2019-06-05

Nga Alfred Beka: Shkrimtarët e rinj



Në numrin më të ri të saj, revista letrare boshnjake ‘Sarajevske Sveske’ një hapësirë të konsiderueshme e ka ndarë për prezantimin e letërsisë së re të Kosovës. Në këtë numër janë prezantuar Gëzim Aliu, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha, ndërsa studiuesi Ag Apolloni ka bërë një vështrim mbi këta autorë.



Shpeshherë kur flitet për letërsinë e re të Kosovës përmenden emra që krijimtarinë e tyre e kanë filluar në vitet e tetëdhjeta. Këta tashmë janë mbi dyzetë apo mbi pesëdhjetë vjeçarë dhe t’i vlerësosh si shkrimtarë të rinj nuk është aq e përshtatshme. Por cilët janë shkrimtarët e rinj të Kosovës dhe çfarë vlerash të reja i kanë sjellë kësaj letërsie? Si për ironi, duket se këtë pyetje e kanë shtruar të tjerët.

Në numrin e saj më të ri, revista letrare ‘Sarajevske Sveske’ (Fletoret e Sarajevës), e cila botohet në Bosnjë dhe Hercegovinë, i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme letërsisë së re që krijohet në Kosovë. Në këtë revistë janë paraqitur Gëzim Aliu, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha, ndërsa studiuesi Ag Apolloni është paraqitur me një vështrim sinoptik që flet për letërsinë e re. Përkthimin e krijimtarisë se tyre nga shqipja në gjuhën boshnjake e ka bërë Naile Imami.

Në vështrimin e tij me titull “Letërsia e re në shtetin e ri”, Apolloni, i cili e ka bërë përzgjedhjen e autorëve që janë prezantuar në këtë revistë, flet për problemet me të cilat ballafaqohen shkrimtarët, në veçanti shkrimtarët e rinj, pastaj mungesën e stimulimit të tyre nga ana e institucioneve, kushtet e vështira të botimit të librave etj. Në këtë vështrim ai po ashtu sjell profilin letrar të tre autorëve të prezantuar në revistën ‘Sarajevske Sveske’. Sipas Apollonit, disa nga arsyet e ngecjes dhe moszhvillimit të letërsisë së re janë kriza e leximit, mungesa e festivaleve të poezisë, simpoziumeve letrare, pastaj mosstimulimi i tyre nga Lidhja e Shkrimtarëve, të cilën shkrimtarët e rinj e shohin më shumë si ‘shtëpi pleqsh’, si dhe financimi modest për botimin e librave nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Ai konstaton se krijuesit e rinj më shumë preferojnë ta studiojnë letërsinë sesa ta krijojnë atë. “Duke u nisur nga botimi i librave të pasluftës, mund të konsatohet se letrarët e rinj të Kosovës më shumë e studiojnë letërsinë sesa e krijojnë atë. Këtë shembull e japin të gjithë ata që tash për tash janë më aktivët në jetën kulturore, duke u imponuar në radhë të parë me ese, recensione e kritika letrare, qoftë me libra të veçantë, qoftë me tekste nëpër gazetat dhe revistat kosovare”, ka shkruar Apolloni, sipas të cilit numri i atyre që merren me shkrime fiksionale është shumë më i vogël.

Prej tre autorëve të prezantuar në revistën ‘Sarajevske Sveske’, Apolloni ka përzgjedhur një prozator dhe dy poetë. Sa i përket gjinisë së dramës, Apolloni vlerëson se ato tekste të autorëve të rinj që janë botuar e inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, janë në nivelin e dramës edukative të ‘workshop’-ve e, ndonjëherë, kanë edhe influenca të pavetëdijshme nga realizmi socialist, ku prifti gjithmonë është personazh negativ.

“Shkaqet për ngecje të dramës mund të jenë edhe të natyrës politike, e cila ende ka diktat të plotë mbi kulturën, veçmas mbi teatrin, pasi që ngarkimet dhe shkarkimet e drejtorëve të teatrit varen nga tekat e politikanëve. Pa një autonomi të institucionit të teatrit është iluzion të mendohet zhvillimi i mirëfilltë i dramës”, shprehet Apolloni në vështrimin e tij.

Duke folur për letërsinë e re, Apolloni thekson se bie në sy një përpjekje e autorëve për t’u çliruar nga tradita e letërsisë shqipe dhe për t’u bërë individualitete letrare. “Ndër shkrimtarët e tillë, që veçohen në letërsinë më të re të Kosovës, janë: Gëzim Aliu me romanin Në Klubin e të shëmtuarve, Arben Idrizi me përmbledhjen poetike Heqakeq, Blerina Rogova-Gaxha me librin poetik Gorgonë dhe ndonjë autor tjetër”.

Apolloni ka thënë për Express se kriter përzgjedhës ka qenë shija e tij dhe, natyrisht, që si çdo shije qe është subjektive, edhe kjo mund të diskutohet. Por, ai e vlerëson faktin që karshi letërsive tjera ballkanike (letërsia serbe, boshnjake, maqedonase e kroate), letërsia e Kosovës është paraqitur dinjitetshëm.

Duke qenë i vetëdijshëm që ky është prezantimi i parë që i bëhet letërsisë më të re të Kosovës, Apolloni tekstin e tij më shumë e konsideron problematizues sesa vlerësues. “Natyrisht, jo të gjithë emrat qe i kam përmendur aty, do ta përfaqësojnë letërsinë e Kosovës. Rruga e letërsisë është e gjatë, disa mund të lodhen e të ndalen, kurse të tjerë mund të shfaqen rrugës. Prandaj konstatimet që i sjell unë aty mund të jenë relative. Gjithçka është relative në shkencat ekzakte, thoshte Ajnshtajni. E si mund të jemi të saktë në letërsi, do të pyesja unë”, është shprehur Apolloni.

Zërat e Shqipes(Antologjia e poezisë shqipe)

“Eagle’s Voices” (Zërat e Shqipes) është antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe, e botuar anglisht këto ditë në Londër, nën kujdesin e publicistit, poetit dhe studiuesit Fatmir Terziu. Kjo është një përpjekje e parë, por e rëndësishme për njohjen e kontributeve letrare të disa prej autorëve më të spikatur të periudhës post-soc-realiste nga një publik i huaj, konkretisht ai anglez.

