2013-11-04

Nuk duhet ushqyer asnjë kotashpresë (iluzion) ndaj Presidentit grek Papulias

Eshref Ymeri



Në faqen e internetit të zotit Feliks Taho me titull "Çamëria pret zgjidhje", të botuar sot, më 03 nëntor, zoti Tahir Muhedini shkruan:  
          “Zoti Karolios Papulias, në një takim të viteve të para të tranzicionit, asokohe në postin e ministrit të jashtëm, duke iu referuar problemit çam, i tha homologut Alfred Serreqi se, “këto janë probleme që duhen ballafaquar pas 20 vjetësh, pasi sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke””. 
          Këtu zoti Muhedini e ka fjalën për takimin e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, zotit Alfred Serreqi, me ministrin e jashtëm grek Karolios Papulias, që u zhvillua më 03 maj 1994 në Zyrih, ku, për herë të parë u prek Çështja Çame. Në atë takim, sipas citimit të zotit Muhedini, Papuliasi i paska deklaruar zotit Serreqi:
          "Për problemin çam dua të bëj një vërejtje... Dua të bëj një diferencim historik. Populli shqiptar dhe minoriteti grek kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë kundër fashizmit dhe kundër nazizmit. Kurse çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë”.
          Për këto dy deklarata të zotit Papulias, të bëra para gati 20 vjetësh, kam këto komente:
          Së pari, kur ministri Papulias i deklaronte homologut Serreqi se Çështja Çame duhej ballafaquar pas 20 vjetësh, ai ka bërë një mashtrim të pastër, mashtrim që del fare qartë në një shprehje të bukur të gjuhës shqipe: "Shtyhu se ta arrij", apo "Piqemi në lëmë të rrushit".
Sepse ishte pikërisht ky Papuliasi, kur ishte ministër i punëve të jashtme të Greqisë, i cili, ende pa u shembur regjimi komunist në vendin tonë, pati deklaruar (sipas planeve të fshehta që kishte hartuar Athina shoviniste për shqyerjen e kufijve me Shqipërinë) se emigrantët shqiptarë Greqia do t'i shfrytëzonte për t'i zhvatur sa më shumë lëshime Tiranës zyrtare. Athina as që ka patur kurrë ndër mend të ballafaqohet me Çështjen Çame pas 20 vjetësh. Por ama Athina ka qenë e bindur se pas 20 vjetësh, duke patur në Tiranë komisarin e vet politik me emrin Anastas Janullatos, Shqipërinë do ta vinte në bark përfundimisht, siç edhe e ka vënë konkretisht, Shqipërinë e Jugut do ta greqizonte me kisha greke, me varreza ushtarësh grekë dhe me manastire dhe memoriale në nderim të tyre, si edhe me pensione, madje edhe për ata të moshuar që nuk e dinin fare se ku binte Greqia me adresë. Kështu që, sipas bindjes greke, pas 20 vjetësh, zhvatja e Shqipërisë së Jugut prej trungut shqiptar dhe aneksimi i saj Greqisë, do të mbetej thjesht si formalitet, për t'u pajisur edhe me një patentë juridike. Për t'i mbushur mendjen ministrit Serreqi, Papuliasi hiqej para tij si "fukarai i Qabesë", duke deklaruar se “sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke”!!! Një gënjeshtër me bisht kjo nga ana e tij. Asokohe Greqia nuk kishte kurrfarë plagësh të hapura. Përkundrazi, asokohe Greqia po përjetonte periudhën e “idilit arkadian”, duke shfrytëzuar në maksimum drekët e taksapaguesve evropianë dhe dashurinë përvëlimtare të Bashkimit Evropian. Asokohe ishte Shqipëria ajo që vuante nga plagët e hapura prej sistemit çnjerëzor komunist. Kurse Greqia i shqeu kat e kat kufijtë me Shqipërinë, në mënyrë që drejt saj të dyndeshin argatët shqiptarë për t’u vënë në shërbim të agallarëve grekë, të cilët paskëtaj, për shkak të Evropës syleshe, duhej të rrinin e të bënin vetëm qejf. 
Së dyti, kur Papuliasi deklaron se “çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë”, ai bën një mashtrim skandaloz, duke u ngritur kundër të vërtetës historike. Papuliasi mohonte paturpësisht kontributin e popullsisë çame në luftë kundër fashizmit, nga radhët e së cilës 1000 partizanë u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare greke dhe prej tyre ranë 65 dëshmorë.
Vallë Tirana zyrtare nuk është bindur që Papuliasi nuk e ka mohuar dhe kurrësesi nuk mund ta mohojë deklaratën e tij të turpshme që ka bërë që në vitin 1994 para ministrit Serreqi për të ashtuquajturin bashkëpunim të çamëve me pushtuesit? Me këtë deklaratë, Papuliasi, si kryediplomat i shteti grek, mbronte gjenocidin nazifashist që shteti grek kreu kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë, me dorën e kryekriminelit Napolon Zerva. Papuliasi i qëndron me këmbëngulje asaj deklarate se ai përfaqëson thepnajën e shovinizmit grekokaragjoz në qëndrimin jo vetëm ndaj Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, çka e përforcon më së miri fakti që Athina zyrtare nuk e ka njohur dhe as që ka ndër mend ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Prandaj, të gjitha ata politikanë shqiptarë që ushqejnë kotashpresa te vizita e Papuliasit në Tiranë më 04 nëntor 2013, le të zbresin me këmbë në tokë dhe le ta shikojnë realitetin në sy: me mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës, me mosnjohjen e kufijve tokësor me Republikën e Shqipërisë, me mosnjohjen e minoriteteve brenda territorit grek, me mohimin e çështjes çame dhe me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Greqia dëshmon faqe botës se për ne ajo ka qenë, është dhe vazhdon të mbetet një shtet armik pa kurrfarë maske.
Prandaj deklaratat e Tiranës zyrtare, sipas të cilave Greqia na u konsideruaka si “aleate strategjike” dhe si “vend mik”, tingëllojnë shumë qesharake, sepse përmbajnë në vetvete një servilizëm kaq të pështirë, saqë vjen e bëhet objekt humori edhe për fëmijët e kopshteve.

