Pilo Zyba
|
Kjo poemë e botuar në anglisht, frengjisht, rumanisht, greqisht nuk është e botuar në gjuhën shqipe, për tu shuar kureshtjen po u dhuroj një fragment të saj. Autori NË SHTËPINË POETIKE TE POETIT fragment Trokas Tak, tak, tak, Në portën e mendimit tënd. Jam unë, nxënësi yt, vij nga larg. Udhëtova “Lagjeve të botës”.* Në hejbenë time, përzier me poezitë, ju sjell një re të hirtë, marrë në qiellin e tymosur të Irakut. Një therje në brinjët e Palestinës së Lashtë. Sjell një det të kripur lotësh, mbi bebëzat e maviosura të paqes. U sjell një ditar tmerri, shkruar, skalitur në hemisferat e jetës së kësaj vogëlushe Kosovare. Trokas Tak, tak, tak. Hapeni ju lutem! Hapeni të futem! Hapen krahët e mëdha të portës, Ku ti, skalit fytyrën e vërtetë të botës. Shtëpia juaj e gjërë sa kraharori i pafund i ndjenjës. Në mes një oxhak i madh. Në të rri ndezur e bubulon flaka e dashurisë për njeriun. Pranë, gota të vogla, të pastra si vargjet, që vizitorët të pinë me dolli miqësitë. Thika për të operuar mendimet e liga. Pirunj, për të kapur e mbërthyer dhimbjen e rëndë të urisë. Peceta të pastra për të fshirë lerosjen e shpirti nga mikrobi i dhunës. Një tryezë, sofër e rrumbullakët. Për të vjelur mendimet, nga pema e djegur e përçarjes dhe virusi i zilisë e cmirës. Në të djathtë një letër e virgjër. Mbi të, një penë pret të bëjë portretin e vërtetë të njeriut. Pa ngjyra, bardhë e zi. Pranë një çakmak, për të ndezur në çdo çast zjarrin e dashurisë. Perde të lehta të bardha si qumështi i nënave, që fëmijët të rriten të pastër në skenën e madhe të dramës “Pabesi”. Mbi kokë!? Trarë, Trarë të kryqëzur, të lidhur. Trarë të tharë nga dëshira e zjarrtë e vatrës. Si pleq të heshtur, të moshuar, mbajnë mbi supe qiellin e harkuar të botës së madhe e ëndërrave të shtëpisë. Më tej “Zonja e vreshtave”*. Me kupën e gëzimit të vjeshtës, me buzët e lyera me ëmbëlsinë e fjalës dhe urimin e dollisë. Në të djathtë “Dritarja”.* Një ekran për të parë pafundësinë e detit. Thellësinë e pa fund të shpirtit të zonjës Eleni. Nënës së “Lagjeve të botës”, që iku duke marrë me vete në xhepat e thellë të futës, farzat përzier me thërrimet e bukës, ρër pëllumbat që u trëmbën nga zhurma e pushkës. Vështrimi, κrijon një “Urë”* ndërmjet dritares dhe detit. Një vështrim, që përkundet nën ritmin e këngës labe të valëve, dhe një varke që lundron drejt një lindje të re. Era e dëshirave i rreh kraharorin. velat frymëmarrin, dhe mbushen me ajër e shpresë. Era e re e ndihmon, të varkojë shpejt për në portin e endërrave. Larg, larg nga arat vjen muzika monotone e një “ Traktori”.* Vjen përkudur në shilarsen e flladit. Për të pushuar në qerpikët e fëmijëve. Që ti zërë gjumi, pa frikën e urisë dhe krismën e dhimbshme të luftës. Ajo lajmëron; “Së shpejti do mbjellim farën e dëshirave, për të korrur më pas frutin e dashurisë dhe bashkimit”. Në oxhakun e madh të artit, flaka, pikturon në mure figura prrallore. Hëna zgjat kokën në dritare. Syri i saj vështron sytë e mi, pastaj largohet ëndërrimtare, ndihmuar nga era e frymëzimit të poetëve. “Sa hënë e mrekullushme sonte, Më mërr me vehte”,* brigjeve të pa fund të këngës dhe vështrimit tënd. Atje, ku bota flë pa frikën e së nesërmes. Monevasia ...2009 shenim : fjalët në thonjza janë vepra të poetit JANI RICO
AUTOBIOGRAFI
I pakët jam në trup e në vargje,
Krejt i thjeshtë: brëndësi e kapak.