Sikundër shkruan z. Terziu në parathënien e kësaj antologjie: “media dhe poezia përgjithësisht njihen si pikat nevralgjike dhe aspektet më të rëndësishëm të kulturës së një kombi dhe kultura nga ana tjetër përbën një ndër elementët bazë të identitetit”. Kjo antologji përfshin poetë të konfirmuar nga kritika letrare ndër vite dhe emra të shquar si Xhevahir Spahiu apo Fatos Arapi, ashtu sikundër dhe prurje të reja me kontributet e tyre poetike. Shtrirja gjeografike është vërtet e larmishme, duke përfshirë shqiptarë nga të gjitha trevat e Ballkanit, si dhe autorë të diasporës, të cilët prej vitesh kanë kontribuar në antologji të ndryshme, apo kanë botuar përmbledhje poetike në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Ky vëllim është gjithashtu i rëndësishëm, pasi jep një prezantim me idenë e identitetit shqiptar në poezi, memories që mbruhet në fushën poetike, kulturës si dimension midis poezisë dhe medias, aspekti i formacioneve të fuqisë që në gjuhën e Foucault janë rregullat e fuqisë dhe materiali që vjen si pasojë e rregullave poetike. Idetë ngjisin, ato që mbrujten në formën e vargut apo të prozës shpesh janë ato që mbeten, pasi proceset e memorizimit, pra të një historie që nuk rrjedh në akse vertikalë, linearë dhe të ngurtësuar, por në rrafsh horizontal, fluid, sikundër dhe vetë identitetet e shumëfishta, janë të përtypshme nga një masë më e gjerë njerëzish dhe krijojnë një qasje më miqësore, më të përtypshme për publikun, në këtë rast atë anglez.

Tematika e poezive të përfshira në këtë antologji variojnë nga ato me karakter universal deri tek ato me karakter kombëtar si poezia e mirënjohur e Fatos Arapit “Atdheu” apo “Rrënjët” e shkrimtares dhe poetes Vilheme Vranari. Gjithashtu poezi të shkruara nga poetë të diasporës, si ajo “Londër” e Fatmir Terziut apo “Nju Jorku i patretshëm” i poetit dhe botuesit Petraq Risto sjellin flladin dhe aromën e vendeve të largëta ku autorët prej vitesh kanë gjetur shtëpinë e tyre të dytë. Gjithashtu tematika e trajtuar është e larmishme ku trajtohen simbolikisht tema të tilla universale si dashuria, jeta, vdekja, malli, pavdekësia deri te gjërat e vogla të jetës. Të tjerë poetë, pjesë e kësaj antologjie, janë Sazan Goliku, poeti dhe gazetari kosovar Agim Gjakova, poetja Ilirjana Sulkuqi apo Rozi Theohari.

Nga Prof. As. Dr. Lirak Karjagdiu : i realitetit dhe të vërtetës


Figura e Vëllait të Madh, është më e frikshmja. Ai ndodhet në maje të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh, nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh, është figura me të cilën Partia përfaqësohet përpara botës.


Xhorxh Oruelli u lind në Indi në vitin 1903. Emri i vërtetë i Xhorxh Oruellit është Eric Artur Bleir. Ai është padyshim një ndër shkrimtarët më namëmëdhenjë të letërsisë moderne angleze. Ai studimet i bëri në Kolegjin Eton në vitin 1917, ku filloi të shkruante për disa revista të kolegjit. Nga viti 1922 deri në vitin 1927 Oruelli shërbeu në Policinë imperiale indiane. Pas kësaj atë e kishte pllakosur një krizë e rëndë financiare. Shkrimtar u bë në vitin 1935. Ndërkaq, në vitin 1936 ai luftoi dhe u plagos në Luftën e Spanjës, duke luftuar në anën e Republikanëve. Ai mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore si pjesëtar i Gardës për Siguri të Britanisë dhe njëherësh gjatë viteve 1941 deri në vitin 1943 punoi për Shërbimin e Lindjes së BBC-së. Një kohë punoi edhe si redaktor i rubrikës së letërsisë në gazetën Tribune dhe njëherësh punoi edhe për gazeta të tjera të mirënjohura të asaj kohe si: Observer dhe Manchester Evening News. Në letërsi Xhorxh Oruelli njihet si një ndër romansierët më të spikatur të letërsisë angleze. Dy romanet më të njohura, që i sollën popullaritet janë “Ferma e kafshëve”, të cilën e botoi në vitin 1945 dhe “1984”, që doli në dritë në vitin 1949 dhe është padyshim kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë moderne angleze. Ai vdiq në Londër në vitin 1950. Në vitin 1949, mbaroi romanin e tij 1984, me të cilin fitoi famë të përbotshme, duke u bërë një ndër shkrimtarët më të spikatur të letërsisë botërore. Është interesant se gati në të gjitha veprat e tij, frymëzimi dhe inspirimi kryesor i tij janë pikëpamjet dhe qëllimet e tij politike. Madje ai ishte i mendimit se letërsia nuk mund te shkëputet nga politika. Sipas tij, shkrimtari që shkëputet nga politika, nuk është shkrimtar. Ai në eseun e tij me titull: Përse shkruaj, të botuar në vitin 1947, kishte paralajmëruar se do të shkruante edhe një libër të ri dhe të fundit. Ky libër i ri dhe i fundit ishte romani 1984. Po në këtë ese ai kishte shkuar: “Gjatë dhjetë vjetëve të fundit më së shumti kam lakmuar ta shndërroj shkrimin politik në art”, duke paralajmëruar kësisoj romanin politik 1984, që u botoi një vit para shuarjes së tij.

