2013-07-06

Përtej reklamës së një libri




Romani "E kuqja e demave", sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballëvënie dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe çmendurake, të zjarrta dhe të lodhura njëherit



Behar Gjoka

Shtysat për të vajtur te libri janë të shumta dhe po kaq të çuditshme. Gjithnjë e më shpesh, gjatë kësaj ndërkohje, komunikimi me lexuesin, pavarësisht nivelit dhe qasjes ndaj tekstit, shijes dhe mungesës së saj, po formatohet me hapësirë të gjerë veprimi, ajo dukuri mediatike, që do të mund të emërtohej si reklamë për librin. Pra, tashmë ka qëlluar që reklama për librin, të jetë një faktor nxitës dhe vendimtar për ta kërkuar një tekst të ri jo vetëm të huaj, por edhe të letrave shqipe. Kështu në pranverën e vitit 2008 u bë shkak kryesor reklama, që të lexoja Ishullin e shkrimtarit B. Blushi, ndërsa për 2009, reklama mediatike, u bë shkasi thelbësor që të shfletoja edhe romanin E kuqja e demave të shkrimtares Mira Meksi. Kuptohet se reklama për librin dhe qëndrimi ndaj saj është një çështje më vete dhe që kërkon shqyrtime të vëmendshme, sepse në këtë botë ka njerëz që atë e vendosin në krye, madje edhe duke i mveshur atributet e një shkopi magjik. Po ashtu, ka edhe lexues apo studiues, të cilët mendojnë se reklama ndaj librit më shumë e vret shenjën letrare, sepse e sheh tekstin si një mall që shitet dhe jo si vlerë estetike dhe shpirtërore. Megjithatë, në kushtet e mungesës së një shtypi të specializuar për librin, reklama mediatike, tani për tani është gati e pashmangshme, sepse artisti i fjalës nuk ka mënyrë tjetër lajmërimi për daljen e një libri të ri, çka sërish nuk pengon që të ruhet ekuilibri ndërmjet reklamës dhe leximit të teksteve të shkruara.

Teksti letrar

Romani "E kuqja e demave" sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballëvënie dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe çmendurake, të zjarrta e të lodhura njëherazi; mbase ka gjasa të jenë më shumë dy përjetime të forta, ku dashuria rrezikon të nakatoset dhe madje edhe të shuhet nga seksomania, pa harruar këtu se nga ana tjetër vetë të bërit seks është ilaçi më i mirë i përtrimjes së dashurisë. Pra, teksti letrar i librit, romanor si tipologji shkrimi, me një teksturë të lëvizshme të ligjërimit të prozës, zbulon përpara lexuesit dashurinë në shumëplanësi, si ndjenjë dhe ankth, si jetë dhe zjarr, si frymë dhe caku i amshimit, në shumicën e trajtave ekzistenciale dhe universale të shpalimit të saj. Po ashtu, ky tekst ofron me një shkujdesje marramendëse edhe një situatë të shembjes së kufijve, sepse ngjarjet luhen sa në Spanjë, e po kaq, ndonëse si një përjetim i parajetuar nga personazhi kryesor, edhe në Shqipërinë e Onufrit dhe të ikonave, duke i mveshur kështu librit/tekstit një shenjë të dukshme të fanitjes së universit, të botës pa kufij, pra të rënies më në fund të mureve politikë, fetarë, krahinorë dhe shoqërorë, si një rrethanë dhe shënjim i inspirimeve autoriale. Hapësira tekstologjike, ku edhe lëvizin dhe gjezdisen fatet e personazheve, dëshirat dhe manitë e tyre, e po kaq vetë rrjedha e ngjarjeve, sprovat dhe kërkimi, përbën edhe shenjën parake se jemi në fiksion, pra në letërsi, që veçmas tenton universin.

Epiqendra e realitetit letrar

Teksti i romanit përveçohet nga shkrimi i prozës së tanishme për vendosjen në qendër të universit letrar të alteregos, jo se teksti sugjeron autobiografizimin, madje si një mikrobotë që rrezaton makrobotë, realitetit të universit të qenies, pra me një procedim të thekur letërsishkrimor, duke vënë në qendër të hapësirës tekstologjike heroinën kryesore, figurën e ndërlikuar të Teutës. Qenësia e saj si epiqendër e realitetit letrar, preket dhe shënjohet:

- Në qerthullimin e gjerë hapësinor, tashmë të një kontinenti dhe planeti që përgjithësisht po i shemb pengimet dhe kufijtë, dita-ditës, po kaq të yshtur edhe në detin ndjenjor, të një beteje në ekstazën e thekur të dashurisë si dëshmi ekzistenciale e qenies.

- Në përjetimin e dukshëm të fatit njerëzor, të fatit të femrës dhe mashkullit, pra e të gjithë botës njerëzore, të gjetjes dhe humbjes së dashurisë, porse edhe duke e kundruar këtë situatë pezullie, pra këtë gjendje enigmë e mister, me qetësi të rrokshme.

- Në shpërfaqjen e një bote të ndritshme, tejet të hapur dhe komplekse të protagonistes, që vijon që të endet midis dashurisë dhe artit, midis shkrimit letrar dhe përkthimit, mbase edhe si një udhëtare që sfidon shenjat e artit për hir të jetës dhe dashurisë.

- Në rrekjen siprane për të shënjuar edhe kërkimin e pambarueshëm, por në jo pak herë edhe vetë shënjimin e qiellit të dashurisë dhe të artit, si dy prej gjendjeve më të ngritura të ekzistimit dhe të vetë kuptimit të jetës njerëzore.

Këto prekla (shenja identifikuese dhe të përveçme letrare) të prekshme dhe të pranishme të protagonistes, rreth së cilës sillen ngjarjet dhe personazhet e tjerë, enkas e vënë në qendër të tekstit, pra si një epiqendër e romanit.

Sinkretika artistike

Bota romanore e tekstit "E kuqja e demave", sa ç‘është e ndryshme nga shkrimi i prozës së tanishme të letrave shqipe, aq është edhe i dallueshëm, kryesisht edhe për shkak të një ndërlidhnie të hapësirave të tekstit dhe të kumteve letrare. Ndërlidhnia e këtillë, letrare dhe artistike, jetësore dhe eterne, preket e zbulohet:

- Në praninë e rrëfimit të gjallë dhe mjaft të shtrirë, që shpesh shënon edhe përmbysje të rrëfimtarisë së zakontë.

- Në praninë e vargjeve të qëlluara, të cilat edhe shoqërojnë subjektin, por edhe të një ritmi poetik, brenda frazës së shkrimit të prozës.

- Në përshkrimin e hollësishëm të ikonës dhe të vetë ikonografisë, madje edhe të historisë së ekzistimit të saj, që në fakt në këtë vënie pranë e pranë, vetvetiu të sjellë ndërmend idenë e Lesingut, se piktura (ikona-B. Gj.), është një poezi që hesht, e poezia një pikturë që flet.

- Në ngjizjen e jo pak episodeve të tekstit në prozë, edhe përmes një shkrimi eseistik dhe kulturologjik, që eksperimenton fare qartësisht në ndërthurjen dhe brendashkrimin letrar të tipologjisë së sinkretikës së zgjeruar artistike.

Këto gjurmë, dëshmojnë për një sinkretikë artistike/letrare, e cila në shkrimin e prozës ndihmon në përndritjen e fatit të qenies, pra edhe të letrares, e cila pavarësisht bashkëlidhjes dhe sendërtimit të sinkretikës letrare-artistike, nuk humbet si identitet.

E kuqja, simbolika e shumëfishtë

Teksti i romanit sendërgjon hapur simbolikën e ngjyrës së kuqe. E kuqja, që nuk është vetëm se rrafsh i ngjyrimit dhe larmisë së saj, është e shumëfishtë:

- E kuqja e demave, pra rrafshi më i dukshëm i shënjimit të ngjyresës së përzgjedhur dhe të parapëlqyer, që menjëherë lidhet me Spanjën.

- E kuqja e Onufrit, piktorit të madh shqiptar të Mesjetës, që i bashkëlidhet shënjimit të parë të së kuqes së fortë, i cili e plasoi dhe përjetësoi veten tek ikona dhe ngjyresa e saj.

- E kuqja e flamurit (identiteti kombëtar), jo larg së kuqes së demave dhe pikturave të Onufrit, si shkas për t‘u dëshmuar se ekzistojmë në këtë planet.

- E kuqja e zjarrit, si përshkënditje jetëdhënëse, mbase edhe si shkëndijë dhe zjarrllimë, që njëherit ngroh dhe përvëlon gjithçka.

- E kuqja e dashurisë, si frymë dhe ndjesi, mbase shënjimi më njerëzor dhe më jetëgjati, të cilën e prekim dhe po kaq edhe troshitemi çdo ditë-natë të motit.

Pra, e kuqja reale, e gjakut dhe e flamurit, nga njëra anë, pranëvihet me të kuqen piktorike dhe të besimit, porse edhe të vetë dashurisë, si për ta ndier edhe ca më shumë realitetin letrar, me gjasë sugjerimin dhe aspiratën e autores, se e kuqja më tepër se sa ngjyrë dhe mjet, më shumë se dëshmi arti dhe shenjim estetik, është një fashë dhe vazhdë drite, krejt e epërme që vë në marrëdhënie dhe lidhje, qenien njerëzore ndërmjet vedi, por edhe me mjedisin përqark.

Libër i hapur

Një mënyrë e ligjëratës autoriale, është edhe sendërgjimi i një libri/teksti letrar të hapur. Lënia hapur (hapësia e sugjeruar) e shtjellimit të ngjarjeve, e fateve të personazheve, madje e vetë shkrimit letrar me procedurë të zgjeruar të ndërlidhjes së shkrimit letrar me shkrimin eseistik dhe kulturologjik, duke shënuar dije filozofike dhe dëshmi artistike. Teksti i hapur i romanit, sendërtohet:

- Nga jashtëzimi i rrëfimtarisë, pra në ato raste kur protagonistja, heroina kryesore e romanit, nis komunikimin e qartë me lexuesin. Faktura e jashtëzimit të narrativës së gjithëdijes, e largon situatën rrëfimore kryesisht në rrafshet e ligjërimit modern.

- Nga epilogu, nëse mund të emërtohet kështu kapitulli i dhjetë i librit, një fund krejt i papritur, ku edhe prekim mbarimin pa lumturi të personazheve, çka zbulohet sidomos prej fundit tragjik të Antonit.

- Nga vetë emri i kryeprotagonistes, pra i Teutës, që pasi e kryen këtë udhëtim në ferrin dhe parajsën e dashurisë, simbolikisht emri i saj, sugjeron dhe lajmëron se së shpejti do të niset shtigjeve të Teutës, princeshës ilire të lashtësisë.

