2013-07-08

Shembëlltyra e gruas shqiptare


jozefina
 Jozefina Traboini

Tema e kësaj esseje pasqyron dhe merr përmasa të ndryshme totalitare,sidomos në vendin tonë pasi ajo çka ndodh këtu tekne, mbetet një referencë historike. Dhe pse ndodh kjo?Sepse është një kontrast tronditës me atë që ndodh sot në gjirin e shoqërisë shqiptare.
Do të thosha se në vendin tonë mjerisht ka ende shumë urrejtje, përçarje pse jo edhe tabu që realizojnë poshtërimin e portretit të gruas shqiptare. Çuditërisht kjo gjë nuk vjen thjesht vetëm nga shoqëria, mendoj unë, por dhe nga puna e pamjaftueshme e politikës shqiptare. Nuk dëshiroj kurrë që gruaja në vendin tonë të shfaqet si një fantomë. Mendimi im rrjedh dhe flet pasi unë në vetvete jam e çliruar sado pak nga urrejtja e kësaj teme jetike. Gruas në vendin tim i është vrarë e surgjynosur, burgosur e poshtëruar, për dekada me radhë, ndjenja dhe liria, duke kaluar në rrugët e burgut, internimit, shumë nga ne, si mua personalisht, duke u shkatërruar me familje e fis, nga klitha komuniste i atij sistemi.
Në kohën e betejës morale e psikologjike të asaj periudhe të zezë, gruaja intelektuale e asaj kohe në vend që të gjente mbështetje, nuk arriti ta gjente veten e saj në asnjë vend, për vlera dhe respekt, por vetem dhunë dhe përdhunë, dhe ketë ndjesi në vendin tonë e njohu më shumë se askush ajo.
Të drejtat e njeriut në botën e civilizuar janë baza e dinjitetit njerëzor, sepse jeta e njeriut e cila është vlera e vertetë, bashkohet njëherësh, kur e drejta e tij kërkon ta jetojë e ta gëzojë bashkë me vlerat e jetës.
Ne kërkojmë dhe duhet të vështrojmë drejt fjalës dhe veprës “Liri”, “Paqe”. Liria e gruas s’duhet të jetë kurrë ëndërr, ajo duhet të luftojë e veprojë për ngritjen e vlerave të saj, të nënave e motrave tona, duke mos pasur pse të vuajë poshtërimin e përditshëm.
Shpresa jonë erdhi me ardhjen e demokracisë, prandaj duhet të flasim me mendje dhe zemër.
Është tej interesante simbolika e dashamirësia e gruas. Mendoj se, në një farë mënyre a forme, shumë gra në vendin tonë janë të lodhura nga aktet e padrejtësisë, sepse degradimi i saj edhe në ditët e sotme është faktik.
Mënyra se si trajtohet njeriu është themelore, kjo shprehet nëpërmjet marrëdhënieve me njerëz të tjerë, duke patur për bazë dhe kriter trajtimin që i bëjmë cilido, qoftë ai apo ajo.
Çdo njeri është imazh i Zotit, krijues i gjithësisë. Ai gruas i ka krijuar laboratorin e saj, atë të krijuesit. Këto janë thënie të mëdha ashtu si vetë popujt që nxorën këta njerëz të mëdhenj.
Gruaja ka rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe ndryshimet kulturore në një shoqëri, sepse ajo ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin dhe përparimin e gjinisë njerëzore – ajo ka kontakt shumë të afërt, dhe me kë më shumë se me fëmijët.
Në suazat ndërkombëtare gruaja të drejtat e veta fillon t’i kërkojë ngadalë dhe t’i arrij që nga marshimi i 15000 grave në 8 mars 1908, në Nju Jork. Sot, të drejtat e gruas zakonisht identifikohen me të drejtat e njeriut. Gruaja nuk mund të themi se ka qenë gjithmonë e priviligjuar me të drejtat e veta për ekzistencë, punë, edukim dhe trashigimi. Të drejtat e saj ajo i ka fituar varësisht nga periudhat kohore dhe variojnë nga një gjendje në një tjetër.
Fjala grua në gjuhën shqipe ka kuptim më të ngushtë nga kuptimi i përgjithshëm për gjininë femërore të moshës së rritur. Kjo temë përdoret në veçanti për një krijesë të gjithësisë femërore të martuar, pra për një femër të martuar. Ky është një subjekt shumë i vështirë që të mund të përmbledh në mendimet e mia gjithë madhështinë e saj. Në këtë sens, ne nuk duhet t’i veçojmë burrin dhe gruan nga njëri tjetri, ata kanë ndryshime fizike dhe psikologjike, por jo krijuese. Në opinionin tim gruaja dhe burri duhet të jenë si dy pjesë të një të tëre. Edhe qeniet janë krijuar për të qenë së bashku. Burri dhe gruaja plotësojnë njëri tjetrin. Mendoj se problemi është tek njerëzit, të cilët e shohin çështjen në ekstremitet, dhe në këtë mënyrë prishin balancën.
Në atmosferën sociale të shoqërive, gruaja nuk është vetëm një nga temat më të frekuentuara në diskutimet e ditëve tona, ajo është gjithashtu një prej debateve më esenciale në marrëdhëniet e forta midis individëve, shoqërisë, familjes, kombit. Ajo që i jep formë, është dashuria e gruas që shfaqet kudo, në fakte në çdo pjezës që ndihmon një pjezës tjetër. Kjo është e vërteta. Në një shkallë të tillë ku faktori kryesor në thelbin e ekzistencës është dashuria që ka gruaja, kjo duket në sjellje dhe veprime, në ndjenja njerëzore – kjo ndodh nga vullneti i saj hyjnor.
Gruaja ka një prespektivë në jetë, prandaj dhe njerëzimi në mënyrë të ndërgjegjshme duhet të demostrojë dhe të ofrojë ndihmë dhe mbështetje për gruan dhe sidomos atë shqiptare. Njerëzit në Shqipëri duhet ta mbrojnë në harmoni të plotë thelbin e ekzistencës së gruas. Përveç ligjeve të natyrës, ajo është bërë që të drejtojë dhe të administrojë edhe jetën në shoqërinë njërëzore. Humanizmi dhe dashuria që jep gruaja në vendin tonë përbën një doktrinë që është artikuluese në mënyrë të pa matur në këtë kohë, prandaj ka një potencial të lehtë. Njerëzit në Shqipëri provojnë të imponojnë një kuptim të turbullt dhe abstrakt figurës së gruas.
Gratë dhe motrat tona të dashura, duhet të bashkohen dhe të luftojnë për të krijuar një unitet për mirëqënien, për forcën e vlerave të saj duke sjellë paqe në kuptimin e së vërtetës. Ne jemi sjellë nga Zoti në jetë për të drejtuar bashkarisht me burrat ndaj dhe duhet të percjellim parimin e lumturisë në këtë botë. Duhet gjithmonë të shohim dhe mësojmë nga gratë e vendeve të civilizuara ku me shembujt e tyre të maturisë sjellin çdo ditë ekuilibër në çdo çështje dhe në cdo gjeneratë – kjo është një shprehje e thelbësisë që rrezatojnë në çdo vend ku ato jetojnë e punojnë.
Historia ka treguar shumë raste të tilla që sjellin humanizëm me vepra, për mendimin dhe dashurinë që inkurajon ajo, dhe të drejtat e saj kurrë nuk duhen shkelur, për të mos shtypur dashurinë universale që krijon. Nënë Tereza erdhi në jetë për të shpërndarë humanizmin e gruas, dhe sa krenare duhet të jemi ne për këtë! Kështu, kur shkelet e drejta e gruas, themi me plot gojë se ata, që mundohen ta shkelin këtë të drejtë gabojnë pa dashje ose me dashje dhe gjithherë e gjithmonë, do të ndjejnë pendim për gabimet e tyre.
Zoti gruan e krijoi për t’i dhënë rolin e saj sublim që të matet me të gjitha dhuntitë dhe mrekullitë e saj. Meqenëse gruaja ka një përvojë në shumë fusha – më rëndësishmja ajo e nënës – ajo është dhe mësuese e mendjes dhe ndjenjës, dhe siç ka thënë i madhi Shën Pali “Gruaja është e do të jetë prijësi i mendimit”. Puna e gruas është një adhurim përtej epokës. Koordinatat dhe drejtpesha është dhënë për gjithë njerëzimin, në rrugën e ekzistencës së saj – gruaja kërkon të vërtetën.
Gratë duhet të shprehen në një zë unik, që të përsosin veprën e tyre për të krijuar një ekuilibër, se përpjekja jonë për t’u mbrojtur është një luftë identiteti dhe ndërgjegje, njëhohësisht detyrë e lartë, si përpara të drejtës së ligjit, duke kërkuar epërsi në moral, virtyt e vokacion dhe të konsiderohet si një ikonë përballë idesë së saj për të lobuar e çuar sa më lart zërin dhe zemrën në të drejtat dhe lumturinë që kërkojnë.

Humanistja e madhe Solanzh d` Anzheli


u1_SolanzhdAnzheli
                     Solanzh d` Anzheli

Mbresa pas dokumentarit “Shqiptarja e Parisit”, kushtuar humanistes së madhe Solanzh d` Anzheli.

