Nga Fritz RADOVANI:
AT PJETER MESHKALLA S.J.
(1901 – 1988)
1952 SHQIPNIA – NJË COPË TOKË E RRETHUEME N’ TELA ME FERRA!
Oborre burgjesh e hetuesishë gjithkah të rrethuem në tela me ferra... Mbi muret e nalta të veshun me tela me ferra shihej një kabinë drrasash, me një shkallë druni – truproja e burgut ose e hetuesisë... Dritare të mbylluna mos me u ndigjue virrmat nga torturat!
26 Burgje dhe hetuesi kishte vetem Shkodra në atë kohë tmerri e terrori.
Shifra e pergjithshme në gjithë Shqipninë nuk duket se do të botohet ndonjëherë ashtusi, shifrat e të vdekunve nder tortura dhe burgje apo të pushkatuem e të zhdukun...
Sa kampe pune dhe shfarosje, interrnimi apo dëbimi kishte ky burg në zemren e atij kontinenti të quejtun Europë, ku gjaku shkonte rrëkajë e telat me ferra shkonin ma larg se nder gropat e mjerueme të Siberisë, mbushë me Eshtna të Popullit masakruem Rus!
Askush nuk di as s’ flet. Kujtojnë vetem turmat që kalonin pranë shtatoreve të rrethuem me roje të armatosuna tue brohoritë “Enver, Tito, Stalin, Dimitrov, Mao Ce Dun...”
Ngarkue me strajca e plaçka per njerzit e tyne të dashtun nder kampet e kudondodhuna.
E rrugat me pluhun ktheheshin në baltë nga lotët e Nanave e të Motrave të Tyne!
Shpesh kam mendue me vete: “A këndonte kush nder këta labirinte vrasjesh?!” ...
Kur u pat lirue vllau Alfonsi, nga burgu heren e parë e pata pyet dhe, më pat tregue se nder hetuesi nuk kishte ndigjue kangë perveç virrmash nga torturat, ndersa nder kampe pune po, kujtonte të parin kangtar shkodranë, muzikantin e njohun Gac Çuni dhe, se ka pasë rasë që shperthente ndonjëherë nga merzia edhe Don Mark Hasi...
Tregonte se nder kanale rrallë ndigjohej kangë prej dishprimit, dhe shpesh kishte rasa që kangtari dënohej me qendrim nder biruca, ku edhe uji u jepej me pikatore, duhani jo se jo, po edhe ushqimi zbriste në buken e thatë pa asgja tjetër...
Çudia ma e madhe per vllaun asht kenë kur ka ndigjue tue këndue në një kamp tek Ura Vajgurore, në Berat At Pjeter Mëshkallen, të cilin unë atëherë s’e njihshe!
Kampet e punës apo të shfarosjes së shteteve komuniste ishin si fundi i ferrit...
Në fundin e ferrit në atë kamp ku ishte edhe At Pjeter Mëshkalla, ndoshta, ndokush nuk e beson, por asht ma vështirë me ba të tjerët me këndue, se me këndue Ai vetë, pra, bash me 24 Dhjetor 1952, Natën e Krishtlindjëve, janë dëshmitarë djelmoçat e rijë të asaj kohe, bashkvuejtës në kampin e të burgosunve numur 1, tek Ura Vajgurore në Berat, që bashkë me mësuesin e tyne kënduen me zâ të lehtë “Stille Nacht”, madje, shumë lehtë, se me zâ ma të naltë mund t’u “prishej” qetësia policëve, që aq iu donte, e kush e di se çfarë mund të vinte n’ atë Natë të Madhe Feste prej drite!..
***
1990...Ishe me një gazetar anglez ndër varrezat e Rrëmajit, pak ditë mbas hapjës së Kishave, kur papritmas afrohët një vajzë e re dhe më kërkon me folë me gazetarin.
Fol, i thashë, se nuk të ndalon kush ma me folë me té, po a din ti me folë anglisht?
