2017-12-20

Rrustem Geci: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu


Rrustem Geci



Gjergj Kastrioti - Skënderbeu



- p o e m ë



Në bashkësinë e kombeve

në historinë e luftrave

nuk ka një hero të ngjashëm

që mund ta ngrejë aq lart

emrin e dhéut dhe të atdhéut

dhe emrin e popullit të tij

sa trimi ynë, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Në kohën e Babushit tonë

Shqipëria ishte një tërësi

e zgjuar në çastet e kohës.

E zgjuar për luftë dhe beteja.

Nën qeverisjen e Gjergjit

edhe guri kishte kurajon

që atdheun e shqiponjave

askush të mos e lakmojë.

Në atë epokë të ndritur

Gjergj Kastrioti, - Skënderbeu

i bashkoi gjithë shqiptarët

në luftë kundër osmanëve...

2

Në takimet e tij në Durrës

në Vlorë, Korçë e Gjirokastër

në Shkodër, Shkup e Kosovë

në Preshevë e në Çamëri,

Gjergji e bashkoi popullin,

që populli ynë t´i përgjigjej

proceseve të qytetërimit!..

Në Thanë ai i foli popullit:

“S´di çfarë ju bën të dashur,

s´di çfarë ju bën të lumtur,

por nën tehun e shpatave

me shpatë duhet të luftojmë!”

Dorëheqje nga liria nuk ka!

Pra, para se t´ia behë lufta,

para se të vijnë Osmanët këtej

këtu ishte Gjergj Kastrioti

biri i Shqipërisë – trimi ynë,

Ai që në çastet më të vështira

I doli zot të katër Vilajeteve.

Gjergji i dha shkëlqim tokës

Ai i çau të gjitha rrethimet

që Shqipëria të mos shkilet.

3

Në njëzet e katër luftra,

në njëzet e katër beteja

në njëzet e katër fitore,-

Gjergji ishte lavdia jonë;

Ai që i dha përgjigje kohës

të rrojë për jetë Shqipëria!

- Princa të mirë të Arbrit

i fliste Këshillit të luftës:

mos u ligështoni, mbahuni,

jini në detyrë të atdheut!

Përbashkohuni!Mos u ndani

të mbrojtur vetë Shqipërinë,

veten dhe gjënë e gjallë!..

Lufta na bënë nder të gjithëve

që liria të jetë Shqipëri,

që liria të jetë shqiptare,

dhe liri të jetë flamuri ynë.

Princa të zgjuar të Arbrit,

lufta është ekuacion me

Shumë të panjohura,

kjo luftë kundër pushtimit

është luftë për Shqipërinë!..

4

Princa të nderuar të Arbërit,

princa të paqes dhe të luftës,

gjaku i lirisë sonë nuk tretet

edhe sikur të na vrasin , edhe

sikur të na mundin e therin;

farë e huaj këtej s´do të mbijë

Shqipëria është gjak i stërmoçëm,

gjak i shkruar nëpër epoka

gjak i shkruar në faqe malesh

në gryka lumejsh, nëpër libra e dëftere

Në këtë vend shumë të pasur

me klimë të butë dhe me det

të gjitha parajsat janë këtu;

për të lindur e për të palindur!

Këtë pasuri të dhënë nga zoti

duhet ta ruajmë e ta mbrojmë!

Shqipërinë ta bëjmë më të fortë

të qëndrueshme dhe moderne.

Shqipërisë sot i duhen fitoret

mbase vetëm me fitore mund

të shkruajmë gurin e pashkruar!

5

Shqiptarë të të gjitha vilajeteve

këtë tokë me det dhe me diell

që ne e quajmë Shqipëri,

vetë duhet t´i dalim zot; për

këtë kam urdhër nga zemra,

nga toka, nga dielli, - nga ai lart,

që humbjet të mos i ndjejmë.

Shqiptarët duhet të jemi gati

Ta mbajmë njëri-tjetrin, ta duam

se i munduri çdoherë paguan,

gjobën e rëndë të pushtimit.

