2011-11-17

Kristaq Turtulli: Të treturit dhe të paditurit




Të treturit dhe të paditurit nuk mund të gjykohen...
Tregim mbështetur mbi një ngjarje reale


U përpoq të lexonte. S’mundi. Sytë i përvëlonin dhe rrëkeja e kripur e lotëve njomi brazdat e thata të fytyrës. Iu bë sikur shtyhej qëllimshëm majtas djathtas prej kalimtarëve. Me vështirësi përmbajti hungërimën. U tërhoq prapa si zvarranik i lënduar, duke iu marrë këmbët por pa lëshuar gazetën nga dora. Dielli qëndronte në kupë të qiellit dhe digjte. Prej djersës këmisha i ish ngjitur pas lëkurës, me nervozizëm i shkuli të gjitha komçat. Rrëzoi sytë mbi gazetë, germat shtynin, ngashëroheshin, kërlesheshin me njëra tjetrën dhe gazeta qullej prej djersës që vazhdonte të rridhte rrëke.
Shkrimi qe botuar në faqen e parë të gazetës së bashku me foton e vjetër të ‘ATIJ,’ dalë me syze të mëdha, me xhama të trasha optike dhe me vështrim të përhumbur, të hutuar. Çfarë dreq pafajësi asgjësuese ka! Edhe pse gjithçka ish zverdhur, irnosur nga koha. Përvijimi lëvizi, ajri u drodh, iu bë sikur u qesëndis keqas prej lëvizjeve rrethore. Gishtërinjtë e zverdhur prej duhanit iu mblodhën instinktivisht, mëshuan forcërisht mbi fletën e gazetës. Gishti i madh u përthye dhe çori me mllef foton e ‘ATIJ.’ Syzet e mëdha, me xhama të trasha u bënë shuk, menjëherë dëgjoi zhurmën acaruese të thërrmimit, dhe të asgjësimit.
Të ish gërmuqje e marrake?! Përshpirtje e heshtur prej fundbote?! Gërryerje nervoze nëntokësore, ku uji i turbull çjerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura. Mokrrat e kalbura, të mykura varen kërcënueshëm nëpër gërxhe dhe brigje. Qarje të zvargur ujore në këtë përpëlitje të vonuar, rastësore të fund shekulli.
Gjithë ankth vështroi përreth me mendimin se vështrimet dashakeqe së bashku me shtyrjet ishin mbërthyer si gozhdë në çdo pjesë të trupit. Tmerri ngjethës i përfshiu krejt trupin. Flokët e bardha të prera shumë shkurt iu ngritën si gjemba iriqi përpjetë. I vinte të ulërinte si ujk i plagosur e turravrap të gremisej mes morrisë së njerëzve, të shtynte dhe shkelmonte nga ti binte për mbarë, në verbëri. Turma qe indiferent nuk i ndjeu goditjet edhe pse ai dëgjoi rrëmet. Kapërdiu klithmën e hidhur në stomak. I murrëtyer ktheu bërrylin e rrugës. I nervozuar mblodhi gazetën shuk dhe e rrasi shpejtazi në zgavrën e gojës. Tehet e mprehta të germave ia copëtuan gjuhën dhe qiellzën. Volli me gulçe.
Pështjella e shtyu të vraponte sa ti hanin këmbët. Ndjehej i mpirë. Pellgorja e vjelljes përzierë me morinë e neveritshme të germave ish ngjitur si mastiç në asfaltin e lagur dhe shkelej pakujdesshëm prej hapave të njerëzve. U skërmit. Qeshi turbullt. Iku tok me hapat e të tjerëve.
Jo, nuk mundi të ikte. U lëkund disa herë si lavjerrës, pastaj lëvizi pjerrtas. U shty. U përmbys. U zvarrit drejt marramendjes, mbështjellë me petkun e ronitur të vrerit.
Kishin kaluar shumë vite. Ndoshta shekuj. Gjithçka ish mbështjellë me mjegullën e thellë, aq sa besonte dhe vete se nuk mund të kish ndodhur kurrë. U hodh përsipër mali i madh harrese. U gropos. U zhduk në humnerat e fundbotës, ku fshihen enigma dhe ‘mëkatet’ e mëdha.
Ndryshimet sociale e hodhën në krahët e fesë, paçka se dikur e përbuzi fenë me shpirt, urreu, shkatërroi xhaminë e vogël që gjendej në kodrën e ‘Shën Mërisë’. Kuranin me kapak të gjelbër nuk e lëshoi prej dore. Sa herë thoshte ndonjë fjalë me peshë, vinte dorën mbi kuran dhe perëndonte sytë. Nisi të besonte se krimi nga mëkati nuk i ndan asnjë fije. Janë Një përpara gjykimit të fundit. Por besimi i madh ndihmon që ngjarja e vjetër të thërrmohet prej memories. Ndjehej i qetë. Besimi ta lehtësuaka shpirtin. Ish në qetësi e çuditshme, si një shpend që endet në kurorën e një pylli në dimër, me drurë pa fletë.
Habia më e madhe, budallallëku më i madh dhe poshtërsia më e madhe kanë një hark kohor tre ditor. Këtë e njihte mirë. Veçse nuk bëhej fjalë për çudi dhe marrëzi. Këtu lëvizte si eter një shkundje tronditëse. Mugëtira kohë e pat mbështjellë me kujdes me çarçafin e tretjes. Nuk la asnjë shteg. Asnjë shenjë. Asnjë fakt. Asgjë prej gjëje, përveç rrëkeve dhe prurjeve të tërbuara të lumit që rridhte dhe rridhte pa ndërprerje.
Besoi se qe hedhur thjesht një version. Një alibi me hallakatjet e pamenduara të gazetarëve, duke shkelur mbi dërrasat e kalbura të kohës. Përsëri i përvëloi trupi, si ti futej mes përmes një hell i skuqur. Të ish si më parë, hëm! As do ti luante maja e qerpikut. Për dreq situatat ndryshuan dhe kjo gjë i futi lepurin në bark, e çekuilibroi. Vërtet donte të besonte në fe, por jo si një naiv i mjerë, të përdëllehej dhe të zbrazte lëngjet e barkut.
Vala e urrejtjes i mpiu gjuhën. Ish gati ta shqyente atë gazetaruc, mi zyre, që futi hundën në humbëtirë dhe shapurisi me qëllim errësirën e rëndë. Ngriti nga balta kundërmimin mbytës për të rivrarë të vrarën. Ta çavaliste me thonj, ja kështu siç çavaliti gazetën, të ndyrë prej jargëve. Sa mirë do ish që të zgërlaqej njeriu me ca lëvizje të shpejta të gishtërinjve, pastaj të përtypej dhe të përtypej derisa të dilte një masë e qullët. Një asgjë. Asgjëja është kryevepra më e saktë, prej saj nuk ke përse të frikësohesh. Mund të bësh gjithçka dhe asgjëja mbetet përsëri asgjë. Se nuk ka materie, por asgjë. Gjumi dhe qetësia shpirtërore qëndron në shkallën maksimale. Së fundi mësoi prej librave të shenjtë se Zoti krijoi jetën prej asgjësë. Së paku të ishte një asgjë në miniaturë. Dëshironte me gjithë shpirt të vazhdonte asgjëja e mëparshme. Por dreqërit nuk flenë e shkundën asgjënë.
Vështronte sy çapëlyer ronitjen e godinës së asgjësë. U gërmuq të ikte me vrap. Megjithëse e donte deri në verbëri. Jo rrallë në netët pa hënë, në errësirën më të thellë, klithte zëzvargur, kafshonte thonjtë derisa shija e athët e gjakut njomte buzët e përthara. Harronte që kish ndër dhembë gishtërinjtë e tij, por vazhdonte të thithte me neps si i babëzitur. Vetëm kur i mpiheshin gishtërinjtë dhe dhëmbët dergjej përdhe. Mbështillej kutullaç, qante me gulçe sy ngulur errësirës së pafund. Duhej te ish erresira, mjegulla, dytesimi...