Kërkuar kam mirësi e paqe,
Dhe një huq: Vargun kam merak.
Eci pa frikë në rrugën e gjatë,
pa fshehur dorën dhe fytyrën.
Vargjet mbi shpirtin fluturak
S’ma ndryshojnë stilin dhe natyrën.
Nuk pres lëvdate, nuk ngrej ura,
Për vargjet nuk bëj përleshje.
Ato, si Penelopa i thura
Mbrëmjeve, në një cep, në heshtje.
ÇAST
Ti
Dole nga deti,
Flokët shkunde
Larë me dritë e shkumë.
Deti
U qetësua dhe fjeti,
Dallgët e tij u zgjuan te unë.
H Ë N A
- peizazh-
Varur në degën e një lisi,
Portokall i madh i arrirë,
dritë hedh mbi kurriz të një plisi,
ku tundet filizi i barit të mbirë.
Fener i ndezur çdo natë si vetull,
Gjysmuar e ngrënë te mali,
Qellit lundron si mërgimtar
Që e ka marrë malli.
Hëna – gravurë e natyrës,
E zverdhur, e ligur, e hequr,
Retë ia hedh si perçe fytyrës,
I bën jastëkë për të fjetur.
Atje në Vathra, në Gurrë të Madhe
Hedh dritë mbi kujtimet e mia,
I fton për piknik në livadhet
Ku më mbeti përngaherë fëminia.
P Ë R M E T I
Bri Vjosës,
Në gjunjë të Dhëmbelit,
Nga lumi a nga mali mbiu?
E lindën ngjyrat e penelit,
Apo notat e Laver Bariut?
Është rimë nga shpirti i Naimi,
Dashuri e marrë që bredh kumit?
Apo mall që vjen prej mërgimit,
Për t’u çlodhur në brigjet e lumit?
A T H I N A
Ajo përballë meje,
Unë përballë Athinës.
Blerës i zakonshëm
Përpara vitrinës.
Ajo më mërr forcën,
Vitet më me vlerë.
I bën këngë e ëndërr
Dhe art për të tjerë.
U R A
Në Githio është ura që sipas legjendës
Kaloi mbretëresha e Spartës Helena, për të shkuar në Trojë.
Ura,
Dy brigjet shtërngoi me duar,
Dy harqet ngriti, si dy supe,
Që dashuria e tyre e bekuar
Të kapërcente detrave tutje.
Ku ta dinte se në supet e saj
Historia do gdhëndej,
Do mbruhej me vaj.
U lutej erërave të nxitonin
Lajmin e mirë të çonin në Trojë.
Ku ta dinte
Se kishin nisur ta mallkonin
Nënat e legjendës, gojë më gojë.
L A Ç I
Përpara meje qyteti, i tëri
I heshtur, si burrë i menduar.
Ikja masive e bëri
Fole zogjsh të harruar.
Më vjen të bërtas me zhurmë
Mes dritash të zbehta – qirinj:
“ Ku je, or mik, dikur ishe lumë,
Ju njerëz, ju miq, ju komshinj”.
Ikët! Aq shumë i mungoni qytetit!
Një mëngjes roitët nga sytë këmbët!
Tani, në vëndet përtej detit
Në kaseta kuçni mallin dhe këngët”.
|
Poet,
prozator, fabulist, publicist e përkthyes, ky është portreti i Pilo
Zybës. Antar i lidhjes së shkrimtarëve të shqipërisë që nga viti 1982.Në
vitin 1990 emigron në Greqi ku jeton edhe sot.Pjesmarrës në
Anthologjinë e parë në emigracion “Balada e largësive” Athinë1995.
