2013-07-10

Beteja e Re Serbe - Shqiptare


Historianët shqiptarë akuzojnë Serbinë për katër gjenocide në Kosovë. Por, historianët serbë pyesin: A hapi ndonjëherë Shqipëria shkollë serbe?

Pyetja se e kujt ishte Kosova dhe kush pati shtet i pari në këtë vendbanim, shkaktoi shumë polemika mes historianëve shqiptarë e serbë, të cilët për herë të parë, pas disa dekadave debatuan bashkë në një hapësirë, në emisionin “Tema”.

Aq më vështirë del të jetë ta shkruash historinë pa ofenduar tjetrin. Kush u soll më keq me njëri-tjetrin - serbët a shqiptarët?

Por, historianët nga Beogradi dhe Prishtina pajtohen se traumat e luftës ende ekzistojnë sikur edhe botëkuptimet e ndryshme për të, gjë që e bën të vështirë pranimin e realitetit nga palët.

Historianët nga Prishtina akuzojnë Beogradin se nuk kërkoi falje për katër gjenocide, që thonë se shteti serb i kreu në të kaluarën ndaj shqiptarëve.

Kurse ata nga Beogradi akuzojnë Prishtinën se po ia mohon lashtësinë dhe tapitë Serbisë mbi Kosovën.

Historiani shqiptar, Jusuf Buxhovi, thotë se politika në Beograd i ka përcaktuar kornizat e historiografisë serbe “për qëllime nacionale, por edhe ekspansioniste”.

Si pasojë e saj, shtoi ai, shqiptarët i pësuan disa gjenocide nga politika serbe.

Buxhovi përmend dëbimin e shqiptarëve nga Nishi e Prokuplja gjatë viteve 1877-1878, pastaj pushtimin ushtarak 1912-1913 në emër të çlirimit të tokave serbe pas osmanlinjve, ideologjinë e 1944-1945 të Josip Broz Titos dhe Enver Hoxhës, dhe vitin 1999 kur u dëbuan qindra mijëra shqiptarë nga vendi.

Sipas tij, ato kanë qenë pasojë e projekteve të hartuara nga “historianët serbomëdhenj” si Illija Garashanin, Vaso Qubrilloviq, Dobrica Qosiq e të tjerë.

“Historikisht, mund të thuhet sot se populli shqiptar gjatë 140-150 vitet e fundit ka përjetuar katër gjenocide të kryere nga forcat ushtarake serbe”, thotë Buxhovi.

Por, drejtori i Institutit të Historisë Moderne në Beograd, Momçillo Pavloviq, thotë se të paktën dy prej “gjenocideve” që numëron pala kosovare, janë të gabuara.

Sipas tij, relacionet shqiptaro-serbe nuk ishin shkak i vrasjes së shqiptarëve në të gjitha periudhat e përmendura, kurse esenca e problemit qëndron se identiteti i shteteve, së voni po tentohet të zbehet përmes historisë.

“Është rasti me atë se të gjitha ato që tingëllojnë boshnjakisht sot lidhen me Bosnjën e tanishme, ose çka tingëllon maqedonisht në çfarëdo mënyre paraqitet pjesë e Maqedonisë së sotme...”, thotë Pavloviq. “E historia është e pandryshueshme”.

Por, historiani tjetër i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi, nga Instituti i saj Balkanologjik, Çedomir Antiq, thotë se për të mbështetur akuza për gjenocid duhet një verdikt nga Gjykata e Hagës.

Ai nënvizon se historiografia serbe ka bërë rishikimin e historisë dhe fakteve që posedon, në bazë të cilave hegjemonia për të cilën Prishtina akuzon shkencën në Beograd, del krejt ndryshe.

“Ky ‘hegjemonizëm’ ka mundësuar që Prishtina të ketë 50 000 studentë”, thotë ai, ndërsa pyet: “Mos vallë ka pasur ndonjë universitet serb në Shqipëri? Mos ka pasur shkollë serbe në Shqipëri? A e dini ju se serbët në Shqipëri, s’kanë guxuar të ruajnë mbiemrat e tyre! Por është dashur të ruajnë ose emrin, ose mbiemrin serb”, thotë Antiq.

Por, në Prishtinë sërish ankohen se historiografia serbe ka shtrembëruar faktet për të glorifikuar popullin e saj në sytë e botës dhe në dëm të shqiptarëve.

Drejtori i Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, Enver Rexhaj, merr si shembull Betejën e Kosovës, për të cilën thotë se historiografia e plotë serbe, me më shumë se 100 punime ose libra, e ilustron këtë betejë si vetëm të tyre, “ndonëse nuk luftuan vetëm ata për të mbrojtur ortodoksizmin”.

Sipas tij, kjo gjë nuk qëndron historikisht dhe nuk mbështetet nga burimet të cilat thuhet se përdoren si dokumentim - 10 burime serbe të kohës, nga viti 1392-1440, nga Ravaniqanin dhe Danillo III.

Rexhaj thotë se këto burime nuk e përshkruajnë fare betejën.

“Ato më tepër kanë karakter fetar. Njëri prej autorëve rus, në shekullin XIX, Gylferdink, i studion ato burime. Merret me çështjen dhe hulumton nëpër Serbi e Kosovë, dhe këto burime serbe për Betejën e Kosovës i quan më mirë të kishin qenë të paqena, sesa që janë dhe po japin konfuzion”, shton ai.

Por, arsyetimi i Rexhajt për Betejën e Kosovës shkaktoi neveri te kolegët e tij në Beograd, të cilët thonë se tjetërsimi i kësaj lufte është i pasuksesshëm meqë serbët nuk do të pranojnë që ajo ngjarje historike të jetë “multi-etnike”.

Profesori nga Instituti Ballkanologjik i ASHAS-it, Çedomir Antiq, thotë se Beteja e Kosovës nuk mundur të përvetësohet.

Përkundrazi, po shpiket, tha ai, se në këtë betejë morën pjesë “frankët, arvanitët, bullgarët dhe çekët”.

Në fakt, shtoi ai, ka autorë që e konfirmojnë të kundërtën, si Konstantin Jiriqek, i cili përshkruan se si Perandoria Osmane “pati aq shumë telashe me një popull të panjohur siç ishin serbët - në fakt shtetin serb”.

Prapë Jusuf Buxhovi e sheh pozicionin e historiografisë serbe të mbështetur në mite dhe thotë se Beteja e Kosovës më shumë ka të bëjë me falsifikime dhe mistifikime, sesa me realitet.

Sipas Buxhovit, edhe Jiriqeku është shtrembëruar nga historia serbe edhe beteja është përdorur për të thënë më vonë se serbët ishin të parët që zotëruan tokën e Kosovës.

“Historiografia, të gjitha burimet - edhe Jiriqeku, nuk flasin për shtet mesjetar serb në Kosovë, por flasin për Zhupani, flasin për despotate, për konstrukte që më shumë kanë qenë të natyrës religjioze, ta themi, sesa shtetërore”, tha ai.

Megjithatë, shkencëtarët thonë hapur se historia e dy popujve është shkruar mbarë e mbrapshtë në vendet e tyre dhe se shumë doktrina të gabuara mësohen nëpër institucione arsimore. Andaj, sipas tyre, lypset një intervenim i shpejt tek e vërteta shkencore, duke rishikuar historiografinë e dy vendeve.

Dy palët thonë për njëra-tjetrën se u mungon objektiviteti shkencor në trajtimin e historisë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...