2013-05-23

Bardha e Temalit është figura më tragjike e heroinave të dashurisë



    Nga Aristotel Mici

Pashko Vasa leu në Shkodër më 30 qershor të vitit 1825. I ati quhej Mhill Vasa dhe e ëma ishte Drande Gjegja. Fisi tij kishte prejardhjen nga Mirëdita. Të parët e Pashko Vasës qenë shpërngulur nga ajo krahinë dhe u vendosën në Shkodër, pikërisht në atë truall ku sot ndodhet Shtëpia – Muze e Pashko Vasës.

Nuk ka të dhëna për arsimin e tij. Po të gjithë studiuesit, që janë marrë me biografinë e Pashko Vasës, pohojnë se qysh në fëmijëri ka qenë i dhënë pas dijes dhe mësimit të gjuhëve të huaja, një autodidakt me dhunti të jashtëzakoshme, po që me siguri do ta ketë ndihmuar edhe ambjenti familjar, a po shoqëror i qytetarisë shkodrane.

Me zgjuarësinë e tij të rrallë arriti, me 1847, të zërë punë në Konsullatën e Anglisë në Shkodër. Në mjediset e kësaj konsullate ai pati mundësi të shtjellonte e të praktikonte edhe më shumë shprehitë e të folurit ne gjuhë të huaja si italisht, frëngjisht, anglisht, turqisht. Po atje, siç pohon studiuesi Daniel Gazuli,më 1848, Pashko Vasa “pati rastin të njihej me një grup atdhetarësh italianë, që të ndjekun nga qeveria e Burbonëve, kishin ardhur në Shkodër, e kishin gjetur strehë e mbështetje pikërisht në Konsullatën e Anglisë. Në bisedat me ta , sepse ai e njihtë italishten qysh atëherë dhe e u shërbente si përkthyes edhe anglezëve, iu forcua dhe iu ndez ma shumë zemra për idealet e lirisë kombëtare. Siç shkruante vetë, bashkë me ata mërgimtarë “ për hir të drejtësisë dhe për dashni ndaj Italisë”, po atë vit, pra më 1848, shkon vullnetar në Itali, me luftue krahas me venedikasit kundër austriakëve. Atje 23 vjeçari fiton me një herë besimin e respektin e bashkëluftëtarëve, sa arrin të bahet officer i Shtabit Madhor.1”



Idetë liridashëse të Pashko Vasës gjenden të shprehura prej tij në dy letrat që ai i pati dërguar nga Bolonja Nikolo Tomazeut2 në qershor të vitit 1848, kur ishte luftëtar me armë në dorë si oficer në luftën për lirinë e Venedikut. Po kur republika e këtij qyteti u mposht nga austriakët, ai u largua nga Italia. Në gusht të vitit 1849 u nis me rrugë detare nga Ankona dhe u vendos në Konstandinopol . Atje, në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, pasi kaloi shumë vështirësi jetese, arriti të futet në administratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë. Në Stamboll ai do të shquhej nga viti në vit si një patriot i flaktë dhe intelktual me ide të qarta per ardhmërinë e Shqipërisë.

Nga viti 1878 deri më 1882, Pashko Vasa krahas Abdyl Frashërit, u dallua si një nga personalitetet kryesore të “Komitetit të Stambollit” për mbrojtjen e Shqipërisë.. Në vitin 1879 ishte midis veprimtarëve më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip”. Po ne kete vi tai do te ishte bashkeautor për përpilimin dhe hartimin e “Alfabetares”.

Në Stamboll, krahas pjesëmarrjes me përkushtim për çështjet patriotike, Pashko Vasa do të kryente edhe një veprimtari të dukshme letrare, gjuhësore dhe historiko-dokumentare.





Nga pena e Pashko Vasës në gjuhën shqipe kemi të shkruar poezinë e famshme “Moj Shqypni, e mjera Shqypni”, e cila ishtë si një himn patriotk për kohën e Rilindjes dhe që u end si fletë volante ne vitin 1880 nga një vend me shqiptarë në tjetrin.. Shkrimi tjetër shqip është një artikull i vogël “Shqypnia dhe Shqyptarët” botuar tek “Alfabetarja” e Stambollit më 1879.

Ndërsa jeta letrare e Pashko Vasës kish filluar më 1850, me një prozë të gjatë autobiograsfike “Burgimi im” (La mia Prigionia) shkruar italisht dhe botuar në Konstandinopol nga “Tipografia di A. Domenichini”..Po ne italisht ai do të botonte më vonë, me 1873, një përmbledhje me poezi “Trëndafila dhe gjemba”(Rosse e Spine).

Pashko Vasa është autor edhe i dy librave të botuar frëngjisht të llojit historiko-dokumentar: “Bosnja dhe Hercegovina gjatë missionit të Xhevdet Efendiut”(Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi”, Constantinopole 1865 , dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë”{Esquisse historique sur le Montenegro d’ après les tradition de Albanie”, Constantinopole, 1872.

Pashko Vasa, si një rilindas patriot i orës së parë, brenda mundësive dhe rrethanve të kohës, botoi dhe shkrime të karakterit linguistik dhe didaktik për të ndihmuar në çështjen e shkrimit dhe të mësimit të gjuhës shqipe: “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (L’alphabet latin appliqué ala langue albanaise”), Constantinopole 1878.

Për qellime mësimore ai do të botonte edhe librin diturak “Gramatika shqipe për t’ u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e n jë mësuesi” (Grammaire albanaise a l’usage de ceux qui desirent apprendere cettte langue sans l’aide d’ un maitre”, London 1887.



Ndër kohë emri i Pashko Vasës do të bëhej më i njohur sidomos me një studim analititik “E Vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” (“La verite sur l’Albanie et les Albanais) botuar fillimisht frëngjisht më 1879. Po në frëngjisht ai do të botonte gjithashtu në Paris edhe romanin “Bardha e Temalit (Barda de Temal) me pseudonimin Albanus Albano në vitin 1890, pra dy vjet para se të vdiste në Liban, më 29 qershor1892.



*

* *



Po në qoftë se me studimin e tij ”E Vërteta mbi Shjqipërinë dhe Shqiptaret” Pashko Vasa u fliste lexuesve frankofon si publicist dhe analist, me romanin “Bardha e Temalit” , për mes tablove të gjalla të kësaj vepre, ai do t’u rrëfente atyre realitetin shqiptar si shkrimtar. Qëllimi i autorit ishte që t’u bënte të njohur të huajve të vërtetën për Atdheun e tij, në një kohë kur çështja shqiptare ishte sensibilizuar midis fuqive evropiane prej jehonës së Lidhjes së Prizrenit.

Romani “Bardha e Temalit” priti një shekull që t’i jepej publikut në gjuhën shqipe. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë e botoi atë me përkthimin e Sotir Cacit, duke e përfshirë në veprën seriale të Pashko Vasës më 1987; kurse Rilindja në Prishtinë e botoi liber më vete të përkthyër nga Ymer Jaka, më 1990.

Edhe pse “Bardha e Temalit” që botuar frëngjisht një qind e ca vjët më parë, edhe pse iu dha lexuesit me një shekull vonesë, si një nga romanet e parë të letërsisë sonë, ai ishte dhe mbetet një nga krijimet më interesante të traditës. Duke e analizuar këtë vepër të shkruar frëngjisht, Prof. M. Gurakuqi, me gjalljen e tij , theksonte se “ajo asht pjesë përbamëse e letërsisë sonë, ashtu si janë veprat në latinisht të Barletit dhe Bicikemit”3

Ky roman, ndër më të parët e llojit, dëshmonte se autorët e Rilindjes po ngriheshin dhe formoheshin nga ana e mjeshtërisë artistike dhe po nisnin, ashtu, edhe gjininë e prozës së gjatë. Romani “Bardha e Temalit” është një pasqyrë e gjallë e jetës shqiptare në shekullit të XIX. Me frymëzimin e tij pasionant autori ka pasqyruar skena të jashtëzakonshme familjare dhe sociale në ambjente tipike shqiptare, përmes një sfondi të theksuar romantik. Po në këtë roman nuk mungojnë edhe pamjet realiste si edhe situatat sentimentale me një dramacitet të ndjerë, që mund të shpjegohen me depërtimin në bodrumin e vetëdijës, pra në subkoshiencën e karaktereve.



Linja krysore e subjektit të veprës ka të bëjë me dashurinë fatkeqe të Bardhës, e cila është një vajzë e mire dhe e cilter e një shtepije tipike shkodrane. Këtë vashë ideale, të ndijëshme dhe delikate e ka martuar familja pa dashuri me bajraktarin e Temalit, duke u nisur nga fama e derës së madhe. Pas një viti martese, kjo nuse e re, e cila pat ardhur më të parë në familjen prindërore, takohet me një djalosh të pashëm, të sjellshëm, dhe shumë tërheqës, Aradin, i biri i Mhillit të Vlashajve. Pa e ditur dhe kuptuar, sakaq, Bardhës i lind një dashuri tronditëse. Ishte pasioni rrëmbyes i nuses së rë të martuar pa dashuri. Ishtë zgjimi i dashurisë së paprovuar.. Që nga ai çast në zemrën e saj femërore filloi një ndjenjë e papërmbajtur daslldisjeje. Për këtë gjendje emocionale të vashës vetë autori shkruan: “Të mos harrojmë se kjo ishte dashuria e saj e parë, dashuria e parë e një gruaje të martuar. Nga shkëndijimet e syvë të të dy të rinjve sikur qe krijuar një fushë magnetike që u vinte në rezonancë shpirtërat.

Me gjendjen erotike të Bardhës me Aradin Pashko Vasa shpreh edhe pikëpamjen e tij për anën sublime të dashurisë, pa të cilën jeta e njeriut do të ishte e zbrazët, e thatë dhe pa kuptim vazhdimësie.

Autori na rrëfen me naracionin e vetë se në zemrën e Bardhës nis një dramë, që shpjegohët me dilemën për të shkuar me Aradin, a po të ikte te Luli në Temal. Zemra e shtynte në krahët e dashurisë me Aradin, po mendja i kujtonte Lulin. Më Aradin e lidhte pasioni, me Lulin urrejtja reciprokë. Po me Aradin, tok me dashurinë e ndiqte “turpi”; kurse me Lulin, vinte “nderi”, nderi i nuses në derë të madhe.

Bardha, sa herë kujtonte Aradin, ndjente sikur e lëshonte zemra. Ajo e kuptonte se sa lart qëndronte ai i krahasuar me burrin e saj. Ajo e dinte se i shoqi nuk e donte. Po as ajo nuk e donte ,ose më mirë nuk e kishte dashur kurrë. Ku e ku Aradi i dhembshuruar në dashuri, para Lulit moskokëçarës. “Kujtimi i djaloshit i qe skalitur në zemër duke i lënë një nga ato përshtypjet e ëmbla, që i paraprijnë gjithmonë një simpatije të madhe . E mësuar me sjellje të vrazhda prej kapedani të të shoqit, sjellja e njerëzishme e Aradit kishte ngjallur në shpirtin e Bardhës mendime dhe ndjenja krejt të reja. Ajo bënte krahasime, që fatkeqësisht nuk ishin në favor të Lulit.” (f.51)4



Shumë prekëse është skena e rikthimit të Bardhës për tek burri i saj në kullën e Temalit. Në udhëtim e sipër ajo e quante veten si një viktimë që njerëzit e saj po çonin për flijim. E dinte se ishte e rrethuar nga njerëz që nuk e pëlqenin dhe kjo e trishtonte.

Parija e fisit në Temal nuk e kishte pritur mirë martesën e bajraktarit të tyre me një vajzë delikate nga qyteti. Zakonet e fisit e çmonin gruan për forcën e saj fizike, guximin dhe numrin e fëmijëve meshkuj që ajo i jepte të shoqit. Pikërisht për këtë pikëpamje nuk pëlqeheshin lidhjët martesore me vajza fushe. Prandaj për këtë arsy Bardhën nuk e shihnin dot me sy dhe e quanin si një të huaj, e cila u kishtë hyrë vjedhurazi në fis.

Burrat e përçmonin si një grua të pazonjën, aq më tëpër që brënda një viti martese nuk zuri dot fëmijë. Kursë shumë gra ia kishin zili pozitën, bukurine, dhe nveshjen elegante. Le të sjellim në mendje vëtëm fjalët e një plake të vrazhdë, e cila u thotë të tjeravë pas një ngjarjeje të përmortshme: “Që prej ditës që hyri në fisin tonë ajo mendjemadhe, vetëm kob e gjëmë na ka sjellë. E po kjo s` durohet. Një vajzë e fushës të na jetë përmbi vajzat e malësisë.”

Po më mizore nga të gjitha gratë konservatore është e ëma e Lulit. Ajo nuk e do dhe e urren Bardhën. Ajo nuk e do nusen e djalit para së gjithash, epse brenda vitit nuk lidhi fëmijë me të birin e saj. Por problemi ishte se Luli për arsye fetare nuk mund ta linte Bardhën, pra ta ndante, dhe të martohej me një tjetër. Ndër kohë, nëna e Lulit kishte menduar një zgjidhje gjakatare. Ajo vendosi ta vriste Bardhën me pisqollë natën, kur të ishte duke fjetur gjumë në shtrat.

E ëma e Lulit, si plak zemërgure, sapo ia doli që ta vriste nusen e djalit të saj fshehurisht, tek po flinte si engjëll , shfryjti me përbuzje për të: “E lava m e gjakun e saj gabimin e tim biri”.

Është pikërisht kjo plakë mizore, që do ta luaj pjesën në atë mënyrë që njerëzit të binden se Bardha kishte vrarë veten. Dhe ashtu, krijesa më e pafajshme në botë, Bardha e Temalit, u quajt vetëvrasëse, pra dhe mëkatare. Për këtë arsye vdekja e Bardhës është aq trondtëse. Ajo është më tragjikja nga të gjitha heroinat e dashurisë në lëtërsi.

Të gjithë malësorët e fisit e dinin se vetëvrasja është krim, që e përjashtonte fajtorin nga bashkësia e besimtarëve. Pak a shumë këtë do t`i thoshte at Leonardi , Anulit, i cili deshte ta varroste të kushurirën: “Ajo vrau veten, - i tha prifti. – Zoti që është burimi i të gjitha të mirave, duhet t’ia ketë falur mëkatet, mirëpo njerëzit dhe ligjet e tyre nuk falin, biri im. Unë nuk mund ta varros atë në tokën e shenjtë.”

Fati i zi kishte vendosur ta ndiqtë përtej vdekjes atë vashë krejt të pafajshme, që nuk arriti ta jetonte ngazëllimin magjik të dashurisë. Kështu , sipas dokeve e zakoneve të kohës në Shqipërinë e asaj kohe, Bardhën e Temalit e shikojmë të dënuar, jo vëtëm fizikisht me vdekje, po edhe shpirtërisht, me mosvarrim në vendin e përmortshëm. Këtë fat të zi nuk e kishin pasur asnjë nga heroinat e letërsisë në temën e dashurisë. Zhulieta e Romeos në Verona vërtet gjeti fundin tragjik nga dashuria e saj e pastër dhe e madhe për Romeon, po nuk u dënua mbas vdekjes. Përkundrazi, më vdekjen e saj ajo i dha një mësim shoqërisë veroneze, se si nuk duhej sjellë më me zëmrat e të dashururarëve.. As Desdemona, as Ofelia, në tragjëditë e Shekspirit, as Luiza Miler në dramën “Intrigë e Dashuri” të Shilerit, as Ana Karenina ë Tolstoit, të cilat dhanë shpirt si therore të dashurisë, nuk u ndëshkuan ashtu me mosvarrim pas vdekjes, siç e pësoi Bardha e Temalit.



Po Pashko Vasa nuk është se ka dashur të bënte ekzotikë dhe të fantazonte skena të pa ngjara dhe ireale. Jo. Për fundin tragjik të Bardhës së Temalt ai ka qënë i mbështetur edhe në episode e fakte reale nga jeta shqiptare, që i kanë shërbyer si “maja” konkrete në ngjizjen kompozicionale të romanit. Autori duhet të jëtë bazuar edhe tek një krim, që ka pas ngjarë në vitet ‘40 të shekullit të XIX. Lidhur me këtë detaj historik, Prof. V. Bala, duke bërë përqasjen e subjektit të romanit me ngjarjen e ndodhur dikur me të vërtetë, i parashtron lexuesit dy dëshmi dokumentare: “Bibë Doda, Kapidan Pasha i Mirëditës, qe martuar po nuk pat fëmijë. Po të ndahej, si katolik që ishte, nuk duhej të martohej përsëri. Por e ëma, princeshë, në mënyrën e saj, e rregulloi punën shpejt. Ajo mori një çifte dhe e vrau të renë. Dëshmi e dytë është ajo e studjuesit Degrand i cili, nga ana e tij, është shprehur “se Albanus Albano e ka shkruar romanin Bardha e Tëmalit për të treguar vdekjen e së shoqes së Bibë Dodës” (Nga parathënia e “Veprës Letrare” të P.V.).5

Për fatin kaq mizor të Bardhës janë fajtorë doket dhe zakonet prapanike të kohës, që e mbanin të ndrydhur e të shtypur personalitetin e të rejave shqiptare. Me Bardhën e Temalit Pashko Vasa kërkonte ndër më të parët mendimtarë të Rilindjes emancipimin e femrës shqiptare, të paktën të kishte të drejtën e dashurisë dhe të vendoste vetë për fatin e saj. “Nga idetë e shprehura në këtë roman del se çdo përparim shoqëror do të ishte iluzion pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gruas dhe pa ndrrimin e mentalitëtit primitivë të shoqërisë shqiptare” 6



Nyja lidhëse e ngjarjeve subjektore të romanit është takimi i parë i Aradit me Bardhën. Ky djalosh, në lulën e moshës , qysh në çastin kur iu dha rasti të shihtë Bardhën, ndjeu sikur iu muarr mendja. Buzëqeshja e Bardhës po i dukej hyjnore. Sytë e zinjë në formë bajameje, nën hijen e qerpikëve të gjatë, i lëshonin shkrepëtima, që do të ishe e vështirë t`ua duroje shkëlqimin verbus pa atë njomësinë e ëmbël e melankolike. (faqë 40). Nga pamja e vashës djaloshi po e ndjente veten krejt të tronditur. Edhe Aradi po provonte ashtu papritmas ngazëllimin e madhë që të jepte tundimi i dashurisë së parë. Ai kishtë rënë në dashuri pa e ditur as vetë. Aradi nga dita në ditë u dha aq shumë pas Bardhës, sa një ditë i tha shokut të tij të ngushtë:

“Siç e sheh,Anul, unë jam dehur e po flas përçart, si i rënë në një lloj kllapije që po më turbullon mendjën”. (f.. 75)

Po më gjithë tërheqjen magnetike të kësaj simpatie midis dy të rinjve, kjo dashuri mbetet fluide si një idil platonik; lexuesi nuk i sheh ata që ta realizojnë atë dashuri trallisëse që i ka magjepsur… Vetë autori përpiqet ta sqarojë këtë anë intime të personazheve me idenë se “pasioni i Aradit nuk ishte një nga ato ndjenjat e ulta e të rëndomta që shuhen si flakë kashet me të kënaqur epshin fizik, po ishte një dashuri e pastër e pafund”. Pra edhe pse i pushtuar prej dashurisë së zjarrtë për Bardhën, Aradi nuk shtyhet nga ngasja e posedimit për vashën që admiron.