Prania e librit të hapur, pra që përplotësohet me mbishtresime të leximeve dhe të lexuesve, si ndodhi dhe gjetje, por edhe me imazhe të teksteve dhe personazheve që flenë e zgjohen në vetëdijen shkrimore, është nga kumtet e përveçme letrare, që përçon si një sugjerim i kërkimit në sinkretikën e shpalimit të fjalës letrare.

Vragat e fatit mes hijeve




"Hija e erës", bestselleri botëror, që ende nuk është i tillë në Shqipëri

"Njeriu është i prirur të besojë çdo gjë, përveç të vërtetës", thuhet diku në faqet e romanit "Hija e erës". Autori, Karlos Ruiz Zafon, ka arritur të bëjë për vete miliona lexues me veprën e tij, e cila prej 5 vjetësh është shndërruar në simbol të letërsisë moderne spanjolle.


Ndër të shumtat ndijime të pashlyeshme që mbeten gjatë pas leximit të romanit "Hija e erës" të shkrimtarit bashkëkohor spanjoll, Karlos Ruiz Zafon, vjen dhe pikëpyetja, se përse ende nuk e ka fituar statusin e një bestselleri te lexuesi shqiptar, ngjashmërish me romanin "Kodi Da Vinçi", i cili punë javësh nisi t‘i kishte ditët e numëruara në rehatinë e stendave prej një manie kolektive (që përfshiu dhe komunitetin e lexuesve me hope), për ta përpirë atë brenda një kohë të shkurtër. Ndërsa "Hija e erës", edhe pse edhe pak muaj dhe i afrohet moshës "një vjeç" në libraritë shqiptare, nuk po e ka atë nam të veprës së Dan Braunit, e kjo, pa dashur t‘i gjejmë shkaqe racionale, e lëmë në pashpjegueshmërinë dhe irracionalitetin që shoqëron shijet e lexuesit, a më saktë, në paaftësinë relative për ta gjetur një vepër me vlerë, jashtë kontureve të një promocioni e reklame të imponuar, duke mbetur, tek e fundit, peng i rastësisë. Kjo e fundit, do merrte trajtat e "mbretit", sapo pas kopertinës has në emrin e përkthyesit të romanit: Ardian Klosi. Jo vetëm për mjeshtërinë e përkthimit dhe posedimin e një shqipeje plot cirkuite, të kthjellët, të rrjedhshme dhe të lëngëzuar, por dhe prej gustos së njohur të tij, që më së paku i ka fillesat tek urrejtja për mediokren e më së shumti te një kualitet i lartë letrar, firma e Klosit si përkthyes, të ysht ta marrësh në dorë romanin "Hija e erës" dhe… gjithçka që ndodh më pas, për ata që e kanë librin e "N"-të të lexuar në jetën e tyre, do nisin t‘i gjejnë një vend në toplistën e atyre veprave që i kanë pushtuar patologjikisht sa ç‘janë ende në ekzistencë, ndërsa për ata që mund ta kenë sefte një lexim romani, patjetër do të ndodhë t‘iu duket kryevepra më e madhe botërore! E të dyja janë të pranueshme, në rastin e romanit "Hija e erës". Është bestselleri spanjoll, sot e 5 vjet që kur u botua për herë të parë. Është përkthyer në mbi 30 gjuhë dhe i shitur në miliona ekzemplarë. Autori Karlos Ruiz Zafon ka mbërritur deri te fama e këtij romani, pasi më parë ka botuar katër vepra, që më së shumti i janë drejtuar moshës së re. Ka fituar disa çmime kombëtare prej tyre, por i pabindur kurrë me veten se kishte bërë kryevepra, apo më e pakta, letërsi serioze. Ndërsa "Hija e erës" është të bërit "bam" në letërsinë bashkëkohorë spanjolle. Romani është pjesa e parë e një kuarteti, siç e ka quajtur ai, "Gotik Barcelonas", që do të shoqërohet dhe me tri romane të tjera në të ardhmen, që të kujton trilogjinë njujorkeze të Paul Austerit. Duke qëndruar te paralelizmat apo përngjasimet, "Hija e erës" të sjell "aromën" e letërsisë hispanike dhe kryesisht atë të realizimit magjik, aq të "shijshëm" për ne me romanet e Markesit e Aljendes, por dhe stilin e Hugoit në përshkrimet e hollësishme të çdo detaji frymor e jo frymor. Po ashtu, të lë pak shije Remark në peshën e madhe të fatales mbi personazhe, si dhe të Dikensit në subjektin e ndërlikuar e histori qytetit, çka e ka pranuar dhe vetë gjatë një interviste.


"Hija e erës" ka si subjekt po një roman me të njëjtin titull. Pra është ndërfutje subjektesh, ku ndërliksen realitete nga më befasueset dhe personazhe po kaq befasuese. Të gjitha këto janë të një epoke që nuk paraqet interes, deri sa mëson se bëhet fjalë për vitet ‘40-‘50. Madje, në fund të librit të vjen të kërkosh nëse subjekti është i bazuar mbi një histori të vërtetë, por autori nuk e ka cituar asgjëkund këtë fakt dhe të mbetet të zgjedhësh; nëse të pëlqen quaje histori të vërtetë, nëse jo quaje dhe imagjinatë fillim e fund, por kjo nuk ka aspak rëndësi në raport me atë realitet të ndërtuar në subjekt, ku je i përthithur totalisht, pa pasur mundësinë për t‘u rrekur në përçapje vetjake, të paktën sa je duke e lexuar. "Hija e erës" është historia e një libri i quajtur "Hija e erës", ku personazhi kryesor, Danieli, (ka dhe të tjera personazhe kryesore, por Danieli është i pari prej tyre), në një moshë të njomë e merr në "Varrezën e librave të harruar". Prej së këndejmi, ky libër misterioz, po aq sa autori i tij, Hulian Karaksi, do bëheshin shkak për një jetë të tallazuar të Danielit në kërkim të së vërtetës, për fatin e romanit dhe autorit. Hapi i parë do të ishte i ligsht, pasi të rrëmbyerit pas librit do ta çonte Danielin në të rënit për herë të parë në dashuri, e të dështuarit turpshëm në të. Që këtu, fataliteti i tij nis e përvijohet me fatalitetin e autorit të romanit, Hulian Karaksit, si një ish-person real, i veshur me një tis misteri. Rreth tyre, grupohen dhe marrin jetë të tjerë personazhe, nga më ekstremët dhe të çuditshmit, prej të cilëve rrjedhin realitete po të tilla, të cilat burojnë diku nga lufta civile e diku nga metamorfozat njerëzore, të pakushtëzuara nga realitete specifike, të kudondodhura dhe të gjithkohëshme. Në thelb të tyre qëndrojnë dashuritë, urrejtjet, tradhtitë, xhelozitë, marrëzirat rinore dhe ato pleqërore, skaj më skaj, duke prekur e përshkruar muret më të errëta të paradoksit dhe fatit njerëzor. Veç subjektit që provokon një mbajtje të frymës pezull faqe pas faqeje, sipas kodit "Pas zbulimit të çdo misteri, fshihet një tjetër mister" (si në rastin e Kodi Da Vinçit), është ndërtimi i personazheve aspekti më mjeshtëror i veprës. Ligjësia providenciale e të pangjashmes absolute në këtë botë, te personazhet shfaqet në trajtën e një skalitjeje, që duke prodhuar figura të ndryshme e me një kundërshti mahnitëse, të ngjan sikur nuk është i njëjti njeri (autor), që e ka realizuar këtë proces. Çdo personazh është një histori më vete. Pikëtakimet mes tyre, prodhojnë reaksione psikologjike, diku duke plotësuar ligjin e harmonisë së të kundërtave, e diku duke u ndarë thekshëm nga njëri-tjetri. Gjithçka ndodh në një hapësirë kohore, fizikisht sa mosha e njeriut, e metamorfozikisht mbi kohë e hapësirë të limituar. Gjithsesi, më e rëndësishme për autorin duket se ka qenë vendndodhja e ngjarjeve, Barcelona dhe theksi i personazheve. Qyteti, që sipas Markesit është më i bukuri në botë, vjen i detajuar në veçantinë e tij, duke ju përshtatur personazheve. Përshkohen rrugët e Barcelonës, godinat, misteret e saj; ka shumë pak ose aspak kohë me diell. Është një Barcelonë që vizatohet si e trishtë, e ftohtë e mjegulluar dhe me shira. Sepse kjo është dhe stina e personazheve. Në fund të librit, më i vështirë është klasifikimi i një shumëllojshmërie fabulash në të tërën: nëse i kushtohej paradoksit të fatit njerëzor, vetë natyrës së ngatërruar njerëzorë, mitit të dashurisë, apo mitit të librit!? Krahasueshëm, pasi ke mbyllur kapakun, të vjen ndërmend varianti i ofertës me sens tërësisht praktik: "bli një e merr dy". Në rastin e romanit "Hija e erës", oferta është e çmendur: "Lexo një e shijo dhjetë... me të njëjtin çmim".





Dashuri brenda dashurisë...!





Bea mendon se leximi është një art që po vjen duke u shuar dhe se librat janë si pasqyrat, ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh, se leximi përfshin mendjen dhe zemrën, dy sende që po bëhen gjithmonë e më të rralla. Çdo muaj na vijnë oferta nga njerëz që dëshirojnë ta blejnë lokalin, (librarinë), për ta kthyer në dyqan televizorësh, të linjtash ose këpucësh. Por ne prej këtej nuk largohemi sa të kemi jetën.

(Pjesë nga libri "Hija e erës")

Poezia e keqe është prozë, proza e mirë është poezi



Mimoza Ahmeti



Teza e cila flet për vdekjen e poezisë është një tezë radikale e cila ka filluar që me lindjen e poezisë. Kjo është një teori e cila na vjen që nga Greqia e lashtë. Por poezia mund të mbarojë. Kjo nuk ka si të ndodhë. Ajo mund të mbarojë po mbaroi organizimi njerëzor. Poezia është një riorganizim i raporteve të sendeve dhe njerëzve nëpërmjet riorganizimit të fjalës. Një tendencë spontane për të vënë re marrëdhëniet mes tyre nëpërmjet një rendi të ri të fjalëve, duke i pozicionuar nëpër vende të reja dhe duke u dhënë një konotacion të ri. Duke pritur të flisnim bashkë, isha duke lexuar një poezi të një poeti që quhet Vladimir Marku dhe që titullohej "Hapini rrugën poetit". Një nga vargjet thoshte "edhe mëkati i poetit është fisnik", pra unë po lexoja një poezi që më pëlqeu. E citoj këtë për të thënë se poetët shqiptarë shkruajnë poezi shumë të bukura dhe vazhdojnë shkruajnë shumë bukur. E megjithatë ndodh që lexuesi i largohet disi poezisë. Kjo ndodh edhe prej faktit se futja në rutinë e njeriut, trashja, krijimi i një komoditeti të ndërtuar me apo pa mund, çon në nevojën e një leximi që quhet ndryshe prozë, e cila rrallon intensitetin mendor që ka poezia. Është një lloj leximi që rrit qëllimin e parashikuar nga pikëpamja e krijuesit. Ai që në fillim e di strategjikisht se ku do të dalë dhe çfarë kërkon lexuesi i tij. E kthen fenomenin letrar relativisht nga art, në produkt, por kjo nuk është absolute. Për këtë arsye unë mund të them se poezia e keqe është prozë dhe se proza e mirë është poezi. Për sa u përket poetëve të rinj, unë jam e mendimit që njerëzit e frymëzuar gjithmonë sjellin risi gjuhësore, risi që janë për lexuesin më të bukura nga ato që ishin, për arsyen e thjeshtë se ato që ishin, ne i kemi inkorporuar me lexim. Njeriu është një organizëm konsumativ i artit dhe i çdo gjëje të bukur. Dhe në momentin që ai i inkorporon ato në trurin e vet, kërkon një gjë të re dhe ajo e reja është pastaj më e bukura. Unë jam e bindur se ashtu siç ka zhvillime në gjithçka, edhe në konektivitetin njerëzor ndodh diçka e re. Këtë e shikojmë edhe në mënyrën e të perceptuarit të dramave. Edhe kjo pjesë ka ndryshuar. E shikojmë gjithashtu në mënyrën e të jetuarit jashtë integrimit utilitar. Të gjitha këto përsosin perceptimet, rivendosin pika të reja shikimi, krijojnë një lidhje me të papritura nga më të bukurat që janë gjithmonë e më pak agresive dhe për këtë arsye është shumë e bukur.