Në këtë orë të proceseve,

në këtë orë të historisë sonë,

Shqipëria është gjaku ynë

Adresa jonë në këtë botë !


Përparim Hysi: 70-vjet janë fare pak

70-vjet janë fare pak?!

Poezi jubilare për XHEVAHIR LLESHIN


Nga Përparim Hysi



70-vjet? Janë fare pak

Dua që të jetosh një shekull!

Na kënaq me shkrim e varg

Xhevahir! Si asnjë tjetër.



Herë në prozë e poezi

Me tregime a romane

Edhe dramë,dhe komedi

Pena jote është brilante



Diku një temë historike

A esse që të ngre peshë

Ndo leksione metodike

Dhe për fëmijë diku një skeç.



Ja një temë nga psikologjia

Gjë e gjëza, anekdota

Për ty,edhe monografia

Është shtrenjtë koha,sa bota.



Dhe përkthime, tekste shkolle

Punë të mira,ç'të them?Varg

Veç nga puna ti vlerësohe

Ndaj je shpallur:"Mjeshtër i madh"



Sot ti mbush 70 vjeç

70-vjet janë fare pak

Dua të mbushësh 100-vjeç

Na kënaq me penë e varg.

Fatmir Halimi drejt një individualiteti të prozës bashkëkohore

Nga Dëfrim Cani

Për të pasur një lloj reference, jo plotësisht estetike por reflektuese, që lidhet me leximin që unë i kam bërë romanit të z. Fatmir Halimi, titulluar “Dy vdekjet e një jete” e kam titulluar diskutimin në mënyrën sintagmatike, Fatmir Halimi drejt një individualiteti të prozës bashkëkohore, ku bie në sy pjesa përmbyllëse e saj drejt një individualiteti të ndërtuar mirë artistikisht. Është një element paksa i guximshëm, pasi raporti i shkrimtarit me krijimtarinë e tij, me llojin e krijimit, me kohën e të shkruarit, dhe kohën e botimit është i kushtëzuar subjektivisht dhe objektivisht. Kësaj qasje unë do t’i referohem jo mbi trajtimet tradicionale të leximit të prozës. Romani “Dy vdekjet e një jete” e dyzon lexuesin për shkakun e një oksimoroni të brendshëm që ai ngjall që në titullin e tij, sepse normalisht në jetë nuk ka dy vdekje, por pikërisht këtu fillon “qerthulli” në të cilin zihet lexuesi që në momentin e parë. Duket qartë se ky “mekanizëm” estetik ka qenë i racionalizuar të jetë i tillë, për shkakun e subjektit të ngjeshur, i cili është ngritur mbi një detaj interesant që lidhet me një ngjarje të njohur historike, por që në roman është shtruar me detaje të tjera. Astrit Gashi një luftëtar ëndërrimtar, artist në shpirt e profesion, ëndërrimtar për jetën dhe të ardhmen, është radhitur në radhët e luftëtarëve të lirisë. Në betejën e njohur të Kosharës, për shkakun e ashpërsisë së luftimeve, humbjeve të shumta, mendohet se Astrit Gashi ka humbur jetën. Në këtë pasaktësi “pajtohen” të gjithë, madje dhe Valbera, njeriu më rëndësishëm i luftëtarit Astrit Gashi. Madje në Koshare Astrit Gashit i është ngritur varri, si shenjë kujtese dhe përjetësie. Në të vërtetë Astrit Gashi i vërtetë nuk është në varr, po diku në sfidën e mbijetesës.