Santa Barbara, Kaliforni
03 nëntor 2013



2013-11-03

EDI RAMA: REFORMË TËRËSORE NË FUSHËN E KULTURËS



Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kanë prezantuar drejtorët e Teatrit të Operas dhe Baletit, dhe atij të Galerisë së Arteve. Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu gatishmërinë për të mbështetur reformën tërësore në fushën e artit
Tiranë - Janë prezantuar të mërkurën në ambientet e Kryeministrisë drejtori i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni dhe drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani.
Në fjalën e tij gjatë këtij prezantimi kryeministri Edi Rama vlerësoi dy figurat e zgjedhura në krye të dy institucioneve shumë të rëndësishme të artit dhe kulturës dhe premtoi reformë të thellë si dhe mbështetje për projektet në kulturë dhe art. Drejtori i ri i TOB-it, Kerni u shpreh se teatri do të jetë i hapur për të gjithë artistët, duke treguar një vëmendje të madhe për ata nga Kosova. “Jam i angazhuar për të mbështetur një reformë tërësore dhe rrënjësore të sistemit tonë të kulturës dhe të arteve, ku sot ndihen dhe preken gjurmët e një rrënimi të papranueshëm. Kam besim se nën drejtimin e Kumbaros dhe ju me të gjithë njerëzit e artit e kulturës përmes dialogut, përgjegjësisë reciproke do të hapim një faqe të re të kulturës për mbrojtjen e thesarit të trashëgimisë kulturore, promovimin e talenteve, vlerave bashkëkohore dhe rritjen e cilësisë së edukimit artistike- kulturor. Një reformë që do të diskutohet gjerësisht me dy njerëz me histori suksesi jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë atdheut”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.
Rama i shprehu falënderime Artan Shabanit e Ilir Kernit për rikthimin me kohë të plotë në atdhe si përgjigje të një apeli që ribëri për të gjithë njerëzit që janë jashtë.
“Shqipëria ka nevojë për talentin, aftësinë, eksperiencën, pasionin e dashurinë në këtë vend dhe do të gjeni gjithë mbështetjen time e qeverisë për të kontribuar në të gjitha fushat. Jam shumë i bindur që do ta çoni në një shkallë më të lartë institucionet. Do të krijoni kushtet ku të ketë më shumë art cilësor e më pak vetëpëlqim provincial më shumë debat të brendshëm dhe më pak mure mes disave e disave, do të shkundin më shumë pluhur e të rrëzoni mure e perde. Qenien tuaj sot e shoh si garanci për ecurinë në drejtimin e duhur dhe si dëshmi të shpresës dhe kurajos së një gjenerate tjetër për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe”, tha Rama.
Sa i takon këtij takimi Rama tha se ishte i improvizuar me shpejtësi e jashtë protokollit zyrtarë “por ishte shprehja e në nevoje për t’ju adresuar në këtë sallë vullnetin e plotë për të ngritur këtë komunitet në nivelin ë vëmendjes dhe respektit që meriton prej qeverisë e meje si kryeministër i këtij vendi. “Ju siguroj se takimet e tjera do të vijojnë dhe pjesë, pjesë të gjithë së bashku do të gjendemi në hapësirat e debatit të brendshëm për të përcaktuar përgjegjësitë e palëve, tuajën si protagonist të organizuar dhe krejtësisht të lirë në aktivitetin artistik dhe përgjegjësinë tonë si shtet dhe përfaqësues të një shumice të zgjedhur edhe për të bërë një kthesë në këtë fushë dhe për të pasur një partneritet të bazuar mbi domosdoshmërinë që së bashku të japim frymë e jetë ideve dhe projekteve tuaja. Konkurrenca e ideve e projekteve është e lirë e ndershme dhe e hapur për të gjitha gjeneratat grupet e individët pa privilegj me të disave e diskriminimeve të disave duke bërë çmos që prurjet e jashtëzakonshme, talentet e reja të gjejnë hapur dyert e skenave më të mëdha duke nisur nga TKOB e GA”.

“THE SHINING”, FILMI MË I FRIKSHËM I HISTORISË



Filmi “The Shining” i vitit 1980 është konsideruar si filmi më i frikshëm në një vëzhgim të organizuar nga faqja play.com. Filmi i Stanley Kubrick i bazuar në romanin e Stephen King la pas “The Exorcist” (1973) dhe “Nightmare on Elm Street” (1984).
Play.com analizoi rritjet e rrahjes së zemrës duke i lidhur shikuesit me monitorë për të përcaktuar frikën që përcillnin filmat horror. Skena ku Jack Nicholson çmendet rriti rrahjet e zemrës me 28.21%, më shumë se çdo skenë tjetër. Renditja e filmave më të frikshëm: The Shining (1980), The Exorcist (1973), A Nightmare On Elm Street (1984), Ring (1998), Alien (1979), The Silence of the Lambs (1990), Poltergeist (1982), Insidious (2010), Halloween (1978) dhe Saw (2004).