Aradi bije në sy gjatë leximit të romanit për një kulturë e arsimim të ngritur, për një mënyrë të foluri të hijëshëm e plot nderim. Tok me Aradin lexuesi shikon me nënkuptim edhe vetë e autoportretin e autorit. Aradi, ashtu si Pashko Vasa, është i etur për dituri. Ai ka lexuar si autodidakt shkrimtarë të njohur si Arioston, Tasson, Ovidin e Viktor Hygoin. Aradi gjykon dhe komenton një lloj si autori.



Drama lirike e romanit mbështetet tek konflikti shoqëror midis të rinjve të kohës, të cilët kërkojnë dashurinë e tyre të vërtetë nga njëra anë dhe njerëzve konservatorë dhe fanatikë nga ana tjetër. Me brezin e ri, që ëndërron për një jëtë të çliruar nga doket dhe zakonet kanunore, janë Bardha, Aradi, Drandja, Anuli, ndërsa prfaqësues të konservatorizmit më regresiv janë Liuli dhe e ëma e tij.

Po vend të veçantë midis dy anëvë të konfliktit zë Mhilli i Vlashajve. Ai ështe dhënë në roman si një figurë kontradiktore. Nga një anë e shohim atë si një qytetar shkodran të ndershëm dhe patriot, që e urren sundimin turk . Ai jo vetëm mban lidhje me malësorët kryengritës, po edhe përpiqet t`i ndihmojë ata. Kurse në jëtën familjare ai nuk i bën lëshim të resë, nuk është aspak tolerant, gjë që e bën karakterin e tij kompleks e të trazuar sidomos lidhur me konceptin e nderit dhe të ndjenjave lirike të të rinjve. Ai u tmerrua kur pa se pas drurëve të kopshtit, një djalë puthi vajzën e tij , Dranden. Me prapanizmin e vetë lidhur me mendimin për dashurinë, dhe “nderin” ai bëhett shkak për tragjedinë e dhimbshme të të bijës.

Po për jëtën sociale të Mhillit te Vlashajve autori shkruan me admirim fjalë aq të mira për të. Ai del në vëpër si një burrë fisnik nga derë e pasur, njeri me shpirt të gjërë, i gjendshëm për t`iu ndodhur pranë njerzëvë të vuajtur. I gatshëm ta shoqërojë fjalën me sjelljen dhe veprimin e tij, për të zgjidhur probleme të vështira për jetën e njerzëve. Kështu e shikojmë atë, fjala vjen, kur dy malësorë të fisit të Shllakut i erdhën në shtëpi. Mhilli i priti ata me nderim si miq në dhomën e vetë. “Këmi ardhur, – i thanë ata,- t` ju lutemi të shkoni te Pashai dhe të nxirrni lejën që t`i marrim dy të vdëkurit tanë nga sheshi i pazarit. Mjaft që na i vrau pa të drejtë, po tani të na kthejnë së paku trupat e tyrë.”

Dhe Mhilli nuk e zgjati. Ju gjend me një herë atyre për ndihmën e kërkuar.. Sakaq shkon tek sundimtari i Shkodrës, Osman Pasha, dhe, me ryshfetin e dhënë, ndërmjetësoi për kërkesën e malësorëve nga fisi i Shllakut.

Atëherë Osman Pasha, pasi mori 5000 piastra, e ndrroi vëndimin për mos lejimin e varrimit.

Ndër kohë Mhilli kthehet në shtëpi i lehtësuar, pse u plotësoi kërkësën malësorëve, po i revoltuar dhe i brengosur nga korrupsioni shtetëror.. Fjalët e tij kundër korrupsionit qeveritar kanë një tingëllim aktual edhe tani për çdo vënd, ku njerëzit nuk janë të barabart para ligjit dhe të korruptuarit nuk dënohen: ”Me para, – thot ai, – mund të arrish gjithçka, drejtësi, favore, mosdënime. Dhe pikërisht njerëz të tillë na qeverisin. Ca maskarenjve të këtij kallëpi iu është besuar Shjqipëria.” (f. 72).



Figurë negative dhe e e padëshiruar del për lexuesin e romanit Luli i Temalit, i shoqi i Bardhës. Edhe pse moshë e re, ai duket krejt i papëlqyeshëm si karakter. Me sjelljen e një “kapedani”, bajraktar kokorosh, ai deshte t’u tërhiqte vëmendjen njerzëvë të fisit, që edhe pse burrë malësije, nuk e kishte për gjë të merrte një vajzë nga fusha, a po nga Shkodra, duke shkelur kështu me këtë “proçkë” zakonet e të parëve..

Vërejtjet që do t’i bënin më vonë, një vit pas martese, tre pleq të fisit, do ta bindnin Lulin për veprimin e nxituar që vajti e zgjodhi për të vënë kurorë me një vajzë nga Shkodra. “Nuk duhej të kishja shkelur zakonet e vëndit, nuk duhej të isha martuar me këtë grua, për shkak të së cilës nuk po më duan të mitë…Sigurisht që kam bërë një marrëzi të madhe.” (f.50)

Nga këto fjalë të Lulit marrim vesh se sa konservator dhe sa i prapambetur paraqitet ai në jëtën familjare. Janë këto pikëpamje që e bëjnë atë të tregohet mospërfillës për Bardhën, të mos i rrijë afër dhe të mos i shpreh asnjë farë dashurije; dhe, për më keq, të mos i dalë kurrë në mbrojtje në situatat e vështira që krijonte ambjenti prapanik fisnor.

Po negativiteti i Lulit bie më shumë në sy në lidhjet e tij me orintimin që ka brenda jetës së fisit. Ai është përkrahës i flakët i praktikës së gjakmarrjes si edhe i konflikteve ndërfsinore, ose i luftrave për t’i shërbyer sulltanit turk. Me logjikën e një despoti të vogël, Luli i shkon për ndihmë Ismet Pshës së Pejës. Me malësorët e tij të armatosur ai sulet kundër fiseve të Gashit dhë të Mërturit, që ishin ngritur kundër sundimtarit turk. Dhe përfundimi qe tragjik, tridhjetë të vrarë dhe dyzetë e dy të plagosur ndër tre qind veta që bajraktari kishte marrë me vete. Me gjithë këtë humbje, Luli këmbëngulte për vazhdimin e luftës vllavrasëse.

Kështu me kokëfortësinë e tij, bajraktari i Temalit i solli fisit gjithë atë mynxyrë.

“Flijoi njerëzit e vëtë për t’ i shërbyer një të huaji që nuk na do”, – u thotë me të drejtë At Leonardi ca të plagosurve, të cilëve u kishtë vajtur pranë për shërbim shpirtëror.(f.196)

Qendrimi ideoemocional i autorit është kundër këtij despoti egoist në familje, i cili paraqitet edhe një tiran, zëmërgur në fis, që po ju shkaktonte malësorëvë trima e të vuajtur gjakderdhje të kotë, mjerim dhë fatkeqëi në jetën e tyre.

Nga episodi i bashkëbisedimit midis malësorëve të plagosur, të cilët po ktheheshin për në shtëpi, marrim vesh se pakënaqësia për bajraktarin dhe pashallarët ishte duke u përhapur dhe shpirti revoltues po zgjohej. Për vërtetësi të këtij mendimi le të sjellim si shëmbull fjalët e njerit prej malësorëve të plagosur, Geros, i cili i mërzitur ankohet ndaj bajraktarit dhe pashallarëve: Ata na shtien të vritemi, të vuajmë, e pastaj si shpërblim na përzënë si qen” (f. 195). Po në atë moment një i plagosur tjëtër do të shtojë me ton protestues dhe të vendosur: “Po kjo do të jetë hera e fundit”.

Duke vënë re dialogun midis malësorëve të plagosur, kuptojmë se Pashko Vasa shpirtin e revoltës kundër sundimit turk e gjen në radhë të parë te njerëzit e thjeshtë, dhe jo te bajraktarët dhe bejlerët, që bëheshin vegla të pashait turk. Të pakënaqur dhe të revoltuar ndaj sundimtarit turk janë si malësorët e Gashit dhe te Mërturit, si edhe ata të Shllakut dhe të Temalit. Vetëm se revoltat e veçuara nuk ka se kush t’i bashkojë, t’i udhëheqë edhe t’i ngrerë në një front të vetëm në luftën për liri kombëtare. I vetmi intelektual që mund t’i zgjojë malësorët dhe t’i bashkojë me idenë kryengritëse do të ishte At Leonardi. Po fatkeqësisht ai vetëm sa konstanton ndonjë anë negative të bajraktarëve, po nuk ka as guximin as predispozitën që t’i organizojë dhe t’i çojë masat e malësorëve kundër sunduesit turk dhe mbështetsëve të tij.

Personazhi më negativ dhe më i urryer në roman është Osman Pasha, kryeqeveritari i Shkodrës. Ai është përshkruar si një despot i egër, që dominon gjithçka për jetën e banorëve të qytetit dhe të trevave rreth tij. Osman Pasha është një tiran mizor, që vepron në mënyrën më autoritare, pa u mbështetur në asnjë lloj ligji. Ai sillet në atë mënyrë se Shqipërisë nën sundimit turk i mungonte kushtëtuta e një vendi që duhej të qeverisej normalisht me rregulla dhe ligje.

Osman Pasha, për t’ i sunduar më mirë shqiptarët, nxiste midis tyre dasitë fetare. Kështu bën ai kur thërret në zyrën e tij Mhillin e Vlashajve dhe e kërcënon, duke i thënë:

-“Dua të më dorëzosh tët bir; ai ka plagosur një musliman dhë duhet të dënohet.”

Pra është e qartë mbrapështija e pashajit. Ai nuk do të dijë për shkakun e plagosjës, ndër kohë që i del në mbrojtje një tjetri vetëm pse ai ishte musliman.

Ndërsa Mhilli i Vlashajve, pa e vrarë mëndjen për dinakrinë përçarëse të pashajit, ia kthen atij, dukë i thënë se “im bir nuk është në shtëpi, po edhe sikur të ishte , nuk do të isha unë që ta dorëzoja.”

Tek dëgjon ato fjalë, Osman Pasha nuk e mban veten dhe shfryjti me ashpërsi.

“Kryelartësi ! Mendje – madhësi shqiptare ! Roja! Futeni këtë njëri në burg..”

Po Mhilli I Vlashajve, krenar, jo vetëm nuk u step, poi ia ktheu Pashajit.

-“Kjo është e pa drejtë, Shkëlqesë, është kundra ligjit kjo që po urdhëroni”

Atëherë, Osman Pasha, i sigurt në vëprimet e tij dhe me arrogancë si turkoshak, bërtiti përsëri:

“Ligji! Unë jam ligji. Unë jam përfaqësuesi i Sulltanit këtu. Në burg rebelin”



Do të jetë po ky Osman Pasha që do t’i përdor si mish për top shqiptarët, duke i marrë ndën armë e t’i shpjerë në luftë me fqinjët. Nga kjo politikë e tij luftëdashëse shkaktohet edhe një tjetër tragjëdi në roman. Vrasja e Jak Kolës, të cilin do ta ekzekutojnë, duke i prerë kokën me spatë.

Dhe pse ia dhanë këtë dënim Jak Kolës?….. E vranë në këtë mënyrë, sepse ai edhe një shok i tij i qenë shmangur vajtjes në luftë kundër Malit të Zi. Episodi i vrasjes në mënyrën më barbare i Jak Kolës shenon një nga skenat më tronditëse të romanit. Ngjarja është dhënë me shumë realizëm, në mënyrë bindëse, me një gjendje të ngritur emocionale edhe me një stil të figurshëm, që të rrëmben. Me një fjalë është një tablo e gjallë dramatike, e denjë për t’u futurë në çdo antologji, të luhet në çdo skenë teatri dhe të filmohet nga kineastët për ekranin e madh dhe të vogël.





Ardhja e nënës së Jakut,Gjëlës edhe e gruas së tij, Davës në kohën para ekzekutimit të heroit të romanit, është një pamje aq prekëse, sa të ngjeth misht, po edhe të lartson moralisht, siç ndodh në dramat e tragjedive antike. Autori i përshkruan ato dy gra si amazona të regjura më vrasje të përgjakura.

Nuk ka moment më solemn, se sa të shohësh Davën, tek hyn në vëndin, ku po vuante i plagosur orët e fundit i shoqi saj, Jaku: “Ajo shkoi tek i shoqi. Iu afrua pranë në heshtje, u gjunjëzua, mori dorën e tij të larë me gjak, ia ngriti pak sa dhe e puthi me një puthje të gjatë. Ajo vuri në atë puthje gjithë shpirtin dhe zemrën e saj, gjithë shpresat e së ardhmes që ajo po i varroste për gjithmonë. Prej ketij çasti ajo nuk i përkiste më askujt.”

Po kështu dhe fjalët e Jak Kolës kushtuar nënës dhë Davës, të thëna me një tingëllim epik si në rrëfimet e lashta, të lënë mbresa të pashlyeshme me përkushtimin për fëmijët, familjen edhe atdheun. S’ ka pamje më të dhimbshme se sa të dëgjosh një person si Jak Kola, të plagosur rëndë, që nga çasti në çast pret xhelatin t’i presë kokën me spatë, t’i japë kurajë gruas dhë t’i lërë porosi për fëmijët: “Qendro si burrënesh, oj Dava ime; ti e dije së unë do të vdisja një ditë. E ja pra tek erdhi ora. Po të lë dy fëmijë, dy djem të buklur. Folu shpesh për mua. Mësoi ta duan këtë atdhe të shtrenjtë, që është aq fatkeq, thuaju se kam vdekur si trim.”

Po, siç shikojmë në leximin e këtij episodi, Dava ishte e kursyer në fjalë. Ajo sikur fliste me atë mënyrë me heshtjen e saj para trupit të gjakosur të Jakut. “Ajo uli kokën pa iu përgjegjur, po nuk qau, sepse burimi i lotëvë të saj ishtë shterur. Dukej ashtu si një Niobë e rë.”7(f.63)

Pra fati tragjik i Jak Kolës dhe i familjes së tij shpreh e nënkupton fatin e tërë një kombi nën robërinë turke. Jak Kola nga Shllaku, e shoqja, Dava, nëna e tij Gjela, formojnë një trinom të veçantë në faqet e letërsisë shqiptare, ku përzihet dashuria për familjen dhe atdheun nga njëra ana , dhe në anën tjetër, qënia e tyre si viktima të Osman Pashës, Shaban Beut, dhe Hasan Agë Hotit, të cilët përfaqësojnë shtypjen e dhunshme të sundimit turk.



Pashko Vasa në mënyrë të qartë stigmatizon në romanin “Bardha e Temalit” zakonin e gjakmarrjes si një dukuri fatale, që po firaste gjat kohës energjitë kombëtare.. Malësorët ishin të këcënuar nga ky gjykim mizor. “Secili prej tyre e ndjente në ndërgjegjen e vetë se kishte borxhë një gjak”.

Mungesa e ligjislcionit dhe e institucioneve juridike bëhej shkak për vetëgjyqësi. Ishte koha kur çdo problem zgjidhej me plumb; për një fyerje derdhej gjak. Për mosmarrëveshje nga më të ndrysmet merrte fill gjakmarrja si një veprim i rëndomtë.

Pasojat e kobshme të kësaj praktike, që sillte mynxyrë në familjet e shqiptarëve janë mishëruar në personin e nënës, së cilës iu vra djali në Shkodër, në oborrin e shtëpisë së Bardhës, për një llaf gojë, për një sharjë në një bisëdë në kalim e sipër. Kur kjo nënë mori vesh gjëmën, klithi: “Ku ku e zeza unë, që s’ kam djalë tjetër për t’i marrë gjakun.”

Po pa pritur, çuditërisht, ajo u qetësua sa pak, kur i thanë se i biri e kishte vrarë vëtë kundërshtarin me dorën e tij.Dhe, si e ngushëlluar nga ky lajmë, ajo shpreh dëshpërimin e saj të thellë me një ton ku ndihet tok me pikëllimin edhe psikologjia e gjakmarrjes në zemrën e përvëluar të nënës së mjerë të mbetur kërcure:

-“Zoti qoftë i lavduar! Humba djalin e fundit,…..po të paktën nuk do të thonë se nuk i është marrë gjaku. Gjak për gjak – vdekje për vdekje !”.

Pastaj ajo vuri kujën dhe zuri të vajtonte dhe të thërriste me emër të tre djemtë që kishte humbur njërin pas tjetrit.

Autori, ndërsa pasqyron përmes detajesh konkretë varrimin e djaloshit të vrarë, jep dhe atmosferën e ankthit të gjakmarrjes tek të gjithë njerëzit e fisit. Gratë si në koret e tragjedive antike mblidhen në formë gjysëm rrethi para trupit të të vrarit dhë vajtojnë me ligjërimet epike si në legjenda. Të njëjtin ritual bëjnë burrat e armatosur sipas natyrës së tyre trimërore.

Me të mbaruar lutja për të vrarin “De Profundis”, mbyllet varrimi dhe të gjithë drejtohen për të ngrënë drekën e përmortshme. Autori gjen rast për t’i përshkruar malësorët si trima të cilëve s’u trëmbet syri para vdekjes, po që jetojnë në një varfëri të tejskajshme. Rrëfehet në roman se si kur njerëzit e funeralit shkojnë në shtëpinë,.ku ishte shtruar dreka e përzishme, “ të gjithë u ulën përdhe, përveç bajraktarit dhe priftit që kishin nga një postiqe”. Kështu përms shumë episodesh realiste Pashko Vasa ka dëshmuar dhe ka kritikuar ashpër doket dhe zakonet e vjetëruara si gjakmarrjen, shpërfilljen e përsonalitetit të vajzave dhe të grave, dasitë fetare si dhe dallimet e përçmimet krahinore.



