Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kanë prezantuar drejtorët e Teatrit të Operas dhe Baletit, dhe atij të Galerisë së Arteve. Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu gatishmërinë për të mbështetur reformën tërësore në fushën e artit
Tiranë - Janë prezantuar të mërkurën në ambientet e Kryeministrisë drejtori i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni dhe drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani.
Në fjalën e tij gjatë këtij prezantimi kryeministri Edi Rama vlerësoi dy figurat e zgjedhura në krye të dy institucioneve shumë të rëndësishme të artit dhe kulturës dhe premtoi reformë të thellë si dhe mbështetje për projektet në kulturë dhe art. Drejtori i ri i TOB-it, Kerni u shpreh se teatri do të jetë i hapur për të gjithë artistët, duke treguar një vëmendje të madhe për ata nga Kosova. “Jam i angazhuar për të mbështetur një reformë tërësore dhe rrënjësore të sistemit tonë të kulturës dhe të arteve, ku sot ndihen dhe preken gjurmët e një rrënimi të papranueshëm. Kam besim se nën drejtimin e Kumbaros dhe ju me të gjithë njerëzit e artit e kulturës përmes dialogut, përgjegjësisë reciproke do të hapim një faqe të re të kulturës për mbrojtjen e thesarit të trashëgimisë kulturore, promovimin e talenteve, vlerave bashkëkohore dhe rritjen e cilësisë së edukimit artistike- kulturor. Një reformë që do të diskutohet gjerësisht me dy njerëz me histori suksesi jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë atdheut”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.
Rama i shprehu falënderime Artan Shabanit e Ilir Kernit për rikthimin me kohë të plotë në atdhe si përgjigje të një apeli që ribëri për të gjithë njerëzit që janë jashtë.
“Shqipëria ka nevojë për talentin, aftësinë, eksperiencën, pasionin e dashurinë në këtë vend dhe do të gjeni gjithë mbështetjen time e qeverisë për të kontribuar në të gjitha fushat. Jam shumë i bindur që do ta çoni në një shkallë më të lartë institucionet. Do të krijoni kushtet ku të ketë më shumë art cilësor e më pak vetëpëlqim provincial më shumë debat të brendshëm dhe më pak mure mes disave e disave, do të shkundin më shumë pluhur e të rrëzoni mure e perde. Qenien tuaj sot e shoh si garanci për ecurinë në drejtimin e duhur dhe si dëshmi të shpresës dhe kurajos së një gjenerate tjetër për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe”, tha Rama.
Sa i takon këtij takimi Rama tha se ishte i improvizuar me shpejtësi e jashtë protokollit zyrtarë “por ishte shprehja e në nevoje për t’ju adresuar në këtë sallë vullnetin e plotë për të ngritur këtë komunitet në nivelin ë vëmendjes dhe respektit që meriton prej qeverisë e meje si kryeministër i këtij vendi. “Ju siguroj se takimet e tjera do të vijojnë dhe pjesë, pjesë të gjithë së bashku do të gjendemi në hapësirat e debatit të brendshëm për të përcaktuar përgjegjësitë e palëve, tuajën si protagonist të organizuar dhe krejtësisht të lirë në aktivitetin artistik dhe përgjegjësinë tonë si shtet dhe përfaqësues të një shumice të zgjedhur edhe për të bërë një kthesë në këtë fushë dhe për të pasur një partneritet të bazuar mbi domosdoshmërinë që së bashku të japim frymë e jetë ideve dhe projekteve tuaja. Konkurrenca e ideve e projekteve është e lirë e ndershme dhe e hapur për të gjitha gjeneratat grupet e individët pa privilegj me të disave e diskriminimeve të disave duke bërë çmos që prurjet e jashtëzakonshme, talentet e reja të gjejnë hapur dyert e skenave më të mëdha duke nisur nga TKOB e GA”.