PËR SKËNDER DRININ, JO REQUIEM



Skënder Drini është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë, autor që e ka të shtrirë veprimtarinë e tij krijuese në dy epoka
Zija Vukaj
Duket pak paradoksale ekzistenca e disidentëve në ditët e sotme, gati dy dekada e gjysmë pas shembjes së murit të Berlinit, por këtu nuk ka asgjë figurative. Jemi në vazhdën e çudirave dhe paradokseve që realiteti ynë vazhdon të prodhojë dhe këmbëngul t’i kalçifikojë deri në pafundësi me kokëfortësinë e vet absurde, a thua se do t’i përdorë si mjete konkretizimi për brezat që nuk kanë pasur rastin ta njohin fenomenin e disidencës. Dhe viktima e kësaj praktike është pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Jeton me ne, ecën përditë rrugëve të qytetit të Shkodrës, i zhytur në indiferencën dhe në mospërfilljen e vet “olimpike”, me një dinjitet që i kalon caqet e së zakonshmes, si për të na theksuar me qëndrimin e tij keqardhjen për padijeninë tonë të qëllimshme e njëkohësisht djallëzore dhe mëkatare. Ky individ gati i vetmuar, është shkrimtari Skënder Drini, për të cilin lexuesit seriozë të letërsisë shqiptare dinë shumëçka.
Ai është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë. Autor që e ka të shtrirë veprimtarinë e tij krijuese në dy epoka. Në periudhën e socrealizmit krijimtaria e tij ka kulminacionet e veta, siç janë romanet “Vraje tradhtinë”, “Shqipja e kreshtave tona”, “Shembja e idhujve”, “Midis dy kohëve”, “Bajram Curri”, “Rruga e njeriut”, “Kirurgët”, “Njerëzit dhe deti” etj., vëllimet me tregime: “Tregimet e së shtunës”, “Tregimet e veriut”, “Kompania e katërt” (tregime për fëmijë, disa prej të cilave janë përdorur si librete filmash) etj. Pas viteve ’90 autori ka botuar romanet: “Eklipsi i hënës”, “Ishulli i qetë”, “Nata është grua”, “Korbi”, Parajsa e gjenive”, “Planeti i lodhur” etj., disa vëllime me tregime ndër të cilët spikat “Klas”, libri mjaft interesant me aforizma “Përballje” dhe dy vëllime me shkrime publicistike. (Këto që u përmendën janë vetëm një e treat e krijimtarisë së tij dhe shpresoj që ai vetë të mos i lexojë këta rreshta). Vepra e tij ngërthen në vetvete një gamë të gjerë tematikash e motivesh, që kanë lidhje me njeriun e kohës, por edhe me individë dhe ngjarje historike, që përbëjnë elemente kombëtare nga më emblematiket. Siç ka ndodhur edhe me bashkëkohësit e tij, Agolli, Kadare, Xoxe, Arapi etj., etj., në krijimtarinë e tij natyrshëm gjejmë gjurmë të metodës së realizmit socialist. Por në veprat që cituam më lart ka pak të tilla, ose aspak, sidomos në romanet historike, të shkruara me një mjeshtëri të rrallë, që kanë ardhur si produkt i hulumtimeve të gjata në anale historike, i shfletimit të dyzinave libra në gjuhë të ndryshme (Drini lexon në gjashtë gjuhë, përveç shqipes) dhe falë vëzhgimeve të thella në karakteret e personave historikë të kthyera në personazhe, falë përshkrimeve plot jetë e kolorit të ngjarjeve dhe skenave masive, falë aftësisë për të depërtuar në shpirtrat dhe karakteret njerëzore dhe fantazisë, por edhe informacionit për të sjellë para lexuesit frymën dhe atmosferën e kohërave të largëta duke mbajtur në ekuilibra të mahnitshëm faktin me trillimin. Nga gjithë këto, ka krijuar modele fondamentale të këtij zhanri në letërsinë shqipe, që rrinë me dinjitet përkrah veprave të Godos, Kadaresë etj. Romanet e shkruara pas viteve ’90, jo vetëm kanë konfirmuar përmasat ekzistuese të një romancieri të elitës sonë, por kanë ridimensionuar vlerat e opusit tonë letrar kombëtar. Këto vepra, me motivet, filozofinë që i përshkon, teknikat letrare dhe procedimet artistike janë arritje të një letërsie moderne, që ka në fokus individë dhe fenomene universale. Drini është nga autorët me një erudicion të rrallë, një mjeshtër nga më të shquarit e dialogut, përshkrimit, meditimit dhe digresioneve. Vëzhgues dhe zbulues i underground-eve të jetës njerëzore dhe të shpirtit të personazheve, të dramave ekzistenciale të individit dhe të shoqërisë, veprat e tij provokojnë thellë intelektin dhe shpirtin e ndjeshëm të çdo lexuesi. Vepra që atij i solli mallkimin, mallkim që po e ndjek nga pas edhe sot e kësaj dite, është romani “Shembja e idhujve”. Kaq i terrorizuar është autori nga kjo “krijesë e mallkuar”, sa pothuajse nuk e përmend fare, edhe pse ai dhe të gjithë e dinë që është një nga katër- pesë romanet më të mira të letërsisë shqiptare. Lukunia e komshinjve të letërsisë iu vërsul atij në anatemime të egra ekstraletrare, më zi se autorit të “Vargjeve satanike”. Ndëshkimi që iu bë, është “harresa”. Sepse morali i komshinjve të letërsisë është i kulluar dhe mjaft i kujdesshëm. Dhe kujdestarët e këtij lloj morali janë kujdesur me devocion e përkushtim jashtëletrar që t’i tregojnë vendin këtij heretiku dhe deri tani ia kanë dalë. Kanë realizuar braktisjen dhe humbjen e vëmendjes së njeriut, që u ngjan heronjve të vet dhe që nuk është si ekzekutorët e tij. Pragmatistëve nuk u pëlqejnë modelet njerëzore. Ata nuk kanë kohë të jenë të ndjeshëm dhe intelektualin e vërtetë nuk e honepsin dot.