Gjuha e Pashko Vasës në romanin ‘Bardha e Tëmalit” bie në sy për fjalë të figuirshme dhe me ngarkesë emocionale. Fjala vjen për të dhënë gjendjen e lënduar shpitërore të heroinës së veprës, autori shkruan ”Bardha dukej si një engjëll që prehej në një shtrat prej resh” ( f.119). Kurse në një rast tjetër shkruan për të:”…shpresa depërtoi si një rreze qiellore në shpirtin e saj dhe bëri të lindnin dy ëndërrime të ëmbla”.

Sado që vepra është shkruar frëngjisht, autori ka bërë kujdes që të na jap personazhet të individualizuar edhe nga ana gjuhësore; gjë që duket më mirë sidomos te e folura e pleqëve të Temalit dhe te figurat e grave malësore, a po tek dialogu i Jak Kolës me nënën dhe gruan e tij. Kurse me protagonistët positivë të romanit Pashko Vasa duket sikur nuk tregon shumë vëmendje për individualizimin e tyre edhe nga ana gjuhësore. Për këtë arsye e folura e Aradit dhe e Anulit nuk kanë ndryshim a po “distancim” nga ajo e autorit. Po a duhet ta marrim për mangësi artistike këtë dukuri në procesin krijues të shkrimtarit ? siç është komentuar… Për të ndriçuar këtë çështje duhet të kemi para sysh se Pashko Vasa ishte i ndikuar kryesisht nga romantizmi siç ishin edhe autorë të tjerë të Rilindjes sonë. Dhe dihet se karakteristika kryesore e kësaj metode krijuese ishte sujbjektivizmi, me anën e të cilit autori shprehte vetëvehten nëpërmjet heroit kryesor. Shëmbulli më i qëlluar për këtë mënyrë të shkruari është Chaild Haroldi i G. Bajronit, me anë të të cilit shikojmë se heroi i veprës njësohet me vëtë autorin., pra bëhet alter ego i poetit. Kjo praktikë kreative e njësimit të autorit me heroin e veprës duhet parë edhe në rastin e romanit “Bardha e Temalit”, ku Aradi shpesh herë shpreh pikëpamje të vetë shkrimtarit. Pra, për analogji, mungesa e dallimit gjuhësor në të folurin e autorit me atë të protagonistit del si shprehje e metodës së romantizmit se sa si magësi e mjeshtërisë artistike.

Ekspozicioni, a po treva ku zhvillohen ngjarjet e subjektit të veprës, bëhet i dukshëm nga toponomastika e romanit. Dy janë epiqendrat e skenave vepruese, Shkodra dhe Kulla e Temalit. Kurse midis tyre e për rreth shikojmë emra vendesh si Lagjja e Tabakëve, Fusha e Rrmajit, Arra e Madhe në Perash, Bregu i Kirit, Bërdica, Shllaku, Temali, Shoshi, Gashi , Mërturi dhe më tutje Peja. Pra ajo krahinë e Shqipërisë së Veriut, që do t’i tërhiqte vemëndjen dhe do ta frymëzonte studiusen angleze, Edith Durham, për të shkruar, pak vjet më vonë, librin e saj “High Albania”. Në këto mjedise konkrete Pashko Vasa jep si të gdhëndura në gur karaktere të gjalla me zakonet dhe doket e tyre, brenda psikologjisë kombëtare të kohës, ku ruhej rregullimi fisnor dhe tradita e lashtë tok me zakone të vjetra.

Në kapitujt e romanit pasqyrohen kështu karaktere tipikë si produkt i një kohe të caktuar dhe i një vendi konkret shqiptar, që autori e ka dhënë besnikërisht si një njohës i gjithanshëm i jetës së vëndit të vetë. Sado larg vendlindjes, edhe sado që veprën e shkroi frëngjisht, Pashko Vasa , gjat porocesit të krijimit, s’ ka qendruar pa menduar edhe shqip. Le të kujtojmë për këtë rast një detaj të faqes 143, ku në original është shkruar ne gjuhen shqipe tog fjalshi “syni i keq”, i shpjeguar pastaj me fjalë frëngjisht.

Duke qenë se “Bardha e Temalit” është një nga dy romanet e pare të letërsisë shqiptare , Pashko Vasa del si një nga nismëtarët e prozës së gjatë. Mungesa e përvojës në llojin letrar nuk e pengoi atë të na jepte një vepër të ngjizur e të kompletuar jo vetëm nga ana ideore, po edhe nga ana e realizimit aristik. Së pari këtë e dëshmon kompzicioni i thurur me mjeshtëri, ku subjekti letrar vendosët në një ekspozicion konkret; nyja a po pika e lidhjes për ngjarjen është gjetur natyrshëm. Zhvillimi i veprimeve përshkruhet me dramacitët në ngjitje, duke mbrrijtur kulminacinin e aksionit si pjesë e subjektit. Dhe, më së fundi zgjidhja tragjike e konfliktit duket si rrjedhojë fatale brenda logjikës së projektimit të romanit.

Këto përcaktime lidhur me procesin e krijimit letrar flasin për mjeshtërinë artistike të autorit, i cili, me talentin e tij në gjininë e naracionit, na ka lënë një vepër shumë interesante në traditën tonë letrare të Rilindjes Kombëtare. Romani “Bardha e Temalit” për mesazhin patriotik dhe idetë shoqërore, që përçon si edhe për realizimin artistik, duhet propaganduar dhe reklamuar siç i takon për t’u njohur sa më shumë nga masa ë lexuesve si brenda territorit të Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe jashtë kufijvejve shtetërorë, ku jeton një pjesë aq e madhe e kombit shqiptar. Me këtë rast le të shpresojmë se shtëpitë botuese do t’ i kthejnë sytë edhe nga romani tërheqës “Bardha e Temalit”. Subjekti i këtij romani duhet të tërheq edhe vëmendjen e dramturgëve si dhe të kineastëve, për të krijuar një vepër skenike ose filmike përmes tablove romantike dhe detajeve realiste , të pikturuara me një atmosferë epike dhe të përziera me një lirizëm erotik delikat, për t’i bërë jehonë, kështu, kohës së Rilindjes dhe ideve patriotike e liridashëse të Pashko Vasë Shkodranit





1 Nga Daniel Gazuli ;”Pahko Vasa, per dje, per sot, per neser”

2 Niccolo Tomaseo(1802-1874): Personalitet i kulturës italiane; qe dhe linguist italiano-dalmatian, dijetar, poet, esseist, enciklopedist, mik i J.de Radës dhe i Dora d’Istrias; përkrahës i Republikës së Venetikut me 1848. Pas dështimit të kjësaj Republike qe i detyruar të largohej jashtë Italisë.

3 M. Gurakuqi: “Iete patriotike e shoqerore te Pashko Vases te romani Bardha e Temalit”, Nëntori nr.6, 1967, f.119

4 I kujtojme lexuesit se gjithe citimet romanit “Bardha e Temalit” jane marre nga Vepra Letrare vol . 2, e PashkoVases, botim i Shtepise Botuese “Naim Frasheri”, Tirane, 1987.

5 Botimi i vitit 1987, Tirane.

6 Y. Jaka, nga “Parathenia” e romanit “Bardha e Temalit”, botimet “Rilindja” , Prishtine, 1990.

7 Niobe ishte vajza e Tantalit, mbret në një krahinë të Lidias; ajo qe martuar me mbretin e Tebes. Nioba pati fatkeqësinë e tmerrshme se i vdiqën gjithë fëmijët. Nga pikëllimi iu thanë lotët dhe dalëngadalë u nguros e u bë shkëmb; njihet si një nga figurat femërore më tragjike të mithologjisë.

Nga Hafir Hoxha-UÇK-FARK

Hafir Hoxha

Hafir Hoxha


Si kuptohen dhe trajtohen këto dy elemente tek qytetaret tanë dhe pse nuk i sqarojnë gjerat personat kompetent për këtë çështje ! ? Lëvizjet për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare kurrë nuk jenë ndalë . Ka pasur momente apo periudha kohore kur ato kanë qënë më pasive e ndonjëherë më aktive , të gjithë ata njerëz shekuj me radhe që kanë punuar dhe kanë bërë rezistence të llojllojshme ndaj okupatorëve të vendit dhe kombit tonë janë meritore dhe i kanë pri punës që më në fund vitin 1998 të fillojë lufta e armatosur kundër okupatorit Serb në Kosovë.



Pasi 56 shtete neutrale ( kryesisht shtete Afrikane , Arabe dhe Aziatike) e që atyre u printe kryetari i ish Jugosllavisë Josip Broz Tito , ishin jo të përshtatshme dhe nuk u konvenonte aleancës së NATO-s që ato të jenë si një pakt dhe të zhvillohen në aspektin gjeostrategjik, jashtë kontrollit të tyre. Ato shtete kishin udhëheqës kryesisht diktatorë dhe në to nuk funksiononte demokracia. Pikërisht për këtë u investua dhe u bë strategjia për shpërbërjen e tyre . Ato që ishin me sistem socialistë komunistë organizuan dhe realizuan revolucionet e tyre demokratike të brendshme aty ku u dobësuan pozitat e diktatoreve të tyre , ne disa u dashtë edhe të luftohet dhe të intervenohet me forca të NATO-s siç ishte Jugosllavia, Libia, Iraku, Afganistani dhe ne disa shtete të vogla Afrikane dhe ky proces ende vazhdon edhe sot ne Siri, Iran dhe shtete të tjera . Jugosllavia ishte mjaftë e fuqishme dhe specifike, sepse brenda saj kishte shumë interesa dhe për ta shkatërruar u deshtë që patjetër të bëhet luftë e brendshme, të lokalizohet lufta mes republikave Jugosllave dhe mos të zgjerohet konflikti ne rajon. Kjo u arrit me përgatitje të mire të Amerikës dhe aleatëve të saj , për disa gjera edhe jashtë vullnetit dhe dëshirës së Unionit Evropian!

Në vitin 1991 filloi lufta ne Slloveni. Unë dezertova nga armata Jugosllave si eprori i parë dhe ju bashkangjita ushtris Sllovene me tër njësitin tim dhe më 29.06.1991 dhe pas tri dite u bënë 250 ushjtare shqiptarë që dezertuan nga armata Jugosllave dhe ne dëshironim te fillojmë luftën ne Kosovë por kishte qen stratqgji e gabuar . Une pasi u kyqa si epror i rregullt i armates Sllovene si komandant bataljoni bllokova dhe qlirova 6 karakolla kufitare me ishtarët e mij qe une i kisha strërvite dhe ne tavane të dy karakollave gjeta nga 5 ushtarë Shqiptare te lidhur per shtylla dhe gojen mbyllur të cilit kishin tentue te dezertojnë nga APJ por ishin kapur nga eproret e dhe ushtaret kolegv te tyre . Ne, shqiptarët, ishim të parët që e dëshironim dhe ia bënim hyzmetin shkatërrimit të Jugosllavisë. Mirëpo, Amerikanët e kishin variantin e tyre me të arsyeshëm dhe dallonte nga i yni .


Me ndihmën e diasporës sllovene , kroate, shqiptare dhe atë të Serbisë punuan shumë që të fusin konflikt ndërnacional dhe të fillojë lufta brenda Jugosllavisë ku secilit nga këta të lartpërmendur u kishte premtuar shtetësi , demokraci dhe pavarësi Amerika. Kjo edhe u arrit; fillimisht u pavarësua Sllovenia, pastaj Kroacia , luftë me e gjatë ishte në Bosnje, pastaj Maqedonia u nda si tampon zone me qëllime të caktuara të NATOS . Shume armatim dhe teknologji ushtarake u koncentrua ne Serbi , edhe asaj me vonë ia ndanë Malin e Zi që mos të këtë qasje ne detin Adriatik. NATO deri më tani nuk pati dëshirë as nevojë të intervenojë, sepse si desert e kishte Serbinë e cila ishte më e padëgjueshme dhe kërcënonte fqinjët , dhe për këtë kishte mbështetje nga Rusia. Për ta përgatitur edhe intervenimin ne Kosove dhe Serbi u duhej të bëhen përgatitje të gjata dhe diplomatike në aspektin gjeostrategjik dhe politik nderkombëtarë.
Ne shqiptarët e Kosovës, duhej të prisnim radhën, gjatë tërë kohës sa zgjatën luftërat në republikat tjera të Jugosllavisë nga viti 1991 -1997. Pra duhej të qëndronim të qetë, të durueshëm dhe t’i përcjellim polikat paqësore të Ibrahim Rugovës dhe Lëvizjes kombëtare të LDK e që ishin të sinkronizuara me Amerikën. Kur erdhi koha dhe u pjekën kushtet për t’i shkatërruar përfundimisht edhe strukturat e fundit të Jugosllavisë që ishin akumuluar ne Serbi, filloi skenari ynë mirë i përgatitur me aleatët tanë.


Së pari për të pas hapësirë manovrimi dhe për të bërë një udhë e dy punë , në vitin 1997 u demobilizua Ushtria Shqiptare që ishjte e stërngarkuar me njerez dhe ende system komuniste te subordinimit në te , pastaj ministria e Mbrojtjes dhe e Punëve të Brendshme, në Shqipëri u krijua situate “ jashtë kontrollit “por gjithnjë nën kontrollin amerikan që mos të dilte konflikti jashtë vendit dhe kornizave të përcaktuara paraprakisht.
Ne Kosovarët, tani kishim mundësi dhe hapësirë të mjaftueshme për mobilizim , manovrim, stërvitje, dhe luftime në hapësirat “jashtë kontrollit të shtetit Shqiptar” , sepse Shqipëria kishte telashe të brendshme ! . Prandaj nuk mund t’i kontrollonte lëvizjet tona , nuk ushtronte kontroll ne tërë sipërfaqen e shtetit dhe ne kishim të gjitha mundësitë gjeostrategjike dhe politike që ta fillojmë luftën edhe me tërë seriozitetin që kërkon lufta.


Gjatë tërë kësaj kohe bërthamat e UÇK ishin aktive në Kosovë, vepronin dhe kryenin detyra operative, kurse politika legjitime e qeverisë në egzil proklamonte luftën paqësore dhe zgjidhjen e problemit në formë me të butë. Me këtë formë qeveria fitonte simpati diplomatike te shumë vende. Kombinimi i politikes paqësore dhe lëvizjes për luftë ishin “pa dashje“ mirë të sinkronizuara dhe të dyja jepnin rezultate të mira në teren dhe në politiken vendore, rajonale dhe ndërkombëtare .
Kur në Kosovë hyri sasi e mjaftueshme e armatimit dhe teknikës luftarake, kur u siguruan pajisje të mira të logjistikës nga Perëndim dhe Shqipëria për ta mbështetur luftën , ateherë Komandanti legjendar, Adem Jashari nga ana e tij e filloi luftën. Dr. Ibrahim Rugova me kanalet e famshme largoi dhe strehoi popullatën në derë të shtëpisë, në Maqedoni dhe Shqipëri dhe opinioni botëror u informua mirë se Serbia tani së fundi edhe në Kosovë po zhvillon terror dhe masakër sikurse ne Bosnje dhe në republikat tjera , bën pastrim etnik dhe se duhet të dënohej me intervenim të NATO-s.



Nga këndvështrimi gjeopolitik, të gjitha arsyet dhe mundësit ishin ne favor të intervenimit dhe NATO intervenoni dhe zhduk pikat e fundit të shpirtit Jugosllav ne Serbi. UÇK-ja ishte strukturë ilegale një kohë të gjatë në Kosovë. Pas vitit 1997, në Shqipëri liderët e saj kishin mbështetje nga liderët e Shqipërisë sepse e dinin detyrën që do ta ketë UCK-ja. Disa liderë dhe aktivist që nuk ishin të kyçur ne strukturat e UCK-së e që i përkisnin lëvizjes se LDK-se dhe qeveris ne egzil pasi filloi lufta menduan dhe tentuan t’i ngjallin institucionet që ato ta bëjnë dhe zhvillojnë luftën e UCK-së. Kjo formë nuk i shkonte në favor politikës së SHBA-ve! U favorizua UÇK-ja e organizuar spontanisht dhe në vija horizontale zë komandimit . Lideret politik dhe komandantet e UCKe “u vonuan “ deri u publikuan emriat etyre , të Shtabit të UÇK dhe të gjithë përfaqësuesve tjerë të atij Shtabi ushtarak dhe politik. Qeveria në egzil doli jashtë ekipit dhe grupit të orkestrës, tentonte me buxhetin e vet të 3% ta fus tërë situatën nën kontroll e që nuk kishte fare mundësi .
Kështu, Shpalli kolonel Ahmet Krasniqin ministër të FARK-ut. Pra, paraqitën Forcat e Armatosura të Republikës se Kosovës – FARK. Shumë njerëz në këtë strukturë kishin punuar në ilegalitet, kishin stërvitur dhe kishin kryer edhe disa nga ta edhe detyra operative në terren kundër okupatorit. Të gjithë këta ushtarë erdhën në Shqipëri dhe ne Kosove dhe me emblema të UÇK-se janë stërvitur si ushtarë të UÇK, punuan, luftuan dhe nuk ekzistonte dallimi në mes të fishekut të tij dhe të atij të UÇK –se për armikun. Dallonte vetëm burimi financiar, sepse ushtaret dhe eprorët në qendrat stërvitore dhe mobilizuese ne Shqipëri u financonin nga fondi i të gjithë qytetareve të Kosovës, pra nga Fondi i 3%, kurse bërthamat dhe Shtabi i UÇK-se nga fondi “Vendlindja thërret”.