Rrjedha e jetës kish qenë shumë e favorshme për të. Kur lindi sh mesditë tetori me mjegull. Ra kutullaç, si lëmsh, në këmbët e së ëmës, në mes të arës me misra. Nuk qau. E ëma e ngriti nga krahu e qëlloi tre herë në bythka dhe ai lëshoi një të klithmë të mprehtë. Nëna e mbështolli mishin e kuq me çfarë iu ndodh pranë, me pecetën e pistë që mbështillte bukën dhe me xhaketën e leshtë gjithë arna. Ish fëmija tetë i familjes dhe e ëma as që vuajti në lindjen e tij. Hapi këmbët dhe foshnja ra pëlltump si një kafshëz e vogël në dheun e shkrifët. E ëma nuk kish përse të ankohej për të dhe për peripecitë e mundimshme të grave në lindje.
Fëmijërinë e kaloi nëpër këmbët e të rriturve dhe në rrugët e përbaltura të fshatit. Bënte çfarë të donte dhe si ti shkrepej. Hante ku të mundte dhe zhgërryhej paq nëpër rrugët e ndyra të fshatit malor. Marifetet dhe djallëzitë e fëndura i hanin më të rriturit, vëllezërit dhe motrat dhe skërmiste dhembët në terr. Mos ndëshkimi ia shtonte akoma më shumë zellin tinëzive. Një fshikull në shpinën e tij shpaguhej me dhjetë fshikuj në shpinat e të tjerëve. Më pas fshihej pas grumbullit të hedhurinave dhe qeshte me hidhësi, pa u vënë veshin kërcënimeve të vëllezërve dhe shokëve.
I ati ish komunist i vjetër, sekretar partie në fshat, asnjëherë nuk e shkuli koburen nga brezi. I ngrefosur bridhte rrugëve të ndyra të fshatit dhe betohej: ‘S’ lëshoj pe për ideal të partisë dhe për këtë kobure.’
Ish i vogël kur gjyshi u grind me të atin.
‘-Dëgjo këtu lanet,’- i foli gjyshi me zë të lodhur. Plaku rrahu me inat bastunin e shtrembër pas tokës dhe shtoi: ‘-Qehajai më vriste sytë kur më mbinte përpara hundës me pushkën në sup. Tani po më bredh djali im me kobure në brez.’
‘-Shko plak, futu në haur dhe më lër të qetë. Ne me kobure e morëm pushtetin dhe me kobure do ta mbajmë.’
‘-Të dhjefsha urët,’ shau gjyshi i verdhë dyllë në fytyrë:- më treguake haurin.’
‘Të më dhjesësh urët!’-iu shkreh i biri me kobure:-‘ Plak vëri ushkur gjuhës, se po të ish për ty akoma me bajgat do flija.’
I gjyshi nuk i ktheu përgjigje. Iku kërrusur dhe duke iu marrë këmbët. U mbyll në dhomën e vogël ngjitur me haurin, në krah të pyllit. Mbas një muaj vdiq dhe u varros pa shumë ceremoni. Fëmija i Tetë nuk qau për të gjyshin, që siç thoshte i ati: gjyshi ishte një plak grindavec dhe i pjerdhur nga trutë, që i kish mbetur mendja turqi.
Pushteti i të atit ia shtonte zellin për prapësi fëmijës së Tetë. Sherreti i pagdhendur godiste pabesisht bashkëmoshatarët. Mësuesve u vinte nëpër libra e çanta minj, insekte dhe zvarranikë, tërhiqej në qoshe dhe përvuajtej në fytyrë kur përmendej emri i tij. Hija e sekretarit të partisë me kobure gërmuqte shtëpitë e ulëta dhe rrugët e përbaltura të fshatit dhe jo më mësuesit anemikë, që me një sinjalizim prej partie nuk dihej nga do tu rrihnin barqet. Në shkrepa dhe gërxhe pafund, mbase në qelitë e akullta të burgut të tmerrshëm: ‘Hani me dy porta.’
Fëmija i Tetë e kuptonte se: më mirë të jesh i pari i fshatit se sa i fundit i qytetit. Ndaj nuk prapsej përpara asgjëje. Fshati i tij në gji të maleve ish një botë më vete. Përfundoi klasën e shtatë. Personeli i mësuesve morri frymë i lehtësuar. Pak u interesonte nëse nxënësi ish i aftësuar në mësime. Njeriu me kobure u vërtitej përpara syve si gogozhel, ndaj ata i shtuan nga një, dy, pse jo edhe tre nota mbi rezultatet që kish.
Në shkollën pedagogjike i braktisi togjet me hedhurina, minjtë dhe insektet. Veshi pantallona të reja doku dhe xhaketën e shkurtuar të atit, por pa hequr stemën sovjetike në jakë. Të gjitha çapkënllëqet dhe horrllëqet fëmijërore i flaku së bashku me minjtë në haurin e kalit topall. Të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur sikur të mos e pat detyruar i ati. Një natë e urdhëroi të qëndronte në këmbë përpara se të fillonte shkollën pedagogjike. I mbajti një leksion të gjatë,me të folurën e trashë, grënçka- grënçka, duke e spërkatur me pështymë, mbi detyrën e vështirë dhe stoike të djalit të komunistit të vjetër dhe të sekretarit të partisë së fshatit. Për perspektivën dhe lënien e stafetës në duar të sigurta. Për luftën e pamëshirshme ndaj armiqve të kamufluar të klasës, borgjezëve dhe kulakëve. I ati heshti një moment. Koka e të birit varej poshtë. I ati i tregoi koburen, i foli për rëndësinë e saj, e cila duhej të qëndronte përherë në brez dhe me fishekun në gojë.
‘-Përsëriti nga e para të gjitha këto që thashë,’- urdhëroi të birin.
Fëmijës së Tetë i varej koka për gjumë.
‘-Me kobure në gojë dhe fishekun në brez...’- bërbëliti.
‘-Derr me zile,’- gërhiti i ati. Mbërtheu të birin nga krahu dhe i futi kokën në ujin e ftohtë të pusit.
‘-Mos e plevitos djalin,’- u ligështua e shoqja.
‘-Përsëriti, ‘- urdhëroi ashpër të birin,pa i vënë veshin ankimeve të gruas, dhe më pas vazhdoi:-
‘Trashëgiminë komuniste familjare duhet ta kesh busull në çdo hap të jetës. Armiqtë e klasës...’
Fëmija përsëriste si në jerm fjalët e të atit dhe dera e vjetër së ashefit përplasej prej erës, dukej sikur kuiste, si shpirtrat e të ikurve.
‘Grua, vëri llozin atij djalli ashef, na urgusi zorrët,’- bërtiti i ati.
Këshillat e të atit atë natë të tmerrshme nuk kaluan pa lënë gjurmë në qenien e fëmijës së tetë. E shkundën, ia mprehën shikimin, e aftësuan për tinëzi të fshehura. Ndërgjegjësimi ishte i plotë. Dy tre denoncime modeste në drejtori për individë të pandërgjegjshëm, bashkënxënës të tij. Hija e tij u rit. U shtua besimi i shokëve të drejtorisë dhe mundësia për të marrë klasën, mbasi drejt e drejt nuk e hante dot.
Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike i ati i bleu kostum ngjyrë bari. Mësoi si të hekuroste, ti bënte pantallonat me vijë. Në çaste dembelizmi spërkaste këpucët me pështymë dhe i fshinte lezetshëm me cepin e leshtë të batanijes. Kostumi i dha rëndësi. Megjithëse në mësime nuk dallohej, zvarritej në pragun e rrezikshëm midis notës kaluese dhe mbetëse. Aq sa u detyrua komunisti me kobure ti hipte kalit gërdallë. Të linte fshatin me njëmijë halle në gji të maleve. Të zbriste në qytet dhe të shkonte drejt e në seksion të arsimit. Shkuli koburen nga brezi e përplasi në tavolinë dhe bërtiti:
‘-Po shpërdorohet njeriu i ri!’
Poterja e njeriut me kobure i shkundi mësuesit e mykur, të cilët akoma përdornin metoda të vjetruara dhe nuk dinin të aftësonin bijtë e komunistëve. Mësuesit mbyllën të dyja sytë. Fëmija i tetë përfundoi me sukses të plotë shkollën pedagogjike. Shkundi kostumin ngjyrë bari prej pluhurit të dendur të qytetit dhe u nis në fshat. Komunisti i vjetër bëri një darkë të madhe dhe shkrehu disa herë koburen në dritare.
Ditën e hënë filloi mësues në fshatin e lindjes. Qysh në fillim nuk i kushtoi rëndësi mësimdhënies, por zhbirimit të kolegëve. Intuita nuk i gaboi. Mësuesi i matematikës, me pak kurriz të dalë, me syze, me xhama të trasha, si tasa ku shkunden cigaret dhe kolegët e quanin ‘shqerrë.’ Mbasi gjithë ditën e perëndisë mezi fliste dy fjalë, por zhyste hundën pingul mbi libra. Ky mësues që aksidentalisht thirrej ‘shqerrë,’ i përkiste një familje të deklasuar. Babai i tij i shkuli, i gremisi tutje prej fshatit familjet e deklasuara. Nga u gjend ky, kush e solli, përse pruri?
Nervozohej për çdo lëvizje të ‘shqerrës’. Aq sa dhe heshtja dhe frymëmarrja e tij e acaronte. Filloi ta përgjonte në çdo hap që shkelte. Syri i tij vigjilent ngulej me këmbëngulje tek rezja e derës së klasës, në dritare. Deri në plasat e ndyra të derës së WC. ‘Shqerra’ vetëm lexonte dhe heshte. Ish absolut në matematikë. Një moment bënte habi, si mund të heshte kaq gjatë njeriu! Por heshtja shpesh herë është teh i mprehtë shpate. Pra nëpërmjet heshtjes koka katrore e ‘shqerrës’ fshihte mendime të mbrapshta. Filloi ta cyste për sherr. Haste në murrin e padepërtueshëm të heshtjes dhe në shikimin e pafaj. Kjo e tërbonte. Atëherë e godiste me bërryl gjatë shkëmbimeve në korridoret e ngushta të shkollës. I rrëzonte regjistrin, i shkelte këmbën. I kërkonte të falur duke i buzëqeshur me ligësi. Çuditërisht gjente vetëm trishtim në sytë e mjegullta të ‘shqerrës’.
Fëmija i Tetë shkonte në shtëpi i çliruar, ngaqë ish mësuar të grisej me dikë. Iu bë sëmundje dhe argëtim mos përgjigja e mësuesit të matematikës. Nxiste nxënësit të bëheshin pjesë e ngacmimit dhe poshtërimit të kolegut. U bërtiste nxënësve dhe në të njëjtën kohë u shkelte syrin. Mësuesi i matematikës nuk u kthente fjalë. Tërhiqej pas i nervozuar, hiqte dhe vinte syzet dhe vërtiste sytë miope. I rrëmbushur shtrëngonte librat në gjoks dhe mbyllej në dhomë. Në oborrin e shkollës plaste gazi i shfrenuar dhe pastruesja përzinte nxënësit me fshesë.
Kjo lojë do të vazhdonte gjatë. Ngacmim dhe heshtje. Nuk është keq kur vë në lojë, argëtohesh me dikë që nuk është në gjendje të lëvizë as qerpikun. Nuk mposhtën monotonia dhe dita të shkon për bukuri.
Befas një të hëne mbas dite në përfundim të semestrit të dytë. Në analizën vjetore, klasa e tij kish rezultate shumë të dobëta. U kritikua prej kolegëve. Vështroi me indiferentizëm dhe zhgarraviti me inat bllokun e vogël. Aty nga fundi i mbledhjes, kur nuk pritej dhe kur po mbylleshin diskutimet dhe kritikat. Çuditërisht dhe‘shqerrës’ iu hap goja. E kritikoi për paaftësi. ‘Shqerra’ u ngrit me ngadalë në këmbë, shtrëngoi librat në gjoksin e dobët dhe hodhi në mes të sallës së mësuesve fshikullin e fortë. Nuk ish fshikull por vetëtimë rrufeje. I deleguari e vështroi një copë herë mendueshëm dhe e aprovoi me kokë se çfarë tha ‘shqerra.’