kujtim
Nga Kujtim Mateli
Në mbrëmjen e datës 1 qershor 2013, Televizioni Publik Shqiptar (TVSH) transmetoi një emision televiziv kushtuar  Solanzh d` Anzheli (Solange d` Angely), titulluar “Shqiptarja e Parisit”. Shqiptarët e njohin atë se e kanë patur të pranishme në këto vite të demokracisë dhe kontributi i saj ka qenë i shumanshëm: një humaniste e madhe për të qënë pranë njerëzve në nevojë e një luftëtare e radhëve të para për të përshpejtuar proceset demokratike në Shqipëri. Ajo ka qenë në këto vite mes shqiptarëve dhe e lidhur ngushtësisht me ta. Ndaj në çdo cep të Shqipërisë e Kosovës, njerëzit tregojnë copëza kujtimesh për të duke shpalosur shpirtin e saj brilant, që gëzohej a hidhërohej bashkë me njerëzit që e shoqëronin , sepse Shqipërinë e kishte bërë pjesë të jetës së saj.
***
Dokumentari televiziv  “Shqiptarja e Parisit” është realizuar me skenar dhe regji të shkrimtarit dhe diplomatit tonë në Paris, z. Luan Rama, operatorëve të talentuar Bujar Kore dhe Spartak Papadhimitri dhe montazhierit  duarartë, Lulzim Sulaj.
Shqiptarët përjetuan një mbrëmje plot emocion duke i shprehur mirënjohjen e tyre kësaj shqiptareje të madhe dhe realizuesve të këtij dokumentari.  Shqiptarët mësuan në këtë emision shumë gjëra që i dinin, por edhe episode për të cilat nuk kishin dijeni. Ndaj ky film dokumentar mund të konsiderohet si më i ploti i dhënë deri më sot, për të cilën u shprehim mirënjohjen gjithë stafit që bëri të mundur realizimin e tij. Ai na shpie në origjinën e hershme të familjes Anzhely (Angjeli), prej nga buron ajo dashuri e vrullshme për Shqipërinë.
*****
Nëna e Solanzh është nga Bënja e Përmetit, nga krahina e Shqerisë. Po trungu atëror i saj? Jo larg Bënjës, në një shpat mali, në fshatin Ogren, aty ku sot është ngritur shkolla, ka jetuar fisi imadh i Angjelëve. Po ku janë ata sot? Sipas tregimeve të më të vjetërve, fisi i Angjelëve kishte emigruar në Stamboll e Amerikë, prej nga nuk ishin kthyer më në vendlindjen e tyre. Po njëri nga djemtë e këtij trungu familjar, Roberti, jo vetëm që ishte kthyer, por kishte marrë për grua, një vajzë nga Bënja, Marigon. Sado larg që ikin njerëzit, zëri i vendlindjes i thërret. Janë ato zëra që mbushin qënien njerëzore teksa pi qumshtin e ëmbël të nënës.  Njeriu është i prirur të kërkojë zanafillën e jetës njerëzore. Nga vjen, cilët janë të parët e tij? Sado që kjo botë të duket e trazuar dhe e largët, njeriu e gjen rrugëtimin e parardhësve të vet. Shkon e ndalet atje ku janë varret e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tij. Dhe në mos e gjen dot pllakën e moçme sipër varrit, e ndjen se ata janë aty poshtë nën dheun e zi. Pranvera i mbush me lule, në vend të një tufe të munguar e dimri u hedh pelerinën e bardhë. Aty, në të djathtë të lumit të Vjosës, në fshatrat Ogren dhe Bënjë, janë parardhësit e Solanzh d` Anzheli.
***
Dokumentari “Shqiptarja e Parisit” shpalos para shikuesve jetën e Solanzh.  Ajo u lind në Paris  nga dy bashkëshortët e mrekullueshëm Robert e Marigo.  “Ëndrra e Solanzhit që të bëhej mjeke u realizua dhe ajo e mbaroi shkollën me “Diplomë të Artë”. Kështu, në vitet 1958-1962 e më pas ajo filloi punën si një pediatre e re, duke punuar në spitale të ndryshme të Parisit, si në “Bicêtre”, “Claude Bernard”, “Baujon”, “Saint Antoine” apo në “Saint-Joseph”, ku do të punonte gjatë dhe do të hynte në botën e madhe të shkencës duke kuptuar se para së gjithash duhej të ishte humanizmi” Profesioni i mjekut kërkon angazhim e përqëndrim, sakrificë e vetmohim, dashuri të jashtëzakonshme, cilësi që i gjen të harmonizuara te Solanzh.
Po sot në Paris jeton vetëm Solanzh. Pjesëtarët e tjerë të familjes Angjeli (Angely) jetojnë jashtë Parisit, në qytete të ndryshme të Francës. Po lidhjet e Solanzh me vëllezërit e saj: Roland, Gaston dhe Noël dhe me motrën Aleksandra, janë tepër të forta. Vizitat e shpeshta që i bejnë njëri-tjetrit  shprehin dashurinë që ekziston brenda familjes Angely. Nipi i saj, Oliveri, e viziton më shpesh hallën e vet, se shtëpitë e tyre nuk janë shumë larg njëra-tjetrës. Olivieri është regjisor filmi në Televizionin «Francë 2».  Para shumë vitesh ka realizuar një film dokumentar për Tedi Papavramin, duke treguar kështu se nuk është vetëm Solanzh që përkujdeset për atdheun e të parëve të familjes Angely, (Angjeli), por edhe pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje. Këtë dashuri për atdheun e të parëve të tyre e kanë ushqyer bashkëshortët Robert e Marigo. Kjo traditë ka për të vazhduar gjatë dhe urojmë të mos ndërpritet kurrë.
****
Po Solanzh e ka ndarë jetën e saj midis Francës dhe Shqipërisë. Ajo erdhi në Shqipëri që në ato ditë të para kur lindën proceset demokratike. Erdhi që të realizonte dy gjëra të rëndësishme: të njihej me atdheun e të parëve të saj dhe të kontribonte që Shqipëria t`u bashkohej sa më shpejt rrjedhave europiane. Erdhi dhe i realizoi të dyja në mënyrën më të shkëlqyer.
Rrugët e Tiranës e ndien hapin e saj që në vitin 1990. Ishte koha kur po shembej sistemi totalitar dhe një dritë e re shprese dhe besimi po lindnin tek shqiptarët. Ishte koha e përmbysjes së sistemit komunist që e kishte ndarë vendin tonë nga familja e vet europiane. Solanzh, takohej kudo me njerëz që ishin bërë pjesë e proceve demokratike, fliste me ta, u jepte zemër, i inkurajonte për të mos e ndalur për asnjë çast punën e nisur. Tirana pa në ato vite njeriun e përkushtuar, humanisten dhe shpirtin e bardhë si bora, të kudogjendur e të palodhur.  Po nuk ishte vetëm Tirana. Në dimrin e vitit 1992,  me një kamion me ndihma për fëmijë, ajo iu drejtua Tropojës. Aty ajo pa nga afër gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej familja shqiptare. Ndaj me një grup mjekësh krijoi shoqatën humanitare «Cempea» për fëmijët e Shqipërisë. Ajo e drejtoi këtë shoqatë për gati 20 vjet duke u gjendur pranë jetimoreve e spitaleve. U gjend pranë shkollave ku nuk mungonin problemet e shumta në ato vite tranzicioni.  Solanzh u përkujdes shumë për binjakëzimin e shkollave shqiptare me ato franceze siç ishin ato të shkollës «De Rada» apo «Konferenca e Pezës» me shkollat «Paul Bert» në Paris apo «Robert Doisneau» në Montruzh, etj.
Nuk ndali së shkuari në rrethe të ndryshme të Shqipërisë duke e parë nga afër gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin institucionet shëndetësore. Për të ta nxjerrë shëndetësinë nga kjo gjendje e vështirë, u organizua në Tiranë  Kongresi i parë i Pediatrisë Franko-Shqiptare, ku ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, z. Sadik Brokaj, dha një ndihmesë të veçantë. Po miq të Solanzhit do të jenë dhe ministrat e tjerë të Shëndetësisë si Maksim Cikuli, Leonard Solis apo mikja e vjetër e saj Anila Godo.
Për gjithë këtë veprimtari të spikatur, në vitin 1999, ishte presidenti i Republikës shqiptare, z. Rexhep Meidani që i akordoi Solanzhit urdhërin e lartë “Nënë Tereza» me motivacionin: «Për rolin aktiv si presidente e shoqatës “Cempea” si dhe për shërbime të shquara humanitare në ndihmë të fëmijëve shqiptarë”. Kjo ceremoni, që u zhvillua  në ambasadën shqiptare në Paris nga ambasadori Rama, mblodhi shumë miq të Solanzhit, diplomat, veprimtarë në drejtim të Shqipërisë si dhe autoritetet franceze.
Po Solanzh nuk e ka shkëputur asnjëherë Shqipërinë nga Kosova. Ashtu siç u gjend pranë shqiptarëve të Shqipërisë në ato ditë të vështira të vitit 1990, po ashtu u gjend pranë shqiptarëve të Kosovës në kohën e Luftës në vitin 1999. U gjend pranë tyre në kampet e Kukësit, për t`u dhënë ndihmën e parë si mjeke. Nuk e ndali punën e saj vetem me kurimin e plagëve të luftëtarëve. Sapo Kosova u çlirua, ajo u gjend bashkë me ta në vendin e shkrumbuar nga dora gjakatare e Millosheviçit. Pa, dëgjoi, fotografoi. Ishin pamje tronditëse. Ajo shpejt hyri në veprime konkrete humanitare dhe e gjeje kudo: në Gjakovë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, kudo ku një qënie njerëzore kishte nevojë për  ndihmën e saj.
Gjithë kjo veprimtari humanitare e Solanzh d’Anzheli, gjeti jehonë në shtypin francez si dhe interlokutorët e saj si: Këshilli i Evropës, « Gratë e Evropës » në Bruksel, apo « Urdhëri i Maltës », Spitalet e Parisit, etj. Pikërisht, për këtë kontribut te spikatur të saj, Bashkia e Parisit e nderoi atë me « Medaljen e kryeqytetit francez ».
Në vitin 2011, Solanzh d’Anzheli u dekorua nga presidenti i Republikes franceze me dekoratën e “Kalorësit të Legjionit të Nderit” për veprimtarinë e saj humanitare.
****
Solanzh ka bërë një punë të shkëlqyer në botimin e veprës së babait të saj Robert d` Angely.Vepra e tij mbeti në dorëshkrime, sepse veprat e mëdha kërkojnë përkushtim që nganjëherë zgjat gjatë gjithë jetës së një njeriu. Kjo ndodhi dhe me dijetarin e madh Robert d’Anzheli.  Gjithë puna e tij studimore kërkon t`i japë përgjigje pyetjes se cila është origjina e shqiptarëve. Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka dhënë përgjigje kësaj pyetje duke e quajtur atë ilire, kurse ky dijetar i madh sheh tek shqiptarët atë popullsinë e lashtë që quhet pellazge apo dhe parahelene. Iu bashkua kështu plejadës së dijetarëve të mëdhenj që gjejnë tek shqiptarët popullsinë protoindoevropiane. Debati mbetet i hapur edhe sot, jo vetëm në qarqet shkencore europiane, por edhe në Shqipëri. Tre dijetarë të mëdhenj shqiptarë: Sami Frashëri, Spiro Konda dhe Robert d’Anzheli, u japin shqiptarëve një origjinë pellazge. Të tre këta dijetarë sjellin si provë gjuhën shqipe që është më e vjetra në Ballkan. Spiro Konda e provon me emrat e vjetër në të gjithë territorin e Greqisë që ai i shpjegon me gjuhën shqipe, duke provuar kështu një lidhje midis shqiptarëve me popullsinë parahelene a pellazge.  Robert d’Anzheli e provon me mbishkrimin e gjendur në ishullinLemnos që gjendet në detin Egje. Ky mbishkrim është konsideruar parahelen apo pellazg nga të gjithë studiuesit europianë a botërorë, sepse nuk shpjegohet me greqishten e vjetër. Po Robert d’Anzheli sheh tek ky mbishkrim gjuhën e vjetër shqipe duke dhënë kështu provën e dytë të rëndësishme për origjinën pellazge të shqiptarëve. Kemi kështu dy dëshmi të rëndësishme që provojnë ekzistencën e shqiptarëve në këto troje, para se këtu të vinin popullsitë helene. Në këtë mënyrë vepra e  Robert d’Anzheli është një vepër e dashur për shqiptarët dhe e konsideruar prej tyre si një vepër shkencore.
*****
Po kjo vepër e madhe e këtij dijetari të madh nuk humbi, se atë e solli për lexuesin europian e atë botëror, Solanzh d` Agely. Në këtë këndvështrim, përmasat e Solanzh rriten në sytë e shqiptarëve. Në vitin 1991 botoi vëllimin e parë të librit “L`Ènigme…résolue” (Enigma…e zgjidhur) i cili u prezantua në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Tiranë dhe që ngjalli mjaft interes tek shqiptarët. Në vitin 1998, libri “Enigma ….” u përkthye nga filologu i shquar shqiptar Xhevat Lloshi dhe u botua në një vëllim të vetëm nga shtëpia botuese “Toena”. Në vitin 2000 “ Enigma ….” u botua në Prishtinë nga shtëpia botuese “Buzuku”.
Po puna e Solanzh ka vazhduar pa ndërprerje për ta sjellë sa më të plotë veprën e babait të saj. Vazhdimisht ka kërkuar në dorëshkrimet e tij. Kështu, në vitin 2010, në një botim frëngjisht, “L`Ènigme…résolue” (Enigma…e zgjidhur) erdhi  në botimin më të plotë të deritanishëm.
Po Solanzh, as tani në moshën 80-vjeçare, nuk e ka ndërprerë punën e saj që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur nata e mbështjellë Parisin me vellon e magjishme që të sjellë gjumin, ndërsa  parizienët fillojnë të flenë, ajo vazhdon ende të shkruaj. Shkruan kujtimet e saj të pleksura  me kujtimet e prindërve të saj që midis tyre flisnin shqipen e  bukur nga të cilët Solanzh e ka mësuar që në fëmijëri. Në të njënjtën kohë ajo rron me të ardhmen. Ajo ende ka projekte të cilat kërkon t`i realizojë.
***
Përmeti e do shumë dhe ruan për Solanzh një nderim të veçantë. Ata e njohën për herë të parë në vitin 1992, në ato vite të vështira.  Ajo është pjesë e bisedave që përmetarët tregojnë për të, si për bijën e tyre më të dashur e më të përkushtuar.  Solanzh, Robert e Marigo d` Angely, kanë hyrë tashmë si pjesë e historisë përmetare. Njëra nga rrugët e Përmetit, qysh nga viti 2008,  mban emrin “Robert d’Anzheli”. Ndërsa në vitin 2010,  bashkia e Përmetit e nderon Solanzh me titullin “Qytetare nderi”, për kontributin e saj si humaniste e madhe dhe për lidhjet e forta shpirtërore që ka me banorët e Përmetit.
***
Të gjitha këto mbresa dhe emocione, meditime e përshkrime janë pasqyrim i dokumentarit “Shqiptarja e Parisit” të sjella aq bukur nëpërmjet skenarit dhe regjisë së  Luan Ramës dhe gjithë stafit realizues. Çfarë kam shkruar janë vetëm një pjesë e asaj që pasqyronte ky dokumentar . Do t`u sugjeroja realizuesve të tij që të bëhej një CD në disa mijëra kopje, që ta ketë çdo familje shqiptare që kërkon të mësojë më shumë për të, ta kenë bibliotekat e shkollave dhe ato të qyteteve. Po një CD e tillë do të ishte mirë edhe në frëngjisht që miqtë dhe mikeshat e Solanzh të njohin edhe këtë pjesë të jetës së saj në këtë hapësirë të Ballkanit perëndimor ku jetojnë shqiptarët. Ndërsa TVSH, është mirë ta shfaq here pas here, se kemi nevojë të frymëzohemi nga shembulli i Solanzh d` Anzheli. Kemi nevojë të përcjellim më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin. Më shumë humanizëm. Jo se këto na mungojnë, por nën modelin e Solanzh d` Anzheli, duhet t`i bëjmë më të përsosura. Solanzh është shembulli që njeriu duhet ta ndjekë në jetë.