Dallim kishte edhe struktura organizative dhe për këto çështje kishin takime të shumta z. Azem Syla dhe z. Ahmet Krasniqi. Pasi në takimet e tyre për shkak të pikëpamjeve politike nuk arrinin të akordohen ani pse Kolonel Ahmet Krasniqi ishte i kuptueshëm, qëllim mirë dhe tolerant, ata që e shpallen ministër të Mbrojtjes të FARK-ut nuk lëshonin pe dhe mendonin se do të ia dalin ne parimet e tyre politike, e me vonë pas vrasjes se colonel Krasniqit ata u binden që e patën gabim. Pse? Sepse pas vrasjes se Ahmet Krasniqit, po ata njerëz ia ofrojnë Fondin e 3% disa komandantëve të UÇK-se e bile disa bëhen edhe ministra dhjetë vite pas përfundimit të luftës. Njerëz të tillë që kanë pas dëshirë të kenë funksione dhe pozita në shpinë të Ahmet Krasniqit, Salih Çekaj, Agim Ramadanit dhe shume heronjve dhe luftëtareve të tjerë, ata kanë penguar në kohën e luftës, kanë bërë përçarje dhe ata sot e bëjnë listën e FARK-istëve dhe kërkojnë sot status të veteranëve të luftës se UÇK-se. Ata në listat e tyre tani kanë futur shumë dëshmorë dhe heronj dhe mundohen të mbulohen me veprat e tyre heroike.
Ahmet Krasniqi i ka thanë shumë qartë Azem Syles : “Azem të gjithe ushtarët dhe eprorët që janë në qendra stërvitore dhe në luftë janë pjesëtarë të UÇK-së , të gjithë janë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe tëgjithë do të vihen nën urdhërat e Shtabit të përgjithshëm te UCK-së , por mua më nevojitet emri dhe mbiemri i komandantit të Shtabit të UÇK-së t’ia dorëzojë tërë këtë arsenal teknik dhe njerëzor sepse unë jam Ministër i FARK-ut e ne ketë ministri kam edhe Mbrojtjen Teritoriale të Republikës së Kosovës me Shtabin dhe strukturat e njësitet e tyre dhe e kam Ministrinë e Punëve të Brendshme, kështu që këto tri struktura përbejnë FARK-un”.
Tani e kemi situatën më të qartë se çka dhe kush dëshirohej të ishte FARK-u . Për të qenë kështu nuk u duhej vetëm një letër e shkruar me dorë , e pa protokolluar dhe e shkruar në një kafene, sepse një letër të tille për këto gjëra mua dhe Agim Ramadanit na e pati treguar kolonel Ahmet Krasniqi kur ne tashmë kishim tre muaj që ishim në strukturat e LKÇK-së. Atë letër, atë lloj „vendimi“, ia kishte dhanë z.Bujar Bukoshi me nënshkrimin e tij. Agim Ramadani i pati thanë : “Kolonel Krasniqi, a hajgare janë kah bëjnë ata njerëz me ty, me neve dhe këtë popull a !? Kush janë more ata që japin kësi vendime dhe në këtë formë !? Lej këto senez. kolonel, po eja të punojmë këtu ku jemi duke punuar, se nuk na nevojiten neve asi ministra, ne mundemi t’i kryejmë punët tona edhe pa ta e pa këso letrash “.


Prandaj, ne të gjithë ushtarët dhe eproret që kemi veprua në të gjitha zonat luftarake të UÇK-së , të gjitha brigadat që kanë luftuar, të gjitha qendrat stërvitore ku kemi stërvitur, pajisur dhe sheruar me mijëra ushtare të UÇK-se, ishim dhe jemi pjesëtarë të UÇK-së, edhe pse një kohë kemi pas burim financiar nga Fondi 3% , prandaj ata persona që kinse ishin të ministrisë se Punëve të Brendshme , të ish Mbrojtjes Territorialë të Republikës se Kosovës që nuk kanë qenë në radhët e UÇK-së, logjikisht nuk do duhej të mund të jenë veteranë të UÇK-së, sepse ka emërtime dhe merita tjera edhe për ta. Mos të lejojmë t’i përziejmë gjërat dhe dikush të hyj nën hijen e heronjve, dëshmoreve, invalidëve dhe veteranëve të luftës se UÇK pamarre parasysh ideologjinë e tij politike dhe religjioze. Kryesorja vepra e tyre flet. Ata që dëshirojnë t’i politizojnë këto gjera lehtë është t’i identifikojmë sepse vepra dhe faktet flasin për të gjitha këto që unë i përmenda.
Respekt për të gjithë por e vërteta është kjo!
Shkruan : Hafir Hoxha , ish ushtarak i APJ, nga 29.06.91 epror i ushtrisë Sllovene, nga 20 .03.98, i UÇK, dhe në TMK pas luftës . Në detaje, në shume gjëra të cekura nuk kam kohë as mendjen të hy , edhe pse për shumë çka që kam cek këtu nevojiten sqarime më detaje. Pasi nuk merrem me politikë edhe kjo që thash ishte mjaftë.
Dhashte zoti qe sa me shpejte të hyn Serbija ne NATO dhe pastaj të happen rruget edhe për neve Kosovarëve .
Gjërat ndryshe i kishte pas bërë gati Ibrahim Rugova, Adem Jashari me njerzit e tyre me Ameriken dhe aleatet te tjere !…

Prejardhja e Emrit Shqiptar




Nga Aristotel Mici


Me kënaqësi morëm vesh daljen e një libri që flet për origjinën e fjalës “shqiptar” pikërisht në muajin tetor, në vigjilie te 100-vjetorit te Pavarësisë, shtëpia botuese “Dudaj” nxori në qarkullim një librin esseistik “Prejardhja e Emrit Shqiptar” – (Etnonimi Shqiptar).
Libri gjendet kryesisht në libraritë e Tiranës, po edhe në Vlorë, mbase edhe në qytetet ku ka universitet.
Për të interesuarit “E-mail-i” i shtëpisë botuese “Dudaj” është: info@botimetdudaj.com Tel.- fax: 00355 4 2249 944.



(Etnonimi Shqiptar)


http://tribunashqiptare.net/pdf/shqiptar.pdf



Hipoteza se emri kombëtar shqiptar e ka prejardhjen nga simboli emblematik i shqiponjës duhet të vlerësohet drejt dhe jo të lihet në harresë dhe të anashkalohet. Në mbështetje të kësaj hipoteze janë rregullat gramatikore të fjalëformimit, shumë materiale të hereshme historike dhe etnografike si edhe psikologjia mbarëkombëtare.

Para se të trajtojmë në mënyrë të hollësishme idenë lidhur me origjinën e emrit etnik shqiptar, le t`i hedhim një sy të shpejtë edhe emrit kombëtar më të moçëm arbër si dhe emrit të herëshëm të atdheut tonë Arbëri.

Gjithë albanologët janë të mendimit se emërtimi i moçëm i kombit të shqiptarëve arbën-esh ose arbër-esh e ka prejardhjen prej emrit të fisit Alban-oi, që gjeografi aleksandrin i shekullit të dytë Pas Krishtit, Ptolemeu, e ka shkruar në hartën e tij si një fis ilir, që banonte diku në viset midis Durrësit dhe Matit. Pra, prej emrit arbën, që rrjedh nga Alban-oi , me anë të prapashtesës “-esh”, është krijuar etnonimi arbënesh

(toskërisht me rotacizëm = arbëresh). Po prej emrit arbën ka dalë fjala e prejardhur Arbënia (Arbëria) si emër vendi, toponim. Nga e njëjta rrënjë fjale vjen edhe fjala tjetër e prejadhur arbërisht, si ndajfolje mënyre. Kështu stërgjyshërit e shqiptarëve e quanin veten arbëresh, atdheun Arbëri dhe gjuhën me trajtën ndajfoljore arbënisht (arbërisht).

Ndërsa të huajte e kanë quajtur dhe vazhdojnë ta quajnë shqiptarin me trajta fjalësh sipas gjuhëve të tyre, po të mbështetur tek emri i vjetër etnik. Italisht, shqiptari quhet albanese, frëngjisht albanais, anglisht Albanian, greqisht arvanitis, sllavisht arbanas, turqisht arnaut, etj. Po ashtu edhe për emërtimin e vendbanimit të shqiptarëve nga të huajt është mbajtur si bazë rrënja e toponimit të vjetër. Kjo duket po të marrim si shëmbuj trajtat e disa gjuhëve të huaja si në italisht Albania, frëngjisht Albanie, anglisht Albania, greqisht Arvania, turqisht Arnautllik, serbisht Allbanija.

Po në shekujt e fundit, vetë ish banorët e Arbënisë (Arbërisë), arbëneshët / arbëreshët e kanë ndryshuar emrin e vjetër etnik duke përdorur një emër tjetër kombëtar, një etnonim të ri, shqiptar. Ndërkohë, ata kanë ndryshuar edhe emrin e vendbanimit, nga Arbëria, në një toponim tjetër, Shqipëria, kurse për gjuhën e tyre përdorin trajtën ndajfoljore: shqip

Emri i vjetër i vendbanimit të arbëreshëve, Arbënia ka qënë shumë i ngulitur në shekujt e Mesjetës, sidomos po të kujtojmë njësi të mëdha administrative si Dheu i Arbënit1, Principata e Arbërit e vitit 1190.2 Termi “Dheu i Arbërit” si toponim do të ishte sundues për gjatë shekulli të XV si edhe për shumë kohë më vonë. Le të sjellim për këtë rast në mendje një përshkrim të vogël të Gjergj Merulas i cili në një histori të shkurtër, gjashtë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, më 1474, shkruan: ”Turku (…) vendosi të sulmonte atë pjesë të Maqedonisë, që gjendet buzë Adriatikut e që sot quhet Arbëri”3

Për vazhdimësinë e fjalës Arbëni/Arbëri, që tregon vendbanimin e të parëve tanë, flet edhe emërtimi i Këshillit të Peshkopëve “Concilio dei Vescovi,” që u mblodh me nxitjen e Papës, Klementi XI, në vitin 1703 dhe që quhet “Kuvendi i Arbënit”. Kështu, gjer në fillim të shekullit të XVIII emri i vjetër Arbëni është i dokumentuar në shkresa arkivale.

Ndërkaq, duke filluar nga koha e luftrave të Skënsderbeut kundër pushtuesve otomanë, në trevat e Arbërisë, nga gojët e të parëve tanë arbëreshë kish filluar të dëgjohej një emër i ri etnik, shqiptar, që do të zëvendësonte etnonimin e vjetër “arbëresh”. Po, sidoqoftë, sipas Prof. Çabejt, “ne shohim kudo se si emri i moçëm i popullit shkëlqen si një fosil ndën mbulesën e emrit të ri4”. Gjë që vihet re në emra vendesh si edhe në këngët folklorike.Edhe sot e kësaj dite, në Myzeqe nëpër dasma këndojnë:

Nusja jonë arbërore

Arbërore,

E bardhë si qumështore,

Arbërore.

Ndërsa në familjet vlonjate, kur marrin nusen nga fshatrat e Radhimës, Gumenicës, e deri në Kallarat e në Kuç, thonë: “e kemi nusen arbërore, ose arbëreshe”. Deri ca kohe me parë, ”Beratasi e quante banorin e Myzeqesë “arbëresh”…….që mund ta dallonte mirë shqiptarin e thjeshtë prej aromunit, pasi edhe ky banonte në këto vise.”5

Në trajtë fosile do ta gjejmë etnonimin e vjetër në emrin e fshatit Arbana afër Tiranës. Po ashtu e kanë mbajtur gjallë këtë emër të lashtë arbëneshët, që mërguan nga Gegëria e veriut rreth vitit 1700 dhe u vendosën në Zara të Dalmacisë, të cilët e quajnë veten edhe tani “arbënesh”.

Në shekullin e fundit edhe deri sot, emri i vjetër arbën ( arbër) është përdorur edhe përdoret më tepër në sensin nostalgjik, për heroizmin e së kaluarës, si për të nderuar lavdinë e gjyshërve të shekujve të shkuar. Është pikërisht ky adhurim për trimëritë e të parëve që sot shpesh herë prindër të ndryshëm i quajnë fëmijët e tyre me emra të lashtësisë arbërore, si Arbër, Arben, Jamarbër, kurse vajzat i quajnë Arbëresha. Po kështu për këtë arsye emërtohen objekte me rëndësi ekonomike, ose sociale si Hotel Arbëria, vapori Arbëria, restorant Arbëria, paketa cigare Arbëria; po ashtu edhe poeti për krenarinë e së kaluarës historike shkruan: “…lidhet sot me besë arbënore”( At Gj. Fishta, poezi.)



* *

Porse kjo dukuri e ndryshimit te emrit të vjetër etnik nga arbëresh në shqiptar nuk ndodhi midis arbëreshëve që u laguan nga vendlindja prej tmerrit turk duke u strehuar në Greqi dhe në Itali. Merret vesh se arbëreshët e Italisë gjatë mërgimit të tyre mbartën me vete edhe emrin e vjetër të kombit, arbër si edhe fjalët e prejardhura prej tij, arbëresh, Arbëri, dhe arbërisht. Ata edhe sot në vend të fjalës shqiptar përdorin fjalën arbëresh, në vend të emrit Shqipëri (si atdhe) përdorin emrin e vjetër Arbëri, dhe në vend të trajtës ndajfoljore shqip kanë ndajfoljen arbërisht. Kjo gjë duket në gjuhën e tyre të përditshme, po edhe në veprat letrare. Në shkrimet e De Radës gjejmë togfjalëshit: “Fjamuri Arbërit”, “Dita e Arbërit”. Kurse Serembe në strofën e parë të një poezije shkruan fjalën Arbëri për toponimin Shqipëri:

Arbëri që prapa detit na kujton,

Se ne të huaj po jemi te ky dhe.

Sa vjet shkuan dhe zemra s`e harron,

Se për turkun qendruam pa mëmëdhe.

Pra, as etnonimi i ri “shqiptar” dhe as toponimi “Shqipëri” nuk gjenden as në të folmen dhe as në shkrimet e arbëreshëve të Italisë. Kuptohet se këta emra u krijuan në trevat brenda Arbërisë pas largimit masiv të arbëresheve nga mëmëdheu i tyre. Kështu, emri Shqiptar dhe emri Shqipëri nuk kishin dalë ende deri në fund të shek. XV. Kjo është arsyeja që Fan Noli do ta titullonte veprën e tij historike për heroin e madh kombëtar, të botuar më 1949:

HISTORIA E SKËNDERBEUT Kryezot i Arbërisë . (1405 – 1468)

Pra është më se e qartë përse Noli ka përdorur fjalën Arbëri në vend të toponimit “Shqipëri”, dhe e shkruan nëntitullin: “Kryezotit të Arbërisë”. (vizimi ynë A.M.)

*

* *

Nga sa u parashtrua më sipër merret vesh që kombi shqiptar gjatë jetës së tij në shekuj ka pasur dy emra etnikë: i pari arbëresh, që fillon qysh nga koha e largët e stërgjyshërve dhe arriti deri në shekullin e XVIII, dhe i dyti shqiptar, që nis të shfaqet vonë rreth shekullit të XV, po që nga koha në kohë do ta zëvendësonte të parin brenda trevave të Arbërisë, pa emigruar dot tek arbërëshët e Italisë.

Por, ndërsa për origjinën e etnonimin të vjetër arbënesh (arbëresh) gjuhëtarët kanë një ide të njëjtë, që e ka prejadhjen nga emri i fisit ilir Alban-oi, për etnonimin e dytë, shqiptar, studiues të ndryshëm kanë mendime të ndryshme. Një hipotezë e përhapur është edhe ajo që kërkon ta gjejë origjinën e etnonimit shqiptar sipas rrënjës së emrit “shqiponjë”, ose trajtës së saj më të shkurtër “shqipe” që është dhe ka qënë një simbol shumë i vjëtër kombëtar, pra emblema më e lashtë qysh në peridhat më të herëshme. Sipas kësaj hipoteze ka një bashkëvajtje midis etnonimit shqiptar dhe simbolit kombëtar të shqiponjës. Dhe, kjo ide nuk shikohet vetëm nga rrënja e të dyja fjalëve, po kryesisht nga udha historike e popullit shqiptar dhe mbajtja e vazhdueshme e të njëjtit simbol ndër shekuj. Flamuri shqiptar me shqiponjën në mes ka historinë e tij të herëshme, që buron nga vete lashtësia e kombit. Jo rastësisht Eqrem Bej Vlora do të shkruante për atë në kujtime: “Historia e këtij flamuri tretet në mjergullën e kohës”6. Simboli i shqiponjës në fushën e kuqe të flamurit fillon në kohën e vjetër Para Krishtit, vazhdon në Mesjetë edhe mbrrin në kohët e reja moderne. Imazhi i shqiponjës së këtij flamuri nis me një legjendë antike, kurse gjurmët e tij enden që nga librat historikë e deri te dëshmitë materiale, që nga vargjet e poetëve e deri te këngët e trimave kryengritës.

Straboni,7 duke hetuar për kohën Pellazgo – Ilire, shkruante se ky popull në të vjetrat kohe ishte më i rrepti e më luftëtari e Shqiponja ishte pajtorja më e mirë për të. Atëherë që kur Zeusi nga pellazgo-ilirët nderohej si perëndi, faltoren e vetë e kishte në Dodonën e thesprotëve, pra në Çamëri. “Dhe kështu me kalimin shkallë shkallë të paganizmit në monotheizëm, shqiponja nga simbol fetar u kthye në simbol kombëtar. Aq shumë u përngjit ajo me njeriun vetë sa atij zuri t’ia mënjanonte tërë emërtimet e tjera, duke i lënë emrin e vetë përgjithësues “shqiptar” (biri i shqiponjës)”8. Natyrisht, ky është një rrëfim legjendar dhe, si i tillë, mund të jetë i diskutueshëm. Po mos të harrojmë se edhe emri i detit Egje mbështëtet mbi një rrëfim legjendar. Siç na mëson mithi i lashtë, mbreti Egje u mbyt në këtë det, tek pa i pikëlluar velat e zeza të anijes së birit të tij, Tezeut, duke e marrë të birin për të vdekur. Atëherë, sipas mithit të lashtë, emrin e mbretit Egje e mori deti. Edhe kontinenti plak i Evropës e ka marrë emrin nga një e dashur e Zeusit, me emrin Evropa, me të cilën ai pat rënë në dashuri.. Dihen nga të gjithë historianët këto emërtime mitiko – legjendare, po asnjë komentator nuk shprehet kundër, siç bën ndonjë autor shqiptar me simbolin e shqiponjës. .

Ka edhe ndonjë studiues që mendon se shqiponja, edhe pse është simbol, nuk ka qenë ndonjëherë “totem” e gjyshërve tanë në Dheun e Arbërit; dhe, duke mos qenë e tillë, ajo nuk është figurë bindëse për të përligjur idene e hipotezës se etnonimi shqiptare ka prejardhjen nga emri i shpendit të “shqiponjës” apo” shqipes”. Kur lexon një arsyetim të tillë, mendja të shkon vetiu te legjenda e “nënës ulkonjë” në Romën e lashtë, tek ajo ujkonja, e cila, sipas legjendës, ushqeu me qumështin e saj binjakët Romulin dhe Remon. Kjo ujkonjë nuk ka qenë “totem” për fisin Latin të Laciumit. Këtë e dinë latinistët, po megjithatë, ata nuk e hedhin poshtë legjendën e themelimit të Romës nga Romi. Për më tepër, figura e “nënës ujkonjë” demonstrohet me madhështi nësa e sa vepra arti, që nga mozaiku dhe pikturat e Leçes, ne jug të Italisë, e deri te skulpturat, altoreliefet e basoreliefet e Romës antike dhe asaj të sotme, pa përmendur rëklamat ë panumërta nëpër kutitë e qumshtit. Atëherë lind pyetja pse shqiptarët duhet të jenë kaq shpërfillës ndaj simbolit të tyre shekullor? Kështu të krijohet një lloj çudije, kur atë që na e pohon Straboni si shenjë krenarie, e mohojnë studiues shqiptarë sot.