Qosja kundër Qoses



Behar GJOKA

Në guidën, letrare dhe filozofike, “INVITATION TO THE CLASSICS”, me nëntitull “A guide to books you’ve always wanted to read”, bëhet një paraqitje e literaturës klasike të përbotshme. Në këtë tekst, përzgjedhja e autorëve dhe veprave, nisur nga emrat dhe periudhat, është mbështetur në kriteret letrare, gjithkohore dhe gjithhapësinore. Më dëshpëroi pa masë mungesa e letërsisë shqipe. Pra, ky tekst i hartuar nga studiues të universiteteve amerikane, bazuar kryesisht në literaturën e botuar në anglisht, si dhe në shijen e leximit të hartuesve. Libri paraqet autorë nga të gjitha anët e planetit dhe nga të gjitha kohërat. Nuk besoj se letërsia shqipe mungon thjesht dhe vetëm për mungesat e tipareve europiane, por sidomos prej mospranisë në gjuhën angleze të një sërë autorësh të së kaluarës dhe bashkëkohorë. Me këtë s’dua të them se përkthimi shënon ndonjë kriter letrar, përkundrazi, në këtë rast vlen sugjerimi i Ernest Koliqit, teksa shkruan: “Nuk besoj që ka ndër ne asijsh që shkruajnë shqip tue shpresue se përkthehen veprat e tyne në ndonjë gjuhë të huej me u tregue të hujeve shka duen të thonë, pa marrë parasysh lexuesit shqiptarë”, - një ide e vlertë. Ky libër bëri që ta kundroj edhe një herë hipotezën mbi mospraninë e vlerave europiane në letrat shqipe. Thuhet hipotezën, sepse në debatin e ligjëruar deri tani, me përjashtim të llomotimës emocionale, mbi gjoja provincializmin e letërsisë shqipe apo të patriotizmit letrar, i cili nuk është shumë larg antipatriotizmit letrar, nuk kemi alternativë të re të shqyrtimit letrar. Duket se po avitet një vit i ri zero, e po ia mësykan verifikimit rishtar të vlerave të munguara letrare/kinse europiane. Rishtas nuk po hasen argumente bindëse se a mundet të mbetet si kriter/letrar (në fakt jashtëletrar), prania apo mosprania e vlerave europiane të letërsisë shqipe. Mendimi i tezës europianiste, pavarësisht zhurmës së krijuar anë e përqark trojeve shqiptare, nuk arriti të dilte nga trajtimet mediatike dhe etiketuese. Pra, verifikimi shkencor i teksteve letrare, as që po duket në horizontin e trajtimeve. Debatuesit sërish mezi pritën rastin për të lëshuar shigjetat e zemëratës, pa sugjeruar rrugëzgjidhje për gjendjen ku noton letërsia shqipe. Kundërvënia mbështet në aspekte të debatueshme, madje që vështir se e kapërcejnë gardhin e shqyrtimit në media. Vetë pyetja, e frikshme si qasje dhe mosqasje ndaj tekstit, për vlerat europiane letërsia shqipe çalon dhe i mungon thelbi letrar:
Së pari: Nëse vlerat letrare do të kodifikohen edhe nga këndshikimet rajonale dhe globale, atëherë letrarja do të rivihet përsëri në shërbesë të ideve dhe qëndrimeve jashtëletrare, siç e patëm deri në vitet ‘90. Studiuesit e letërsisë, sociologjikë apo të semiotikës, e dinë se çdo të thotë verifikim letrar sipas vlerave europiane lindore, të modelit të realizmit socialist, që solli shkatërrimin e letrares në gjuhën shqipe. Akademikët e të dyja anëve të kufirit, shumica e tyre, me veprat dhe qëndrimet, dëshmuar në tekstet studimore, për shumë kohë na porositën që të verifikohemi nga orientimit eurolindor, e tashmë në përpjekje për të ndërruar metodikën shqyrtimore, po na hedhin në krahun e verifikimit të letrares sipas mendësisë europiano-perëndimore. Pra, puritanët e dikurshëm të goditjes së gjithçkaje që vinte nga Perëndimi na u bënë më katolikë se Papa, që ndryshe mendojnë e ndryshe shkruajnë. Po të pranonim këtë kriter, mirëfilli jashtëletrar, sugjeruar më së fundi, madje me jo pak zhurmë, atëherë druaj se do të vijë puna që të flitet për vlera letrare aziatike, afrikane, australiane, ruse, kubane etj. Pra, optika e vlerave europiane na shpie te verifikimi letrar sipas standardeve europiane të rrafsheve demokratike dhe politike, ekonomike dhe shoqërore, prej të cilave kemi se çfarë mësojmë, por me artin dhe letërsinë, ndarjet dhe kufijtë nuk janë të prerë si me thikë, madje përgjithësisht i kapërcejnë sinorët kontinentalë.
Së dyti: Se letërsia shqipe dhe shqiptarët gjeografikisht (pra pranohet se kemi të njëjtin humus kulturor) jemi në Europë, një shprehje e një beteje europeiste/kundëreuropeiste, por estetikisht (materiali letrar na përjashtoka nga gjithçka të këtij humusi) jemi shumë larg. Nëse jemi gjeografikisht, sido që ta rrotullosh mendimin, është e pamundur që të mos kemi lidhje, së paku me mediokritetin europian, i cili përçon mungesën e vlerave estetike. Pra, alogjika pa logjikë formale, se jemi gjeografikisht, por nuk jemi estetikisht, pa e shqyrtuar dhe argumentuar në aspektet ekzistenciale të gjuhës dhe letërsisë shqipe, është e vështirë që ta marrësh seriozisht. Po, patjetër mund të krahasohemi me vlerat europiane, ama pa harruar se vetë gjuha shqipe është një sistem, me gjasa të prekshme në lëmin e letrares. Andaj, para së gjithash arritjet e gjuhës dhe letërsisë shqipe, maten dhe verifikohen me njësinë e sistemit real, dhe jo vetëm me njësinë e sistemeve të tjera, të gjuhëve të mëdha, të gjuhëve të kulturës që kanë ndikuar botën, sepse për ndryshe nuk do të ishte e nevojshme të kishim kaq shumë gjuhë, dhe mbase nuk do të kishte nevojë që të shkruhej letërsi, nëse janë mbaruar kryeveprat. Gjuha shqipe/letërsia e ligjëruar në pesë shekuj, pavarësisht mangësive dhe vonesave, pavarësisht potencës së cunguar dhe të paplotë të shpërfaqur deri më tani, krahasimisht me gjuhët e tjera, pra në bashkëkohësi me gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht etj. , megjithatë bart dhe shënon një sistem të mëvetësishëm dhe vetvetishëm, të hapur dhe të mbyllur, një sistem që nuk mundet të matet vetëm me sistemin e gjuhëve të mëdha dhe të gjuhëve me ndikim të siguruar prej rrafsheve letrare dhe jashtëletrare. Duke qenë një sistem i hapur, për shkak të latinitetit dhe karakterit indoeropian të saj, por edhe i mbyllur për shkak të veçantisë dhe ndikimit të saj në një hapësirë gati të fshirë për shumë mote dhe shekuj, duhet kundruar dhe shqyrtuar në situatën e këtij kompleksiteti të mbijetesës dhe ligjërimit të gjuhës shqipe. Ligjësitë letrare dhe gjuhësore nuk e parashohin si të mundshëm unifikimin e njëkohshëm dhe të barabitur të shkrimit letrar, të nivelit dhe vlerës, pra të shenjave të përputhura dhe të menjëhershme në të gjitha gjuhët e botës, përkundrazi, më tepër funksionon në një çrregullsi të përsosur, ku letrarja shpërthen edhe në tokë pjellore, por edhe në tokat djerrë. Pra, është e pamundshme që të shpiket apo zbulohet një ligj, letrar dhe gjuhësor, i zhvillimit të barabartë dhe të unifikuar të universi letrar.
Së treti: Qëndrimi i pranisë së vlerave europiane në letërsinë shqipe, enkas është ngushtuar vetëm në praninë e tyre në shekullin e njëzetë, madje në pjesën e dytë të tij, kur në fakt, krahas vlerave, kemi edhe shërbesën letrare të socrealizmit, për të cilën shkrimtarët dhe akademikët e kohës kanë kontribut të prekshëm, në studimin e rrymave dhe autorëve, të rrethanave historike dhe letrare, madje edhe si ligjërues të letrares si shërbesë e ideologjisë. Në librin e sipërpërmendur nën emërtesën letërsi bashkëkohore janë veçuar I. Kalvino, G. G. Markes, S. Ruzhdia dhe asnjë shkrimtari shqiptar apo ballkanas, përveç autorëve të antikitetit grek. Sa herë që përmendet gadishulli dhe banorët e tij, aq herë më vjen në mend Prof. Selman Rizës, biri i Kosovës dhe Shqipërisë, teksa shprehej: “Gjithmon’ e jetës kam synue e do të synoj me kontribue, makar modestisht, në mposhtjen e kompleksit të inferioritetit të Bashkëkombasvet ndaj Ballkanasvet tjerë”, - një sugjerim i vlertë. Nuk ma do mendja që mosprania e tyre, veçmas e shkrimtarëve ballkanas, të ketë të bëjë me tiparet europiane të vlerave të këtyre autorëve, por vetëm se me botimin në gjuhën angleze të tyre, si dhe më shijen e leximit të hartuesve të tekstit. Ajo që mbetet e zbrazët në optikën shqyrtimore të akademikëve shqiptarë, të harkut kohor të lirisë së mendimit, është fakti se nuk marrin as mundimin për të kapërcyer caqet e përcaktuara nga historiografia zyrtare e Realizmit Socialist, se letërsia e mirëfilltë fillon me De Radën dhe arriti kulmin me poezinë e Naim Frashërit. Caqet e ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, sipas dokumenteve, mbërrijnë deri në letërsinë e hershme, me Buzukun, Matrangën, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, të cilët nuk mund të njihen me teknikën e akademikëve të zyrtarshëm, të leximit të leximeve të palexuara, pra pa i lexuar fare tekstet e shkruara, teksa i përcaktojnë si me mungesë vlerash, kur në fakt ajo periudhë përfaqëson të vetmin hap përafërsisht të njëkohshëm me zhvillimin letrar europian, pavarësisht sfondit fetar dhe teknikës shkrimore baroke. Nëse do të heqim dorë nga leximi antifetar dhe fetar, ka gjasa që të prekim në vlera të përfillshme letrare. Arritjet e letërsisë shqipe, në periudhën e parë të shekullit të njëzetë jo vetëm me Migjenin, Nolin, Nonda Bulkën apo ndonjë tjetër, por edhe me Kutelin, Koliqin, Konicën, Skiroin, Poradecin, por edhe autorët e letërsisë bashkëkohore si Camaj, Pipa, Trebeshina, Pashku, të cilët në shumicën e veprës janë të papërkthyer në gjuhët e përbotshme. Sugjerimi i Franco Volpit, se të shpallësh diçka si të papërkthyeshme do të thotë t’i biesh në qafë gjuhës tënde, siç ka ngjarë shpesh në mjediset shqipfolëse dhe shqipshkruese, për ndonjë autor, që për shumë kohë binin ndesh me verifikimin sociologjik dhe historik të akademikëve, ndërkohë vepra e tyre ka shenja të rezonancës me letraren europiane.
Së katërti: Po vetë vlerat europiane me çfarë do të krahasohen, ndonëse siç shprehet qartësisht Jacques Derrida, ndërkohë që vetë Perëndimi po tkurr dora - dorës mbretërimin e tij, një ide qartësuese në marrëdhënie me gjithçka që përfaqëson kjo hemisferë, padyshim edhe gjurmët e saj të letrares? Nuk mundet që vlerat europiane të krahasohen me vetveten, besoj? Pra, gjithnjë sipas sugjerimit të idesë së vlerave europiane, nëse letërsisë shqipe ia gjetëm verigën e mungesës letrare, po asaj mungesës së vlerave letrare të shkrimtarisë europiane si do t’ia bëjmë për ta verifikuar? Pa dyshim, vlerat letrare europiane, të gjuhës shqipe apo edhe të letërsisë së Honolulusë, mund të zbulohen vetëm nëse bazohemi në kritere letrare, pra në praninë e vlerave estetike, gjithkohore dhe gjithhapësinore. Sa herë që vlerat estetike janë qarkuar nga verifikimi ideologjik dhe rajonal, gjithherët është rrëshqitur në verifikimin e mungesave letrare, si dhe në përzënien e vlerave letrare, siç bëri modeli i socrealizmit me letërsinë e së kaluarës, por edhe me shkrimtarët bashkëkohore që iu kundërvunë socrealizmit në letërsinë shqipe. Po ashtu, leximi i letërsisë për shumë kohë është vënë në varësi të leximit etik, biografik, sociologjik dhe ideologjik, patriotik dhe antipatriotik, historik dhe antihistorik, që bart dhe përçon vetëm thelbin e estetikës së brendisë.
Së pesti: Në thirrjen, tashmë për t’u përqasur me vlerat letrare europiane, hipotezë jashtëletrare, sipas gjykimit personal, rishtas na sugjerohet refuzimi estetik, pra si rimarrje e tipit të estetikës së refuzimit estetik, gjithsesi jo si në veprat e mëparshme, studimore të rrafsheve sociologjike dhe historiciste, ku përmbatja i kundërvihej zakonisht formës dhe stilit, porse me një modifikim të rrufeshëm, sepse tanimë sugjerohet estetika europeiste, kinse duke bërë kështu sikur e harrohet estetika, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore. Pra, estetikën që zë fill qysh me Epin e Gilgameshit e gjer te Realizmi Magjik latinoamerikan, estetikën e shqyrtimit të tekstit, jo të orientimeve etike dhe mediatike, që e kanë prangosur letraren me kritere jashtëletrare.
Së gjashti: Verifikimin e letrares, gjithnjë sipas kritereve letrare europiane, le ta quajmë si një fillim të ri të mënyrave verifikuese të vlerave të letërsisë shqipe, mbase edhe si një braktisje e punëve të dikurshme, të rrafsheve sociologjike dhe historiciste, dhe po kaq edhe si një rrugëtim i shpaluar në faqet e gazetave e jo në studime serioze, personale dhe me objektivitet shkencor. Megjithatë, një pyetje mbetet e hapur: vallë kur do të nisë verifikimi real i vlerave letrare, gjithkohore dhe gjithhapësinore, në harkun kohor të postkomunizmi (pas diktaturës) të arealit letrar të gjuhës shqipe dhe jo thjesht i parapëlqimeve botëkuptimore ose rrafsheve morale, siç edhe mëtohet më tepër në hapësirat shqiptare. Firmëtarët e Kongresit të vitit 1972, pa dyshim të gjithë akademikët e gjuhës dhe të letërsisë, ligjëruesit e shqipes, studiuesit dhe shkrimtarët, çfarë mendimi dhe qëndrimi kanë, në distancë kohore, në lidhje me marrëdhëniet e gjuhës së folur, gjuhës së shkruar si fakt, që zë fill me Buzukun, gjuhës së standardit, si dhe ndalimit të pa shpallur me ligj të gegërishtes dhe arbërishtes, qysh prej asaj kohe? Çfarë ka ngjarë me gjuhën e autorit dhe gjuhën e letërsisë fill mbas këtij akti? A ka gjasa që të vijohet përjetësisht, që të standardizohet edhe gjuha e letërsisë, çka në fund të fundit do të thotë fshirje e gjurmëve autoriale? Mos vallë edhe mungesa e vlerave europiane apo letrare, do parë se mund të lidhet edhe me humbjen e diversitetit (ndryshueshmërisë) së ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, në disa variante, e cila barazoi gjuhën e komunikimit të zakonshëm me gjuhën e letërsisë/gjuhën e autorit?! Gjuhët europiane, përgjithësisht e kanë paskajoren, ndërsa ne e kishim dhe e kemi zëvendësuar me trajtën lidhore, pra duke fshirë një shenjë të identitetit europian në rrafshin e gjuhës së folur dhe të shkruar. Më duket llafollogjemë e stërzgjatur që të merremi kaq gjatë vetëm me mungesat e vlerave europiane, të cilat janë me tepri dhe të harrojmë largimin, me dhunë dhe dëshirën e akademikëve, të gjuhës dhe letërsisë, të djeshëm dhe të sotëm, të një sërë vlerash të krijuar në gjuhën shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësinore, si gjurmë dhe dëshmi e rrethanave, si akt i ekzistencës në mohim, si vlerë shpirtërore e mbijetesës, e gjellimit në kudhrën e zhdukjes dhe zhbërjes, dhe jo e një jete normale, me shanse të barabarta. Për të gjitha këto arsye, si dhe prej sugjerimit të M. Kunderës, mbi urtinë e pasigurisë, hipoteza europeiste mbetet në zgrip, madje më tepër të krijohet ideja se Qosja është vënë kundër Qoses, sepse edhe njëherë shpallet braktisja e verifikimit të letërsisë si tekst letrar.

