Nga Fritz RADOVANI:
Shqipnia asht shumë e vogël. Shkodra
edhe shumëherë ma e vogël! Shtëpija ku asht zhvillue ngjarja as nuk krahasohët
me asnjenën, prandej edhe asht e vështirë me u besue se kjo asht ngjarje e
vërtetë e ndodhun, madje edhe në një Shqipni të izolueme nga Bota, ku njerzit
me vështirsi qarkullonin nga një qytet në tjetrin...se për jashta Shqipnie nuk
bahej fjalë fare e, sidomos, për Klerikët as nuk mund të mendohej aspak...përveç
arratisjes.
Shkodra dhe historia e saj janë kenë
subjekt i shumë ngjarjeve tronditëse në histori, prandej edhe populli i saj me
të drejtë krenohet për të kaluemen e lavdishme. Komunizmi sadist enverian në
Shkoder ka eksperimentue të gjitha thanjet e fantazitë e Leninit, Stalinit, Mao
Ce Dunit, Pali Miskës, Hekuran Isajt, Lenka Çukos apo Ramiz Alisë me shokë...
Lenini në 1922, thonte: “...Të
asgjësojmë qëndresën e priftënve dhe të murgeshave me një mizori të tillë që
t’a mbajnë mend me dekada të tana!...”
Çdo gja që nevojitëj me zbatue këte
thanje e ke gjetë në Degën e Mbrendshme të qytetit Martirë të Shkodres, madje
edhe pak ma zi se i ka shkue mendja këtyne “klasikve” të marksizëm – leninizmit
apo pasuesve të tyne kriminel e gjakatarë të pashoq...sëpse, aty u grumbulluen
sherbëtorët e shovenistëve sllav, fanatikët antikatolikë, të gjitha fundrritë e
padijes së Toskënisë dhe rrënuesit fshataresk të antiqytetnimit Evropjan Përendimor,
që mbartë mbrenda vetës doktrina regresive komuniste, përballë Përparimit
t’Atdheut!
Ja dhe fakti që vërteton titullin e
këtij shkrimi aqsa rrënqethës aq edhe makabër me u mendue se ka ndodhë në një
qytet me ma pak se 28.000 banorë në vitin 1946, ku kishte 26 burgje të
diktaturës komuniste dhe disa dhetra hetues terrorist e amoral analfabet.
Ngjarja zhvillohet në rrugën
Ballabane të qytetit, në shtëpinë e Zef e Çile Jubanit. Nana Çile detyrohet me
përballue jetesën tue rrah me dhetra orë tezgjahun, për me rritë tre djelmë
jetima. Dy prej tyne zgjedhin rrugën e Meshtarisë, Lazri dhe Simoni. Lazri
vazhdon Seminarin e Jezuitve dhe kur ishte endè aty, bie në sy pregatitja e Tij
serioze si Meshtar dhe si studjues i mirë në lamën e historisë. Në vitin 1947, në moshen 22 vjeçare e marrin
ushtar dhe, asht në pragun e zhdukjes, kur pushkatohet shoku i Tij Don Dedë
Maçaj. Pra, Don Lazri atëherë fillon Kalvarin, tue u dënue me 15 vjet burg nga
të cilat shumë vite i kalon në burgun famkeq të Burrelit. Mbas 10 vjetësh
lirohet nga burgu dhe interrnohet në Gradishtë të Lushnjes, ku qendron edhe 5
vjet tjera aty, deri në vitin 1963...vit
në të cilin lirohet dhe vjen në Shkoder. Në periudhën e “Revolucionit
Ideologjik dhe Kultural” të 1967 detyrohet me hy në punë në fermën “Perlat
Rexhepi” të Shkodres, ku çdo ditë me biçikletë shkon me fitue “kafshatën e
gojës”...deri me datën 29 Korrik 1982, që vdes i helmatisun nga një shok
i punës i quejtun Marleci, kur po hanin bashkë “bukë me djathë” atë mengjez,
prej një domatës që i jep ai. Në spitalin civil të Shkodres, mjekët “nuk dinë
me e mjekue”...kështu, në moshën 57 vjeçare Don Lazër Jubani mbyllë “dosjen” e
hapun në vitin 1947...si shumë shokë të Tij.
