2011-07-15

Mbi librin me tregime e novela të Bardhok Pulajt

“Tregimet e Veriut” nën një emër të ri


image 
 



“Tregimet e Veriut” nën një emër të ri

nga NAIM ZOTO

“Për vlerat e librit të ri të shkrimtarit Bardhok Pulaj, me titullin “Tregime” u organizua para disa ditësh një promovim në sallën “Gjegj Fishta” të bibliotekës  së Lezhës, ku kolegë të shkrimtarit nga Tirana, Shkodra, Lezha, Mirëdita si Ndue Gjika, Ndue Dedaj, Kujtim Dashi, Naim Zoto folën për vlerat dhe mesazhet e librit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Rrëshenit Gjon Dedaj, i cili përgëzoi shkrimtarin Bardhok Pulaj, aktualisht mësues i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit”.
Nuk është ndonjë gjë e madhe sot të shkruash, të publikosh, të botosh. Problemi është çfarë shkruan, për kë shkruan dhe si shkruan. Kur, para disa muajsh, Bardhok Pulaj, autori i librit me tregime e novela që sapo ka dalë në qarkullim për lexuesit, miku im i vjetër i fakultetit filologjik të Tiranës, për degën gjuhë-letërsi, më solli librin e tij të sapobotuar “Tregime”, u bëra shumë kurioz dhe, nga padurimi, tregimin që hapte vëllimin pothuaj e kam lexuar në këmbë. Më tronditi “Kolla” e tij, tregimi me të cilin hapej libri, duke më risjellë në mendje skicat e paharruara të Migjenit mbi mjerimin në qytetthet shqiptare. Tregimi nuk ka personazhe; personazh është kolla e minatorëve. Nëpërmjet saj bëhet komunikimi, përmes saj minatorët njohin njëri-tjetrin kur nisen herët në mëngjes për në galeritë e nëntokës.  Me pak fjalë, përmes një metafore sa artistike, aq edhe jetësore, Bardhok Pulaj jep një dëshmi artistike, duke u fokusuar jo në qytet, por në mjedise aspak atraktive për artistët, siç janë të ashtuquajturat qyteza minatorësh, që, në fakt, nuk ishin as qytete dhe as katunde.Jo rastësisht, autori nuk merret me njerëzit drejtpërsëdrejti, as me përshkrime të mjedisit. Autori gjen detaje, sende, aspekte të rutinës së përditshme njerëzorë të cilat, pastaj, përmes laboratorit krijues, kthehen në simbolikë, metafora që të befasojnë, duke dëshmuar për njeriun, kohën, shoqërinë, pasojat e politikës apo regjimit mbi to, shumë më tepër se sa krijimi i personazheve konkretë. Ky cikël tregimesh duket sikur janë pjesë e një romani me personazhe të çuditshëm si”kolla”(“vargu i kollitjeve u vu për udhë”), “nënsupa”, “i ftohti”, “qumështi pluhur”, “lexuesi i gazetës së partisë”(“Shumica ishin gra, shumicën e grave e përbënin plakat, shumicë së plakave do t’u lexohej shtypi i ditës”), “tualeti i katundit” (“Nuk kemi çfarë të hamë dhe nuk dalim fare jashtë”), “kokrrat e kafes”, “kokrrat e misrit”, “rrjedha e ujit”, “pëllumbi”, “cjapi”, “kumbulla” etj. Në tregimet e Bardhok Pulajt verifikohet ajo që thuhet se shpesh realitetit është më art se arti vetë, më fantastik se fantazia vetë, më paradoksal se paradoksi i krijuar nga fantazia e krijuesit.  Shkrimtarët janë me fat kur jetojnë apo zbulojnë këtë realitet. Duket si një art i gatshëm, si diamantet apo perlat që dalin rastësisht në sipërfaqe apo anash rruge. Por kjo nuk është e lehtë dhe jo kushdo mund të bëhet shkrimtar. Tregime të tilla, si këto të Pulajt, mund të qëmtohen dhe të servilen si letërsi vetëm nga njerëz që iu dhimbset njeriu, pavarësisht nga fati apo statusi, pavarësisht se sa poshtë ka rënë apo se sa poshtë e kanë vënë.Tregimet dhe novelat e Bardhok Pulajt të përfshira në këtë libër nën titullin thjesht “Tregime” duken si tregime të jetuara; ato janë të përcaktuara në hapësirë dhe, pak a shumë, përputhen me rrugën e jetës së autorit, ndonëse drejtpërdrejt apo edhe tërthorazi nuk rezulton të ketë implikime personale në kuptimin e jetës së autorit. Bardhok Pulaj ia ka dalë që të bëjë letërsi dhe jo si shumë amatorë që shpesh duan të evidentojnë vetveten në mënyrë banale. Poeti mund të rrëfejë vetveten, ndjenjat e tij, por shkrimtar i mirë është ai që rrëfen për të tjerët. Egoizmi iu shkon poetëve, por jo shkrimtarëve, ndonëse arti në thelb është dhuratë e egoizmit njerëzor. Tregimet dhe novelat e Bardhokut janë tregime dhe rrëfime që dalin nga fshati i tij, nga krahina e tij, nga rrëfenjat e vjetra dhe më të reja të krahinës së Mirditës. Merita e shkrimtarit është që këto kujtime dhe fakte historike t’i kthejë në letërsi me qëllim që të bëhen pronë artistike e të gjithëve, pavarësisht nga vendlindja e tyre apo e autorit. Bardhok Pulaj duket se ia ka arritur kësaj. Autori ia ka arritur të kapërcejë katundin, lokalitetin, krahinën, të kapërcejë fisin dhe vetveten, jo duke shkelur apo nënvlerësuar ato. Përkundrazi, duke i ngritur në art, në letërsi, iu ka shumëfishuar vlerat dhe referencat. Mbi të gjitha, ai shkruan si qytetar për fshatin, për katundet, për provincën, për kanunin dhe ndërgjegjen e frustuar.  Shumë autorë kanë përshkruar, për shembull, për ditën, më saktë natën e parë të martesës, por unë nuk njoh një rast kaq dramatik sa i këtij autori kur “nusja me fishek në pajë”, vajza me këmisha “shtatë shtat”  i thotë burrit të paracaktuar se nuk mund të jetë e tija, por e tjetërkujt. Shkrimtarët e Kanunit e kanë vrarë këtë grua, kurse dhëndëri i Pulajt e shpie nusen tek i dashuri i saj. Është për t’u vënë re se autori i këtij libri, jo vetëm në këtë rast, parapëlqen personazhet që “tradhtojnë Kanunin”, ndryshe nga një grup autorësh që, për t’u bërë interesantë, sidomos ndaj disa të huajve që duan ta shohin Shqipërinë si muze të së kaluarës,  shtojnë artificialisht “romantizmin” e veprave të tyre duke hyjnizuar tradita dhe sjellje anakronike. Një novelë interesante, që nuk e di pse më kujton romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”,  është novela “Toka e falur”. Një vlerë me vete e autorit është aspekti leksikor dhe frazeologjik, duke rifutur me sukses në përdorim dialektalizma apo duke krijuar edhe fjalë të reja.