‘Çfarë!’- ai bëri fëmija i Tetë. Shqeu sytë dhe trupi iu drodh si purtekë. U rrotullua dhe ngriti veshët në përgjim. Ngjyrat e fytyrës i ndryshonin çdo minutë. E kritikoi për paaftësi kolegu, mësuesi i matematikes, gjoja ‘shqerra’! Si guxoi! Përbuzja dhe urrejtja që i kish lindur në thellësi i përfshiu krejt trupin, i ngërdheshi fytyrën. Si mundi të guxonte! Armiku i klasës kritikoi ardhmërinë?! Përse foli?
‘Shqerra’ i tregoi se duhej të studionte më shumë! I tregoi seriozitetin e detyrës së mësuesit! Përse duhej të fliste? Kush e lejoi atë të fliste? Çfarë seriozitet kërkon qorri! Kush ‘kolegu’, mësuesi i matematikës që mban mbi supe mëkatin klasor! U ngritën këmbët ti bien kokës. Mbledhja u bë e mjegullt. Vërtiste çelësat nëpër duar, ah sikur të kishte koburen e të atit. Le ta kritikonin të gjithë, ujë të zi ti nxirrnin, vetëm qorri të mos hapte gojës. Le të gërmuqej, të bluhej me heshtjen e tij. Rrotullonte sytë mbi fytyrat e kolegëve. Çuditërisht i dukeshin të njëjta, të deformuara, por shfytyrimin më të madh e kish gjëja që quhej aksidentalisht ‘shqerrë’. Shqerrat, gjëja e urtë e butë e perëndisë, hanë, blegërijnë, presin në heshtje, të bindura satërin e kasapit dhe asgjë më shumë.
Drejtori i pëshpërit të deleguarit diçka në vesh. I deleguari vështroi ‘shqerrën’ ngulët:
‘-Ndërkohë ju po studioni për të mbrojtur disertacionin në matematikë, apo jo?’ e pyeti.
Njeriu me syze që thirrej ‘shqerrë luajti kokën në shenjë aprovimi.
‘-Po.’ Murmuriti.
‘Ashtu! Shumë mirë!’- ia bëri i deleguari.
Një moment fëmijës së Tetë i bëhej të ngrihej, të shtynte stolat, të derdhej drejt qorrit me xhama numër pesë. Ti a flakte syzet, ta mbërthente nga shpatullat me egërsi dhe ta përplaste përdheri. I thoni shumë mirë armikut të klasës dhe përdhosni djalin e komunistit të orëve të para! Çmenduri! O bë bota për dreq!
Kur reshtën kritikat gati si somnambul doli nga salla. I deleguari i vuri dorën në shpatull por ai e vështroi turbullt. Eci i dërmuar drejt shtëpisë. A ishte e mundur që djali i komunistit të flaktë të kritikohej, të zgërlaqej! Sigurisht ajo gjëja me syze miope që thirrej prej kolegëve me idiotësi ‘shqerrë’, kish përgatitur me shume mençuri dhe kujdes skenarin e kritikës dhe fundosjes së tij. Me kokë të rënduar nga mendimet ngjiti të përpjetën që e çonte në shtëpi. Si marrin guximin këta të përmbysur dhe qorra të mendojnë për tu bërë shkencëtarë. Ku, ku nëne! I paska hyrë vetja në qejf. Por nuk kuptonte simpatinë e hapur të drejtorit të shkollës. Duhet parë me kujdes e shkuara e afërt dhe e largët e drejtorit. Duhet të ketë ndonjë kleçkë në biografi që pëlqen armiqtë e klasës. Kish bërë kërkesë në seksion të arsimit për të zënë vendin e drejtorit. Duhet ti ketë rënë në vesh ndaj po e lufton. Eh! Qentë le të lehin karvani të ecë përpara.
I tha të atit, i cili rrëzoi vetullat e trasha, të zbardhura, u gërmuq keqas dhe goditi vrazhdë qypin e madh prej balte. Qypi u thye me rrapëllimë dhe turshitë e dimrit së bashku me shëllirën përmbytën dhomën.
‘Armiku i klasës punon,’- hungëriti plaku.
Plaka duke mallkuar filloi të mblidhte me kaci turshitë dhe të pinte me një leckë të vjetër shëllirën. Atë e bir u ngjeshën në qoshe të dhomës dhe nisën të pinin raki. I ati shkuli koburen nga brezi dhe e la në tavolinë. Sytë e të dyve u përqendruan tek ai send i metaltë, që prehej aq pafajësish por po të lëvizje gishtin, villte zjarr. I ati shtriu dorën dhe rëndoi mbi kobure:
‘-Si guxoi biri i bushtrës te me shaje djalin! Ti jap një plumb në ballë dhe ta qëroj atë farë?’-bërtiti.
‘-Nuk është si më parë baba.’
‘Nuk është si me pare thotë! Hajde baba te tregoj arat. A nuk e kemi ne pushtetin? Biro, mos u bëj qull,’-hungëriti i ati dhe u ngrit me vrull, këmbët nuk e mbajtën, ra mbi të birin që e vështronte i nemitur dhe që mërmëriti:
‘-Plak, mos më fyej.’
At e bir u ngatërruan keqes duke spërkatur njeri tjetrin me pështymë.
‘Raki e keqe!’
‘Jo, thashë farë e keqe,’- u mbrojt i biri.
‘-Mos guxo të ma shah rakinë. E dua shpagimin në çast dhe pa asnjë ceremoni,’- bërbëliti i ati, piu raki me neps dhe vazhdoi:-‘Do të kishim bërë mirë ti kishim zhdukur të gjithë qysh më 1945. Por këta dreqër ishin shumë dhe plumba kishim pak.’
‘-Fole gjë për zhdukje baba?’
‘-Zhdukje o posi.’
‘-Zhdukuni nga kjo dhomë pijanecë. Nuk e ndjeni se po ju mbyt shëllira, ‘- u grind e ëma e mbytur në djersë.
‘-Mbylle halenë plakë. Apo do të jap e ty një shkelmë dhe të flak përdhe si qypi me turshi,’- i klithi plaku me kobure.
‘-Ti bëj një denoncim dhe ta rrasin në birucat e ‘Hanit me dy porta,’- foli i biri mes jargëve.
‘-Jo,’- ulëriti i ati dhe rrëmbeu koburen. Arma i shpëtoi nga duart, ra përdhe në grumbullim me turshi. Koburja e të atit së bashku me tërbimet e tij ishin të ndryshkura, nuk ngrinte më peshë.
‘- Burgu ka dy dyer, vdekja vetëm një,’-këmbënguli i ati.
I biri luajti kryet, i ish mpirë qafa. I ati nuk kish fuqi të ngrinte koburen prej togut me turshi. Dhoma kundërmonte prej erës së rëndë së shëllirës dhe rakisë. Plaka duke i shtyrë, sharrë dhe mallkuar i nxori nga dhoma.
Duke i mbajtur pas parmakut të drunjtë të shkallëve u ngjit në dhomë, pa u zhveshur u shtri në shtrat. Për herë të parë e pa se nuk duhet të mbahej vetëm pas një medaljeje. Dritarja ish hapur kat më kat. Pa qiellin, iu duk si një pus i thellë i pafund, i përmbytur prej errësirës. Iu bë sikur dëgjoi zëra të mbytura, mërmërima që vinin prej së thelli. Stomaku i përvëlonte, i ziente si të kish bërsi. Gromësiu dhe lëshoi avull të nxehtë. I vinte për të nxjerrë të gjitha plaçkat e barkut. E ëma i la mbi komodinë një gotë me limonadë por ai nuk kish fuqi të ngrihej dhe ta pinte.
Qindra krahë të zinj oktapodi e kishin përfshirë dhe po e tërhiqnin drejt asgjësë. U përpoq të shkëputej, nuk mundte. U përdrodh dhe u mblodh si lëmsh. Një valë e zjarrtë i u ngjit nga fundi i barkut, volli disa herë me gulçe duke rënkuar. Pështyu me neveri thërrimet e qullëta që i kishin mbetur në kthinat e zgavrës së gojës dhe morri frymë i çliruar.
U shtri përmbys. E ëma me zë të trishtuar mërmëriste dhe i fshinte të vjellat. Por ai nuk e merrte vesh në ish në ëndërr apo në zhgjëndërr...
Mugëtirë. Zhurmë, zëra të çjerra. Diku më tej qeshja e acaruar të atit. Ndërsa koburja e ndryshkur lëkundej dhe përplasej pas murit. I bëhej se kish net dhe ditë, javë dhe muaj që ecte nëpër mjegull të dendur dhe nuk shkëputej dot. Ishte qull i gjithi dhe fill i vetëm. Dëgjonte hungërima dhe rënkime të mbytura të vinin nga moçali. Fytyra e ‘shqerrës’ iu shfaq e deformuar, mbuluar krejt prej xhamave miope. Dëgjoi përsëri zëra të lodhur dhe më pas zhurmën e mbytur të gjuhës që rrahu dhembët dhe foli:
‘- Eja ‘shqerrë’ të thithësh erë mjegulle.’
Lëvizi krahët të ngrihej iu duk sikur i kish të bëra prej shpendi të irnosur. ‘Shqerra’ mbrohej pas xhamave të trasha dhe ecte ngadalë, duke i bërë dredhë moçalit.
Në shtegun i ngushtë Dajlanit u ndal. ‘Shqerra’ i u afrua pranë dhe ai qeshi i çliruar. Përpara tyre u hap tjetër pamje. Ngriti krahun, i ranë disa pendë të hirta përdhe dhe njeriu ‘shqerrë’ u tremb.
‘-Mos tremb,’ i tha, -‘ ti je pjesa ime e munguar.’
Pa u kushtuar rëndësi rrëzimit të pendëve ngriti krahun përsëri dhe i tregoi shpërthimin e gjelbërimit dhe të luleve. I foli për frymëmarrjen e mjegullës dh te pyllit. ‘Shqerra’ dëgjonte dhe ecte me kokë pakës të përkulur. Në një dorë mbante çantën e rëndë të mbushur me libra të matematikës, për të përfunduar disertacionin dhe në tjetrën pardesynë. Vështronte ballë rrudhur dhe merrte frymë thellë, të mbushej i gjithë gjoksi me ajrin e freskët. Nuk ngopej prej shpërthimit marramendës të ngjyrave, reflekseve mëngjesore dhe valëzimin e bulëzave të vesës. Nuk ka më bujare se Nëna natyrë. Ish i përhumbur. Prapa tij zvarritej një hije e rëndë. Njeriu ‘shqerrë’ kërcente si kangur të largohej prej hijes por ish e pamundur.
Sa shpejt përhumben njerëzit që janë si ‘shqerra,’ sa shpejt!
Në bërrylin e qyqes, aty ku përroi ishte më i thellë. Me lëvizje të shpejtë të saktë kujtoi se e goditi njeriun ‘shqerrë’ egërsisht prapa kokës. ‘Shqerra’ u kthye vringthi dhe e vështroi me habi, çanta me libra dhe pardesyja i shpëtuan nga duart. Nuk pati kokë të fliste, sepse goditja i erdhi nga ana e djathtë e kokës. Iu këputën këmbët ‘shqerrës’ dhe ra përdhe pa nxjerrë zë. Por ai kish krahë të mbuluar me pendë të irnosura dhe nuk mund të godiste!
Përsëri, dikush tjetër shtyu dhunshëm ’shqerrën’ e goditur në përrua. Me shpejtësi nxori hostenin që e kish fshehur ditë më parë, tërhoqi trupin e ngrohtë të ‘shqerrës’ dhe e ngjeshi me forcë në rrënjët e vidhit të vjetër, aty ku vorbulla e ujit ish me e madhe.
Veshët i buçisnin. Oshtima e ujit dhe e pyllit e tundnin si tërmet. Pendët e irnosura rranë të gjitha përdhe. Ulëriti fort për të larguar hijen e vdekjes se tjetrit. Ulërima u përsërit disa herë me radhë, u rrëqeth. Njeriu ‘shqerrë’ si shqerre që ish, humbi menjëherë nën ujë. Rrënjët e trasha të vidhit e rrëmbyen në çast nën vete. U plandos përdhe u mbytur në djersë. Uturimat ngriheshin dhe përplaseshin dhe ai kujtoj se do çmendej...
Zhurmat ofshëtinë për një moment drodhën ajrin pastaj u fashitën. Zëri i grindur i të atit u tret së bashku me mjegullën. Dëgjohej vetëm uturima e ujit dhe pendët e hirta që iknin tutje.
Trupi i ‘shqerrës’ u gjend vetëm mbas një jave. Artikulli në cep faqes së parafundit të gazetës për një njeri të panjohur, ndoshta mësues që humbi në ujë. ‘Shqerra’ si i hutuar që ish dhe i shtënë marrëzisht pas librave, nuk pa ku hodhi këmbën. Aksidentalisht shkau, u përmbys dhe u mbyt në përrua...
Ende besonte se ish akoma në kllapinë e gjumit dhe nuk ish ai por dikush tjetër, me krahë puplash të irnosura që kreu aktin. Mbase vërtet shkau në lumë, kur kish mjegull dhe dëgjoheshin përshpirtjet e ujit. Të treturit, të ikurit, të paditurit dhe të hutuarit nuk mund të gjykohen...