Të dashurosh si Remark




Alda Bardhyli

Remark ishte një burrë i pafuqishëm, si të gjithë burrat kur bien në dashuri. Ai qante nën zë, ëndërronte pafund dhe përgjërohej si fëmi para këmbëve të Marlene Dietrich, një prej yjeve të kinemasë. Një dashuri që i ngjan aq shumë një përralle romantike, ndodhet e dokumentuar në letrat që shkrimtari i ka ruajtur me kujdes. Një letërkëmbim, i cili ka qenë në librat më të shitur pas vdekjes së shkrimtarit. Ka vetëm pak kohë që ky letërkëmbim mund të lexohet edhe në shqip. Mbi 100 letra dashurie, ku shprehet qartë fuqia që kjo ndjenjë kishte tek ikona e letërsisë. Orë të tëra pa gjumë dhe trishtimi i Marlenës, gruas që robëroi shkrimtarin.


Takimi


Marlena ishte ulur e pa hante drekë së bashku me Shternbergun në restorantin "Lido", kur te tavolina u afrua një burrë i panjohur.

-Zoti Fon Shternberg? Zonjë e nderuar? Në përgjithësi nënës sime nuk i pëlqente kur i drejtoheshin dhe i flisnin njerëz të panjohur, por atë e mahniti zëri i thellë e shumë shprehës i këtij burri. Ajo vlerësoi gjithashtu tiparet e holla të fytyrës së tij, buzët seksuale dhe sytë që i kishte si të një zogu grabitqar, shikimi i të cilëve u zbut kur u përkul për ta përshëndetur.

-Më lejoni të paraqitem, Erik Maria Remark.

Nëna ime zgjati dorën, të cilën ai ia puthi me nderim. Fon Shternbergu i bëri një gjest me dorë kamerierit që të sillte edhe një karrige tjetër dhe i tha: "Dëshironi të uleni me ne?"

-Me kënaqësi, po nuk pati kundërshtim zonja e nderuar?

E mrekulluar nga sjellja e tij fisnike, nëna ime buzëqeshi dhe e ftoi të ulej, duke miratuar me kohë.

-Dukeni shumë i ri, po të mendosh që keni shkruar një nga librat më të famshëm të kohës, tha ajo duke mos ia shqitur sytë.

-Ka të ngjarë që atë libër e kam shkruar vetëm e vetëm që në një çast të bukur të dëgjoj se si i shqiptoni ju këto fjalë me zërin tuaj magjik.

Ai nxori çakmakun, e ndezi dhe ia zgjati që ajo të ndizte cigaren. Ajo e mbuloi flakën e çakmakut me dorën e tij të nxirë nga dielli, me duart e saj të bardha, thithi cigaren dhe me majën e gjuhës largoi një grimcë duhani që i kishte mbetur në buzën e poshtme... Fon Shternbergu, që ishte një regjisor gjenial, kuptoi menjëherë që aty lindi një dashuri me shikim të parë. Kështu e përshkruan takimin e parë të shkrimtarit me yllin e kinemasë e bija e saj, Maria Riva, në librin e mençur dhe të frikshëm "Nëna ime Marlen", një takim që do të kthehej në një nga dashuritë më të mëdha të shkrimtarit, në vuajtjen e jetës së tij.