Deri në këtë moment romani ka pjesën historike. Më pas, autorit i është dashur të ndërtojë një strukturë komunikimi të ngritur mbi copëza, minidetaje dhe raporte të brendshme të personazheve, cilësisht të evidentuar, e nga ky moment romani i Fatmir Halimit është ngritur i tëri mbi një strukturë psikologjike. Romanet e kësaj natyre lexohen me një frymë, janë tërheqës çlirues dhe emocional për shkakun e një “fikëshëni” të brendshëm, por janë shumë të vështirë për tu shkruar. Këto lloje romanësh më kujtojnë shkrimtarin e së ndërtimit artistik Samuel Beketti, i cili zakonisht përdorë një racionalitet të pa cenueshëm të një subjekti, personazhesh dhe definicioni.


Romani “Dy vdekjet e një jete” për shkakun e unitaritetit të copëzave, minidetajeve, personazheve, të cilët duhet të mungojnë në një zgjidhje të vështirë, ka qenë i vështirë për tu shkruar. Astrit Gashi është kthyer në vendlindje, është kthyer si fantazmë. Luftëtari Gashi ka mbetur një botë larg gjithë atyre që i qëndrojnë pranë sipas miteve ai ka ardhur nga bota tjetër si fantazmë. Kjo është drama e tij e thellë psikologjike. Duke qenë i gjallë, i vërtetë nuk arrin ta zhbëjë vdekjen e tij. Pavarësisht së pavërtetësisë të vdekjes së tij, ajo vdekja e rrejshme është ngulitur thellë, duket se është kudo, e që në një mënyrë apo tjetër është kondensuar në një rrëfim e strukturë rrëfimtare psikologjike. Temat e romaneve të tilla janë specifike, pasi për to duhen perceptuar drejt racionalitetet kohore, racionaliteti i subjektit, detajeve dhe personazheve. Mrekullisht shkrimtari Halimi ka përvijuar idealitetin e dashurisë së Astrit Gashit me Valberën, sa besohet se ai do të ngrihej nga varri për të. Ndërtimi i një mjedisi raportues psikologjik përmes personazheve racional si Dreni, Anita, Dafina, xha Rifati, Arsimi, Drita të cilët mbushin dhe referojnë një kohë tipiko epike të nxitueshme përtej racionales. Përmes minidetajeve dhe minipersonazheve, autori arrin të sjellë një kohë të nxituar, ndoshta kaq iu lejohet atyre që “ngritën” nga varri që i jep romanit një lloj ritmi përmbajtjesorë.

Nuk është në detyrën e kësaj qasje të shkurtër për tu marrë me subjektin as karakteristikat e personazheve, as pse në roman nuk triumfon bashkimi i Astrit Gashit me Valberën si një model kryedashurie, përkatësisht si kryesakrificë, por profili i një krijuesi me një shqisë psikologjike është një gjë e mirë. Autori ka zgjedhur këtë zgjidhje tragjike për personazhin e romanit, duke dëshmuar ekuilibrin dhe vazhdimësinë e jetës përmes ligjit universal, që justifikohet me titullin e romanit “Dy vdekjet e një jete”.

Dua të jem optimist për koutimin progresiv të individualitetit të shkrimtarit Fatmir Halimit edhe në prurjet e tij të ardhshme në prozë. Një roman me qasje delikate psikologjike, si ky që ka në dorë lexuesi është një sprovë e mirë për letërsinë tonë.