Eksodet e mëdha të shqiptarëve gjatë shekujve

Sa shqiptarë ka në të gjithë botën. Këtë pyetje nuk e bëjmë vetëm ne shqiptarët, por edhe të huaj studiues dhe profesionistë. Nëse do t'u referoheshim të dhënave demografike, studimeve të ndryshme, por edhe burimeve historike,na rezulton se në gjithë botën numërohen të jenë rreth 15 milionë shqiptarë. Sigurisht në këtë shihër nuk janë të gjithë shqiptarë autoktonë, apo emigrantë.

Një pjesë e mirë e tyre janë shqiptarë të shpërngulur në vise të tjera prej kohësh, dhe për at mund të themi se vetëm në dejet e tyre ka gjak shqiptari.
Shqiptarët
Sipas të statistikave të fundit të CIA-s, në një regjistrim të vitit 2007, në librin e të dhënave "FactBook", rezultojnë 3 milionë 600 mijë 523 shqiptarë. Ndërkohë në Kosovë janë rreth 2 milionë e katër qind mijë shqiptarë autoktonë. Në Maqedoni llogaritet që shqiptarët të zënë vendin e dytë për nga numri i popullsisë pas asaj vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve në Maqedoni mund arrijë rreth 1 milion. Po kaq shqiptarë jetojnë dhe në Greqi. Fluksi i emigrantëve që ka zgjedhur shtetin fqinjë jo vetëm për të punuar, por edhe për t'u vendosur familjarisht atje, shkon në një milion të tillë. Ndërsa numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë rreth 5 milionë shqiptarë. Sigurisht kjo shihër nuk përfshin të gjithë shqiptarët që kanë ikur nga trojet e tyre, por edhe shqiptarët që janë shkrirë me popullsinë vendase. Numri më i madh i shqiptarëve është në Stamboll, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë përgjatë kufirit turko-sirian. Ndërsa në Mal të Zi, sipas statistikave, jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë. Ndërsa 70 mijë shqiptarë jetojnë në Serbi në krahinën e Preshevës.
Emigrantët
Që nga emigrantët e parë në fillim të shekulli të kaluar e deri më ditët tona, në Amerikë llogaritet të jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Ndërsa në Evropë duket se ka një shpërndarje "të rregullt" të emigrantëve shqiptarë me diferenca të vogla. Kështu në Gjermani emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Mali i Zi llogaritet të jenë rreth 300 mijë. Austria është një tjetër vend me numër të konsiderueshëm shqiptarësh, rreth 300 mijë të tillë. 200 të tjerë, sipas të dhënave të shoqatave ndërkombëtare që merren me emigracionin, jetojnë në Gjermani dhe po 200 mijë në Zvicër. Po ashtu edhe emigrantët që janë larguar nga trojet shqiptare drejt Kandasë llogaritet të jenë rreth 25 mijë. Rreth 100 mijë shqiptarë të tjerë jetojnë në Francë, ndërsa 50 mijë të tjerë në Spanjë.

Përse në Turqi pesë milionë?

Pesë milionë shqiptarë në Turqi janë një shihër që habit jo pak njerëz. Por janë një sërë historianësh dhe studiuesish që rrumbullakosin një shihër të tillë. Dhe llogaria nis që nga fundi i pushtimit osman, kur ishin të shumta familjet që jetonin në Turqi. Për të vazhduar më pas me shpërnguljet masivet të shqiptarëve nga serbët. Nga Kosova drejt Turqisë serbët dëbuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Vetëm pas luftës së dytë botërore serbët shpërngulën nga Kosova rreth 500 mijë shqiptarë. Ndërsa rreth 100 mijë të tjerë u dëbuan nga grekët. Sikur vetëm shtimi i numrit të kësaj kategorie të llogaritet gjatë 50 viteve të fundit atëherë justifikohet shifra prej 5 milionësh. Duhet thënë se shumica e kësaj popullsie është asimiluar. Ndërkohë që e njëjta strategji u ndoq dhe me shqiptarët e Çamërisë. Sipas statistikave, numri i shteti turk zë vendin e parë të emigracionit shqiptar. Qytetet ku shqiptarët janë vendosur me shumicë janë Stambolli, Izmiri, Bursa, Ankaraja, etj. Vendosja e shqiptarëve në Turqi zë fill që në vitet 1500. Në shifrën prej 5 milionësh bëjnë pjesë dhe ata shqiptarë që janë shkrirë me familje të tjera dhe që kanë prindërit shqiptarë.

3.600 milionë shqiptarë jetojnë në Shqipëri

2.4 milionë shqiptarë jetojnë në Kosovë

5 milionë shqiptarë jetojnë në Turqi

1 milionë shqiptarë jetojnë në Maqedoni

1 Milionë shqiptarë jetojnë në Greqi

300 mijë shqiptarë jetojnë në Itali

200 mijë shqiptarë jetojnë në Mal të Zi

300 mijë shqiptarë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

200 mijë shqiptarë jetojnë në Gjermani

100 mijë shqiptarë jetojnë në Francë

50 mijë shqiptarë jetojnë në Spanjë

200 mijë shqiptarë jetojnë në Kanada

100 mijë shqiptarë jetojnë në Australi

100 mijë shqiptare jetojnë në Belgjikë

300 mijë shqiptarë jetojnë në Austri

Eksodet e mëdha të shqiptarëve gjatë shekujve

Janë një sërë arsyesh që i kanë ndarë shqiptarët në gjithë rruzullin. Së pari, luftërat dhe copëtimi i Shqipërisë në 1913-n, që la jashtë vendit pjesën më të madhe të territoreve dhe popullsisë. Ndërsa pjesa tjetër ka zgjedhur shtetet e huaja për shkaqe emigrimi.
Eksodet e mëdha nga trojet
Në historinë e Shqipërisë një nga eksodet më të mëdha është ai pas pushtimit turk. Shqiptarët u detyruan të largohen drejt ishujve grekë dhe drejt brigjeve të Italisë. Sipas studiuesve të ndryshëm të historisë shqiptare, mendohet se numri i tyre ka qenë disa qindra mijë. Ndërkohë rënia e perandorisë turke në fillim të shekullit të kaluar solli një tjetër largim të shqiptarëve. Ndërsa më vonë ndarja e popullsisë shqiptare u bë pas marrëveshjeve të Fuqive të Mëdha. Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishte një nga ndarjet më të mëdha që iu bë popullsisë shqiptare, ku do të linte jashtë trungut amë edhe Kosovën. Ndërkohë që serbët dhe grekët larguan me dhunë drejt Turqisë qindra-mijëra shqiptarë. Vetëm nga Kosova drejt Turqisë janë dërguar me dhunë 500 mijë shqiptarë.
Largimi i shqiptarëve
Eksodi i parë i madh i shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri është ai i viteve 1991-1992. Janë mbi 500 mijë shqiptarë që u detyruan të largohen nga vendi për shkak të kushteve të këqija në të cilat jetonin. Pas 50 vitesh izolim, shqiptarët u nisën në kërkim të një jetë më të mirë. Ndërsa ikja e dytë është ajo e vitit 1997. Ngjarjet e marsit 1997 dhe krijimi i kaosit në vend bënë që shqiptarët të niseshin edhe një herë masivisht drejt vendeve fqinje.
Por vitet e tranzicionit në Shqipëri nuk mund të klasifikohen vetëm me dy data. Prej 17 vitesh janë të shumtë ata që kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria. Ndërsa në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni ka pasur një tjetër realitet. Një eksod i vazhdueshëm si pasojë e represionit serb ka bërë që shqiptarët e këtyre trevave të drejtohen në vendet si Gjermania, Zvicra, Austria, SHBA, Angli e Australi.
Emigrimet e para
Greqia dhe Italia kanë qenë vendet e para ku kanë emigruar shqiptarët. Arvanitasit dhe arbëreshët janë shqiptarët që ruajtën edhe pas shumë shekujsh gjuhën dhe zakonet e tyre. Nuk ka shifra të sakta për numrin e tyre, por janë zona, qytete dhe fshatra të tëra që popullohen nga shqiptarë.

