Klithmat e sinqeritetit
Klithmat e sinqeritetit
“Kërkoj
dhembjen time” është një formë e fuqishme e të kënduarit poetik e
ndërlidhur me mendimin filozofik dhe njerëzor, formë e etjes njerëzore
për ta fisnikëruar dhe sublimuar rrugëtimin dhe përplasjet shpirtërore,
të cilat autori i ka shndërruar si në një udhëtar apo në një pelegrin
për ta gjetur dhe përjetuar ngrohtësinë e mendjes dhe të shpirtit, por
edhe për tu përballur me të gjitha sfidat, të cilat autori sikur i
shndërron në pjesën më të ngrohtë dhe më të përjetuar.”
Këto
ditë doli nga shtypi vepra e njëzetë e shtatë e shkrimtarit dhen
publicistit, Sejdi BERISHA. Në këtë vepër me poezi e me titull
karakteristik dhe shumë të zjarrtë por edhe fisnik, autori përmes vargut
shtron kërkesën si fenomen, e cila kërkesë e kësaj forme, gjithnjë ka
qenë vetëm ëndërr, synim, dëshirë e mall dhe njëherësh faktor
fondamental për ta rrumbullakuar tërë atë që njeriu e shndërron në ecje,
në kërkim dhe shpresë për njerëzoren dhe për të lumturën, por gjithsesi
edhe për të madhërishmen. Andaj, “Kërkoj dhembjen time” është një formë
e fuqishme e të kënduarit poetik e ndërlidhur me mendimin filozofik dhe
njerëzor, formë e etjes njerëzore për ta fisnikëruar dhe sublimuar
rrugëtimin dhe përplasjet shpirtërore, të cilat autori i ka shndërruar
si në një udhëtar apo në një pelegrin për ta gjetur dhe përjetuar
ngrohtësinë e mendjes dhe të shpirtit, por edhe për tu përballur me të
gjitha sfidat, të cilat autori sikur i shndërron në pjesën më të ngrohtë
dhe më të përjetuar. Të cilat gjëra, respektivisht, përplasjet dhe
rrugëtimin, shkrimtari i kthen në një sfond të çuditshëm por të ngrohtë
njerëzor, që, edhe krijuesit, edhe lexuesit por edhe opinionit të gjerë,
elementet e tillë, njeriut, i cili, shpeshherë zihet pisk dhe ndodhet
në situata të palakmueshme shpirtërore, i dhurojnë energji për këngën e
madhështisë dhe të dëlirësisë.
Për këtë
arsye, “Kërkoj dhembjen time” me të drejtë shndërrohet në kërkues të
arsyes, që vuajtjet dhe dhembjen për t’i ngritur si çështje fisnike e
cila ndërgjegjëson dhe njeriut i krijon mbase edhe kënaqësi dhe
gatishmëri për t’u përballur me jetën, gjë kjo e cila jo rrallë njeriun e
vë në dilema dhe në sprova për të ecur vertikalisht. Andaj, poezitë në
“Kërkoj dhembjen time” janë një shprushje serioze dhe ndijimore e
mendimit dhe e përjetimit të thellë por edhe filozofik të hapjes dhe të
ballafaqimit me probleme. Këndimi në këtë mënyrë, gjithsesi disponon
edhe me peshën e thelbit të humanes dhe të qëndresës të për t’iu qasur
zgjidhjes së labirinteve të jetës. Këto kacafytje dhe shtegtime të
poetit kërkojnë “shpëtim” dhe prehje tek mendja, mendimi dhe veprimi i
secilit njeri, në të gjitha format, në të gjitha fushat e jetës. Por,
mund të thuhet edhe ndryshe. Krijimtaria e shkrimtarit, Sejdi Berisha,
në këtë vepër është edhe klithmë e sinqeritetit për t’i hulumtuar,
përjetuar dhe për t’i studiuar “fasadat” e jetës por edhe për t’i
hulumtuar muzetë e saj.
Librin “Kërkoj dhembjen time” e botoi Club Kultura-Pejë, 2011 dhe i ka 120 faqe.