“Vajza nga Berati”


image 

TRIPTIK NË INNSBRUCK 

“Kozeta Krulis ka shkruar një libër ku lexuesi mund të vërejë ç’ndodh me qenien dhe vetëdijen njerëzore kur gjendet përballë tjetrit, të huajit, i cili ka gjithë-gjithë dy “programe” leximi të njeriut shqiptar: si në letërsinë ekzotike, ose si në imazhin televiziv.”

Pas 20 vjetësh rikthehet në atdhe, por, tashmë si autore e një libri nën titullin “Vajza nga Berati”, botim i parë i shtëpisë botuese “Naimi” për vitin 2011. Mund ta botonte në gjuhën gjermane, por parapëlqen shqipe.   Kozeta Krulis, një shqiptare me nënshtetësi austriake, sjell një libër me tregime të cilat i bashkon jo vetëm autorësia e përbashkët, por edhe “mallkimi i vendlindjes”, që e ndjek autoren ngado që të vejë, ashtu si thuhet në sakramentin e krishterë: në të mirë e në të keq, në shëndet e në të lig. Në Europën e sotme shqiptarët janë të pranishëm po aq sa të tjerët, përpjesëtimisht me të tjerët. Dhe thuajse kudo janë të pranishëm edhe shkrimtarët shqiptarë në gjuhët e vendeve ku jetojnë: Ron Kubati, Ornela Vorpsi në Itali, Besa Myftiu në Zvicër, Elvira Dones në Francë e përtej Atlantikut dhe shumë të tjerë. Kozeta Krulis u shtohet emrave të shqiptarëve që shkruajnë e botojnë në Perëndim dhe për lexuesin e Perëndimit. Kozeta Krulis ka shkruar një libër ku lexuesi mund të vërejë ç’ndodh me qenien dhe vetëdijen njerëzore kur gjendet përballë tjetrit, të huajit, i cili ka gjithë-gjithë dy “programe” leximi të njeriut shqiptar: si në letërsinë ekzotike, ose si në imazhin televiziv. Më së shumti shqiptarët u ndeshën me dyshimin dhe vrazhdësinë europiane, që lidhej edhe me shumë sjellje të padenja të atyre që dolën të parët në Perëndim. “Shqiptarin tim e kam dhuratë nga Perëndia, shqiptarët e tjerë i marrtë djalli” - ky qe titulli i një reportazhi të botuar në fillimin e viteve 1990 në një të përditshme greke. Nëpër këtë kalvar duhej të kalonte edhe Kozeta Krulis. Fillimisht duhej të përballej me përfytyrimin europian për shqiptarin. Dhe, për të mbërritur deri tek “ringjallja llazariane”, do t’i duhej të dëshmohej si vetje-ndryshe në një proces të gjatë e të mundimshëm. Tregimi i Kozeta Krulis “Vrap mbi mina” është një ikje prej skemës së re europiane të përftimit të njeriut shqiptar. Ajo të kujton dialogjet e Tom Cruis në filmin e mrekullueshëm “Terminal”, ku pyetjeve gati lutëse për një pohim të shpejtë që i bëhen prej policisë aeroportuale: “A është për ju Cracovia, vendi i origjinës, n jë rrezik”, ai u përgjigjet thjesht: “Jo, përkundrazi, unë kam frikë nga ju!”.  Ndërsa tregimi me titull “Një çantë te dera” i Kozeta Krulis është jo vetëm letërsi, por edhe një tekst për analizë kompleksesh e psikozash etnike, që nuk munguan të shpërthejnë lirisht me kalimin në shoqëri të hapur.  Kurse “Tango në Innsbruck” është nyja themelore e vëllimit. Eshtë një novelë që të bën të mendohesh; ajo ka, gjithashtu, një lexim antropologjik, sidomos për lidhjet e njeriut me vendlindjen. Berati dhe gjithçka di për të bëhet shpëtimi i autores për të shfaqur identitetin e vet.


Autorja, duke jetuar fatin e personazhit të novelës së vet, në fakt i paraqet lexuesit se si vendlindja, me trashëgiminë e saj më të vlefshme, mund t’i bëhet pjesë e pasaportës së vet; mund të shenjojë identitetin e saj. Prej këndej nis ringritja e personazhit, alter ego e Kozetës. Pikërisht kjo e bën triptikun e saj një vepër që lexohet si letërsi, si dëshmi, si burim të dhënash etnopsikologjike, të vlefshme për krahasim gjendjesh në përplasje mendësish dhe identitetesh. Kozeta u jep, përmes këtij libri, jo vetëm bashkatdhetarëve të vet, por kujtdo që do ta lexojë, shumë trishtim e dramë, por njëherësh edhe shumë ringjallje shpirtërore dhe shpalosje identiteti, duke e promovuar vetveten në sfondin e atij qyteti që ka mahnitur ndër shekuj botën dhe sot është në listën e Kryeveprave të Trashëgimit Botëror, një prej programeve më elitarë të Unesco-s, qytetit të Beratit.