“MISSING”, NJË ROMAN “AUTOBIOGRAFIK”



"Missing", për vetminë, ekzistencializmin, humbjen e ndjesive dhe … gjithçka!
Bashkim Hoxha ka shkruar një roman për njeriun e ditëve të sotme. Personazhi i tij komunikon në shumë forma dhe mënyra, por mbetet vetëm në fund të ditës dhe sërish gjendet i vetëm, duke nisur një ditë të re
Alda Dalushi
Grozi, mund të jem unë, mund të jesh ti, mund të jemi të gjithë, sepse ashtu si ai, të gjithë flasim me vete, të gjithë flasim me kafshën e parë që na del përpara, jemi përpjekur, të paktën një herë të vetme, ta mendojmë veten si një kafshë mes shumë të tjerash në pyllin e së përditshmes tonë. Libri i ri i Bashkim Hoxhës mban titullin "Missing" (Botimet Toena), por më shumë se mungesën e dikujt, është një roman që duke shfletuar 190 faqet e tij, na kujton veten. Na kujton edhe autorin. Ata të cilët e njohin autorin Bashkim Hoxha, do ta konsideronin këtë, një roman pothuajse autobiografik. Me gjithë elementët e ngjashëm me jetën e autorit, ky, më shumë se sa një autobiografi, është një roman për njeriun modern, njeriu që në pretendimin se ka humbur një gjë të çmuar për të, kupton thellë-thellë se ka humbur veten. Personazhi që rrëfen historinë, është një djalosh i ri, Grozi. Është një javë nga jeta e tij, tetë ditë, secila me një motiv të ndryshëm, që barazon ditën me këngën. Rrëfimi nis me humbjen e Lorës, sepse sikurse thotë edhe vetë autori Hoxha, ky roman, nuk do të ishte shkruar i tillë, nëse Lora (qeni husky i autorit, i humbur para 4 vitesh) nuk do të kishte humbur. Humbja e Lorës e më tej mungesa e saj, e bëjnë autorin Bashkim Hoxha dhe personazhin e tij Grozi, të flasin, të rrëfejnë, të ndërtojnë një roman.
Janë disa linja paralele mbi të cilat rrjedhin ngjarjet. Niset me të tashmen, ku personazhi kryesor gjendet i vetëm përballë një kafshe, ariut, të cilin e ka rrëmbyer nga duart e atij që e shfrytëzonte dhe nis e i rrëfen kështu historinë e tij nga humbja e Lorës, në përpjekjet për ta gjetur, përjetimet, jetët e personazheve të tjerë. Përmes retrospektivës së ngjarjeve, kalohen kështu me radhë, histori të ndryshme. Ka humbur njeriu kafshën, kafsha njeriun, apo njeriu veten? A jemi më socialë, nëse zvogëlojmë largësitë mes njëri-tjetrit dhe shumëfishojmë e zgjerojmë kanalet tona të komunikimit? Nëse konsumojmë fast-food, a bëjmë edhe fast-love? A bëhemi më individualë, në përpjekje për t'u globalizuar? Janë disa nga pyetjet që autori i ka shtruar gjatë shtjellimit të romanit e që përgjigjen mund t'ua jepni vetëm kur ta lexoni deri në fjalën e fundit.
Vetë autori, për shkak se marrëdhënia njeri kafshë (pa dashur të jap unë një përcaktim se cili ishte njeriu dhe cili kafsha, sepse Lora përcillet edhe si kafshë, edhe si njeri), e ka vendosur këtë si linjën kryesore të ndërtimit të romanit. Titulli i librit është menduar jo pak herë të ishte "Njerëz dhe Kafshë", mirëpo u vendos të ishte "Missing", sepse në fund, romani i Bashkim Hoxhës, mund të përmblidhet në tri fjali: "Njëri ka humbur qenin; Tjetri ka humbur gruan; Një rrugëtim ku zbulohet se ka njerëz, që kanë humbur veten".
Është një libër që zbërthen marrëdhëniet bashkëkohore edhe mes njeriut dhe parasë, njeriut dhe të shkuarën e tij që nuk e ndryshon dot, ndonëse blen emrin, veshjet, shtëpitë dhe të dashurat, një libër që e vë përballë njeriun me pasqyrën ku e sheh veten si forma origjinale e supozuar, kafshë.
Pas tre vitesh, autori Hoxha më në fund, arriti të "shtrydhë" një masë të madhe idesh, ndjesish dhe të finalizojë një produkt, i cili vërtet "gllabërohet" si fast-information, por me shumë mundësi, është libri që përfaqëson një target të caktuar lexuesish. Mund të të përfaqësojë edhe ty! "Missing", për vetminë, ekzistencializmin, humbjen e ndjesive dhe … gjithçka!
Bashkim Hoxha ka shkruar një roman për njeriun e ditëve të sotme. Personazhi i tij komunikon në shumë forma dhe mënyra, por mbetet vetëm në fund të ditës dhe sërish gjendet i vetëm, duke nisur një ditë të re. Nëse do të orientoheshim me "gjuhën" që autori ka përdorur në roman, për ta njohur më mirë, do të duhet të përdorim fjalët kyçe vetmia, njeriu, njeriu-kafsha, pylli, ekzistencializmi, koherenca, konsumizmi, ndjesia. Janë pikërisht këto fjalët kyçe, zbërthimi i të cilave na çon drejt zbërthimit të "Missing", ose gjetjes së "Missing". E gjithë historia është e rrëfyer nga një njeri i vetëm, një njeri i vetmuar, një njeri i cili jeton brenda vetmisë së tij, i shoqërizuar në njëmijë e një mënyra me të tjerë rreth e qark, por që mbetet thellësisht vetëm.
Fjalitë e tij janë të shkurtra, koncize, i gjithë shkrimi është pa ujëra. Diku hiqet një paralele me ekzistencializmin, diku një tjetër, me absurdin. Ka pak "Metamorfoza" e Kafkës, pak "I huaji" i Kamysë dhe pak nga "Komedia Hyjnore" e Dante Aligerit, atëherë kur ndihen notat e pyllit alegorik. Pastaj i rikthehet autorësisë së njeriut të ditëve tona, njeriut që dhuron lule virtuale në "Facebook", që poston gjendjen shpirtërore po në "Facebook", por ndërkohë, ka harruar se ç'pamje ka shiu dhe ç'ndjesi të krijon era.
Bashkim Hoxha është kundër letërsisë, e cila mbetet prapa në kohë. Ky roman, është dëshmia se vetë autori ka dalë përtej kornizave të asaj letërsie, duke ndjekur rrugën e lexuesit, duke kuptuar atë ç'ka do lexuesi, atë që e tërheq, e mban atë të mbërthyer. Nuk mund t'i fliste lexuesit, veç se me gjuhën, me të cilën vetë ky lexues komunikon në të përditshmen e tij. Kjo nuk e bën librin aspak të humbasë vlerat e tij si medium, sikurse është konsideruar ngaherë, përkundrazi.
Emrat e personazheve janë emra të rinjsh, të cilët i ndeshim në ditët e sotme, vendngjarjet janë bashkëkohore, "Facebook" konsiderohet si vendngjarje, termat e përdorur janë terma me të cilat i flasim njëri-tjetrit sot, komunikojmë në Chat, apo në të tjera mënyra virtuale të shkëmbimit të informacionit. "Missing" është një roman i shkëputur nga vitet tona të fundit, i update-uar me të rejat nga fusha e komunikimit, të vëna në funksion për të na komunikuar dilemat universale të njeriut, të cilat janë të pakoha.
Ndaj, duket sikur në një moment, lexuesi i flet vetes, gjen veten dhe projektohet pa shumë vështirësi, brenda personazhit të Grozit, mjafton vetëm të ketë pasur, njëherë të vetme, afeksion për një kafshë.