–Po, m’u përgjegj ajo, dhe menjëherë filloi me i folë rrjedhshëm gazetarit. Ajo i tregoi atij kënaqësinë që ndjente për hapjen e Kishave në Shqipni nga Don Simon Jubani, edhe pse ajo vetë ishte le mbas mbylljes së tyne, në vitin 1970. Ajo i foli për bindjen e plotë që kishte prej kohësh, se do të vijnë kjo ditë sepse, kur e pyeti gazetari si të asht krijue kjo bindje, vajza, me krenari, ju përgjegj: “Unë e dijsha se do të hapën prap Kishat në Shqipni, madje edhe shpejt, se këte ma ka thanë Mësuesi em At Pjetër Mëshkalla. Unë jam kenë nxanëse e Tij. Ai më ka mësue fshehtas uratët e para, katekizmin. Ai më ka kungue sëpari.
Madje, Ai më ka mësue edhe anglishtën tue më nxitë se ka me tu dashtë njëditë dhe, qé, sot po flas me ju! Unë jam krenare, sepse kam kenë nxanësja e fundit e Tij.
Prej Tij kam mësue moralin fetar katolik, prej Tij kam mësue çdo gja të mirë, se vetëm mirë dinte me mësue At Pjetër Mëshkalla!”.
“Se Berat, se Berat...”, e kanga vazhdon...
65 VJET PERPARA... TEK URA VAJGURORE... “STILLE NACHT”...
Gjurmët e Njerzëve të Mëdhej nuk shuhen kurrë... Edhe pse nuk i bajnë “Shejten”...
At Pjeter Mëshkalla gjurmët e veta të pashlyeshme i la tek e gjithë Rinia Shqiptare!
Melbourne, 22 Dhjetor 2017.
*****
Alban Guri: Padër Pjetër Meshkalla S.J. meshtar katolik, atdhetar i lartë
(Ai na mëson arsyet për të cilat duhet me folë e jo ato për të cilat na duhet me heshtë)
Në gjyq Ai deklaroi: “S’parit kur linda kishe vetëm nji emën. Ky ishte emni Shqiptar, sepse linda prej prindve shqiptar, mandej u pagëzova e më vuene emnin Pjetër, më quejten katolik e mbas sakramendeve të tjera u bana ushtar i Krishtit e i Papës, Mëkambsit të Krishtit në tokë. Pra, ma parë se me marrë të gjithë emnat tjerë, emni i parë që kam marrë në këtë tokë dhe kam mbajt me nder, asht qenë emni shqiptar.” Ky episod është i mjaftueshëm për të treguar se sa Atdhetar ishte Padër Meshkalla. Ai që në moshë të re i shpreh mendimet e tij me artikuj, vjersha, etj.., duke shkruar në revistën “LEKA” që nga viti 1925. Atdhetarizmin e tij Ai e shpreh veçanërisht në 50 vjetorin e Kolegjit Saverian në Shkodër: O i Lum, bekimet mi ne po shprazi e burra nderi për Atdhe na ban! Ky burrë shqiptar dhe meshtar katolik e filloi rrugën e tij dritëdhënëse në kuvendin e Jezuitëve, në fillim të shekullit të 20-të, në qelën e ftohtë e pa zjarr të kuvendit, ditëve të dimrit, dhe pas dëshmive të pashembullta që u dha gjithë breznive shqiptare, e mbylli atë plot Lavdi në 28 korrik 1988 në moshë 87 vjeçare.
Si klerik Ai do ta përkufizonte klerin katolik shqiptar kështu: “Kleri katolik shqiptar asht kleri ma heroik që ka për me cilsue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesqind vjet robnie nën Turqi, po të merret historikisht prej 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri më 1944 kur këtu erdhën në fuqi komunistat, tue lanë menjanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi) jan vetëm 30 vjet mundësi, për të formue nji kler shqiptar, e për 30 vjet me nxjerr aq heronj sa kemi nxjerr na, nuk asht asnji kler në botë.”