Simoni ishte tri vjet ma i ri, le me
5 Mars 1928. Në vitin 1946 kur mbyllet shkolla e Jezuitve nga komunistët nuk
mërrinë me e përfundue, kështu punësohet si infermjer pranë dispenserisë së
qytetit. Aktivizohet me sportin dhe asht ndër futbollistët ma të mirë të klubit
“Vllaznia” në Shkoder, por gjatë kësaj kohe ndryshon drejtimin e rrugës së
jetës, edhe pse i vëllai asht i burgosun vetëm se ishte Meshtar, Simoni ndjekë
mësheftas studimet e duhuna dhe me datën 4 Maji 1958, shugurohet Meshtar nga
Imzot Errnesto Çoba. Shugurimi i Tij ishte një pranim me vetdije të plotë i një
Martirizimi që do ta ndiqte gjithë jetën. Asnjë pikë mëshire nuk do të kishin
terroristët komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar në asnjë periudhë të kenjes
së tyne në pushtet, gja e cila ishte e kuptueshme për kedo që ia hynte asaj
rrugë. Ndërsa, për Don Simon Jubanin ishte edhe e provueme me vëllain e Tij Don
Lazrin, i cili asokohe kalbej burgjesh e kampesh të shfarosjes...Kur Don Simoni
ka lanë Shkodren dhe asht Meshtar në Mirditë në vitin 1963, Don Simoni arrestohet, kur vëllai i Tij Don Lazri, u lirue
nga interrnimi, kështu, Don Simoni i akuzuem, i hetuem, i dënuem, i masakruem
dhe i ridënuem, i spijunuem, i dënuem herë dhetë e herë njëzet vjet, kalon
jetën 26 vjet në një nga burgjet historike të komunizmit, në Burrel,
ku Ai aty tashti kishte edhe “birucën e Don Simonit” e njohtun nga të gjithë
ata që kanë vuejtë në atë burg...Lirohet me amnesti të imponueme nga jashtë në
vitin 1989. Kishte 7 vjet që Don
Lazri kishte vdekë...
Ishin plot 35 vjet që dy vëllaznit Meshtar
të një oxhaku nuk ishin takue kurrë me njenitjetrin, nuk kishin ngranë një
gostë apo darkë bashkë, nuk kishin asnjë mundësi komunikimi as konsultimi për
hallet apo idhnimet e jetes së Tyne, që
filluen në vitin 1947 dhe vazhduen
deri në vitin 1989...
Por historia e Don Simon Jubanit nuk
mbyllet këtu! Meshtari “i pabindun” siç, e kanë quejtë komunistët, vazhdon me
ecë shpejtë si gjithmonë edhe mbas atij burgu të tej zgjatun...gja e cila,
krijon dyshime tek Sigurimi, i cili me 13 janar 1990, në pragun e Asaj ngjarje
të madhe që do të lëkundin thëmelët e komunizmit edhe në Shqipni, pikërisht,
atë natë Don Simoni do të arrestohet me shumë shkodranë tjerë, që me datën 14
Janar kishin organizue një Demostratë të heshtun në Sheshin e Dëshmorve të
Shkodres, ku mendohej se “edhe mund të rrëzohej monumenti i Stalinit”, për këte
arësye xhelati Zylyftar Ramizi me urdhën të diktatorit gjakatar Ramiz Alia,
bani ata arrestime që u pasuen me masakra dhe tortura nga të cilat, ata, që i
provuen me ditë të tana nuk kanë muejtë me u çue në kambë. Por Don Simoni asht
i pafaj. Lirohet, ndërsa, organizatorët e Asaj Demostrate dënohën.
Vrasja e Djaloshit Pëllumb Pllumbaj
në tentativë arratisje ishte prap një trathti e re mbi ligjin e aprovuem “me
gjobitje” për ata që kapën në kufi. Sigurimi shtetit dhe UDB-ja jugosllave
vazhdojnë së bashku lojën e vjetër të mashtrimit dhe të dorzimit të atyne që
mund të mendonin me u arratisë. Askujt nuk i shkon mendja se funerali i
Pëllumbit të Ri do të jetë një revoltë e Atyne Heronjve që banin mbi sypet e
tyne arkivolin e Atij Djali. Posa korteu mërrinë tek komiteti i partisë së
Shkodres, shpërthen dufi i një Populli që ka ndrye në zemër për 45 vjet
urrejtjën për komunizmin, Ramiz Alinë dhe Nexhmije k...Hoxhën dhe, vazhdon
thirrja e Atyne Burrave gjatë gjithë Fushës së Çelës, nga Rusi e deri tek
vorret e Stom Golemit, ku me arkivol në krah bahën thirrje për rrëzimin e
komunizmit...