Armela Hysi : Një Urim për një Zonjë të Letrave Shqipe


E kam zakon që kur fillon një muaj i ri, sjell në mendje ditëlindje të miqve, të afërmve, a njerëzve që ndikojnë në jetën tonë, që njoh ose kam dëgjuar se kanë lindur në atë muaj. Kështu edhe me të filluar dhjetori kujtova mes të tjerëve njerëz të dashur edhe një emër të përvetshëm në vyrtyte e cilësi, por të përbashkët për shumë nga miqtë e librit shqiptar. Kujtova një Zonjë të Letrave Shqipe që në ditën e sotme, 8 dhjetor, feston ardhjen në jetë, Vilhelme Vranari Haxhirajn, apo Vivrën tonë të thjeshtë, siç kërkon me modesti të quhet nga miqtë e saj dhe që duket se ka jo pak. Padyshim, përderi sa jo pak janë lexuesit e rreth 40 librave që ka botuar në dy dekadat e fundit të jetës së saj, nga të gjitha zhanret e lëvrimit të letërsisë shqiptare. Nuk janë të paktë miqtë shkrimtarë e poet që vlerësojnë prurjet e saj të begata dhe plotë mendimtari jete.
Jeta e një shkrimtari (artisti në përgjithësi, por e shkrimtarit në veçanti) gjithmonë është një jetë e dyfishtë. Brenda një qenieje është ajo që jeton në të përditëshmen dhe ajo që thur brenda botës së vet krijuese. Dhe këto dy botë, të çfarëdolloj kalibri qofshin, ushqejnë njëra-tjetrën. Po të bazoheshim në mendimin e Uaild, sa më e thjeshtë të jetë ajo e para, aq më e mbizotërueshme është ajo krijuesja, si dhe sa më e pakokmplikuar dhe e qetë të jetë ajo e fantazuara e krijimtarit, sa më e reduktuar pra fuqia e veprës, aq më me peripeci dhe me vrull, është ajo e vet autorit. Një llojë përpjestimi i zhdrejtë, përderi sa autori jeton ose në jetën e tij, ose në atë të krijimeve të tij me densitetin e përqendruar, por jo në të dyja, gjë që të vë në dilemë si krijues, se cila vlen vërtetë të jetohet. Por për shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj, këto dy botë kanë qenë, në sytë e mi të paktën, gjithmonë një spiral i vazhdueshëm, i dyfishtë, që spërdridhet e gjarpëron si në skiptrin e Hermesit. Vetë forma e acidit deoksiribonukleik të jetës brenda bërthamës së qelizave të çdo gjallese, që në një vazhdimësi zhvilluese dhe përpjestuese, por gjithmonë si binom i pandarë, krijojnë qelizat e reja, faqen tjetër të jetës dhe librit. Kjo, sepse zonja Vivra nuk ka një jetë të thjeshtë dhe të qetë, as të parëndësishme për kombin tonë dhe as një krijimtari të tillë. Në biografinë e saj do të mund të lexojmë prejardhjen nga një derë fisnikësh, pinjolle e fisit të Arianitëve, një nga familjet më të lashta të Kaninës etj. Por unë nuk do qëndroja aty, sepse ajo nuk është një gjë që e ka në dorë njeriu, është fat, që për mua jo i rastësishëm, por do hynim në degëzime metafizike, që largojnë vëmendjen nga ajo që dua të nënvizojë sot në këtë pikë. Unë do të qëndroja në vetë jetën personale të një fëmije të rritur në acarin e një diktature të egër komuniste, që i mori asaj dhe familjes së saj të drejtat më themeltare të një njeriu e jo pak, por pothuajse për pesë dekada, një jetë të tërë, i kufizoi e ngurtësoi çdo kënaqësi, shpresë, ambicie profesionale apo krijuese, nën tutelën e frikës dhe ndjenjës së inferioritetit ekstrem e pasiv. Kjo është e rëndësishme të njihet mirë, të vihet në dukje për të gjithë personat që e kanë provuar e jetuar, por kryesisht krijuesit. Pikërisht se duke bërë jetë të dyfishtë, jeta e nundimshme e tyre ka vlerë të dyfishtë. Jeta e pajetuar krijuese, është një jetë e vrarë gjithashtu. Prandaj një ditëlindje e festuar sot, ( të mos harrojmë se e nisa këtë shkrim si urim, pra që të gëzojmë) është dhe një ditëlindje e dyfishtë. Një urim për jetë të gjatë të Vivrës tonë dhe një Urim për jetë të gjatë të Krijimtarisë së Shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj.
