Nga Vullnet Mato
PUTHJET NËPËR ËNDRRA
Kur adoleshencës
po i shkoja në skaj,
bota më thërriste
horizonteve tutje.
Vajzat më dukeshin
mrekullia e saj,
dhe netëve me to
ëndërroja puthje.
Gjatë asaj kohe
putha vajza dhe nuse,
nga më të bukurat
që kishte bota filmike.
Në perde kinemaje
putha artistet ruse:
Zvjetllanën, Ljudmillën,
Tatjanën magjike.
Putha Luçien, Nailen,
Pagarushën, Anitën,
me zërat drithmëtar
të zogëzave të pyllit.
Putha aktore Tinkën,
Violetën, Margaritën,
që më luanin brenda
skenës së shpirtit.
Po kur putha të parën
bukuroshe në realitet,
m’u duk se kish te buzët
gjysma hëne në vezullim.
Shkrepi një vetëtimë,
sikur putheshin retë
dhe u dehëm sqep më sqep
si dy fajkonj në fluturim...
Nga Përparim Hysi
"Stuhi" në moshë të vonë
Për një mike (poezi)
1. Më duket
Më duket kam një shekull që të dua
(Ç' është kështu, o i madhi Zot?!!!)
Sado që prej kohësh kam një grua
Që nuk e ka askush në botë.
Po mëkatoj? Apo mos është mallkim ?
(Palës tjetër po i hyj në hak?!)
Sa të shoh ty dhe nuk gjej qetim
Të jetë dashuri a mëkat?!!!
Mëkat nuk është dhe as dua ta besoj
Kjo ndjenjë lind si vetevetiu.
Dhe mund ta kuptoj, kush dashuroi
Se,sikur papritur, gjykon si axhamiu.
Si axhami bëhesh. E humbet gjykimin
Sa detit me dallgë do t'i hyshë në këmbë
E pranoj nga kushdo mallkimin
Dhe jam gati sa veten ta ha me dhëmbë.
2. Heshtje
"Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit" *
Asnjë fjalë nga ti. Asnjë përgjigje.
Mos iu varros shpresa fare Përparimit
Po vallë mbi ty nuk ra asnjë "hije?!"
Në bën një sy qorr e shurdh një vesh,
Në bën, vërtet, sikur nuk e vë re
Mos kujto se humb e imja shpresë
Se di të lexoj nën "heshtje", de!
Se lexoj në sy, kur ne përballemi
Sado që herë i ul apo i shmang
Pak shihemi e shumë përmallemi
Dhe sa i çmuar është ai çast.
E marr me mend se çfarë ndodh me ty
Se në sytë e tu, "tërheqjen" lexoj
Ndjenja është reciproke për të dy
Po fol një fjalë, e shtrenjta mike, moj !
3.Lamtumirë !
Prita e prita, po "Godoja" nuk erdhi **
Të pres më? Duket është e kotë.
S'kam si e mohoj: buzën ma qepi helmi
Si thuaj? Ta pi godën plot?!!!
Kupën me helm e pi metaforikisht
Se nuk jam trim si i bukuri Sokrat
Ndodh që godite prej "stuhisë"
Dhe në moshë të vonë dhe nuk është mëkat.
Ta bëj si Sokrati që iku nga bota
Qe aq i ditur, i urtë dhe i mirë
Para syve të mi, plot është gota
Ja: e piva. Mike, lamtumirë !
* Titulli i një vepre të Remarkut
** "... Godoja" i Beketit.
12 korrik 2013