Jozefina Traboini, prelud vlerash , vizion i hapur dhe modalitet i ri për të sotmen dhe të nesërmen e koherencës intelektuale panevropiane


Jozefina Traboini, prelud vlerash , vizion i hapur dhe modalitet i ri për të sotmen dhe të nesërmen e koherencës intelektuale panevropiane
jozefina
       Jozefina   Traboini
nga : Agron Shele
Jozefina Traboini (Fini), si një penelatë e gjallë vlerash dhe ndërthurjesh interkulturore, përthyen akuartitetet e kohëve gri dhe ashtu me performancën e saj krijuese, me potencialin rigjenerus të efekteve pozitive, me aftësinë depërtuese, me idetë dhe vizionin që kapërcen përtej ngrehinave të mentalitetit përditësi, ngrihet e ringrihet për të shprehur, për të kërkuar dhe për të shpalosur fuqishëm dritësinë e zërit dhe të shpirtit njerëzor, për të shpërndarë mjegullinë e stërzgjatur dhe të fshehur skutave të mbrapshtësisë jetë , për të lançuar të drejtat themelore bazë dhe për të laburuar integritetin e qënësisë shoqëri.

Sa larg dhe sa afër këtij realiteti ndihet sot shoqëria shqiptare, sa ndikim dhe sa evaluitet krijon raporti individ- art – politikë, sa ndërgjegjësuese janë këto refleksione dhe sa rrezatuese bëhen këto principe në komunitet dhe më gjerë?


Posedimi i mendimit është privilegj i inteligjencës dhe si i tillë ai vendoset në shërbim të qytetarisë në mënyra dhe forma të ndryshme, vendoset në shërbim të lëvizjeve më progresiste, të emancipimit dhe përsosjes së shoqërisë dhe si i tillë ky atribut i shndërruar në kontribut përforcon dhe konsolidon pa reshtur interaktivitetin e zhvillimit modern, si dhe frenon tendencat kaotike dhe arkaike, të gatshme për të prodhuar sindroama të përmasave katastrofike, përmasa që dekada të tëra nuk do të mund ti shërojnë dot. I parë në këtë kontekst dhe nën këtë frymë, misioni i figurës së përgjegjëshme, i njeriut me integritet dhe me largpamësi, i njeriut që ka forcën dhe moralin për ta mbrojtur këtë dinjitet, dhe aq më tepër i një figure gruaje, nëne, publicisteje dhe humane si Jozefina Traboini, bëhet permanent dhe domosdoshmëri.

Jozefina, si prizëm shumëdimesional (artiste-juriste-misionare e paqes) zotëron fuqinë e fjalës dhe ringjalljes së shpresës, zotëron bazën e juridiksionit dhe të drejtës ligjëshme për ta mbrojtur, zotëron humanizmin dhe krenarinë për të ushtruar dhe kërkuar me kopetncë, zotëron komponentët bazë për të qenë hallkë kyçe e lidhësisë dhe harmonisë së funksionimit të një demokracie të vërtetë dhe nuk duhet harruar për asnjë rast rezistencën dhe shpirtin rrebel të familjes “TRABOINI”, pinjolle e së cilës është edhe vetë, në luftë pa kompromis ndaj të keqes më të madhe të shqiptarëve “diktaturës komuniste” (reminishenca të së cilës kërkojnë fatkeqësisht të gjallojnë edhe sot) zotëron përvojën e pasur dhe ndan jetën e principin paneuropian me atë shqiptar.


Më të pacipët të bëja paqe
Gjaku im i papërlyer
Të ish gjak i kuq, e jo ujë gjatë jetës”

Karakteri dhe e drejta sublime janë shëmbëlltyrë e njerëzve me ejmotive të forta, janë sprovë e përplasjes së dinjitetit me fenomenin, dhe për më tëpër janë qëndrimi pa asnje ekuivok ndaj mbrojtjes së vlerës, të cilat burimojnë kaq thjeshtë, kaq nartyrshëm, kaq me dlirësi por dhe kaq klithmuese ndaj përlyerjes, vesit, abuzimit, e cila kërkon të ngjyrosë dhe të damkosë më pas një identitet të tërë.

Zërin e Jozefinës e ndjen dhe e dëgjon kudo, në të gjitha aspektet dhe hapësirat jetike shqiptare, e ndien tek pasthirrmat për ndalimin e fenomenit të gjakmarrjes, e gjen tek patosi universal letrar ndërkombëtër, e gjen në koferencat humane dhe eventet globale për paqe, drejtësi dhe mirëkuptim, e gjen në masmedien e shkruar dhe atë vizive, e gjen në politikë, ku sigurisht mendimi i kthjelluar, larg ç’ do paragjykimi apo mentaliteti trashadent të krijuar, observon pa reshtur prosperitet, mirëqënie dhe dinjitet kombëtar.

Jozefina Traboini është padyshim tipizimi i unikalitetit dhe harmonisë shoqërore, është emblema e devotshmërisë dhe përkushtimit qytetar, është artistja dhe poetja që i këndon jetës së thjeshtë, është misionarja e paqes dhe harmonisë, është shëmbëlltyra e qëndresës ndaj diktaurës më të egër në Evropë, është shpirti dhe natyra e gjallë e përgjegjësisë njerëzore, është plejada e frymës për ndryshim, është vizion i hapur për të sotmen dhe të nesërmen tonë.

PROFESOR SELMAN RIZA DHE PROJEKTET E INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS 1953-1955