E në fakt shumë heronj nxorri Shqipëria prej pavarësisë së saj. Pothuajse të gjithë ata që e deshën Shqipërinë të pavarur, ishin të lidhur me fenë e Krishtit dhe flamurin e Kastriotëve. Ata iu dedikuan me mish e me shpirt, dhuruan jetën e tyre, vitet e bukura të rinisë, pasurinë e tyre materiale apo atë intelektuale e shpirtërore. Padër Meshkalla e donte shumë rininë. Punonte pa u lodhur dhe gëzohej me ta. Në qendrat “Shën Gjon Bosko” themelue në 1934 në Shkodër dhe atë të “Shën Pjetrit” themelue në 1937 në Tiranë, ai bani nji punë të madhe me të rinjtë, sidomos kundër ideve komuniste e ateiste që po përhapeshin asokohe në Shqipni. Gjatë vitit 1940, pasardhësit e Gjergj Kastriotit, dy meshtarët shembull i vyer patriotizmi, Padër Pjetër Meshkalla sëbashku me Padër Gjergj Fishtën, në famullinë ku Padër Meshkalla shërbente në Tiranë, u mësojnë të rinjve që të mos përshëndesin me mënyrën fashiste. Për kët motiv ai konsiderohet i padëshirueshëm nga autoritetet e kohës. Prej tij nxansit dhe besimtarët do t’mësonin dhe ndëgjonin vetëm himne atdhetarie e dashurie për Krishtin. Padër Meshkalla besonte shumë tek rinia, deri aty sa të fliste gjithnjë në mbrojtje të saj, qoftë edhe kur i duhej të përballej me fshatarët e kuq sllavo-komunist. Në një episod që ndodhi gjatë burgimit tij, dokumentat thonë se ai reagoi kështu: Drejtori i burgut i kërkoi që të angazhohej me përkthime, por Padër Meshkalla i fortë e i palëkundun si gjithmonë nuk pranoi duke thanë:- Nuk mund t’i jap as rinisë e as pleqve me dorën teme helmin e marksizëm-leninizmit, kundër të cilit kam qenë gjithë jetën time. Atëherë ata e pyesin: – Çfar pune din me ba ti? Ai u përgjegjet: – Vetëm meshtar! Po tjetër punë? – e pyesin ata. Asgja!– u përgjegjet ai… Vetëm me thanë meshë. Po mbas meshet, me çfarë pune je marrë në shtëpinë tande? – e pyesin ata. Jam marrë me lulet! – i përgjigjet ai. Edhe në vuajtje shpirtërore e fizike ai dinte të sfidonte me takt dhe ironi xhelatët. Sistemin e urryer komunist ai e përkufizoi vetëm me një fjali të shkurtër por shumë domethanse:
Njerëzit janë të lidhun prej kafshatës së gojës! Pikërisht kjo po ndodh edhe sot, kur grupimet drejtuese në politikë po mundohen t’i mbajnë njerëzit të lidhur prej kafshatës së gojës, duke u munduar kështu të shkelin e të përdhosin dinjitetin e individit, të cilin Krishti e ngriti lart me Lavdinë që fitoi mbi Kryq.
Atyre që e dënuan, Padër Meshkalla iu tha:
Më dënoni sa të doni, mbasi nuk keni se ç’të më bani. Unë prap se prap do dal sepse ju shpejtë keni për të mbarue, mbase shoqi-shoqin keni me hangër e aty asht fundi juej! Feja e Krishtit s’mbaron kurrë!
Po të ishte gjallë, Ai kështu do t’u drejtohej edhe drejtuesve të sotëm që shumë të ndryshëm nuk janë nga ata të djeshmit. Sipas Tij, të papenduarit e sotëm, tek ecin moskokëçarës në rrugën e baballarëve për qëllime përfitimi në para publike dhe karrierë, do rrënojnë njëri-tjetrin, sepse grykësia për para dhe për abuzime me pushtetin u ka errësuar sytë. E në të vërtetë ashtu ndodhi, siç e parashikoi Ai. Padër Meshkalla bani 10 vjet burg e doli. Por do t’kalonte dhe shumë vite të tjera në burg e kampe interrnimi. Kjo ishte vetëm një pjesë e jetës së tij mes persekutimeve. Ndaj këtyre vuajtjeve atë e mbante në jetë dhe me kurajo “Zoja e bekueme”-siç shprehej vetë ai. Mundimet i përballonte sepse donte të ishte zëri i një populli të shtypur, të fliste kundër padrejtësive dhe modelit ateist antinjeri që po impononin armiqtë e shqiptarëve dhe disa shqiptarë të pashkollë që rezultuan armiqtë e vetvetes.