Paralajmërimi i totalitarizmit

1984 është roman politik dhe është shkruar me qëllim të paralajmërimit të shoqërisë perëndimore nga rreziqet e totalitarizmit. Oruelli ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i tmerreve dhe katrahurave, që shkaktonin regjimet totalitare në Spanjë dhe Rusi, me qëllim që ta mbanin dhe forconin pushtetin e tyre. Ndaj, ai shkroi veprën 1984 për t’i alarmuar vendet perëndimore, nga rreziku i totalitarizmit, ndonëse ende nuk ishte i sigurt se si t’i qasej komunizmit. Kjo për faktin se në vitin 1949, kur e shkroi këtë vepër, Lufta e Ftohtë ende nuk kishte marrë përmasa të mëdha. Përveç kësaj, një numër jo i vogël i intelektualëve amerikanë e mbështeste komunizmin. Së këndejmi, marrëdhëniet diplomatike midis shteteve demokratike dhe komuniste ishin mjaft të paqarta dhe konfuze. Për më tepër, atëbotë në shtypin amerikan, Bashkimi Sovjetik shpeshherë përshkruhej si eksperiment i madh moral. Megjithatë, Oruelli ishte tejet i shqetësuar nga përhapja e persekutimeve dhe shtypjes në vendet komuniste, madje ai ishte çmeritur dhe lemeritur nga keqpërdorimi i teknikës dhe teknologjisë të vendeve komuniste për t’i kontrolluar, etiketuar, shpifur, denigruar, sunduar dhe shtypur qytetarët e tyre. Vlen të vihet në dukje se ky autor nuk është i vetmi shkrimtar që ka bërë përçapje për ta parashikuar ardhmërinë. Vepra të ngjashme, kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë anglezë, si fjala vjen Alldos Haklli, Herbert Xhorxh Uellsi, etj.

Ngjarjet e romanit ndodhin në vitin 1984 në Londër, pjesë e Oqeanisë, një superfuqi e kontrolluar me dorë të fortë nga Partia që udhëhiqet nga “Vëllai i Madh”. Figura e Vëllait të Madh, është më e frikshmja. Ai ndodhet në maje të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh, nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh, është figura me të cilën Partia përfaqësohet përpara botës. Figura e tij, ndjell frikën, dashurinë dhe respektin. Ka pak figura në letërsi që përshkruhen aq të plotfuqishme, madje as Mbinjeriu i Niçes nuk është i tillë. Shteti në veprën 1984 paraqitet si shtet që nuk ka ligje, ai ka vetëm një synim: bindje dhe nënshtrim të verbër dhe të plotë ndaj Partisë. Shoqëria e Oqeanisë është e ndarë sipas shtresave shoqërore në: besnikë të Partisë, servilë apo anëtarë të thjeshtë të partisë dhe masës që përbëhet nga proletarët. Protagonisti Uinston Smith, është një anëtar i thjeshtë i partisë, i cili punon në Ministrinë e së Vërtetës (që në të vërtetë është Ministria e Gënjeshtrave dhe e Propagandës), si falsifikues i zakonshëm i arkivave. Ndonëse, zyrtarisht shtiret se e respekton pushtetin, ai në të vërtetë fshehurazi punon kundër Partisë. Ndërkohë, Uinston Smithi, njoftohet me një vajzë të quajtur Xhulia, e cila ishte një zyrtare e nivelit më të ulët dhe e cila po ashtu ishte e interesuar të luftonte kundër Partisë. Ata dashurohen dhe kalojnë çaste të lumtura në vende ku nuk mund të diktoheshin nga syri i Vëllaut të Madh. Ata kërkojnë nga O’Brajëni, një anëtar i lart i besnikëve të Partisë, që t’i vejë në kontakt me organizatën e quajtur Vëllazëria. Kjo forcë opozitare luftonte kundër Partisë. Thuhej se udhëhiqej nga armiku kryesor i Partisë, Emanuel Golldshtajni. Mirëpo, e gjitha del një mashtrim i madh, që kishte pasur për qëllim futjen në kurth të Uinston Smithit dhe Xhuliës. Si rrjedhojë, ata arrestohen, ndahen dhe torturohen brutalisht. Në fund, Uinstoni kupton se nuk ka mësuar ta dojë dhe respektojë Vëllaun e Madh.

Shpërdorimi i teknologjisë për mbajtjen dhe ruajtjen e pushtetit

Në të vërtetë në romanin 1984 përshkruhet në mënyrë brilante funksionimi i një shoqërie totalitare, ku qeveria ka pushtet absolut. Titulli i librit 1984 kishte për qëllim që t’i alarmonte shoqëritë perëndimore se ekzistonte rreziku që, brenda tridhjetë e pesë viteve, një variant i ngjashëm i pushtetit me atë të përshkruar në këtë vepër, mund të dalë në shesh dhe të instalohet, nëse diktatura nuk do të kundërshtohej dhe luftohej me kohë, energjikisht, efektivisht dhe si duhej. Në të vërtetë në këtë vepër Oruelli përshkruan në mënyrë origjinale, por edhe të trishtë shtetin, që mbikëqyr, përgjon dhe përndjek çdo aspekt të jetës njerëzore, në atë masë saqë madje edhe një mendim i lirë ndaj pushtetit, konsiderohej si shkelje e rëndë e ligjit. Protagonisti i romanit Uinston Smithi përçapet ta sfidojë pushtetin, por në këtë aventurë të rrezikshme ai zhgënjehet dhe në fund dështon dhe pëson. Mirëpo, është interesant se përmes veprimeve, ecejakeve, aventurave dhe torturave të Uinstonit, që shpallet nga Partia ai armik i popullit dhe tradhtar, lexuesit zbulojnë dhe kuptojnë metodat, teknikat dhe teknologjitë nga më të ndryshmet që pushteti i përdorë për t’i vënë nën zap dhe për t’i kontrolluar qytetarët e tij. Manipulimi psikologjik apo goditja psikologjike është një nga metodat që Partia përdorë për ta reduktuar dhe madje zhdukur aftësinë e qytetarëve për të menduar në mënyrë të pavarur. Këtë e arrin përmes një teleekrani të madh, që është i vendosur në dhomën e çdo qytetari dhe ku në mënyrë të pandërprerë zhvillohet propaganda me qëllim që çdo lëshim, gabim dhe dështim i Partisë të paraqitej si arritje, rezultat, sukses dhe fitore. Njëherësh, ekranet e mëdha vëzhgojnë dhe përgjojnë edhe sjelljet e qytetarëve dhe i frikësojnë qytetarët, ngado që të shkojnë dhe lëvizin, përmes një fjalie që shfaqet vazhdimisht në ekran e që thotë “Vëllai i Madh po ju shikon”. Madje Partia shkon aq larg saqë i përdorë edhe fëmijët për të spiunuar dhe për t’i denoncuar prindërit e tyre. Në të vërtetë Partia kishte themeluar një organizatë që quhej Spiunët e rinj (Zhbiruesit e rinj) dhe të cilëve ua kishte shpërlarë trurin dhe i kishte nxitur dhe detyruar të spiunojnë kundër prindërve të tyre sa herë që ata të vërenin apo diktonin ndonjë shenjë pabesnikërije ndaj Partisë tek prindërit apo familjet e tyre.