Ndonëse, gjatë leximit, lexuesit do të kuptojnë se autori është i mirinformuar mbi zhvillimet e fundit në fushën e komunikimit, kryesisht atë virtual, vetë Bashkim Hoxha e ka këtë, si revoltë të tijën karshi ngurtësimit të mënyrave të të shprehurit, gjë e imponuar nga komunikimi i shpejtë virtual. "Missing" është padyshim një prej romaneve më përfaqësues të letërsisë bashkëkohore.

ORIENTIMI PËR PRISHJEN E SHQIPES VJEN NGA BEOGRADI



Një histori e përpjekjeve për të bërë Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, që nisi nga viti 1917 dhe u mbyll më 1972 me Kongresin e Drejtshkrimit dhe pastaj për ta zhbërë duke filluar nga viti 1991 e deri më 2013-n paraqitet në librin “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”
Libri polemik “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit” i shkruar nga prof. dr. Rami Memushaj ka dalë këto ditë nga shtypi nga INFBOTUES, vjen në vijim të debateve të këtyre 20 vjetëve të fundit, të cilat kulmuan me debatin e madh që nisi me krijimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe me projektin e tij të qershorit 2012 dhe të prillit 2013 për ndryshimet e rregullave të drejtshkrimit, që jetësojnë “Orientimet” e Akademisë së Shkencave të dhe të Arteve të Kosovës për ndryshimin e drejtshkrimit dhe të konferencës së Durrësit. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”  Rami Memushaj ka folur gjatë jo vetëm për librin por edhe për gjuhën shqipe në përgjithësi.
Profesor Memushaj, cili është subjekti i këtij libri që sapo ka dalë nga shtypi?
Ky libër sjell në vëmendje ato që mund t’i quaj tri njolla të zeza në gjuhësinë shqiptare. Këtu janë tri pika kyçe që duhen vërejtur në periudhën e dytë. E para është platforma e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (qershor 2004); e dyta është konferenca e Durrësit e dhjetorit 2010, ku u bënë përpjekje për ta imponuar këtë platformë, por që nuk u pranua dhe rrjedhimisht nuk u miratua; e treta projekti i ndryshimeve të miratuara nga Këshilli Ndërakademik në mbledhjet e 2012-2013-s, që vuri në jetë këtë platformë, duke na kthyer tek “Ortografia” e Prishtinës e vitit 1957, e vitit kur gjuha shqipe filloi të përçahej me orientim nga Beogradi, që udhëzonte të krijohej një gjuhë shqipe tjetër për shqiptarët e Jugosllavisë. Pra, përfundimi është ky: pothuajse 80 për qind e rregullave të reja të propozuara nga Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe 2012-2013 janë ato që janë kërkuar nga grupi i Akademisë së Prishtinës dhe që përputhen me “Ortografinë” e‘57-s.
Përkimi i orientimit të Këshillit Ndërakademik me orientimet e Drejtshkrimit nga Beogradi në 1957-n është një rastësi apo ka një orientim të fshehtë?
Po, ka një ndikim që është edhe me frymë politike, edhe me orientim të fshehtë klanor. Në fillim të viteve ’90 u nyjëtuan teza për një Kongres të tretë të drejtshkrimit dhe për standardizimin e gegërishtes. Por këta zëra u kundërshtuan me forcë nga gjuhëtarët shqiptarë. Duke e parë të pamundur realizimin e këtyre projekteve, u mendua një rrugë tjetër: ndryshimi i drejtshkrimit në atë masë sa shqipja e shkruar t’u ngjajë të folmeve krahinore. Kjo u arrit me anë të Këshillit Ndërakademik, në të cilin mungojnë specialistët e drejtshkrimit (madje edhe autori i “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, prof. E. Lafja) dhe ku vendimet merren me votë të manipuluar.
Siç e vumë re pas gjithë këtij fronti të përbashkët gjuhëtarësh për të mbrojtur Drejtshkrimin nga teoritë kundër tij, siç keni qenë edhe ju, me krijimin e qeverisë së re u premtua që institucionet do të punësojnë redaktorë letrarë, si e komentoni ju këtë vëmendje ndaj Drejtshkrimit?
