Vepra letrare paraqet një tërësi të
pandashme. Ajo përbëhet prej dy bërësve kryesorë, të cilët janë të lidhur
ngushtësisht me njëri-tjetrin e këto janë: forma
dhe përmbajtja. Ndërkaq struktura (nga
lat. structura nga struere – ndërtim, radhitje, përbërje, ndërthurje, lidhje) e
veprës letrare ka të bëjë me përbërjen e asaj vepre. Do të thotë se çdo vepër
letrare në përbërjen e saj ka përmbajtjen dhe formën e saj, të cilat janë
njësitë themelore të veprës letrare. Atë janë të pandashme nga njëra-tjetra.
Kështu, forma e veprës letrare nuk mund të mendohet, as të përcaktohet jashtë
veprës dhe e pavarur nga përmbajtja e saj. Nga këndej forma është nocion
themelor dhe kryesor në teorinë letrare. Nocioni i formës as që mund të
mendohet, as të përcaktohet nëse në të njëjtën kohë nuk mendohet edhe korelati
tjetër – përmbajtja.
Për
dallim nga forma, përmbajtja paraqet rendin e fakteve të një vepre letrare
ashtu si mund të tregohen e ,që me këtë rast, të mos jepen kurrfarë
vlerësimesh. Termi përmbajtje në historinë e mendimit mbi letërsinë si dhe në
përdorimin e sotëm, shfrytëzohet për qëllime të ndryshme historike, analitike
dhe të përcaktimit të vlerave. Ndërkaq, forma paraqet mënyrën se si janë
organizuar faktet materiale dhe shpirtërore, si dhe raportet midis tyre në
veprën letrare. Edhe forma edhe përmbajtja e vepërs letrare janë të lidhura
midis tyre në mënyrë të pashkëputshme. Nuk mund të ketë përmbajtje pa formë,
dhe anasjelltas, nuk mund të ketë formë pa përmbajtje. Ato varen dhe
kushtëzohen ndërsjellshmërisht midi tyre. Meqë përmbajtja paraqet thelbin e
sendit a dukurisë, ajo luan rolin vendimtar në një vepër letrare, përcakton
edhe formën e sendit a dukurisë për të cilat flitet në vepër. Çështja e formës
në teoritë letrare evropiane fillon që me konstatimin e Aristotelit në veprën e tij të njohur me
titull “Poetika”, ku mes tjerash thuhet: “Po diskutojmë mbi vetë artin poetik
dhe mbi format e tij, se ç’është secili në esencë, dhe ç’formë duhet dhënë
materialit poetik, nëse dëshirohet që vepra poetike të jetë e bukur”[1]. Pra, sipas Aristotelit,
materia është ajo prej së cilës është ndërtuar vepra artistike, e cila është
formësuar sipas një forme të caktuar, adekuate. Më vonë problemi i formës
kryesisht është vështruar si problem i pajtimit me tipin e përmbajtjes së
zgjedhur, gjegjësisht si problem i harmonizimit të formave të gjinive dhe
llojeve letrare me përmbajtjen e zgjedhur. Me këtë problem ka qenë i preokupuar
edhe Horaci në letrën e tij drejtuar Pizonëve, e cila është e njohur me
titullin “Mbi artin poetik”. Përcaktimi i Aristotelit të disa ligjeve themelore
të ekzistimit të formës poetike, përfundimisht u konsolidua dhe u zhvillua si
kanon në mesjetë, renesansë dhe më vonë, me çka e bëri të mundur lindjen dhe
zhvillimin e poetikave, retorikave dhe teorive të shkruara të letërsisë.
Ndërkaq Ivan Foht mendon se për artin nuk është e rëndësishme se ç’materie
trajton në vepër, por në ç’mënyrë e trajton atë. Mendimi i këtij esteti i
shprehur në veprën e tij “Fshehtësitë e artit” dhe në vepra të tjera, përkon
plotësisht me mendimin e Gëtes kur thotë se “në letërsi nuk është qenësore se
ç’tregohet, por si tregohet”. Në fillim të shekullit XX formalistët rusë
përmbajtjen e kanë zëvendësuar me materien, kurse formën me parimin
konstruktues dhe veprën letrare e kanë kuptuar si tërësi të organizuar
dinamike. Njërin nga esetë e tij Boris Ejhenbaumi e ka emërtuar me titull “Si
është konstruktuar Kapota e Gogoli”, kurse eseja e Viktor Shklovskit mban
titullin “Si është konstruktuar Don Kishoti i Mançës”. Ndërkaq, filozofi dhe
esteti modern polak, Roman Ingarden, korelatet formë dhe përmbajtje i
zëvendëson me korelatet “objekt” (fakt ose në përgjithësi materie) dhe “mënyrë”
(ekzistimi i veprës letrare). Në kohën tonë koncepti i formës dallon nga
pikëpamjet estetike dhe teorike të antikitetit dhe të epokave dhe drejtimeve të
tjera letrare. Tash nuk respektohen parimet e vjetra estetike: rendi, simetria,
uniteti i kohës antike. Kjo vërehet në veprat e Pablo Pikasos, në prozën e
Franc Kafkës, në prozën e Migjenit (“Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqur”),
pastaj në shkrimet e Anton Pashkut etj. Duke i lexuar veprat e këtyre autorëve
dhe të autorëve të tjerë, vërejmë se në to kemi deformimin e fenomenit, si
p.sh. deformimin e njeriut etj.
