Per librin e Gjekë Marinajt "Protonizmi"
IMAZH I TEJDUKSHËM I MENDIMIT RACIONAL
“Ky
studiues i një shije të hollë, i pajisur nëpërmjet shkollës amerikane,
por edhe i vetëpajisur me një kulturë të gjërë të njohjes, dallohet për
një fluks të këndeve të shikimit analitik, shijen dhe intuitën e kapjes
dhe analizës, po më së shumti ai veçohet ndër studiues të tjerë, për
teorinë e vet: “Protonizmin”, vënë edhe si fjalë drejtuese në titullin e
librit.”
Nga Qazim D.Shehu
Poeti,
studiuesi dhe përkthyesi Gjekë Marinaj, është i njohur për lexuesit dhe
dashamirësit e letërsisë për shkrimet e tij, që përcjellin një analizë
të qetë e të shtruar, po njëkohësisht edhe të thellë të dukurive e
problemeve letrare, të cilat janë përvijuar e kanë marrë trajta në
hapësira e kohë të ndryshme.Ky studiues i një shije të hollë, i pajisur
nëpërmjet shkollës amerikane, por edhe i vetëpajisur me një kulturë të
gjërë të njohjes, dallohet për një fluks të këndeve të shikimit
analitik, shijen dhe intuitën e kapjes dhe analizës, po më së shumti ai
veçohet ndër studiues të tjerë, për teorinë e vet: “Protonizmin”, vënë
edhe si fjalë drejtuese në titullin e librit.Protonizmi i Marinajt
sillet nga idetë e zbulimit të vlerave pozitive, si vlera të artit të
vërtetë, duke qëmtuar pa lupën e një studiuesi pedant egocentrist, po në
emër të zbulimit dhe inkurajimit të së mirës.Kjo nuk nënkupton mungesën
e vështrimit kritik, as sensit realist, as mungesat e argumentave në të
mirë të mbështetjes së tezave të shumta që ai hedh në tekstet e
tij.Entuziazmi i kritës së tij nuk i përket një retorike horizontale, me
lavdërime detyruese për lexuesin, po më së shumti ai mbetet një
entuziazëm i natyrshëm që brumoset vetvetiu në lëmin e sjelljes së
fakteve, detajeve, fragmenteve jetësore që ai shpalos për shkrimtarë të
ndryshëm botërorë, kryesisht amerikanë, po edhe poetë të diasporës
shqiptare.Gjekë Marinaj me dijen dhe intuitën e një studiuesi që nuk i
njeh paragjykimet dhe klanet e paravendosura, merr në analizë autorë për
të cilët ndoshta nuk është folur shumë, apo është folur pak.Kjo tregon,
në optikën e tij se letërsia është tekst, shprehësi dhe forcë arti,
nëse ajo përkohësisht do të ndikohej nga klanet apo nga njohjet, kjo do
të ishte një lumturi e përkohshme për të, e, Marinaj është një studiues i
tekstit.Çfarë e dallon më së shumti metodën hulumtuese dhe shtjelluese
të tij nuk është zor të kuptohet.Ai e kap fenomenin në tërësinë e një
kohe, inkuadron veprën në jehonën e saj ndër lexues, veçon çfarë të reje
ajo sjell, ndërfut elemente nga jeta e autorit, asnjëherë pa harruar
planin e qartë të ndërtimit konceptual të asaj që do thotë.Kjo
metodologji, në kahun e saj protonik, bën që të aktivizohen ide dhe
mbresa nga autori që përcillen me një stil t ë rrjedhshëm elegant, i
cili nuk e bën kritikën e tij fraziste, po përkundrazi ajo grimcohet
herë herë nga mendime intelegjente dhe nga një tis i hollë ndjenje
dashamirëse që vjen vetvettiu nga leximi i veprave të mira, e nga
letërsia serioze. Ai e ka parasysh thënien e Kadaresë se në tempullin e
artit hyhet me dashuri dhe jo me urrejtje, një thënie që nuk është vënë