Kur përmendim të gjitha këto, një mendja të thotë se krijimtaria e autores Vranari, do ishte kryekëput një ankesë e madhe kundër vuajtjeve të saja personale dhe do kishte të drejtë, padyshim, që është dhe detyra historike e sociale e të gjithë atyre që e përjetuan këtë pisllëk mizor shoqëror të ngritjes së vëllait, kundër vëllait, për ideologjinë shterpë të pushtetit, (siç dhe u kuptua se qe ajo periudhë dhe ajo “Luftë klasash”, tashmë që jemi larguar “nga mali i lartë” dhe e shohim të tërin – po perifrazoj me humor të zi për të shprehur atë kohë “famëmadhe”) duhet ta përshkruajnë, dokumentojnë, demaskojnë. Por Vranari është një shkrimtare e vërtetë. Si person unë mohoj ta quaj viktimë të diktaturës, është një e Mbijetuar! Si shkrimtare ajo është në ballin e të fortëve të paepur, që zhvesh padrejtësitë nga kamuflimi luksoz dhe i paraqet me format e bëmat e tyre reale para lexuesit shqiptar, i cili edhe pse i jeton çdo ditë, me cilësinë e antarit të shoqërisë, jo gjithmonë është i mprehtë për t’i vëzhguar, arsyetuar e logjikuar...
Kjo ndodh se shpesh kominiteti nuk i vë re, madje është prehë e një shprese të paarsyeshme dhe impotente se, gjërat do t'i rregullojnë të tjerët apo koha, gjë që tregon se është i mefshtë në veprim e arsyetim. Autorja flet për të djeshmen, flet për të sotmen, flet për të nesërmen. Flet për shqiptarët, flet për europianët, flet për të gjithë njerëzit që kërkojnë të shohin të vërtetën përmes vetëdijes së saj të gjiganduar në sprova dhe të mishëruar në fjalë.
Bota ka njohur dhe është frymëzuar nga shumë gra krijuese, aktiviste, me përmasa relative në shumë kohëra historike, dhunuar gjithfarësojësh nga diktatura të shumllojëngjyrash, që fanellat nuk i “shpëtojnë” dot të mos njehsohen në një trup të turpshëm kanceroz, dritëshkurtër. Fjala e tyre, ndoshta vetë vdekja ose jeta e tyre, apo vepra e tyre, gjatë kohës së diktaturës, a si dëshmitare të mbijetuara, kanë një vlerë sublime. Të tilla si:Ahmatova, Isabel Allende, “Las mariposas” Mirabal, Musine Kokalari ka për detyrë t’i nderojë njerëzimi, ashtu dhe të drejtat themeltare të çdo jete, duke marrë gjithsecili, përgjegjësinë e vet reale, personale, në jetën e tij, që sado e papeshë të duket, diferenca është universale. Për këto shkruan shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, që edhe se është nderuar me disa çmime, është ende shumë pak; ashtu siç, prodhimtare siç është në krijimtarinë e saj, ka nevojë të ndihmohet që të botojë më me lehtësi e të përfitojë nga arti e puna e saj, për gjithë dobinë që sjellë në shoqëri.
Për dashurinë shkruan Vilhelme Vranari Haxhiraj, mes dy shpirtrash, romantike, mëmësore, familjare, shoqërore, erotike, pasionante, profesionale, atdhetare. Për dashurinë për të bërë mirë, për vyrtytin, për drejtësinë – shpirtërore dhe insitucionale. Për dashurinë për dijen, që pothuajëse në gjithë krijimtarinë e saj i ngre pjesë-pjesë një kult. Për fjalën dhe puthjen, për artin dhe heshtjen. Për njeriun dhe mbivlerësimin, apo nënvlerësimin e tij. Për shpirtin dhe jetën, apo nënndarjet e shumëfishimet e tyre.
Gëzime dhe lumturi!Shëndet dhe frymëzim në një jetë të gjatë, plotë suksese!
Armela Hysi
Athinë 8-12-2017