Bashkepuntor i të gjitha gazetave që dalin
në Athinë, bashkepuntor special i kolegjiumit të revistës
letraro-artistike “Pegasi” që boton zoti Griigor Jovani.Ka botuar këta
libra.
Për fëmijë:
-Cicërimë në degë të shpirtit - vjersha
-Këngët e burimit tim - vjersha
-Alo…babi - vjersha
- Pyetjet e vogëlushit - vjersha
-Vijnë zogjtë nga mërgimi - poemë
-Ku ta gjëj gjyshin - novelë
-Aventurat e Elonës - novelë humoristike
- Vizitë te miqtë e mi të vjetër poemë greqisht
- Rruga drejt lirisë vëllimi I -novelë- greqisht
- Rruga drejt lirisë vëllimi II - novelë- greqisht
- Aventurat e Gabrielës -novelë humoristike.. greqisht
- Vizitë te miqtë e mi të vjetër poemë
- Ekzili i ëndërrave Anthologji poetike Rumanisht
Për të rritur:
- Kam mall - poezi
- Vizitë te miqtë e mi të vjetër - poemë
- Gomari dhe patat - fabula
- Këmborët - fabula
- Nga ditari i një të çmënduri - fabula
- Rruga për te ju - poezi e poema-
- Karjera e Miço Qullit - novelë humoristike
Përkthime:
- Yje mëngjesore - poemë- për fëmijë Janis Rocos
-Janis Ricos - Poema-
Ka përkthyer nga greqishtja .. në librin “Kam mall” poetët grek…Janis Ricos…Jorgo Seferi..Poti Katraqi më..1995
- Përkthime të tjera :
O’henri….Xheims Xhois…Italo Kalvino. Senel Pass...Eri Rico.
NË PORTËN E PARAJSËS
Te portë e parajsës trokita një natë Lehtë, si mbi pjano, mbi të bukurën tastjerë: - Hape të lutem, u lodha nga rruga e gjatë, Dua përjetësia ime mbi shtratin tuaj të flerë. Parajsa hapi kraharorin, këshilla doli e shumëfishuar: - Nga rruga që kalove asgjë s'paseke kuptuar!? Ujvarën e flokëve të argjëntë Hodhe mbi fytyrën e praruar Dhe e mbulove orbitën e syve të artë. Hapat ngadalësove kur erdhe pranë Sikur kërkoje që kohëvështimi im Të ishte saaaaaaaa më i gjatë. Unë përkundesha në delirin e mendimit: Tu besoja syve të " fshehur" Apo të lexoja heroglifet e hapëzimit? NUK E KUPTOJA Veshtrimin hidhja ashtu me dhelpërinë Mbi bukurinë tënde të kraharorit, Tek ëndërroja për ta dashurinë Me qortim më kapje në grackën e fajtorit. Asnjëherë nuk e kam kuptuar Kur me vështrim më qortoje, Kraharorin pak më tepër zbuluar Të nesërmen përse ma dhuroje DESHA TI FLAS - vegim i largët - – Flokët kishte lëshuar, Nëpër buzë i endej heshtja, Në duar mbante një grusht yje. E pashë Qëndroi një çast te dera. I thirra, i zgjata duart, Nuk mu përgjigj. Nëpër gjethe Ndjeva sinfoninë që luante pranvera.
KAM VENDOSUR
Kam vendosur të mbetem
Një libër i vogël,
Me kapakët flatra,
Hedhur në një kënd.
Gërmat,
Si kokrrat e grurit,
Sa një gogël,
Me forcën e peshën
Që të lë pa mënd
K R U J A
Thonë se vjen nga fjala “kroje”.
Shumë herë kam vajtur,
Plot herë kam rendur,
Por burime nuk pashë për të pirë.
Vetëm ullinj me gjethe të dëndur,
Si pleq të vjetër, fjalëmirë.
Atherë kuptova: Kruja, e etur,
Nuk është për burimet nën hije.
Në histori ëmri i ka për të mbetur
Si tokë me burime lirie
FOLEZA IME
Kam një folezë
Në strehën e shpirtit,
Ku cicërojnë e marrin jetë
Mendimet e mia.