Rreth vëllimit poetik me tanka “Harbimi i kujve” i Milianov Kallupit



image Milianov Kallupi
HARBIMI NË PLLAJËN MAGJEPSЁSE

“Poezia e shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e shfaqur në këtë modalitet.”

Nga Nexhat Rexha, Prishtinë

Frymëmarrja artistike në vëllimin poetik me tanka ”Harbimi i kuajve” i Milianov Kallupit, vjen  si puhizë bashkë me aromën frymëzuese dhe natyrshëm të bën për vete, nëpër bulimin dekorativ të valëvitjes  edhe nëpër oazat dhe shtegtimet e njeriut ëndërrimtar, gjithnjë në kërkim kah pllajat magjepsëse. Ndërsa, trokitjet  harbuese hulumtojnë vezullimin  në kërkim të pashtershëm për portën e ëndërruar dhe hyrje-daljen në detin e pafund,duke  kërkuar hapësirë kalëruese e për  të pa ngjyrat e fluskave të pa përsëritshme të lumit Shkumbin dhe  për të shijuar njelmësinë e detit të pa fund.
Nëpër 112 tankat e këtij vëllimi, lexuesi mund të bjerë në dashuri me peizazhet, që reflektojnë imazhe reale e imagjinatave, që ka flora dhe fauna  e paraqitur  në vargjet e këtyre lirikave, por që në brendi ato kanë mbështetje origjinale në të gjitha variantet  e mundshme të topografisë burimore. Shprehja artistike  në këto lirika pesëvargëshe,është e ngjeshur me brumë të gatuar mirë dhe shprehje funksionale,që brenda vetes  rrezatojnë  të mundshmen për t`i dhënë efektin  dhe kuptimësinë  mesazhit diskursiv.
Shtrirja  kohore në lirikat e Milianovit, shpalosin lidhjet  e gjata shoqërore  të pakëputshme në arealin e  dridhjeve  fizike e psikike të fazave të ndryshme  historike. Mirëpo,në thellësi të vargjeve figurat e zgjedhura të japin shpresën  për dashurinë në kërkim të së bukurës. Në horizont shfaqen  mrekullitë  e fuqishme dhe prania e tyre  krijon karakterin  emocional të dëshirueshëm,sepse lidhja e gjallesave në këtë harbim të kuajve është  personifikim i realizuar e formësuar bukur me  të njohurat dhe të panjohurat e kësaj infrastrukture ,që krijon afërsinë dhe bashkërisht përfaqësojnë lëvizjet në kërkim të lirisë së përgjithshme.
Tërësia kuptimore e vargjeve  të këtyre tankave kanë harmoni në çështjet  e brendshme, sepse esenciale për autorin është mbarështrimi i zgjedhjes së problematikës,që ai ka  shtruar edhe si lëndë edhe si kuptim, që ndërlidh pikëpamjet natyrore me mundësinë objektive, kuptohet gjithnjë me vëmendjen  për atë që vë në spikamë. Pra, që në vargjet e  para, autori  ka bashkëjetuar me kështjellën,gjegjësisht me të kaluarën e heshtur të vendlindjes,
Semantika  e zgjedhur në këto tanka  zgjon kërshërinë për zgjim të ndërgjegjes dhe jep artikulim të vëmendshëm, për t`i dhënë impuls  shkëlqimit në vijimësi. Nëpër vargjet e ngjeshura  të kësaj vepre hasim  edhe mllefin edhe dashurinë, të cilat ruajnë në vete plotninë e tyre në  harmoni e latim me inserte,që karakterizojnë lidhjen e të gjitha fenomeneve natyrore.
Ai me kompaktësi  ka orientuar kah rruga e lumturisë,sepse dashuria është ajo që  mund kohët,autori shprehet përmes vargjeve:*** ”Nuk di se kush/ në kohën time/ hapi një hon të thellë./ Që të mos gremisem/duart më zgjat një lofatë” fq.26.
E kaluara te të gjithë brezat e njerëzimit lë mbresa të pashlyeshme, sa do të thjeshta qofshin ato,varet nga momentet jetësore si janë përjetuar dhe si janë regjistruar në memorien e përjetuesit këto mbresa,të cilat  njeriun  shpesh herë e kthejnë  në retrospektivë. Milianov Kallupi me elegancë artistike, atyre përjetimeve iu ka dhënë përjetimin edhe për moshën e njerëzve te pjekurisë,ato janë çaste, të cilat të kthejnë në meditime dhe ndriçojnë  të gjitha pikat e kujtesës. Rikthimi nëpër krajatat e jetës zgjon emocione dhe autori  të jep çiltërsinë rinore,edhe pse koha  për  dikend mund të jetë edhe e pamëshirshme, në tërë atë bukuri që kanë dhuruar stinët me lulet e natyrës shqiptare. Ai shprehet përmes vargjeve:”Te kjo shpatinë/si ti, mbretëresha ime./zbardhin  luleqershitë./ A ,të ishe dhe ti këtu,/kurorë të të thurja.”/Fq.32.          
Autori  bukur i ka kënduar shtegtimeve,të këtyre kohëve,duke zgjedhur fjalën dhe asaj i ka dhënë funksionalitet e gjuhë poetike. Kjo gjallëri  sa reale ,po aq ëndërrimtare  me figuracionin e brendshëm  ruan edhe rolin transformues dhe lexuesi  mund të ndjej  aromën  në shtegtim të kërkimit për pagjumësi. Prandaj, “Aktorët në skenën e Butrintit”,vijojnë lojën e tyre. Loja e skenës dhe loja e jetës shpalosin ballafaqimin më kompleks,por autori  në anën tjetër shpalos edhe  të bukurën dhe të shëmtuarën. Ai shprish, atë që ka prodhuar njerëzimi  e koha me të gjitha faqet e saj, e guaska  sikur ka ruajtur diçka të rëndësishme, kurse dy kumria, që duken mbi degët  e kumbullës  zhvillojnë dashurinë publike në puthje  sikur çlirojnë plagët e të kaluarës.
Poezia e shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e shfaqur në këtë modalitet. Mjetet shprehëse që Milianov Kallupi i ka përdorur në vargjet e kësaj vepre janë elementë të pranueshëm, sepse ai ka shfrytëzuar  shfaqjet motivuese me peizazhet e përjetimit,duke paraqitur ambientin burimor edhe si figura artistike edhe si elementë dominues me lidhjen evolutive brenda pasqyrimit tematik, si: trëndafili, shelgu, kumbulla ullinjtë, e si; mjellmën, pulëbardhën, harabelin, pelivesën blu, pastaj  gurgullimën, liqenin, luginat,brigjet e deri te Devolli e Shkumbini për të arrirë në majën e Malit të shenjtë shqiptar Tomori. Të gjitha këto gjetje ekzistuese ,kanë marrë figuracion dhe kanë dhënë efektin artistik,gjithnjë në fokusim të përcaktimit sa më bindës.
Pra,këto veçori e bëjnë veprën më përfaqësuese në procesin e cilësisë estetike,të veprave që po shkruhen në këtë  decenien  e parë të këtij fillim shekulli. Botimi i vëllimit poetik “Harbimi i kuajve”i Milianov Kallupit është botim reprezentativ dhe vjen në dorën e lexuesit për komunikim  tri gjuhësh,në gjuhën e autorit,në atë kroate,në përkthim të poetit Mustafa Spahiu, si dhe  në gjuhën maqedone në bashkëpërkthimin  të, Ismet Bitiqit dhe Mustafa Spahiut.