SOTIR ATHSNASI : Më ka marrë malli për nënën time ( Tregim I jetuar )

    

Dyqani ynë në rrugën ALIPEDHU 4, në Pire edhe atë të djelë, punoi. E nënvizoj nga që, në mbasdreke ne kishim vendosur të festonin përvjetorin e dytë të çeljes së këtij aktiviteti tregëtaro-artistik që, gjithsesi, mbas pune, merrte ndoshta, më tepër kuptim. Pra, nguteshim të shkonim në shtëpi. Sidoqoftë, kënaqësinë e klientit të fundit dhe jo vetëm, do t'a përjetonim të gjithë, si të qe kurorëzimi i asaj që do të festonim. Arsyeja ishte fare e thjeshtë.
Një i ri nga Tirana, në kohën që unë mbylla edhe drynat pas uljes së qepenëve të rënda,
ndali vrapin i dëshpëruar:
- O robo! Gja demek e kyçët për sot, a si?
Unë ktheva kryet. Ai vazhdoi:
- Për punë dekikash do të më lini durthatë mu', a si?
- Pse, çfarë deshët të merrnit ju, o çun Tirane? - e pyeta unë në dialektin e tij.
- Një disk.
- Vetëm një disk s'ti likërka durët thatë ty, o çun?
- Po, o burr'që ke moshën e babës tem, - tha ai dhe i rrezëllyen sytë kur e kuptoi gatishmërinë time për t'a ndihmuar.
Portreti i tij, që aty më parë kishte pamjen e njeriut me plaçkë në shkop, nga plagoma që i dha qepeni i mbyllur, u përshenjua si një frut i pjekur. Dhe kish të drejtë: Ai e kapi shenjën që unë i bëra djalit të mos nxitohej, tek priste në timon me makinën ndezur buzë trotuari.
S'ishte rasti i parë ky që do të na detyronte t'a rihapnim dyqanin. Por, për ne, ajo e djelë qe e veçantë dhe askujt nuk do t"i pëlqente të vonoheshim.
- Dhe cili qenka ky disk që t'i mbushkërka durët, - i thashë unë jo paqëllim, me një ton paksa të ndryshëm për t'a vënë në lëvizje të mëtejshme sqimën, a për të nxjerrë nga fshetathellat, merakun e tij që, me siguri kishte të bënte me ndonjë romancë dashurie. Por, isha tërësisht i gabuar.
- Disku i Merit's të Halilit!, - tha ai.
- Që quhet?
Më ka marrë malli për nënën time.
Vështrimet tona u përplasën. Sytë e tiranasit u vesuan. Të mitë, gjithashtu. Se këtu bëhej fjalë për NËNËN, dhe kur ajo të mungon, sytë vetiu njomen.
- Kam pesë vjet pa e pa, o burr' qe ke moshën e babës tem. Po më lun fiqiri vendit.
Pas këtij pohimi tejet të sinqertë, qëndronte djaloshi që ishte pjekur ndofta para kohe dhe që unë atë çast mendova:
- Ja burri që dallon nga çunaku.
Emigracioni, jo vetëm i ka hedhur shtatin, po edhe e paska rritur mendërisht. Dhe, ndonëse statusi im e kërkonte të tregoja vetëpërmbajtje, nuk munda. Lotët më mbushën sytë. Gjithsesi,
unë e kisha mundësinë, jo vetëm t'i fshihja ato pas syzeve të errëta, por edhe të bëja lëvizje të tilla që tjetri të mos m'i shihte. Prandaj u ula menjëherë, kinse po hapja drynat dhe, në të vëretë, instiktivisht ashtu bëra.
Në çastin e ngrijtjes së grilës im bir që, gjithashtu e kishte ndjekur bisedën, doli menjëherë nga SUZUKU. E vështrova tinës se e dija, lotët e tij qëndronin të gatëshme në cepat e syve e të zbrisnin faqeve.
Kësisoj ai, së bashku me djaloshin Tiranas, nuk më lanë mua t'a çoj atë masë të valëzuar llamarine që, mund të kishte një shekull tek ulej e ngrihej dhe siç  vetëkuptohet, fluturoi lart. Veçse, po kaq shpejt, im bir
u hodh në banak për të kërcyer përjashta tij me diskun tanimë në dorë tejet i kënaqur.
- Ky disk, vërtet t'i mbush duart, baba, - më tha ai. Sot s'mbahet mënd sa copë kemi shitur, se dje erdhën nga Tirana; dhe, si ia la në pëllëmbë tjetrit, të cilën e kishte sa një panxhë, shtoi: - e ke dhoro prej meje, - por, që blerësi të mos diskutonte, gjeti edhe shkakun: - Mos m'a kundërshto se sot, o dita e parë e vitit të dytë qi ina bo me dyqan. Kjo është dhurata e fundit.
- Gja demek, qenka dita e të falmeve sot, a si?
Ne të gjithë qeshëm, madje edhe me tepri.
Tiranasi vazhdoi:
- Fisniku po për herë ama, thotë moma jem, o burrë në moshën e babës tem, e gjen përherë vjegën. Mirë pra, ja po e marr e na i boni hallall se. . . .
- Se? - e pyeti im bir.
- Sot, - tha tiranasi, - o gjithashtu edhe dita e parë e vitit të dytë që shokut tim, i ka. . . , ( dhe ai e ndali frymën përpara se të shqiptonte, çfarë i kishte ndodhur). Si njeri i integruar në botën greke, nuk pohoi që tjetrit i ka vdekur NËNA,  siç mund t'a thoshte po të ishte në Shqipëri, por përdori eufemizmin,  atë që në greqisht thuhet rëndom dhe tingëllon më e pranueshme):
ka marrë udhën për në udhëtimin e gjatë te ZOTI, nona e tij.
- Të rrojë vetë e t'i rrojnë të gjithë të dashurit. Edhe ty gjithashtu, o djalosh!- thashë unë më tepër për t'ia përkëdhelur sedrën se, qëndrimi dhe gjuha e tij, ndonëse në dialekt, ishte tejet e kuruar deri në ngashnjim dhe të grishtte t'a dëgjoje.
- Faleminderit
- Dhe?
- Dhe e kina da mendjen të qajmë së bashku për momat tona me diskun e Merit's, se na dogji malli. Ina pa KARTA e sun të bojmë gjo: as tërpo e as tërma. Ina në hava.