Tomas Tranströmer - poeti i heshtjes

"Përmes imazheve të tij të shumta dhe të kthjellta i dhuroi botës një akses të ri tek realiteti".

Tek artikulli i javës së kaluar theksova se kritikat për Nobelistin e ri nuk do të mungojnë, por para se të bëhen ato është mirë që të lexohen poezitë e tij. Ngutja është armiku më i madh i padurimit njerëzor për të dhënë disa mendime dashakeqëse apo subjektive rreth personave apo veprave të tyre. Nata të jep mend - thotë proverbi që e shpreh shumë bukur idenë se kritikat mund të bëhen kur qetësia të ketë qartësuar mendjen. Dhe pata të drejtë kur e theksova, pasi edhe për mua ishte i panjohur, por tek lexoja një shkrim të një rubrike kulturore të një gazete, të cilin edhe e përgatita për miqtë e mi poetë, dhe jo vetëm, menjëherë u shpalos para meje autori me dhimbjen e tij që prej 20 vjetësh. Nuk besoj se vlerësimi është keqardhje apo mëshirë për jetën e poetit, por është kurora më e bukur që poeti e meriton, dhe plotësisht. Kushdo që e lexon dhe do ta lexojë, do të jetë dakord me çmimin, bile në heshtje, është lajtmotivi i poetit, do të ketë shumë gjëra për të thënë, diku para vatrës me një zjarr të qetë që vetëm ngroh, por që nuk të bën të largohesh apo të ngrihesh dhe të ikësh.
Nobelisti suedez lindi në Stokolm në vitin 1931. Ka përfunduar studimet e tij me diplomë në psikologji. Poet i apasionuar pas muzikës, një binom tepër domethënës në formimin e tij dhe jo vetëm të tij në letërsi. Pasi arriti suksesin letrar, vazhdoi profesionin e tij duke u marrë me njerëzit me probleme dhe me të droguarit. Pak i njohur në Itali, si dhe në vende të tjera, por i lidhur me të, sepse e njeh gjuhën italiane. Nga vizitat e shumta në "Bel Paese", Venecia është cituar shpesh në poezitë e tij dhe volumi më i rëndësishëm është pikërisht Gondola në zi. Në vitin 2004 në Udine mori çmimin Nonino prej studiuesit, kritikut dhe shkrimtarit të njohur italian, Klaudio Magrisit. Poezia nga heshtja është volumi i botuar kohë më parë dhe së shpejti Misteri i madh. Në vitin 1990 pati një atak kardiak dhe që atëherë është memec dhe i paralizuar. Nuk mendonte se do të mund ta ndientë më këtë gëzim - thotë gruaja e tij Monica Bladh. Zë kryesor i botës letrare, Tomasi është përkthyer në 49 gjuhë.
Kjo dëshmohet nga shumë vlerësime kritike, funksioni frymëzues del edhe nga pranimi i "borxheve krijuese" ndaj tij, prej shumë poetëve : kryesisht nga brezat e rinj amerikanë dhe polakë, për të cilët Tomasi prej kohësh është një poetkult i vërtetë. Rrëfimet si "imazhe të rrëmbyera" i vijnë nga Nobelistët Iosif Brodkiji, shprehje vlerësimi dhe admirimi prej Dao-s, Heaney-t, Walkott-it që prej vitesh shpresonte që autori suedes ta fitonte atë. Në romanin e tij Poetët e vdekur nuk shkruajnë libra policorë e citon shpesh si mjeshtër dhe pikë referimi. Sipas Strindberg-ut dhe Swedenborg-ut, Tranströmer, është suedezi që e ndikoi më shumë letërsinë botërore.
Në veprën e tij regjistrohet një prirje ndaj heshtjes : fjala është shpesh e konceptuar negativisht dhe e kundërvënë ndaj një gjuhe ideale, një metagjuhë që mund të të bindë me mungesën e fjalës. Që nga viti 1979 është shprehur qartë ideja se heshtja është gjendja thelbësore për studimet e tija : i lodhur prej atij që nuk dhuron vetëm fjalë, fjalë pa gjuhë...zbuloj gjurmë kaprojsh në borë. Gjuhë pa fjalë së cilës i bën jehonë proza Anemonat, ku botës së zhurmshme të pushtetit, i kundërvihet heshtja e jetës së shndritshme dhe të vetmuar e anemonave. Del rëndësia e pauzave, e hapësirave mes fjalëve dhe fjala e shprehur edhe tek Pauza e shkurtër në një koncert organoje, që tregon në heshtje gjendjen e privilegjuar që t'i paralajmërojë ritmet e jetës.
Edhe pse mund të konstatohet mbizotërimi i elementëve të pejsazheve të lidhura me gjeografinë dhe mitologjinë veriore, si pema në rrënjët e së cilës deti rrëmon i hutuar, tek Elegjia apo pyjet halore në ujë, në Deti Balltik, poeti paraqet shpesh një natyrë të zhgënjyer, pa njeri. Një teknikë si teleobjektiv krijon ndryshime të papritura të perspektivës, duke shkaktuar kalime të shpejta midis dimensioneve individuale dhe kozmike : kështu, tek Sfera zjarri, dashuria dhe seksi, nga përvoja e parë personale, shkon duke fituar në vargun e fundit dimensione planetare : Vjedhurazi milnim botën dhe mbijetuam. Bëhet fjalë për një mbijetesë, jo kapërcim të errësirës, ku përplaset jeta : një ndriçim i çastit, si drita e pafund e xixëllonjës apo fanarët e një treni natën në fushë.
Përmes një analize arrijmë të kapim jo vetën strukturat bazë estetike, por edhe lidhjet me traditat filozofike dhe fetare, si me mistiken kristiane perëndimore Eckhart dhe mjeshtrat e mesjetës për aftësinë e kësaj poezie që të shpëtojë dimensione të fshehura të reales, ne epifanitë që të lejojnë përvoja të gjalla të simbiozave të papritura mes epokave dhe vendeve të ndara. Shpesh në lirikat e tij qëndrojnë pezull ndjenja që na shohin dhe kontrollojnë fuqi apo prani të padukshme, veçanërisht në poezitë që përshkruajnë vendet e Lindjes, frika për të folur, dyshimi i qëndrueshëm, mikroifonat e fshehur tek Miqtë përtej kufirit, por edhe në përshkrimet e gjendjes ekzistenciale si tek libri Nga korriku 1990.
Tek përmbledhja e tij e fundit Gondola në zi, shkruar pasi u godit nga sëmundja, temat e mbylljes, të harresës dhe të vdekjes bëhen dominuese. Tek Prilli dhe Heshtja autori shpreh gjendjen e tij si i burgosur i së keqes së vet me imazhet e violinës së mbyllur në kuti : nuk mund të nxjerrë më tinguj.
Koherent në kërkimet poetike të rënies së kufijve, shkrimtari eksperimenton edhe në formë tretjen e tyre midis prozës dhe poezisë. Tek përmbledhjet si Deti Balltik vargu zgjatet dhe bëhet më prozaik, tek të tjerat lirikat alternohen me prozën që nxjerrin në pah një strukturë kryesisht poetike. Faqet e Nobelistit më të ri zbulojnë sekretet e tij pas një leximi të gjatë, koha na zbulon thesare të fshehura. Ai e fton lexuesin tek intuita, duke ia lënë maksimale lirinë e interpretimit të tekstit, objekt i pavarur mes autorit dhe lexuesit. Veprojnë forca anonime që flejnë tek gjuha, në heshtjet e tij, duke pritur konkretizimin tek dialogu me atë që lexon. Poezia është subjekt autonom, i pajisur me jetën e vet, gati ta pohojë lirinë e vet.

Arjan Th. Kallço Selanik 2011

Përsihatje para një konference gjuhësore

Këto ditë do të mbahet një konference gjuhësore, që për nga aspekti duket tepër e rëndësishme, pasi lidhet me gjuhën shqipe dhe për më tepër me pjesëmarrje edhe ndërkombëtare. Cilido qoftë argumenti që do të trajtohet apo do të trajtohen, një gjë duhet të jetë e qartë : në lojë është e ardhmja e gjuhës sonë shqipe. Në një konferencë kryesisht trajtohen tema që lidhen me të shkuarën e gjuhës dhe të ardhmen e saj, prandaj ngjarje të tilla shkencore duhet të jenë pararendëse të drejtimit të vëmendjes së gjuhëtarëve, të largpamësisë se ku do të shkojë gjuha.
Mora shkas nga kjo konferencë për të hedhur në letër disa mendime që lidhen me disa aspekte të gjuhës dhe që për disa është debatuar shumë kohët e fundit.

1- Gjuha standarte dhe neostandarte
Në këto dy dekada të gjithë jemi dëshmimtarë të mungesës së kujdesit ndaj gjuhës, kujdes që dikur kishte prioritete dhe synime. Gjuha shqipe mendoj se ka dalë nga disa binarë të qëndrueshëm të cilët u përcaktuan hapur që në vitet '70. Gjuha standarte e miratuar përmbush të gjitha nevojat tona në të gjitha nivelet e gjuhës që nga gjuha e komunikimit e deri tek gjuha e përzgjedhur e letërsisë. Atëherë përse gjithë ajo ngutje për të futur elementë të tjerë që më shumë ngjajnë dialektorë? Gjuha i shërben gjithë kombit dhe nuk ka asnjë funksion politik, prandaj rifutja e elementëve të tillë, të nxitur nga njerëz që ushtrojnë funksion politik, do të nxirte premise për ndonjë ndërhyrje tjetër në formë dhe strukturë, gjë që do të nxirrte gjithmonë telashe. Diksutumet duhet të bëhen jo për elementë të tillë, por nivelin e gjuhës pas gjithë këtyre ndryshimeve, tërmete shoqërore do t'i quaja dhe që lidhen me përdorimin, sesa me normat gjuhësore të të shkruarit. Këtu ka vend për debate të frytshme, pasi edhe nëntemat janë interesante. Ja disa nga pyetjet që lindin kur bëhet fjalë për gjuhën neostandart : a duhen përdorur termat e gjuhës angleze që lidhen me teknologjitë e reja? Nëse po cilat duhet të jenë dhe cilat jo? A duhet të gjejmë fjalorin e duhur që të mund të pasurojmë leksikun? Atëherë mund të mendohet edhe për një kongres tjetër që t'i sanksionojë këto norma. Pastrimi i gjuhës nuk do të thotë mohim i gjithçkaje që futet, por guxim për të pasuruar gjuhën shqipe.

