2017-12-19

Shkrim me shkas: Presionet dhe problemet në Prokurimin Publik, temë diskutimi në “Puls”




Në emisionin “Puls” të KTV-së, sonte u diskutua për problemet në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik nga Basri Fazliu, ekspert në OSHP, gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Isuf Zejna nga Demokracia + dhe Arton Demhasaj nga organizata ÇOHU.

Basri Fazliu, ekspert në OSHP, ka thënë se presionet e operatorëve ekonomikë dhe policisë janë të padurueshme “duke filluar nga marrja në pyetje dhe jemi lodhur... vetëm me ik nga ky vend i punës”.


Presionet dhe problemet në Prokurimin Publik... by kohanet
Fazliu ka treguar se në çfarë presioni punojnë zyrtarët e OSHP-së nga ana e operatorëve të fuqishëm. Ai thotë se pas çdo vendimi të OSHP-së, jepet konkluzioni ku thuhet se për çdo pakënaqësi të vendimit të OSHP-së mund të ankoheni në gjykatën kompetente.

“Këta operatorë shkojnë në Policia e Krimeve Ekonomike dhe në Prokurori dhe aty fillon presioni. Vet fakti kur të thërrasin policia është presion sepse të marrin në pyetje për një rast të caktuar. Kolegët e mi janë ftuar shpesh në intervistim nga policia, unë ende s’jam intervistuar kurse kolegët e mi po janë marrë shpesh në pyetje. Unë e shoh këtë si formë presioni sepse kundër vendimeve të OSHP-së duhet të ju drejtohen gjykatës e jo të merren në pyetje zyrtarët e OSHP-së nga policia e krimeve ekonomike dhe prokuroria”, ka thënë Fazliu.


Presionet dhe problemet në Prokurimin Publik... by kohanet
Ai tha se ky është presion i drejtpërdrejt dhe shtoi se deri më tash nuk kanë pasur asnjë mbrojtje nga shteti.

Sipas tij, ka interesa të operatorëve tepër të fuqishëm ekonomikë. Ata, thotë Fazliu, me çdo kusht dëshirojnë të marrin tenderin apo kontratën “dhe aty edhe fillon presioni”.

Fazliu tha se janë duke e menduar edhe mundësinë e largimit nga ky institucion sepse, siç u shpreh ai, “nuk mundemi të punojmë më në këtë gjendje”.

E ftuara tjetër në emision, gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj ka thënë se shpesh kemi përshtypjen se OSHP-ja e rrit pazarin e kompanive private.

“Në kohën kur është ndonjë tender i madh, mendoj se OSHP-ja bëhet hisedar në penalizim të disa kompanive në bashkëpunim me policinë e krimeve ekonomike. Kam raportuar sidomos për tenderët në Ministri të Shëndetësisë. Kam raportuar për një kompani konkurrente që ka pas gjasa të fitojë tenderin, por Policia e Krimeve Ekonomike ka nis hetime kundër asaj kompanie dhe ato hetime kurrë nuk kanë përfunduar as nuk është ngritur aktakuza. I kam të dokumentuara që nuk kanë pasur urdhër prej prokurorit. Vet policët e krimeve ekonomike që kanë interesa familjare shkojnë shantazhojnë institucionet, për t’i frikësuar”, ka thënë Ramaj.


Presionet dhe problemet në Prokurimin Publik... by kohanet
Gazetarja e “Kohës Ditore” ka folur edhe për arrestimin e Mursel Rracaj, shefi i Autoritetit Qendror të Prokurimit, duke thënë se ai person është arrestuar “pikërisht vetëm pse ka dashur t’ia shpëtojë 2 milionë euro buxhetit të shtetit”.

Basri Fazliu, zyrtar i OSHP-së, tha se kur bëhet fjalë për mashtrimet nga ana e operatorëve, mashtrimet më të mëdha nga kompanitë vendore bëhen tek autorizimet që i marrin nga kompanitë e ndryshme botërore, sidomos nga Kina.

“Falsifikojnë emailin, vulën dhe të gjitha... dhe është problem për verifikim. Ne si OSHP nuk kemi mundësi t’i zbulojmë këto gjëra. Për këto janë të thirrura prokuroria dhe policia”, theksoi Fazliu.


Presionet dhe problemet në Prokurimin Publik... by kohanet
Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, i ftuar në “Puls” për të biseduar mbi temën “Problemet në Prokurimin Publik”, ka thënë se dobësitë kryesore në prokurimin publik janë specifikimi teknik.

“Shpeshherë vendosja e kritereve të caktuara apo specifikimeve teknike kanë bërë që të orientohen fituesit, ose ka ndodhur që një specifikim t’i përjashtojë krejt nga gara. Kemi shpesh kritere të pamatshme në evaluim të tenderit. Këto janë disa nga dobësitë që i kemi hasur”, u shpreh Hoxha.

Kurse Isuf Zejna nga Demokracia +, tha se raporti i tyre për OSHP-në ka gjetur shumë mangësi.

“Gjatë monitorimit që i kemi bërë si OJQ, del se 30% të rasteve, pra të rekomandimeve të ekspertëve, hedhen poshtë ose merren vendime në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve të OSHP-së. Nga 47 ekspertë të jashtëm të OSHP-së, vetëm 3 angazhohen gjatë gjithë kohës nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si p.sh. Muhamet Kurtishaj ka më së shumti lëndë, i ka 30 lëndë në vitin 2016, Z. Qazim Hoxha 22 lëndë, Zenel Hisenaj 9 lëndë. Këta tre ekspertë angazhohen më së shumti për çështje teknike”, tha Zejna.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, sipas Zejnës, merr shpesh vendime që nuk janë konsistente.

“P.sh. tenderi për Kuvendin e Kosovës dhe Komunën e Prishtinës për çmime jo normalisht të ulëta, tash këtu kemi vendime kontradiktore të OSHP-së. Njëri institucion ka vazhduar të lidh kontratën kurse tjetri e ka anuluar për shkak të çmimit të ultë. OSHP që të dyve ju ka thënë që e keni gabim, pra të dytë nuk munden me pas gabim”, u shpreh më tej ai.

Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare ÇOHU, ka theksuar se korrupsioni më i madh lidhet me prokurimin publik.

“Ne i kemi analizuar krejt tenderët dhe kemi arritur në përfundim për lidhjet mes partive politike dhe bizneseve. Partitë politike që kanë ardhur në pushtet, bizneseve të afërta ju kanë dhënë shumë tenderë dhe ato biznese kanë krijuar kapital. Disa nga këto kompani kanë krijuar monopol në treg për shkak të fuqisë ekonomike dhe është e pamundur që bizneset tjera të futen në treg për shkak se kanë mungesë të kapitalit”, u shpreh Demhasaj.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...