Mbas kësaj ngjarje në muejn korrik,
duket sikur koha po ecën ma shpejtë. Afrohet muej i Purgatorëve, Nandori i
1990. Zakonisht në Shkoder asht tregue shumë kujdes për rregullimin dhe
zbukurimin e vorreve në këte muej. Siduket, kur i Ndjeri Gjon Kamsi pat
mërrijtë me shpëtue nga shkatrrimi Vorrezat e Rëmajit, ka parandi dishka për
Atë ngjarje aq të Madhe që do të ngjasin Aty me datën 4 dhe do të pasohet me
datën 11 Nandor 1990, tue u ba Dita e Fitorës së Demokracisë në Shkoder, simbol
i mbarë Shqipnisë. Nën një shi e fortunë vjeshte në mes Atyne selvijave të
nalta Don Simon Jubani thotë Meshën e Parë, mbas 23 vjetësh të “Revolucionit
Ideologjik e Kultural”, të cilin e pat drejtue atëherë në Shkoder, “bilbili” i
PPSH, Ramiz Alia. Ndonse, në vitin 1985, pak ditë mbas datës 11 Prill kur pat
ardhë në Shkoder, pat lanë porosi: “...shoku Enver na la...armiqtë e partisë
kanë për të kërkuar për të prishë unitetin tonë...do të kërkojnë për të gjetur
mundësinë e realizimit të qellimeve të tyre të këqija ndaj partisë,...prandaj,
të jemi vigjilent, sidomos me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë
partinë. Ata në këte situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të
përçarë këtë unitet të partisë sonë...por, kudo që të vëreni një çfaqje të
vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin
ballit...”.
Dhe, me të vërtetë nga data 4 Nandor
e deri me 10 në darkë, mund të thohet se disa apartamente karrshi Vorrezave të
Rëmajit kishin aq arsenale armësh në katët e sipërme, sa ndoshta po të
përdoreshin, njerzit që do të vriteshin do t’ishin ma shumë sesa të varrosunit
aty në 100 vjet që janë hapë Ata Vorre. Vagona të tanë me sambista e
ushtarë...gadishmeni nr.1 në të gjitha repartet ushtarake të Veriut. Telefoni i
Ramiz Alisë për orë të tana të datës 10 të së shtunës, i jepte urdhna
sekretarit të parë të PPSH Shkodres Xhemal Dymbyles, sesi me ba gjakderdhje e
terror me datën 11 në Rëmaj, nëse Don Simon Jubani do të guxonte me thanë
Meshën e paralajmërueme nga Ai vetë, që me datën 4 Nandor ora 12.00...
Aty nga ora 10.45’ e datës 11 jam
nisë me shkue me të gjithë familjen ndër Vorre. Kur ishe tek dera e Vorreve,
vërejta shumë Musliman jashta Vorreve të grumbulluem tek dera. Unë për një çast
dyshova për ndonjë keqkuptim, përderisa ata ishin në rrugë jashta Vorreve. Njoha
një ndër Ata dhe e pyeta se pse keni ndejë përjashta? Ai më tha: “Ju hyni e
shihni Meshë, nëse do të ndërhyjnë forcat speciale dhe ushtarët që janë ndër
vagonat e trenit kundër jush, na do të futemi menjëherë mbas tyne dhe do të
përdorim armët që kemi në trup dhe mbas apartamenteve ndër makina...Rrini të
qetë se vëllau në ditë të ngushtë njihet, na nuk largohemi prej këtu pa
përfundue Mesha...jemi ma shumë se 500 vetë!”...
Uniteti i Popullit të Shkodres në
datën 11 Nandor 1990 dhe, tek Xhamija e Plumbit me datën 15 Nandor, asht Modeli
i Vllaznimit të Muslimanve dhe Katolikve Shkodranë, që i bashkonte një Truell i
Vetëm që quhët Shqipni, e lame me Gjakun e Martirve të Saj: Ndue Pali, Caf
Meta, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Kolë Prela, Qemal Draçini, Bardhosh Dani e
Mark Cacaj e mija, mija të tjerë që lindën, luftuen dhe ranë Heroikisht të
gjithë bashkë po pranë Atyne Vorreve, ku ishin Betue mbi gurët e Tokës Nanë
Shqipni në Zallin e Kirit.
Rinia e sotme Shkodrane, duhet të
përulet me Nderim para gurve të Zallit të Kirit dhe të mundohet “vetëm” me
rikujtue: “Pse vdiqën së bashku Këta Vëllazën?!..”
Kurr mos harroni thanjën e një
filozofi të madh Shqiptar, At Anton Harapit:
“Lumninë e jep deka, Kunorën e ven
Vorri!..”
Me 11 Nandor edhe Don Simon Jubani
mbi Ata Vorre vuni një Kunorë dafinash!
E,...unë e pashë me sytë e mijë Atë
Burrë me dorë të drejtueme nga një gropë e hapun në Rëmaji, kur i tha komunizmit:
“Hi ke kenë e, hi ke me u ba!...”
Po, po Aty,... Aty ku lindi përjetësisht: “Liria dhe Demokracia
Shqiptare”....
Melbourne, 2009