“Mosmarrëveshja…”


image 

“Brenda një teksti fare të zakonshëm siç është himni ynë (pothuaj të gjithë himnet e shteteve dhe kombeve të tjerë nuk shquajnë shumë për bukuri estetike dhe shpesh autorët janë periferikë), Kadare i bën një lexim tjetër këtyre strofave të Aleksandër Drenovës, të cilat kanë njëherësh edhe kushtesën për të qëndruar përballë sfidave të moteve të ndryshëm, ashtu edhe parathonë disa vërteta për fatin e shqiptarëve.”

Nga Çerçiz Loloçi 

Ismail Kadare rivjen sërish para lexuesve të vet jo si zakonisht me gjininë më të preferueshme të tij, romanin, por me një sprovë letrare që e ka titulluar “Mosmarrëveshja…”. E konceptuar në trembëdhjetë kapituj (një prej tyre intermexo) dhe me një tufë shënimesh që plotësojnë ato, Kadare rimerr trajtimin e fatit të shqiptarëve në shekuj duke më shkuar më tej se shqetësimi i rilindasve, Fishtës apo Konicës. Mbështetur në histori por jo si një renditës tradicional i fakteve të saj, shfletues i vëmendshëm i qindramijë faqeve të shkruara pro dhe kundër shqiptarëve në mote dhe njerëz të ndryshëm, pikërisht me mjetet që i zotëron vetëm letërsia (sprova letrare) ai arrin të zbulojë të vërtetat e mëdha që trondisin dhe që mund të konsiderohen edhe si testament për të sotmen e më gjerë. Secili nga kapitujt, me gjithë intermexon midis, mund të qëndrojnë edhe më vete, por autori bën kujdes që ato të shkrihen në mënyrë të përkryer me ansamblin e ngrehës letrare.
Për të shkruar këtë ese të jashtëzakonshme që duhet thënë se nuk mund të lexohet me një frymë, autori ka vënë disa shtylla bazë: himnin, flamurin, gjuhën shqipe, Skënderbeun dhe rreth tyre shpalos mendimin e vet herë diku të ngjashëm me atë të paraardhësve të tij të shquar dhe herë krejt original. Brenda një teksti fare të zakonshëm siç është himni ynë (pothuaj të gjithë himnet e shteteve dhe kombeve të tjerë nuk shquajnë shumë për bukuri estetike dhe shpesh autorët janë periferikë), Kadare i bën një lexim tjetër këtyre strofave të Aleksandër Drenovës, të cilat kanë njëherësh edhe kushtesën për të qëndruar përballë sfidave të moteve të ndryshëm, ashtu edhe parathonë disa vërteta për fatin e shqiptarëve. Natyrisht një vvështrim tjetër ka Kadare edhe për heraldikën e flamurit që, sipas tij, është një shenjë e qënësisë europiane të shqiptarëve.
Kur ke përfunduar së lexuari krejt sprovën me gjithë shënimet, kupton lehtë se figurë qendrore në këtë libër është ajo e Skënderbeut e parë jo me hiperbolizim dhe as duke u rreshtuar përkrah kombëtaristëve, por duke spjeguar se lidhja e shqiptarëve me kontinetin e vjetër është pikërisht ai me gjithçka bëri qysh nga ardhja në Krujë e deri me vdekjen e tij tepër të thjeshtë në një kishë modeste të Lezhës. Kadare kalon në sitë krejt çfarë është shkruar për të nga Barleti e Noli kryesisht, por edhe nga personalitete të tjera jashtëshqiptare të muzikës, artit, kulturës dhe nuk e mohon se përveç një dukurie historike të dëshmuar botërisht, Gjergj Kastrioti ka pasur edhe një vel miti. Dhe teksa i bën një portretizim të gjithkahshëm kësaj figure shqiptare dhe europiane njëheri, merret me mend se shkas për sprovën ka qenë monografia “Skënderbeu” e zvicerianit Oliver Jens Schmitt. Dhe jo vetëm ai, por edhe një luzmë albanologësh të rinj që, kinse në emër të modernitetit por në të vërtet kor vajtues për diktaturën që iku, iu u sulën shumçka të mirë shqiptare duke përdhosur çdo gjë.
Libri i zviceranit pati një fat të trishtë jo thjesht prej irritimit që erdhi këndej dhe andej viseve shqiptare, por për faktin e thjeshtë se ai ishtë një kopje e shëmtuar e dhjetra librave dhe broshurave të publikuar kryesisht nga serbët e nga miqtë e tyre në kohë të ndryshme. Autori, ndoshta më shumë dhe më gjerësisht se në ese të mëparshme dhe ligjërata të mbajtura brenda dhe jashtë vendit, i kushton vëmendje të veçantë ceneve tona, të cilat shpesh kanë qenë më të dëmshme dhe më vendimtare se sa të ish armiqve tradicionalë.  