*

* *



Po me tepër se hamendja e një legjende, janë faktet e shumta historike dhe arsyet gjuhësore që të sjellin te hipoteza se simboli i shqiponjës duhet të jetë në themel të idesë për etnonimin e ri shqiptar.

Qysh në shekullin e dytë Pas Krishtit, biografi i antikitetit, Plutarku, në veprën “Jetë Paralele” tregon për Pirron e Epirit se kur ushtarët po e glorifikonin pas betejës së Heraklesë (280 PK) duke e quajtur atë “Shqiponjë”. Ai iu drejtua atyre dhe u thotë: “Nga ju unë jam shqiponjë; dhe si të mos jem i tillë, kur ju jeni flatrat e mia që me ngrini aq lart!”.9Nga ky episod fare qartë duket adhurimi i stërgjyshërve tanë për figurën e shpendit të shqiponjës, e cila gjatë shekujve do të kthehej në simbol emblematik, duke u bërë shënja më dalluese për të gjithë arbëreshët në Dheun e Arbërit. Këtë ide e mbështet edhe Pashko Vasa në artikullin ”Shqypnia dhe Shqyptarët”, të botuar më 1879, kur shkruan: “Që prej fjalëve që i thanë ushtarët Pirros, e prej fjalëve që iu përgjegj Pirroja, na ka mbetur neve emni shqiptarët, e dheut ynë i thonë Shqypni, e gjuhës yne i thonë shqype. Kjo fjalë gjendet e shkrueme ndër historira të grekëvet të moçëm, e Plutarku e dëfton hollë e hollë”.10

Po në mënyrë të veçantë Flamuri i arbërit me shqiponjë dy krenare në mes do të ndrinte në betejat e lavdishme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, kundër turqve osmanllinj. Në këto beteja flamuri me shqiponjën do të ishte simboli i bashkimit të të gjithë bashkëluftarëve të kohës së Skënderbeut kundër pushtuesit barbar aziatik.

Nga të parët historianë këtë flamur na e tregon Anonimi i Tivarit, më 1480,(i cituar nga Biemmi), i cili shkruan :”Flamuri i Skënderbeut ishte një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”. Dëshmi të njëjtë për këtë flamur me shqiponjën në mes jep edhe biografi i Skënderbeut, Marin Barleti :“Skënderbeu mbante flamuj të kuq, të qendisur me shqiponja të zeza dykrenare, ky ishte flamuri i fisit të tij”.11Ky flamur ishte tipari dallues në të gjitha veprimtaritë luftarake të ushtrisë së Skënderbeut. Flamuri qe bërë pjesë e krenarisë së tyre ndër betejat heroike. Kudo që shkonte ushtria e Skënderbeut për të luftuar, flamurët nuk i ndante nga vetja. Në të njëjtën vepër Marin Barleti tregon se “trimat e Skënderbeut nën komandën e tij kur shkuan në Pulje, për të ndihmuar mbretin Ferdinandtë Napolit…mbanin flamurët e kuq me shqiponjën dy krenare në mes.” .

Po gjurmët e këtij flamuri me shqiponjën dy krenare shihen dy shekuj më përpara epokës Skënderbejane. Shenjat e flamurit me shqiponjë duhet t`i kërkojmë qysh me Principatën e Arbërit dhe Despotatin e Epirit. Aty nga fundi i shekullit XII, Progoni (1190-1199) do të sundonte dhe do të qeveriste principatën e Arbërit me gjithë atributet e një prijësi me vulën e flamurin e tij. Dhe më vonë, siç pohohet në “Historinë e Shqipërisë”, në vitin 1336, Principata e Arbërit qe forcuar aq shumë, sa Ludoviku, i biri i Karlit të Anzhuinëve, i njohu Andrea Muzakës titullin Despot i Arbërisë12. Tre dekada më pas, kur Andrea Muzaka II i mundi bullgarët tek Mali i Peristerit në vitin 1372, pozita e despotatit forcohet edhe më tepër. Në ndihmë të këtij mendimi na vjen Princi Gjon Muzaka, i cili, në Memorien e vetë të shkruar më 1510, tregon sesi “Perandori i Konstandinopolit u kënaq shumë që zoti Andrea Muzaka kishte pasur një fitore të tillë, me që kishte larguar nga muret e Adrianopolit armikun e tij të madh…I përmenduri Perandor urdhëroi që t`i jepnin atij stemën, d.m.th., shqiponjën me dy krerë….… i dha edhe një titull despotal… Në të cilin ishte përvijuar me gurë xhevahiri shqiponja qëthamë”13. Bëhet e qartë nga ky pohim se Muzakajt që pas mezit të shekullit të XIV mbanin titullin e despotit,që jepej nga perandori si edhe flamurin me simbolin e shqiponjës dykrenare.

Me këtë flamur me shqiponjë Andrea Muzaka, në krye të luftëtarëve të tij, do të shkonte në Betejën e Fushë Kosovës më 1389 kundër ushtrisë së Sulltan Murati të Parë. Në atë betejë të prgjakshme, ku, siç shkruan Evlija Celebiu14, “Sulltan Muradi shkoi 700,000 të pafe në teh të shpatës ( nënkupto martirët e rënë nga radhët e forcave të aleancës së princave të Ballkanit). Atje u vra edhe prijësi i sipërpërmendur i principatës së Muzakajve.

Lidhur me lashtësinë e flamurit shqiptar me shqiponjën dykrenare duhen përmendur edhe “Statutet e Shkodrës” të zbuluara kohët e fundit në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias. Këto “Statute” hedhin dritë edhe më shumë në lashtësinë e flamurit kombëtar shqiptar. Statutet e Shkodrës pasqyrojnë një lloj “kushtetute” për banorët e qytetit në shekullin e XIV. Sipas studiuesve ato janë hartuar para vitit 1446. Po ajo që është e rëndësishme të theksojme është fakti se në një faqe të ilustruar të këtyre statuteve gjendet i pikturuar simboli kombëtar: “Shqiponja me dy krerë”. Historiania e Mesjetës, Lucia Nadini, duke komentuar këtë faqe të ilustruar të “Statuteve”, shikon se në këtë pikturë pasqyrohet një stemë heraldike e bërë me kujdes:…një shqiponjë dykrenaree kurorzuar me ar në të dy krerët (…) “aquila bicipite, coronata d’ oro su entrambe le teste”). 15 Kjo studjuese, e nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve shkruan: “Gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të ndritshme, të harruar të ketij vendi, i njohur vetëm si vendi i Shqiponjave”16. Dhe më tej Prof. Nadini, duke analizuar simbolikën e kësaj embleme, shikon se në të, në mënyrë figurative pasqyrohet “shqiponja triumfale, simbol i një autonomie të fuqishme qytetare17”

Emblemën e Shqiponjës dykrenare në shekullin e XIV e gjejmë jo vetëm në jug të Arbërisë si tek Pricipata e Muzakajve, a po ne Veri si ishte rasti i Statuteve të Shkodrës, po edhe në Arbërinë e Mesme dhe Veri-Lindore si tek principata e Kastriotëve. Në librin “Historia e Shqipërisë”, kur trajtohet kryengritja e Gjon Kastriotit kundër fillimit të pushtimit turk, tregohet edhe stema e principatës së tij, me emblemën e shqiponjës me dy krerë, rreth viteve 1429-1430.

Është për t`u vënë re se ky flamur dhe emblema me shqiponjën dykrenare qenë bërë aq të njohur, jo vetëm midis ushtarëve të Skënderbeut dhe popullit në Arbërinë e asaj kohe, po edhe midis radhëve të turqve osmanllinj. Këtë jehonë të simbolit të shqiponjës në radhën pushtuesve turq na e sjellë në mendje Marin Barleti me veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, tek tregon se si Sulltan Mehmeti II, i shoqëruar nga kalorësit e vetë, kur ka parë pozicionet e qytetit të Shkodrës, paska thënë: “Oh ! se ç’ vend të shkëlqyer dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëvë te saj”.18.

Po ky flamur do t`i ngacmonte mendimin edhe baronit francez J.de Lavardin19, në vitin 1576, kur do të shkruante: “Në flamurët e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kishte një shqiponjë të zezë me dy krerë. Shqiponjën me dy krerë Skënderbeu do ta mbante te parzmorja, në kraharuar, si edhe në vulën shtetërore.”

Dhe tani do të ishte më me interes të dimë edhe për shtrirjen gjeografike të emblemës së Arbërisë për atë kohë. Dhe kjo kuptohet më mirë po të kemi parasysh lidhjet e krushqive midis familjeve princërore në shekujt e XIV dhe XV. Kështu përshëmbull tre nga vajzat e Gjon Kastriotit u martuan me bujarë nga familjet e njohura princërore, si tek Muzakajt, Aranitët e Topiajt (Hitoria e Shqipërisë- f.252). Po ashtu, siç tregon Gjon Muzaka në “Memoria”, një motër e Gjin Muzakës, Maria, qe martuar me Gjergj Aranitin. E para bijë e tij, Andronika, kur u rrit, u bë gruaja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Kurse Gjon Muzaka e mori nusen e vetë nga dera e Dukagjinëve. I përmendëm këto krushqi për të përfytyruar sadopak lidhjet miqësore, si dhe hartën e aleancave midis familjeve feudale në Arbëri. Dhe në çdo dasëm midis tyre ka lëvizur flamuri me shqiponjën , që i printe krushqit tek kalëronin për çdo festë martese. Deri vonë ka qenë ky zakon. Madje në Kosovë udhëtimi i krushqëve me flamur kombëtrar, kur merrej nusja ishte i gjallë deri në fillim të këtij shekulli të ri. Kjo dukuri zakonore ka rëndësi të kuptohet për anën etnografike të çështjes: se si emblema e shqiponjës dykrenare është futur aq natyrshëm në psikologjinë kombëtare qysh nga thellësia e shekujve. Kështu duhet të pranojmë se shenja më dalluese e shqiptarëve pas gjuhës amëtare ishte dhe është flamuri me këtë emblemë. Pra lufta për flamurin dhe me këtë flamur në ballë, në gjoks dhe në zemër ishte lufta për idenditetin kombëtar.

Një dëshmi tjetër materiale që flet për lashtësinë dhe adhurimin e të parëve tanë për flamurin është edhe epitafi në varrin e Gjon Muzakës, që gjndet në Francavilla të Otrantos: “I plotfuqishmi Jezu, ty të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare qe e mbante në flamur, i dedikohet kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”20

I ngjajshëm me këtë fakt duhet përmendur si dëshmi me interes për simbolin kombëtar të Shqiponjës edhe varri i nipit të Skënderbeut, Gjergj Kastrioti II, që ndodhet në kishën e Shën Marisë së Napolit, ashtu si e përshkruan edhe Eqrem Bej Vlora: ”Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Mërisë së Ëngjejve në Napoli është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët”21

Këto dy episode të fundit tregojnë për lidhjen shpirtërore që kishin të parët tanë me simbolin e Shqiponjës. Ata e adhuronin atë në këtë jetë, po edhe deri në amshim. Ashtu ata duken sikur thonë se edhe të vdekur ata janë mbajtës të flamurit, janë mbajtës të shqipes, janë shqiptarë për jetë të jetëve.

Po ky flamur me shqiponjën në mes do të ishte simboli i bashkimit të stërgjyshërve tanë edhe për gjatë kohës së qendresës kundër pushtimit turko-osman siç shkruan dhe Pashko Vasa në veprën e tij për kohën e rënies së Shkodres: “Një pjesë e popullsisë, për të mos u nënshtruar gjithësesi, u ngrit e iku në dhe të huaj dhe kërkoi strehim në Itali; një pjësë tjetër mori malet, në majat e të cilave flamuri kombëtar vazhdonte të valvitej krenar dhe i nderuar.”22

Kjo lidhje shpirtërore e stërgjyshërve tanë me simbolin e shqiponjës i ka pas tërhequrn vëmendjen albanologut Maximilian Lambertz23. Prof. E. Çabej, duke trajtuar këtë problem, shkruan në librin e tij “Shqiptaret midis Perëndimit dhe Lindjes”: ”Oberhummer pranon së fundi mendimin e M.Lambertz-it, ky dijetar, thotë ia kishte spjeguar emrin mjaftë mirë prej shqiponjës, si emër i një totemi nga koha e Skënderbeut”24.

Po në atë faqe të veprës së tij Prof. Çabej shenon se ky mendim gjen mbështëtje te një vrojtim i Edith Durham-it25… “Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës. Në flamurin e Skënderbeut dhe te stema e Shtetit të ri Shqiptar ndodhet një shqipe.” Me këtë rast theksojmë se Prof. Çabej nuk shpreh mendimin e tij për këtë çështje, po ai as nuk e mhon këtë hipotezë siç po bëjnë sot disa autorë.

Në këtë tragë mundohet të ecë edhe studiusi francez, Robert d’ Angely, i cili, bazuar në gjellitjet e veta për etnonimin “shqiptar” pohon se fjala “shkibetar” nuk do të thotë tjetër gjë, veçse mbajtësi i shqipes( i shkabës)26. Dhe më pastaj ky autor vazhdon ta shtjellojë idenë e tij me mendimin se fjala “shqiptar u bë e njohur dhe e famëshme për shkak të qendresës së një ushtrie të vogël shqiptare, që ishte bartëse e shqiponjës, e shqipes të princit legjendar Gjergj Kastrioti”27.

Këtë ide lidhur me prejardhjen e etnonimit shqiptar ndjek edhe studiuesi dhe diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams, i cili gjykon me një analizë të paanëshme emrin e popullit në trojet e ish Arbërisë: “Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri, dhe i popullit shqiptar, që do të thotë “toka dhe bijtë e shqipes”.28

Ndër shekujt e robërisë turke, shumë nga të dhënat dokumentare për flamurin kombëtar të Shqipërisë nuk kishin mbetur fare të izoluara. Në qarqet e dijetarëve dhe historianëve të Evropës, kur është folur e shkruar për luftën e Shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, është përmendur kohë pas kohe me siguri edhe flamuri tij. Mjafton të kujtojmë rastin interesant të shkrimtarit amerikan Henri W.Longfellou, i cili më 1873, shkroi një poemë për heroin tonë kombëtar të titulluar “Scanderbeg”. Në mënyrë të vaçantë ai përshkruan momentin solemn, që ka të bëjë me ngritjen e flamurit me shqiponjën dykrenare, që në përkthimin e Fan Nolit lexohet aq bukur:

“Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysëm hënë,

Edhe populli shikon

Që në vend të tij valon

Flamuri i Skënderit n’ erë,

Skabë’ e zezë me dy krerë

Është me rëndësi të vemë re se si poeti amerikan prej mijëra kilometrsh larg arrin të gjejë subjektin e poemës për heroin kombëtar të shqiptarëve dhe të fokusojë poetikisht emblemën tradicionale “Shkabën e zezë me dy krerë”. Kështu, kur në kushtet e shekullit XIX një poet i Botës së Re, matanë Atlantikut, kalon oqeanin me fantazinë e tij, për të hulumtuar një të vërtetë historike, çfarë duhet të bëjnë “bijtë e shqipes” për emblemën e tyre? A është e lejueshme të mënjanohet e të hiqet prej listës së hulumtimeve hipoteza e prejardhjes së etnonimit “shqiptar “ nga simboli i shqiponjës dhe i flamurit kombëtar, që kanë qenë shenja e bashkimit në gjithë udhën historike plot me gjarje heroike dhe sublime.

Mbas Luftës së Dytë Botërore një tjetër autor, Julian Ameri,29 në librin e tij “Sons of the Eagle” (Bijtë e Shqipes), botuar më 1948, shkel në të njëjtën hulli për origjinën e emrit etnik shqiptar si të prejardhur prej shpendit të emblemës me shqiponjë. Për këtë çështje ai shkruan: “Shqiptarët, të cilët pohojnë se vijnë prej ilirëve të vjetër, e quajnë veten “shkipetarë”, fjalë, që po të përkthehet, ka kuptimin “bijtë e shqipes” .

Pak a shumë këtë ide shpreh për emrin etnik shqiptar edhe një autor amerikan, Robert Kaplan në librin “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit). Duke komentuar për shqiptarët dhe Shqipërinë, ai shkruan se “Atdheu i tyre quhet Shqipëria, që do të thotë “vendi i shqiponjës”.

Edhe David Wrigte, një autor tjeter amerikan bashkëkohës, në librin e vetë “Albania- Enchantment of the World” (Shqipëria – Magjepsja e Botës), ka po thuajse të njëjtin mendim: “The people who live in Albania call their country “Shqipëria”- the land of the Eagle”. (Njerëzit që jetojnë në “Albania” e quajnë vendin e tyre “Shqipëria”- vendi i Shqiponjës).

Nga sa u parashtrua duket qartë lidhja e përherëshme emocionale e stërgjyshërve të shqiptarëve me simbolin e shqiponjës. Është kjo arsyeja pse shumë studiues mbështësin hipotezën e prejardhjes së emrit etnik “shqiptar” nga simboli i shqipes. Shenojmë se sipas Barletit edhe Lavardinit emblema e shqiponjës nuk dukej vetëm në flamur, po ajo vihej edhe në ballë edhe në gjoks. Dhe kështu, këta luftëtarë të Arbërisë, që luftonin kundër pushtuesve otomanë të prirur nga emblema e tyre në flamur, në ballë e në zemër, u quajtën vetiu shqipe-mbajtës, shkurt, “shqiptar”, siç quhen harktarë, ata që mbajnë harkun, kryqtarë ata që mbanin kryqin, shigjetarë ata që përdornin shigjetën, pishëtarë ata që ndriçonin me pishën e ndezur flakë, kordhëtarë ata që mbanin kordhën, flamurtarë ata që mbajnë flamurin, pra ashtu janë shqiptarë ata që mbajnë shqipen.

Në këtë mënyrë kuptohet vetiu se etnonimi “shqiptar” del si një fjalë e prejadhur nga emri “Shqipe” duke marrë prapashtesën fjalëformuese ”—tar”. Ky emër i ri i popullit duhet të jetë përftuar për gjatë udhës së historisë, përmes luftës së vazhdueshme kundër pushtuesit otoman.

