Nga Valeria Dedaj
“Është folur e shkruar se karikatura ka lindur në përudhën e Partisë. Këtë gjë e kanë shprehur shumë studiues dhe karikaturistë shqiptarë, gjë që nuk qëndron si argument e që nuk është e vërtetë”. Në një bisedë me studiuesin e artit Agim Janina, mësojmë më tepër rreth historikut të karikaturës shqiptare. Sipas tij, fillimi i gjithçkaje me lindjen e Partisë Komuniste ishte një steriotip, që u krijua dhe sendërtua duke marrë të drejtë të padiskutueshme sa që studiuesit dhe kërkuesit e fushave të ndryshme e kishin të vështirë dhe shpesh edhe të pamundur të bënin pohime të kundërta. “Shqipëria e ndodhur në udhëkryqin më kryesor të rrugëve antike Lindje-Perëndim, do të ishte gjithnjë nën trysninë e kulturave të këtyre qytetërimeve. Karvanët e mushkave e kuajve bashkë me mallrat mbartnin edhe idetë e kulturat. Në shumë vazo që na vijnë nga antikiteti gjejmë të vizatuara e të dekoruara shumë skema groteske dhe humoristike”.
Zoti Janina, flitet se karikatura në Shqipëri ka lindur në periudhën e Realizmit Socialist. Sa e vërtetë është kjo?
Tek ne fillimet karikatura i ka të hershme, që me fillimin e shtypit shqiptar nëpër kolonitë patriotike shqiptare dhe gjenden gjurmë që nga viti 1911. Gazetat e para shqiptare për arsye të ndalimit të shkrimit e të publikimit të gjuhës shqipe, doli në kolonitë shqiptare si ato në Rumani, Bullgari, Amerikë etj. Në faqet e gazetave dhe revistave u dukën edhe karikaturat e para. Lidhje me shtypin për karikaturën është një domosdoshmëri, në të kundërt ajo nuk mund të ekzistojë. Kjo ndodhi edhe me karikaturën shqiptare ashtu siç kishte ndodhur kudo me karikaturën në përgjithësi. Periudha e Rilindjes që kulmoi në krijimin e Shtetit Shqiptar dha lindjen dhe lulëzimin i shumë degëve të artit, me gjithë vonesën e tyre historike solli edhe karikaturat e para. Në faqet e gazetave të krijuara nga figura të njohura patriotike jashtë atdheut, u dukën edhe karikaturat. Tashmë botën e tyre në shtypin Europian dhe atë botëror ishte bërë normë e pashkruar që në faqet e gazetave të kishte edhe karikatura të ndryshme. Rrallë mund të gjeje ndonjë gazetë që në faqet e saj, nuk kishte karikatura.
Po emigrimi si ndihmoi në këtë gjini?
Shqiptarët gjithmonë kanë pasur një emigracion të madh dhe në disa vende, i cili ishte i fuqishëm për të ndikuar në ngjarjet që ndodhnin në vendin amë. Në gazetat dhe revistat që dolën në Sofie të Bullgarisë, Bukureshtit të Rumanisë e shtete të tjera e deri në Amerikë, kemi të botuara me dhjetëra karikatura. Në më të shumtët e rasteve nuk mund të thuhet e gjendet me siguri autorët e tyre edhe në se janë artistë karikaturistë shqiptarë apo të huaj, por sidoqoftë satira dhe humori që buron nga ato godet bukur e me forcë dobësitë e lakmitë e shteteve të tjera ndaj Shqipërisë, si edhe më pas të metat e qeverisjes dhe mungesat në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Cilat janë gazetat që do të veçoje asokohe, si promovuese të kulturës?