begzat
  nga :  Begzad  Baliu

Hyrje
Në studimet e gjertanishme të jetës dhe veprës së Selman Rizës janë disa periudha të rëndësishme të aktiviteteve të tij, për të cilat ende nuk është thënë fjala e studiuesve. Është e kuptueshme prandaj pse edhe më tej nuk e njohim jo vetëm një pjesë të jetës së tij, por ende nuk njohim edhe një pjesë të kontributit shkencor të veprës së tij.
Në këtë brez të errët apo shumë pak të shndritur hynë periudha e internimit të tij në Sarajevë, 1951-1953 ku punoi si lektor i frengjishtes në Universitet dhe ajo e kontributit të tij drejtues dhe shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, gjatë viteve 1954-1955.
Në qoftë se periudha e qëndrimit të tij në Sarajevë kërkon iniciativën dhe kushtet e një kërkimi në institucionet universitare të atjeshme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, kërkimet në përudhën e punës së tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës janë të kushtëzuara prej kërkimeve në Arkivin e Kosovës, sigurisht atë pjesë që ka lënë të mbetet nga dosja e tij e sigurimit serb.
Dokumentet që sjellim në këtë punim e që lidhen ekskluzivisht me Institutin Albanologjik dhe kontributin e Selman Rizës gjatë viteve 1954-1955, janë zbuluar gjatë muajit gusht-shtator të vitit 2007.
Prej pjesëmarrësve të themelimit të Institutit Albanologjik dhe prej komunikimit mes tyre mund të shihet se pjesa më e madhe e tyre ishin studiues të paformuar, pionier të dijes në fushë të kërkimeve shkencore dhe kryesisht letrar që kishin bërë hapat e parë në fushë të krijimtarisë letrare dhe publicistike. Drejtori i tij Elhami Nimani vinte nga strukturat politike dhe ishte njëkohësisht kryetar i Pleqësisë për Arsim e Kulturë në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë në Prishtinë, siç quhej atëherë; Prof. Vojisllav Dançetoviqi, ishte udhëheqës i Katedrës së Albanologjisë në Beograd; Prof. Selman Riza ishte lektor në Fakultetin e Filozofisë në Sarajevë; Esat Mekuli ishte drejtor përgjegjës i revistës letrare “Jeta e re”, një reviste që gëzoi traditën më të gjatë në lëvizjen letrare dhe kulturore të zhvilluar ndonjëherë në Kosovë; Zekerija Rexha, Idriz Ajeti dhe Ali Rexha ishin profesorë në Gjimnazit shqiptar të Prishtinës; Hasan Kaleshi, ishte asistent në Fakultetin e Filozofisë, Grupi i Orientalistikës në Beograd; Anton Çetta ishte asistent në Seminarin e Albanologjisë në Beograd; Sulejman Drini ishte nëpunës i ndërmarrjes “Mustafa Bakija”, ndërsa Martin Camaj, absolvent në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Në rrethin e personaliteteve me formim sadopak shkencor të kësaj kohe ishte vetëm edhe Kadri Halimi, asistent në Grupin e Etnologjisë, në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, e që atë kohë ishte duke e vuajtur një dënim politik.
Të paktë ndërkaq ishin ata që plotësonin kushtet shkencore dhe morale e politike të kohës për të marrë një detyrë sa të rëndësishme kombëtare po kaq edhe me pasoja për kohën në të cilën po themelohej Instituti. Organizimi i një Institucioni të tillë me përgjegjësi për zhvillimin e kulturës nacionale, mund t’i besohej vetëm një a më shumë studiuesve që kishin energji fizike dhe përgatitje profesionale. Në këtë periudhë përmasa të tilla morale, shkencore, mendore dhe madje fizike mund të thuhet se kishin vetëm Selman Riza dhe Kadri Halimi, i pari i internuar në Sarajevë, por i mbrojtur dhe i mbikqyrur dyfish, nga strukturat politike shqiptare të Kosovës për ta vënë në shërbim të tyre dhe nga strukturat e sigurimit jugosllav për ta penguar angazhimin politik kombëtar të tij, ndërsa i dyti, ish asistent i etnologjisë në Beograd, i cili gjendej duku vuajtur një dënim politik.
Nuk është e rastit prandaj, pse drejtori i Pleqësisë së Arsimit dhe më vonë drejtori i Institutit Albanologjik, Elhami Nimani, ende pa u themeluar Institutit e kishte marrë mendimin e Selman Rizës[1] dhe madje kishte ftuar që të angazhohet në punë e në projekte shkencore, ndërsa studiuesi Kadri Halimi[2], nuk arriti të punonte e as të angazhohej, edhe pas kryerjes së dënimit politik, ndërkohë që të drejtën e angazhimit kishte mundur ta realizonte në Universitetin e Shkupit.
Sikur mund të shihet prej përgjigjes së Selman Rizës, jo shkaqet që e kishin dërguar në Sarajevë (internimi), po shkaqet e tjera të krijuara në jetën familjare e kushtëzonin kthimin e tij në Prishtinë dhe kjo është arsyeja pse as pas 1 tetorit 1953, deri kur e zëvendësoi Prof. Idriz Ajeti, Selman Riza nuk arriti të bëhej pjesë drejtuese e këtij institucioni[3].
Projekti afatgjatë i kërkimeve shkencore në Institutin albanologjik
Në biografinë jetësore dhe shkencore të Selman Rizës Projekti afatgjatë i planifikuar dhe diskutuar në takimin e anëtarëve e bashkëpunëtorëve të Institutit paraqet njërin prej kapitujve më të rëndësishëm, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Mbledhja qe mbajtur më 8. VII. 1953 në Seminarin e albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë në Beograd dhe qe drejtuar nga Elhami Nimani. Ajo diskutoi organizimin e punës së Institutit Albanologjik në Prishtinë në një perspektivë më të largët.
Këtu po e sjellim procesverbalin e plotë (pjesën shkencore), të shoqëruar edhe me ndonjë koment në fusnotë, me qëllim që të krijojmë një pasqyrë sa më të plotë të këtij takimi dhe të zhvillimeve të mëvonshme organizative e shkencore në Institutin Albanologjik, për të mos thënë edhe të përtashme në jetën shkencore të tij e të albanologjisë përgjithësisht.
Proces verbal[4]
i mbledhjes së mbajtun me dt. 8/VII/953 në Seminarin e albanologjis pranë Fakultetit të filozofis në Beograd mbi organizimin e punës së Institutit albanologjik në Prishtinë.
(…)
Si probleme kryesore u paraqitën:
1) Seksjonet e Institutit
2) Kuadrat permanente dhe bashkëpunëtore
3) Puna konkrete nder seksionet e ndryshme.
1) Për sa i përket seksioneve që do të ketë Instituti, mbas nji diskutimi të gjithanshëm pjesëmarrësit panë t’arsyeshëme që tash për tash të hapen:
a) Seksjoni i gjuhësis i cili do të mirret me studimin e gjuhës bashkohanike, me dijalektologji dhe me folklorin gjuhësuer.
b) Seksjoni i letërsis, do të mirret me historin e letërsis së deritashëme (çmimin dhe gjykimin me një sy kritik të trashigimit letrar) dhe letërsin bashkëkohanike (nxitje, udhëzime shkrimtarëve të rij dhe botim i veprave të tyne).
c) Seksjoni i historis do të mirret me historin e popullit shqiptar në bashkëjetesë me popujt sllavë të jugut; me hartimin e historis së Shqiptarëve përgjithësisht dhe me studimin e disa ngjarjeve historike të kohëve të vona.
2) Përsa i përket kuadrave që do të punojnë mbrendë dhe jashtë institutit u pa e arsyeshëme që përposë kuadrve permanentë, të ftohen për bashkëpunim dhe njerëz të shquem për studimet e tyne në lamën e albanologjis kudo qofshin të cilët do të quhen bashkëpunëtorë të rregull me korrespondencë[5].
Me qëllim që të formohen kuadra të reja shkencore në lamën e albanologjis, do të ftohen për bashkëpunim punëtorët e rij intelektualë si bashkëpunëtorë kandidatë, qofshin permanentë ose me korrespondencë.
Në këtë periudhë të parë u caktuen këta bashkëpunëtorë:
a) Në seksjonin e gjuhësis si bashkëpunëtorë permanentë: Idriz Ajeti deri me 1 tetuer 1953. Mbas kësaj date Prof. Selman Riza dhe Sulejman Drini. Si bashkëpunëtorë me korrespondencë: Prof. V. Dançetoviq, Hilmi Thaçi (kandidat) dhe Idriz Ajeti (mbas datës l tetuer), albanologët e shquem që ndodhen mbrenda dhe jashtë vendit t’anë si dhe nji numër arsimtarësh të gjuhës shqipe të cilët do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.
b) Në seksjonin e letërsis bashkëpunëtori permanent do të caktohet ma vonë ndërsa si bashkëpunëtorë me korrespondencë do të jenë: Esad Mekuli, Dr. Petro Janura, V. Gj. Relja, Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj dhe arsimtarët e intelektualët tjerë që do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.
c) Në seksjonin e historis si bashkëpunëtuer permanet caktohet Ali Rexha, ndërsa bashkëpunëtor me korrespondencë do të jenë Dr. Kruno Kërstiqi, Hasan Kaleshi dhe shum profesorë të tjerë t’Universiteve të R.F.P.J. që do të ftohen për bashkëpunim.
Për organizimin e sa ma të përsosun të degëve t’Institutit, punës dhe detyrimeve dhe të drejtave t’anëtarëve të tij, qofshin këta permanentë me korespondencë ose kandidatë, u formue nji komisjon nga shokët: Prof. V. Dançetoviq, Prof. Zekerija Rexha dhe Hasan Kaleshi, të cilët do të shkojnë n’Akademin e shkencave të R.P.S. dhe mbas nji konsultimi me Prof. Beliq dhe me persona tjera administrative, tue pasë gjithëmonë para sysh specificitetin e kushteve dhe nevojave t’ona, do të hartojë projekt statutin e Institutit[6] ku do të përfshihet dhe statuti i bashkëpunëtorëve.
3) Përsa i përket punës konkrete ndër seksjonet e ndryshëme, në këtë periudhë të parë do të kryhen këto punime:
a) Në gjuhësi:
- Rishbotimi i fjalorit të Kristoforidhit ku pjesa shqipe do të transliterohet me germat t’ona ndërsa ajo greqishte me germat latine tradicionale në shkencë, me plotësimet eventuale ku shfaqet nevoja[7].
- Rishbotimi kritik i teksteve të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë në tanësi (Buzu, Budi, Matranga, Bardhi, Bogdani, Kazazi) këto botime do të bahen suksesivisht.
- Rishbotimi reproduktiv i Kanunit të Lekë Dugagjinit[8].
- Përpilimi i fjalorthave terminologjikë sërbisht-shqip, të cilët do të botohen në blej të veçantë dhe do të shërbejnë si ndihmë për hartimin e nji fjalori të përgjithshëm shqip. U caktuen fjalorthat e ndryshëm dhe hartuesit e tyne:
1) Fjalorthi linguistik. Hartuesa: Pr. Selman Riza, Prof. V. Dançetoviq, I Ajeti.
2) Fjalorthi letrar: Hartuesat: Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj.
3) Fjalorthi për shkencat politike shoqnore dhe për administratë. Hartuesa: Prof. Zekerija Rexha, Sokol Dobroshi, Ali Rexha Vehap Shita, Mustafa Shala dhe Hazër Tufa.
4) Fjalorthi për shkencat natyrore. (Zoologji, botanikë, gjeografi, medicinë, bujqësi, veterinari). Hartuesat: Esat Mekuli, Xheladin Deda, Sulejman Drini, Zeqir Bajrami, Shefqet Veliu dhe Qamil Ibrahimi.
5) Fjalorthi për matematikë, fizikë, kimi, industri, tenikë e komunikacjon. Hartuesat: Hasan Hakiu, Ismet Dehiri, Mehmet Gjevori, Sali Kolgeci dhe Haki Hoxha.
Mbas hartimit të këtyne fjalorëve do të fillohet puna në hartimin e nji fjalori shqip.
Të blehet nji magnetofon dhe të vazhdohet puna e deritashme në mbledhjen e folklorit: kangë popullore, prralla, fjalë t’urta, frazeologji dhe fjalë të rralla.
- Dijalektolagjija të jetë nji problem që do të studjohet krahas me punën e përgjithshëme në seksjonin e gjuhësis.
- Përpilimi i gramatikës të lihet për ma vonë, mbasi të mblidhet materjali i nevojitun në teren. Për hartimin e sajë u pa e arsyeshëme të shfrytëzohet ajo e Dr. Gjegj Pekmezit.
b) Në letërsi:
- Të mblidhet materjali për të përgatitë dalë nga dalë e me kohë nji histori të letërsis shqipe.
- Të bahen punime të veçanta (monografina) rreth shkrimtarëve.
- Të bahen gjurmime të veçanta mbi krijimin letrar në gjuhë shqipe, gjatë kohëve të kalueme, në Jugosllavi.
- Të nxiten shkrimtarët e rij për krijime origjinale dhe të bahet i mundshëm botimi i veprave të tyne.
- T’i kushtohet nji kujdes i posaçëm përkëthimeve në gjuhën shqipe që të kenë dhe këto nji vleftë letrare.
- Të hartohet plani i veprave që botohen në ndërmarrjen “Mustafa Bakija” në Prishtinë.
e) Në histori.
Të merren nga Pleqsija për kulturë dhe shkencë tezat e historis së Shqiptarëvet, të dërgueme për shqyrtim dhe të punohet në zgjatimin e tyne[9].
- Të kërkohen bashkëpunëtorë që do të ndihmojnë në hartimin e historis së Shqiptarëve në bashkëjetesë me Sllavët e jugut.
- Të kërkohen dëshmitarë të gjallë ende, që do të mujnë me thanë dishka mbi ngjarjet historike të së kaluemes së afërt.
- Të dërgohen njerëz ndër arkivet e ndryshëme për të gjetë dhe shfrytëzue dokumentet e vjetër historike në lidhje me landën që i intereson seksjonit të historis.
Përposë këtyne vendimeve u pa e arsyeshme dhe:
- Nxjerrja e librave të nevojëshme nga bibliografit që kemi, për të mujtë me i porositë mandej jashtë[10], mbrenda mundësive financjare;
- Të ndërmjetësohet pranë Dekanatit të Fakultetit të filozofis për të mujtë me marrë disa libra në duplikatë nga Seminari i albanologjis në Beograd[11]. Mbi kushtet e nevojshëme Instituti do të mirret vesh ma vonë me Seminarin.
Projekte të tjera
Mbështetur në dokumentet e gjetura në Dosjen e Institutit Albanologjik të Arkivit të Kosovës, gjatë këtyre dy viteve janë bërë kërkesa për disa Projekte, por jo të gjitha u miratuan nga Instituti Albanologjik. Të bie në sy mënyra se si ato u mirëpritën te autoritetet e Institutit Albanologjik, drejtori Elhami Nimani dhe Ali Rexha, krahasuar me përgjigjen që jepte Selman Riza.
Më 22 prill 1954 Profesor Idriz Ajeti, i drejtohej Institutit Albanologjik me kërkesë për mbështetje materiale në hulumtimet e tij në Krajë dhe Dalmaci për kërkime gjuhësore, pra studimin e të folmes së arbëreshëve të Zarës[12], krahasuar me të folmen e paraardhësve të tyre në Krajë, shekuj më parë.
Kërkesa e tij për kërkime në Krajë të Malit të Zi dhe Dalmaci të Kroacisë, mbështetur në një përgjigje të datës 5. VII. 1954, të drejtorit Nimani, jo vetëm nuk u miratua[13], por përkundrazi, në një letër të datës 26. IX. 1954, nxiteshin arbëreshët e Zarës dr. Kruno Kërstić, Josip Vladović – Rela dhe Budimir Petrović, që të merreshin pikërisht me këtë temë dhe ju premtohej përkrahje materiale shkencore e morale[14].
Po në këtë vit, ndërmjet drejtorit të Institutit dhe studentit të Universitetit të Beogradit Hasan Mekuli, arrihet një marrëveshje për mbështetje materiale të tij, në kërkimet folklorike që Mekuli do t’i realizonte në vitin 1954, në mesin e “banorëve mysliman” të Sanxhakut të Novi Pazarit, për të mbledhur këngë kreshnike[15].
Një fat tjetër dhe një pritje tjetër merrte kërkesa e studiuesit të asaj kohe Hasan Kaleshi, jo vetëm për faktin se ai kishte pretendime të tjera për të hulumtuar në një institucion ndërkombëtar, sikur ishin Arkivat turke, por edhe për shkak të mirëkuptimit dhe njohjes së rëndësisë që kishin kërkimet arkivale për një studiues, një institucion dhe një projekt shkencor, nga ana e Selman Rizës.
Më 22. VII. 1954, profesori i Universitetit të Beogradit, orientalisti i shquar i kësaj kohe Hasan Kaleshi, i drejtohej Institutit Albanologjik, në Prishtinë, me këtë kërkesë:
“Kah dhetë gushti i këtij vitit (1954,b.b.) do të nisem për Turqi me qëllim grumbullimi të landës për tezën time të doktoratit. Tash për tash kam leje me mbetë tre muej, por Dekani dhe Prodekani i fakultetit më kanë thënë verbalisht se do të mundem me mbetë deri në fund të vjetit.