Fehmi Berisha:“Vala e solli nimfë”



image Fehmi Berisha



“Fehmi Berisha me librin e tij të parë me poezi Vala e solli nimfë”, hynë në shtëpinë e poetëve, pa frikë, dera për këtë talent është e hapur.
Pas disa dekadash vuajtje e burgosje nga sistemi titisto-milloshevian, Fehmiu vjen në këtë dekadë të re, si një poet serioz.”

Nga Fatime Kulli

Vëllimi me poeziVala e solli nimfë” i autorit Fehmi Berisha përmban në lëndën e tij përmbledhëse 70 poezi, të cilat kanë në strukturën tekstore formë e strukturë të ndryshme. Po çfarë më grishi mua që i ndjeva këto poezi, gjatë kohës kur i lexoja e rilexoja disa herë?! Poezitë e Fehmi Berishës, janë të ndjera, komunikuese sepse brenda gjendjeve poetike, gjallon filozofia jetësore, atdhedashëse dhe njerëzore.
Shprehjet poetike, pothuajse në tërësinë e librit Vala e solli nimfë” kanë një lidhje të sistemuar artistike, ku metaforat “luajnë” si peshku i artë në ujë, në shërbim të themelit poetik. Libri me poezi është i ndarë në dy kapituj. Kapitulli i parë është një kështjellë e ngritur me gurë poetik, duke pasqyruar dhimbjen e sakrificën për të mbajtur të pastra rrënjët dhe identitetin e kombit të tij.  Autori në këto poezi ka përshkruar një rrugëtim të gjatë dhimbjesh, qëndrese, për t’u mos u shpërfytyruar si njeri, këndon dhimbjen për lirinë e cunguar, me vargjet:
“Këngën e brengës me lot lirie,
Prangat kërcëlluan si heshta
Thellë në asht,
E kënga nuk u ndal...”
 (poezia Kënduam mbi eshtra””
Duke mos iu shkëputur boshtit rrënjor poetik të
librit Vala e solli nimfë”, perceptimi im për këtë lloj poezie, qëndron koncepti autorial në pasqyrimin e vetvetes. Kohëzimi poetik i Fehmi Berishës, lëviz në qëllim në vetvete: E shkuara nuk e fshin të shkuarën. Këtë e vërejmë tek poezia “Dua të kërcej vallen e Osman Takës”
Ja sprova:

“Ngjeshur në fijen më të hollë të kujtesës
Lëviz me dhembje nën ullirin plak
Afrohem pranë rrënjëve të tij,
Degët e thyera kullojnë gjak…”

Pra, nëpërmjet shprehjes sentencë: “Mungesa e së shkuarës, mjegullon të ardhmen”, autori shëtit nëpër njollat e murrme të historisë, ku ngjyrat janë shpërbërë në koleksionin e heshtjes... aty ku dëgjohet kënga e Çelo Mezanit, poeti Berisha shprehet poetikisht: “Dua të kërcej vallen e Osman Takës...”
Po kështu mund të vlerësojë poezitë, “Kur Këndon Dea”, “Dua një Kostum”, “Bukurinë e kafshojnë...”, “Ndër dhëmb urie”, e të tjera, ku autori nëpërmjet  simbolikave, elementëve bazë të poezisë artistike  ndërton një muze antik me poezi refleksive, historike, atdhetare. Si urëlidhëse përdor këto poezi, për zgjimin e ndërgjegjes njerëzore, për të mbrojtur këto vlera historike kombëtare. Këto ndjesi poetike i realizon tek poezia “Atdheu im djepit përkundur që në lashtësi”, me forcë artistike të ndjesive sublime, si një përkushtim të madh, idealin ndaj  Atdheut. Përmbajtja poetike është ligjëruar mjaftë mirë, mes dy kohëve, gjatë aktit poetik.
Poezia e Berishës (në kapitullin e dytë) zhytet si nëndetëse brenda karakterit poetik, për shkak të nuancave dhe lëvizshmërisë së gjendjes shpirtërore në aktin e krijimit lirik, me një me një tematikë të larmishme, në shumë këndvështrime. Veçoj në këtë kapitull poezitë: “Emrin e saj, vara në qerpik”, “Desha të bëhem harfë”, “Ëndërr e këputur”, “Unë gjysma ime”, “Më vjen si imazh zjarrdashurie”
e tjerë.Shpirti poetik i autorit Berisha, aktualisht emigrant në Zvicër, rreket me prekë çdo detaj poetik, nga ngjarjet apo ëndrrat e jetuara ose jo,  krijuar mes dy kohëve,
Jeta e poetit pasqyrohet në pasqyrën e botës së brendshme shpirtërore, dëshirave poetike, zhgënjimeve, intimiteteve, në çdo poezi,  ku të gjitha detajet e bëjnë atë, më tërheqës, më interesant, më fisnik. Autori, duke rendur nga përditësia tek abstraksioni, duket se e ndien veten më mirë. Këtë e konstatoj tek disa poezi, ku simbolika e metaforat dalin në pah, pothuaj spontanisht, si një improvizim i pritshëm dëshiror.
Poezitë  të veshin emocione, herë të bardha e herë të hirta, si gjetje refleksive, që vjen si diskurs socio-linguistik, duke na dhuruar një mozaik të bukur, të ndjeshëm poetik.
 Tek poezitë më të realizuara, autori Berisha, krahas spontanitetit të rrëfimit, ka ditur të krijojë dhe mënyrën, gjuhën vetshpallëse të ndjenjave të tij. Ndaj nuk mund të kalojnë pa rënë në sy poezi të tilla si: “Emrin e saj, vara në qerpik”, “Desha të bëhem harfë”, “Ëndërr e këputur”, “Unë gjysma ime”, e tjerë.P.sh: tek poezia Më vjen si imazh zjarrdashurie”. Në këto poezi, efekti tingëllor me brendinë e mendimit poetik, janë në një sintezë ëndërrore për dashurinë e jetën...
Poeti i ka qëndisur vargjet i ka qëndisur vargjet në formë të mrekullueshme artistike. Në këtë poezi, poeti pasqyron një botë shpirtërore të shprehur me artin e fjalës, me një ndjenjë të fortë INTIME, duke na “imponuar” të dëgjojmë melodinë poetike, të luajtur shumë bukur, në shilarësen e shpirtit poetik.Fehmi Berisha me librin e tij të parë me poezi Vala e solli nimfë”, hynë në shtëpinë e poetëve, pa frikë, dera për këtë talent është e hapur. Pas disa dekadash vuajtje e burgosje nga sistemi titisto-milloshevian, Fehmiu vjen në këtë dekadë të re, si një poet serioz.
Poezia vlerësohet nga vlera dhe mesazhi që përcjell autori, e jo nga sasia.
Ky libër tregon se autori, ka arritur të krijojë një model të vetin për përzgjedhjen e fjalës, në strukturimin e vargjeve, me simbolika dhe metafora artistike që zbukurojnë këtë libër, ku shëmbëllen shenja të mirëfillta arti letrar, me një forcë të brendshme të mendimit filozofik për dashurinë dhe jetën.