Fryma është shumë pozitive, sepse qeveria që erdhi veç problemeve të mëdha që ka, nuk harroi të kujdeset edhe për gjuhën. Është mirë që të vendosen në institucionet qendrore korrektorë letrarë, por kjo duhet shtrirë edhe nëpër bashkitë e rretheve, ku ka shumë dokumentacione. Mirëpo veç kësaj, kujdesi për gjuhën duhet shtuar edhe me tej. Duhet miratuar ligji për gjuhën jo vetëm nga qeveria e Shqipërisë, po edhe ajo e Kosovës. Të dy qeveritë për problemet e gjuhës shqipe duhet të konsultohen me institucionet që e kanë objekt studimin dhe mbrojtjen e saj, për të gjetur një platformë se si të zgjidhen problemet e shtruara me marrëveshje e bashkëpëlqim dhe jo me imponim nga një grup akademikësh.
Çfarë çështje të tjera keni trajtuar në këtë libër?
Unë  e nisa këtë libër në fillim nga shqetësimi se gjuhës po i kanoseshin shumë ndryshime të rrezikshme dhe të panevojshme. Por duke konsultuar projektet e drejtshkrimit të hartuara në Tiranë dhe në Prishtinë nga viti 1948 e deri më 1967 fillova të kuptoja kahjen e këtyre përpjekjeve. Nga ortografia e Komisisë Letrare të Shkodrës më 1917-n e deri në vitin 1951 kemi njëfarë lëvizje përafrimi në praktikën e shkrimit këtu dhe në Kosovë. Por në projektin e drejtshkrimit të vitit 1952 të Prishtinës nis një përpjekje e nxitur nga Beogradi për “unifikimin e shqipes ndër Shqiptarët e Jugosllavisë”, e cila arriti kulmin me ortografinë e Prishtinës të vitit 1957, me “sugjerimin për dallimin e supozuar midis gegnishtes së shqiptarëve në RFPJ, jo rrallë të quajtur “kosovarishte”, dhe gegërishtes së Shqipërisë.
Pra, duke i krahasuar këto projekte me rregullat e miratuara nga Këshilli Ndërakademik më 2012-2013, kam arritur në përfundimin se këto ndryshime e kthejnë drejtshkrimin e shqipes të ortografia “separate” (term i akad. Rexhep Ismajlit) e Prishtinës e vitit 1957. Po të jetësohet ky projekt ndërakademik, edhe ato pak dallime nga projekti i 1957-s do të zhduken, sepse është si puna e një muri, që, po hoqe një tullë, do të bien edhe të tjera dhe e gjithë godina.
Sa rëndësi ka marrja parasysh e Drejtshkrimit për gjuhën në Kosovë?
Për trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, vendimi i Konsultës së Prishtinës (prill 1968 që gjuha letrare e Kosovës të ishte gjuha zyrtare e trungut amë, pati rëndësi jetike, sepse kështu u ruajt njësia kombëtare e shqiptarëve, të cilën Beogradi u përpoq ta përçante. Por edhe tani që Kosova është shtet i pavarur rëndësia e këtij vendimi mbetet e njëjtë. Sigurisht, tani atje, si edhe këtu, ka shqetësime lidhur me përdorimin e gjuhës standarde, sidomos për të mënjanuar ndikimet e huaja në leksik dhe në sintaksë. Në punë  të leksikut ata janë më të vëmendshëm, atje gjen formime fjalësh të bukura shqipe, si p.sh. mishtore për kasap, fletishtë për stacion bletësh etj., etj., por në sintaksë kanë ndikime nga gjuha serbe. Kjo është pak e vështirë për t’u bërë. Vetëm shkolla mund ta shmangë dhe besoj se do të kapërcehet, pasi gjuha serbe nuk mësohet më në shkollat e Kosovës.
Teza kryesore juaja në këtë libër është se po u hoq zanorja ë, bie gjithë godina e drejtshkrimit. Cili është argumenti kyç i kësaj teze?
Po u hoq ë-ja, gjuha standarde e shkruar barazohet me të folme krahinore, me një labërishte të shkruar (që nuk ka ekzistuar), ose me një gegërishte të shkruar (as kjo nuk ka ekzistuar, sepse është shkruar në dy variante: i Shkodrës dhe i Elbasanit). Duke hequr ë-të, që përdoren saktë në ligjërimin letrar të folësve në radio e televizione, në konferenca e ligjërata sot, gjuha standarde kthehet në një ligjërim joletrar, në ligjërim krahinor. Emrin vërja si të duash, labërishte apo gegërishte, por është një ligjërim joletrar.