Unë mbeta pa fjalë, por duhej dhënë kurajo, ndaj thashë.
- Durim, o çun e mos e lëshoni veten. Që do të qani sot, iu bën mirë. Nesër do të gdhiheni më të hovshëm.
Por, ende s'e kisha mbarruar fjalën, kur nga manjetofoni i makinës së tim biri, ngrijtur në kup të qiellit, buçiti zëri i Merita Halilit me këngën aq rrënqethëse.

              Më ka marrë malli për nënën time, 
              Ju, o shokët e mi, 
              Më ka rritur me thërrime, 
              Si t'ia boj s'e di. . . 

Jo vetëm tiranasi, por plot shqiptarë të tjerë ndaluan pranë makinës sonë si të mbërthyer nga tingujt, derisa mbaroi KËNGA PËR NËNËN dhe sheshi pa e kuptuar qe kthyer në një, vënd tejet solemn, si të të luhej Hymni i një Cermonije Qiellore.

Ne u nisëm për në shtëpi dhe na dukej sikur po rrugëtonim për në Galaktikë. . .
Në kronikat e mbrëmjes në TVSH (satelitor), u dha një lajm tejet tronditës.: 
Një nënë operonte njërën veshkë për t'ia dhënë të birit tek i cili, edhe e vetmja veshkë e tij qe thërrmuar e duhej kryer transplanti i saj.

Ajo darkë, jo vetëm nuk u festua, por çdo gjë që futëm në gojë,
se ishim tejet  të lodhur, kishte shijen e kripës.

SOTIR ATHANASI, 
Shkruar në: 
Rruga ALIPEDHU,  4, 
Dhjetor, 2010, PIRE, 
Rired. Dhjetor,2017! 