Jeta mes tyre


Marrëdhëniet e tyre, që në pamje të parë dukeshin kaq të natyrshme, në të vërtetë dolën jo aq të lehta e me mjaft probleme. Dhe ato u mbyllën me atë dramë që u pasqyrua në letërkëmbimin e tyre, në letrat e mrekullueshme gjithë ndjenjë e trishtim. Për shumë kritikë kjo është një nga historitë më të mëdha të dashurisë së shekullit XX, një iluzion i madh plot gënjeshtra, por e ndriçuar nga brenda prej zjarreve bengale të figurave të Remarkut, i cili nuk ka qenë shkrimtar më i madh se në këto letra intime drejtuar të dashurës së tij të ftohtë. Ashtu si e bija e Marlenws shkruan: "Remarku të kujtonte aktorin e një drame heroike, që qëndron gjithmonë prapa perdeve dhe pret që më në fund t‘i japin mundësinë të thotë fjalët e duhura". Për shumë kritikë, Remarku ka vuajtur nga një kompleks i fuqishëm inferioriteti. Suksesin që korri fare papritur, e quante të pamerituar. Për shkak të nënvlerësimit të vetes e të depresionit që Remark mundohej t‘i shuante me ujëvara alkooli, për Ditrihun, që ishte një grua pragmatiste dhe e vendosur, ai ishte një partner i vështirë. Në çastet e çlirimit të brendshëm ai arrinte ta "zbriste në tokë" të dashurën e tij, duke lozur rolin e fëmijës. Kur Remarkut i krijohej ndjesia se Marlena po largohej nga jeta e tij, ose që ai vetë po bëhej një nga adhuruesit e saj të parëndësishëm, ai shndërrohej në një fëmi.

Por se çfarë mendonte kjo grua për shkrimtarin, për fat të keq nuk mund të dihet mirë, pasi letrat e saj janë asgjësuar nga gruaja e tij, Polet Godar.

Marlen Dietrich e zbukuronte veten me Remarkun. Atë e mahniste jo vetëm fakti që ai kishte namin e njohësit të verërave të zgjedhura, por edhe nuhatja e tij politike, dhe ajo i përsëriste lart e poshtë arsyetimet e tij, sikur të ishin të sajat. Kur Marlena u kthye në Hollivud, Remarku ishte i detyruar ta shoqëronte në pritje zyrtare dhe në premierat e filmave, ndërkohë që ajo kujdesej vazhdimisht që ai të kishte një pamje sa më fotozhenike e jo të dukej "i fryrë, apo shumë i nxirë nga dielli". Marlena shihte me kujdes gazetat, për të kontrolluar nëse dukej mjaft tërheqëse pranë tij. Por kritikët e shkrimtarit i shihnin këto fotografi si dëmtuese për reputacionin e tij prej shkrimtari, ndoshta më shumë dëmtuese se një artikull i shkruar keq për librat e tij. Shoqërimi me yjet e kinemasë e izolonte edhe më shumë prej letrarëve të tjerë, ndërsa jeta tepër luksoze e bënte të dyshimtë në kuptimin politik në sytë e shumë emigrantëve që bënin një jetë të varfër.

Remark pranoi gjithçka nga kjo grua, e cila kishte nerva të forta dhe që u servirte burrave një tavolinë të shtruar mirë. Ashtu si Remark shkruan: "Ajo preferonte t‘i ushqente burrat tej mase para se të flinte me ta, pra parapëlqente poezinë e kuzhinës para prozës së dhomës së gjumit".

Por me gjithë tentativat e tij për të qenë gjithnjë me të, lidhjet e tij me Marlenwn do të merrnin fund më 1940-ën. Ajo mbeti për shumë vite dashnorja e tij në fantazi. Më 9 dhjetor 1938, Remarku filloi punën për të shkruar romanin e madh me temë nga emigracioni, "Harku i Triumfit", që duhet ta shëronte atë nga trauma për të qenë i shquar vetëm me anë të një libri.



Letrat e dashurisë së Remarkut


E dashur dhe e shtrenjtë! Ishte një mrekulli që erdhe sot në aeroport e që pastaj më lave kokën. Më fal që më pas t‘u luta të flije pak me mua, por këto janë të gjitha marifetet e Alfredit. Por ke të drejtë, ai ka kohë që fle vetëm e s‘ke ç‘i bën. Për më tepër, një djalë i asaj moshe, e ç‘të kërkosh prej tij, di ai se ç‘është sëmundja e gjakut. Por që unë preferova sot në mbrëmje të rrija vetëm me ty, se sa të organizoja diçka për një grup të madh njerëzish, jam i sigurt që nuk do shumë mënd për ta kuptuar. Dhe ja se ç‘të propozojmë: unë e Alfredi do të shkruajmë një letër e atëherë ti do të jesh këtu me ne e njëkohësisht do të kesh mundësi të takohesh me miqtë e ty.

E meqë ra fjala, po të them diçka për letrat tona.

Ato nuk janë thjesht letra dashurie, ato janë letra dashurie për ty. Sepse nuk është që neve na lindi një ide dhe u ulëm e shkruam për ato që na erdhën ndërmend, sepse teta Lena, ti e di që kjo nuk është edhe aq e lehtë, se për këtë duhet të rrish me ditë e të jetosh tamam. Sepse nuk jemi nga ata që i kalojmë këto gjëra shpejt e shpejt, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Madje as Alfredi nuk mundet. Ti je e vetmja që mund të na frymëzosh!



Marlena


I dashuri im!

Është një e diel e trishtueshme, dielli në Central Park shkëlqen si një karrocë e lyer me vernik, radioja transmeton këngë italiane, ndërsa në shtëpi nuk kam as ngushëllimin e të mërziturve. Unë mendoj shumë për ty. Takohem shpesh me Torbegët dhe gatuaj në shtëpinë e tyre, por në përgjithësi nuk kam asnjë punë dhe u bënë disa ditë që nuk e kam parë "bebin". Kur Maria shkoi në Kanada mbeta dy javë krejt vetëm, e sigurt që këtu është një boshllëk i tmerrshëm.


Të përqafoj mijëra herë

Puma jote

Sharl Bodler: “rri urtë, o Brenga ime!”