Gazetat ku u botuan karikaturat: “Liri e Shqipërisë” (1911), “Opinga” (1920), “Dielli” (20 maj1922 deri 3 shtator 1926 Amerikë karikaturat e Konicës), “Ora e maleve” (1923), “Arbëria e viteve” (1929), “Rilindja e Arbërisë” (1930), “Minerva” (1932), “Diana” (1935), “Shqipëria e re” (1926). Një rast i veçantë është Faik Konica. Shkrimtar dhe euridit i përmasave më të mëdha europiane Konica është një prej polemizuesve më të zgjuar, por edhe një prej atyre shqiptarëve që vuri dorën mbi plagë, duke vënë në dukje anët më negative të shqiptarëve për t’i nxitur ata për t’u bërë më të mirë e për të marrë rrugën e qytetërimit. Ai pajton një karikaturist amerikan Frank e Davidson dhe në gazetën “Dielli” nis serinë e një sëri karikaturave me temë shqiptare. Ndonëse të bëra nga karikaturisti amerikan trajtimi i tyre me mjeshtëri e sidomos diçiturat që i shoqërojnë gjithmonë ato janë pjellë e mendjes brilante të Konicës.
Çfarë ndodhi me karikaturën gjatë regjimit komunist?
Që me krijimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri kemi lindjen e shtypit me prirje të theksuara revolucionare, gjë që erdhi si pasojë e ndikimit të ideve komuniste. Partia i dha një rëndësi të dorës së parë shtypit e propagandës. Menjëherë u pa që skica e karikatura ishte një mjet i fuqishëm ideologjik e politik, që ndikonte në masat e mëdha të njerëzve. Që me daljen e fletushkave të para e trakteve, si fletë violente, doli edhe gazeta humoristike në shtypin ilegal të kohës e titulluar “Fshesa”. Ndërsa Brigada e VII Sulmuese nxori vetëm në tre numra fletushkën “Thumbi”. Në to botoheshin pamflete e shkrime satirike, nga pena të reja, të cilat më pas do të bëheshin shkrimtarë, që do të mbanin peshë në lindjen e rrymës së Realizmit Socialist, ndikuar nga letërsia e Bashkimit Sovjetik. Në faqet e gazetës “Fshesa”, po edhe në organet e tjera të asaj kohe, vërshuan edhe karikaturat e Polikron Kotinit, Misto Mames, Mihal Durit (të dy dëshmorë të luftës) dhe Andon Kuqalit, që satirizonin veprimet e Ballit Kombëtar dhe të pushtuesve fashistë. Karikaturat u shpërndanë edhe në formën e trakteve dhe të letrave volante. Por ndërkohë kemi edhe karikatura kundër Partisë Komuniste dhe politikës që ajo ndiqte, të botuara si fletë volante, ku ndihet përpjekja për të demaskuar idetë komuniste. Me vendosjen e regjimit komunist, Partia e Punës i kushtoi një vëmendje të veçantë karikaturës në kuadrin e përgjithshëm të satirës e të humorit. Karikatura u pa si një gjini shumë e rëndësishme e agjitacionit figurativ. Ideologjia e politika do të ishin themelet, nga ku do të ngrihej e gjithë struktura e shtypit shqiptar të periudhës 1945- ’90, ku nuk bën përjashtim edhe karikatura.
Kontrolli mbi “Hostenin” duhet të ketë qenë i madh?
Partia në pushtet e kuptoi menjëherë forcën e satirës që shprehte me forcë fshikullimin e sarkazmën thumbuese të karikaturës, që shkon krah për krah me nivelin e shkrimeve satirike, pamfleteve e humorit, që botohej në shtyp. Trysnia e kontrolli edhe mbi “Hostenin”, ka qenë shumë i madh, e Partia vigjilonte me anë të shumë organizmave dhe mjeteve për ta pasur nën diktat gjithë shtypin e në këtë kuadër edhe karikaturën. I gjithë shtypi ishte thjesht një hallkë në zinxhirin e gjatë të levave të Partisë, ndihmëse e zbërthimit të orientimeve e sloganeve të saj e veçanërisht të Enver Hoxhës. Në analizën që i bëhej në shtypin e kohës theksohej, se “ajo (karikatura), duke u udhëhequr nga mësimet e Partisë, ka shprehur ideologjinë e saj, duke venë në bazë, me humor shfaqjet e huaja, që pengojnë ecjen e shoqërisë sonë përpara, ka goditur manovrat e imperialistëve dhe revizionistëve. Karikatura u është përgjigjur flakë për flakë problemeve që kanë preokupuar shoqërinë tonë”.