Meqenëse nuk kam kurrfarë angazhimi as ndaj fakultetit as ndaj ndonjë institutit tjetër dhe tue marrë para sysh se në lidhje me tezën unë do të grumbulloj vetëm landën pa mos u zhytë në studimin e saj, besoj se kisha mujtë m’u marrë edhe me gjurmimin e dokumenteve dhe të materialit tjetër të nevojshëm për historinë e Shqiptarëve. Natyrisht se koha nuk më lejon m’u marrë me deshifrimin e dokumentave dhe përkthimin e tyne, por n’anën tjetër do të kem mundësi me zgjedhë dhe me fotografue një seri dokumentash të nevojshëm. Për fotografimin e dokumentave, angazhimin e njerëzve për kopjimin e artikujve të ndryshëm nga gazetat turke, për blerjen e librave që eventualisht gjenden atje; nevojiten një sasi të hollash”.
Më tej vijonte propozimi i marrëveshjes teknike për çështje të përkrahjes materiale.
Ndryshe nga përgjigja thjeshtë administrative e drejtorit të Institutit Elhami Nimani për kërkesën e Prof. Idriz Ajetit, që në të vërtetë ishte në kundërshtim me përkrahjet e kësaj kohe, përgjigja e Selman Rizës, drejtor shkencor i Institutit sjell një kulturë komunikimi dhe një hapje bashkëpunimi me bashkëpunëtorët në radhët e studiuesve, kudo që ndodheshin.
Në përgjegjen e Selman Rizës, thuhej:” Në letrën t’uej me datë 22/VII/1954 na keni proponue që, me rastin e vajtjes s’uej në Turqi, me qëllim mbledhjeje të landës së duhun për një thezë doktorati, të merrni përsipër me krye për këtë Institut punimet që pasojnë:
1. fotomekanikisht me rishprodhue sa dokumente historikë që do të gjykoni si veçanërisht të vlefshëm dhe të ndritshëme për historinë e Shqiptarëvet, mâ së forti të atyne (në tekst shihet se fjala atyne është shkruar mbi fjalën shqiptarëve, por duket se është përmirësim i autorit për shkaqe kakofonie,v.j.) të Jugosllavisë nën sundimin Otoman.
2. prej gazetavet turke të kohës përkatëse me sigurue kopjimin e artikujve mâ markantë që kanë të bâjnë direkt me ngjarje specifikisht shqiptare; e
3. me furnizue Institutin me sa libra gjegjësisht broshura relativisht të moçme që do të gjeni nëpër antikvarjate apo ndër privatë e që gjykoni se janë të vyeshëm për Sekcionin e historisë e të gjuhësisë, sidomos veprat shqip të bartësvet të Rishlindjes shqiptare prej së parës Lidhje së Prizrenit e deri në Luftën Ballkanike.
Me këtë letër t’onë po ju njoftojmë se Instituti ka pranue propozimin e sipërm, dhe se simbas kërkesës s’uej po ju dërgojmë qysh sot një akontacion prej 40.000 (katërdhjetëmijë) dinarësh për përballimin e shpenzimevet përkatës.
Theksojmë se dokumentet e mbledhun për llogari t’Institutit do të jenë të disponueshëm për të gjithë studjuesat t’anë, tue ju rezervue juve të drejtën e prioritetit, për studim e botim, mbi disa prej tyne për një kohë të caktueme.
Presim që të na mbani në rrjedhë të kryemjes së veprimeve të sipërm, të cilëve ky Instituti u jep të gjithë randësinë e meritueme, tue qenë gati me bâ edhe sakrificat financiare të nevojshme dhe ligjesisht të justifikueshme.
Prishtinë, më 3/VIII/1954, Për drejtorin e Institutit, Selman Riza
Për Fjalorin terminologjik
Një prej çështjeve që shpjegojnë dokumentet e pakta të Institutit Albanologjik, të ruajtura në Arkivin e Kosovës është edhe përmasa e autorësisë së Fjalorit të terminologjisë, bashkë me Mehdi Bardhin, dorëshkrimi i të cilit ruhet në arkivin personal të profesor Rexhep Ismajlit[16].
Në një Thirrje, të datës 21 prill 1954, Aktivit / folkloristik/ e gjuhësor, Gjakovë – Prizren – Prishtinë-Pejë – Mitrovicë – Gilan, nënshkruar nga Ali Rexha, thuhej: “Po ju njoftojmë se lista e termave prej laminash të ndryshme shkencore, e shpallun në “Rilindje” në rubrikën gjuhësore: “Për qëndrueshëmimin e terminologjisë shqipe”, ka dalë në dy etapa, e para vetëm me fjalët e thata serbokroatisht[17], kurse e dyta përmban, posë termave serbokroatisht, edhe ato frëngjisht, gjermanisht e italisht, si edhe gjegjësinat përkatëse shqip[18].
Në këtë ftesë janë përfshirë emrat e njëzetë e dy bashkëpunëtorëve, të cilët me tri përjashtime edhe janë nëshkruar në listën e pjesëmarrësve në diskutim, më 21 tetor 1953: Xheladin Deda, Esad Mekuli, Sokol Dobroshi, Hasan Vokshi, Stathi Kostari, Vehap Shita, Tajar Hatipi, Haki Hoxha, Mutafa Shala, Hazyr Tufa, Xheladin Topçiu, Mehmet Gjevori, Jani Gjino, Zekeria Rexha, Sali Kolgeci, Zeqir Bajrami, Shevqet Veliu, Abdullah Zajmi, Jusuf Shushka, Ibrahim Zherka, Ahmet Mumxhiu dhe Nexhip Habipaj.
Mirëpo, siç mund të shihet emri i Selman Rizës mungon. Natyrisht këtu nuk përjashtohet bashkëpunimi i premtuar në letrën e datës 12. VI. 1953. Esenciale për ne është se emri i tij mungon edhe në listën e të ftuarve dhe të nënshkruarve, e kjo do të thotë se ai ende nuk ishte i përfshirë në projekt, as si bashkëpunëtor as si pjesëtar i projektit. Duket se drejtues dhe realizues i këtij projekti ishte Ali Rexha, pavarësisht se në fund, autor i Parathënies, në mos edhe redaktor profesional i tij del Selman Riza. Në të vërtetë, kjo bindje krijohet me faktin se ai e ka lënë dorëshkrim këtë projekt, sado në versionin e botuar të Parathënies së ‘tij’ te “Rilindja” e datës 13 dhjetor 1953, f. 5, 6, ky tekst është botuar në emër të Institutit Albanologjik dhe një shikim përimtues i këtij teksti del se versioni përfundimtar i tij është bërë nga Selman Riza, mbi materialet dhe të dhënat e bëra edhe më parë nga Ali Rexha. Më parë se bazën materiale dhe arsyetimin mbi to, të cilat duket t’i ketë shkruar Ali Rexha, sigurinë për autorësinë ‘përfundimtare’ të Selman Rizës e bënë të mundur kryesisht stili shkencor i tekstit. Autorësinë e tij, krahas, edhe të Mehdi Bardhit, me gjasë, e bënë të dallueshme fakti se ky projekt më nuk është tërësia e termave të shumë fushave diturore të propozuara nga Ali Rexha për diskutim, por i një fushe më të ngushtë.
Mbështetur në disa nga të dhënat arkivore që prezantuam këtu dhe të tjera që do të prezantohen në ndonjë rast tjetër kontributi i Selman Rizës në themelimin, organizimin dhe drejtimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Dhe përtej tyre, kontributi i tij në projektimin afatgjatë dhe realizimin e projekteve shkencore afatshkurtër, në shumë aspekte del vendimtar. Largimi i tij nga Kosova, që bëhet krahas edhe mbylljes së Institutit Albanologjik, pat pasoja largvajtëse njëkohësisht edhe për albanologjinë dhe zhvillimin e saj në Kosovë.
[1] Prishtinë, 4. VI 1953, nr. Dos. 618.
Zotni profesor Selman Riza, Sarajevë.
Kur keni qenë herën e fundit në Prishtinë, kemi bisedue për ardhjen e Juej me punue n’Institutin Albanologjik. N’at rast na keni premtue se në mbarimin e këtij viti shkolluar, d.m.th., në fillim të qershorit do të vini per me na ndihmue gjate muejve të verës.
Instituti asht hapë dhe këto ditë do të mblidhen nji numer bashkepunetoresh per te punue, presim edhe ardhjen t’Uej. Lajmeroni se kur mund të mberrrini këtu.
Kryetari për Arsim e Kulturë të KAKM,
Elhami Nimani
[2] Institutit Albanologjik, Prishtinë
I drejtohem Këshillit t’atij Instituti me këtë lutje:
Më 1950 kam krye grupin etnologjik në Fakultetin e filozofis në Beligrad. Gjat dy vjetve kam shërbye po n’atë Fakultet pranë Katedrës për etnologji. Prej vjetit 1952 deri më 1954 kam qenë nga ana e pushtetit i dërguem në punishten “Mermer” për gabime politike. Tash jam kthye dhe lirue si i përmirësuem.
Mbasi edhe përpara jam marrë me çështjen e kulturës dhe studimin e etnografis shqiptare dëshiroj që të më pranoni si bashkëpunëtuer n’Institutin t,uej. Në kohën e fundit kam pasë konkurue dhe jam pranue për mësimdhënës në Fakultetin e filozofis në Shkup për lëndën e etnologjis. Mirëpo më duket e arsyeshme dhe ma me vend me shërbye n’Institutin albanologjik, ku mundem edhe mu zhvillue ma tepër në degën t’ime dhe me kontribue ma shume.
Lutjes i bashkangjes listën e punimeve që kam shkrue deri më tash.
Dokumentat e ndryshme të cilat nevojiten, i kam në fakultet dhe do t’i sjell më vonë.
Prishtinë, më 2 nëntor 1954
Me nderime
Kadri Halimi, ish asistent i Fakultetit të filozofis në Beligrad
[3] Pleqësis për Arsim E Kulturë
Në Prishtinë
Zotni Kryetar,
Në përgjigje të letrës së Juej më datë 4/VI/1953, kam nderin me Ju kumtue sa vijon.
Po bâhen disa muej qysh se nâna plakë âsht tue lëngue rândë prej mushknijsh. Tue dashtë se mos po i infektohen fëmija, im vëlla në Prizren pasëka tentua me e veçue prej shpis bar përkah fjetja – tentativë këjo me të cilën lokja, që për ne ka flijue jo soll të rit, por gjithçkah, nuk pasëka mujtë me u pajtue kurrqysh.
Për mâ tepër, edhe im ungj në Gjakovë nuk pasëka qenë në gjendje me bashkëjetue me të motrën me shpenzimet e mue të nipit.
Në këto rrethana, unë që vërté adhuronj loken por që nuk e dëshronja në Sarajevë ku ajo, për mos njohje të gjuhës serbo-kroatishte, e për mospasje të rrethit të vet, nuk mund të ndihet tjetërqysh veçse si e internueme, u detyrova asgjâmangu me e thirrë ngutshëm ngjat veti, e që, bâhet afro nji muej qyshse po jetojmë prapë së bashku.
Tani, ajo âsht aq e dobësueme sa që qysh se ka ardhë nuk ka mujtë me kalue një herë të vetëme pragun e derës, jo mâ të jetë në gjendje me ndërmarrë një të gjatë udhëtim të ri Sarajevë – Prishtinë. E kuptohet vetiu, unë atê nuk kam qysh e lâ vetëm në vend të huej.
Zotni Kryetar,
Hyna në këto mizerje familjare e far’e-fisnore për të Ju bindë jo vetëm se nuk jam mâ në gjendje me mbajtë premtimin e dhânun në tjera rrethana familjare, por edhe se mospjesëmarrja ime në organizimin e Institutit Albanologjik mâ fort po më pikëllon mue objektivisht sesa mund të ju prishë punë Juve materialisht, sidomos po menduetë se nëpërmjet letërkëmbimit më keni për çdo këshillim e sugjerim kurdoherë në dispozicionin t’Uej mâ të përkushtuam.
Pritni, zotni Kryetar, përshëndetjet e mija të përzemërta e urimet e mi të nxehtë për mbarësinë, mbrothësinë e jetëgjatësinë e ndërmarrjes më të vërtetë madhështore që do të jetë INSTITUT ALBANOLOGJIK, i të cilit, tue mos pasë unë fatin me qenë anëtar themelues, do ta kisha për nderë me u quejtë korrespondent besnik.
Selman Riza
Nënshkrimi
[4] Teksti botohet nga origjinali dhe për herë të parë. E gjeta në Dosjen e Institutit Albanologjik, në Arkivin e Kosovës, në gusht të vitit 2007 dhe i kisha planifikuar t’i botoj në një vëllim kushtuar 55 vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik, por meqenëse ky projekt nuk u realizua, disa nga dokumentet që kanë të bëjnë me Profesor Selman Rizën po i botojmë këtu.
[5] Në dosjen e Institutit është ruajtur një komunikim i pasur me albanologun Kristë Maloku, në përpjekje për ta bindur për bashkëpinim, madje edhe me konsiderata përkufizuese të shembullit: “Na dëshirojmë me bashkëpunue vetëm me ata Shqiptarë që janë dashamirë, një herë për një herë makar vetëm potencialë, të Jugosllavisë së ré. E për të qenë të këtillë mjafton me përmbushë një kusht të vetëm: të deritashëmin informacion antijugosllav me e marrë, me një akvanimitet mâ të kthjelltë, rishtas në shqyrtim në dritë pikërisht t’informatavet që do të Ju vijnë edhe prej anës s’onë.
E, i ndershëmi Z. Maloku, na ju konsiderojmë edhe Jú si një Shqiptar të këtillë dmth., si një Shqiptar që âsht i gatshëm me mirëpritë një informacion sa ma të specifikuem mbi gjendjen e gjanavet ndër ne. E një informacion këso fare âsht i domosdoshëm kur të jetë fjala për një regjim shoqnuer me të vërtetë specifik, siç âsht rasa me regjimin e ri jugosllav” (Letër e Elhami Nimanit, 27. 2.1954).
E madje edhe me udhëzime konkrete: “Në dritë të sa mâ sipër, dhe në pritje të ndonjëj proponimi mâ konkret prej anës s’Uej, na po lejohemi me sugjerue themat që pasojnë:
1. Histori: Në perspektivën e njëj introdukte sa mâ të thuktë mbi karakteristikat shum a pak permanente të sundimtarisë otomane në kurriz të popujve ballkanas, me parashtrue një studjim diferencial mbi aspektet specifikë të sundimtarisë otomane në kurriz të popullit shqiptar si dhe mbi reagimet gjithashtu specifikë të këtij populli kundrejt kësaj sundimtarije.
2. Kritikë letrare: Përtrimje e azhurnueme dhe plotësim i duhun i kritikës s’Uej të famshëme mbi Naim Frashërin.
3. Kritikë gjuhësore: Historiat i azhurnuem i problemit gjuhësuer të Shqiptarëvet (sidomos verijorë).” (Prishtinë me 27/II/1954, Drejtori i Institutit, Elhami Nimani.
[6] Botohet për herë të pare. PROJEKT STATUTI I INSTITUTIT ALBANOLOGJIK: Në bazë të propozimit, të dhanun prej Mbledhjes së gjuhëtarëvet dhe letrarëvet, mbajtun në Prishtinë me 14-15 nanduer 1952, për krijimin e nji trupi të përhershëm kompetentash të gjuhës, letërsis dhe historis, Pleqsija për arsim e kulturë në Prishtinë vendosi themelimin në Prishtinë të njij instituti albanologjik.
Me qëllim përcaktimi të veprimtaris s’Institutit albanologjik, Pleqsija për arsim e kulturë ftoi në Beligrad pjesëmarrësat e poshtëshenuem në mbledhjen gjuhësore të Prishtinës: Elhami Nimani, Prof. Vojisllav Dançetoviq, Prof. Selman Riza, Esad Mekuli, Prof. Zekerija Rexha, Hasan Kaleshi, Idriz Ajeti, Anton Çetta, Ali Rexha dhe Sulejman Drini.
Kjo mbledhje e ngushtë, mbasi rrahi problematikën e shtrueme dhe arrijti në përfundimet e duhun, ngarkoi nji komisjon të ngushtë të përbam prej Prof. V. Dançetoviq, Prof. Z. Rexhës dhe Hasan Kaleshi për hartimin e projekt statutit t’Institutit albanologjik.
Neni 1. Me qëllim gjurmimi shkencuer dhe zhvillimi të matejmë të kulturës kombtare të Shqiptarëve në R.F.P.J. themelohet në Prishtinë INSTITUTI ALBANOLOGJIK.
Neni 2. Ky institut asht autonom.
Neni 3. Veprimtarin e vet Instituti albanologjik do ta zhvillojë nji herë në gjuhësi, letërsi dhe histori e mandej n’ etnologji dhe n’art.
Neni 4. Instituti përbahet prej antarësh të përhershëm, antarësh kandidatë (mbrenda Shtetit) si dhe prej anëtarësh korrespondentë. Çdo antar ban pjesë në njanin prej tre seksjoneve: I. të gjuhësis, II. të letërsis dhe III. të historis.
Neni 5. Organi ma i naltë i Institutit albanologjik asht Mbledhja e përvitshëme e anëtarëvet të përhershëm.
Neni 6. Organi ekzekutiv i Institutit albanologjik asht Këshilli drejtues, që përbahet prej kryetarit t’Institutit dhe prej kryetarëvet të seksjonevet që zgjidhen vit për vit prej Mbledhjes së përgjithëshme.
Neni 7. Në Mbledhjen e përvjetshëme t’antarëve të përhershëm Këshilli drejtues referon mbi buxhetin, mbi veprimtarin e zhvillueme dhe mbi parashikimet e vitit vijues.
Neni 8. Mbi proponimin e seksjonit përkatës zgjedhja e antarëvet kryhet prej Mbledhjes së përgjithshëme dhe pëlqehet prej Pleqsis për arsim e kulturë. Antarëvet të përhershëm si dhe antarëvet kandidatë u caktohet nji honorar antarsije i përmuejshëm.
Neni 9. Veprimet tekniko administrative do të kryhen prej njij personeli që do t’emnohet prej Këshillit drejtues dhe do të pëlqehet prej Pleqsis për arsim dhe kulturë.