Teoricieni
modern rus, Mihal Bahtin, flet në lidhje me atë që është themelore në çdo
krijim letrar. shënon Nocioni formë mënyrën në të cilën është thënë diçka,
respektivisht, që është përfshirë, shprehur apo paraqitur diçka; kurse nocioni
përmbajtje shënon atë që është thënë në veprën letrare, respektivisht atë qëpërmban ajo. Analiza e
veprës letrare, duke u nisur nga forma dhe përmbajtja e saj, është trajtuar
edhe në “Poetikën” e Aristotelit. Materia e caktuar që formësohet me anë te
techne-s (mjeshtërisë së caktuar) do të ishte përmbajtja e veprës, kurse
veprimet që përfshihen në techne do të përbënin artin, mjeshtërinë e krijimit,
që rezulton në formën e dhënë të veprës letrare.
Dallimi
në aspektin e përmbajtjes dhe të formës do të jetë bazë e teorisë së gjinive
letrare. Ka pasur përpjekje që herë forma e herë përmbajtja të ngriten në
vlerën absolute për veprën letrare. Ithtarët e përmbajtjes shtrojnë para
letërsisë kërkesa shoqërore dhe ideologjike, kërkesa që lidhen me pikëpamjen se
përmbajtja e veprës letrare është realiteti shoqëror dhe që shpreh kërkesat e
një kohe. Sipas kësaj pikëpamjeje minimizohet rëndësia e kriterit artistik dhe
estetik. Kritika marksiste i jep më tepër rëndësi përmbajtjes sesa formës.
Kështu mendojnë teoricienët Leonid Timofejev, Gjergj Lukaç etj. Përkundër të
parëve, qëndrim të kundërt kanë ithtarët e formës sipas të cilëve vepra letrare
shikohet si mjeshtëri, parësore është realizimi i efekteve artistike, estetike,
të cilat arrihen me anë të organizimit, ndërtimit të jashtëm, të përdorimit të
një varg mjetesh me të cilat arrihen efekte kompozicionale, ritmike e muzikore.
Vetëm tema, edhe atëherë kur është qenësore dhe aktuale, nuk garanton sukses.
Vetëm atëherë kur përmbajtja merr trajtën e duhur, atëherë arrihet suksesi i
një krijuesi. Kështu, p.sh. simbolisti frëng Artur Rembo, shkrimtari rus,
Anton. P. Çehov, madje Nonda Bulka, Migjeni etj., janë frymëzuar nga tema të
rëndomta, andaj krijimet e tyre kanë vlerë të theksuar artistike dhe paraqesin
interes edhe për lexuesin e sotëm. Nëse me përmbajtje kuptojmë idetë dhe
emocionet, formë do të quanim elementet gjuhësore me anë të të cilave shprehet
përmbajtja. Ngjarjet e rrëfyera në një roman janë pjesë e përmbajtjes, kurse
mënyra në të cilën janë organizuar ato në një “subjekt” është pjesë e formës. “Struktura”
është një koncept që përfshin edhe përmbajtjen edhe formën për aq sa ato janë
të organizuara për qëllimie estetike” (R. Velek-O. Voren, “Teoria e letërsisë”,
1993).
Mendimi
i sotëm teorik e konsideron veprën letrare të pandashme, si një tërësi unike,
si realizim i një përmbajtjeje të caktuar në një formë të caktura. Sipas Gani
Lubotenit, “vepra letrare âsht nji tanësi e pandashme, e cila përbâhet nga
përmbajtja, forma dhe mjetet” (Gani Luboteni, Teoria e letërsisë, Beograd,
1964, f.121) etj.
Përveç
përmbajtjes dhe frormës së veprës letrare, pjesë përbërëse të veprës letrare
janë edhe: tema, motivi, fabula, personazhi, ideja etj.
Tema - është pjesë përbërëse e veprës
letrare. Fjala temë vjen nga fjala greke théma – që ka kuptimin e asaj që është
shtruar në veprën letrare, si kuptim i tërësishëm i veprës letrare. Përveç
këtij kuptimi, tema ka edhe kuptime të tjera si, lëndën, materialin ose
objektin e përpunimit artistik. Kështu, p.sh. në aspektin tematik poezinë mund
ta ndajmë në poezi patriotike, erotike, religjioze etj., pastaj mund të flasim
për tema mitologjike në letërsi, për tema historike në roman ose në dramë etj.
Dmth. tema paraqet fushën e jetës të cilën e ka zgjedhur shkrimtari për bazë të
veprës së vet. Ndonjëherë tema e veprës është problemi të cilin shkrimtari e shtron
si bazë të veprës së tij. Nga kjo rrjedh se tema paraqet problemin kryesor që
shkrimtari e ka ngritur dhe që është treguar në bazë të materialit të marrë nga
jeta. Secila vepër letrare ka temën e vet. Ato mund të jenë të llojllojshme.
