2017-12-25

UP-ja e humbi betejën me Kishën Serbe vetëm pse neglizhoi seancat gjyqësore



Përfaqësues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk kishin marr pjesë në seancat e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të paraqitur fakte me të cilat do të vërtetohej se Universiteti i Prishtinës është pronar i pronës me sipërfaqe prej mbi 4 hektarësh në Prishtinë, ku aktualisht gjendet kisha ortodokse serbe “Sveti Nikolla”. Mbi këtë bazë Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore për hedhjen poshtë të padisë nga ana e UP’së kundër Kishës Ortodokse, të bërë qysh në vitin 2012.
Në fillim të vitit 2012, Universiteti i Prishtinës kishte filluar procedurat e padisë kundër kishës ortodokse “Sveti Nikolla” në Prishtinë për uzurpim të 4.27.16 hektarësh tokë dhe ndërtim të kishës në pronën universitare.
Universiteti kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që t’ia njohë të drejtën pronësore dhe ta detyrojë Kishën Ortodokse Serbe që t’ia kthejë këtë pronë universitetit.
Dy vite më vonë Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte konsideruar si të tërhequr padinë e paditësit Universiteti i Prishtinës, kundër te paditurës Kisha Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” në Prishtinë, për vërtetim pronësie.
Gjykata kishte vlerësuar se paditësja (UP) nuk ka prezantuar në seancën kryesore, për kundër faktit se ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, duke u bazuar ne nenin 423.3 të LPK.
Neni 423.3 thotë shprehimisht se nëse paditësi nuk vjen në seancën kryesore dëgjimore edhe pse është thirrur rregullisht, konsiderohet se ai ka hedhur poshtë akuzat, përveç nëse paditësi deklaron se ai kërkon që procesi të vazhdojë në mungesë të tij / saj.
Madje mungesën në seancën e datës 17.11.2015 dhe me date 18.11.2015 përfaqësuesja e Universitetit të Prishtinës në këtë çështje, e kishe arsyetuar me protestat e disa dhjetëra punëtoreve para ndërtesës së rektoratit. Këto arsyetime, kjo gjykate i konsideroi si te pabazuara, duke vlerësuar se kjo nuk ishte pengese qe ata te mos marrin pjese ne seance.
Edhe përkundër mungesës së përfaqësueseve të Universitetit si pala paditëse në seancat e Gjykatës, UP kishte vendosur të ankohet ndaj këtij vendimi, për shkak të siq i quajti, shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, duke propozuar që gjykata e shkallës së dytë, të aprovojë në tërësi ankesën si të bazuar, kurse aktvendimin e ankimuar ta prishë dhe lëndën ta kthej në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.
Këtë ankesë e ka hedhur poshtë të hënën Gjykata e Apelit duke e vërtetuar vendimin e shkallës së parë.
“Gjykata e shkallës së dytë vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së pare e aprovon në tërësi si të rregullt dhe të ligjshëm”, thuhet në aktvendimin e publikuar të Gjykatës së Apelit.
Vendimi i apelit bazohet në shkresat e lëndës dhe procesverbalet mbi shqyrtimin kryesor në të cilat vërehet se paditësja ka qenë e ftuar në mënyrë te rregullt për të prezantuar faktet, por që mungesat e saj nuk kanë qenë të arsyetuara.
I kontaktuar nga Gazeta Express, Rektori i Universitetit, Marjan Dema nuk ka dashur ta komentoj vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit, duke thënë se të gjitha këto zhvillime kanë ndodhur kur ai nuk ka qenë në pozitën e Rektorit të Universitetit.
Gazeta Express ka pyetur edhe Sekretarin e përgjithshëm të Universitetit, Esat Kelmendin për arsyet përse përfaqësues të UP’së nuk kanë marr pjesë në seanca, por ai nuk është përgjigjur, duke njoftuar se sot do të mbaj një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me këtë çështje.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...