Poezi model, e shkruar rrjedhshëm dhe pa bujë (Referim rreth poetikës së Migena Arllatit)
Nga Dr. Besim Muhadri
Autorja e vëllimit Poetik ”Mendime në Kornizë” : Migena Arllati
Poezia është art i fjalës së bukur, përmes së cilës autori shpërfaq mendimet, idetë dhe emocionet e veta,të lindura apo të përjetuara në momente të caktuara. Është thjesht një shtjellim mendimesh, idesh, njohurish, kërkesash të brendshme shpirtërore apo një rrëfim me fillim por pa fund. Ajo ngjan me detin, ndërsa poetët janë ata të cilët thurrin, gjallojnë, kompletojnë skeletin e gjuhës së bukur letrare. Por jo gjithkush mund të shkruajë poezi. Jo gjithkush mund të mendojë e më pas ato mendime t’i ndërtojë e t’i strukturojë në formë vargjesh, që mund të përbëjnë një poezi a një cikël poezish, që mund të përfundojnë në një libër apo me libra të tërë. Migena Arllati është një autore, një poete që para lexuesve doli me vëllimin poetik me titull “Mendime në kornizë”, libër që përbëhet nga njëqind poezi që jo rastësisht u konceptuan kështu, sepse botimi i këtyre krijimeve u bë në vigjilje të njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Migena Arllati asnjëherë më parë nuk ishte reklamuar si poete, ndonëse të folurit e saj, të menduarit, të shfaqurit e saj ishte një poezi më vete. Poezitë e saj, në këtë formë që vijnë sot para lexuesve, qëndronin të heshtura aty brenda kornizave të fletoreve të autores, që sikur thërrisnin parreshtur të dilnin në dritë, por Migena vazhdimisht kishte dronë t’i publikonte krijimet e saj, të shkruara vite më parë, që nga koha kur ishte vashë fare e re, studente atje në Elbasanin e saj të bukur, të figurave të shquara të artit e kulturës, të arsimit e të evenimenteve të tjera të historiografisë shqiptare. Duke filluar që nga titulli i librit, për të vazhduar më pas me kopertinën e tij, e duke hyrë thellë në njëqind krijimet e prezantuara në këtë vëllim, shohim se kemi të bëjmë me një autore mjaft interesante, krijimet e të cilës janë shkruar me mjaft komoditet, të mbushura me frymëzim poetik e të ndërtuara nga një varg i rrjedhshëm e nga një figuracion mjaft i pasur. Katër ciklet poetike: Orët e jetës time, Më trembin orët kur jam pa ty, Koha që s’ecën dhe Vdekje indiferencës, që përbëjnë kompleksitetin poetik të vëllimit “Mendime në kornizë”, janë katër njësi poetike brenda të cilave ngërthehet një opus i tërë poetik i nivelit mjaft të kënaqshëm që sjell një sihariq të mirë, në një kohë kur poezinë tonë e kanë vërshuar krijime që më shumë lavdërohen se sa kanë vlera të vërteta, por që në fakt këto lëvdata përfundojnë brenda një promovimi të rëndomtë. Poezia e saj është poezi model që shkruhet rrjedhshëm dhe pa bujë por që ndihet dhe përjetohet kënaqshëm nga ana e lexuesit. Ajo është e frymëzuar, lindur, rritur brenda një harku të gjatë kohor, që publikohet në një kohë kur autorja di të vlerësojë dhe të peshojë fjalën e thënë dhe të shkruar. “Mendime në kornizë” është një libër interesant që gjithsesi do vëmendjen e kritikës së mirëfilltë për ta vendosur atë në vendin e duhur në gjirin e ngrohtë të poezisë bashkëkohore shqipe.Tematika e poezisë së Migenës është mjaft e larmishme, e brumosur nga motive të shumta të cilat i bëjnë të veçanta poezitë e kësaj poeteje, i bëjnë më interesante dhe natyrisht të kompletuara nga kërkesat e domosdoshme të një poezie të arrirë. “Mendime në kornizë” është vëllimi poetik i njëqind poezive të shkruara në kohë dhe situata të ndryshme emocionale dhe shoqërore, një vëllim poetik i cili autoren e detyron që të vazhdojë sigurtë rrugëtimin e saj të hullive të vështira por gjithsesi interesante dhe të bukura të artit poetik. Migena me këtë libër që solli para nesh, na bind se është një krijuese serioze dhe mbase edhe model i të shkruarit poezi bukur dhe rrjedhshëm, gjë e cila është dëshirë dhe qëllim i çdo krijuesi.