TRIPTIK NË INNSBRUCK
“Kozeta
Krulis ka shkruar një libër ku lexuesi mund të vërejë ç’ndodh me qenien
dhe vetëdijen njerëzore kur gjendet përballë tjetrit, të huajit, i cili
ka gjithë-gjithë dy “programe” leximi të njeriut shqiptar: si në
letërsinë ekzotike, ose si në imazhin televiziv.”
Pas
20 vjetësh rikthehet në atdhe, por, tashmë si autore e një libri nën
titullin “Vajza nga Berati”, botim i parë i shtëpisë botuese “Naimi” për
vitin 2011. Mund ta botonte në gjuhën gjermane, por parapëlqen shqipe. Kozeta
Krulis, një shqiptare me nënshtetësi austriake, sjell një libër me
tregime të cilat i bashkon jo vetëm autorësia e përbashkët, por edhe
“mallkimi i vendlindjes”, që e ndjek autoren ngado që të vejë, ashtu si
thuhet në sakramentin e krishterë: në të mirë e në të keq, në shëndet e
në të lig. Në
Europën e sotme shqiptarët janë të pranishëm po aq sa të tjerët,
përpjesëtimisht me të tjerët. Dhe thuajse kudo janë të pranishëm edhe
shkrimtarët shqiptarë në gjuhët e vendeve ku jetojnë: Ron Kubati, Ornela
Vorpsi në Itali, Besa Myftiu në Zvicër, Elvira Dones në Francë e përtej
Atlantikut dhe shumë të tjerë. Kozeta Krulis u shtohet emrave të
shqiptarëve që shkruajnë e botojnë në Perëndim dhe për lexuesin e
Perëndimit. Kozeta Krulis ka shkruar një libër ku lexuesi mund të vërejë
ç’ndodh me qenien dhe vetëdijen njerëzore kur gjendet përballë tjetrit,
të huajit, i cili ka gjithë-gjithë dy “programe” leximi të njeriut
shqiptar: si në letërsinë ekzotike, ose si në imazhin televiziv. Më së
shumti shqiptarët u ndeshën me dyshimin dhe vrazhdësinë europiane, që
lidhej edhe me shumë sjellje të padenja të atyre që dolën të parët në
Perëndim. “Shqiptarin tim e kam dhuratë nga Perëndia, shqiptarët e tjerë
i marrtë djalli” - ky qe titulli i një reportazhi të botuar në fillimin
e viteve 1990 në një të përditshme greke. Nëpër këtë kalvar duhej të
kalonte edhe Kozeta Krulis. Fillimisht duhej të përballej me
përfytyrimin europian për shqiptarin. Dhe, për të mbërritur deri tek
“ringjallja llazariane”, do t’i duhej të dëshmohej si vetje-ndryshe në
një proces të gjatë e të mundimshëm. Tregimi i Kozeta Krulis “Vrap mbi
mina” është një ikje prej skemës së re europiane të përftimit të njeriut
shqiptar. Ajo të kujton dialogjet e Tom Cruis në filmin e mrekullueshëm
“Terminal”, ku pyetjeve gati lutëse për një pohim të shpejtë që i bëhen
prej policisë aeroportuale: “A është për ju Cracovia, vendi i
origjinës, n jë rrezik”, ai u përgjigjet thjesht: “Jo, përkundrazi, unë
kam frikë nga ju!”. Ndërsa
tregimi me titull “Një çantë te dera” i Kozeta Krulis është jo vetëm
letërsi, por edhe një tekst për analizë kompleksesh e psikozash etnike,
që nuk munguan të shpërthejnë lirisht me kalimin në shoqëri të hapur. Kurse
“Tango në Innsbruck” është nyja themelore e vëllimit. Eshtë një novelë
që të bën të mendohesh; ajo ka, gjithashtu, një lexim antropologjik,
sidomos për lidhjet e njeriut me vendlindjen. Berati dhe gjithçka di për të bëhet shpëtimi i autores për të shfaqur identitetin e vet.
Autorja,
duke jetuar fatin e personazhit të novelës së vet, në fakt i paraqet
lexuesit se si vendlindja, me trashëgiminë e saj më të vlefshme, mund
t’i bëhet pjesë e pasaportës së vet; mund të shenjojë identitetin e saj.
Prej
këndej nis ringritja e personazhit, alter ego e Kozetës. Pikërisht kjo e
bën triptikun e saj një vepër që lexohet si letërsi, si dëshmi, si
burim të dhënash etnopsikologjike, të vlefshme për krahasim gjendjesh në
përplasje mendësish dhe identitetesh. Kozeta u jep, përmes këtij libri,
jo vetëm bashkatdhetarëve të vet, por kujtdo që do ta lexojë, shumë
trishtim e dramë, por njëherësh edhe shumë ringjallje shpirtërore dhe
shpalosje identiteti, duke e promovuar vetveten në sfondin e atij qyteti
që ka mahnitur ndër shekuj botën dhe sot është në listën e Kryeveprave
të Trashëgimit Botëror, një prej programeve më elitarë të Unesco-s,
qytetit të Beratit.