2013-11-04

Nuk duhet ushqyer asnjë kotashpresë (iluzion) ndaj Presidentit grek Papulias

Eshref Ymeri



Në faqen e internetit të zotit Feliks Taho me titull "Çamëria pret zgjidhje", të botuar sot, më 03 nëntor, zoti Tahir Muhedini shkruan:  
          “Zoti Karolios Papulias, në një takim të viteve të para të tranzicionit, asokohe në postin e ministrit të jashtëm, duke iu referuar problemit çam, i tha homologut Alfred Serreqi se, “këto janë probleme që duhen ballafaquar pas 20 vjetësh, pasi sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke””. 
          Këtu zoti Muhedini e ka fjalën për takimin e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, zotit Alfred Serreqi, me ministrin e jashtëm grek Karolios Papulias, që u zhvillua më 03 maj 1994 në Zyrih, ku, për herë të parë u prek Çështja Çame. Në atë takim, sipas citimit të zotit Muhedini, Papuliasi i paska deklaruar zotit Serreqi:
          "Për problemin çam dua të bëj një vërejtje... Dua të bëj një diferencim historik. Populli shqiptar dhe minoriteti grek kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë kundër fashizmit dhe kundër nazizmit. Kurse çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë”.
          Për këto dy deklarata të zotit Papulias, të bëra para gati 20 vjetësh, kam këto komente:
          Së pari, kur ministri Papulias i deklaronte homologut Serreqi se Çështja Çame duhej ballafaquar pas 20 vjetësh, ai ka bërë një mashtrim të pastër, mashtrim që del fare qartë në një shprehje të bukur të gjuhës shqipe: "Shtyhu se ta arrij", apo "Piqemi në lëmë të rrushit".
Sepse ishte pikërisht ky Papuliasi, kur ishte ministër i punëve të jashtme të Greqisë, i cili, ende pa u shembur regjimi komunist në vendin tonë, pati deklaruar (sipas planeve të fshehta që kishte hartuar Athina shoviniste për shqyerjen e kufijve me Shqipërinë) se emigrantët shqiptarë Greqia do t'i shfrytëzonte për t'i zhvatur sa më shumë lëshime Tiranës zyrtare. Athina as që ka patur kurrë ndër mend të ballafaqohet me Çështjen Çame pas 20 vjetësh. Por ama Athina ka qenë e bindur se pas 20 vjetësh, duke patur në Tiranë komisarin e vet politik me emrin Anastas Janullatos, Shqipërinë do ta vinte në bark përfundimisht, siç edhe e ka vënë konkretisht, Shqipërinë e Jugut do ta greqizonte me kisha greke, me varreza ushtarësh grekë dhe me manastire dhe memoriale në nderim të tyre, si edhe me pensione, madje edhe për ata të moshuar që nuk e dinin fare se ku binte Greqia me adresë. Kështu që, sipas bindjes greke, pas 20 vjetësh, zhvatja e Shqipërisë së Jugut prej trungut shqiptar dhe aneksimi i saj Greqisë, do të mbetej thjesht si formalitet, për t'u pajisur edhe me një patentë juridike. Për t'i mbushur mendjen ministrit Serreqi, Papuliasi hiqej para tij si "fukarai i Qabesë", duke deklaruar se “sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke”!!! Një gënjeshtër me bisht kjo nga ana e tij. Asokohe Greqia nuk kishte kurrfarë plagësh të hapura. Përkundrazi, asokohe Greqia po përjetonte periudhën e “idilit arkadian”, duke shfrytëzuar në maksimum drekët e taksapaguesve evropianë dhe dashurinë përvëlimtare të Bashkimit Evropian. Asokohe ishte Shqipëria ajo që vuante nga plagët e hapura prej sistemit çnjerëzor komunist. Kurse Greqia i shqeu kat e kat kufijtë me Shqipërinë, në mënyrë që drejt saj të dyndeshin argatët shqiptarë për t’u vënë në shërbim të agallarëve grekë, të cilët paskëtaj, për shkak të Evropës syleshe, duhej të rrinin e të bënin vetëm qejf. 
Së dyti, kur Papuliasi deklaron se “çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë”, ai bën një mashtrim skandaloz, duke u ngritur kundër të vërtetës historike. Papuliasi mohonte paturpësisht kontributin e popullsisë çame në luftë kundër fashizmit, nga radhët e së cilës 1000 partizanë u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare greke dhe prej tyre ranë 65 dëshmorë.
Vallë Tirana zyrtare nuk është bindur që Papuliasi nuk e ka mohuar dhe kurrësesi nuk mund ta mohojë deklaratën e tij të turpshme që ka bërë që në vitin 1994 para ministrit Serreqi për të ashtuquajturin bashkëpunim të çamëve me pushtuesit? Me këtë deklaratë, Papuliasi, si kryediplomat i shteti grek, mbronte gjenocidin nazifashist që shteti grek kreu kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë, me dorën e kryekriminelit Napolon Zerva. Papuliasi i qëndron me këmbëngulje asaj deklarate se ai përfaqëson thepnajën e shovinizmit grekokaragjoz në qëndrimin jo vetëm ndaj Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, çka e përforcon më së miri fakti që Athina zyrtare nuk e ka njohur dhe as që ka ndër mend ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Prandaj, të gjitha ata politikanë shqiptarë që ushqejnë kotashpresa te vizita e Papuliasit në Tiranë më 04 nëntor 2013, le të zbresin me këmbë në tokë dhe le ta shikojnë realitetin në sy: me mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës, me mosnjohjen e kufijve tokësor me Republikën e Shqipërisë, me mosnjohjen e minoriteteve brenda territorit grek, me mohimin e çështjes çame dhe me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Greqia dëshmon faqe botës se për ne ajo ka qenë, është dhe vazhdon të mbetet një shtet armik pa kurrfarë maske.
Prandaj deklaratat e Tiranës zyrtare, sipas të cilave Greqia na u konsideruaka si “aleate strategjike” dhe si “vend mik”, tingëllojnë shumë qesharake, sepse përmbajnë në vetvete një servilizëm kaq të pështirë, saqë vjen e bëhet objekt humori edhe për fëmijët e kopshteve.

Santa Barbara, Kaliforni
03 nëntor 2013



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...