Shënojmë gjithashtu se emri “shqipe” me anë të prapashtesës “—ëri” formon natyrshem edhe toponimin “Shqipëri”, sikundër kanë qenë formuar edhe formohen emra vendesh dhe krahinash, me tema emërore. Konkretisht nga temat emërore Arbër,Gegë, Tosk, Çam, Lunxh kanë dalë emra të prejardhur vendesh si Arbëri, Gegëni (Gegëri), Toskëri, Labëri, Çamëri, Lunxhëri, për anologji atëherë dhe Shqipëri

Lidhur me prejardhjen e emrit të ri etnik shqiptar nga emir shqipe duhet të përmendim edhe rastin që kjo fjalë, pra emri shqipe tek autorët e vjetër të veriut shkruhet me zanoren “y” dhe jo me “i”, pra ajo del me trajtën “shqype”. Po ky shkëmbim, a po alternim i këtyre dy tingujve nuk duhet të bëjë arsye për të kundërshtuar idenë e prejardhjes së etnonimit të ri “shqiptar” nga emri “shqipe” , sepse kjo dukuri fonetike, pra kthimi i zanores ”i” në “y” dhe anasjelltas është një fenomen i gjallë. Edhe sot e kësaj dite, ende, në fjalë të ndryshme e në krahina të ndryshme mund ta vërejmë këtë gjë. Këtë fenomen e gjejmë jo vetëm në gjuhën e folur, po tek tuk edhe në gjuhën e shkruar. për shembull përemrin vetor të vetës së tretë “ai” në disa nëndialekte e gjejmë me trajtën “ay”; dhe e kundërta ndodh me përemrin dëftor “ky”, të cilin në Himarë, Labëri dhe Çamëri e dëgjojmë edhe “ki”. Disa fjalë, që në fjalorin drejtshkrimor shfaqen me tingullin “i” si kripë, gjilpërë në disa të folme veriore i dëgjojmë me zanoren “y” dhe shqiptohen “krype” dhe “gjylpanë” . Po kështu e shikojmë edhe te “Hylli i Dritës”, në titullin e artikullit të M. Sirdanit “Shqypnia dhe Shqyptarët”, në vend të “Shqipnia dhe shqiptarët”, kurse Pahko Vasa e titulloi poezinë e tij patriotike “O Moj Shqypni e Mjera Shqypni”. Trajtën me “y” do ta gjejmë edhe te poezia e At Gjergj Fishtës: “ Njashtu a`gjuha jonë shqyptare”. Kjo dukuri fonetike është e pranishme edhe te poezia e Ndre Mjedës: “Bylbyl i vorfën / Pse po gjimon?” ; “Rrepte si para s` ndrit Shqypnia……..Bashk` n` at vorr a Shqypnia”30. Dhe ndodh e kundërta në rastin e fjalës “kryq” edhe të fjalës “sy”, ku tingulli “y” bëhet “i”, siç dëgjohet në disa zona te jugut, ku këto fjalë dalin me trajtën “Kriq” për “kryq” dhe “si” për “sy”, ashtu si edhe numërori “dy” bëhet “di”. Në këtë mënyrë, siç u tha edhe më sipër, duket qartë se fenomeni fonetik i alternimit të tingullit zanor “i” në “y” dhe anasjelltas është një dukuri ende e paprfunduar në gojën e popullit edhe sot. Pra, gjithë këta shembuj vërtetojnë idenë se të shkruarit e emrit të shpendit me trajtën shqype nuk duhet të bëhet pengesë për të pranuar prejardhjen e etnonimit të ri shqiptar nga emri i shpendit shqipe.

Ndërkaq duhet të theksojmë se mbajtja dhe përdorimi i flamurit me shqipen në mes ishte shenja më dalluese midis gjithë krahinave të Arbërisë, gjë që shpjgon konkretisht përhapjen e etnonimit të ri shqiptar dhe të toponimit Shqipëri nga Jugu në Veri, nga Tivari dri në Prevezë, nga Shkodra në Prishtinë, nga Durrësi dhe Vlora deri në Manastir, në Dibër dhe në Shkup. Pra, gjuha amëtare dhe flamuri me shqipen në mes ishin dy faktorët e përhershëm që determinuan njesimin e kombit si edhe përftimin e emrit te ri etnik.

Kështu, nga gjithë sa parashtruam lidhur me hipotezën e prejardhjes së etnonimit të ri shqiptar nga fjala shqipe del se detajet dhe faktet historike, rregullat gjuhësore të fjalëformimit, etnografia dhe fryma e psikologjisë mbarëkombëtare flasin në të mirë të kësaj hipoteze.

*

* *

Por albanologët kanë edhe hipoteza të tjera lidhur me etnonimin e ri. Disa studiues të filologjisë shqiptare mbështësin idenë se emri i ri i kombit vjen nga trajta ndajfoljore “shqip”. Ndër kohë që Prof. Sh. Demiraj shpreh mendimin se “etimologjia e kësaj fjale (pra e fjalës “shqip”) mbetet për t`u diskutuar”.31 Mbështetësit e kesaj hipoteze për emërtimin e ri të kombit mendojnë se ndajfolja “shqip”ka kuptim leksikor gati të njëjtë me trajtat ndajfoljore të mënyrës si “qartë, hapur, troç”. Pra, për konkretësi mund të japim shprehjen:

“Ma tha shqip” = (hapur, qartë, troç).

Po duke shqyrtuar këte ide të prejardhjes së etnonimit shqiptar nga ndajfolja

“shqip” nuk mbetesh i bindur për faktin e kontradiktave gjuhësore që ngërthen vetë kjo hipotezë.

Së pari, trajta ndajfoljore “shqip”, e cila zëvendëson ndajfoljen “arbërisht” nuk e merr dot prapashtesën fjalëformuese “-isht”. Me një fjalë, nuk themi dot “shqip-isht”, sikurse shkruhet edhe thuhet natyrëshëm: arbën –isht, gegënisht, gegërisht, toskërisht, labërisht, italisht, spanjisht, rumanisht, sërbisht.

Së dyti, si ndajfolje mënyre trajta “shqip” nuk ka si ta tërheq prapashtesën fjlëformuese “-tar”, që të formojë emrin e kombit. Asnjë ndajfolje mënyre nuk e ka këtë prirje, a po mundësi gramatikore. Fjala vjen, nuk mund të vemë pas ndajfoljes “mirë” këtë prapashtesë dhe të formojmë fjalën e paqenë “mirëtar”, a po me ndajfoljen “keq” të formojmë një fjale tjetër të paqënë “keqëtar”. Po as ndajfoljet e grupt të njëjtë nga ana e kuptimit leksikor si (hapur, troç, qartë) nuk e kanë këtë veti, as ato nuk mund të formojnë emra të paqenë si: “hapur-tar, troç-tar, qartë-tar. Athërë si ta shpjegojmë që ndajfolja “shqip”, edhe pse ndajfolje mënyre, e paska këtë përjashtim?

Kështu del e vështirë të pranosh me logjikë gramatikore fjalëformuese se ndajfolja “shqip” ka të drejtë të marë prapashtesën “-tar” dhe të formojë normalisht emrin etnik “shqiptar”.

Shenojmë me këtë rast se prapashtesa fjlëformuese “- tar” shkon rregullisht pas temave emërore për të krijuar emra veprimi, p.sh.: lajm-(ë)tar, guxim-tar, këngë-tar, udhë-tar, trëg-tar.

Një vëçanti tjetër e prapashtesës “- tar” është se ajo formon edhe emra veprimi me persona që mbajnë një send ose një gjë dalluese si fjala vjen: hark, shqytë, pishë, kryq, flamur. Nga këto fjalë të parme, që marrin prapashtesën “-tar”, kanë dalë emrat e prejardhur siç janë:

hark-tar është një njëri që mban ose perdor harkun,

shqytar është njëriu që mban shqytën,

pishtar është personi që duke mbajtur pishën e ndezur,ndriçonte rrugën natën.

kryqtar është personi që mban kryqin si simbol

flamurtar është personi që mban flamurin; atëherë, si pas këtij lloj fjalëformimi, shqiptar duhet të jetë ai që mban shqipen si simbol kombëtar.

Kështu, për rrjedhojë të kësaj dukurie fjaleformuese me prapashtesën “- tar”, pas temave emrore, lejohemi të thëmi se etnonimin e ri “shqiptar” e gjejmë më të pranueshëm nga rregullat e fjalëformimit, duke u mbështëtur të emri “shqipe” dhe jo te trajta ndajfoljore “shqip”.

Së treti, një kontradiktë tjetër është edhe çështja se me ndajfoljen “shqip” nuk formojmë dot natyrëshëm toponimi “Shqipëri”, emërtimin e atdheut. Duke qenë ndajfolje mënyre, trajta “shqip” nuk merr dot normalisht prapashtesën ose (shtesën) “ -ëri” dhe të emërtojë atdheun me emrin e ri “Shqipëri” . Gramatikisht asnjë ndajfolje mënyre nuk e ka këtë mundësi. As trajtat ndajfoljore të njëjta nga ana e kuptimit leksikor me trajtën “shqip” si qartë, hapur , troç nuk e kanë këtë mundësi fjalëformuese; nuk mund të thuhet “hapur-ëri”, ”troç-ëri”. Po njëkohësisht, e ritheksojmë se kjo prapashtesë “-ëri” u shkon aq natyrëshëm temave emërore si arbër, toskë, gegë, lab, çam, lunxh për të krijuar emra vendesh si përshembull Arb-ëri, Tosk-ëri, Geg-ëri, Lab-ëri, Çam-ëri, Lunxh-ëri, po kështu, atehere, edhe nga tema emërore “shqipe”del natyrëshëm toponim Shqip-ëri .

Se katërti, trajta ndajfoljore “shqip” ka edhe një “mangësi” nga ana historike për të qenë fjala burimore për etnonimin “shqiptar”. Kjo fjalë nuk figuron në Fjalorin e Frang Bardhit të vitit 1635. Atëherë me të drejtë mund të pyetet: ”Si u bë e mundur që kjo fjalë nga e paqenë, më 1635, të na dalë, pas disa dekadash në krye të radhës, në “Kuvendin e Arbënit”, më 1703, dhe të quhet burimi fillestar për emërtimin e kombit dhe të Atdheut, duke krijuar dhe trajtën ndajfoljore të gjuhës amëtare? Në këtë rast, realisht, jemi para një paqartësije, ose objeksioni, që nga ana logjike, duhet diskutuar edhe shqyrtuar. Nuk është se mungon emiri i një luleje, a po emri i një lloj veshjeje, po problemi është se mungon fjala bazë, fjala më e rëndësishme për njehsimin e kombit, domethenë fjala e identitetit të tij. Pra, në fjalorin e F. Bardhit mungon trajta ndajfoljore “shqip”, ndër kohë që emrin e shpendit “shqipe”, ose “shqype” e gjejmë jo vetëm tek F. Bardhi, po tek të gjithë autorët e vjetër, qysh nga Buzuku më 1555. Dhe, sigurisht, në gojën e popullit ka ekzistuar shumë e shumë shekuj më parë.

Nga këto që kemi shtruar deri ketu, kuptohet qe mbështetësit e hipotezës se etnonimi shqiptar vjen nga ndajfolja “shqip”, përpiqen ta mbrojnë idenë e tyre jashtë rregullsive të fjalëformimit të gjuhës amtare, gjë që natyrisht e zvogëlon besueshmërinë ndaj kësaj hipoteze.

Siç është sqaruar më sipër fjala “shqip” nuk njihej në Arbëri para pushtimit osman. Ajo nisi të shfaqet disa dekada pas këtij okupacioni të egër. Me shkrim ajo duket për herë të parë në veprën “Meshari” të Buzukut, më 1555. Autori e ka shkruar atë vetëm një herë:

”…vjen me thashun shqip”. Po dhe ky rast mjafton që të dëshmojë se ajo fjalë, sa do rrallë, kish filluar të përdorej qysh para botimit të “Mesharit”. Kështu kuptohet se kishte nisur ndërrimi i emërtimit të gjuhës; dhe, ndajfolja arbërisht po zëvendësohej me ndajfoljen “shqip”. Vetiu na lindin pyetja: Si doli kjo fjalë? Dhe pse në këtë prag kohor? Mendojmë se kjo çështje shpjegohet natyrshëm , po qe se ndërrimin e emërtimit të gjuhës amëtare e lidhim me momentin përkatës historik.

Ky ndërrim po ndodhte krahas ndërrimit me dhunë të fesë së banorëve të Arbërisë, po ndodhte krahas ndryshimit të emrave të përveçëm të pagëzimit dhe të zëvendësimit të tyre me emra të fesë së pushtuesit. Për këtë gjë ndjehet aq i shqetësuar Gjon Buzuku tek Meshari kur thoshte: “ “ ai qi nukë jet fort enbë fet të Krishtit, por sa e vngjan kun pak të keq ashtu thotë: vete banem turk”. Të parët tanë, të tronditur në atë kohë nga tmerri i dhunës së jeniçerëve dhe nga taksat e administratës osmane, detyroheshin, të pranonin konvertimin e fesë, po duke ruajtur fshehur ritet edhe faljet ndaj shenjtorëve; po ashtu pranonin formalisht nga ana zyrtare të ndërronin emrat, po duke i mbajtur gjithashtu fshehur ato brenda fisit dhe familjes. Për analogji, në këtë kontekst historik, duke synuar të mëtojme sado pak lidhur me ndërrimin e emërtimit te gjuhës arbëreshe me trajtën shqip, lejohemi të hamendësojmë se stërgjyshërit tanë janë përpjekur të “fshihnin” në mënyrë alegorike edhe emërtimin e vjetër të gjuhës ”arberisht “ duke e zëvendesuar me simbolin e shqipes së flamurit.

Nga ana tjetër, themi se nuk duhet të jetë një përkim rastësor edhe tema e njejtë morfologjike midis emrit të simnbolit “shqipe” dhe të “gjuhës shqipe”, aq më tepër kur kjo fjalë e padëgjuar deri atëherë, zuri fill në dramën e përgjakur të hapësirave të Arbërisë. Ndërkohë, shprehim shqetësimin se barazia leksikore që po i japin me të drejtë ndajfoljes “shqip” me simotrat sinonimike “hapur, qartë, troç”, nuk arrin të zbulojë lindjen e kësaj fjale në momentin historik. Në këtë logjikë gjuhësore, atëherë, lejohemi të pyesim: “kur paskemi pasur gjith këto sinonime në fillim të shek.XVI, pse nuk u mor ndonjëra prej tyre, po u krijua kjo fjala e re “shqip”? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, gjithë supozimet të shpjenë te momenti historik, te lidhja figurative midis simbolit të shqipes dhe emërtimit te ri të gjuhës dhe etnonimit të ri shqiptar.

Gjithësesi, në mbyllje të diskutimit rreth kësaj hipoteze, shprehim mendimin se ndërrimi i emërtimit të gjuhës dhe i riemërimit të kombit, nuk duhet të ndahen nga qendresa kundër procesit asimilues, qe ushtronte pushtuesi ottoman.. Përpjekja e popullit të Arbërisë për të mbajtur fsheur ritet e fesë tradicionale krishntere, për të mbajtur fshehur emrat e perveçëm të pagëzimit, si edhe nderimi për gjuhën amëtare, duke e emërtuar atë me simbolin e shqipes kanë qenë forma të heshtura të asaj rezistence ne shekujt e sundimit ottoman.

*

* *

Tjetër ide ka studiuesi Osman Myderizi lidhur me origjinën e emrit etnik “shqiptar”. Sipas tij “ky emër mund të jetë përdorur nga myslymanët e parë që në shëkullin e XVI , po këta mbasi ishin të pakët, shumicës nuk iu imponuan dot32. Kjo hipotezë e Osmam Myderizit, duke iu shmangur etimologjisë së etnonimit “shqiptar”, e shikon këtë fjalë si të përftuar nga vendosja e sundimit të osmanëve dhe në pajtim me rëgjimin edhe me fenë e pushtuesve osmanë. Së dyti, lihet në harresë lufta legjendare e popullit të Arbërisë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, kundër sulltanëve më të fuqishëm të asaj kohe, ajo luftë që Fallmerayer, sipas Nolit, do ta quante”: the first act of the great Albanian drama”33. Së treti, ky gjykim i Myderizit del i palidhur fare me fatkeqësite që pësuan stërgjyshrit e shqiptarëve si pasojë e pushtimit barbar turko-osman. Le të kujtojmë vetëm zbrazjen e qyteteve me largimin e njerëzve rrugëve të mërgimit të detyruar, kur një e katërta e popullsisë, rreth 200,000 banorë, lanë vatrat dhe ikën të lemerisur për të shpëtuar kokën.. Mjafton të sjellim ne mendje dëbimin e shkodranëve nga shtëpitë e tyre më 1479, ashtu si na e përshkruan M. Biçikemit, që e jetoi vetë ngjarjen : “Në kështjellë kishin mbetur të gjallë vetëm 700 burra, një mijë e treqindfëmijë dhe po aq gra”.34 Gjithë këta fatkqinj, që kishin mbi jetuar nga shigjetat dhe bombardimet, do të merrnin udhët e arratisjes për në brigjet e Italisë.

Për këtë eksod tronditës, M. Biçikemi35 ndihet aq i lënduar dhe tregon se:”Do tëduhej përroi i rrëmbyeshëm i Demostenit dhe deti i pamasë i Ciceronit për t’i qarëpaksa me lotë mjerimet tona, për përshkrimin real të tyre nuk do të gjenin fjalë as

Herodoti dhe Tuqididi”.36 . Në mungesë të kësaj atmosfere dhimbjesh tragjike të krijohet përshtypja se gjyshërit e shqiptarve të sotëm, në fillim të shekullit të XVI dhe më vonë, nuk kishin shqetësime dhe telashe, po mjaftonte të ktheheshin në muslimanë dhe e vetmja hobi e tyre do të ishte të ndrronin emrin etnik. Kështu, dashje pa dashje, këtë ide të krijon hipoteza e Osman Myderizit.

Në mungesë të kësaj tabloje historike të kohës, hipoteza e Myderizit nuk duket e besueshme. Sipas tij, pakica muslimane e popullit, që krijojë emrin e ri shqiptar, duhej të

priste dhe nja 300 vjet më vonë, sa të bëhej shumicë, dhe pastaj ta deklaronte këtë emërtim të ri të kombit.

