Nga Dëfrim Cani
Për të pasur një lloj reference, jo plotësisht estetike por reflektuese, që lidhet me leximin që unë i kam bërë romanit të z. Fatmir Halimi, titulluar “Dy vdekjet e një jete” e kam titulluar diskutimin në mënyrën sintagmatike, Fatmir Halimi drejt një individualiteti të prozës bashkëkohore, ku bie në sy pjesa përmbyllëse e saj drejt një individualiteti të ndërtuar mirë artistikisht. Është një element paksa i guximshëm, pasi raporti i shkrimtarit me krijimtarinë e tij, me llojin e krijimit, me kohën e të shkruarit, dhe kohën e botimit është i kushtëzuar subjektivisht dhe objektivisht. Kësaj qasje unë do t’i referohem jo mbi trajtimet tradicionale të leximit të prozës. Romani “Dy vdekjet e një jete” e dyzon lexuesin për shkakun e një oksimoroni të brendshëm që ai ngjall që në titullin e tij, sepse normalisht në jetë nuk ka dy vdekje, por pikërisht këtu fillon “qerthulli” në të cilin zihet lexuesi që në momentin e parë. Duket qartë se ky “mekanizëm” estetik ka qenë i racionalizuar të jetë i tillë, për shkakun e subjektit të ngjeshur, i cili është ngritur mbi një detaj interesant që lidhet me një ngjarje të njohur historike, por që në roman është shtruar me detaje të tjera. Astrit Gashi një luftëtar ëndërrimtar, artist në shpirt e profesion, ëndërrimtar për jetën dhe të ardhmen, është radhitur në radhët e luftëtarëve të lirisë. Në betejën e njohur të Kosharës, për shkakun e ashpërsisë së luftimeve, humbjeve të shumta, mendohet se Astrit Gashi ka humbur jetën. Në këtë pasaktësi “pajtohen” të gjithë, madje dhe Valbera, njeriu më rëndësishëm i luftëtarit Astrit Gashi. Madje në Koshare Astrit Gashit i është ngritur varri, si shenjë kujtese dhe përjetësie. Në të vërtetë Astrit Gashi i vërtetë nuk është në varr, po diku në sfidën e mbijetesës.
Deri në këtë moment romani ka pjesën historike. Më pas, autorit i është dashur të ndërtojë një strukturë komunikimi të ngritur mbi copëza, minidetaje dhe raporte të brendshme të personazheve, cilësisht të evidentuar, e nga ky moment romani i Fatmir Halimit është ngritur i tëri mbi një strukturë psikologjike. Romanet e kësaj natyre lexohen me një frymë, janë tërheqës çlirues dhe emocional për shkakun e një “fikëshëni” të brendshëm, por janë shumë të vështirë për tu shkruar. Këto lloje romanësh më kujtojnë shkrimtarin e së ndërtimit artistik Samuel Beketti, i cili zakonisht përdorë një racionalitet të pa cenueshëm të një subjekti, personazhesh dhe definicioni.
Nuk është në detyrën e kësaj qasje të shkurtër për tu marrë me subjektin as karakteristikat e personazheve, as pse në roman nuk triumfon bashkimi i Astrit Gashit me Valberën si një model kryedashurie, përkatësisht si kryesakrificë, por profili i një krijuesi me një shqisë psikologjike është një gjë e mirë. Autori ka zgjedhur këtë zgjidhje tragjike për personazhin e romanit, duke dëshmuar ekuilibrin dhe vazhdimësinë e jetës përmes ligjit universal, që justifikohet me titullin e romanit “Dy vdekjet e një jete”.
Dua të jem optimist për koutimin progresiv të individualitetit të shkrimtarit Fatmir Halimit edhe në prurjet e tij të ardhshme në prozë. Një roman me qasje delikate psikologjike, si ky që ka në dorë lexuesi është një sprovë e mirë për letërsinë tonë.