Kështu p.sh. si tema të një vepre letrare mund të jenë ngjarjet, personazhet a
dukuritë shoqërore etj. Por shpesh në përcaktimin e temës së një vepre letrare
dalin shumë vështirësi. Kjo nga pamundësia që ajo (tema) të përfshihet brenda
një pohimi të përgjithshëm, ajo që është thënë në një vepër letrare në lidhje
me një objekt të paraqitur, me një person etj. Përcaktimi i temës jepet në
mënyrë të përgjithësuar. Kështu, p.sh. tema e romanit të Turgenievit “Etër dhe
bij” është konflikti i dy gjeneratave;
tema në dramën “Prometheu i lidhur” të Eskilit, janë fuqitë religjioze; tema e
romanit “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit, është emancipimi i femrës
shqiptare në vitet e ’30-ta të shekullit të 20-të; tema e komedisë
“Katërmbëdhjetëvjeç dhëndër”e Çajupit, është martesa në moshë të papërshtatshme
etj. Shpesh tema e veprës letrare lidhet me titullin e veprës letrare dhe atë e
shpreh drejtpërdrejt. Kështu, p.sh. titulli i veprës së Dostojevskit “Krimi dhe
ndëshkimi” sugjeron edhe temën e shqyrtuar nga shkrimtari, ose titulli i
“Odisesë” shpreh temën e kësaj vepre: aventurat e këtij heroi për t’u kthyer në
atdheun e tij, në Itakë etj. Temat që shfaqen dhe përsëriten në të gjitha
epokat historike dhe në të gjitha letërsitë kombëtare, quhen tema jetike. Të
tilla janë dukuritë themelore të jetës së njeriut, si: dashuria, vdekja,
bukuria, përkohshmëria e fatit të njeriut në jetë, kotësia e jetës etj. Përveç
termit temë, shpesh përdoret edhe termi tematikë, i cili ka kuptim më të gjërë
se nocioni temë, por ndonjëherë ndryshimi është minimal dhe relativ. Tema, veç
tjerash, mund të jetë aktuale ose joaktuale.
Motivi – është një përbërës i
rëndësishëm i veprës letrare, nga i cili varet shumë vlera artistike e veprës
letrare. Motivi në letërsinë artistike është njësia më e vogël tematike, që
paraqet strumbullarin rreth të cilit zhvillohet veprimi në vepër. Fjala motiv
ka origjinë latine – moveo - lëviz dhe në latinishten mesjetare motivum – nxitje, lëvizje, shkak.
Numri
i motiveve në veprat e veçanta letrare dhe mënyrat e lidhjes së tyre, varet në
masë të madhe nga lloji letrar të cilit i takon vepra. Po theksojmë se rëndësia
e motiveve të veçanta është më e madhe në llojet vogla letrare (shih analizën e
motiveve në vjershën lirike, në kapitullin ku flitet për strukturën e vjershës
lirike), ndërsa në veprat më të mëdha letrare përfshin tërësi më të
mëdha ose vetëm motive tipike. Në teorinë e letërsisë motivi shpesh kuptohet
dhe në mënyra të tjera: duke qenë se ai ka të bëjë me realitetin jashtëletrar,
disa kritikë e kondiserojnë si situatë tipike jetësore, dmth. e përcaktojnë si
situatë tipike jetësore mbi të cilën bën fjalë vepra letrare. Duke marrë
parasysh se motivet në shumë vepra letrare përsëriten, disa teoricienë, pra,
konsiderojnë se motivi duhet kuptuar si një njësi tematike e cila mund të
dallohet në shumë vepra letrare (kështu flitet për motivin e ndarjes së të
dashuruarve, për motivin e unazës, e cila e bën njeriun të padukshëm, për
motivin e dashnorit fatkeq, për motivin e vëllait dhe motrës, të cilët martohen
dhe rinjihen etj.). Kuptimi i tillë i motivit, ndërkaq, lidhet me kuptimin e
fabulës.
Sipas
funksionit që luajnë motivet mund të jenë dinamikë
dhe statikë. Të parët, pra,
motivet dinamikë e nxitin veprimin e ngjarjes që të zhvillohet më tej, duke e
ndryshuar kështu situatën në veprën letrare (motivi i ndjekjes së fajtorit,
sjellësit të Doruntinës në romanin e Isamil Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”
etj.). Motivet që përshkruajnë një situatë të qetë ose një peizazh, quhen
motive statike. Motivet dinamike dhe statike (aktive dhe pasive) nuk paraqesin
kurrfarë kategorie të veçantë të motiveve, sepse ato nuk kushtëzohen nga natyra
personale, por nga raporti i shkrimtari ndaj problemeve të cilat i përpunon,
pra, kushtëzohen nga angazhimi i shkrimtarit për realizimin e idealeve të tij
shoqërore. Motivi do të jetë pasiv atëherë kur shkrimtari nuk e orienton drejt
një qëllimi të caktuar; do të jetë i vakët, i zbetë dhe i pangjyrë, dhe kur
shkrimtari i dalldisur nga entuziazmi i tij, atëherë edhe motivet e tij
aktivisht do ta vënë në lëvizje veprimin dhe do të ndikojnë në përcaktimin e
lexuesit. Në tregime, drama dhe romane më së mirë realizohen motivet si etapa
të veçanta në krijimin e veprës, më tepër se në vjershën lirike, sepse këtu, në
këto kompozicione më të mëdha, ato veçohen nga tema dhe nga elementet e tjera,
nga të cilat është ndërtuar vepra. Herë-herë në vjershën lirike motivi dhe tema
shkrihen në njëri-tjetrin dhe krijojnë një unitete të pandarë, kurse në tregim
dhe në roman rrallë bëhet shkrirja e tillë e plotë. (Poema “Milosao”e Jeronim
de Radës na mundëson që të veçohet motivi nga tema, invencioni nga ideja.