Atëherë, tek dëgjon këtë arsyetim, të lind pyetja: se ç’rrugë u ndoq nga pushtuesit osmanë që ajo pakicë të bëhej shumicë?… Dhe atë që nuk e shohim në analizën e Osman Myderizi, na e shkruan historia:

Për të thyer qendresën e popullit të Arbërisë, sundimtarët osmanë u munduan në fillim të bënin për vete bujarët vendas renegatë. Njëri nga ata, Komnjan Arianiti, arriti të futet deri në oborrin e sulltanit. Ky i shitur u bë shkak që e shpuri popullin në grackë, duke i ngrënë në besë, siç beri me“himariotët kryengritës, që qenë vendosur në male, në vende të fortifikuara natyrale, më 1492. Himariotët u dorëzuan dhe, për të zezën e tyre, burrave u prenë duart ose këmbët dhe pastaj i hodhën tatëpjetë malit. Gratë dhe fëmijet që u gjenden në ato vende, afro 8000 vetë i nisën si skllevër për në Vlorë”37. Me gjithë synimet e Sulltanit për të dobësuar dhe shkatërruar idenditetin e popullit të Arbërisë, stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm nuk hiqnin dorë nga bindjet e tyre si të krishterë. Sipas regjistrimit të vitit 1520, vetëm rreth dy përqind e familjeve ishin kthyer në fenë e pushtuesit osman.

Ndër kohë urrejtja kundër sundimit turko-osman nuk ulej. Në mbarim të shekullit XVI u duk një rigjallërim i shpirtit kryengrites në tërë popullsinë e Arbërisë. Në qershor të vitit 1593, kur u muar vesh formimi i koalicionit europian kundër Turqisë, krerët e kuvendeve e njoftuan Papën se arbëreshët, katolikë edhe ortodoksë, ishin gati të fillonin kryengritjen kundër turqëve, sapo Papati, Polonia, ose Rusia do t’i shpallnin luftë Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim u mblodh dhe Kuvendi i përgjithshëm më 1601 në fshatin Dukagjin të Matit. Në këtë kuvend morën pjesë 2656 të dërguar nga shumë krahina të vendit, që përfaqësonin rreth 40 mijë kryengritës, dhe që brenda pak kohe mund të bëheshin njëqind mijë vetë nga që “nuk mund t’i duronin më barbarët turq” deklaronin ata ne atë kuvend 38.

Siç u pa në këto rrethana revolte dhe kryengrtijeje, nuk duhet të ketë qenë pakica prej 2% e popullsisë, që kish kaluar në fenë e pushtuesit, ku ngrihej flamuri me gjysëm hënë, që të krijonte emërin e ri kombëtar. Pëkundrazi, emëritimi i ri duhej të ketë dalë prej shumicës me 98% të popullit, që po bënte qendresë prej 130 vjetesh, te pakten qe nga Beteja e Kosovës, më 1389, kur qe vrarë Andrea Muzka, dhe po vazhdonte të luftonte nën hijen e flamurit me shqipen dykrenare, e asaj shumice që po e mbante simbolin kombëtar të shqipës jo vetëm në flamur,po edhe në ballë edhe në gjoks edhe në zemër.

“Kryengritjet e fuqishme që ndodhën për gjatë shek. XVI dhe më vonë treguan se një rol jo të vogël në furinë dhe gjërësinë e tyre luante edhe ndjenja fetare e krishtere. Këto kryengritje, në të cilat merrnin pjesë edhe priftërinjtë dhe prelatët e të dyja kishave, që ishin në kontakte me shtetet e krishtere të Evropës, ishin një burim i përhershëm shqetësimi për turqit dhe një rrezik për garnizonet e tyre ushtarake në Arbëri. Për t’i prerë hovin lëvizjes kryengritëse, qeveritarët turq, krahas ekspeditave ushtarake, ndërmorrën nga fundi i shekullit XVI fushatën sistematike për islamiziimin në masë të të gjithë trevave të Arbërisë. Kjo fushatë do të vazhdonte edhe për gjithë shekullin e XVII dhe më pastaj. Qëllimi i turqve Osmanë ishte të krijonin edhe në Arbëri një masë të konsiderueshme banorësh myslimanë të lidhur ideologjikisht me fatet e Perandorisë Osmane. Kështu, me anë te myslimanizimit masiv qeveritarët turq synonin ta kthenin popullatën e Arbërisë në një shtojcë të makinës luftarake të Turqisë. Me anë të muslimanizmit turqit synonin gjithashtu të mbillnin përçarje fetare në radhët e populsise së Arbërisë.”39

Si mjet shtrëngues për ta detyruar popullsinë e Arbërisë që të merrte fenë e pushtuesit, qeveritarët turq manovronin edhe me politikën e taksave.Taksat me të larta u ngarkoheshin të krishterëve, qe nuk ishin kthyer në myslimanë. Kjo filloi te jepte efektin e vet në një pjesë të madhe të popullsisë, duke detyruar shumë të krishterë që, për të mbijetuar, të pranonin fenë e pushtuesit, siç e thonë pleqtë në Kaninë: “Të bëhesh Tahir me pahir”. “Duke u kthyer në mysliman, vetëm për të shpëtuar nga shfrytëzimi dhe përdhunitë e turqëve, ndërgjegja fetare islame te banorët e Arbërisë në shek. XVII dhe XVIII ishte ende e përciptë. Për një kohë të gjatë arbërshët e kthyer në muslimanë frekuentonin akoma kishat e tyre edhe kryenin fshehur ritet fetare të krishterëve. Në mjaftë raste nga një familje kthehej musliman vetëm kru i shtëpisë, ai që përfaqësonte familjen përpara autoriteteve turke.. Krahina të tëra u kthyen formalisht në fenë myslimane, duke qendruar për mjaftë kohë të krishterë të fshehur. Këta zakonisht kishin dy emra: një mysliman për marrëdhëniet me turqit dhe një të krishter për marrëdhëniet brenda fshatit edhe farefisit”..40Gjurmët e këtyre praktikave fetare janë dukur deri vonë në krahinën e shpatit, në malësinë e Tropojës dhe në Dukat..

Ndër kohë, sistemi i feudalizmit ushtarak turk-osman rrënoi gjithë ekonominë e vendit. Dheu i Arbërit u shkatërrua si mos më keq.. U rrënuan qytetet, u prishën zejtaritë, u asgjësuan traditat e jetës kulturore. U zhdukën kishat dhe manastiret, shkollat, seminaret dhe kuvendet. “Nga më tepër se 20 Manastire katolike që pati Arberia e Veriut në kohën e Skënderbeut, në vitin 1570 kishin mbetur vetëm katër41.Të njëjtin fat patën edhe kuvendt e Urdhërit të Françeskanëve.. Siç dëshmohet nga At Marin Sirdani

në revistën “Hyll i Dritës”: Nga 20 kuvende që kishin qënë në kohën e Gjergj Kastriotit, kishin mbetur më 1720 vetëm pesë në gjendje shumë të keqe.42

Mizori të tmershme treguan pushtuesit osmanë edhe në anën veri-lindore të Arbënisë. “U shkretuen Shkupi, Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja… Ata pak të krishtenë që i pështuan zjarmit të parë të shpatës në vringllim, u mshefen apo muerën kush mujti, rrugët ë mergimit.”43

Nuk mund të rrimë pa përmendur në këtë rast burgosjet dhe ndjekjet që iu bënë nga sundimtarët turq Arqipeshkëvit të Shkupit dhe dhe vizitorit apostolikPjetër Bogdanit,44 i cili ishte njeriu më i ditur i tërë Arbënisë në shek. e XVII. Qeveritarët turq nuk u mjaftuan vetëm me keqtrajtimin ndaj këtij personaliteti të kulturës arbënore sa qe gjallë, po barbarisht e dhunuan atë edhe të vdekur. “Trupi i tij u nxuer nga vorri dhe u la në sheshin e Prishtinës që ta hajshin qenjt” 45

Me mbylljen e dhimbshme te jetes se Pjeter Bogdanit, më 1689, pothuajse shuhet krejt ajo kulturë e Kosovës, te cilën Prof. Engjell Sedaj e quan “tradita hasjane”46. Humbet kështu edhe ipeshkëvia e Shkupit dhe Kosovës.

Edhe në Shqipërinë e Mesme e të Jugut u asgjësua çdo gjurmë e krishtërimit. Shën Gjergjit të malësisë së Tiranës i mbeti vetëm emri i fshatit. Në Mallakastër u zhdukën nga faqja e dheut gjithë kishat si edhe katedralja madhështore e Glavinicës (Ballshi i sotëm), një kodik i të cilit u gjend tani vonë në kishat e Beratit. Në këtë krahinë mbeti si kujtim i krishterimit vetëm emri i malit të Shën-Illiut në Mallakastrën e Sipërme. Ky shkatërrim vandal i kishave është bërë edhe në zonën e Labërisë. Në vend të kishave të zhdukura tek tuk ka mbetur ndonjë gjurmë toponomastike, siç janë në zonën e Vlorës emrat e vendeve Shëndrè, Shënjanì, Shënvasì. Të gjitha këto fakte flasin për luftën këmbëngulëse të Turqisë “për zbehjen e idenditetit tonë kombëtar, si edhe për zhdukjen e simboleve tona si të flamurit e të figurës madhore të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për shëkuj për shkak të sundimit otoman”.47

Përmes këtyre shpjegimesh dhe komentesh të së kaluarës, deshëm t’i përgjigjemi pytjes që u shtrua në fillim se çfarë rruge u ndoq nga pushtuesit osmanë, që pakica muslimanë, e theksuar nga Osman Myderizi, të bëhej shumicë rreth 300 vjet më vonë. Vetë pamja e gjithë këtyre ngjarjeve dhe analizave tregon se hipoteza e Myderizit është e palidhur me faktet dhe ngjarjet reale të historisë, prandaj edhe është e pabesueshme. Ky mendim i Osman Myderizit është antihistorik dhe indirekt rrezaton nostalgjinë e

bejtexhinjëve për Perandorinë Osmane. “ Këtij mendimi të Myderizit,i bije ndesh, sipas Shaban Demirajt, jo vetëm argumenti historik,por edhe ai gjuhësor48. Dhe ja si e analizon bindshëm Prof. Sh.Demiraj idenë e mësipërme të Myderizit: “Por do shenuar se në bazë të një arsyetimi të tillë pritej që shqiptarët e islamuizuar në përgjithësi (dhe jo vetëm disa njerëz të ndikuar prej kulturës turke, siç ishin ndër të tjerë, bejtexhinjtë), ta quanin veten turq. Ose, të paktën do të pritej që emri shqiptar të ish perdorur vetëm nga pjesa e islamizuar e popullsisë shqiptare, ose të ishte përdorur nga turqit për të emëruar këtë pjesë të popullsise shqiptare, çka nuk i përgjigjet të vërtetës historike. Mbrojtësit e tezës në shqyrtim duhej të dokumentonin, të paktën, që turqit i emërtonin shqiptarët e krishterë arnautë ( arbëneshë-arbëreshë), ndërsa ata muslimanë i emërtonin shqiptarë. Përndryshe duhej pranuar që këtë diferencim emërtimi ta kenë bërë vetë shqiptarët e dy konfesioneve të ndryshme, çka nuk është e saktë. Po t’u referohemi burimeve turke, del se ato kurdoherë shqiptarët i kanë quajtur me emrin arnaut. Dhe mund të pohohet se në dokumentat turke të herëshme apo të vona nuk është bërë ndonjë dallim i tillë në emërtimin e shqiptarëve myslymanë dhe të krishterë, duke i quajtur të parët shqiptarë dhe të dytët arbënesh-arbëresh. … përdorimi qoftë ëdhë një herë të vetme,(i fjalësshqiptar- shenimi ynë) tek Kuvendi i Arbënit”, nuk e mbështet hipotezën e mësipërme.49

Fraza e fundit e Prof. Sh. Demirajt do të ishte konkluzioni më i qartë për sa i përket idesë së Osman Myderizit për etnonimin shqiptar.

*

* *

Një nga tezat e rrahura herë pas here lidhur me etnonimin e ri shqiptar si edhe me etimologjinë e kësaj fjale është edhe ideja e historianit kroat Milan Shufflay.50 Ky studiues albanolog përpiqet të bëj “një bashkëlidhje të mundshme midis etnonimit shqiptar dhe mbiemrit familjar (llagapit) që dëshmohet në një numër variantesh shkrimore për zonën e Drishtit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIV, nga 1368 deri1402. Me përsihatjen e tij ky albanolog përpiqet të ndriçojë etimologjinë e fjalës shqiptar, për të gjetur ashtu edhe origjinën e emrit të ri të popullit tonë.

Sipas Shufflay-it, fillimi i emrit të ri “shqiptar” duket aty nga fundi ishekullit XIV: “Gjurma e parë e këtij emri del në mbarim të shek. XIV, del në dritë në veri, në qytetin e Drishtit si emër familjeje (1368 – 1402: Schibudar, Schepuder, Schapudar, Schapuder) 51

Dokumenti që analizon Shufflay është bërë në Raguzë dhe mban datën, 11 gusht,1370. Bëhet fjalë për një shkresë shit-blerjeje, që mbyllet me frazën: “…çka tepron duhet t’i dorëzohet Don Pjetër Schipudar-it prej Drishtit.” Ndërsa ati i këtij Pjetrit, personit, që sipërpërmendet, quhet Andreas Schipudar.

“Përkatësia gjuhësore – etnike, pas gjase, shqiptare e kësaj familjeje dhe afëria grafike (-tingullore) ndërmjet llagapit dhe etnonimit shqiptar

(>shqipetar) janë, me sa duket, dy shtysat që joshën Shufflay-in të përsiasë bashkëlidhjen e tyre në një fjalë të vetme, e cila duhet të ketë përjetuar përdorime të ndryshme në kohë dhe në hapësirë.52”

Me sa shihet, duke mos pasur argumenta të mjaftueshme, mendimi i Shufflay-it lidhur me emrin familjar “Schipudar”, është lënë si në hije nga disa studjues. Ndërsa

Prof.Çabej, duke vlerësuar idenë e tij shkruan se “Mendimi që emnri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipërinë Veriore që në shek. XIV , e të jetë identik me emrin familjar Schipudar…..të një banori në qytetin e Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës mbetet një hipotezë që meriton të gjurmohet më

tej.”53. Për këtë problem, Prof. Çabej, duke mos pranuar idenë e studiuesit A. Chastis, sipas të cilit fjalët “shqip” dhe “shqiptar” mund ta kenë prëjardhjën nga një fjalë greke me origjinë italiane, ”schiopptto”, ai shkruan: “Kundër këtij mendimi është përmendur se emri shqiptar na dalka si emër familjeje qysh më 1368-1402 në Drisht (Drivastum): në arkivat e Rushit (Raguzes) ne gjejmë të përmendur një drivastian të quajtur Schipudar”,….. (nga Shufflay.)54 . Ne këto fjalë duket qartë prirja e Prof. Çabeit për të mos e anashkaluar hipotezën e Shufflay-it. Në qoftë se nga linguistët mbetet i pranueshëm shpjegimi se emëri i familjes së Andreas Schipudar-it, pra (llagapi) tij nga ana fonetike është i njëllojt me emrin shqiptar, atëherë, mbështëtur në hipotezën e Shuflay-it, dalin dy motive për t’u diskutuar:

A ka mundësi që me emrin e familjes së Andrea Schipudar-it nga qyteti i Drishtit të marrë fill origjina e etnonimit të ri “Shqiptar”?

Çfarë kuptimi leksikor do të kishte pasur kjo fjalë “schipudar”? Cila do të ishte etimologjia e kësaj fjale.?

Për çështjen e parë duhet t’i drejtohemi historisë, që na tregon shembuj të ndryshëm, kur një personalitet i fuqishëm ka ndikuar në jetën e vendit aq shumë, sa emrin e familjes së tij e ka marrë gjithë vendi. Siç ka qenë në Kinën e lashtë dinastia “Qing” (221- 206, P.K.), dinasti që i dha emrin Kinës: China (anglisht), Chine (frengjisht), Cina (italisht), China (spanjisht). Po kështu mbreti Abdul Aziz Al-Saud formoi mbretërinë e tij më 1932, që u quajt Arabia Saudite. I famshëm ishte edhe Admirali William Penn (1644-1718), që themeloi një koloni angleze shumë të madhë në Amerikë nga vjen sot edhe emri i shtetit të Pensilvanias. Pra, këto shembuj tregojnë për personalitete me autoritet, që kanë qenë shumë të dëgjuar dhe me peshë sociale në histori, që kanë pasur një autoritet dhe veprimtari të dukshme ne popull, prandaj edhe kanë arritur që emrin e tyre ta bëjnë etnonim të vendit. Kurse Andrea Schipudari s’ka kryer asnjë rol të jashtëzakoshëm, dhe s`ka bërë ndonjë heroizëm apo veprim të rrallë sa të mbetej në histori dhe t’i jepte emrin e vet popullit si etnonim. Jo që, Andrea Schipudari, ka qenë një njëri i rëndomtë, …. por as edhe princat e pricipatave feudale në Arbëri nuk arritën dot ta bënin emërtimin e popullit dhe të mbarë atdheut me një nga emrat e familjeve të tyre. Kështu, Muzakajt, edhe pse kishin titullin e lartë të despotit, arritën t’i jepnin vetëm principatës së tyre emrin e familjes Muzaka, e njohur sot si Myzeqe. Edhe Dukagjinët emërtuan vetëm krahinën e tyre, po nuk e shtrinë emrin e familjes në të gjithë Arbërinë. As Kastriotët, që në fund të fundit arritën të bëjnë lidhjen e gjithë princëve të vendit, nuk e emërtuan dot popullin me emrin e familjes “Kastrioti”. Atëherë si të besojmë se me familjen Schipudari fillon etnonimi ynë i ri “shqiptar?” Kështu që është jashtë arsyes të mëndosh që nga emri i një familjeje të rëndomtë të dalë emri i ri i kombit “shqiptar”.

Po për sa i pëket çështjes së dytë lidhur me hipotezën e Shufflay-it, rreth emrit të familjes së Andrea Schipudar-it, pra, të kuptimit leksikor dhe të etimologjisë së kësaj fjale, duhet synuar për ta ndriçuar atë në mënyrën sa më bindëse.

Së pari duhet të sjellim në mendje pyetjen që ngre studiuesi R. Ismaili: “Si do të ishte e mundur të quhej kështu një familje mes vetë popullsisë shqiptare?” Kjo pytje e Ismailit do të dukej e pranueshme për realitetin gjuhësor të ditëve tona, kur zor se mund ta quajë shqiptari një shqiptar tjetër me llagapin “Shqiptari”.

Kurse për shekullin e XIV, kur atdheu quhej Arbëni, banorët arbnësh, dhe gjuha arbnisht, një pyetje e tillë nuk duket e bazuar. Kjo për arsye se në rrënjën e mbiemrit Schipudar nuk kishte se si te ndikonte emri i “gjuhës shqipe”, kur ajo atëherë dilte me trajtën ndajfoljore arbnisht.