Përpos kësaj, Partia ishte përkujdesuar që t’i “disiplinojë” edhe marrëdhëniet seksuale, duke e reduktuar dhe shndërruar seksin në një obligim, detyrë dhe mënyrë për të krijuar anëtarë të rinjë të Partisë. Në këtë mënyrë, Partia ishte përkujdesur që t’i kanalizojë dhe transformojë shfrimet, emocionet dhe frustracionet e qytetarëve në urrejtje ndaj armiqëve të Partisë. Këtë e kishte arritur, duke trilluar dhe sajuar armiqë dhe tradhëtarë të saj. Kontrolli fizik është një metodë tjetër që përdor Partia për t’i mbikëqyrur qytetarët. Kështu ajo përherë i vëzhgonte lëvizjet e qytetarëve për të parë se mos ka ndonjë shenjë të pabesisë apo tradhëtisë. Këto vëzhgime ishin aq rigoroze, saqë madje vetëm një nervozë më e vockël e shfaqur në fytyrën e një qytetari, mund të përfundonte me arrestimin e tij. Së këndejmi, shpeshherë sistemi nervor i qytetarit mund të bëhej armiku më i madh i tij. Pos këtyre, partia i detyronte anëtarët e saj që të bëninë gjimnastikë dhe të punojnë deri në orët e vona nëpër agjencitë qeveritare, duke i mbajtur qytetarët gjithnjë të rraskapitur e të molisur. Kushdo që përpiqej ta kundërshtonte Partinë, dënohej me “riedukim”, përmes torturës sistematike dhe brutale. Kështu ndodh edhe me protagonistin e këtij romani politik Uinstonin. Pas ushtrimit sistematik të dhunës ndaj tij, ai kandiset dhe bindet se nuk ka asgjë më të fuqishme se dhembja fizike. Kësisoji, duke i shtrënguar qytetarët e saj që ta pranojnë dhe t’i nënshtrohen autoritetit të saj përmes dhunës së shfrenuar, Partia ishte në gjendje ta kontrollonte, ta shtrembëronte dhe falsifikonte realitetin. Kjo bindje e dhunshme shkonte aq larg saqë Partia përmes dhunës i shtrengonte dhe detyronte qytetarët që të binden se 2 + 2 = 5 (dy plus dy bëjnë pesë). Partia përcjellte dhe kontrollonte çdo burim të informatave, përmes monitorimit dhe rishkrimit (apo falsifikimit) të përmbajtjeve të të gjitha gazetave dhe historisë për qëllime të saja. Po kështu, Partia nuk lejonte që qytetarët të mbanin shënime, të dhëna, fotografi apo dokumente nga e kaluara. Kujtesa bëhej e paqartë, e vagulltë, e dyshimtë dhe e pasigurtë dhe kësodore qytetarët ishin të gatshëm të besonin çfarëdo që u servirte dhe u thoshte Partia. Duke e kontrolluar të kaluarën ata do të ishin në gjendje ta kontrollonin edhe të ardhmen. Njëherësh, duke e kontrolluar të kaluarën, Partia mund t’i përligjte të gjitha veprimet e saj në të tashmen. Përmes teleekraneve të mëdha dhe mikrofonëve të fshehur nëpër gjithë qytetin, Partia ia kishte dalur mbanë që të vëzhgonte pothuajse çdo lëvizje të qytetarëve. Për më tepër, Partia përdorte mekanizma dhe teknologji të sofistikuar dhe komplekse për të ushtruar kontroll në vetëdijen e qytetarëve, në shkallë të gjerë, duke filluar që nga të dhënat për prodhimtarinë ekonomike, burimet e informacionit e duke shkuar gjer te teknologjia apo makineria për torturimin e atyre që Partia i konsideronte si armiqë të saj.
Kjo vepër është një rrëfim paralajmërues për rreziqet politike nga regjimet diktatoriale, e shkruar nga një mjeshtër i rrallë i prozës. Ndërsa, proza e fillimit të shekullit të XX-të, orvatej t’ia sqaronte lexuesve se çfarë mund të bëjë politika e drejtë dhe demokratike si dhe shkenca dhe teknologjia për progresin dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore, ky autor rropatet t’i paralajmërojë lexuesit se çfarë pasojash të rrezikshme mund të ketë keqpërdorimi dhe abuzimi i pushtetit politik dhe i arritjeve teknike dhe teknologjike për njerëzimin.

Spekulimi me gjuhën për qëllime politike

Një nga mesazhet më të rëndësishme të romanit 1984 është se gjuha është një nga mjetet apo elementet kruciale për formimin e opinionit publik. Prandaj, Partia ishte i mendimit se nëse gjuha kontrollohet nga një agjenci politike, atëherë struktura e saj do të mund të ndryshohej dhe modifikohej në aso përmasa saqë do ta bënte të pamundur formulimin dhe artikulimin e ndonjë ideje apo mendimi tjetër kundër Partisë. Sipas pushtetit totalitar të përfaqësuar nga Vëllau i Madh, kjo mund të arrihej përmes krijimit të një gjuhe të re që do ta zëvendësonte gjuhën angleze. Në të vërtetë, gjuha e re ishte gjuha zyrtare e Oqeanisë dhe ishte krijuar me qëllim të përmbushjes së nevojave ideologjike të AngloSoc (Ingsoc), apo Anglishtes së Socializmit. Në vitin 1984, nuk kishte ende të tillë që mund ta përdornin gjuhën e re, ndonëse artikujt kryesorë në gazetën The Times (Dhë Tajms) shkruheshin vetëm nga specialistët e kësaj gjuhe. Mirëpo, shpresohej se gjuha e re do ta zëvëndësonte në tërësi gjuhën e vjetër (apo anglishten standarde) deri në vitin 2050. Ndërkohë, anëtarët e partisë gradualisht kishin filluar ta përdorinin dhe ta mësonin gjuhën e re, duke përdorur më dendur fjalë, terma, neologjizma dhe konstrukte gramatikore të kësaj gjuhe. Sipas tyre, deri në vitin 2050, mbase edhe më herët, pothuajse e gjithë gjuha e vjetër do të zhdukej. Si rrjedhojë, edhe e gjithë letërsia e krijuar në këtë gjuhë do të zhdukej. Veprat e shkrimtarëve famëmdhenjë si Çoserit, Shekspirit, Miltonit, Bajronit, etj, do të ekzistonin vetëm në versionin e gjuhës së re. Me këtë rast, veprat e këtyre shkrimtarëve jo vetëm që do të pësonin ndryshime, por do të shndërroheshin në diçka krejtësisht të kundërt me atë që kanë qenë. Le të na kujtohet se shumë ide të Oruellit rreth gjuhës si mjet për kontrollimin e opinionit publik janë përdorur më vonë, ndonëse në mënyrë pak të modifikuar, edhe nga shkrimtarë të tjerë për të kritikuar, fshikulluar dhe satirizuar kolonializmin.
Fare në fund, është me interes të vihet në dukje se ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe dy herë. Herën e parë e ka përkthyer, shkrimtari, publicisti, profesori dhe përkthyesi letrar nga Kosova, Ramiz Kelmendi, në vitin 1980, ndërsa herën e dytë e ka përkthyer përkthyesi nga Shqipëria, Çelo Hoxha, në vitin 2005. Kjo flet pak a shumë për përhapjen dhe popullaritetin e këtij autori dhe kësaj vepre te shqiptarët, që fillon qysh në shekullin e kaluar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Elitata e mohuara...,krenari kombëtare