Mbresa....

Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut


image “KRITIKA NDRYSHE – II”


TEMPULLI I DIJES NË SYRIN E KRITIKËS LETRARE
XHELADIN MJEKU
Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut
I. HYRJE NË TEMPULL
          Kur merr guximin të futesh rrugës së gjatë dhe sfidimit prej vështruesit serioz në matjen e të gjitha barometrave dhe kaheve të zhvillimit të letërsisë në këto vitet e fundit, sidomos në periudhën e tranzicionit, ku u hapën mundësitë e daljes në skenën letrare dhe krijuese shumë emra të anatemuar, krijues të rinjë dhe sidomos krijuesit nga mërgata, që ishin të panjohur për opinionin lexues në trojet etnike, nuk ka dyshim se ke vënë vetes një sfidë. Këtë rrugëtim e nis me  përkushtimin më serioz Fatmir Terziu, i cili ua hap portën këtyre krijuesve që të grumbulluar në një libër voluminoz me shkrime e analiza kritike dhe letrare për librat dhe rezultatet e tyre, bën që të kemi një njohje më të gjithanshme të shumë penave, që deri vonë ishin pothuajse enigmatik dhe fare pak të njohur. 
         Nisur nga ky supozim sikur fitohet përshtypja se po hapen portat e një tempulli të madh të njerëzve të veprimtarive të shumta kulturore, krijues të poezisë, prozës, kritikës, dramës dhe vlerave të mëdha letrare në përgjithësi. Triumfalisht do të shëtisim nëpër të gjithë kapitujt e këtij libri, për të takuar emra të shumtë krijuesish, veprat e të cilëve premtojnë në zhvillimin dhe lërimin e vlerave të qëndrueshme letrare dhe shkencore, në përgjithësi. Të takosh në një vend aq emra krijuesish, të njohësh veprimtarinë e tyre dhe të kesh një pasqyrim të përafërt për zhvillimet e krijimtarisë së tyre, është një vlerë e konsiderueshme për lexuesin e rëndomtë, por edhe për studiuesin e kësaj dege të letërsisë kombëtare. Të rralla janë rastet kur vijnë bashk krijues nga atdheu dhe mërgata, në numër kaq të madh, e që pasqyrojnë botën letrare në formën më të plotë. Këtë mundësi na e krijon Fatmir Terziu me librin e tij voluminoz “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, që tashmë disponojmë.  
            Që në fillim të këtij vështrimi kapim fijet e organizimit të librit, që i paraprinë Hyrja dhe pastaj vazhdohet me katër kapitujt që pasojnë: Kapitulli i parë–Kuptimi, efekti kontekstual dhe komprehensioni; Kapitulli i dytë–Diskursi, interpelacioni, metafizika dhe filozofia e fjalës; Kapituli i tretë–Poezia, raportet e saj me jetën, bashkëkohësia, triniteti dhe…cili është kuptimi i ekzistencës së saj, dhe Kapitulli i katërt–Përtej analizës, rrumbullaksojnë një material voluminoz për kahet e zhvillimit të letërsisë shqiptare këtyre dy dekadave të fundit. Libri shoqërohet me një bibliografi të pasur prej rreth 90 burime të ndryshme, që plotësojnë lëndën e shtjelluar, duke dhënë dëshmi të mjaftueshme për studimin e autorëve të përzgjedhur në libër. Edhe  indeksi i emrave të përfaqësuar, si ndihmesë tjetër janë udhëzuesit e gjetjes së emrave të përfaqësuar brenda kopertinave të librit voluminoz dhe të ndërtuar me përkushtim  “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, të Fatmir Terziut, - studim kritik mjaft tërheqës, që zë një vëllim prej afër 500 faqesh.
           “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” është  vepër që i   plotëson nevojat e lexuesit të njoh gjithë materjen e përmbledhur aty, një ndihmesë e mirë për të mësuar për  angazhimet e Terziut në organizimin dhe ndërtimin e një vepre studioze. Nga ky prizëm mund të konkludohet se, në materjen e kësaj vepre shkencërisht të realizuar mund të vëzhgosh e kuvendosh lirshëm me të gjitha format e shtjellimit dhe problematikat që kap në analizimin e veprave të nduarnduarta letrare. Kjo vepër, realisht me plotëkuptimin e fjalës, është studim i mirëfillt dhe më ndryshe se që jemi mësuar të takojmë në raste të shumta; e shkruar më ndryshe se në rastet e rëndomta në  fushën e kritikës letrare shqiptare.
 Konteksti i kësaj përgjigjeje është organizimi dhe shtjellimi  bashkëkohor në kritikë dhe analizë të veprës letrare, bazuar në psikanalizë. Kjo është veçanita e këtij libri studimor, ku përfshihen autorë shqiptarë në prozë dhe poezi,  që premton një pikënisje në kritikën ndryshe, me mënyrën e shtrimit të problemeve rreth kritikës letrare.