Motivi është dashuria e pafat e vajzës së Kallogresë dhe e Milosaos, bir i
sundimtarit të Shkodrës. Në të përshkruhet përjetimi i vajzës së varfër, së
cilës përkatësia klasore nuk i lejon të martohet me djaloshin nga një familje e
pasur. Kjo ngjarje i ka shërbyer De Radës si motiv ta parashtrojë temën dhe ta
zhvillojë tablon mbi njerëzit fatkëqij, të cilët janë ndarë nga murojat shoqërore,
sepse u takojnë shtresave të ndryshme shoqërore. Këtu është lehtë të vërehet se
motivi ka një vëllim më të ngushtë, sepse ka të bëjë me diçka individuale, të
vetmuar dhe të jashtëzakonshme në shoqëri, kurse tema merr dimension më të
gjërë dhe më të përgjithshëm, shkrihet në rendin shoqëror, në mjedisin, në
gjininë njerëzore. Raporti i individuales ndaj së përgjithshmes në natyrë dhe
në shoqëri, është raporti i motivit ndaj temës. Prandaj fati i Milosaos dhe i
Rinës në poemën “Milosao”, si përjetim personal i tyre, i ka shërbyer poetit si
motiv për të treguar një problem shoqëror, për dukurinë e përgjithshme të
njerëzve të pafatë në rendin shoqëror klasor në Shkodër ku zotëronin raportet
feudale të tipit lindor. Motivet e zgjedhura dhe të fuqishme kontribuojnë në
suksesin e veprës letrare, sepse sa më origjinalë të jenë, aq më tepër
shkrimtari më me ngrohtësi dhe më me pasion do ta ndërtojë veprën e tij).
Në
vjershat lirike zotërojnë motivet e
brendshme, sepse shprehja e tyre është ndjenja poetike dhe përjetimi
personal. Kështu, p.sh. vjershat lirike të dashurisë, thuajse pa përjashtim, janë
krijuar në bazë të motiveve të brendshme, sepse poeti niset nga shqetësimet
personale, entuziazmi dhe ngjarjet në raportet e tij erotike. Kurse, në
vjershat patriotike, sociale ose në vjershat e llojeve të tjera siç janë odja,
balada dhe të ngjashme, poeti më shpesh këndon për atë që ndodh “jashtë” vetes
së tij, por e gjithë ndodhja e “jashtme” përcillet dhe përshkohet nga ndjenjat
e tij. Sipas mendimit të teoricienit rus, Boris Tomashevskit, ekzistojnë motive të lidhura dhe motive të lira. Të lidhura janë ato
motive që lidhen organikisht me rrjedhën e rrëfimit dhe si të tillë, nuk mund
të lihen jashtë, kurse motive të lira janë ato që nuk lidhen me ngjarjen dhe si
të tillë mund të mënjanohen nga vepra, pa e prishur rrjedhën e veprimit. Veç
këtyre kemi motive të çastit dhe të përhershëm (gjegjësisht, bredhës ose të përgjithshëm). Këto dallojnë nga njëri-tjetri sepse janë të
kushtëzuar nga koha dhe vendi. Motivet e çastit më shpesh lidhen me një kohë të
caktuar, në pjesën më të madhe me kohën e shkurtër në jetën e njeriut e ndonjë
mjedisi ose të një pjese të popullit. Motivet e tilla më tepër kanë karakter
historik (motivet e vjershave të Naimit, Çajupit e të tjerëve lidhen me
gjendjen historike nacionale të popullit tonë gjatë robërisë turke dhe
dominimin e të huajve në viset tona). Motivet e tilla sot nuk janë aktuale,
sepse janë evituar rrethanat të cilat i kanë kushtëzuar ato, por kjo nuk do të
thotë se vjershat e tyre kanë humbur vlerat e tyre. Edhe vjershat e tilla e
kanë mbijetuar kohën edhe si krijime artistike, edhe si dëshmi historike.
Motivet e përhershme (bredhës ose të përgjithshëm), janë ato motive të cilat i
ndeshim te shumë shkrimtarë dhe në çdo letërsi. Raporti nënë-fëmijë, pleq-të
rinj, ves-virtyt, dinjitet-përçmim, heroizëm-mjerim (njerëzor), lufta për
drejtësi, ideali dhe fati njerëzor, të gjitha këto i ndeshim si motive të përhershme në letërsinë botërore dhe këto
shkrihen, gërshetohen dhe bredhin nga një letërsi në letërsinë e popujve të
tjerë dhe nga një kohë në tjetrën.