DORA SERBE DHE ADEM JASHARI



“Busti i Adem Jasharit, që deri në muajin nëntor 2012 gjendej në një shesh të vogël në Rrugën e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave, pas heqjes prej aty, është hedhur në plehra”!

Bedri Halimi



Kështu shkroi "Gazeta Shqiptare", sipas së cilës pastaj edhe media tjera e cituan duke e dhënë si lajm të turpshëm. Pastaj, në  disa portale u bë në  komente nga persona të  ndryshë m duke e shprehur mllefin e tyre për këtë veprim antinjerëzor dhe antikombëtar.

Ata me kë to komente dalin jashtë temës duke e marrë  si shkas këtë veprim, duke u ndarë kë shtu në dy taborre. Jo kundër e pro bustit, por kundër e pro Shqipërisë. Një komentues madje madje thotë: “A thua me të vërtet na duan aq shumë vllezërit tanë matan kufirit”, një tjetër i jep ‘vulë’ kë saj pyetje sipas egos së tij duke konstatuar se “ata nuk na kanë dashtë kurrë…” Pastaj disa të tjerë shprehin fyerje e mllef kundër Shqipërisë me fjalor nga më banalet. Eh sikur këta komentues ‘micsokola’ të dinin të komentonin (pa le pastaj edhe të punonin) kundër Serbisë.

Ska dyshim se veprimi ndaj bustit është anti njerëzor, anticivilizues e antikombëtar. Por në këtë rast parashtrohet pyetja logjike: në shërbim të kujt shkon në veprim i tillë? Kush i gëzohet një veprimi të tillë në Kosovë, në Shqipëri e përgjithësisht në trojet shqiptare? Kush tjetër pos Serbisë?! Shteti shqiptar në nëntor të vitit që shkoi, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, në të njëjtin shesh vendosi një shtatore të punuar nga skulptori i njohur Muntaz Dhrami.