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj : Për lexuesin e gjerë... romani “Virgjëresha e Stratit” i shkrimtares Nimfa Hakani

Rezultate imazhesh për nimfa hakani


Nimfa Hakani është ulur këmbëkryq në letërsi si një shkrimtare me përvojë.

Rezultate imazhesh për vilheme vranari

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Cila grua në glob, e jetoi jetën dhe i realizoi gjithë ëndrrat e saj vallë?! Çdo femër sado e realizuar të jetë, nuk e ka gjetur ashtu si duhet vetëveten e humbur në rrjedhat e kohës, pasi ka pengje në realizimin e dëshirave të saj. Nimfa e arsimuar në fushën e inxhinierisë, hyri relativisht vonë në sofrën letrare, gjë që, për anakronizmin mesjetar të atyre njerëzve me mendësi të mykura, është një risi e papranueshme dhe shpërfillëse. Gjithsesi Nimfa është vetvetja dhe si e tillë, paçka se vonë, vazhdon të realizojë ëndrrën e rinisë, atë të krijimtarisë letrare, e cila të bënë tjetër njeri, një njeri më të mirë. Kjo, pasi letërsia shpalos jetën dje, sot dhe si do të jetë nesër. Pikërisht me synimin e së ardhmes, ajo të hapë horizonte të gjera që realitetin ta shohësh në sy, ashtu siç është dhe në një këndvshtrim kritik ndaj çdo fenomeni social. Unë logjikoj se, letërsia dhe arti janë oponenca e parë e çdo lloj politike të mbrapsht apo trashëgimie zakonore që sjellin anomali dhe regres.
Karakteristikë e veçantë e krijimtarisë së autores, është se ajo mbështetet në tabanin kombëtar të trashëguar ndër shekuj, ku përdor një narracion të lirshëm, të zhdërvjellët, ku spikat një fjalor leksikor i pasur që i përshtatet kohës së zhvillimit të ngjarjeve. Të bijen në sy fjalitë lakonike ose të thukta, me njëtrajtëshmëri rrëfimi të habitshme, ku reflekton një pasuri e madhe të figurave letrare. Këto veçori vihen më në dukje në botimin e saj të fundit, në romanin “Virgjëresha e Stratit” botuar në nëntor, 2018.
Sapo nisa leximin e romanit, nuk di pse me trup e me shpirt u zhvendosa dy shekuj më parë si në hapësirë dhe në kohë, në periudhën e artë të Rilindjes Kombëtare. Shprehjet frazeologjike, që romani i ka me tepëricë, të kujtojnë këtë periudhë të ndritur dhe shkrimtarët e mëdhenj e të papërsëritshëm rilindas, që hodhën bazat e letërsisë shqiptare.
Ky roman i ndërtuar mbi tri legjenda paralele, analoge me skeletin e romanit, të shtjelluara mjeshtërisht nga autorja në epoka të hershme historike, përshkruhen si në pasqyrë. Sa fillon të ndjekësh legjendën e parë, që i kushtohet arnautkës së bukur, si një hyjni në oborrin e sulltanit, të përshfaqen përrallat e kulturës arabe, “ Njëmijë e një Netë”, të rrëfyera magjishëm nga Shehrezade.
Një roman i këndshëm për të gjithë!
Rezultate imazhesh për nimfa hakani
Nëpër faqet e librit njohim jetën me tërësinë e ndërlikimeve të saj, ku spikasin përpjekjet për mbijetesë, e cila njeh jo vetëm fitore, por dhe humbje. Në gjithë vorbullën jetike të paraqitur në krijimtarinë e Nimfës, ku ndeshim ulje apo ngritje, qëndrim në vend dhe ecje përpara, pse jo dhe regres. Në këtë jetë, ku janë mëse të zakonshme vrazhdësia me ankthin, e moralshmja përballë amorales, dhunës, denigrimit, mashtrimit, dukuri të përdorura nga qenie jonjerëzore, si fenomene të përditësisë, i gjejmë në romanin“Virgjëresha e Stratit”.
Gjithsesi autorja dobësitë e një shoqërie të prapambetur nën thundrën pushtuesit, të molepsur nga vesi, ka ditur t’i mposht me pasionin dhe gjallërinë që jep çasti, ku përditësia është e ndërthurur nga dashuria njerëzore, një ndjenjë e rizbuluar në libër nga rrjedhat e vetë jetës, kjo, dikur e humbur në vragat e kohës. Ajo me mjeshtëri ka ditur t’i kapërcejë vështirësitë e pengesat e kohës së egër si: mosmarrëveshjet, zhgënjimet dhe dështimet, shpesh herë duke kaluar përtej kufijve të reales. Pikërisht duke na paraqitur të gjitha këto dukuri në tërësinë e tyre, si pjesë përbërëse e të pandara të jetës njerëzore, autorja vë në dukje si cilësitë pozitive, edhe negative përmes personazheve.
I gjithë romani të mrekullon me përshkrimet mahnitëse të natyrës, të karaktereve njerëzore, të kafshëve. Mjaft bukur përshkruan bukurinë e kalit të kalorësit Dardan, Abrionit dhe të Sorkadhes së Bardhë. Mendimi i autores ka zhbiruar thellë në çdo detaj që përfshin shqisat, si, në format, në ngjyrat, në zërat, në gjendjet shpirtërore të njerëzve si dhe në ndryshimet e befta të natyrës. Në këtë aspekt, mënyra e të shprehurit, dialogjet mes personazheve të kujtojnë librin “Decameron” të Giovani Boccaccio(shkruar 1351-1353). Ashtu siç është jeta lakuriqe në Decameron, e tillë paraqitet edhe në këtë roman. Personazhet në faqet e këtij libri vijnë nga këndvështrime dhe botëkuptime të ndryshme të autores mbi gjithësinë, sidomos mbi natyrën njerëzore. Ata duke u shfaqur para lexuesit si njerëz jo të zakonshëm, por mbinjerëzorë, dallohen për një këmbëngulje