Fabula (lat. fabula – kallëzim, rrëfim,
tregim). Në lidhje me fabulën jepen shpjegime të ndyshme. Kështu, p.sh. në
Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se fabula paraqet tërësinë e ngjarjeve
të renditura në një vepër letrare njëra pas tjetrës, subjekt.[2] Ajo, pra, fabula paraqet
rrjedhën koherente të ngjarjeve në një vepër letrare dmth. përmbajtjen e
reduktuar në vijat kryesore të një vepre, renditjen themelore të ngjarjeve për
të cilat flet shkrimtari. Në teorinë e letërsisë përmendet shpesh edhe termi syzhe (fr. sujet – objekt) që përdoret
në kuptimin e njëjtë të fabulës në latinishte. Kjo do të thotë se syzheu
paraqet boshtin, strumbullarin e temës së një vepre letrare, skeletin e vetë
ngjarjes. Sipas Emil Zolasë kuptimi i fabulës do të ishte ndonjë “dramë e
vogël, histori e cila i nevojitet shkrimtarit për formuar skeletin e kaptinave
të saj”. Nga ky pohim nxirren përfundime se në veprën e gjerë letrare
ekzistojnë më shumë fabula, dmth. se veprimi i romanit, i dramës ose i epit,
lëviz në disa drejtime dhe në shumë episode, por se heroi kryesor i veprës
është bartës kryesor i fabulës themelore.
Në
teorinë e sotme të letërsisë shpesh gërshetohen termat: fabul – përmbajtje – syzhe dhe në praktikë në mënyrë të
papërcaktuar përdoret njëri në vend të tjetrit. A mund ta njëjtësojmë fabulën
me përmbajtjen dhe ç’do të ishte atëherë syzheu në këtë rast? Duke marrë
parasysh se përmbajtja ka vetëm kuptim teknik dhe ajo jepet në fund të veprës
ose të përmbledhjes ku numërohen të gjitha vjershat dhe tregimet, të përfshira
në vepër, koncepti i tillë përjashtohet nga terminologjia. Prandaj është i
mundshëm vetëm përdorimi i shprehjes përmbajtja e veprës, i cili përfshin edhe
fabulën edhe syzheun, sepse me konceptin përmbajtje nënkuptohet e tërë ajo që
rrëfehet në veprën letrare, pra, e tërë rrjedha e ngjarjeve e përmbledhur sipas
temës. Shumë herë lexuesi i ndonjë vepre letrare thotë: fabula në këtë vepër
është e mirë, interesante, po e përpunuar dobët dhe e kundërta: përpunimi i
mirë, rrëfimi i rrjedhshëm dhe i fuqishëm, por me një fabul të parëndësishme.
Kjo tregon se fabula ekziston si kategoti e veçantë në strukturën e veprës
letrare dhe nga kjo edhe në teorinë e letërsisë. Për t’u përgjigjur në pyetjen
se ç’është fabula dhe çfarë përbërësi është ajo, gjegjësisht ç’element paraqet
ajo në strukturën e veprës letrare, duhet të mbështetemi në roman, sepse në
këtë lloj letrar më qartë shihen të gjitha bërësit në procedimin e krijimit
artistik (analizohet një roman, p.sh. romani “Përsëri në këmbë” i Dhimitër
Xhuvanit).
Nëse
nisemi nga pikëpamja se fabula është “tërësia e ngjarjeve në lidhjen e tyre të
ndërsjellë” (Tomashevski), e cila nga realiteti përpunohet dhe bartet në veprën
artistike, atëherë, sipas pohimit të disa teoricienëve, mund të vërehet dallimi
midis fabulës dhe syzheut në atë se me fabul do të kuptonim ngjarjet,
respektivisht realitetin jetësor i cili ende nuk është formësuar në veprën
letrare, kurse syzheu do të ishte fabula e komponuar artistikisht dhe
stilistikisht e lëmuar, sepse ekziston edhe pohimi sipas të cilit “syzheu është
fabula e cila është përpunuar në veprën artistike”. Sipas kësaj, fabula e
përpunuar artistikisht kalon në syzhe, i cili, s’është gjë tjetër, por vepër e
gatshme, e përkryer, artistike. Megjithatë, teoria e letërsisë merret vetëm me
krijimet e formësuara artistike, andaj këtu mund të bëhet fjalë vetëm mbi atë
fabul e cila është e “shndërruar” në syzhe. Për këtë arsye, në raport të tillë,
këto dy terma janë vetëm sinonime të një koncepti të njëjtë, sepse në vepër nuk
mund të bëhen dallime mdis fabulës si materie e përpunuar dhe syzheut si
materie e cila është bërë formë artistike.
Letërsia
tregimtare klasike, në vargje dhe në prozë, mbështetej në fabul, kurse
shkathtësia dhe talenti i shkrimtarit shiheshin në aftësinë që fabula të
zhvillohej sipas logjikës kronologjike dhe sipas rrjedhës së natyrshme të
ngjarjeve dhe të jetës njerëzore. I ashtuquajturi fabulim, dmth. degëzim i
veprimit dhe lidhja e të gjitha detajeve nga jeta e personazheve në një tërësi
organike, ka qenë njëri nga mjetet kryesore në karakterizimin dhe tipizimin e
personazheve, e me këtë edhe formën e përshtatshme që shkrimtari ta shprehë
qëllimin e tij. Në letërsinë e sotme, sidomos nga shfaqja e tregimit – novelës
impresioniste, objekti dhe ngjarja
shtyhen në prapavijë dhe në plan të parë shtrohen përshtypjet dhe
ndjenjat e shkrimtarit. Këtu lëshohet “skeleti i vjetër” dhe fabula dhe vijnë
në konsideratë meditimet e shkrimtarit, asociacionet, reminishencat e
drejtpërdrejta ose shqyrtimet dhe filozofimet mbi jetën. Në letërsinë botërore,
nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore e deri më sot, nuk mund të flitet më
për fabulën në romanet dhe tregimet, me përjashtim të atyre shkrimtarëve të
cilët zbatojnë metodën tradicionale, realiste në thurjen e veprave të tyre. As
Kafka, as Xhojsi, as Fokneri nuk nisen nga fabula në veprat e tyre, por nga
parafytyrimet e veta mbi fatet njerëzore dhe nga koncepsionet filozofike mbi
jetën. Kështu, sot, si në romanin
modern, ashtu edhe në dramën moderne, ndeshim në të ashtuquajturin defabulizim të ngjarjeve dhe të
veprimeve në vepër dhe në vend të fabulës së caktuar kemi një ndërtim
asociativ, një strukturë simbolikisht të lidhur (Franc Kafka, Semjuel Beket, Anton
Pashku, Ismail Kadare etj.)
