HARBIMI NË PLLAJËN MAGJEPSЁSE
“Poezia e
shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të
afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e
shfaqur në këtë modalitet.”
Nga Nexhat Rexha, Prishtinë
Frymëmarrja
artistike në vëllimin poetik me tanka ”Harbimi i kuajve” i Milianov
Kallupit, vjen si puhizë bashkë me aromën frymëzuese dhe natyrshëm të
bën për vete, nëpër bulimin dekorativ të valëvitjes edhe nëpër oazat
dhe shtegtimet e njeriut ëndërrimtar, gjithnjë në kërkim kah pllajat
magjepsëse. Ndërsa, trokitjet harbuese hulumtojnë vezullimin në kërkim
të pashtershëm për portën e ëndërruar dhe hyrje-daljen në detin e
pafund,duke kërkuar hapësirë kalëruese e për të pa ngjyrat e fluskave
të pa përsëritshme të lumit Shkumbin dhe për të shijuar njelmësinë e
detit të pa fund.
Nëpër 112
tankat e këtij vëllimi, lexuesi mund të bjerë në dashuri me peizazhet,
që reflektojnë imazhe reale e imagjinatave, që ka flora dhe fauna e
paraqitur në vargjet e këtyre lirikave, por që në brendi ato kanë
mbështetje origjinale në të gjitha variantet e mundshme të topografisë
burimore. Shprehja artistike në këto lirika pesëvargëshe,është e
ngjeshur me brumë të gatuar mirë dhe shprehje funksionale,që brenda
vetes rrezatojnë të mundshmen për t`i dhënë efektin dhe kuptimësinë
mesazhit diskursiv.
Shtrirja
kohore në lirikat e Milianovit, shpalosin lidhjet e gjata shoqërore të
pakëputshme në arealin e dridhjeve fizike e psikike të fazave të
ndryshme historike. Mirëpo,në thellësi të vargjeve figurat e zgjedhura
të japin shpresën për dashurinë në kërkim të së bukurës. Në horizont
shfaqen mrekullitë e fuqishme dhe prania e tyre krijon karakterin
emocional të dëshirueshëm,sepse lidhja e gjallesave në këtë harbim të
kuajve është personifikim i realizuar e formësuar bukur me të njohurat
dhe të panjohurat e kësaj infrastrukture ,që krijon afërsinë dhe
bashkërisht përfaqësojnë lëvizjet në kërkim të lirisë së përgjithshme.
Tërësia
kuptimore e vargjeve të këtyre tankave kanë harmoni në çështjet e
brendshme, sepse esenciale për autorin është mbarështrimi i zgjedhjes së
problematikës,që ai ka shtruar edhe si lëndë edhe si kuptim, që
ndërlidh pikëpamjet natyrore me mundësinë objektive, kuptohet gjithnjë
me vëmendjen për atë që vë në spikamë. Pra, që në vargjet e para,
autori ka bashkëjetuar me kështjellën,gjegjësisht me të kaluarën e
heshtur të vendlindjes,
Semantika e
zgjedhur në këto tanka zgjon kërshërinë për zgjim të ndërgjegjes dhe
jep artikulim të vëmendshëm, për t`i dhënë impuls shkëlqimit në
vijimësi. Nëpër vargjet e ngjeshura të kësaj vepre hasim edhe mllefin
edhe dashurinë, të cilat ruajnë në vete plotninë e tyre në harmoni e
latim me inserte,që karakterizojnë lidhjen e të gjitha fenomeneve
natyrore.
Ai me
kompaktësi ka orientuar kah rruga e lumturisë,sepse dashuria është ajo
që mund kohët,autori shprehet përmes vargjeve:*** ”Nuk di se kush/ në kohën time/ hapi një hon të thellë./ Që të mos gremisem/duart më zgjat një lofatë” fq.26.
E kaluara te
të gjithë brezat e njerëzimit lë mbresa të pashlyeshme, sa do të
thjeshta qofshin ato,varet nga momentet jetësore si janë përjetuar dhe
si janë regjistruar në memorien e përjetuesit këto mbresa,të cilat
njeriun shpesh herë e kthejnë në retrospektivë. Milianov Kallupi me
elegancë artistike, atyre përjetimeve iu ka dhënë përjetimin edhe për
moshën e njerëzve te pjekurisë,ato janë çaste, të cilat të kthejnë në
meditime dhe ndriçojnë të gjitha pikat e kujtesës. Rikthimi nëpër
krajatat e jetës zgjon emocione dhe autori të jep çiltërsinë
rinore,edhe pse koha për dikend mund të jetë edhe e pamëshirshme, në
tërë atë bukuri që kanë dhuruar stinët me lulet e natyrës shqiptare. Ai
shprehet përmes vargjeve:”Te kjo shpatinë/si ti, mbretëresha ime./zbardhin luleqershitë./ A ,të ishe dhe ti këtu,/kurorë të të thurja.”/Fq.32.
Autori
bukur i ka kënduar shtegtimeve,të këtyre kohëve,duke zgjedhur fjalën dhe
asaj i ka dhënë funksionalitet e gjuhë poetike. Kjo gjallëri sa reale
,po aq ëndërrimtare me figuracionin e brendshëm ruan edhe rolin
transformues dhe lexuesi mund të ndjej aromën në shtegtim të kërkimit
për pagjumësi. Prandaj, “Aktorët në skenën e Butrintit”,vijojnë lojën e
tyre. Loja e skenës dhe loja e jetës shpalosin ballafaqimin më
kompleks,por autori në anën tjetër shpalos edhe të bukurën dhe të
shëmtuarën. Ai shprish, atë që ka prodhuar njerëzimi e koha me të
gjitha faqet e saj, e guaska sikur ka ruajtur diçka të rëndësishme,
kurse dy kumria, që duken mbi degët e kumbullës zhvillojnë dashurinë
publike në puthje sikur çlirojnë plagët e të kaluarës.
Poezia e
shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të
afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e
shfaqur në këtë modalitet. Mjetet shprehëse që Milianov Kallupi i ka
përdorur në vargjet e kësaj vepre janë elementë të pranueshëm, sepse ai
ka shfrytëzuar shfaqjet motivuese me peizazhet e përjetimit,duke
paraqitur ambientin burimor edhe si figura artistike edhe si elementë
dominues me lidhjen evolutive brenda pasqyrimit tematik, si: trëndafili,
shelgu, kumbulla ullinjtë, e si; mjellmën, pulëbardhën, harabelin,
pelivesën blu, pastaj gurgullimën, liqenin, luginat,brigjet e deri te
Devolli e Shkumbini për të arrirë në majën e Malit të shenjtë shqiptar
Tomori. Të gjitha këto gjetje ekzistuese ,kanë marrë figuracion dhe kanë
dhënë efektin artistik,gjithnjë në fokusim të përcaktimit sa më bindës.
Pra,këto
veçori e bëjnë veprën më përfaqësuese në procesin e cilësisë estetike,të
veprave që po shkruhen në këtë decenien e parë të këtij fillim
shekulli. Botimi i vëllimit poetik “Harbimi i kuajve”i Milianov Kallupit
është botim reprezentativ dhe vjen në dorën e lexuesit për komunikim
tri gjuhësh,në gjuhën e autorit,në atë kroate,në përkthim të poetit
Mustafa Spahiu, si dhe në gjuhën maqedone në bashkëpërkthimin të,
Ismet Bitiqit dhe Mustafa Spahiut.