive, të At Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre
Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit
gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë
traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”
Një “Ave Maria” u ngjit naltë në Qiell e
kori i “Bijave të Zojës”, ...të plakuna dhe të rranueme nga vuejtjet e burgjet,
mundi e shkatrrimi i fermave, vazhdoi me këndue kangën e “Zojës së Shkodres”...Kangë
që Populli i Shkodres nuk e ka harrue kurrë!
21 vjet ma parë Don Simon Jubani ishte Ai
Klerik Katolik Shqiptar, që edhe pse i vetëm, po i rrethuem dhe i mbrojtun nga
Rinia dhe Populli i Shkodres, pa dallim Feje, sfidoi njëherë e përgjithmonë
terroristët komunistë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, tue sjellë bashkë me
Ringjalljen e Fesë edhe Demokracinë, Atë Demokraci për të cilën dhanë jetën mbi
45.000 Atdhetarë Shqiptarë...Vepra e Tij e 11 Nandorit 1990, Ate e bani të
Pavdekshëm...Ashtu si Mija të tjerë pranë Atyne Vorreve historike...
Ai rron dhe do të rrojë në zemrat e
kujtimet e të gjithë Atyne Shqiptarve që do të vazhdojnë me punue me gjithë
fuqitë e Tyne për një Shqipni Europjane!
Don Simon Jubanit, sot në këte ditë kur Ai
asht pranë Krijuesit të vet, nuk më mbetet tjeter veç me Një Lule që Ai na
solli Lirinë dhe Demokracinë, me ua kerkue me ngulm Atyne Selvijave: “Kryet
nalt! Kryet nalt, Ju selvija të Rrëmajit, edhe pse sot Një HERO asht nën hijen
Tuej...Ruejeni fort se Ai ka shkrue në Historinë e Shqipnisë Emnin Tuej ... Atë
Emen të Pavdekshem të Selvijave të Rrëmajit...në Shkoder!..”
Melbuorne,
12 Korrik 2011..