re e as nuk është zbatuar nga disa shkrimtarë të sotëm të cilët kur
flasin për letërsinë shqipe e mbajnë hapin vetëm te shokët e zborit dhe
të konvikteve, dhe kujtojnë se duke servirur shembuj të tillë, ia kanë
mbushur mendjen edhe të tjerëve. Zgjerimi i optikës së shikimit për
rrjedhat e letërsisë, kur në skenën e saj ka vërtet emra të talentuar,
është tregues i atyre njerëzve seriozë, të cilët e ndjekin letërsinë po
edhe kanë shpirtin të pangarkuar me dogmën e anësisë.Marinaj i rrëzon
mitet e krijuara nga psika socrealiste, strukturat e ngrira të
hierarkive apriori, emrat që standartizohen për hir të fatit,
përsëritjes së shpeshtë po edhe të komisioneve vlerësuese shtetërore,
apo botuesve promovues, shumica e të cilëve nuk i lexojnë librat që
botojnë, pa u nisur fare të rrëzojë ato, po më së shumti duke i harruar e
duke mos i njohur këto praktika penguese që ndodhin tek ne.Kthjelltësia
e gjykimit të tij, arrin të mbështetet e të sprovohet përmes analizës,
e cila shtjellohet nga nisje vetëm letrare, sepse siç thotë
Horaci:”Kur diçka e ke të qartë , fjalët vijnë vetë”. Po cilët janë
autorët që merren në konsideratë dhe shtjellohen në libër.Ata vijnë nga
letërsia amerikane si: Riçard Pauers, me romanin “Jehona e Kujtesës”,
Toni Morrison, Ralf Ualldo Emerson, Frederick Turner, Emil Dickension,
etj.Si një njohës i letërsisë amerikane autori zbulon vlerat e saj,
natyrisht pa marrë përsipër të thotë shumëcka për të, po njëkohësisht
duke pretenduar të thotë atë që duhet, në mënyrë që t`i sjellë dicka
lexuesit mbi vlerën e kësaj letërsie e cila nuk mund të themi se është
aq e panjohur me autorët si:Mark Tuen, Xhek London, Teodor Drajzer,
Ernest Heminguej, Uollt Uitman , etj.Autori e di këtë ndaj orvatet të
na sjellë autorë të rinj, po edhe të panjohur.Vështrimi i tij kalon në
plane të një zbërthimi me pak faqe, pa i inkuadruar këta autorë në një
vështrim të përgjithshëm të letërsisë amerikane, po gjithnjë duke synuar
që të japë vlerat e tyre të vërteta. Nga gjithë shkrimet, padyshim, më i
bukuri është ai për Emil Dickension, një shkrim i shkruar me sjelljen e
detajeve jetësore nga jeta e poeteshës , e cila sa qe gjallë, botoi
vetëm shtatë poezi, dhe poezinë e shkroi si mundi madje edhe në
kartmonedha, shenjë e sigurtë se cfarë ndodh me poetët e vërtetë, të
cilët shpirtin e tyre dinë ta shprehin pa marrë parasysh asnjë vlerë
materiale.Detajet që autori jep, vëzhgimet e holla që bën, kujdesi i
përzgjidhjes në servirjen e tyre, i bën këto artikuj të lexohen herë pas
here si testamente poetikë, si vlera të njëmendta që nxisin fantazinë e
lexuesit,sepse Marinaj esenë e tij e nis gjithnjë me një motivim
nxitës, merr shkas nga ndonjë rast, e di ta shtjellojë me një sens mase
që të kalojë lehtë , po jo pa gjurmë tek lexuesi.Për poeten Emily
Dickinsion ai thotë:”Poetët nuk vdesin, ata kalojnë vetëm në orën e
njëzet e pestë të ditës”Ky titull origjinal , pastaj përcaktimet që bën
ai për poezinë në tërësi , si prelude poetike shërbejnë si një karrem i
mirë joshës për ta parapërgatitur dhe futur lexuesin në një rrjedhë të
rrëfimit dhe informimit si dhe analizës.Pothuajse në cdo shkrim Marinaj