[7] Puna në këtë projekt sipas tri teksteve të botuara në shtypin ditor, ka filluar me intensitetin e duhur, të përkushtimit të drejtuesve të Institutit dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Dy tekste polemizuese të Sitki Imamit dhe Selman Rizës dëshmojnë madje edhe për përfundimin e një varianti të tij për botim, sado kjo vepër as nuk u botua e as nuk shihet e shënuar si projekt në dorëshkrim në biografinë e Martin Camajt. Në një shënim polemizues të Sitki Imamit “Rreth rishbotimit të fjalorit të Kristoforidhit”, ndër të tjera thuhej: “Këshilli për art e Kulturë i Kosovë-Metohisë, ia ka besue përkthimin nga alfabeti grek n’atë shqip të fjalorit të çmueshëm të Kristoforidhit. (…) Me ndihmën e pakursyeshme morale dhe materialet Profesor Dançetoviqit, docent i kathedrës së Seminarit t’albanologjisë pra të Universitetit të Beogradit, Martini e ka kryer me sukses këtë punë të vështirë dhe delikate” (Gazeta “Rilindja” 25 korrik 1954, f. 5), shkruante Imami duke iu referuar një dokumenti të Këshillit, që në fakt kishte bazën në vendimet e mbledhjes për “punën konkrete nder seksionet e ndryshme” të Institutit dhe konkretisht të Seksionit të albanologjisë. “Me sa kam ndëgjue, fjalorin e Kristoforidhit njëherë Martini e ka pasë transkriptue krejtësisht n’alfabetin shqip, tue shtue nga ana e tij ndër kllapa shpjegime në frëngjisht dhe në vende vende edhe shqip”. (…) “Do me thanë na po bâjmë fjalorët për grekët që ta marrin vesh shqipen, shka dhe ka qenë, ndoshta, qëllimi i Kristoforidhit, kush e di se për ç’arsye n’atë kohë”. (f.5) Mirëpo vazhdonte komentet e tij Imami: Më thuej ti mue, sa ka përfitue populli shqiptar (përveç një rrethi fare të ngushtë) nga veprat e këtilla për albanologë ç’prej Harff-it (1496-1499) e deri te Mann-i, për me bâ atê shka ka bâ Gautier-i? Fatkeqësisht gadi asgjâ. (…) Ne e paça gabim, le të dalin ndokush dhe le të ma mbushi mendjen, por zor do ta ketë” (5).
Vetëm disa ditë më vonë tekstit polemizues dhe dyshues për rëndësisë e botimit të Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit nga Sitki Imamit, do t’i përgjigjet Profesor Selman Riza, në artikullin Rishbotimi i fjalorit të Konstatin Kristoforidhit, “Rilindja”, Prishtinë, 1 gusht 1954, f. 5, në të cilin me gjasë bashkohen reagimi ndaj artikullit të Imamit dhe vërejtjet e tij (të panjohura edhe më tej) për dorëshkrimin e Camajt. Pasi krahasonte modelin dhe rëndësinë e botimit të Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit “Leksikon tis alvaniqis glossis” (Fjaluer i gjuhës shqipe) dhe fjalorin e Bashkimit “Fjaluer i rii i shcypes” (1908), duke i parë që të dy në kontekstin historik, kulturor dhe madje praktik, Selman Riza theksonte: “as fjalori i Bashkimit, as ai i Kristoforidhit nuk janë përpilue me qëllim t’iu shërbejnë shtresave të gjâna të lexuesvet shqiptarë; e prandej s’prej rishbotimit të Leksikosë së gjuhesh shqipe, nuk duhet pritë që të na hyjë seriozisht në punë për ndonjë përdorje me të vërtetë të përgjithshëme.
Zatën pyetja me rishbotue fjalorin e Kristoforidhit ndër né as që do t’ishte shtrue fare, sikur ndërkohësisht në Shqipni krejt landën e tij ta kishte çfrytesue në mënyrë sistematike ndonjë fjaluer i vërtetë i gjuhës shqipe, thuej, ndonjë fjaluer SHQYP-SHQYP.
(…)
Ndërkaq me marrë fjalorin e Kristoforidhit e me rishbotue me të vetmin tejshkronjësim të pjesës së shqipes prej alfabetit të huej n’abecenë vehtjake – për né do të kishte qenë një lluks i palejueshëm, mun një veprim i papërgjegjësishëm.
Ja sepse, edhe mbas ndërhyrjes s’Institutit Albanologjik në këtë çështje, projekti i parë i Martin Camajt: që teksti greqisht i kategorizimeve gramatikore dhe i komentimeve të rastit të mënjanohet në të mirë të përkthimit të tij në gjuhën shqipe; e madje që edhe “kristoforidhizmavet” ndërkohësisht të tjetërsueme për kah domethanja – brenda kllapash t’u shenjohet gjegjësia në shqipen e sodshëme, ja sepse, po thomi, edhe mbas ndërhymjes s’Institutit, ky projekt i Camajt ka mbetë i paprekur. Anasjelltas me tjetrën idé të projektit të parë: “Çdo fjalë kryesore shqipe e kam përkthye në gjuhën frëngjishte po me at kuptim, që ka origjinali në greqishte. Fjalët frëngjishte janë ndër kllapa (…).”
“Martin Camaj, PARASHTRESA E PUNËS: Instituti nuk ka mujtë me u pajtue për arsyenat që pasojnë “Pamvaresisht prej shkallës së familjarizimit të Martin Camajt njëheras me frëngjishten dhe me greqishten, përkthimi i shqiptarizmavet në françezizma nëpër greqizma – bashkëbart një rrezik tepër të madh për të qenë një stërpërkthim i këtillë shkencërisht i këshillueshëm.
Për mâ tepër njâna dysh: o përveç ruejtjes së përkthimit greqisht do të shtohet edhe përkthimi frëngjisht, e atëherë fjalori do të dalë i barrosun për së tepërmi; o përkthimi greqisht do të mënjanohet fare, e atëherë zor me folë për rishbotimin e fjalorit të Kristoforidhit.
Mâ në fund pavarësisht prej zhvillimit gjithnjë ma të lumtur të marrëdhënjevet jugosllavo – greke, duhet mâ të marrë fund mendorsija e dikurshme se popujt e Ballkanit paskan gjithçkah për të nxânë soll prej Evropës perëndimore, e se prandej atyne njohja e gjuhës së shoqoshoqit nuk u hyka në punë.
E âsht një fakt se Martin Camaj menjëherë asht pajtue me këtë pikëpamje t’Institutit Albanologjik, të cilin edhe e ka përvehtësue”, përfundonte Profesor Riza (5).
[8] Pas njoftimit të Profesor Rexhep Ismajlit se në Akademinë e Shkencave të Serbisë ruhet një studim në dorëshkrim i Selman Rizës, i shkruar në serbokratisht dhe frengjisht, mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit të Shtjefën Gje]ovit, i shkruar gjatë kohës që pa gjyq po mbahej në Burgun e Prishtinës (1948-1951), dëshirojë të theksoj se në Arkivin e Kosovës gjendet një përkthim i plotë në serbokroatisht i Kanunit të Lekë Dukagjinit, pa emër përkthyesi, duke përfshirë këtu edhe parathënien e Faik Konicës për Kanunin. Me gjithë përpjekjet që përkthyesin ta identifikoj ndër ata studiues që me Kanunin janë marrë nga vitet ‘60 e këndej, nuk ia kam arritur. Dyshimi im se Selman Riza gjatë kësaj kohe e ka përkthyer edhe Kanunin në serbokroatisht do verifikuar dhe kam shpresë se këtë do ta bëj një ditë.
[9] Nga një komunikim të dates 15. VII. 1954, ndërmjet drejtorit të Institutit Albanologjik, Elhami Nimanit, me zyrtaret e Armatës Jugosllave kuptojmë se Instituti punon në një projekt për “Historinë e popullit shqiptar”. Le të shohim tekstin e plotë në original: Qarku Ushtarak, Prishtinë: “Bashkëpunëtori i Institutit tone shoku Ali Junuz Rexha, përndryshe kapetan reserve i klasit të pare, më 14 korrik 1954, ka marrë një urdhër (Pov. Br. 2047) që më 12.VII. 1954 të shkoj në ushtrime ushtarake dymujore gusht-shtator 1954.
Për shkak se Instituti ynë punon në përgatitjen e një doracaku nga “Historia e popullit shqiptar”, për të cilin ka treguar interesim drejtpërdrejtë Gjeneralshtabi i Ushtrisë Popullore Jugosllave, e në këtë projekt punon shoku Ali bashkë me shokun Hivzi Sulejmani, si dhe për shkak se kjo punë ecën ngadalë, e ne veç jemi të vonuar, ju lutem që të intervenoni, në mënyrë që shokut Ali, t’i shtyhet shkuarja në ushtrimet ushtarake dymujore”.
[10] Duke iu referuar listave të bëra qoftë me autorë dhe vepra, qoftë edhe vetëm me titujt e veprave të porositura për blerje permes agjensisë “Jugosllavenske knjige” kuptojmë se punonjësit e Institutit kërkonin që biblioteka të pasurohej me shumë botime me vlerë rendësia e të cilave nuk është zbehur as në kohën tonë. Ndonëse nënshkrues i këtyre porosive vazhdimisht del Ali Rexha, nuk është vështirë të shihet dora e Profesor Selman Rizës, në porositjen e disa titujve të veprave në fushë të gjuhësisë, duke përfshirë këtu edhe numrin e tyre, jo në një kopje, sikur kërkoheshin veprat në fushë të letërsisë dhe etnografisë e foklorit, por deri në katër kopje, kur ishte fjala për botime në fushë të gjuhësisë, respektivisht letërsisë së vjetër shqipe, për studimin e të cilëve Profesor Riza kishte treguar interesim të veçante dhe të hershme.
I: Listën e parë e pëbëjnë botimet e proveniences gjuhësore italiane dhe gjermane, brenda të cilave hyjnë edhe veprat nga letërsia e arbëreshëve të Italisë: Kanuni, botimi italisht i At Shtjefën Gjeçovit, Rivista d’Albania, Fulvio Kordignano, Prof. V. Limbrandi, Giusepe Schiro, Prof. Papas Gaetano Petrotta, Angelo Leotti, Marko La Piana, Dante Serra, Papas Francesco Chetta – Schiro, Michele Marchiano, F. Cuniberti, Antoni Baldacci, Giuseppe Schiro, Michele Gervassio, Arturo Galanti, Amedeo Gianini, Concilium Albanum, G. Weigand, Maximilian Lambertz, Manek-Pekmezi, Stavro Skendi, Friedrich Vallisch, Ingenieur Karl Steinmetz, Carl Patsch, Erich Liebert, Hans Treidler, Grothe, Paul Edmons, Martin Urban, Johann Urban Jarnik, Julius Pisko, E. Nowack, Karl Oestreich, Ippen, Norbert Jokl, K. Gersin, F. C. Pouqueville, F. Fox, V. Montegazza, Thompson Wace, Koço Tasi, Paul Popoviq, W. M. Sloane, Cl. C. More, Anton Balota etj.
II. Një listë më vete paraqesin disa botime të veçanta, si: seria e botimeve “Indogermanisches Jaherbuch” dy vëllimet e “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, “Albanesische Bibliographie” dhe “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mttelalters”.
III. Botimet e proveniences gjuhësore franceze dhe angleze, veprat e të cilëve kapin probleme më të mëdha se ato gjuhësore dhe probeleme më të gjera se ato të hapësirës shqiptare, pra edhe ballkanike dhe europiane, me theks të veçante në hapësirën e ish- Perandorisë Osmane: Paul Geuthner, Honoré Champion, Nicolas Stroumzi, Baron Discamps, René Pomier, Athanas Gegaj, Justin Godart, Ami Bué, Jacque Ancel, Nikola Jorga, René Pinon, A. Degrand, Charles Woods, Victor Berard, Albert Mousset etj.
[11] Mbështetur në “Listën e librave që ndodheshin në dy copë në Seminarin e albanologjisë – Beograd”, (bërë me dorë nga autor i panjohur) për bibliotekën e Institutit Albanologjik mund të merreshin këto vepra nga autorët shqiptarë apo të përkthyer në gjuhën shqipe, kryesisht deri në fund të Luftës së Dytë Botërore: Ali Asllani, Nikë Barcolla, Vebi Alikaj, Vaso Pasha, Filip Fishta, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Kristo Floqi, Adolf d’Ennery, Fatmir Gjata, Mihail Grameno, A. Gurra, Milto S. Gurra, Gaspër Gurakuqi, dy vëllime me Folklor, Naim Frashëri, Zef Giannini, Goethe, Et’hem Haxhiademi, Blasco Ibanez, N. Ivanaj, Lame Kodra, Vedat Kokona, Ernest Koliqi, Zhorzh Klemenso, Gjergj Komnino, Dr. Djevat Kortscha, Faik Konca (përhimi i librit Nën hijen e hurmave, është shkruar fillimisht por pastaj është fshirë, sepse si duket ishte vetëm një kopje dhe nuk mund të dhurohej), Kostan(tin) Kristoforidhi, Mitrush Kuteli, Michele Marchiano, Virgjili, Ndre Mjeda, Papa Kristo Negovani, Lasgush Poradeci, Vinçenc Prenushi, Ilo Mitkë Qafzezi, Giuseppe Schiro, Sterio Spasse, Villiam Shekspeare, Visaret e Kombit (vëllimet I, III, IV), Lyhon, Moliere, Pika, Plutarku, Guri Stevo, Bllazho Siliqi, Rolad e Stermik, Teki Selenica, Injac Zamputi dhe Lajosh Zilahy. Disa nga autorët, si Fishta, Naimi, Floqi, Haxhiademie ndonjë tjetër gjenden me dy vëllime, me nga disa tituj.
[12] “Institutit Albanologjik,
Prishtinë
Verën e sivjeme e kam ndërmend me kalue në Zarë të Dalmacisë dhe në Krajinë (Krajë, v.j.) të Malit të Zi me qëllim mbledhjeje materiali për disertacionin t’im të doktoratit.
Po m’u ngjit dora materialsht prej atij Instituti do të kem mundësi qëndrimi mâ të gjatë në vendet e sipërshenjueme e pasojisht edhe kohë mâ tepër për mbledhje materiali gjuhësuer e fokloristik, të cilin do t’ja vejsha në dispozicion atij Instituti.
Me shpresë se kjo lutje do të mirret parasysh dhe në pritje të njij përgjegje së shpejtë, mbetem
Me nderime
(Idriz Ajeti)
Nënshkrimi
Beograd, më 22. VI. 1954.
[13] Pishtinë, 5. VII. 1954
Vendimi nr. 212.
Prof. Idriz Ajetit, Beligrad
Në përgjegje të letrës s’uej date 22. VI. 1954, po ju kujtojmë sa vijon:
Në buxhtin e vet Instituti Albanologjik nuk parashikon ndonjë ndihmë materiale gjegjësisht ndonjë shpërblim financiar për punime gjuhësorë, folkloristikë etj., të cilët janë ende të padorzuem gjegjësisht ende të pakryem.
Prandaj vetëm mbassi të keni dhânë fund punimit që paskeni marrë përsipër me nisijativën t’uej, mund të shtrohet pyetja e shpërblimit përkatës prej anës s’Institutit.
V.F. – L. P.
Drejtori
Elhami Nimani”.
[14] Në letrën dërguar studiuesve të shënuar më lart, veç tjerash thuhej:
“ Shokë,
Dihet se e foluna e t’arbëneshëvet të Zadrës paraqet një interes madhuer për dialetolgjinë shqiptare. Dihet gjithashtu se arbënishtja e Zadrës âsht tashmâ në shukatje, që të mos thomi, nëzhdukje e sipër.
Prandej imponohet një studjim deskriptiv systmatik njëheras edhe I fjalorit por mâsë forti i gramatikës s’këtij nëndialekti të gegënshtës.
Pa dushim arbënishten e Zarës e kanë studjaeedhe albaologë të hue m fame botënore, siç anëGustav Weigandi dhe Carlo Tagliavini.
Ndërkaq ne mendojmë se shqyrtimi përfundimtar, tâanësuer dhe i hollësishëm mund të kryhet soll prej pjesëtrëvet të vetë këaj kolonije, siç âsht rasa pikërisht me ju të tre.
KOnkretsht na proponojmë që shoku Budimir të marrë përsipër barren kryesore rreth gjurmimit të landës së duhun; por me kusht që, në fazën e mâtejme të systemimit dhe interpretimit të kësaj lânde, me shokun Budimir të bashkëpunojnë shokët Relja dhe Krstić; kështu që ndjenja gjuhësore nevojisht pak a shum e lëkundshëme te çdonjâni prej jush, të qëndrueshëmohet /stabilizohet/ nëpër kritikën dhe kontrollin prej anës së dy tjerëvet.
Për mâ tepër na mendojmë se me qëllim që t’aftësoheni me synue me siguri dhe prehtësi të gjithë specificitetit nëndialektalë t’arbnishtës së Zadrës, âasht nevojë e domosdoshëme që të familjarizoheni me përbashktësinat e gegënishtes e madje me përgjithësinat e shqipes.
E për të ju lehtësue deri diku këtë veprimtari të dyanshëme, na proponojmë me knaqësi që me udhëzime të kërkuem dhe me sugjerime të rastit, si dhe me dërgime falas gjegjësisht huajtas të ndonjëj libri të nevojshëm për studjim apo konsultim, të ju vijmë në ndihmë”.
[15] Shih “Marrveshjen për punë me honorar”, ndërmjet drejtorit të Institutit Albanologjik, Elhami Nimanit dhe Hasan Mekulit, student në Beograd, në Prishtinë, më 4. XI. 1954.
[16] Fjalorth terminologjik serbokratisht/frengjisht/shqip, Instituti Albanologjik në Prishtinë, Sekcioni i Gjuhësisë, Selman Riza e Mehdi Bardhi. Parathënia “Për plotësimin dhe qëndrueshmimin të terminologjisë shqipe” është shkruar nga prof. Selman Riza, shef i Sekcionit gjuhësuer pranë Institutit Albanologjik, 15. 4. 1955, Prishtinë, ff. I-XV + 97. (ruhet te R. I. ). Sipas Rexhep Ismajlit, Selman Riza, në serine e botimeve Selman Riza, Vepra, I, ASHAK, Prishtinë, 1996, f. VI.
[17] Shih tekstet e botuara te gazeta “Rilindja”, Prishtinë: nr. 61 (dt. 30. VII. 1953, f. 5); nr. 63 (dt. 6. VIII. 1953, f. 5.); nr. 66 (16. VIII. 1953, f.5.); nr. 68 (23. VIII. 1953, f. 5); 72 (6. IX. 1953, f. 5.); 74 (13. IX. 1953, f.5); nr. 79 (1. X. 1953, f.5.) dhe 100 (dt. 13. XII. 1955.
[18] Shih, tekstet e botuara në vazhdime te gazeta “Rilindja”: nr. 105 (dt. 31. XII. 1953, f.5); nr. 5 (dt. 17. I. 1954, f. 5); nr. 9 (dt. 31. I. 1954, f. 5); nr. 13 (dt. 14. II. 1954, f.5); nr. 21 (dt. 14. III. 1954, f.5) dhe te gazeta e Shkupit në gjuhën shqipe “Flaka e vllaznimit”: nr. 281 (dt. 31. XII. 1953); 282 (dr. 20. I. 1954); 284 (dt. 16. II. 1954) dhe 286 (23. III. 1954).