2. Krijimi i një qendre brenda Akademisë për ecurinë e gjuhës shqipe në lidhje me përkthimet
Prurjet e shumta nga përkthimi po e bëjnë më imediate këtë qendër, pasi ka shumë pak përkthime serioze nga gjuhët e tjera, të paktën në këtë pikë ka shumë konvergime, qoftë nga gjuhëtarë, studiues, përkthyes dhe botues. A nuk do të ishte mirë që veprat e botuara të kalonin në sitën e kësaj qendre të specializuar dhe të evidentohen problemet? Përkthime të shumta ka edhe nëpër gazeta, por në to ka probleme të tjera që lidhen me këtë tendencë të shqipërimit të fjalëve të huaja, të strukturës së fjalisë, të shprehjes së mendimit të qartë në artikuj etj. Unë mendoj se ka ardhur koha që të bëhet një punë e tillë, pasi dikur institutet e kryenin mësëmiri këtë detyrë. Nëse nuk veprohet me shpejtësi, ka mundësi që gjuha të degradojë dhe të katandiset keq e më keq. Mjaft t'i hedhësh një sy edhe medias vizive dhe secili prej nesh do ta ketë të qartë se televizioni duhet të ketë rol kryesor në gjuhën standarte, bile duhet ta pretendojë një detyrim të tillë.

3. Sit i Akademisë së Shkencave lidhur me risitë e gjuhës
Ndryshimet sollën edhe largimin e shumë fjalëve që lidheshin me gjuhën e asaj kohe, por në koshin e harresës po përfundojnë edhe shumë fjalë të tjera që globalizmi i gjuhës angleze apo ndikime të gjuhëve të tjera po i zëvendësojnë, duke e bërë shpesh gjuhën e folur të pakapshme nga të gjithë. Një nga rubrikat e sitit mund të jetë edhe S.O.S si të shpëtojmë fjalët e harruara apo që po harrohen, duke qënë shumë më të bukura se fjalët e reja. Azhurnimi i tyre të jetë i përhershëm dhe të udhëzohen shkollat që të ndjekin disa hapa për ruajtjen e tyre. Mendoj se edhe interneti që aq shumë po synohet që ta futin nëpër shkolla të ketë disa funksione të tilla edukuese dhe të jetë jo vetëm një shpërndarës informacioni. Natyrisht informacionet duhen dhe janë të rëndësishme, por kultura e një kombi është shumë më e rëndësishme sesa antikultura apo më keq akoma bastardimet e saj.
Secili prej nesh mund të shtojë edhe probleme të tjera që lidhen me gjuhën dhe jam mëse i bindur se lista do të ishte e gjatë, por do të mjaftonte dëshira e mirë dhe ndihma e shtetit, jo politizimi i problemeve gjuhësore, që të fillonte një fushatë sensibilizuese në lidhje me gjuhën. Vitin e ardhsëhm Shqipëria ka një përvjetor të madh, 100 vjetori i Pavarësisë Kombëtare, prandaj përveç veprimtarive të shumta përkujtimore, është mirë që të organizohen edhe veprimtari që lidhen me gjuhë. Një nga motot e vitit të jetë vargu i Naimit : Gjuha jonë sa e mirë...e shoqëruar edhe me të tjera Gjuha e bukur – gjuha e të gjithë shqiptarëve etj.

Arjan Th. Kallço Universiteti Fan S. Noli, Korçë

Heminguei rus quhet Zachar Prilepin

Zachar Prilepin, autori i tregimit të mëposhtëm, është një prej shkrimtarëve më të pëlqyer rusë. Është 36 vjeç, ka lindur në Rjazan dhe ka marrë shumë çmime letrare në Atdhe, por tash po fillon të korrë suksese edhe jashtë. Prej kritikës amerikane është përcaktuar Heminguei rus. Romani më i fundit titullohet Sankja dhe është shumë ambicioz dhe jokorrekt politikisht.
Në qendër të tij një grup të rinjsh, militantë të një partie, të nxjerrë jashtë ligjit nga qeveria, që shtypjes së protestave të tyre, i përgjigjen me dhunë. Një tregim autobiografik? Prilepini është i lidhur me partinë nacional-bolshevike që drejtohet nga një shkrimtar tjetër i njohur, Eduart Limonov, që më shumë se politikë prodhon letërsi të mirë.

Moska? Më keq se Sodoma dhe Gomorra
Shpikja e njërit prej shkrimtarëve më të debatuar rusë ndaj një kryeqyteti të korruptuar dhe cinik.

Si çdo provincial, unë nuk e pëlqej Moskën. Do të them më shumë, nuk e dua. Një herë isha duke u nisur nga Moska për në Varshavë. Më pëlqeu shumë fakti se ngritja e avionit ishte në orën 8.30 dhe ulja në 8.30. Duke mbajtur parasysh se koha nuk ecte më, se isha në qiell dhe se vajza të bukura më shtinin verë për të pirë gjatë gjithë kohës, mund të konkludohej se më në fund gjendesha në parajsë. Për më tepër Moska është poshtë teje. E shikoj nga lart poshtë, në zbritje. Jo pak pushtues do të kishin dashur ta shikonin kështu, por pak ia dolën mbanë. Vetëm kohët e fundit pushtuesit e kuptuan se në Moskë thjesht duhet të ngulesh dhe ta zotërosh atë nga brenda. Si një virus. Ndërsa e shikoja nga dritarja, kryeqyteti i ngjante një meduze të madhe të humnerave : e gjitha shkëlqente dhe vezullonte. Dukej se, po ta besoje, rënia do të ishte e butë, elastike; dhe që më pas do të të shtynte sërisht lart. Dhe tek sytë në delir do të ndrinin sprucot e dritave të Moskës ; siç ndodhte që i vogël, kur I shtypja me pëllëmbë sytë me të gjithë forcën dhe aty, nën qerpikë, më shfaqeshin fishekzjarret. Nga ky shkëlqim moskovit shumëngjyrësh dhe xixullues lindi më pas një ndjenjë e pamatë : kishte arsye frikësimi nga çasti i pashmangshëm, në të cilin, kontatorët e të gjithë vendit do të shpërthenin nga aq ngrohtësi dhe dritë që thith Moska. Dhe të gjithë do të endeshin në errësirë duke ia mbathur, duke u penguar dhe duke e përplasur kokën, ndërsa Moska zjen dhe shkumbëzon si një shishe shampanje. Shkurt Moska u tret në errësirë dhe më pas, një çast të shkurtër kohe, pamë poshtë nesh Varshavën.
Varshava ishte në errësirë, sikur po priste bombardimet. Po të thosha se në qytetin e bukur të Varshavës shkëlqenin 100 mijë herë më pak drita se në Moskë, nuk do të ishte një ekzagjerim. Në të kundërt, ishte një dëshirë për ta pakësuar. Përballë fytyrës së qetë të Varshavës, Moska dukej krejtësisht e tretur. Përveç kësaj, spektri i ngyrave në kryeqytetin polak ishte shumë herë më i vogël : aty ku Moska shkëlqente rozë, portokalli, vishnjë, e kuqe, violetë, e argjendë, e bardhë dhe të gjitha kombinimet e tyre të pamendueshme, Varshava në disa pika ishte shumëngjyrëshe në të verdhë të zbehtë dhe kjo është e gjitha. Unë më parë e kuptoja se çfarë ishte Moska, por atëherë pashë gjithçka me sytë e mi, nga qielli. Filloi të më krijonte siklet. Taksistët e Varshavës, si shumica e atyre në botë, përpiqen me çdo kusht që të të çojnë në destinacion me çmim sa më të lartë, por çfarë pamje kanë. Fytyra inxhinjerësh sovjetikë, si inteligjenca punëtore. Janë të pastër ata taksistë, nuk bien erë fare.
Po çfarë pamje kanë taksistët e Moskës? Taksisti moskovit është realitet i kondesuar. Nëse doni të studioni veset e kohës sonë, merrni një taksist dhe analizoheni. Taksisti i Moskës është 150 kg mish armiqësor, minimumi absolut i idealizmit, vetëdija se jeta është plot me çdo lloj pisllëku dhe nuk mund të jetë gjë tjetër veç kjo. Shprehja Homo homini lupus, rrëshqet si një nëntitull në ballin e ashpër të taksistit. Po taksistët abuzivë të Moskës? Një herë më duhej të përshkoja me urgjencë 300 m rrugë, nxitoja shumë. Ngrita dorën, ndala një makinë të huaj të bukur si një pasqyrë dhe i bëra shenjë shoferit : duhet të shkoj tek ai pallati atje.
Sa? – pyeti shoferi.
100 rubla - iu përgjigja unë.
100 rubla shkon me autobus, u përgjigj dhe kërkoi që t'ia mbyllja derën, padyshim i ofenduar. Përkundrazi unë jetoj në një qytet me 300 mijë banorë : aty tarifa për të shkuar nga një cep tek tjetri i qytetit është 60 rubla. Dhe asnjë qindarkë më shumë. Duket se kur shkon në Moskë, duhet të japësh provimin e moskovitit që të mos ofendosh asnjë. Njohjet e veta provinciale të realitetit duhen flakur në hyrje të rrugës lidhëse unazore moskovite. Po këmbësorët në Moskë? Ja, nëse p.sh ndalet një parizian dhe e pyesim me një anglishte të pamundur cilën rrugë duhet të marrësh për të shkuar diku, ai do t'i harrojë të gjitha punën e veta dhe do të fillojë të studiojë hartën bashkë me ju, derisa të orientohet. E vërtetova nja dhjetë herë. Por a e dini, nëse ndaloni me të njëjtin synim një moskovit...Me pak fjalë në rastin më të mirë as nuk ndalet. Disa herë në Moskë më janë përgjigjur " ku e di unë!, me një tërbim që unë me mendje e shihja veten si një hero të Tarantinos, nxirrja armën automatike dhe ia shkrehja në trup gjysëm karikatori dhe më pas ngarrendja, e ktheja kufomën me thirrjen : nuk e di ti bajgë? Qytetin tënd të lindjes nuk e njeh?- ia lexoja mendimin.
Po çfarë tjetër veç kësaj? Ose ja mbërrite në kryeqytetin e vendit tonë, zbret nga treni, i pastër dhe me parfum dhe përfundon në sheshin e tre trenave hekurudhorë. Si fillim, sheh qindra tezga me pornografinë më të shpifur. Unë nuk jam një fanatik, përkundrazi, ndoshta e kundërta, por ju shkoni të shikoni se çfarë malli tregtojnë aty. Pak më larg ndodhen emigrantët e përzjerrë me endacakët; edhe pse nuk e di se cili është ndryshimi mes tyre. Pastaj të droguarit, toksikodipendentët, djem pa familje dhe invalidë të ndryshëm. Po aty në mbrëmje, prostituta të reja ruse. Po ta shohësh me vëmendje, ata që i ruajnë janë shfrytëzuesit e tyre, me origjinë nga Kaukazi. Milicia vërtitet zbehtë përreth kësja mrekullie, e shastisur. Unë kam shkuar në nja dhjetë kryeqytete të botës : probleme ka kudo, por të shohësh një gjë të tillë në stacion, mu në mes të qytetit, diçka të ngjashme si kjo, kurrë.
Në Moskë kryhen çdo ditë mijëra e mijëra punë nga më ndyrat, më të pështirat në të gjithë Rusinë, tashmë të pakonceptueshme nga mendja e njeriut. Është një legen si ferri ky qytet. Dhe nuk arrij që ta imagjinoj atë ushtar të thjeshtë, atë officer, atë gjeneral që duke u kthyer, të ulërijë me zë të ngjirur : Nuk mund të ulesh, prapa nesh është Moska! Sado që në Rusinë e sotme kjo fjali mund të ketë një kuptim tjetër : si të thuash, jemi krejtësisht të rrethuar : para armiku me dhëmbë si shpatë e harkuar, prapa Moska dhe moskovitët. Nuk na mbetet veç të pranojmë vdekjen. Nuk ka ndonjë engjëll tjetër që t'i lutemi për rusët.
Disa vite më parë, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Moskës Jurij Luzokov e hodhi në gjyq shkrimtarin Limonov që dikur i shpëtoi një frazë për vartësinë e gjykatave moskovite ndaj tij. Më në fund Luzokovi fitoi një gjyq prej gjysëm milioni rublash. Moska vetëm një kryetar të tillë mund të ketë. Luzukovi, nga ana tjetër, më dha një ide tjetër të bukur. Limonovi kohët e fundit thotë se kryeqyteti duhet të spostohet nga Moska në qendër të Rusisë, përtej Uraleve. Por kjo ide më erdhi mua më parë, e shkrova vite më parë. Duhet ta hedhim në gjyq Limonovin për një gjysëm milioni tjetër rublash, që të mos marrë hua idetë. Vetëm se unë mendoj se kryeqyteti duhet spostuar çdo 4 vjet. Sot në Solikamsk, nesër në Surgut, pasnesër në Acinsk, pas 16 vjetësh mbërriti radha e Bijsk-tu. Më në fund do të bëhen rrugët në të gjithë vendin, do të lyhen pallatet, do të mbillen lehet. Edhe në Siberi do të lulëzojnë palmat.