Ajo është llozha nga unë shikoj
Drejtimin e erërave,
Shtegëtimin e shpendëve,
Transformimin e stinëve.
Foleza në strehën e shpirtit tim,
Dritare nga unë fiksoj
Çaste për ekspozitën e madhe.
Që do u lë të tjerëve.
B A J R O N I
Karvani si varg poeme, hyri në Janinë,
Portat hapën krahët, shprehnin dashurinë.
Kjo kala me mure guri pa çallma e taborrë,
Mbretëri që njeh liri për mbi perëndorë.
Rreth oxhakut flaka hidhet e zihet me gurë,
Mjekra e bardhë e Aliut, borë që nuk shkrin kurrë.
Tymi i nargjilesë dridhet, niset nëpër botë,
Brënda tij edhe mendimet, që Ai fsheh në kokë.
Tespijet që mban, e dredh nëpër duar,*
Numuri i betejave që Ai ka fituar.
Fustanella palë-palë një zog i pa kapur,
Ty tu duk që larg o mik, një libër i hapur.
Kur dëgjove iso labe, pse u trëmbe shumë,
Brënda oshëtinte Drinua dhe vjosa me shkumë.
Fustanellën kur e veshe, ku ta dije ti!
Do i fusje nëpër vargje, ata në histori.
*Pas ç’do beteje të fituar, Aliu shtonte një gogël në tespije.
Fabula
PULA DHE PARLAMENTARI
Kur pa pulën te furriku
Një mëngjas të nxehtë korriku
Foli një parlamentar:
“Nuk më thua moj kumbar.
Për një vezë moj lum bardha
Gjith ditën tundet mëhalla.
Ne, kakarisim në qeveri,
Por nuk na vë veshin njeri”.
Ka, ka, ka, pula serbes:
“Unë i këndoj veprës çdo mëngjes.
Ju vërtet kakarisni pa prerë
Por vezës që s’do bëni asnjëherë.
VESHËT E GOMARIT
Veshët të mëdhenj i ka gomari
Me ta parë kjo kuptohet lehtë.
Pse atherë nuk dëgjon qyqari,
Kur njëri e kshillon a tjetri i bërtet?
Qeshi gomari i ngarkuar due i djersirë:
- I dëgjoj, por nuk më vjen mirë!
LIGJËRIMI I DETIT
-Për njerzit-
Para meje zhvishen si pemët ballë stuhisë,
Apo si dashnorët në krah të dashurisë.
Heqin rrobat e kapelet gjithë kulturë,
Si mishi i pjekur kur utet në furrë.
Due piqen nën saçin e diellit për ditë,
Due futen te unë e bëhen me kripë.
Kripë me vete marrin ngado shkojnë,
E fjalë pa kripë prapë kudo lëshojnë.
Më të çudiçëm nga të gjitha qëniet,
Nuk përkufizohen me proverbat due thëniet.
Rrobat veshin kur ryjnë thëllimet,
Por, kurrë nën rroba s’u lexohen mendimet.
KARRIKIA E NJË ZYRE
I thanë karrikes një zyrë:
Ç’mban përsipër atë fytyrë.
Natë e ditë vetëm i vrenjtur,
Si një kungull i pa pjekur.
- Ah, moj motra, tha karrikja,
Ç’t’u thotë motër vërsnikja.
Mbi mua të gjithë e dinë,
Bythë ikin, bythë vinë.
GOMARI DHE PATAT
Kur ditës po ja zinte vëndin nata
Dhe er luante sonete ndër fletë,
Gomari bisedonte me dy pata,
Që sqepin lugë e fusnin në kënetë.
“Eh, fisi ynë i ndritur i gomarëve
Botën me punë e çoi përpara,
Me forcën, bukurinë e samarëve,
Luginave, maleve, rrugëve e arave.
Derisa ngarkesat i kemi për fis
E mallrat i çojmë nga një vënd te tetri,
Unë nga mendimi im nuk lëviz,
Mbajmë dhe peshën e drejtimit të një shteti.