të pakthyeshme për jetën dhe duke respektuar normat e kohës që jetojnë, i japin gjallëri dhe interes rrëfimit. Mes orvajtjeve të tyre, dalin më në pah të veçantat e karakterit, moshës, gjinisë, si dhe zakonet apo traditat e një periudhe mesjetare të fshatit të vogël e të padëgjuar, Strat, i ndërtuar në këmbët e malit Tomorr. Duke e analizuar jetën e çdo personazhi imtësisht, përmes një kaleidoskopi me kënde të ndryshme vrojtimi e rrezatimi, ku me talentin e Nimfës, lexuesi në këtë mënyrë përjeton me detaje dramën njerëzore dhe atë kombëtare. Këto dukuri apo fenomene janë në një përmasë që e bën këdo të drithërohet me ngjarjet dhe tragji-komeditë e jetës, që për njerëzit e velur e të kamur, apo intrigantë, janë të padukshme dhe mëse të zakonshme. Personazhet kryesor të udhëhequr nga mirësia dhe bujaria ndikojnë për mirë në ndryshimin e karakterit të njerëzve me paragjykime që nuk e njohin fare jetën.
Romani nga faqja e parë deri në faqen 420, është një trill, ku autorja rrëfen bukur, i pasur me figura letrare, shprehje të bukura frazeologjike, paralelizma dhe krahasime.
Në libër janë dhjetëra personazhe, por unë do të përmend disa syresh që kanë peshë në roman.
Personazhi më i dashur, rreth të cilit zhvillohet brendia, edhe pse nuk është shumë e dukshme dhe ka shkëputje vazhdimësie, është vajza e bukur si hyjneshë ose Sorkadhja e Stratit, Deriana. Kjo vajzë naive, e paditur, shumë e re në moshë, me një bukuri engjëllore, jo vetëm mahnit cilindo me bukurinë e saj, por me sjellje i bën për vete gjithë ata që e shohin për herë të parë. Ja si e përshkruan autorja: “Deriana ndjeu kënaqësinë e ftohtësisë së ujit në dorë dhe zhyti në të edhe dorën tjetër... papritur vështroi e habitur bukurinë e fytyrës së saj tek shpalosej në syprinën e ujit sikur të mos i përkiste asaj.” -Ky një detaj i spikatur, që tregon brishtësinë dhe naivitetin e saj. Personazhi i dytë që lë mbresa është Abrioni luftëtari nga Dardania, që rastësisht takon vajzën me një bukuri të jashtëzakonshme, e cila e bëri të besojë se Ajo ishte
jotokësore. “...Ato qëndronin përballë sa të ndryshme, aq, edhe të ngjashme në bukurinë e tyre pothuaj jotokësore. Mbeti pa frymë duke vështruar figurën e kalit me bardhësinë e tij verbuese, jelet e bardha që ia merrte lehtazi era, me pullat e kuqrremta dhe atë të vashës, me linjën e bardhë, jelekun e kuq dhe flokët gështenjë valë,valë që i rrinin si kurorë rreth fytyrës së bardhë...” – autorja mjeshtërisht ka vënë përballë dy bukuri, njëra kafshë dhe tjetra njeri, por për çudi jo vetëm u kuptuan me njëra-tjetrën, por dhe kafsha që s’ka gojë, u dashurua me Bukuroshen e Stratit. Një tjetër personazh shumë i dashur për lexuesin është “Oshënari i Shpiragut”, ai burrë i moshuar, i edukuar në shkollat ushtarake të jeniçerëve, i cili kishte shërbyer në sulltanatin e Stambollit, ishte shndërruar në një predikues dhe udhërrëfyes i së mirës. Përballë stratiotëve të mirë dhe plakut të urtë e të ditur Oshënar, qëndron prifti Nestor Nergovani, një jetim i dërguar nga kisha helene për të ndërtuar kishën dhe përhapjen e fesë helene në zemrën e Shqipërisë. Ky prift mjaft negativ, me karakter të dobët, intrigant, me vese amorale, i tunduar nga bukuria dhe brishtësia e femrave, në emër të Krishtit dhunonte nën petkun e veladonit të zi. I ndikuar nga rrëfimet e mençura të Oshënarit të Shpiragut, duke përdorur mashtrimin, i bindi stratiotët që të shenjtëronin Derianën, me pretekstin se një bukuri e tillë hyjnore do të sillte xhelozi dhe smirë tek vajzat dhe djemtë e fshatit, madje dhe brenda familjes ku do të shkonte nuse. Sipas tij, Deriana do të ishte mollë sherri dhe burim i fatkeqësive në fshat. Prifti për të shmangur dhe frenuar epshin e tij shtazarak, e shuguroi Derianën në malin e Tomorrit si Virgjëresha e Stratit. Porse në të vërtetë, Ai, dhe vetëm ai ishte shkaktar i vdekjes tragjike të Derianës.
Autorja thotë se, është mbështetur në legjendën “Bukuroshja e Strumit” dhe tek “E Bukura e Stambollit”
Meqënëse gjithë struktura e librit, si analogji është ndërthurur në tri legjenda që faktikisht sipas realitetit historik, i takojnë mesjetës. Jeta e çdo njeriu nis lakuriq, ashtu e paraqet edhe Nimfa, atë, me gjithë lakuriqësinë e saj.
Nganjëherë rrethanat jetike ndikojnë te shumë individ në mosrealizimin e ëndrrave dhe synimeve vetjake. Nimfa nuk është as e para dhe as e fundit autore që nisi vonë krijimtarinë letrare. Shembuj ka plotë si në Shqipëri dhe më gjerë, që kanë nisur të shkruajnë në moshë disi të pjekur. Po marr një shembull nga letërsia e shquar evopiane, të madhin Miguel de Cervantes (1547 -1616), i cili në prag të gjashtëdhjetave shkroi romanin “Don Kishoti i Mançës”, një kryevepër e letërsisë botërore. Jo vetëm ka ngelur e tillë edhe sot pas 400 viteve, por dhe pas shumë shekujsh do të ketë të njëjtat vlera letrare dhe sociale.