Shkrim me shkas i fundvitit 2017-të : Skënder Tafaj, portreti i roleve të fuqishme në teatër e film

Skënder Tafaj, portreti i roleve të fuqishme në teatër e film
Skënder Tafaj binte në sy me fizikun e diksionin e jashtëzakonshëm, dhe nuk do të kursente asgjë nga vetja për ta perfeksionuar një rol në ekran a në skenë.

https://www.youtube.com/watch?v=ZK679FbBz2U

Krejt këto e kishin bërë një prej liderëve të teatrit epik në Kosovë, derisa potenciali i tij paralelisht do të pasqyrohej edhe në artin filmik. Fundi i viteve ‘80 do të shënonte një kthesë në jetën e tij, kur si aktivist për çështjen kombëtare u përndoq nga Serbia dhe u detyrua të largohej nga vendlindja, gjë që ia kushtëzoi edhe fundin e krijimtarisë së pasur artistike.
Këto janë rrëfimet më të përbashkëta që kanë kolegët e miqtë e aktorit, Skënder Tafaj, i cili vdiq të shtunën në moshën 69-vjeçare. Aktori, i lindur më 1948, u varros në fshatin Isniq, të dielën, pas një mbledhjeje komemorative që u mbajt në Deçan.

Biografia e Tafajt numëron role të shumta në disa prej projekteve më të rëndësishme të historisë teatrore e kinematografike të vendit, përfshirë shfaqjet “Revizori”, “Miza në vesh”, “Hotel Kashta”, “Makbethi”, “Një nuse per Stasin”, “Trungu ilir”, “Hamleti”, “Gof”, “Verbimi i Samsonit”, “Varri i qyqes” e filmat “Gjurmët e bardha”, “Kur pranvera vonohet”, “Era dhe lisi” e të tjerë.

Lajmi për vdekjen e tij nga komuniteti artistik është konsideruar humbje e madhe. Miq e kolegë të tij kanë ndarë kujtimet për Tafajn, i cili më 2012 për herë të fundit u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës...(Koha ditore)

Qëlloi kryeministrin shqiptar Edi Ramën me këpucë në mes të parlamentit, flet Kryemadhi: Ja pse e bëra


Përleshjet dhe trazirat në parlament ditën e sotme duket se kanë nxjerrë në pah një anë të panjohur të Zonjës së Parë të vendit, e cila u shfaq duke hequr këpucët dhe duke qëlluar Kryeministrin Edi Rama.

Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka sulmuar Ramën edhe verbalisht, duke e quajtur plehrë dhe duke deklaruar se ai është futur tashmë në gjak me rininë.


Por e ftuar në “Tonight”, ajo ka shpjeguar pse vendosi të qëllonte Kryeministrin me këpucë në mes të parlamentit

Sipas saj gjithçka ndodhi për fajin e zotit Rama:

Pse duhej shkelur Kushtetuta sot? Është një arrogancë e z. Rama për t’u thënë shqiptarëve që unë nuk pyes për ju, ose jeni skllevërit e mi dhe unë e di se çfarë do të bëni. Manipulimi është i jashtëzakonshëm”.
Kryemadhi ka komentuar edhe deklaratën e Ambasadës Amerikane pas përleshjeve në Parlament, duke thënë se e sheh si një reagim në mbështetje të opozitës.



Por ajo ka lëshuar gjithashtu akuza të forta në drejtim të Kryeministrit.

Kryeministri Rama ka ngritur një staf në kryeministri, i cili merret me manipulimin e opinionit publik, përfshi këtu edhe trupin diplomatik.
Nga 128 punonjës në kryeministri, kur Berisha la detyrën, sot janë 1200 punonjës pjesë e stafit të Kryeministrisë.

Rama eshte mjeshtër i manipulimit. Komuniteti ndërkombëtar është një nga faktorët më të manipuluara nga strukturat e shtetit”. Kështu ndodhi edhe me çështjen e drogës”.



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...