Nga
ajo që folëm më lart del se jo të gjitha veprat kanë fabul. Kështu, në poezinë
lirike nuk kemi fabul, sepse në të nuk kemi ngjarje, nuk kemi veprim, kurse
fabula është bazë e veprave epike dhe e atyre dramatike. Nga e gjithë kjo del
se fabula paraqet renditjen e ngjarjeve në vepër, kurse syzheu tregon
mënyrën se si rrjedhin ngjarjet në vepër
dhe si janë organizuar ato në vepër. Nga kjo vepra letrare duhet të analizohet
si unitet i pandarë i gjitha pjesëve të saj.
Personazhi (lat. persóna – person, individ, protagonist) – është
bartësi kryesor i veprimit në veprën letrare. Ai është mishërim (inkarnim) i
vetive morale, ideore, ndiesore të një individi në veprën letrare. Ai, pra,
përfshin në vete një grumbull të veçorive të cilat e bëjnë individin njerëzor
dhe sipas të cilave ai dallon nga njerëzit e tjerë. Në lidhje me personazhin ndeshim edhe në nocione të tjera si, figurë,
hero, karakter, tip, portret. Të gjitha këto nocione përdoren në kuptimin e
tyre të gjerë ashtu që mund ta zëvendësojnë ndërsjellshmërisht njëri-tjetrin.
Në disa formacione letrare, si në letërsinë antike, mesjetare, të renesansës
dhe atë klasiçiste, personazhi ka shërbyer shpesh si stilizim i përgjithshëm
vetëm për disa tema të caktuara, dhe nuk janë dhënë veçoritë individuale të
tij. Kështu, te “Karakteret” e Teofrastit (shekulli III para erës sonë),
personazhi paraqitet në formën e definicionit të ndonjë vesi (ceni), pas të
cilit vjen përshkrimi i të folurit dhe sjellja e atij njeriu të cilin e përcakton
vesi i tillë. Në këtë formë të përgjithësuar, edhe pse jo gjithmonë në formën e
tillë të skematizuar, personazhi konstituohet në përrallëz, alegori, moralitet,
si dhe te pasardhësit klasiçistë të mëvonshëm të Teofrastit (La Brijer, A.
Poup). Edhe në këto vepra personazhi shpesh ka një specificitet psikologjik dhe
shoqëror, por vetëm në letërsinë e re evropiane, sidomos në dramën dhe në
romanin e renesansës të shekujve XVIII, XIX dhe XX, ky specificitet psikologjik
individual dhe shoqëror bëhet aq i rëndësishëm dhe aq shprehës sa që personazhi
letrar nuk paraqet më ilustrimin e ndonjë teme të një rëndësie të përgjithshme
sesa shprehjen e preokupimit të shkrimtarit me një lloj të fatit individual
njerëzor. Individualizimi i këtillë i pesonazhit s’është më vetëm bartës i ndonjë veprimi ose
pjesëmarrës në të, por mishëron dhe pikëpamjen e artikuluar intelektuale të
tërë asaj që ndodh në vepër; personazhi nuk është vetëm bartës apo pjesëmarrës
i ngjarjeve, por ai shpreh edhe pikëpamjet e autorit në veprën letrare në
tërësi. Shumë peronazhe mbeten mishërim i veçorive karakteristike morale dhe
shoqërore të një epoke, duke marrë ndonjëherë edhe statusin e heronjve mitikë,
herë-herë duke dalë nga konteksti i veprave në të cilat janë krijuar, ata bëhen
vendstrehim i synimeve themelore ose kundërthënie të një epoke, të një populli,
të një kulture dhe civilizimi (Odiseu, Don Kishoti, Robinson Kruso, Fausti,
Xha Gorio, Rastinjaku etj.).
Personazhet,
sipas formësimit të tyre mund të ndahen në personazhe
të pandryshueshme dhe në personazhe
që ndryshojnë gjatë zhvillimit të ngjarjeve në veprën letrare. Të parët
jepen ashtu të formësuar dhe nuk ndryshojnë, kurse të dytët ndryshojnë në
formësimin e tyre në veprën letrare.