Krijimtaria e Nimfës ka nisur me librin (tregime dhe novela nga jeta shqiptare dhe ajo amerikane), me titull “Pacienti 101” (botim i vitit,2015), që të mrekullon me larminë e temave, një libër që pati shumë sukses dhe u prit mirë nga kritika profesionale si dhe nga kritiku më i paanshëm, lexuesi. U pasua nga “Luani i fjetur”; nga libri për fëmijë, “Gjetoja dhe Orët”, bazuar në legjendën e “Gjeto Basho Mujit”
Autorja jeton dhe punon në ShBA, prej mëse 20 vitesh, megjithatë në krijimtarinë e saj ka prfshirë tematika nga aktualiteti shqiptar, me vendngjarje të vendosura në kohë të ndryshme historike. Autorja jonë e nderuar ka botuar tri novela në librin me titull,“Nën pemën e portokallit, Rina dhe Zgjimi”, botuar më, 2016, në anglisht “Under the Orange Tree”.
Pra Nimfa nuk shkruan vetëm tregime me tema nga atdheu i saj, por edhe nga vendi më demokratik, ShBA, që u bë bujtëse për Nimfën dhe fëmijët e saj, duke i hapur horizonte dhe synime të reja për jetën, sidomos në fushën e letrave. Kjo i bënë tregimet e saj më tërheqës dhe më të këndshëm për lexuesin. Ndërsa romani “Virgjëresha e Stratit” hap një etapë të re, një rrugë të vështirë në krijimtarinë e Nimfës, që kërkon punë, vullnet dhe palodhshmëri.
Pas leximit të romanit të ngelen në mendje fragmente të mrekullueshme si nderimet e banorëve të fshatit në ceremoninë e përcielljes për në banesën e përjetësisë, Derianën, prindërit e saj dhe gjyshen Deonë,(një personazh shumë i dashur). Po perifrazoj disa përshkrime që të japin kënaqësi shpirtërore. “...por bukuria e asaj vashe ishte aq jotokësore, -tregonte Eunuku plak,-sa vetëm të të jepej mundësia ta shijoje atë duke e parë, ishte një privilegj që vetëm njëherë të jepej në jetë...”; “Askusn në jetën e saj shtatëmbëdhjetëvjeçare nuk ishte sjellë me të me aq admirim dhe përkujdesje, askush nuk i kishte thënë se sa e bukur ishte”,- si eunuku Çabir, i cili kujdesej si për bijën e tij, që nuk e kishte patur dhe s’do ta kishte kurrë fatin të bëhej baba... “Kishte një bukuri të tillë, që nuk duhej prekur; vetullat, qerpikët, buzët e kuqe të plota i kishte të përsosura.”
Thonë, se, “edhe djalli që është më i zi, se nata pa yje dhe hënë, po ta shohësh me kujdes, do t’i gjesh një copëz vend të bardhë në trupin e tij.” Diçka e tillë ndodhi edhe me sulltanin, njeriun që komandonte botën. “Papritmas, sulltani ia bëri me shenjë që t’i afrohej... ‘Përse nuk më ke thënë se paske fshehur një perri të tillë, Çabir efendi?! ...”Çoje mbrapsht në harem këtë hyjni e ma sill përsëri nesër...Jeta e saj është në duart e tua. Nëse i ndodh gjë kësaj perrie, ty të ikën koka.”
“...Dhoma sikur u ngurtësua paskëtaj. E vetmja gjë që dukej e gjallë në atë çast ishte vasha arnaute me bukurinë rrëzëllitëse dhe sulltani përballë i përhumbur në sytë e saj larushë, “...Sulltani e vështroi një copë herë krijesën e jashtëzakonshme arnaute...e nuk po mundëte të nxirrte qoftë edhe një fjalë ... Papritur ngriti dorën dhe i çiku faqen me mollëzat e gishtrinjëve si për t’i provur vetes se ajo vashë vërtet ishte bërë prej mishi dhe gjaku...”- kur gjithë vezirët dhe krye-eunuku Çabir prisnin që sulltani të merrte vendimin ekstrem për sakatosjen e asaj brishtësie dhe bukurie hyjnore, ai tha: “Unë, I Madhërishmi Sulltan, Zot i Lindjes e së shpejti i Perëndimit, erdha me një vendim tepër të vështirë për këtë bukuri që nuk ka shoqe në rruzullin tokësor. Kjo perri që ndodhet para nesh, nuk do të përfundojë në haremin e askujt. Ajo është Virgjëreshë dhe e tillë do të mbetet derisa Allahu t’i thërrasë shpirtin. Kush do të guxojë ta prekë, do t’i pritet koka dhe do të vendoset në kamaren e turpit. Bukuria e saj është hyjnore dhe duhet shenjtëruar. Para gjithë vezirëve e shpall atë Shenjtore të perandorisë Osmane” – Pasi firmosi fermanin, i caktoi një saraj enkas për arnautkën e bukur, e cila jetoi në kujdesin atëror të krye-eunukut Çabir. Deri sa vdiq,Ai, Çabiri, e mbajti besën, i shërbeu, u kujdes me besnikëri dhe i bëri nderimet e fundit, duke e varrosur virgjëreshën në kodrën e Luleve. Nga më të bukurat dhe më të dhimbshmet është mbajtja e besës së Abrionit, i cili u kthye nga lufta në Shqipërinë Jugore dhe në vend që t’u kërkonte prindërve dorën e Derianës, ai u gjend para një tragjedie. Deriana dhe familja e saj përcillej për në banesën e fundit.
Për këtë libër voluminoz, ka shumë për të thënë, por unë po mjaftohem me kaq duke i uruar shkrimtares së talentuar, Nimfa Hakani, suksese dhe i buroftë pena mjaltë Shqipërie!
Nimfa, ka plot maja të pashkelura. Ngjitu në to, mikja ime, kapur përdore me si Çabiri, i cili kujdesej si për bijën e tij, që nuk e kishte patur dhe s’do ta kishte kurrë. mbesat dhe nipin!
Urime Nimfa dhe për shumë tituj të tjerë!
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 4.11.2019