Njiherë në burg shkon Mehmet Shehu e i drejtohet Padër Meshkallës: He, a ke xan mend apo jo? E ai i përgjegjet: Zotni kryeministër, me xan mend xanë fëmija, unë e ti nuk kemi ç’ka me xan mend të tjera. Po kështu, nji tjetër herë, Mehmet Shehu shkon në burg me gjeneral Gjin Markun dhe e provokojnë Padër Meshkallën që ai të fliste.
Ky u kthehet dhe u thotë: Na jemi nën dhè e ju mbi dhè, por na jemi ma t’fortë se ju! As ma pak e as ma shumë se nji prift katolik model, atdhetar e burrë i fortë siç ishte Padër Pjetër Meshkalla. Nji ditë në burg shkoi për vizitë drejtori i burgjeve të Shqipnisë, ndërsa Ai po merrej me lulet.
Kur pa Padër Meshkallën duke punue, drejtori komunist e pyeti: Pse po punon kaq bukur, ti nuk na don ne?! Ai iu përgjegj: Asht e vërtetë se nuk ju due por më pëlqen me ju ba me e lëvdue punën e armiqve tuej!
Kjo ishte mënyra me të cilën Ai i përdhoste xhelatët e tij. Prej kohëve kur ishte bari e mësues i të rinjve, vlen të veçohet nji episod kur Padër Meshkalla hyn në klasë e u thotë nxansvet: Të çohet në kambë ai që ka thye xhamin me top!
Nji prej nxansve çohet e thotë: Xhamin e ka thye X-i. Ai e nxjerr nxansin qi foli përpara klasës, e ndëshkoi me nji shputë të lehtë e i thotë: Un nuk të thash me më tregue ti kush e theu xhamin, por kërkova me u çue në kambë ai vetë e me tregue, mbasi kjo që ban ti asht me u ba spiun i shokvet e prandaj un të ndëshkova. Fajtori duhet të ketë guximin me diftue vetë fajin e vet.
Ai i ndëshkonte veset e sidomos atë të spiunit. Kjo ishte edukata jezuite që Ai i jepte rinisë. Në poezinë e tij “Hipokrizia” shprehet qartë dufi me të cilin i luftonte veset. …mos të jem un ujk i veshun me lëkurë kingji, as varr i zbardhun jashtë e mbrende kufomë.
Kurse sa për protagonizmin e tij, tregon qartë episodi kur nji prift i shuguruem msheftas në 1962 i tregon Padër Meshkallës se si Monsinjor Çoba i kish mësue atij gjashtë arsyet përse njeriut i duhet me heshtë. Padër Meshkalla i përgjigjet priftit të ri: Shko e thuej Monsinjorit me të mësue gjashtë arsyet që duhet me folë, se s’asht ma koha me heshtë! Pra ky meshtar i madh dhe burrë i drejtë besonte tek Fjala dhe tek aksioni katolik.
Për kët arsye i ndenji besnik Fjalës së Zotit, fesë së Krishtit dhe flamurit të Gjergj Kastriotit. Motoja e Tij ishte: “Vllazen me të gjithë. Kësodore kemi me provue me fakte se asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e ma e frutshme me besime t’tjera.” Njeni prej bashkvuejtësave të tij në burg pat thanë: Padër Meshkalla asht njeriu ma i madh qi kam njoftë. E ky njeri u ndeshkue shumë rreptë, pikërisht sepse guxoi dhe e vuni figurën e Padër Meshkallës përmbi figurën e Enver Hoxhës dhe të Stalinit “të madh”.
E prandaj burrave si Ai, do t’u kujtohen veprat, do t’i këndohen kangë dhe do t’u shkruhen vargje pa fund në gjuhën e Fishtës, mikut të tij dhe njëkohësisht babait të kombit të ri shqiptar.
Padër Meshkalla, meshtar katolik S.J. e të tjerë si Ai, që nuk do t’i lamë pa kujtue në faqet e ardhshme të kësaj gazete, shkruar me gërmat e Fishtës në gjuhë arbnore; ata që me gjak e eshtra i kan mbushë themelet e kombit, janë shenja e forcës së Fesë së Krishterë dhe Lavdisë së Kombit shqiptar në sytë e mbarë botës.