Për analogji le të përmendim si shembull një mjek që erdhi në Shkodër, më 1766, prej vendeve gjermanofone dhe që shkodranët e thërrisnin doktor Tedeskini, pastaj dhe pasardhësit e tij vazhdojnë të kenë po këtë mbiemër edhe sot; ose një arbëreshe në Napoli, që hapi një gjelltore dhe u quajt nga vendasit Maria Albaneze. Për këto dy raste nuk shpreh askush habi, sepse mbiemrat, pra (llagapet) janë vënë në mënyrë të arsyeshme, duke marrë për bazë persona të ardhur në një mjedis gjuhësor të ndryshëm nga gjuha e tyre amtare, prandaj u janë venë llagape dukë u bazuar në gjuhën e tyre të mëmës. Kurse Petrus Andreas Schipudar-i e ka marrë këtë emër familjeje, (llagapin) për ndonjë arsye tjetër dhe jo nga ndikimi i gjuhës amëtare, sepse ajo (gjuha shqipe) në atë kohë njihej si arbënisht.

Pamvarësisht nga pyetjet që mund të bëhen për mbiemrin e Andreas Schipudar-it, ai është i dokumentuar se është quajtur me këtë llagap Për momentin mund të mëtojmë se duhet të ketë lidhje midis emrit familjar Schipudar dhe emrit shqiptar, po jo duke venë në bazë trajtën ndajfuoljore “shqip” e cila atëherë nuk ishte ende si fjalë. Kjo lidhje duhet parë në anën figurative, simbolike, pra me simbolin e shqipes. (ose shqiponjës).

Shtysa e parë që na nxit për ta lidhur hipotezën e Shuflay-it me emblemën e shqiponjës është mungesa e trajtës ndajfoljore “shqip” në shekullin e XIV.

Në qoftë se arsyetimi i barazisë kuptimore midis mbiemrit (llagapit) Schipudar dhe emrit shqiptar është i pranuar nga ana fonetike, atëherë lejohemi të gjejmë përgjasim duke përsiatur për këtë çështje. Na vijnë në mendje emra njërzish që e kanë marrë llagapin nga lloji i punës që kanë bërë në jetë: fjala vjen Gor Berberi, quhej kështu nga puna e tij; dhe Petro Opingari thirrej sepse bënte opinga; Leks Shtëmbari, quhej nga që i ati i tij, ose ai vetë, bënin shtëmba, Temo Pelari, thirrej me këtë llagap sepse qe marre me rritjen dhe stërvitjen e kuajve, atëherë edhe Andrea ose Pjeter Schipudar-i do të jenë marre me shqiponja ose shqipet, po natyrisht, jo me shpendin e shqipes, po me simbolin e saj, me pikturat e shqiponjës, me shitjen ose shpërndarjen e tyre, ose me flamurët që kanë në mes shqipen, pra emblemën tonë kombëtare aq të vjetër.

Shtysa e dytë për këtë çështje ka të bëjë me afrimin e kërcënimit të turqve osmanllinj, të cilët më 1354 kaluan Dardanelen55 dhe u hodhën në Ballkan. Harku kohor që përfshin hipoteza e Shufflay-it (1368-1402) përkon me fillimet e qendresës së princave të Arbërisë kundër sulmeve të para osmane . Kur sulmet grabitqare të turqve po shtoheshin, princat ballkanas bënë aleancë dhe nisën nga përgatitjet për t’u mbrojtur. Në këtë kohë duheshin ushtarë dhe armë, po duheshin edhe simbolet kombëtare dhe flamurët me shqipen në mes , si dhe emblema me shqiponjën dykrenare. Ballafaqimi masiv i ballkanasve me ushtrinë osmanë do të ndodhte në betejën e përgjakshme të Fushë Kosovës 1389. Atëherë, duke qënë se koha kur vendoset hipoteza e Shuflay-it puqet me valën e parë të sulmeve osmanë, që kulmon me 1389, lejohemi të hamendësojmë se ata që bënin a po shpërndanin flamurët ose simbolet me shqipe duhej të quheshin shqiptar- ”Schipudar”- , siç duhet të ketë qënë edhe Andrea Schipudar-i.

Mundësia që kjo hamendje të jetë ë vërtetë shtohet aq më tepër se në këtë periudhë kohore nuk njihej në asnjë rast dhe në asnjë krahinë të Arbërisë ndajfolja “shqip” dhe gjuha e Arbërisë atëherë, në shek.XIV, dilte me trajtën ndajfoljore “arbënisht”-“arbërisht”.

Në këtë mënyrë, indirekt, hipoteza e Shuflay-it na forcon idenë se për të gjetur origjinën e emrit etnik “shqiptar”, do të ishte mirë të shikojmë më shumë nga simboli i shqipes dhe jo nga ndajfolja “shqip”, që atëherë nuk ekzistonte.

Si konkluzion, nga sa parashtruam në këtë studim, dalim me idenë se hipoteza, e cila kërkon ta gjej origjinën e etnonimit të ri shqiptar tek simboli i moçëm i “shqipes”, duhet marrë në konsideratë. Në të mirë të kësaj ideje janë shumë detaje dhe fakte historike. Argumentet e kësaj hipoteze janë në përshtatje me rregullat gjuhësore të fjalëformimit, me etnografinë dhe psikologjinë mbarëkombëtare.

Bibliografi

Amery,J. :”Sons of the Eagle”, London, 1948.

Angely, R. d’ : “Enigma”, Botimet Toena, 1998.

Barleti, M. : “Historia e Jetës dhe e Veprave të Skënderbeut”, Tiranë, 1968.

Barleti, M. : “Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë, 1982.

Biçikemi, M. : “Pritja e Shkodranëve në Venetik”, shtojcë e librit të M. Barletit,

“Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë, 1982.

Camaj, M. :”Imzot Pjeter Bogdani”, Fordham University, NY, 2009.

Çabej, E. : “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, Tiranë, 1994

Çelebiu, E. : “Në Shqipëri dhe në Viset fqinj”, përkthyer nga A. Myftiu, Botimet

“F. Konica”, Prishtinë, 2007

Demaj, V. : Gazeta Shqiptare”, 18 Mars, 2009

Demiraj, B. : “Shqiptarët”, Tiranë, 2010.

Demiraj, Sh.: “Prejardhja e Shqiptarëve nën Dritën e Dëshmive të Gjuhës Shqipe”,

Tiranë, 1999.

Durham, E. : “High Albania”, London, 1908.

Gjeçaj, D. “Imzot Pjeter Bogdani”, Fordham University,NY, 2009.

Historia e Shqipërisë,Tiranë, 1959.

Kadare, I. : Gazete “Illyria”, 30 Mars, 2006.

Kaplan, R. : “Balkan Ghosts”, NY, 1996.

Longfellow, H. W. : Poema “Skënderbeu”, “Albumi” – F. Nolit, Tiranë, 1957.

Merulas, Gj. : “Lufta e Shkodrës”, shtojcë e librit të M. Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”

Tiranë, 1982.

Mjeda, N. : “Vepra letrare-1”, Shtëpia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1988.

Muzaka, Gj. : “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.

Muzaka, K. : Pjesë nga “Memoria” e Gjon Muzakës, Tiranë, 1996.

Nadini, L. : “Statuti di Scutari”, Venecia, 2002.

Noli, F. : “George Castrioti Skanderbeg”, NY, 1947.

Noli, F. : “Historia e Skënderbeut – (Kryezot i Arbërisë)”, Boston, 1949.

Pipa, A. : “Imzot Pjetër Bogdani”, Fordham University, NY, 2009

Plutarch ` s Lives, vol. III, Boston, 1859, f. 11. Sedaj, E. : “Imzot Pjetër Bogdani”, Fordham University, NY, 2009.

Vlora, E. Bej. : “Kujtime”, vëllimi II, Tiranë, 2001.

Vasa, P : Vepra Letrare 1, Shtëpia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1987.

Williams , Xh, F.: “Shqiptarët dhe Shqipëria, Vendi i Shqipeve …..”, Tiranë, 2004.

Wright, D. : “Albania – Enchantment”, NY, 1997.

Shenime për Autorin

Aristotel Mici lindi në fshatin Shën Pjetër pranë qytetit antik të Apolonisë të rrethit të Fierit, më 1935. Mbasi mbaroi fakultetin e Historisë dhe Filolgjisë në Universitetin e Tiranës, u emërua mësues i gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin e parë të qytetit të Fierit. Më vonë, më 1968, kur në Fier u hap Filiali i Universitetit të Tiranës, Aristoteli u caktua pedagog i letërsisë së huaj në këtë institucion, që funksionoi për rreth dy dekada. Për gjatë viteve 1980-90 ai punoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” me detyrën e shefit të redaksisë për Botimet Letrare të Traditës.

Aristotel Mici nisi të botojë tregime në shtypin letrar dhe në revistat për fëmijë që në mes të viteve 1950. Ai është autor i disa librave me tregime e novela si “Gjoli i Rosave”, “Elektricistja e Betonierës”, “Lulet e Pyllit”, “Blerina në Malësi” si edhe i romanit “Drizana”. Ai ka botuar edhe libra me tregime e fabula për të vegjël siç janë “Kërrabat me Bilbil”, “Anës Detit”, “Kopshti i Lepurushëve”, “Qerrja me Lëpushka”, “Kur këndojnë gjinkallat”, “Ariu i Pyllit të Madh” dhe ”Gardalina ne Fole”. Ndër kohë, ai u mor edhe me përgatitjen e teksteve shkollore, si me librin e Leximit Letrar ashtu edhe me atë të Edukatës Morale.

Në vitin 1998, Aristotel Mici emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Massachusetts, ku jeton edhe tani. Atje, në emigracion, krahas punës së mësuesisë në disa shkolla, vazhdoi edhe studimet për zgjerimin e njohurive të tij. Në fillim ndoqi kolegjin Quisigamond në degën e gjuhës angleze për të huaj. Pastaj përfundoi studimet në Worcester State College, (major program) në departamentin e Historisë dhe të Shkencave Politike. Me 2010 u gradua “Master in History” në Worcester State University.

Po gjatë këtyre viteve te emigracionit ai është marrë edhe me studime eseistike. Ka shkruar kumtesa rreth traditave tona kulturore dhe patriotike, të cilat i ka botuar në gazetat shqiptaro-amerikane “Dielli” dhe “Illyria” . Nga këto studime mund të përmendim trajtesat “Sokrati i Antikitetit në Poezinë e Lagush Poradëcit” , “Rreth veprës ‘Burgimi im’ të PahkoVasës”, “Meszhi i Memories së Gjon Muzakës” “Adhurimi i Naim Frashërit për Homerin” e të tjera Po në këto organe ka botuar dhe portrete edhe ese lidhur me personalitetet e kulturës dhe traditave demokratike amerikane. Sic jane: “G. Washingtoni dhe Revolicioni Amerikan”, “Th. Jeffersoni si Ati i Deklaratës së Pavarësisë”, “Presidenti A. Linkoln- Njeriu Largpamës që drejtoi Luftën Civile në Amerike”, “Th. Rusvelt- Presidenti Reformator i Asmerikes”

Në këtë vazhdë shkrimesh dhe studimesh është edhe eseja lidhur me emrin etnik Shqiptar, që po i paraqitet lexuesit me anë të këtij botimi.

Worcester, MA.

2012

1 Sh.Demiraj, ”Prejardhja e Shqiptarëvë nën Dritën e Dëshmivë të Gjuhës Shqipë”, Shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë 1999, f.175

2 Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1959, f. 195.

3 Gjergj Merulas: “Lufta e Shkodrës”, shtojcë tek libri i Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1982,, f. 125.

4 Eqrem Çabej: ” Shqiptarët midis Perëndimit dhë Lindjes”, MÇM, Tiranë,1994, f. 9.

5 Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” , MÇM , Tiranë,1994, f.11.

6 Eqrem Bej Vlora, “Kutime”.v.2., Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë 2001, f.13.

7 Straboni – ( 63 Para Krishtit – 24 Pas Krishtit): Gjeograf dhe historian i antikitetit greko – latin.

8 Agim Shehu, Gazeta “Illyria”, Nëntor, 2003.

9 Plutarch ‘ s Lives, vol. III, Boston, 1859, f.11 .

10 Pashko Vasa, Vepra letrare 1, (Shqypnia dhe Shqiptarët), Shtëpia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1987, f..53.

11 Marn Barleti, “Historia e jëtës dhe e veprave të Skënderbut”, Tiranë 1968 f..93.

12Historia e Shqipërisë, Tiranë 1959, f. 208 .

13 Gjon Muzaka, ”Mëmoria”,, Toena,Tiranë,1996, f.29.

14 Evlija Çelebiu: Kronikan turk..Shënimet e tij nga përshtypjet që pati për vëndin tonë dhe viset fqinjë janë përkthyer nga A. Myftiu dhë janë publikuar më 2007 nga botimet “Faik Konica” në Prishtinë. Nga kjo përmbledhje kemi marrë këtë frazë të nënvizuar.

15 Lucia Nadini, “Statuti di Scutari”, Universita di Venecia, 2002, f.79

16 Lucia Nadini,”Statuti di Scutari”,Universita di Venecia, 2002, f. 49

17 Lucia Nadini, “Statuti di Scutari”., Universita di Venecia, 2002, f.50

18 Marin Barleti, “Rrethimi I Shkodrës”, Tiranë, 1982, f. 56.

19 J. de Lavardin ,baron i kulturuar francez që shkroi një libër biografik për Skënsderbeun i bazuar kryesisht te M.Barletit.Vepra pati jehonë në Francë dhe më gjërë. Para së gjithash duhet të përmendim mbresat që i la poetit më të ndritshëm të Pleiadës P. Ronsard-it, i cili, i frymëzuar nga libri, shkroi një sonnet lavdëruse për autorin , duke ngritur lart heroin e veprës Gj. Kastriotin/ Skënderbeun,duke e quajtur atë Akil dhe që fitoi njëzet e dy herë kundër turqve Osmanllinj. Shenojmë se kjo sonnet është në faqen e parë të veprës, pra si parathënie, gjë që tregon se Poeti e ka pas lexuar veprën e Lavardinit në dorëshkrim.

20 Kostandin Muzaka, “Memoria “ e Gjon Muzakës,Toena, Tiranë, 1996, f.68 .

21 Eqrem Bej Vlora, “Kujtime”, vëll.2, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë, 2001, f.13.

22 Pashko Vasa, “Vepra Letrare”, vol. 2, Tiranë, Shtëpia Botuese “N.Frashëri”, 1987, f. 21 .

23Maximilian Lambertz: (1882- 1963): albanolog austriak; mbas Luftës së Dytë Botërore u vendos në Gjermaninë Lindore.

24 Eqrem Çabej, “Shqiptaret Midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, Tirane, 1994, f.15.

25 Edith Durham(1863-1944): studiuese angleze në Institutin Mbreteror Anthropologjik. Në fillim të shek. XX ajo bëri disa shtegëtime kërkimore në Shqipërinë e Veriut. Përshtypjet e saj janë përmbledhur në librin ”High Albania.”.

26 R. d’ Angely, “Enigma”, Toena, 1998, f.180.

27 R. d’ Angely, “Enigma”, Toëna, 1998, f. 290.

28 Xh.F. Williams (Georg Fred Williams) (1852-1932), studiues dhe diplomat amerikan, që shërbeu si ambasador në fillim të shek. XX në Greqi dhe në Mal të Zi.

29 Julian Ameri (1919-1997): Politikan edhe studiues anglez; u fut në Shqipëri në prill të vitit 1944 në kuadrin e forcave aleate. Qendroi në Shqipëri në radhët e forcave të luftës kundër nazistëvë gjërmanë. Pas Luftës së Dytë Botërore botoi disa libra; njëra nga ato është për Shqipërinë dhe titullohet “Sons of the Eagle”- (Bijtë e Shqipes).

30 Ndre Mjeda, “Vepra Letrare-1”, Juvenilia”, Shtëpia Botuese N. Frashëri”, Tiranë, 1988, f.37-103

31 Shaban Demiraj, ‘Prejardhja ë Shqiptarëve nën Dritën e Dëshmive të Gjuhës Shqipe”, Shtëpia Botuese “Shkenca”, Tiranë, 1999, f.194.

32 Shaban Demiraj, “Prejardhja e Shqiptarëve nën Dritën e Dëshmive të Gjuhës Shqipe”, Shtepia botuese “Shkenca”, Tiranë, 1999, f. 196.

33 Fan Noli, “George Castrioti Skanderbeg”, NY, 1947

34 Marin Biçikemi, “Pritja e Shkodranëve në Venedik”, Shtojcë në librin e Marin Barletit ”Rrethimi I Shkodrës”, Tiranë, 1982, f.157

35 Marin Biçikemi (1468-1526): ka lindur ne shkoder.. me renien e qytetit ne duar te turqve, mergoi me familjen ne Ital, ku u be professor i oratories ne universitetin e Padoves.

36 Marin Biçikemi “Rrethimi I Parë I Shkodrës”, Shtojcë në librin e Marin Barletit : Rrethimi I Shkodrës”, Tiranë, 1982, f.151

37 Historia e Shqipërisë, 1959, f.319-320.

38 Historia e Shqipërisë, f..359-360.

39 Historia e Shqipërisë, 1959, f. 366.

40 Historia e Shqipërisë,1959, f. 368.

41 Historia e Shqipërisë, f.373.

42 At Viktor Demaj, Gazeta Shqiptare, 18 Mars,2009 .

43 At Daniel Gjecaj, “Imzot Pjeter Bogdani, Fordhanm University, NY, 2009, f.66.

44 Martin Camaj, “Imzot Pjeter Bogdani”, Fordhem University, Ny, 2009, f. 127

45 Arshi Pipa, “Imzot Pjeter Bogdani”, Fordham Universiy, NY. 2009, f. 87

46 Martin Camaj, “Imzot Pjeter Bogdani”, Fordham University, NY, 2009 f.

47 Ismail Kadare, Gazeta “Illyria”, 30 Mars, 2006

48 Bardhyl Demiraj, “Shqiptar”, Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2010, f. 49.

49 Shaban Demiraj, Prejardhja e Shqiptarëvë nën Dritën e Dëshmive të Gjuhës Shqipe” ,Shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë, 1999, f. 197.

50Milan Shufflay (1879-1931), albanolog i shquar nga Kroacia.

51Shufflay: Marrë nga libri “Shqiptar” i Bardhyl Demirajt, Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” , Shtyp. “Kristalina”, Tiranë, 2010, f.27

52 Bardhyl Demiraj, “Shqiptar”, Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2010, f.29.

53 Bardhyl Demraj, “Shqiptar”, Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2010, f. 30.

54 Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, Tiranë, 1994, f.15.

55 Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1954, f. 240

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...