2017-12-25

Nga Muharrem Blakaj : EKSKLUZIVE| Der Spiegel: Rrëfim për atentatin mbi Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën 1982



Nga Muharrem Blakaj
Vrasës të panjohur i vranë në afërsi të Heilbronnit tre jugosllavë. Për autoritetet shtetërore gjermane kjo masakër është kulm i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllavë dhe kundërshtarë të pushtetit luftojnë mes tyre.
Pas kroatëve në ekzil si duket qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve në ekzil që vijnë nga Republika e Kosovës. “BMW”-ja e gjelbër 316 dilte nga garazhi. Shoferi nuk donte ta kthente veturën në borë dhe vazhdon të vozisë prapa deri te udhëkryqi, diku rreth 40 metra. Kur ndalet vetura, nga një vend ndërtimi dikush lëviz nga krahu i djathtë i veturës dhe qëllon nga një distancë 3m në brendi të veturës. Një njeri i dytë gjuan gjithashtu dhe shikon pastaj në veturë për t`u bindur se a ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët e frikësuar nga krismat i shohin dy burra duke ikur.
Ishte shqetësuese ajo që kanë parë banuesit e komunës së Untergrupenbahut të Hailbronit: Vetura vazhdonte të uturinte sepse shoferi e kishte këmbën ende në pedalin e gazit. Pastaj ai e lëshon si duket fraksionin dhe vdes. Kështu që vetura vazhdon të ecën deri sa i mëshon një garazhe përballë.
Vetura ndalet, motori fiket dhe mjedisi qetësohet. Policia ka gjetur në veturë: Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, jugosllav, i goditur nga 6 plumba, qëndronte i vdekur pas timonit, bashkudhëtarin e tij, Kadri Zekën, 28 vjeç, i vrarë nga 2 goditje me plumba në trup, dhe Vëllain e shoferit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga 2 goditje me plumba. Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt u dit edhe drejtimi i tyre politik: jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autorët e vrasjes pati shënime. Në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë: „Neve na vrau UDB-ja1“– policia sekrete jugosllave. „“
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoleta të kalibrit 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: „E tëra dukej si pas një ekzekutimi.“ Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgarti Siegfried Hübner – duhet qëlluar me katër plumba; „tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj ri gjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse. Edhe kjo flet për UDB-në.“ Që shumë vjet grinden shërbimi sekret jugosllav dhe kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme. Në shumë raste, jugosllavët në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë së tyre. Beogradi reagonte në krim dhe terror gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Skenë e Shoot-out-it ballkanik ka qenë kohë pas kohe Republika Federale e Gjermanisë dhe policia ka qenë deri më tash e pafuqishme për t`i dhënë fund kësaj veprimtarie, edhe kur përgjegjësit kanë dalë në shesh. Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional – dhe i lufton ato. Sidomos kroatëve që janë jashtë ua kanë drejtuar pistoletat vrasësit e shërbimit sekret. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit.
Për shembull: Kur shkëputet kroati Franjo Goreta nga shërbimi sekret jugosllav me detyrë për vrasje në Republikën Federale Gjermane dhe e vranë një oficer udhëheqës, Beogradi e nis një komando menjëherë për ta likuiduar atë. Ende se kishte kryer dënimin Goreta , kur njerëz të UDB-së ndërmorën një atentat, në të cilin Goreta shpëtoi për pak. Në procesin e këtij akti gjyqtari dërgoi një apel deri më tash të kotë drejt Bon-it. „Nuk mund të lejohet që në vendin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja për t`i zgjidhur problemet e tyre të brendshme.“ Krahas kroatëve tashmë në shënjestër të shtetit jugosllav janë edhe shqiptarët. Që nga pranvera e fundit kur shqiptarët rezistuan në provincën jugosllave në Kosovë, ku u bënë trazira të përgjakshme, Beogradi i ka zbuluar shkaktarët jashtë vendit: Prej shtetit shqiptar fqinj dhe prej shërbimeve besnike komuniste dirigjohet konflikti, mirëpo edhe nga Republika Federale Gjermane, siç thonë politikanët e Beogradit.
Në fakt vetëm në Baden-Württemberg jetojnë diku 2000 shqiptarë, shumica prej tyre me strehim politik. Lidhur me aktivitetet e tyre shpeshherë u ankua konsullata e përgjithshme në Stutgart. Për
shembull, në pranverën e 1981-shit demonstruan shqiptarët në një demonstratë jo të rëndësishme, në të cilën ata kërkuan ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ndërkohë demonstruesit e diktuan se dikush nga një shkollë jugosllave po i fotografonte, hynë disa brenda dhe pos fotografit ata e takuan edhe konsullin e përgjithshëm jugosllav Branko Dimitrijevic. Ata ua morën filmin, të cilin më vonë u detyruan ta dorëzojnë në polici.
Kjo mund ta ketë lidhur një zinxhir vdekjeprurës, se njëri prej të cilëve kishte hyrë në atë shkollë dhe të cilin me siguri e kanë fotografuar, ishte Bardhosh Gërvalla, ngasësi i veturës, i vrarë pranë Hailbronit. Gërvallajt kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai Jusufi i cili para pak kohe i kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se ishte për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë sipas njoftimeve të policisë edhe redaktor i gazetës „Zëri i Kosovës“ në ekzil. Bardhosh Gërvalla kishte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëmarrësit jugosllavë, në Solitudestraße 44, në Ludwigsburg. Bardhoshi ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, ka qenë aktiv sidomos në legjislacionin e punës për bashkëkombësit e tij. Koka politike e vëllezërve ka qenë si duket Jusuf Gërvalla.
Sidomos ai fajësohej nga konsullata e përgjithshme jugosllave të jetë anëtar udhëheqës i „Fronti të kuq“ që luftonte kundër qeverisë jugosllave. Kjo organizatë ishte aktive, deri më tash, vetëm në Jugosllavi dhe po aq pak, si grupe të tjera kosovare u shfaqte në raportin vjetor të ministrisë federale për mbrojtjen e kushtetutës. Edhe Jusufi ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, duhet të kishte qenë bashkëbotues i gazetës së ndaluar në Jugosllavi „Zëri i Kosovës,“ për të cilën ai punonte nga vendbanimi i tij. Kadriu, gjithashtu gazetar, ishte bashkëpunëtor kompetent i të njëjtës revistë. Në murin e jashtëm të shtëpisë së vëllezërve në „Auf der Habichtshöhe 40“ e kishin varur, në shenj pikëllimi, një flamur në gjysmështizë të kuq me një shqiponjë dykrerëshe dhe një yll – ngjyrat e Kosovës dhe njëherësh flamuri kombëtar i Shqipërisë./FMimages Albania.
Titulli origjinal nga gazeta: Der Spiegel, 25 janar 1982 E TËRA DUKEJ SI PAS NJË EKZEKUTIMI.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...