Në ceremoninë e përurimit të kësaj shtatoreje siç dihet morën pjesë udhëheqës të lartë nga Shqipëria e Kosova, që e ngritën në qiell figurën e Adem Jasharit. Prandaj a është ky veprim i shtetit shqiptar? Jo! Po i njeriut shqiptar, në dejtë e të cilit rrjedh gjak shqiptari? Gjithsesi jo. Ky veprim, a e shpreh ndjenjen dhe qëndrimin e popullit shqiptar në Shqipëri? Në asnjë mënyrë! Këtë e dëshmon vet qëndrimi i shtetit shqiptar dhe i popullit të  saj gjatë luftës në Kosovë, ku shumë djem e vajza nga Shqipëria rrokën armët dhe ju bashkuan radhës së djemve dhe vajzave nga Kosova për çlirimin e Kosovës, ku në mesin e të cilëve shumë pjestarë nga Shqipëria e dhanë jetën për lirinë e Kosovës si: Adem Bajram Selmani (1967) nga Tropoja; Adem Ukë Mazreku (1964) nga Vranishta; Agim Ismail Muja (1970) nga Kruma; Arben Rexhë  Kraja (1972) nga Vlahna; Arben Selim Bardhoshi (1979) nga fshati Letaj; Arian Xhemil Brahimi (1977) nga Shkodra; Arif Shpend Dautaj (1959) nga Gegaj i Tropojes; Artan Xhemë Kovaçi (1982) nga Vlahna e Hasit; Astrit Hekuran Suli (1976) nga Luzaj, komuna Lumas – Berat; Astrit Selman Rrushi (1970) nga Qarri i Hasit; Behar Adem Ademaj (1970) nga Bardhoci i Kukësit; Besmir Adem Brati (1970) nga Golaj; Bylbyl Hazir Breçani (1974) nga Markaj – Tropojë; Dinë Alush Koleci (1945) nga Kishaj – Has; Etem Tote Syla (1965) nga Morina – Kukës; Fatmir Rexhep Ndoqi (1978) nga Bujani i Malësisë së Gjakovës; Halim Zenun Bardhoshi (1947) nga Peraj – Letaj i Hasit; Halit Riza Coka (1974) nga Arrni – Kukës; Hamdi Muharrem Mula (1964) nga Dobruna, komuna e Golajt; Hazir Avdyl Mala (1941) nga fshati Tpla i Malësisë së Gjakovës; Hyrë Mehmet Demiri (1927) 72 vjeqare nga lagja Sallah; Hysen Asllan Syla (1962) nga fshati Morinë – Kukës; Hysni Adem Hajdarmataj (1946) nga fshati Zherkë – Tropojë; Indrit Lulzim Cara (1971) nga Kavaja; Isa Dervish Thaçi (1966) nga fshati Domaj – Krumë; Isa Peshk Malaj (1942) nga Peraj; Lavdije Ramadan Lusha (1984) nga Golaj, pra 15 vjeçare; Lefter Lutfi Koxha (1969) nga fshati Nishovë – Skrapar; Man Arif Sallahi (1937) Tiranë; Mehmet Ramë Dezdari (1972) nga Shkelzeni – Tropojë; Mehriman Ukë Dauti nga Zaharishta – Has; Mensur Skener Syla (1978) nga Morini – Kukës; Merita M. Cahani (1977) nga Cahani; Musë S. Cahani (1939) nga Cahani; Naim Hajdar Qema (1978) nga Mujaj – Kishaj; Ndriçim Sherif Koxha (1971) Lushnje; Nesim Hysni Syla (1968) nga Morini – Kukës; Pajtim Ahmet Roci (1980) nga Kruma; Qazim Hazir Dautaj (1952) nga Gegaj – Tropojë; Ramë Musë Geca (1980) nga Kruma; Ramë Rexhep Sallahi (1937) 64 vjeqar; Ramiz Ramë Memia (1968) nga Myhejani – Tropojë; Sadri Besim Ahmati (1945) nga Vlahna; Selim Tahir Kalaja (1937) nga Vlahna; Skender Rasim Morina (1970) nga Pogaj – Has; Lulzim Sadik Morina (1973) nga Pogaj – Has; Skerdilajd Bardhyl Llagami (1969) Tiranë; Tahir Hoxha (1937); Hysen Mella (1964); Tahir Mal Sinani (1964) nga fshati Gri – Tropojë; Tahir Ramë Memia (1964) nga Myhejani – Tropojë; Xhavit Lleshi (1955) nga fshati Kishaj; Osman Ibish Lleshi (1967) nga fshati Kishaj; Xheladin Qazim Dauti (1955) nga Golaj; Xhemë Ali Kovaqi (1936) nga Vlahna; Xhemë Sadri Bardhoshi (1964) nga Letaj – Has; Xhemile Makel Sallahu (1927) pra 72 vjeçare; Xhevahir Bajram Selmani (1965) Tropojë; Xhevat Ajet Lleshi (1969) nga Kishaj. Kur kësaj ti shtohet edhe fakti se tërë armatimi për UÇK-në në Kosovë ka ardhur nga Shqipëria, atëherë çdo gjë është e qartë.

Po atëherë, kush ka përfitime nga këto veprime të turpshme? Kush tjetër pos Serbisë?! Gjatë okupimit të Kosovës, vetëm në Kosovë thuhet se ka pasur afro 50.000 bashkëpunëtorë të Serbisë (pra, pesëdhjetëmijë). Kur kësaj ti shtohet se luftëtarët e UÇK-së në të gjitha fazat e luftë s, po ti mbledhësh së bashku nuk e arrijnë këtë shifër, atëherë kjo tregon qartë se pse sot në mesin e shqiptarëve në Kosovë, ka komentues të tillë, të  cilë t nese një  gjë  të  tillë  e bë jnë  me vetë dije,  mund të jenë vetë m pjellë nga loza e bashkëpunëtorëve të UDB-së. Tashmë është sekret publik fakti se Serbia ka pasur bashkëpunëtor të vet edhe në viset e rajonit (pra edhe në Shqipëri), të cilën gjë e ka pohuar edhe vet Millosheviqi. Përderisa Serbia ka bashkëpuntorë të vet edhe në Shqipëri, është e qartë se ajo paratë që i paguan, nuk i paguan kot. Tani Shqipëria është në prag të zgjedhjeve të  pë rgjithshme, prandaj tensionimi dhe nxitja e luftës politike në Shqipëri i shkon në favor vet Serbisë, siç i shkon për shtati edhe krijimi i një imazhi sa më të keq  për popullin dhe shtetin shqiptar në Kosovë dhe anasjelltas. Dihen veprimet e UDB-së pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ku Serbia përmes mekanizmit shtetror bënte selekcionimin se kush mundej dhe kush jo, që të shkonte në Shqipëri. Në radhë të parë, pati dërguar shumë misionar shqipfolës nga Kosova që të silleshin sa më keq në Shqipëri, për të krijuar kështu përshtypje sa më të keqe për Kosovën dhe popullin e saj, duke përfshi madje edhe sjelljet amorale të disa kosovarëve.

Çfarëdo veprimi që të bëje Serbia përmes satelitëve e piunve të saj në  Kosovë  apo në  Shqipë ri, kudoqofshin ata, e ngadoqofshin ata, nuk mund ta arrijnë kurrë synimin e Serbisë. Qoftë edhe nese në këtë drejtim në ndihmë u shkojnë me vetëdije apo pa vetëdije edhe argatë  nga Kosova, që jo vetëm që nuk e njohin realitetin, por nuk e njohin as veten e tyre, sepse nuk e njohin as Zotin pë r Zot. Njeriu vepron keq, jo pse deshiron të jetë i keq, por pse nuk di të veproj mirë, për shkak të mungesës së vetëdijes. E nese i verbëti nuk e sheh diellin, kjo nuk dmth se dielli nuk ekziston.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...