Cilët janë karikaturistët e parë të asaj periudhe?
Karikaturistët e parë shqiptarë të kësaj periudhe janë: Polikron Kotini e Zef Bumçi. Më pas vijojnë Bardhyl Fico, Dhimitër Ligori, Enriko Veizi, Bujar Kapexhiu, Shtjefën Palushi, Iir Pojani, Agim Sulaj, Arben Meksi, Medi Belortaja etj. Të gjithë shfaqin një individualitet krijues të veçantë e përfaqësojnë denjësisht karikaturën e kësaj periudhe. Disa prej tyre janë shumë prodhimtarë e aktivë edhe në ditët e sotme. Tema dhe tehu, ku godisnin karikaturat, është i njëjtë dhe shkon në linjë me politikën zyrtare të kohës. Dihet që kanunet e Partisë e kufizonin shumë lirinë artistike në anën teknike, ku nuk lejoheshin ato rryma të shekullit të XIX dhe XX, të cilat u quajtën dekadente e moderniste.
Nuk ka asnjë karikaturë me figurën e ndonjë politikani gjatë asaj periudhe?
Teknikisht karikatura kishte një farë lirie pak më të madhe dhe ishte më e lirë në paraqitjen stilistike e grafike, por ngurtësohej shumë nga brendia e nga përmbajtja, sepse satira dhe humori kishte një stekë, një nivel që nuk duhej ngritur më lart. Kurrë dhe asnjëherë në shtypin e kësaj periudhe nuk kemi karikaturimin e një figure politike a shtetërore më larg se ajo e një drejtori ndërmarrjeje apo kryetari kooperative. Si rrjedhojë e revolucionit kulturor kinez, vijnë në Shqipëri fletë-rrufetë, që rrjedhin nga dacibaot e famshme kineze. Enver Hoxha mbajti një fjalim, i cili nxiti e ngriti një valë të madhe demaskuese, nën sloganin, që "cilido pa frikë e me shkronja të mëdha mund të shkruajë se çfarë mendon për punën e njerëzit". Nisur nga ky fjalim shumë karikaturistëve iu kërkua që të demaskonin shfaqjet e huaja sidomos në radhët e rinisë, e cila nën ndikimin e televizioneve të huaja, kryesisht ato italiane po kërkonte një hapje drejt botës. Disa karikaturistëve iu kërkua që të pasqyronin në karikatura të rinj, të cilët shfaqnin tendenca të ndjekjes së modës perëndimore. Kjo gjë mori hov të madh në periudhën pas Plenumit të 4-tër të KQPPSHsë, ku u dënuan shumë artistë për ndikime borgjezo-revizioniste.
Fletë-rrufetë
Nën shembullin e dacibaove të Kinës në Shqipëri dolën fletë-rrufetë, ku dënoheshin me shkrime njerëz të ndryshëm. Këto karikatura bëheshin në formate të mëdha dhe u vendosën në sheshet kryesore të qyteteve. Ky ishte një demaskim shumë i madh e shumë i turpshëm për kohën, sepse Bodeci, një lloj tabele me karikatura të mëdha në një nga sheshet kryesore të qytetit dhe më vonë fletë-rrufeja, ishin armë të diktaturës, që propagandën e kishte forcën e saj më të madhe goditëse, me parullat: “T’i dënojmë armiqtë!”, “T’i demaskojmë armiqtë !” Demaskimi i botës ishte një linjë e përhershme, që shfaqet qartazi në të gjithë krijimtarinë karikaturale të kohës.
Agim Janina, studiues arti
Çfarë ndodhi me karikaturën në vitet e demokracisë?