Kohë të vështira për botën dhe për ne shkrimtarët

U shpall më në fund edhe fituesi i këtij viti i Çmimit Nobel në letërsi, është suedezi 80-vjeçar Tomas Transtroemer, që sigurisht do të ketë kritika të mëdha, pasi çmimi qëndroi përsëri në "shtëpi". Nuk është hera e parë që debatet shpërthejnë, sapo për ndonjërin prej kandidatëve dyshohet se ka patur lobing të fuqishëm që arriti që ta fitonte. Por të mos harrojmë se ëshë konsideruar si poeti më i madh suedez bashkëkohor dhe kurora e vitit 2011 iu dha me motivacionin : "përmes imazheve të tij të përqëndruara dhe të ndriçuara, dhuroi një akses të ri tek realiteti". Kemi kohë që ta lexojmë me vëmendje dhe të shohim se cilat vlera reale i përcjell ai botës. Dua të nënvizoj këtu shumë autorë suedezë apo të Europës veriore që kanë sjellë në vitet e fundit romane tepër të lexuar, duke kapërcyer renditje të autorëve tashmë të konsoliduar.
Një autor tjetër që duhet lexuar, mendoj, është Robert Harrisi, sepse me romanin e tij më të ri, kriza ekonomike dhe financiare është fjala më e votuar në këto vite, solli risi në temat e letërsisë botërore, duke patur një sukses të padiskutueshëm. Frika është emocioni që më shumë se çdo gjë tjetër i kushtëzon Bursat. Ekziston një tregues, ai i frikës, që shërben për të monitoruar perceptimin e rrezikut financiar të tregut. Sa më shumë investuesit kanë frikë dhe kapen prej ankthit, aq më shumë priren t'i shesin disa aksione, aq më shumë ngrihet treguesi. Duket se je duke folur me një agjent të bursës së Londrës, por është një bisedë me shkrimtarin anglez Robert Harris, autori i librave bestseller historikë si Enigma, Ditaret e Hitlerit, Atdheu. Pak kohë më parë prezantoi librin e tij Treguesi i frikës, një thriller financiar i bazuar tek algoritmi Vixal-4, që e bën të fitojë miliarda shpikësin e tij, Max Hoffmanin. Një histori me kohë perfekte, meqë e shohim se çfarë po ndodh kohët e fundit në tregjet botërore.
Është vetëm një rast. Ndërsa shkruaja librin mendova : kur të marrë fund, nuk do të mbetet asgjë prej kapitalizmit, njerëzit nuk do të kenë asnjë lek që ta blejnë librin.

Ju e hapni çdo kapitull duke cituar Darvinin. Çfarë do të mendonte natyralisti anglez për evolucionin e shoqërisë sonë, pas shpikjes së kompjuterit?
Do të mendonte se Homo sapiens-i mund të mos e përfaqësojë fundin e procesit evolues, por ndoshta vetëm një stad : është e dukshme që po shkojmë drejt një evolucioni të llojit, i përbërë prej inteligjencës artificiale dhe kompjuterit. Po flitet për trapiantet e kompjuterit tek njeriu për qëllime mjeksore, përdoren që të rekuperojnë kujtesën e njerëzve. Nuk e përjashtoj që në 30 vjet të arrihet në shkrirjen midis teknologjisë dhe biologjisë.
Një shkrimtar i thriller-ve historikë, edhe pse tani ka kaluar tek financiarët, do ta kalojë kohën e vet më të madhe në biblioteka...Parasëgjithash e kaloj në fshatin anglez të Berkshir-it, ku banoj me gruan dhe 4 fëmijët e mi. Më pëlqen shumë të jetoj në natyrë, të bëj shëtitje të gjata, të pi verë para vatrës së ndezur me miq që vijnë të më takojnë.

Po me kunatin tuaj, shkrimtarin Nick Hornby, përse bisedoni?

Kohët e fundit, duke parë skuadrën e tij Arsenalin, nuk e përmendim futbollin në bisedat tona. I kalojmë pushimet bashkë që prej 20 vjetësh, është njëri prej miqve të mi më të dashur, përveç se është vëllai i gruas sime.
Ndoshta tani Hornby ju kërkon këshilla sesi t'i investojë fitimet në bursë...Absolutisht jo!. Për përgatitjen e historisë së romanit ndoqa një kurs të përshpejtuar finance krijuese, intervistova dhe frekuentova operatorë financiarë...Por në bursë humb shpesh dhe me keqardhje, siç u ndodh të gjithëve në këto kohë.
Mendoni se shoqëria e së ardhmes nuk do të ketë punonjës, drejtues, do të jetë një tërësi digjitale dhe e gjallë?
Me komunikimin e çastit dhe global kompjuterat e lehtësojnë jetën e njerëzve, por edhe e komplikojnë, duke shkaktuar stres dhe largim. T'i bësh të ndërvarura ritmet ekonomike të shoqërive në zhvillim, si ajo braziliane dhe indiane, me traditat europiane është kërcënim : kompjuteri nga shërbëtor, kthehet në pardon i jetës sonë.
Libri juaj ka ritme shumë kinematografike...
Fox-i i bleu të drejtat e librit, para se ta përfundoja : bëhet fjalë për një histori gotike bashkëkohore, në rrugën e romaneve klasikë si Frankensteini i Mary Shellit apo romani i Robert Luis Stevensonit. Regjizor do të jetë i njohuri Paul Greengrass.
Protagonisti juaj Maks jeton në një jetë dyfishe, edhe pse në fund nuk merret vesh nëse është vërtet kështu...Më pëlqen ta lë lexuesin në dyshime deri në faqen e fundit. E imagjinoj tek e pyet veten se çfarë do të ndodhë me personazhet.
Ju keni lindur në një lagje të varfër të Notingamit, e menduat se do të bëheshit shkrimtar i librave bestseller?
Siç thuhet në Angli, kam lindur me bojën në vena. Çdo të shtunë në mëngjes e shoqëroja babain në tipografi dhe i merrja erë aromës së bojës së librave të stampuar, gjeja kuti të mëdha me letër. Babai im nuk kishte studiuar, por i pëlqente të lexonte, sidomos Graham Grinin dhe shtëpia jonë ishte plot me libra.
A e keni në mendje temën e librit tuaj të ardhshëm?
Ndoshat mund të frymëzohem prej skandalit të përgjimeve ilegale të gazetave të manjatit Murdoch. Figura e një njeriu të shtypit më ka ngacmuar gjithmonë, por në këto ngjarje kronikash, realiteti ëshët kaq absurd dhe ekstravagant, saqë e kapërcen imagjinatën. Sot nuk mund të shpikësh asgjë më të huaj dhe të çuditshme sesa vetë faktet...Kohë të vështira për ne shkrimtarët.