II. PERSONIFIKIMI I FIGURAVE TË HARRUARA DHE VLERAT E PAKONTESTUESHME

            Që në fillim hetohet përfshirja e një numri të konsiderueshëm emrash që ishin pjesa e harruar apo fare pak e njohur në qarqet letrare këtu tek ne, duke aluduar në pamundësinë e ndjekjes së hapit me shpejtësinë e daljes në opinion të shumë emrave të rinjë, sidomos në dy dekadat e fundit të tranzicionit të vendit. Brengosëse është edhe fakti se përzgjedhjet e mëhershme të shkrimtarëve të brezave të mëparshëm kishin mbetur si pjesa obligative e mësimit të letërsisë, kurse komisione të reja për të ndryshuar gjendjen, duke përfaqësuar edhe emra të rinjë që kanë bërë emër dhe vlerë të qëndrueshme në letrat shqipe nuk kanë nxjerrur në dritë asnjëherë deri tash.
              Elita krijuese letrare në hapësirat shqiptare e prezantuar këtu edhe me një qëndrim serioz të kritikës letrare është shembull i mirë se ka ikur koha e personalizimit dhe e interpretimit të kufizuar si parapëlqime të grupeve dhe individëve të caktuar nga qarqet pushtetore dhe të sferës së politikave organizative të kulturës.
             Në librin që po shqyrtojmë “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” të  Fatmir Terziut takojmë një aradhë të tërë autorësh në gjini të ndryshme shumë të njohur, më pak të njohur apo të rishfaqur në hapësirën mbarë kombëtare, të rinj e të moshuar, nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga  mërgata, që krijojnë në prozë dhe poezi, si Ismail Kadare, Zija Çela, Halit Shamata, Izet Shehu, Pëllumb Kulla, Agron Tufa, Agim Shehu, Klara Buda, Puntorie Muça-Ziba, Vilhelme Vranari-Haxhiraj, Vullnet Mato, Dhimitër Xhuvani, Thani Naqo, Kujtim Agalliu, Halili Jaçellari, Myrteza Mara e ndonjë tjetër, dhe në poezi, si Isuf Luzaj, Agim Gjakova, Preç Zogaj, Iliriana Sulkuqi, Zyhdi Dervishi, Moikom Zeqo, Zejnepe Alili-Rexhepi, Arian Leka, Anton Çefaj, Skënder Rusi, Nehas Sopaj, Sazan Goliku, alias Pandeli Koçi, Ndoc Gjetja, Ramadan Musliu, Skënder Hasko, Vojsava Nelo, Din Mehmeti, Iliaz Bobaj, Lindita Agolli, Mujo Buçpapaj, Ndue (Tomë) Ukaj, Medije Vraniqi, Vangjush Ziko, Abdylazis Islami, Agim Spahiu, Bajame Çeliku-Hoxha, Petraq Risto, Uran Kostreci, Rahmi Tuda, Sotir Lashova, Julia Gjika, Albana Mëlyshi-Lifschin, Kostaq Duka, Sherif Bllaca, Dritan Buna, Ylber Merdani, Elinda Marku, Gëzim Llojdia, Merita Bajraktari-McCormak, Selman Lokaj, Xhevat Latifi, e ndonjë tjetër, nduarnduarshmëria e  krijimtarisë letrare të të cilëve përbën një thesar të çmueshëm në fondin e letërsisë shqiptare, që krijohet këtyre dekadave të fundit.
            Objekti i studimit për krijimtarinë e shumë krijuesve të Letërsisë Shqiptare, për probleme të caktuara, të veçanta dhe të dallueshme nga njëra-tjetra shërbejnë si modele të të arriturave në letërsinë bashkëkohëse shqiptare nëpër dekada. Autori i studimit ka përzgjedhur midis shumë prozatorëve dhe poetëve, disa krijues shumë të përveçëm, për të cilët ka ndërtuar nga një  pasqyrë në disa plane letrare me vlera për letërsinë që po krijojnë, e  që deri më sot  kanë munguar, ose është folur fare pak për ata. Vlerësuar  në specifikat e  gjithësecilit autor, ata konsiderohen si modele të  sukseshme në fusha të veçanta të letrave shqipe dhe natyrshëm të letërsisë  sonë kombëtare.
           Nga këto fakte  libri plotëson nivelin e vlerave të studiuara dhe të gjetura te krijimet e larmishme të autorëve, ku struktura e tij bëhet sa e larmishme dhe interesante, aq edhe  e dobishme për studimin e krijimtarisë shqiptare në vazhdimësi.