Kokën ngritën patat dhe panë hënën
Që dritën e artë hidhte mbi tokë:
“Gomar, pesha e politikës,- i thanë,
Nuk rëndon mbi samarë, por në kokë.
M U S H K A
Dëgjoi mushka në fushatën elektorale
Fjalë të çudiçme, diku dhe banale,
Dhe u tha shoqeve në mëhallë:
“Së shpejti motra mbetem me barrë”.
Nga gazi stallës iu tundën themelet,
Fluturuan të trëmbur zogjtë nga çerdhet.
Lopa përtypej me nge nën hije:
“Erdhi epoka e madhe e çudirave!
Nuk më thua mushkë, vërtet,
Fjalën si do ta bësh realitet?
Tha shoqeve mushka te mëhalla,
Duke hedhur sytë në dritare te stalla:
“Viçi ka vënë kandidaturë për deputet,
Çdo ditë në fjalimin e vet, thotë:
Po fituam këtëherë,
Do bëjmë dhe mushkën të pjellë”.
MONOLOGU I UJKUT PLAK
Që nga koha e lashtë e Ezopit,
Deri më sot luftrat ende vazhdojnë.
Ndonse mijra rrotullime iu shtuan globit,
Fabulat për fisin tonë nuk mbarojnë.
Ndërsa fisi ynë u çfaros e humbi,
E si përfqësues kam mbetur vetëm unë,
Bëmave e fabulave s’po u dihet fundi
Por librave derdhen lumë.
Në “vatha e stane” ditë për ditë
Çfarosen ftujka, shqerra e kecër,
Bilancet shpesh thonë, çdo vit
Më shumë se në kohën e vjetër.
A nuk më lind pra e drejta,
Të protejsoj me fjalë e letës,
Se këto bëma e këto vepra,
Nuk i bëjmë ne, por dikush tjetër?
MENDIMET E GOMARIT
- e shkuar –
Gomari krejt i djersirë
ndërsa ngjiste një rrëpirë
me librat e diktatorit në shpinë,
bënte vetë këngën dhe melodinë:
- Shpina ime kur s’i mbaka,
Si i mbaka koka jote?
Si kërcuri si s’u thaka
Por i rëndet kësaj bote.
Përgjigjen lehtë mund ta gjesh
Kur veprat rëndojnë, vare.
Deri sa mban këtë peshë,
Qënke më gomar nga ne.
NDRYSHIME DIALEKTIKE
Dikur zonjë, i thanë dhelprës,
Kotecit i vije rreth me net e orë.
Këtu diçka i fshihet së vërtetës,
Mos më së fund ng pulat hoqe dorë?
Qeshi dhelpra si në fabulat e La Fontenit
Dhe pa fshehur ironinë trumbetoi:
“Ju njerzit gjithnjë i bini legenit,
Kafsha i përshtatet ambjentit ku jeton.
Dikur vërtet bridhnim nëpër skëterrë
E ng koteci ktheheshim si të vdekura,
Qëkur ngjitëm shkallët në karjerë,
Pulat vinë vetë, shpesh herë të pjekura.
UJKU DHE QËNGJI
Kur nata po binte mbi ara dhe pisha
E heshtja prehej mbi gjethe e fletë,
Kur për gjumë përgatitej engjëlli e bisha,
Ujku dëgjoi një blegërimë të lehtë.
Diku në një pllajë ishte një sheleg
Që blegërinte me vaj e ngashërime:
“I mjeri unë, si do gjëj një shteg
Për të gjetur rrugën dhe shtëpinë.
I tha ujku: “Ah, ogëlush i shkretë,
Pasi e puthi e nxori në një ledh.
Kujdes t’i ruaju nga çakenjtë
Që sillen natën këtej rreth”.
“Ujku hoqi dorë nga qingjat,
Cicëruan zogjtë pa fshehur harenë.”
Hungëriu ujku: “Dëgjoni ç’thonë derrat,
Pas gjurmëve të tij unë kërkoj kopenë”.
|