2013-11-08

Nga Agim Bajrami-Ngrehinë zhgënjimi



AUTOKRYQEZIM

Mesnata digjet porsi letër
Tek lë nga pas një perde tymi
Unë ndjej si vdes çdo centimetër
Ky trupi im ngrehinë zhgënjimi.
Humbohet pak nga pak nga unë
Si fjollë e hollë në mugëtirë
E lodhën ditët me furtunë
Dhe miqtë e shkuar pa fytyrë.
Ai desh përherë të ish dikushi
Të ndiz mes tyre pak shkëlqim
Atë që desh të bëjë Jezusi
Dhe e pagoi me kryqëzim.
S’pranoi në heshtje të rri strukur
Më kot e luta të mos flasë
T’i thuash botës s’je e bukur
S’të ndahet kokrra e belasë.
Dikush i ra me shtiza helmi
Një tjetër vrer i la mbi prag
O Zot sa shumë bastardë që kemi
Dhe burra trima sa shumë pak!
Mesnata ecën majë gishti
Ç’moment i bukur për flijim
Unë shkul një gozhdë nga Jezu Krishti
Të kryqëzojë zhgënjimin tim.

Piktorit të njohur kosovar Jetullah Haliti

(Etit)

Pikojnë ngjyrat pikë-pikë
Mbas xhamash terri ngeli
Po si s’të reshti more mik
Veç pak në dorë peneli?
Mes pezmit rreh një flamur ere
Dhe qiellit nxinë ca re
Kosova hasmin kish mbas dere
Skifterët donin pre.
Mëngjeset vriteshin nga plumbat
Nën zjarr e perde tymi
Ndaj qiellit varg nisen pëllumbat
Si klithmë e shenjtë kushtrimi.
Me krahë të tyre hap çdo portë
Dhe derë kancelarie
Askush s’kish parë deri më sot
Pëllumb me sy fëmije.
Pëllumb me kokë të bardhë si plisa
Qëndisur me dëborë
Atë që dot s’e bëri Isa
E bëri një piktor.
Frymojnë ngjyrat përmbi beze
Dhe diejt kryengritës
Çdo hap peneli është një rreze
Që nurin ia shton ditës.
S’ka gjë se rrotull tij kaosi
Gjëmon e bën kërdinë
Ai udhën ndrin me sy kozmosi
Ta shohë më qartë lirinë.
Pikojnë ngjyrat pikë-pikë
Dhe pulsi i planetit
Një yll po rend në galaktikë
Të marrë pak dritë prej Etit.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...