III.             LABIRINTHET E BOTËS IMAGJINATIVE

            Periudha kohore e përfshirë në shkrimet kritike të Librit “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” përfaqësohet të shumtën në dy dekadat e fundit dhe nis me shqyrtimin  analitik të termave modernizëm dhe pasmodernizëm, të cilët janë ndër termat më të debatueshëm edhe në dekadat e mëparshme, jo vetëm në mesin e studiuesve në fushën sociologjike, historike e filozofike, por edhe në ato letrare dhe artistike, veçanërisht. Me përkushtim prej profesionisti të kualifikuar Fatmir Terziu nuk ndalet në konstatimet përgjithësuese për modernizimin dhe pasmodernizmin, por vazhdon rrugëtimin e tij studiues në analizat konkrete në fushën e letërsisë, duke konsultuar edhe mendimet e studiuesve më të afirmuar perëndimorë në problematikën e pasmodernizmit në letërsi.  Fatmir Terziu i qaset shqyrtimit analitik të proceseve, dukurive e risive letrare në gjuhën shqipe, duke konsultuar gjithnjë me kujdes literaturën më bashkëkohore dhe duke u bazuar në përvojën teorike të vendeve më të përparuara të perëndimit. Që në faqet e para të këtij libri mësojmë se autori njeh dhe përdor me  saktësi literaturën bashkëkohore që i shërbenë si instrument studimi dhe shqyrtimi analitik të dukurive e risive letrare në prozë dhe në krijimtarinë poetike.
            Poashtu harmonizimi i natyrshëm i pikëvështrimeve teorike të studiuesve dhe  shkrimtarëve të vendeve të tjera me ato të autorëve shqiptarë është një tjetër dëshmi prej studiuesit me formatin më të kompletuar të ngritjes profesionale dhe të përkushtimit për studime cilësore sa më të argumentuara. Një gjetje tjetër në masë të konsiderueshme tek autorët e shumtë shqiptarë në studimet e Terziut është  edhe lidhja qenësore e arritjeve më të veçuara të tregimtarisë shqiptare të ditëve tona jo vetëm me rrjedhat përkatëse të modernitetit, por edhe me nektarin e papërsëritshëm të gurrës tregimtare të krijimtarisë folklorike të shqiptarëve, që lehtëson komunikimin e saj me një rreth më të gjerë lexuesish shtresash e interesimesh nga më të ndryshmet.
            Librin e Fatmir Terziut “Kritika Ndryshe - Një vëzhgim në brendësi të prozës e të poezisë shqipe-II” me plotë të drejtë, mund të konkludojmë se është një vepër e mirëfilltë studimore, që ka si objekt studimi:  Postmodernizmin, Funksionin estetik, Artin e fjalës,  kritikës letrare, etj. për të  vlerësuar veprat letrare; pastaj leximi i kujdesshëm i poezisë dhe mënyra  gjithëpërfshirëse e  saj në vrojtimin e analizës komplekse bashkëkohore.
           Në një mendim përmbyllës të këtij analizimi, veç të tjerash, evidentohet çështja  thelbësore, të themi përmbajtja artistiko-shpirtërore e krijimtarisë poetike të çdo krijuesi, poeti ose   poeteshe  që fiksohet me objektivin vrojtues të Fatmir Terziut.
IV.MESAZHI OSE TEMPULLI QË RREZATON DIJE
            Këtë nëntitull do ta kisha vënë që në krye të shkrimit me besimin se paraqet mjaft bindshëm dhe sigurtë gjithë qëllimin që ka kjo vepër voluminoze. Mesazhi i gjithë kësaj sikur përmbyllet me vështrimin e lëndës së prezantuar këtu, aq më shumë kur takojmë një laryshi autorësh dhe tematikash të prezantuara me pedantëri dhe seriozitet nga autori. Mund të flitet gjatë për vlerat dhe rëndësinë e veprës, por një çështje është mbase e vërtetë në këtë rast. Nëse në mësimet parauniversitare përcaktimi për lekturën e domosdoshme është i rregulluar me normativa pedagogjike, në fushën e studimeve albanistike, e veçanërisht për letërsinë, do të ishin me interes tituj shkencërisht të dëshmuar  si ky i Fatmir Terziut të preferoheshin si obligues për tu lexuar, qoftë si literaturë e mirë studimi, qoftë si libër-lekturë e llojit të veçantë, ku takon brezat  e krijimtarisë moderne në një kulm të fuqishëm dhe meritor. E them këtë nga bindja se një vepër si kjo sikur të shpie në një bibliotekë të përzgjedhur, ku asnjëri nga autorët nuk të lëshon t’i ikësh përballjes me të arriturat dhe vlerat e krijimtarisë së tij.
            Fatmir Terziu i ka përmbushur me një përkushtim të admirueshëm kriteret e hartimit të një libri të përmasave të gjëra shkencore në nivelin ndërkombëtar, duke njohur  mirë letërsinë kombëtare dhe botërore,  paisjen me një kulturë të gjerë,  një formim enciklopedik, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë analiza dhe përqasje me të vërtetë bindëse me krijimtarinë e autorëve vendës dhe të huaj, duke gjetur edhe pikëtakime përkatëse në këndvështrimet e tyre, prandaj me të drejtë vlerësojmë se ka arritur të vërë në dorën e lexuesve një vepër me nivel të lartë shkencor. Me punën e palodhshme për një periudhë të gjatë kohore që ka përballuar për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre të vëllimshme, autori ka manifestuar, para së gjithash, një respekt të thellë ndaj vetvetes, si një intelektual me horizont të gjerë.
          Në letërsinë e sotme, siç do të theksonte edhe vetë autori i librit Fatmir Terziu, ka prurje të shumta letrare që ka nevojë të studiohen dhe të seleksionohen më tutje.  Gjithnjë duke iu referuar mendimit të tij, shfaqja e mendimit të plotë, pa rezerva në letërsi, krijon tablon e plotë të një krijimtarie të re, ku krijuesi duke analizuar të djeshmen, duke jetuar të sotmen me problematikat e veta, jep mesazhin e së nesërmes.
          Kritiku Fatmir Terziu me  këtë  vepër të vëllimshme  studimore, dhe me librin paraprak të po kësaj natyre dëshmon  se në Shqipëri dhe gjithandej kah krijohet letërsia shqiptare, tash pas daljes nga anonimiteti i periudhës së izolimit tejet të gjatë, po rilind letërsia moderne, për të cilën autori jep mjaft shembuj dhe vlerësime nga kritika bashkëkohore në botë, si krahasim i ndërsjellë i arritjeve të suksesshme dhe vlerash të pakontestuara, që gjithnjë e më shumë janë mirëpritur edhe në vendet tjera, ku janë prezantuar, qoftë si përkthime, apo si krijime në gjuhën e vendeve ku jetojnë e krijojnë autorë të etnisë shqiptare.
          Në kontekst të një vrojtimi të këtillë konsideroj se ky është një përparim i suksesshëm i kritikës letrare shqiptare, duke iu falënderuar entuziastëve të kalibrit të Fatmir Terziut, me synimin e përafrimit me standarde më të përparuara të kritikës bashkëkohore.

HORRORI KOMUNIST SHQIPTAR NË “GJYQIN E WASHINGTONIT”


Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image Fabrikimi i Vdekjes


Me botimin e dokumentave autentike të Sigurimit të Shtetit tek Libri,i autorit Bedri Blloshmi,

Bota e lirë do të mësojë dhe gjykojë horrorin komunist shqiptar. Në këtë seancë do të marrë pjesë vete autori, zoti Bedri Blloshmi, antikomunisti që u dënua me 25 vjet burg, i cili do të dëshmojë para Jurisë, anëtar-e i së cilës jeni edhe ju – për përgjimin, ndjekjen, hetimin, torturimin, gjykimin, dënimin, burgosjen dhe pushkatimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Dy të rinj që ëndërruan për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...