Poezi model, e shkruar rrjedhshëm dhe pa bujë / Referim rreth poetikës së Migena Arllatit


libri (1) mige
Poezi model, e shkruar rrjedhshëm dhe pa bujë  (Referim rreth poetikës së Migena Arllatit)
besim
Nga Dr. Besim Muhadri
migena 2
Autorja e vëllimit Poetik  ”Mendime në Kornizë”  :  Migena Arllati
     Poezia është art i fjalës së bukur, përmes së cilës autori shpërfaq mendimet, idetë dhe emocionet e veta,të lindura apo të përjetuara në momente të caktuara. Është thjesht një shtjellim mendimesh, idesh, njohurish, kërkesash të brendshme shpirtërore apo një rrëfim me fillim por pa fund. Ajo ngjan me detin, ndërsa poetët janë ata të cilët thurrin, gjallojnë, kompletojnë skeletin e gjuhës së bukur letrare. Por jo gjithkush mund të shkruajë poezi. Jo gjithkush mund të mendojë e më pas ato mendime t’i ndërtojë e t’i strukturojë në formë vargjesh, që mund të përbëjnë një poezi a një cikël poezish, që mund të përfundojnë në një libër apo me libra të tërë. Migena Arllati është një autore, një poete që para lexuesve doli me vëllimin poetik me titull “Mendime në kornizë”, libër që përbëhet nga njëqind poezi që jo rastësisht u konceptuan kështu, sepse botimi i këtyre krijimeve u bë në vigjilje të njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Migena Arllati asnjëherë më parë nuk ishte reklamuar si poete, ndonëse të folurit e saj, të menduarit, të shfaqurit e saj ishte një poezi më vete. Poezitë e saj, në këtë formë që vijnë sot para lexuesve, qëndronin të heshtura aty brenda kornizave të fletoreve të autores, që sikur thërrisnin parreshtur të dilnin në dritë, por Migena vazhdimisht kishte dronë t’i publikonte krijimet e saj, të shkruara vite më parë, që nga koha kur ishte vashë fare e re, studente atje në Elbasanin e saj të bukur, të figurave të shquara të artit e kulturës, të arsimit e të evenimenteve të tjera të historiografisë shqiptare. Duke filluar që nga titulli i librit, për të vazhduar më pas me kopertinën e tij, e duke hyrë thellë në njëqind krijimet e prezantuara në këtë vëllim, shohim se kemi të bëjmë me një autore mjaft interesante, krijimet e të cilës janë shkruar me mjaft komoditet, të mbushura me frymëzim poetik e të ndërtuara nga një varg i rrjedhshëm e nga një figuracion mjaft i pasur. Katër ciklet poetike: Orët e jetës time, Më trembin orët kur jam pa ty, Koha që s’ecën dhe Vdekje indiferencës, që përbëjnë kompleksitetin poetik të vëllimit “Mendime në kornizë”, janë katër njësi poetike brenda të cilave ngërthehet një opus i tërë poetik i nivelit mjaft të kënaqshëm që sjell një sihariq të mirë, në një kohë kur poezinë tonë e kanë vërshuar krijime që më shumë lavdërohen se sa kanë vlera të vërteta, por që në fakt këto lëvdata përfundojnë brenda një promovimi të rëndomtë. Poezia e saj është poezi model që shkruhet rrjedhshëm dhe pa bujë por që ndihet dhe përjetohet kënaqshëm nga ana e lexuesit. Ajo është e frymëzuar, lindur, rritur brenda një harku të gjatë kohor, që publikohet në një kohë kur autorja di të vlerësojë dhe të peshojë fjalën e thënë dhe të shkruar. “Mendime në kornizë” është një libër interesant që gjithsesi do vëmendjen e kritikës së mirëfilltë për ta vendosur atë në vendin e duhur në gjirin e ngrohtë të poezisë bashkëkohore shqipe.Tematika e poezisë së Migenës është mjaft e larmishme, e brumosur nga motive të shumta të cilat i bëjnë të veçanta poezitë e kësaj poeteje, i bëjnë më interesante dhe natyrisht të kompletuara nga kërkesat e domosdoshme të një poezie të arrirë. “Mendime në kornizë” është vëllimi poetik i njëqind poezive të shkruara në kohë dhe situata të ndryshme emocionale dhe shoqërore, një vëllim poetik i cili autoren e detyron që të vazhdojë sigurtë rrugëtimin e saj të hullive të vështira por gjithsesi interesante dhe të bukura të artit poetik. Migena me këtë libër që solli para nesh, na bind se është një krijuese serioze dhe mbase edhe model i të shkruarit poezi bukur dhe rrjedhshëm, gjë e cila është dëshirë dhe qëllim i çdo krijuesi.