Personazhi i cili merret si bartës kryesor ose
si njëri nga bartësit kryesor të veprimit në veprën artistike në kuptimin e ngushtë
të fjalës quhet “hero”. Një
personazh i tillë mund të jetë hero pozitiv dhe është bartës kryesor i ideve
dhe i pikëpamjeve të autorit. Personazhe të tilla konsiderohen të gjitha ata që
shprehin synimet, tendencat dhe aspiratat progresive të epokës së tyre, të
popullit të tyre apo të mbarë njerëzimit. Të tillë ndeshim thuajse në të gjitha
letërsitë: Prometheu i Eskilit, Hamleti i Shekspirit, Fausti i Gëtes etj.
Personazhe të tilla kemi edhe në letërsinë tonë si: Skënderbeu i Naim
Frashërit, i Haki Stërmillit, i Sabri Godos etj., Adili te “Lumi i vdekur” i
Jakov Xoxës, Galani te “Fëmijët e lumit tim” të Hivzi Sulejmanit, Hafizi te
“Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit etj. Përveç personazhit pozitiv, kemi edhe
personazhin negativ që shpreh tendenca regresive që shkojnë në dëm të njeriut,
të popullit, të mbarë njerëzimit, që me sjelljet, veprimet dhe qëndrimet e tij
ngjall neveri dhe urrejtje ndaj atdheut dhe popullit në përgjithësi (Tartufi,
Çiçikovi, Hlestakovi, Jagoja etj. në letërsinë botërore; Kapllan Beu te “Ata
nuk ishin vetëm” të Sterjo Spasses, Tuç Maku te “Toka jonë” të Kolë Jakovës,
Galani te “Fëmijët e lumit tim”të Hivzi Sulejmanit etj.). Në teorinë e
letërsisë njihet edhe termi “tip”
(gr. tipos – mbresë, figurë) do të thotë se shkrimtari e ka krijuar nga
imagjinata e tij. Përmes tij shkrimtari shpreh tiparet kryesore, karakteristike
të një grupi njerëzish, rrethi shoqëror. Në lidhje me këtë shkrimtari i madh rus
Leon Tolstoi ka shkruar: “Duhen vërejtur
shumë njerëz të ngjashëm për të krijuar një tip
të caktuar” (tipi i ushtarit mburracak, plaku koprrac, djali
mendjelehtë, sahanlëpirës etj.).
Protagonisti (gr. prōtagonistēs –
udhëheqës, prijës) – paraqet aktorin e parë në dramën greke, i cili luante
rolin kryesor. Si term fjala protagonist fillon të përdoret nga Plutarku.
Konsiderohet se protagonistin e ka ndarë nga kori Tespisi (533 p.e. s), duke
mundësuar kështu dialogun. Në Greqinë arkaike dhe klasike aktori i parë nuk
quhej protagonist, por në përgjithësi hipokrites – aktor. Rol shumë më të vogël
ka pasur deuteragonisti, kurse aktorin e tretë, tritagonistin, e ka futur
Sofokliu dhe atij i takojnë rolet më të vogla dhe të parëndësishme.
Tritagonisti zakonisht shqiptonte prologun. Kundërshtar i protagonistit është
antagonisti. Në kohën e re protagonisti përgjithësisht shënon personazhin
kryesor të një vepre letrare.
Karakteri (gr. karakter, fr. character
– shenjë, tregues, kualitet distinkiv) -
përdoret edhe në kuptimin e personazhit ose të heroit të veprës letrare.
Ai paraqet tërësinë e veçorive etike, intelektuale, emotive të ndonjë
personazhi ose heroi në një vepër letrare. Dallimi i karaktereve njerëzore ka
qenë moti objekt i interesimeve filozofike dhe letrare. Shqyrtimin e parë mbi
karakterin e ka dhënë Aristoteli në shkrimet e tij etike, kurse Teofrasti në
veprën e tj “Karakteret” ka paraqitur tipa të ndryshëm të njerëzve, që më vonë
kanë shërbyer si bazë për studimin e formave të veçanta të sjelljes dhe të
tipave të njerëzve (njeriu mendjelehtë, grykës, llupës, makut etj.).
Përndryshe, si produkt i karakterizimit, karakteri është paraqitur ose
realizuar në prozën narrative, poezinë epike dhe në dramë, qoftë si personazh
kryesor ose dytësor etj.
Portreti (fr. portrait – vizatim,
portret) – më tepër përdoret në artet figurative, në pikturë dhe në skulpturë:
paraqitja e njeriut, sidomos e fytyrës së tij, e cila zakonisht synon t’i jetë
besnike origjinalit dhe që vizuelisht t’i shquajë vijat e tij karakteristike,
veçoritë ose gjendjen shpirtërore të tij. Edhe estetika klasike tregonte një
ngjashmëri midis pikturës dhe letërsisë në paraqitjen e figurës njerëzore dhe,
në pajtim me parimet e saj themelore, veçanërisht shquante nevojën që në atë
paraqitje të theksonte atë që është e përgjithshme, tipike, ideale. Në letërsi
portreti ka kuptimin e përshkrimit të jashtëm të ndonjë heroi apo figure
letrare, të fytyrës së tij, të trupit, të veshjes etj. Ai shpesh bëhet bazë
kompozicionale e ndonjë romani apo poeme romantike (Gëte “Vuajtjet e Verterit
të Ri”, Xhojsi “Portreti i një artisti”, Bajroni “Çajld Haroldi”), apo edhe tregimi
ose skica (Migjeni “Luli i vocërr”) etj.