Charles Baudelaire është një nga poetët më të mëdhenj të shek. të 19të . Ai
njihet si ‘krijuesi i kritikës moderne’, i cili tronditi bashkëkohësit me
idetë e tij. Bashkë me Stèphane Mallarmè dhe Paul Verlaine, Baudelaire
bën pjesë në grupin e Dekadentëve. Tek “Piktori i jetës moderne” (Le Peintre De La
Vie Moderne – 1863), ai diskuton duke mbrojtur ‘artificializmin’, dhe shpjegon se
vetja është origjinale, sepse është egocentrike, ndërsa virtuti është artificial sepse
për të qënë të mire, ne duhet të shkojmë kundër impulseve tona natyrale.
Charles Pierre Baudelaire lindi në 9 Prill 1821, në Paris, ku dhe jetoi shumicën
e jetës së tij. Babai, François Baudelaire, ishte një ish-prift i ve dhe në moshën 60
vjeçare ai u martua me Caroline Dufaÿs, një 26 vjeçare, e cila ishte rritur jetime dhe
e varfër. Pas vdekjes së të jatit në 1827, e ëma u martua me Majorin, Jacques Aupick.
Baudelaire dhe Aupick kishin fillimisht mardhënie të mira , por në vitin 1830 ata
filluan të hasnin disa vështirsi në komunikimin midis tyre. Aupick, rrjedhimisht u bë
senator. Ai vdiq në vitin 1857. E ëma e Baudelaire ishte figura kryesore në jetën e tij
dhe martesa e saj e dytë si dhe ngjarje të tjera që shtynë në një ndarje midis tyre,
shkaktoi dhimbje të madhe për të. Tek ‘Një zemër e zbuluar’ (On Coeur Mis À à Nu
– 1897), ai ka shkruar : “Ndjenja e vetmisë prej fëmijrisë. Pavarësisht nga familja –
dhe mbi të gjitha kur isha i rrethuar nga fëmijë të moshës sime – kisha parandjenjën
se isha i destinuar të jetoja në vetmi të përjetshme.” Jean-Paul Sartre ka hedhur
mendimin tek libri ‘Baudelaire’ (1947), se ndarja e tij nga e ëma e shtyu të mendonte
se ai ishte një njeri i vetëm dhe se jeta e tij nuk kishte ndonjë vlerë.
Baudelaire studioi në shkolla konviktore. Fillimisht në kolegjin ‘Royal’ në Lyon
nga viti 1832 deri në vitin 1836 dhe më pas në liceun Louis-le-Grand, në Paris,
nga viti 1936 deri në 1939, nga ku dhe u përjashtua. Në 1840 ai filloi studimet në
degën e avokatisë në Ecole de Droit, edhe pse pasioni i tij ishte të shkruarit. Mendohet
se kjo ka qënë dhe koha kur ai u dha pas përdorimit të opiumit si dhe periudha
kur Baudelaire u sëmur me sifilis. Gjëndja shëndetsore e detyroi të futej në borxhe
dhe të mos mbaronte shkollën. Për dy vjet Baudelaire përdori lekët që i kish lënë i
ati, por me urdhër të këshillit gjykatës atij ju ndalua kjo lloj e ardhure. Pas këtij
urdhëri ai u mbështet tek e ëma, si për ndihmë financiare ashtu dhe për kujdes
shëndetsor. Shkas tjetër për borxhet e tij ishte dhe jetesa ekstravagante, nga e cila ai
nuk hoqi dorë pas sëmundjeve apo problemeve të tjera.
Në vitin 1841 kujdestarët e tij e dërguan në Indi si ndëshkim ndaj sjelljes së
shthurur, por rrugës ai ndaloi në Maurius ku dhe qëndroi për pak kohë, dhe kështu
nuk e vazhdoi më tej udhëtimin e nisur për në Indi. Gjatë kthimit në Paris, në vitin
1841, Baudelaire takoi Jeanne Duval, grua mulate, e cila u bë e dashura e tij si dhe
e frymëzoi të shkruante “Venusi I Zi”. Gra të tjera të cilat frymëzuan jetën e tij
ishin Mme Apollonie Sabatier (1857). dhe aktorja Marie Daubrun (1854-1855),
gjithsesi gjatë pjesës më të madhe të jetës, Baudelaire i ruajti mardhëniet me Jeanne.
Nga fund i viteve 1840, Baudelaire u morr me politikë. Ai luftoi në barrikada
gjatë revolucionit të vitit 1848 dhe po në këtë vit, bashkë-themeloi revistën “Siguria
publike” (Le Salut Public). Baudelaire ishte përkrahës i Proudhon ndaj dhe ishte
kunda kryengritjes së Louis-Napoleon Bonaparte në Dhjetor 1851. Pas kësaj periudhe
ai ju largua politikës dhe përqafoi ide dhe sjellje reaksionare.
Baudelaire publikoi novelën e tij të pare “La Fanfario”, në vitin 1847. Novela
flet për aspiratat artistike dhe lidhjet romantike të një shkrimtari të ri nga Parisi dhe
është vlerësuar për përmbajtjen e saj autobiografike si dhe për paraqitjen e teorive
aestetike të Baudelaire. Nga viti 1852 deri në 1865ën ai u morr me përkthimin e
shkrimeve të Edgar Allan Poe. Kur libri “Lulet e së keqes” (Les Fleurs Du Mal) doli
nga shtypi në vitin 1857, Baudelaire dhe gjithë personat e lidhur me shtypjen e
librit u ndoqën penalisht nga shteti dhe u quajtën fajtore për fjalor të shthurrur dhe
vulgaritet. Si rrjedhojë gjashtë nga poemat e këtij libri nuk u publikuan. Këto
poema u botuan në Bruksel, 1866 në përmbledhjen ‘Shkatërrimet’ ( Les Épavesto).
Për Baudelaire ‘dashuria’ ishte humbja e pafajsisë. Ai shkruan : "faire l'amour,
c'est faire le mal," të bësh dashuri është njësoj si të bësh keq. Por dashuria është në
të njëjtën kohë kënaqsia më e madhe dhe të bësh keq me qëllim është një burim epshi.
Në lidhje me këtë argument ai është shprehur : “pasi i studiova me kujdes thellësitë
e imagjinatave të mia, e kuptova se unë kam qënë gjithmonë i fiksuar pas pamundësisë
për të kuptuar disa nga sjelljet apo mendimet e njerzve, të grumbulluara
nga hipoteza e ndërhyrjes së një force të keqe nga jashtë.”
Edicioni i dytë i “Lulet e së keqes” me poema të reja, u publikua në vitin 1861.
Në atë kohë Baudelaire njihej dhe si kritik. Midis shokëve të tjerë, gjatë kësaj periudhe
ai shoqërohej dhe me Édouard Manet (1832-83), punimet e së cilit ishin refuzuar
vazhdimisht nga juria e “Sallonit të Parisit” (Salon de Paris – ekspozita zyrtare e arteve
të bukura në Paris). Pas ekspozitës të vitit 1845, Baudelaire parashikoi në një farë
mënyre në lidhje me Manet, duke u shprehur : "Ai do të jetë piktori i vërtetë i cili do të
mund të nxjerrë në pah anën epike të jetës së përditshme dhe do na bëjë të kuptojmë se
sa të mëdhenj dhe poetikë jemi, të veshur me gravatat dhe këpucët e llustruara.”
Edicioni më i vonshëm i librit “Lulet e së keqes” u publikua në 1868. Ky
edicion përmbante mbi 25 poema të papublikuara më pare. Essetë e Baudelaire mbi
artin janë publikuar nën emrin ‘Curiositès esthètiques” ndërsa ato mbi letërsinë dhe
muzikën janë publikuar në përmbledhjen “L’art romantique”. Baudelaire e urrente
poezinë filozofike (1846) sepse sipas tij ajo i përkiste një zhanri të fallcifikuar.
Në 1862 Baudelaire pësoi një infakt në zemër dhe problemet me shëndetin u
shtuan, kjo si pasojë dhe e përdorimit të opiumit, hashashit dhe alkoolit. Po në
1862, Manet pikturoi portretin e Jeann (e dashura e Baudelaire) titulluar 'La
Maïtresse de Baudelaire'. Në 1866 Baudelaire u kthye në Paris, pas një qëndrimi të
gjatë në Bruksel, ku kish jetuar në hotelin Le Grand Miroir. Gjatë kësaj periudhe ai
vizitoi Mechelen, Antwerp, Ghent, dhe Liège. Por më pas ai u sëmur rëndë dhe ju
desh të qëndronte në sanatorium. Inatin e tij në lidhje me Belgjikën dhe belgët e
shprehu në pamfletin “Pauvre Belgique!”. Baudelaire mallkonte dhe urrente gjithë
Belgjikën dhe belgët në veçanti qytetin e Brukselit, gratë e tij, burrat, fëmijët,
ushqimin, politikën etj Ai nuk mundi ta mbarronte librin me përmbledhje mallkimesh
për Belgjikën, por materiali i tij është shtypur në disa edicione.
Vitet e fundit të jetës së Baudelaire ishin të mbushura me probleme financiare dhe
shëndetsore. Ai vdiq në krahët e së ëmës, në 31 Gusht, 1867, në një klinikë në Paris.
Në një letër drejtuar së ëmës Baudelaire shprehet : “Siç duket na ishte shkruar ta
donim njëri tjetrin me sinqeritet dhe butësi të madhe, deri në fund të jetëve tona. Por duke pare veten dhe pozitën tonë, jam i bindur se njëri nga ne do të vrasë tjetrin.”

Rri urtë, o brenga ime...

Rri urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë;
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani;
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin,
Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi.

Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë,
Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
Të poshtër zhgryhen krejt ndërsa pendime u vinë,
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri

Larg tyre. Shih si kërrusen gjith'vjetët e harruar
Lart nga ballkoni i qiellit me petka të vjetruar,
Si ngrihet Mall' i hidhur nga ujrat buzëgaz;

Nën urë Diell i mekur si bje kur vjen ndajnata
Dhe, si qefin ne Lindje, nga hijet ndjekur pas,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ecë e ëmbël Nata.


Stolite
E embla ime qe shtrirë krejt nudo, ashtu siç m’a donte mua shpirti
e në trup s’kish lenë asgjë tjetër veç stolitve të saj tingëlluese
e fort të çmuara që i jepnin një pamje e ajër tepër triumfues
të tillë si ai i skllevërve të Morëve në ditët e tyre më të lumtura ...

E, kur keto stoli tunden e shkunden me një tingellimë tallëse
në një botë vezulluese plot dritë metali e zafiresh,
une ndjej të hypi në ekstazë e të humbas në te zjarrtin tërrbim
mes gjërash ku tingujt përzihen në dritë e harrim...

E, ajo e shtirë mbi divan, e dorëzuar në ledhka dashurie
qeshte krejt e lëshuar e hareshëm nga lumturia,
qeshte me dashurinë time, të thelle e të embël si deti,
që ngjitej drejt saj si dallga mbi shkembënj...

Me sytë e saj çpues të ngulur mbi mua si një tiger i zbutur
me pamje të përhumbur e endërrimtarë merrte poza lozonjare
e më hidhte hidhte shigjeta shikimesh plot ledhka dashurie
e pamja e saj naive e sensuale shkriheshin plot nur e magji...

Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë



Nga Namik Selmani


Asnjë historian, demograf, sociolog, gjeograf, arkeolog, folklorist, gjuhëtar, që merr përsipër të qëmtojë në fushën e vet studimore për krahinën e Çamërisë nuk mund të anashkalojë kurrësesi faktin, aspak të diskutueshëm, të ndikimit të jashtëzakonshë m të besimit islam në jetën ekonomike, shoqërore, shpirtërore, të kësaj krahine që, të paktën në shekujt e fundit e sidomos në 100 vitet e fundit e ka pasur dhe e ka (ndonëse me një popullsi tashmë të shpërngulur me forcë nga trojet e veta stërgjyshore) këtë besim si identitet dhe si mbijetesë.
Ky vitalitet shpirtëror, ndër më të rrallët në forcën e tij në mbarë Ballkanin bashkë me atë të popullsisë së Kosovës, i mbështetur te ky besim njësohej me shumë fusha të jetës së popullsisë çame që në traditat zakonore, në ato ndërtimore, në guzhinën tradicionale, në onomastikën e pasur e aq të larmishme, në urimet e mallkimet, në dasmat e gëzimet, në ritet fetare që bëheshin aq të rregullta në tërë krahinën, në tolerancën fetare që tregonte kjo popullsi në lidhje me pjesën e popullsisë të krishterë që kishin shumë fshatra të Çamërisë.
Nuk është aspak befasi apo edhe rastësi që edhe krijimi i familjeve të reja, dashuritë e bukura njerëzore që tregonin një pjesë tjetër po kaq të bukur të shpirtit çam të kishte këtë lidhje kaq të harmonishme mes besimit islam dhe vetë jetës që gëlonte në viset e Jugut sa e bukur në atë traditë që zbukuronte jetën e secilit mysliman çam aq edhe të vështirë përballë manovrave, qëllimeve të shtetarëve grekë, të kishës greke për asimilimin e kësaj popullsie, për mohimin e të drejtave më themelore njerëzore, atë të besimit e njohjes së gjuhës amtare që duhet të kishte një njeri.
Brenda kufinjve të kësaj sfide të vërtetë jetësore në kohën që jenët (fëmijët) çamë hidhnin hapat e parë në tokën e bekuar të Çamërisë, nënat i faleshin Zotit me vargje të dala nga shpirti i tyre i bukur dhe i madh:

Shuqur, o i madhi Zot
Kjo ditë që më erdhi sot
Që më ecën kjo fëmilë
Zoti të ma lërë të mirë

Në xhamitë e shumta të Çamërisë (në fillim të shekullit XX, por edhe deri në vitet 40 të këtij shekulli, kishte dhe nga tre, katër në fshatra të ndryshëm) bëheshin jo vetë ritet fetare, por edhe kuvendet e shumta për probleme të ndryshme që kishte fshati. Në vitet 1913-1944 kur kjo krahinë u shkëput nga trungu amë, xhamitë e fshatrave shërbenin edhe si shkolla të mirëfillta shqipe ku fëmijët bashkë me njohuritë për besimin islam, mësonin nga klerikët patriotë shqiptarë herë haptaz e herë fshehurazi shkronjat shqipe. Një gjë të tillë e mësojmë nga shumë banorë burra dhe gra që ende jetojnë në qytete të ndryshme ë Shqipërisë që prej 64 vjetësh, por edhe nga shumë dokumenta të arkivave të kohës.
Oborret e xhamive ktheheshin në mjedise festive të ngjarjeve të rëndësishme. Të tillë mund të përmendim datën 2 shtator 1941 kur në oborrin e Xhamisë së Paramithisë u mblodhën me qindra vetë për të ngritur flamurin shqiptar.

Paramëthi, moj Paramëthi
Tridhjet vjet nënë Greqi
……………………….
Paramëthi u ngrenë e vanë
Shkuan e vanë në xhami
Ngrenë flamurin kuq e zi.