është i kujdesshëm që titujt të shprehin në esencë boshtin ideotematik
të shkrimit, po njëkohësisht ato të të mbeten në mendje, e, kjo buron
nga meraku po njëkohësisht edhe nga protonizmi i tij.Sot çdo poet e ka
të nevojshme të njihet me sa më shumë përvojë të letërsisë botërore, aq
më tepër kur në përcaktimin e Marshall Lohan bota është një fshat
global.E në këtë globalizëm duhet parë edhe letërsia shqiptare, e cila,
për hir së vërtetës po shkëputet nga jehonat e ideologjisë së dikurshme
dhe po mundohet të kapë kuotat e mordernitetit permes mëvetësisë duke iu
rikthyer letërsisë së vërtetë.Në këtë globalizëm dhe liri qarkullimi
cilët janë shkrimtarët që që qarkullojnë lirshëm në shtjellën ciklonike
të globalizmit çngjyrosës.Natyrisht ka, lexuesi mund t`i marrë me mend,
po autorët që sjellë Marinaj nuk janë në radhët e para, e megjithatë ato
që ai ka sjellë nuk duhen neglizhuar, sepse përbëjnë atë ikje të
shkrimtarëve shqiptarë të cilët asnjëherë nuk e harruan identitetin e
tyre, dëshirën për të shkruar, madje patën dhe kanë si temë temën e
atdheut dhe të mallit.Këta janë përkatësisht, me ndonjë mungesë
informacioni jashtë tekstit:Faruk Myrtaj, Ramiz Gjini, Agim Shehu, Luigj
çekaj, Dalan Luzaj, Shefqet Dibrani, Naum Prifti, Rozi Theohari, Ndue
Hila, etj.Janë poetët dhe shkrimtarët që iken në Perëndim për një jetë
më të mirë, po jo për një letërsi më të mirë, sepse letërsia e mirë
bëhet edhe pa ikur jashtë shteti.Autori nuk orvatet ta fshehë njohjen
për to, madje këtë njohje e shteron aq sa e zotëron. Ai nuk i vështron
ata në një zhvillim panoramik , po kjo hartohet, se vështrimi panoramik
vjen si një kuptim i relativizuar, nga fakti i të gatuarit në një
shoqëri që vuajti shumë drama dhe mungesa të panumërta.Nuk e kam
informacioni se si e ndjejnë veten shkrimtarët e diasporës, në një
mjedis të huaj, po kam përshtypjen se me mjetet teknike të informacionit
do ta ndjejnë mirë, përderisa sot është e rëndësishme të mbash lidhjet e
të mundësosh komunikimin me lexuesit shqipfolës.Si njohës i letërsisë
në tërësi dhe i letersisë shqipe posacërisht, Marinaj nuk tutet të
shprehë vullnetin po edhe guximin e tij pët t`i drejtuar syte edhe nga
letërsia e Diasporës, një letërsi që po konturohet brenda një zgjerimi
të tematikës jo vetëm me atdhe dhe mall, po me mjaft tema globale dhe
ekzistenciale.Edhe për shumë kohë, gjersa këto krijues të ikin nga
Shqipëria të shtrënguar prej halleve dhe derteve ekonomike, të detyruar
për të gjetur një jetë më të mirë, kjo letërsi do të dallojë prej
konturimit monotematik, një konturim që e përcakton atë si letërsi
jashtë atdheut po që mbart tema brenda atdheut.Zakonisht atdheu shihet
me syrin metonimik të përfaqësimit mosrealizues për shkak të
regjimit.Gjekë Marinaj studion mirë rrethanat si u shkrua kjo, burimet e
saj tematizuese, shqetësimin e heroit lirik, frymën përçuese dhe
transparente të saj, pa u orvatur shumë të bëjë përcaktime të thella
tekstuale, aq sa ia lejon kufiri i një artikulli reçensionues.Megjithate
ai na bën me dije se një lexim është gjithnjë një tekst i hapur , i