Prototipi (gr.prōtotīpon, nga prōtos –
i pari dhe tipon – tip) – në kuptimin e gjerë do të thotë model në bazë të të
cilit është formësuar diçka. Në këtë kuptim në letërsi vepër ose figurë letrare
e cila shërben si model në krijimin e një figure letrare, duke u mbështetur te
njeriu real, të cilin autori e ka vëzhguar më parë. Shumica e karaktereve
letrare e ka zanafillën, gjenezën, origjinën, te ndonjë person real, jetësor,
të cilin autori e ka si pikënisje. Kësht, p.sh. “Don Kishoti” është prototip i
romanit realist. Kështu kanë vepruar shumë shkrimtarë në letërsi, duke filluar
nga Balzaku, Turgenievi, Gorki etj.
Individi dhe personazhi – ekzistojnë dallime midis individit dhe personazhit.
Fjala person nënkupton individin që shpreh vetitë individuale, të cilat
shkruhen në një distancë të caktuar kohore (memoaret, kujtimet). Ai, individi,
është një qenie e vërtetë shoqërore që i përket një kohe të caktuar (memoaret,
kronikat historike), kurse personazhi, përveç si qenie reale, mund të jetë edhe
fytyrë e trilluar nga imagjinata e shkrimtarit.
Tregimtari (narratori) – paraqet
personin në emër të të cilit autori rrëfen për ngjarjet dhe njerëzit në një
vepër letrare tregimtare (tregimtare – lat. naration – të rrëfyer). Tregimtari
luan rol të rëndësishëm në kuptimin e elementeve të tjera të veprës letrare:
temës, fabulës dhe motivimit etj. Tregimtari nuk mund të indentifikohet me
autorin e veprës letrare, sepse ai vetë është personazh i veprës së cilës i jep
formën. Ai është krijim i veprës letrare edhe atëherë kur paraqitet si autor i
tregimit të ngjarjes. Nga ky aspekt ai paraqet vetëm një perpektivë të mundur
nga e cila rrëfehet. Rolin e tij mund ta
luajë edhe një personazh i veprës. Por ndodh që tregimtari të paraqitet si
autor, pra person që gjendet jashta botës së romanit. Tregimtari mund të jetë
edhe ndonjë personazh i shpikur, i trilluar, që futet në fillim të veprës, si
dëshmitar i ngjarjes ose bartës i ndonjë perspektive nga e cila shihen ngjarjet
e caktuara (këto janë raste kur si tregimtar paraqitet ndonjë kafshë ose send).
Tregimtari në veprën letrare del si një figurë e veçantë, të cilin mund ta
karakterizojmë nga mënyra se si i tregon ngjarjet dhe njerëzit, ç’qëndrim mban
ndaj tyre, ç’mendon dhe ç’ndjen ai për ta. Prandaj tregimtari luan rol të
rëndësishëm në një vepër letrare. Tregimtari, pra, ose është vetë personazh i
romanit ose i formëson personazhet, rrëfen për njerëzit e veçantë, për veçoritë
dhe fatet e tyre. Nga këndej personazhi paraqet poashtu faktor të rëndësishëm
të analizës së veprave të shumta letrare. Nëse bëhet fjalë kryesisht për
veçoritë psikologjike të personazhit, i cili paraqitet në vepër, më shpesh
bëhet fjalë për nocionin karakter, për të cilin folëm më lart.
Ideja – luan rol të rëndësishëm në
analizën e veprës letrare. Ajo përdoret në dy kuptime themelore: ose është një
mendim themelor, i cili është i
pranishëm në vepër, respektivisht ndonjë qëndrim ndaj problemeve të caktuara,
të cilat mund të hetohen në veprën letrare, ose ajo është mendimi themelor i
veprës, thelbi i asaj për të cilën flitet në vepër, respektivisht mendimi
themelor i porosisë së tërësishme të cilën vepra ia ofron lexuesit. Pra, ideja
e veprës letrare mund të kuptohet edhe si një nga elementet strukturore të
veprës letrare. Qëndrimet të cilat i përfaqëson vepra, ose të cilat në njëfarë
mënyre janë të pranishme në vepër, mund dhe duhet të jenë faktor i rëndësishëm
i analizës, por edhe si element strukturor i cili në lidhje me të gjitha
elementet e tjera e bën veprën më pak ose më shumë të suksesshme. Po ta marrim
idenë si një element strukturor të veprës letrare, analiza e qëndrimeve ideore
e shumë veprave letrare mund të ketë rëndësi të jashtëzakonshme: mënyra me të
cilën vepra e veçantë arrin të futë në botën e mendimeve edhe ato elemente të
cilat përndryshe mbeten të fshehura për shqyrtimin filozofik ose shkencor,
ndikon shumë për ta kuptuar veprën edhe pasurojnë njohuritë tona mbi letërsinë.
Në analizën e veprës letrare, përveç
shtresave të saj kryesore si: tema, motivi, fabula, tregimtari, ideja, duhet të
merren parasysh edhe të ashtuquajturat raporte jashtëtekstore (analiza
filologjike, rrethanat e krijimit të një vepre letrare, tradita, relacioni i
një vepre me veprat e tjera të ngjashme, sistemi i gjinive dhe i llojeve
letrare të një kohe etj.).