Nga e kaluara trashëguam një karikaturë jo politike (përjashto politikën e jashtme), por shumë të politizuar. Vitet ’90 çliruan shumë energji dhe shtypi mori frymë lirisht. Forma e parë e protestës ndaj diktaturës ishte shfrimi pa kufi ndaj vetë rrëgjimit. Poeti gjerman Gëta ka thënë që gjëja më e mirë për t’u ndarë nga diktatura është të tallesh me të! Në natyrën e vet karikatura një prej elementëve shpotitës më therës ka edhe talljen. Kështu për herë të parë në faqet e gazetave u shfaqën edhe karikaturat e para politike kundër regjimit komunist, sloganeve dhe simboleve të tij. Dhe karikatura shqiptarë e kohës u tall paq me diktaturën. Kuptohet që karikaturistët janë pjesë e shoqërisë dhe si të tillë edhe ata kanë bindjet e qëndrimet e tyre politike edhe pse në një takim promovues mbi karikaturat e Bujar Kapexhiut theksova me bindje se Bujari është më i djathtë se çdo i majtë dhe më i majtë se çdo i djathtë dhe kjo gjë vlen për çdo karikaturist, sepse fenomenet negative apo që duhen goditur e fshikulluar me gjuhën artistike të karikaturës nuk kanë ngjyrime politike.
Po orvatjet për revista humoristike si kanë shkuar?
Karikaturistët u afruan shpejt nëpër shtypin e ri që u krijuar dhe filluan të botonin krijimet e tyre fshikulluese në karikaturë. Shpejt vihet re se nuk është vetëm qëndrimi ndaj të kaluarës, por edhe ndaj politikave të partive të ndryshme apo drejtuesve të partive që vihen në shënjestër të krijimeve të tyre. Dallohen në këto fillimi karikaturistët Bujar Kapexhiu që orvatet të krijojë edhe një revistë humoristike pa sukses, Vasil Lalo, Like Rehova, Arben Meksi, Medi Belortaja, skulptori Maks Bushi, Agim Sula, Luan Vrioni etj.
Karikatura me të cilën Agim Sulaj fitoi çmimin "Oscar" 2015
Roli i saj në demokraci...
Moto e karikaturës është: “Duhet të guxojmë për gjithçka”! Guximi është ajo që e ngre njeriun lart. Guximi e bëri njeriun të ëndërrojë dhe nuk e bëri dhuna, nuk e bëri frika, nuk e bëri shtypja. Karikatura është art e jo armë. Është mjet i madh domethënës, është mjet i madh demokratik, është barometri i demokracisë së një kombi. Pyetja mbi lirinë e rolin e karikaturës në kushtet e demokracisë është pyetja esenciale, pyetja thelbësore, që lidhet me një thelb, me një nukë, me një bërthamë dhe me një mentalitet, i cili është shtruar që në kohën kur njeriu filloi të arsyetonte dhe të thoshte, kush është pushteti e kush jam unë? Sepse në këtë botë çdo gjë është pushtet. Feja është pushtet, mbreti është pushtet, presidenti e kryeministri. Nëse ne kufizojmë fenë, do të kufizojmë mbretin, do të kufizojmë presidentin, ministrin e drejtorin e ndërmarrjes e kështu do të kufizojmë gjithçka. Atëherë shprehja: “Njeriu ka të drejtë të guxojë për gjithçka ka qenë leva lëvizëse e shoqërisë dhe gjithashtu edhe e karikaturës.
Së fundmi, karikatura është konsideruar edhe armë. Por sipas jush, është armë apo art?
Në këtë pikëpamje karikatura nuk është një armë. Karikatura është art dhe arti ka nevojë të dëgjohet, të respektohet, të shikohet, të vlerësohet, por nëse unë denigroj dikë duke e bërë karikaturë..., do t’u kujtoj një karikaturë të jashtëzakonshme të Fransisko Gojës, duke ua sjellë në vëmendje, karikaturën me diçiturë “Deri në vdekje”, ku paraqitet mbretëresha e Spanjës si kufomë që pudroset e parfumohet, ndonëse është një plakë e rrënuar, një prostitutë politike dhe më shumë ngjan me kufomën e vdekjes e megjithatë ajo lyhet e krihet. E dyta është karikatura, e cila është aktuale sot në vendin tonë me diçiturë “Ti që i zoti për gjë s’je, më mbaj në kurriz se mirë e ke”! Ku paraqitet populli spanjoll që mban në kurriz një gomar që simbolizon pushtetin e korruptuar e të degjeneruar të kohës.