POEZIA E KOLEC TRABOINIT TASHMË EDHE NË FRËNGJISHT


kolec traboini
    KOLEC TRABOINI

ANTOLOGJIA E POEZISE SHQIPTARE NE FRENGJISHT
Belgjike 2012
Antologjia e poezisë shqiptare botuar në Belgjikë në frengjisht 2012, nga “Le Taillis Pré”, përgatitur nga Vasil Çapeqi dhe Francis Chenot përfshin 80 poetë nga të gjitha trevat shqiptare dhe Diaspora në mes të cilëve dhe Kolec Traboini i përfaqësuar me dy poezi:
KOLEC TRABOINI
Kolec Traboini, cinéaste, journaliste et auteur de livres de poésie, prose et essais, est né à Shkodër (Albanie) au début des années cinquante. En 1991, il s’installe à Athènes comme immigrant. Kolec Traboini appartient à la race des poètes qui ont laissé, sur les murs des civilisations, des paroles de témoignage et de réflexion. Un remède peut-être, contre l’amnésie des humains… Depuis 1995, Kolec Traboini vit et travaille à Boston aux Etats-Unis.
VISION
Occupé à la rédaction des poésies
d’immigrés
pour le journal « Egnatia »*
Des éclairs de chevaux sanglants
perçaient le ciel
allant vers la mer pour laver les blessures
sur leurs talons
clignotent braises de crépuscules
les enfants crient comme mouettes
et dans les seins des jeunes mariées
l’attente brûle
les mères mordent les nuages
en attente de caravanes sans retour
Athènes, An zéro… de l’oubli !
*« Egnatia », journal en langue albanaise, crée à Athènes en 1993 par Kolec Traboini. La via Egnatia ou voie égnatienne est une voie romaine qui traversait les Balkans, en reprenant un ancien tracé de voie macédonienne, construite aux alentours de -146. Partant du port de Dyrrachuium (Durrës) avec une branche venant du port d’Apollonie d’Illyrie, elle traversait Pella, Thessalonique, Amphipolis, Philippes et se terminait à Byzance. Débouchant de la voie maritime entre Bari et Durrës, elle prolongeait l’itinéraire de la voie Appienne jusqu’au passage entre l’Europe et l’Asie.
PLUIE SUR LE CIMETIÉRE DE KAISARIANI *
Tombe la pluie fine, triste sur le cimetière de Kaisariani
sur les croix blanches
et la porcelaine des visages
des Grecs morts…
Pleurent les épines des pins
et les bougies crépitent en silence
en rendant leur dernier souffle.
Doucement tout se perd
sous le pouvoir des eaux célestes
avec moi aussi qui érige des murs d’enceinte
pour cette demeure écrasée par la blancheur du marbre
et sur eux, la pluie
que la pluie…
tombe pluie fine sur les visages hellènes d’autrefois
tombe sur mon visage
seul vivant dans ce monde mort
mes yeux vers le ciel
en priant le dieu
que j’aie moi aussi comme les Hellènes
une tombe sur ma propre terre.
Autrement mon esprit surgira de la tombe
avec un désir démoniaque
de se battre contre les vents et les orages
sans jamais trouver la paix en sol étranger
sans trouver l’éternité au ciel.
Tombe la pluie fine, triste sur le cimetière de Kaisariani
fine, triste, douce
comme les larmes des mères pour les immigrés
perdus.
* Kaisarianiest une banlieue à l’est d’Athènes
KOLEC TRABOINI
Kolec Traboini, kineast, gazetar dhe autor i librave në poezi, prozë dhe ese, u lind në Shkodër (Shqipëri) në fillim të viteve ’50. Në vitin 1991, ai shkoi në Athinë si emigrant. Kolec Traboini i përket racës së poetëve të cilët lënë në muret e fjalëve civilizuese dëshmi dhe reflektim. Një medikament kundër amnezisë njerëzore …Që nga viti 1995, Kolec Traboini jeton dhe punon në Boston, SHBA.
VEGIM
Duke redaktuar poezitë e emigrantëve
për gazetën “Egnatia” *
Vetëtima kuajsh të përgjakur
çanin qiellin
shkonin të lanin plagët në det
thundrat
prush muzgjesh nxirrnin
fëmijet klithnin si pulëbardha
e nuset gjoksndezura prisnin
nënat
kafshonin retë
duke pritur karvanet e kurrmoskthimit
Athinë, Viti 0 …i harrimit!
* “Egnatia”, gazeta në gjuhën shqipe, e krijuar në vitin 1993 në Athinë nga Kolec Traboini. Via Egnatia rrugë ose Egnatian është një rrugë romake e cila kaloi Ballkanin, duke përsëritur një plan urbanistik të lashtë maqedonas udhë, e ndërtuar rreth vitit 146. Nga porti i Dyrrachuium (Durrës) me një degë nga porti i Apollonisë në Iliri dega tjetër, ajo kaloi në Pella, Selanik, Amphipolis, Filipi dhe përfundoi në Bizant. Ndarë nga nga deti në mes Barit dhe Durrësit, ajo vazhdoi rrugën Appia si kalim mes Evropës dhe Azisë.
SHI NË VARREZAT E KESARIANISË
Bie shi i imët, i trishtë në Varrezat e Kesiarianisë
mbi kryqet e bardhë
e porcelanin e fytyrave
të grekërve të vdekur…
Lotojnë halat e pishave
ndërsa qirinjtë regëtijnë në heshtje
duke dhënë frymën e fundit.
Ngadalë çdo gjë humbet
nën pushtetin e ujrave qiellorë
bashkë me mua që ndërtoj muret rrethuese
brenda të cilave zotëron bardhësia e mermerit
e mbi ta shiu
vetëm shiu…
Rigon shi i imët mbi fytyrat e elenëve të dikurshëm
bie mbi fytyrën time
i vetmi i gjallë në këtë botë të vdekur
me fytyrë nga qielli
duke ju lutur Zotit
të kem dhe unë si helenët
një varr në tokën time
ndryshe shpirti im do të ngrihet nga varri
me një dëshirë demoniake
për t’u përleshur me erërat e shtërgatën
pa gjetur kurrë prehje në dhé të huaj
pa gjetur amëshim nga qielli.
Bie shi i imët, i trishtë në Varrezat e Kesiarianisë
i imët, i heshtur, i trishtë, i butë
si lotët e nënave për mërgimtarët e humbur.
Athinë 20 . 4 . 1992

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...