MIGJENI në kujtimet e akademikut italian Emilio Benvenuto

Të shkruash për një poet të madh si Migjeni nuk është vetëm detyrë, por edhe një privilegj i madh i çdo miku të letrave. Nuk do të ishte e vështirë që ta bëje një gjë të tillë, për më tepër kur mbushen plot 100 vjet nga datëlindja. Shkrimi do t'i shtohej morisë së shkrimeve që kritikët apo letrarët shkruajnë në këto raste. Shumë prej nesh nuk kanë patur fatin e mirë që ta njohin nga afër Migjenin, por veprën e tij e kemi studiuar qysh në shkollën tetëvjeçare dhe që atëherë u dashuruam me vargjet e poetit të mjerimit që me aq forcë goditi një nga plagët e thella të shoqërisë shqiptare, me poetin e rebel dhe revolucionar që të keqen e shihte si një mal që nuk bën zë, shurdh dhe memec para mjerimit, Olimpi, jo të gjitha malet janë të tillë, gjithmonë ka pasur këtë karakter, shkëputjen dhe konsiderimin e vet dhe të gjithë "perëndive të gënjeshtra" si të pavdekshme. Por pamundësinë e njohjes me poetin gjigand të mendimit të revoltës, e plotësojnë shpesh kujtimet e atyre që patën shansin e mirë që ta takojnë edhe pse për pak kohë, pasi shëndeti ia mohoi jetëgjatësinë pranë njerëzve që ai i deshi dhe i pati në qendër të vëmendjes. Një prej tyre është akademiku Italian 93 vjeçar, Emilio Benvenuto, që e takoi për herë të parë në qytetin e Foxhës. Ja se çfarë kujton ai në ditët e para të mbërritjes dhe nuk e ndërpreva në kujtimet e para, pasi vura re se sikur po i përjetonte në memorie ato ditë të vështira, por të bukura me Migjenin tonë të pavdekshëm...

Në Foxha mbërriti me ftesë të disa miqve shqiptarë si Myrteza Shakiri, Sulejman Ana dhe Faik Bronçi, të cilët ndodheshin në Foxha për studime pranë shkollës kombëtare. Erdhi që edhe të përfitonte, nëse ishte end enë kohë, nga mundësia që ta vizitonte një mjek Italian në njërin prej senatoriumeve tona të kohës, midis Foxhas dhe Torinos. Unë isha i lidhur me këta tre miq shqiptarë për një kohë të gjatë, bile Bronçi qëndroi përgjithmonë në Itali, deri sa ndërroi jetë disa vite më parë. E bija e tij Fatima është figurë politke në Foxha. Unë isha si ndërmjetës pranë drejtorit të senatoriumit, me qëllim që të realizonim bashkarisht vizitën mjeksore për Migjenin. Rezultati i vizitës nuk ishte i favorshëm, ishte në gjendje të rëndë shëndetsore, kishte nevojë që të shtroheshe në spital për kura urgjenete dhe për një periudhë të gjatë kohe shërimi në Foxha. U kthye në Torino dhe ai kthim rezultoi fatal për të.

Çfarë kujtimesh keni?
Ishte një njeri i dashur, i gjallë edhe pse shpesh shfaqte një lloj keqardhje nostalgjike për Shqipërinë. Pas njohjes përftiuam nga rasti që të shoqëroja në Kasalvecchio në Pulja, në Kieuti, pasi mori vesh se aty kishte dy komunitete arbëreshësh. Një kujtim që më dukej se pas udhëtimit të tij të gjatë, ndihej i lodhur, gjendja e tij ishte përkeqësuar, por dukej shumë i qetë.

Përse flisnit në diskutimet tuaja të përditshme?
Që të dy kishim një interes të veçantë për letërsinë, ai për Leopardin, unë për Karduçin, Paskolin, D'Anuncion. Ruaj kujtime të mira edhe në bisedat që bënim, për veprimtarinë e tij poetike, por e mora vesh vonë se në Shqipëri ishte poet i famshëm. Vizita në Shqipëri më lejoi të siguroja disa libra të tij (sigurisht librat qenë botuar), dhe munda të admiroja kështu një poet, që për fatin tim të mirë e kisha njohur në Itali, por për fatin e keq nuk e dija kaq të madh. Ishte një befasi tepër e këndshme për mua.

Po me miqtë e tjerë si shkonin marrëdhëniet?
Marrëdhënie miqsh, shumë të mira. Në prani të të tjerëve nuk hapnim kurrë biseda, duhet të kuptoni se tek ne ishte në fuqi fashizmi, sepse ndruheshim se mos na përgjonin dhe së bashku shmangnim çdo diskutim. Ai kontrollohej nga policia fashiste se çfarë bënte në Itali. Miqtë e tij shqiptarë ishin antizogistë, por simpatizonin fashizmin, ndërsa vetë Migjeni ishte antifashist. Unë këtë e dija, por i shmangnim bisedat mbi politikën në prani të njerëzve të tjerë.

Cila ishte kultura e Migjenit?
Kishte një kulturë të madhe : i njihte klasikët latinë dhe grekë shumë mirë. Kishim ide të njëjta për Ovidin si një poet i madh dhe ishte i joshur nga Tristia dhe Epistole.

A shëtisnit shpesh nëpër Foxha?
Sigurisht që i pëlqenim shëtitjet nëpër rrugën kryesore të qytetit, tek Vila e Bashkisë. Më habiste se e fliste shumë mirë gjuhën italiane, por me pak theks piemontez dhe të gjithë e konsideronin si një francez.

Çfarë interesash artistike kishte Migjeni?
I pëlqente arti roman puljez, poeti Ugo Foskolo. Ne takoheshim pothuaj përditë gjatë qëndrimit të tij në Foxha dhe kishim mundësi të flisnim për të mëdhenjtë e letërsisë italiane, por edhe botërore.

Po për miqtë e tij shqiptarë në Foxha, çfarë simbolizonte Migjeni?
Miqtë e konsideronin poet të madh dhe e shfaqnin hapur respektin dhe simpatinë për të, por nuk binin dakord për politikën. Arsyetonin rreth këtyre gjërave, por e respektonin njëri-tjetrin për diversitetet e bindjeve të tyre. Familjet e miqve të tij ishin mes më të rëndësishmeve shqiptare të asaj kohe, që e vlerësonin arsimimin në një vend të huaj, prandaj ndodheshin aty.

Po kur morrët vesh lajmin e vdekjes, si reaguat?
Lajmi na trishtoi shumë dhe na erdhi shumë keq. Askush nuk mundi të merrte pjesë në funeralin e tij, për më tepër se lajmi na mbërriti shumë vonë. Ishte Bronçi i pari që mësoi lajmin e hidhur.

Migjeni ishte poet revolucionar...
I kexova veprat e tij dhe jam dakord se ishte një poet i mirë, por idetë dhe ideologjia e tij revolucinare, çuditërisht, janë në kundërshtim me karakterin tij të butë. I largohej çdo forme të dhunës, gjakut. Patëm mundësinë të shkëmbenim edhe ndonjë mendim për Kanunin, por ai nuk e honepste hakmarrjen që kalonte në gjak. Nuk ishte ekstrovers, por i heshtur dhe nuk shfaqte asnjë shenjë ankimi edhe pse i sëmurë para nesh.

Po përse e ndiqte policia?
E thashë edhe më parë se e kontrollonte, por nuk e persekutonte. Ndoshta do të kishte qënë më mirë e dyta, sepse edhe mund të kishte përfituar prej shumë "privilegjeve" që fashizmi u siguronte kundërshtarëve.

Çfarë ju binte në sy gjatë takimeve?
Vura re se e donte jetën dhe kjo dukej qartë edhe tek bisedat tona, edhe për femrën si moment frymëzimi dhe adhurimi, ai e shfaqte pa mëdyshje adhurimin e tij ndaj tyre.

Migjeni kishte një motër...a mund të ketë ndikuar ky fakt?
Ndoshta, por nuk pata kohë që ta njihja këtë anë të tij, sepse iu desh të nisej për në Torino.

Patët letërkëmbime më vonë?
Jo, sepse, mesa mora vesh, në Torino gjendja e tij rëndohej dhe këtë e konfirmonte mjeku që e vizitoi në Foxha, Cesare Terracciano, një kushëriri ynë, duke na e paralajmëruar me dhimbje vdekjen e tij të afërt.

Ku e vizituat Shqipërinë, a shkuat në shtëpinë e tij?
Jo dhe më vjen shumë keq. Në Shkodër nuk shkova, pasi vetëm sa kaluam dhe nuk u ndalëm gjatë. Nuk takova ndonjëherë as të afërmit e tij.

A ka shkruar poezi në Itali?
Nuk e di nëse ka shkruar, por të do kishte qënë një nder i madh po ta kishim marrë vesh që aty.

Ishte besimtar Migjeni?
Nuk e kuptova kurrë fenë e tij. Më foli një herë për bektashinjtë, por as nuk e dija se ekzistonin, ndoshta ndruhej që të fliste, ishin kohë të vështira dhe nuk kishte marrëdhënie të mira as mes katolikëve dhe fashistëve edhe tek ne.

Kjo sepse ne artistët jemi mjeshtra të vërtetë super partes?
Edhe kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk më shkoi kurrë në mendje. Ai ishte shumë i kujdesshëm, i matur, i rezervuar.

Italia ka qënë gjithmonë një strehë e mirë për ne artistët...dhe mund të përmend shumë prej tyre, pasi sapo jam kthyer nga një Takim Ndërkombëtar në Itali, ku pata rastin t'i bëja të njohur.

Italia ishte strehë për të, sepse ishte një lloj mbrojtje për bindjet e tij antizogiste.

Faleminderit për këto kujtime të çmuara për poetin tonë revolucionar, Migjeni.

Ju lutem, por ndihem unë me të vërtetë i nderuar për këto kujtime që më zgjuat.

Është detyra jonë që t'i respektojmë artistë e mëdhenj të këtij kombi dhe të nxjerrim në pah cilët kanë qënë me të vërtetë të tillë.

Dhe bëni mirë, pasi kujtimet e mia do t'i kisha marrë me vete dhe askush nuk do t'i kishte mësuar. Unë kam edhe disa materiale të tjera që do t'jua sjell ndoshta pas vitit të ri.

Dhe ne i presim me kërshëri.

Bisedoi Arjan Th. Kallço

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...