Sejdi BERISHA:“Mallkimi i heshtjes”-Shkrime refleksive, 2011
Këto ditë
doli nga shtypi edhe vepra me shkrime refleksive “Mallkimi i heshtjes” i
shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Ky libër i cili është i
njëzetë e teti i këtij krijuesi, edhe si tërësi por edhe si i ndarë në
kaptina veç e veç, shpreh atë thellësinë e përjetimit dhe të realitetit e
të mospajtimit me te, si veçori e qëndrimit krijues dhe njerëzor të
shkrimtarit, i cili, edhe dëshiron të rrëfejë por edhe e ka për synim e
zjarrmi për të shpjeguar në rrafshin e mirëfilltë të analizës filozofike
dhe refleksive të gjitha rrjedhat që synojnë dhe shfaqin lumturinë, por
që dhembjen e kanë shoqërues kudo. Për këtë, autori, Sejdi BERISHA
konsideron se gjërat që heshtën apo që ngelin përbrenda vetvetes, me
dijen apo pa dijen e autorit por edhe të vetë individit, ato i ngjajnë
klithmës, e cila, për habi nuk dëgjohet! Kjo, ngase çdo gjë që heshtet,
puthitet me mallëngjimin, të cilin edhe nuk mund t’ia rrëfesh askujt.
Për këtë
arsye, autori, me të drejtë na “imponon” indinjatën shpirtërore si
mallkim të heshtjes. Vetë titujt e shkrimeve apo të kapitujve të librit,
përshkohen me mesazhin alegorik mbase edhe këshillëdhënës në të njëjtën
kohë, që i ngjajnë edhe lutjes dhe këmbëngulësisë për sinqeritetin,
lumturinë dhe për madhështinë si thesar të njerëzores. Këtë fenomen
shprishjeje dhe këtë detyrim analitik por edhe shumë human e hasim
pothuaj se tek të gjitha shkrimet refleksive, siç i quan autori, si bie
fjala: “Studimi i vetvetes ose matja e jetës me hijen e mëngjesit...!”,
“Jeta me vrap dhe kafshimi i gjarprit...!”, “Mallkimi i vetvetes dhe
filozofia e heshtjes...!”, “Loja e shkrimit dhe leximi alegorik...!”
etj.
Pothuaj se në
të gjitha kaptinat e librit, mallkimi i heshtjes troket si diçka që
njeriun e detyron ta “zbërthejë” vetveten, por edhe sikur kjo
“performansë” e jetës, mallkimin e vë në rolin e zërit që nuk hesht!
Andaj, “Mallkimi i heshtjes” i Sejdi BERISHËS, sikur është një qortim i
natyrës tjetërfare nga atë që e hasim zakonisht në jetën e përditshme.
Këtë vepër me
cilësi të veçantë dhe me peshë filozofike, autori e fillon me një
shkrim sinjifikativ në trajtë udhëpërshkrimi, me titull “Toka që të
mallëngjen dhe ta madhështon historinë...!”, përmes së cilit, që në
fillim opinionin e “detyron” për ta lexuar dhe analizuar librin, dhe
kështu për ta mësuar gjithnjë e më mirë historinë e tokës së vet,
historinë e njeriut të vet. Ndërkaq, e përfundon, po ashtu me një
shkrim, që po ashtu reflekton në vetëdijesimin e njeriut e që mbanë
titullin jo vetëm simbolik: “Përurimi i librit në Tiranë dhe rruga e
kombit...!”
Për ta bërë
sa më kuptimplotë dhe joshëse “bërthamën” e mendimit të kësaj vepre,
autori edhe shkrimet i fillon me këtë moto: “... Mendja ta hapë ose ta
mundëson fenomenin e rebelimit, e cila gjë kuptohet si veti e veçantë
për mospajtimin, vuajtjen dhe mbrojtjen e rrugëtimit të lirë të
njeriut...
... Kujtojeni
se sa vështirë është kur e harron vetveten në momentet më të nevojshme,
atëherë ku i nevojitesh fjalës sate, dritës dhe zjarrit, heshtjes dhe
zërit...”.
Kjo do të
thotë, se “Mallkimi i heshtjes” i Sejdi Berishës, reflekton kuptimin e
thellë të jetës dhe bashkë me te edhe disidencën ndaj gjërave që nuk
përkojnë me realitetin e që në të vërtetë janë përditshmëri e kohës.
Librin “Mallkimi i heshtjes” e botoi Club Kultura-Pejë, 2011 dhe i ka 212 faqe.