Në dekorin e fshatrave të Çamërisë ato patjetër ishin institucione më të respektuara të besimit, të bashkimit, të këngës, të pajtimit, të respektit ndaj njëri-tjetrit. Vetëm në fshatim Mazrek ka pasur 4 xhami: ajo e Kovaçëve, e Çapuratëve, e Kolicatëve dhe e Mahalesë. Sipas tregimit të Refik Pronjos dhe Riza Kalit nga Paramithia ky qytet, që në vitet 1944- 1945 do të jetonte tmerrin më të madh të genocidit grek, kishte 8 xhami me rëndësi jo vetëm për këtë qendër të banuar, por dhe për mbarë Çamërinë. Të tilla mund të përmendim Xhaminë e Kalasë (ishte brenda në kalanë e qytetit), të Kanelës, të Bollatëve, të Këndalit, të Qendrës ( në të dikur ishte falur Sulltan Bajaziti), të Pazarit, të Prronjatëve, të Shardhaqes. Në fshatin Margëllëç kishte 5 xhami. Vetëm në Janinë ku banonin rreth 40 000 banorë kishte 30 xhami, disa medrese që përgatisnin klerikë për fshatrat myslimane të Çamërisë. Në qytetin e Konispolit ka patur 5 xhami Aliagatit në qendër, e Çuçatit, e Llanxatit, e Pashanjet dhe e Shehatit.
Sheshet e xhamive që ishin kryesisht në mes të fshatrave çame ktheheshin në kuvende dhe për ngjarje të rëndësihme. E tillë është edhe kënga e krijuar në Galbaq të Filatit:
Mu ne Sheshi i Xhamisë
Treqind burra të Labërisë
U thirrën si për mexhlis

Edhe pse organizimi adminstrativ i fshatrave të krahinës bëhej kryesisht me kryepleqtë e fshatrave që edhe mund të grumbullonin fonde për ndërtimin e xhamive në fshatra, nuk janë të pakta rastet kur familje apo fise të caktuara të ndërtonin xhami të reja me kursimet e tyre. Këto xhami më vonë do të mbanin simbolikisht emrat e fiseve, por që do të ishin gjithmonë dyerhapura për të gjithë besimtarët e tjerë. Kështu mund të përmendim Xhaminë e Llodozave në Koskë, të Sejkatëve në Filat, Xhaminë e Ali Çubit në Margëllëç etj
Ky dekor historik , shpirtëror ishte po kaq vital që nga hapat e parë të jetës së secilit e deri në momentet e fundit të jetës. Më shumë se në çdo aspket tjetër ai do të shpërthente në folklorin popullor që tregon saktësisht forcën e madhe dhe masive të besimit në fenë islame në masat popullore të kësaj krahine.
Po të shikojmë një këngë tepër të veçantë në grupin e këngëve me ndikimin te besimi islam na bëjnë përshtypje tre vargje:

“ Sollopia Medine
Me treqind e ca hane
Dhe me treqind plorë dhe

Ky krahasim i këtij fshati me qytetin e shenjtë të Medinës në Arabinë Saudite ka lindur nga një gojëdhënë që flet për bujarinë e fshatarëve të tij. Një djalë nga Sollopia dhe një djalë turk bënin shërbimin ushtarak në një vend të largët . Miqësinë e tyre të madhe ata e çuan deri në vëllamëri. Që t’i dilte përpara halleve të pafund, një ditë sollopioti i dërgoi kartë turkut se “ në fshatin e tij kishte rënë një zi buke”. Me të marrë këtë letër turku i dërgon 500 mushka me grurë duke iu thënë kalorësve që t’i çonin në “ Sollopinë Medine”

***
Qëmtimi i ndikimit të besimit islam në vargjet e ninullave, të lojërave fëminore, të këngëve të dashurisë, të këngëve të dasmave, të vajeve të thekshme, të punës së përditshme, të dëshirës së sinqertë për mbarësinë e jetës së fëmijëve, të shëndetit të vetë prindërve, të prodhimeve të bollshme të të korrave e të mbjellave është një Antologji e vërtetë sa poetike aq edhe e lakmuar për studiues të fushave të ndryshme ku gjen gjithmonë diçka të re befasuese.
Këngët e trimërisë në pamje të parë nuk zënë ndonjë vend të madh në numër përbri këngëve lirike në këtë krahinë. Por ato nuk janë më pak të fuqishme në mesazhin që sjellin dhe në forcën artistike që përcjellin te lexuesi i të gjithë kohërave. Motivi atdhetar në këngët e tilla shkrihet aq harmonishëm me elementë fetarë të besimit tek Zoti. Është mesazhi i fuqishëm atdhetar i shqiptarëve se “pa fe nuk ka adhe“. Ky del si asnjëherë më i qartë dhe i plotë në këngën “Osman Pashë trimëria” të kënduar në Arpicë që ka edhe një fillim simbolik

Allah , të biç( bësh) bejan
Ashtu si na ndodhi vakija
Ç’ish nglau në këtë zeman
Osman Pashë trimëria

Një ngjarje epike e ndodhur në kohën e rezistencës së kësaj popullsie kundër forcave të Ali Pashës që donte të pushtonte Çamërinë, na ka lënë një trashëgim të bukur folklorik. Xhafo Dhërmica nga fshati Dhërmicë i Gumenicës ishte një trim që s’e njihte vdekjen. Por pabesia e armiqve kaq e madhe sa atë vendosën që ta sulmonin kur ai falte namazin e suhurit. Edhe pse me rrobat e faljes, ai mori armën e filloi luftën. Kërkoi të çante rrethimin, pasi vrau shumë armiq, por nuk mundi dot.

Dërgon Ali Pashai
Të ziret Xhavo qerratai
Në Dhërmicë e bë berhai
Që n’suhur jaram në drekë
Luftoi Xhavua me brekë
Aq sa kishte fishëkë

Kënga poullore çame mori përsipër që të përjetësonte dhe kujtimin e vyer të klerikëve muslimanë të kësaj krahine që ishin jo vetëm udhëheqës të besimit shpirtëror të krahinës së tyre, por edhe luftëtarë të shquar të çështjes kombëtare . Të tillë mund të përmendim Hoxhë Memenë si quhej shkurt në kujtesën popullore Myftiu i Filatit Hoxhë Mehmet Zeqiraji, Dëshmor i Kombit që u vra nga grekët më 1941.

Ki Hoxhë Memeja
Qëlloi me dilbi
Ndëra e këtej nndëra
U bë Shqipëri.

Natyrisht në këtë thesar folklorik nuk mund të mungonte edhe kënga për dijetarin dhe teologun e shquar Hasan Tahsini. Me pak fjalë të kursyera populli bën portretin e tij

Dijetar Hasan Tahsini
Në tufane çan shahini
Atdhetar , bir atdhetari
Sadrazemi, shehislami
Mëndjendritur, zëmërtrimi

Kënga popullore bëhet edhe pjesë e dhimbjes së madhe që edhe këtu merr forcë te besimi tek Zoti. Pas masakrave të vitit 1945 që kishin një parapavijë të qartë të një lufte edhe me nuanca fetare kënga thotë:

Raçë në gjumë me pikëlli
Mos më keq , moj Perëndi
Pashë një ëndërr llahatari

Ose në një këngë tjetër që ka po këtë temë me një qartësi të madhe këngëtari popullor thotë:

Si na e bëri ne Greqia
E pa vetë Perëndia
Mbilli burrat në shtëpi
I theri si bagëdi

Optikës së folklorit nuk i shpëton edhe protesta ndaj vëllavrasjes që bëhej jo vetëm në planin atdhetar, por edhe si pjesë të besimit te Zoti që nuk lejon të krijosh hakmarrje në popullin tend.
Ditën e Bajramit seç erdhën e të thanë
Nur babaselimi, nur të qofshim falë
…………………………………………
Erdhën melaqetë e të prunë selamnë
T’u bë kabull lutja po bën teslim xhanë


Morali isalm në shumë këngë del i plotë në këngë të mirëfillta fetare. Mjafton të lexosh disa prej tyre e të shohësh jo vetëm këshillat e vyera të islamit por edhe aftësinë artistike që kishte populli për trajtimin e kësaj teme aq interesante. Në një këngë të kënduar në fshatin Galbaq të Filatit thuhet ndër të tjera

Bënu hoxhë e vesh një gunë
Falu ditën pesë herë
Për nonjë mos fol rrerë
Se do vemi në atë jetë
N’atë jetë të vërtetë.

Sias zakoni të bukur të famljeve çame kur dilte gruaja në mëngjes dhe hapte derën e saj bënte lutjen e zakonshme që thuhet në këto vargje:
Bismilah rrahmani rrahim
Ditë e re kismet i ri
Hiftë fati në shtëpi.
Kjo këngë ose më saktë një ritual fetar ngjan me ajetin kuranor ku thuhet “Pasha këtë mëngjes!”
Nuk janë të pakta edhe këngët kur burrat ose gratë vendosen në veprime që tregojnë se ata janë besmtarë të devotshëm .. Në një këngë- dialog të fëmijëve me hënën, ajo tregon se e ka parë babain e tyre “ duke marrë avdes me ibrik të argjendë në Prevezë”
Hënë , hënë , kako hënë
As na pe babanë tënë?
-Në Prevezë e pashë prëmë
mirr avdes me brik t’argjendë
Edhe në yshtjet që bënin ndonjë herë gratë –nëna për fëmijët e tyre të sëmurë kërkohet gjithmonë ndihmë te Zoti. Një nënë nga Grikohori i Gumenicës kur fëmija i saj kishte këputur mish, recitonte këto vargje:

O zot i vërtetë
Xerre në selamet
Këtë rop që ka kput mish
Vënia mishin neku ish
I itat, i im atë
I it gjish
Vëria misht atje nek ish.

Në pamundësi për të patur libra të historisë islame vetë kënga merr misionin e madh edhe të njohjes së kësaj historie , të zbërthimit të shumë ajeteve e sureve me poezi

Atë jetë është një urë
Kush të shkojë është burrë
Urdhëroi vetë xhelili
Korbanë bëri Ismaili
…………………..
Gjunahqarët i kërdisi
Brenda në xhehnm i vulisi( futi)

Besimtari çam nga Margëllëçi para së të vërë kokën në jastëk për gjumin e natës bashkë me faljen e tij këndon edhe këto vargje:

Zot i madh, të klofshim falë
Bëra nijet të kumbisem të fle
Bëra veqil milaqetë
Të më dijnë( ndihmojnë) këtë natë sonte
Në u difsha ishalla
Në s’u difsha embër allah

Brenda kësaj hapësire të gjërë shpirtërore që të jep besimi tek Zoti e profetët e dërguar prej tij, këngëtari popullor nuk harron të njësojë veten edhe si çam

Lah, ilah e jarabi
Vetëhenë çam e di
Nanë e babë çam e di
Vëllezër e motra çamë e di
Gjithë arnautllëkun arnaut e di.

Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit që sjell edhe ditën e bekuar të Bajramit e ka nxitur këngëtarin popullor nga Vola që të këndojë me nderim:

Këto ditët e Remazanit
Jan t’afruarat e Bajramit
Kush agjëron kët Remazan
Isht i afruar për Bajram.
Ky gëzim na del po kaq i madh një këngë tjetër kur flitet për festën e bekuar të Bajramit. Edhe familja më e varfër në krahasim me të tjerat në fshatrat myslimane e mbushte atë ditë sofrën plot . Urimet përcillnin njëri-tjetrin e begatia mbushte pragjet:
Tepsia me bakllai
Për shumë mot Bajramin e ri
Bajramin ç’e kemi sot
Kutu kemi plaka plot.
Është pikërisht kjo festë që në një moment tjetër ka edhe trishtimin që të sjell kurbeti, vajtja nizam e burrave. Monologu i një gruaje që e respekton ditën e Bajramit, në të cilën ka prerë edhe një fustan të ri, shoqërohet me dhimbjen e saj që nuk e ka burrin pranë e të gëzojë familjarisht me të .

Ditën e Bajramit
Preva një fustan
Mjera u e mjera
Me çil do ta mbaj
Një burrë që kesha
Ma muarrë nizam
Më dërgoi një kartë
Më dërgoi selam
I marrça të keqen
Iu bëfsha kurban.

Po të shohësh me vemendje hyrjet e shumë këngëve, pavarësisht nga karakteri i tyre epik ose lirik ato fillojnë me ditën e xhuma ( të premten) që është një nga ditët më të shënuara për myslimanët. Në këngën “ M’u prêt këmbët , m’u pretë “, kënga nis kështu: M’u pretë këmë, m’u pretë / Atë ditën e xhumasë. Në këngën “ Të xhumanë në qindi” është po kjo hyrje ,veç me një ndryshim se është në fillim të këngës :
Të Xhumanë në qindi
Në Volë u bë një thjamë( fatkeqësi, mandatë)
Në këngën kushtuar vrasjes së patriotit Mulla Qemal Dautit kënga nis kështu
Të xhuma më të xhuma
Mulla Qemali u vra…..
Qetësia shpirtërore e myslimanit aq e pranishme në situata të vështira të jetës, kthehet në vargjet e këngës në një burim qetësie , në një forcë për kapërcimin e tyre.

Buza thotë:” S’ka të folë
As kur leni mos gëzoni
As kur vdisni, mos helmoni.
Hapni dyert xhenetit
Janë fekse( dritë) e llambadhë
Hapim dert e xhehenemit
Ishtë pisë e dhe skotarë

Fakti që morali islam është i shkrirë në masën më të plotë në këngën popullore çame, tregon atë përhapje të natyrshme , atë klimë masive besimi që ishte në secilën familje. Për ta bërë këtë moral të njohur edhe te më të rinjtë në to predikohet ndershmëria në luftë me ata që bëjnë gjynahe. Pranohet bota tjetër
(ahireti), për të cilin secili besimtar duhet të punojë që në këtë jetë. Predikohet dashuria për njëri-tjetrin, dashuria e respekti për fqinjin ( Gjitonin) dhe kritikohet veprimi i mynafikëve:

Në atë jetë që do vemi
Është gjarpëri sa demi
Ai njeri që s‘do njerinë
D’e djegin si qirinë
Jitoni që s’do jitonë
Me kran d’e përvëlojnë
Mynafik vatan mos pastë
Brenda varri mos e dhekstë.

Nëse do ta shikonim nga plani gjuhësor dhe artistik në këto këngë të bëjnë përshtypje detajet artistike që zgjedh poeti popullor. Kontraste mbresëlënëse pa rënë në një moral të thjeshtë ku jo rrallë bien këngë të tilla të krahinave të tjera.
Shkon ky urim e kjo frymë edhe në këngët e dasmës, sidomos në ditën kur në shtëpinë ku bëhet dasma vjen nusja:

Bismilahi, rrahmani rrahim
Elhamdu liledhine
Nimeti xhelil
Beriqeti halil
Allahu mezi
Sufra sahibi
Zoti të na fali
Të trashëgohet djali

Mbarësia e nuses që niset nga shtëpia e saj për të shkuar te shtëpia e dhëndërrit nuk mund të kuptohet pa bekimin e Zotit , ndaj dhe kënga e nënës, e shoqes , e motrës , e babait thotë:

Dolle , nuse dolle, me kokën mënjanë
Të përcolli nana të tha: “Udhë të mbarë!’
Kur më dolle derën , me paraponi
Kur më more udhën me bismilahi

Në kulmin e gëzimit të festës një dialog i nuses me dhëndërrin i mbushur me epitete nga më të bukurit i ngroh të dy shpirtërat. Përballë bukurisë së vashës dhëndërri pyet : “Vetullat përse t’u nxinë?/ sikur ke vënë mazinë?/Dhe vajza besimtare, por dhe shumë e zgjuar thotë thjesht: “ Jo, mor jo , për perëndnë / ma dha Zoti bukurinë.”
Një djalë tjetër dashuruar pas Refinanit mezi e prêt Bajramin se pas dy javësh të Ramazanit do të shkojë në dyqan për të prerë një fustan të ri për të:

Në di javë Remazan
E bukura Refinan
U do vete në duqan
Të pshonis një top indian
Që të presësh një fustan
Ta kesh lule për bajram

Gëzimi masiv i dasmës njësohet shumë herë me grumbullimin festiv të njerëzve në ditët e bajrameve , kur me rroba të reja, me urimet e pafund për njëri-tjertin në buzë dhe me falenderimet për Allahun e madhëruar formojnë një dekor të bukur njerëzor në fshatrat e Çamërisë. Për këtë në fshatin Kurtes këndohet kështu:

Bajram , e ç’ish sot
Kutu janë zonjat lot
Bij t’i sho e s’i sho dot
M’u mbushën sitë me lot

Kjo bëhet edhe kur këndohet duaja e bukës . Pasi hanë bukë, të gjithë pjesëtarët e sofrës këndojnë:

Zoti e shtoftë
Dhe e buroftë
Më shumë mo’ ka sot

Ose në një këngë tjetër që këndohej në Picar të Filatit thuhej : “Shtoje o zot, mbushe plot merrja agait/ jepja fukarait”
Vetëm besimi te zoti, te forca e tij e madhe mund ta bëjë edhe më të ndjerë këngën e dashurisë . Përballë një realiteti frymëzues. përpara portretit të vajzës së bukur që del e fshihet në dritare diku nën rrezet e bukura të hënës urimi “ të lëftë perëndia “ është më se i goditur për të shprehur atë gaz të brendshëm që i ka ardhur:

Del hëna ka mali
Llamburit shtëpia
Ja s’del në penxhere
Të lëftë Perëndia

Veç këngëve të tematikave të ndryshme që bartin të fuqishëm edhe sot e kësaj dite, edhe toponimet e shumë fshatrave lidhen me besimin te Zoti. Ato janë subjekte të fuqishëm që tregojnë një vitalitet të madh shpirtëror. Në fshatin Pleshavicë që është në afërsi të kufirit më Konispolin është një shpellë që quhet Shpella e Ujthit. Tregojnë për të një legjendë se si atje shkoi një grua për të lindur. Bëri një vrimë nga lart dhe lidhi tërkuzën . U lidh me të në hava që të lindëte kollaj Guri nën të u kthye në govatë që të lahej kur të lindtëte Por s’kishte ujë . Aherë ajo ngriti të dy duart përpjetë. I mbështeti ato në faqe të shpellës dhe iu lut Zotit: “ O zot , më jep ujë! Menjëherë lutja iu pranua. Atje ku ajo kishte vëvë duart, uji buroi më bollëk. Me vite të tjera më pas shumë njerëz besonin se këtu është vend i mirë dhe shkojnë të lahen me këtë ujë që ata e quajnë “ujë të mirë” dhe shpellës ia vunë emrin “ Shpella e Ujthit”.
Një gojëdhënë shumë origjinale është dhe ajo e lejlekëve që e kanë drejtimin e vajtjes së tyre në vendet e ngrohta të ku gjendet edhe Meka. Kërcëllitja e sqepave të tyre sipas besimtarëve të kësaj krahine duket si ezan ( thirrrje) dhe simbolika e vajtjes së tyre i ngjan asaj të haxhilerëve për në Mekë:

Haxhi lelek
Eja në xhami
Nëse do kati
Efendi me flutura

Edhe onomastika e emrave të njerëzve të kësaj krahine ishte në shumicën e rasteve me origjinë fetare . Kështu emrat Ibrahim, Ismalil, Fatime, Haxhi , Rexhep, Jasin, Ajet, Ali, Adem, Hava, Nuh, Mustafa, Muhamet, Kadri, Bajram, Kadrie, që kanë origjinë islame i gjen edhe sot e kësaj dite në çdo shtëpi të fshatrave të Çamërisë.


***
Përballë kësaj galerie të vërtetë shumëngjyrëshe me tinguj , figura të pasura letrare shumë origjinale, hapësirë, dritë të fortë besimi me shpresën te Zoti që gjthësesi edhe brenda kuadrit të një eseje të plotë, mbetet akoma i virgjër dhe jo i rrahur plotësisht , historia e re nuk e ka mpakur këtë besim te fëmijët , nipërit e stërnipërit e atyre burrave e grave të kësaj krahine me një histori të lavdishme në drejtim të përhapjes së fesë islame. Në të gjitha vitet e qëndrimit në Shqipëri ku është pjesa më e madhe e të dëbuarve nga trojet e tyre, por edhe në vendet e tjera ku jetojnë e punojnë , asnjëherë nuk e patën pengun e përcjelljes së besimit te brezat më të rinj. Por, për fat të keq, në trojet tona amtare në të 70 fshatrat prej nga u dëbuan dhe u masakruan me mijrëa njerëz të pafajshëm, objektet e kultit islam në Çamëri një nga një po zhduken . Natyrisht nuk bëhet fjalë për t’i ringritur dhe restauruar në gjendjen e mëparshme, nëse atje nuk do të skojnë banorët shekullorë të tyre. Jo, as që mund të mendohet një gjë e tillë . Sipas dokumenteve që janë të qarta shumë xhami po prishen duke gjetur një “ argument” të fortë të ndërtimit të objekteve publike , sidomos të ndërtimit të rrugëve, të ndërtesave të tjera publike , me qëllim që të dobësohet ai besim i madh i popullsisë së Çamërisë që ka qenë shenjë e jetës dhe e indentitetit tonë kombëtar.

Literatura

* Rrapaj.Fatos -“ Rënkimet e Çamërisë – Tianë , 1985
Shabani. Halil- “ Shalësi ynë në jug”- “Saranda” 1999
* Rrapaj Mero Fatos- “ Fjalori onomastik i Epirit” – Tiranë 1995
* Hoxha . Ibrahim- Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek” – Tiranë 2000
* Çështja came dhe integrimi europian” ( Konferencë shkencore)– Botim i Institutit të Studimeve për Çamërinë – Tiranë 2005“
* Hoxha . Ibrahim - “ Bilbila e thëllëza came” AITC Tiranë 2007
* Hoxha Ibrahim – Enciklopedia jugshqiptare” Tiranë 2006

Namik Selmani, mësues në shkollën e mesme pedagogjike e të gjuhëve të huaja Berat

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...