cili mund të lexohet jo vetëm në situate të ndryshme, por edhe nivele të
ndryshme të kuptimit.Kjo është bukuria e tekstit dhe e letërsisë, veçse
të mos harrohet se protonizmi i Marinajt na sjell reflekse dhe pahun e
dashamirësisë intelektuale larg çdo lloj paragjykimi dhe prapamendimi
ndjellakeq.Referencat janë të shumta, sidomos ato janë referenca
jetësore artistike, po edhe referencat nga personalitete dhe krijues të
botës, çka dëshmon për kulturën e gjërë të autorit që rri gjithnjë
syçelë në spikamë të gjërave.Me protonizmin e tij ai arrin shumëherë
edhe në glorifikime, çka është e natyrshme, brenda protonizmit dhe
vërejtjet pothuajse mungojnë, duke na kumtuar se për një autor gjithmonë
mbetet të thuhet ajo çka është më e mira, të tjerat kuptohen vetë, dhe
këtë studiuesi nuk e bën për xhentilencë të tepruar, as për konformizëm,
vetëm se kërkon të tregojë se duke studiuar e përhapur të mirën në art,
artin si një vlerë njerëzore, rritet dhe përmasohet edhe shpirti
jonë.Stili shtjellues, renditja e koncepteve, organizimi tërësor i
ligjëratës kritike, janë për t`u marrë shembull në aspekte të gjëra
komunikative që zotërojnë.Lënda kalon me reflektimin e saj ideotematik,
përmes një shtjellimi të qartë konkret, të detajuar me shembuj
mbështetës dhe të qepura mirë në kohë.Interesante janë shkrimet
gazetareske të autorit. Edhe në këtë lëmë ai ka njohuri të mira. Njeh
mirë rrjedhat e shtypit shqiptar në botë, që nga Athina në Nju Jork,
ndjek me vëmendje çfarë shkruhet në të, përcjell lajme dhe evenimente
kryesore, njëkohësisht nuk rri pa përmendur edhe se çfarë i duhet më
shumë shtypit shqiptar sot.Ndonëse këto lloj shkrimesh zënë vend më pak
ato mbeten intersante, lexohen si një gjë tjetërsoj nga analizat
letrare.Marinaj tregon se është një studiues i zoti, këmbëngulës dhe në
të shumtën e rasteve ia del të përcjellë informacion të ri për një
lexues sat ë specializuar dhe të gjërë.Mënyrën se si ai rreshton
informacionet, si analizon faktet, në çfarë përgjithësimesh relation me
të vërtetat që i njeh, guximi për t`i thënë, e profilizon atë si një
eseist të shkëlqyer, ekzigjen dhe këmbëngulës.Marinaj dshmon se për
letërsinë ia vlen të shkruhet gjithnjë , për letërsinë e cila sjell
kumte njerëzore,pë rata shkrimtarë që u ballafaquan me sfida në jetë,
e,që veprën e tyre nuk e gatuan në dhoma komode po në shtjella të forta
të një stuhie shpirtërorëe duke ecur rrugëve të vështira të fatit dhe
emigracionit.Duke zgjedhur elementin biografik si burim për të hyrë në
tekst, apo elementet kohorë, lëvizjet e ndryshme filozofike e kulturore
per të spjeguar tekstet, Marinaj e adreson tekstin në një kohë të
caktuar, çka është normale dhe e natyrshme,për të na dhënë më mirë
fluksin e ideve dhe të mesazheve të qarta.Libri i autorit Gjekë Marinaj
dëshmon për ngrohtësinë e shtjellimit, mprehtësinë e vëzhgimit, analizat
e shtrira dhe interesante,është një libër që mund të lexohet me
kënaqësi, gati si prozë artistike, çka ndihmon këtu edhe të qenit poet e
autorit,edhe të qenit pedagog, lektor,si dhe njohës i letërsisë
bashkëkohore amerikane, dheletërsisë bashkëkohore shqiptare e botërore
në përgjithësi.