Vo:I nderuar lexues, më vjen mirë që një tjetër zonjë e nderuar, pedagoge e gjuhëve të huaja, Hava Ymeri me banim në Santa Babara(Kaliforni) e vlerëson librin e Nimfa Hakanit.

Koment nga Santa Barbara:

E nderuara Zonja Nimfa,
Librin tuaj "Virgjëresha e Stratit" e lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Libri është mjaft emocionues, prandaj nuk e lëshova nga dora, derisa arrita në faqen e fundit.
Ju përgëzoj për nivelin e lartë artistik të rrëfimtarisë përmes një leksiku të pasur. Përfytyrimet tuaja artistike janë me të vërtetë befasuese. Ju keni një mjeshtëri të lakmueshme për ta mbajtur pezull kërshërinë e lexuesit. Me shtjellimin artistik të ngjarjeve, ju e futni lexuesin në botën e legjendave, përmes të cilave del në pah adhurimi i njerëzve për madhështinë e Malit të Tomorrit.
Hava Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
24 mars 2019

OKB e shqetësuar me situatën Kosovë – Serbi, kërkohet rifillimi i dialogut


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shprehur i shqetësuar në lidhje me tensionet mes Kosovës e Serbisë.

Guterres ka bërë apel tek të dyja shtetet që të përmbahen nga deklaratat nxitëse që mund të provokojnë telashe dhe ka kërkuar që pa vonesa t’i largojnë barrierat për vazhdimin e dialogut.

“Tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit janë serioze edhe më tej dhe vazhdojnë të paraqesin barriera për vazhdimin e dialogut produktiv dhe nxisin shqetësimin mes zyrtarëve lokalë e ndërkombëtarë për shkak të rrezikimit të mundshëm të stabilitetit”, thuhet sipas mediave serbe në raportin e Guterres për gjendjen në Kosovë, që do të diskutohet më 10 qershor në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Duke kërkuar që të hiqen barrierat për vazhdim të dialogut, Guterres ka shprehur shqetësimin duke thënë se taksat ndaj mallrave nga Serbia janë ende në fuqi, sikurse edhe paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kundër-masa ndaj Prishtinës nëse nuk hiqet taksa.

Guterres ka theksuar se nga raportimi i tij i fundit, nuk është zhvilluar asnjë takim mes përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë nën udhëheqjen e BE-së, ndonëse në fund të prillit dy palët u takuan në samitin e Berlinit të organizuar nga Gjermania dhe Franca.

Shefi i OKB-së thotë se nga raporti i tij i fundit, rrjedhimisht në gjashtë muajt e fundit, “në Kosovë janë kthyer 43 persona, nga të cilët 34 janë serbë”. Theksohet po ashtu se në gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur disa incidente në vendbanimet me etni të përziera.

Vlen të theksohet fakti se SHBA-të dhe Britania kanë kërkuar që për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të raportohet vetëm 2 herë në vit dhe jo 4 sa ka qenë deri më tani sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Për Goran Rakiqin, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli janë kriminelë ndërsa Vuçiqi, Shesheli, Daçiqi dhe Vulini jo


Kryetari i Mitrovicës Veriore ( pjesë e ndarë dhunshëm ) , Goran Rakiq , nuk lë rast pa e theksuar se veriu i Kosovës dhe të gjitha vendet ku jeton edhe një serb i vetëm janë Serbi dhe se kryetar i tij është Aleksandar Vuçiqi dhe jo Hashim Thaçi ndërsa që shteti që e përfaqëson qenka Serbia dhe jo Kosova në ndërkohë që nga Buxheti i Kosovës merr pagë të majme dhe po nga Kosova i shfrytëzon të gjitha beneficionet e mundshme , që nga keq- përdorimi i veturave zyrtare e deri te asetet tjera . Për çdo veprim politik a parapolitik , ai shkon në Serbi e jo në Kosovë për këshilla apo marrje të lejes për veprim politik apo paramilitar . Që nga fillimi e deri te përfundimi i funksionalizimit të urës mbi lumin Ibër , ka qenë kundër hapjes së kësaj ure dhe kundër lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët , pavarësisht përkatësisë etnike , fetare , gjinore apo statusit në shoqëri ! Pasi kryeministri Haradinaj vendosi taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja , Goran Rakiq , me kryetarët e tjerë serbë të pjesës veriore dhanë dorëheqje nga posti por jo edhe nga pagat dhe beneficionet tjera duke e bllokuar jetën institucionale në veri. Pasi presidenti Thaçi , në kuadër të mandatit kushtetues shpalli zgjedhje lokale në veri , po i njëjti Goran Rakiq , me kryetarët tjerë nga Lista Serbe i fituan zgjedhjet lokale duke ushtruar dhunë dhe terror mbi subjektet tjera serbe që , për shkak të pasigurisë nuk morën fare pjesë në këto zgjedhje lokale. Pas certifikimit të këtyre rezultateve , kryetarët e vjetër dhe sabotues ndaj shtetit të Kosovës deklaruan se përsëri mund të japin dorëheqje dhe këtë vendim do ta marrin pas konsultimeve me krerët e Serbisë . Në ndërkohë , Goran Rakiq i quajti kriminelë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës sikur që i quajti terroristë edhe policët e Kosovës që intervenuan në veri të Kosovës , krejtësisht mbështetur në ligjet e vendit e që kryenin detyrën duke arrestuar shkelës të ligjit , shumica policë të Kosovës të të gjitha përkatësive etnike ( serbë , shqiptarë , boshnjak etj. ) . Intervenimi i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe në disa lokacione brenda Kosovës sikur edhe trajtimi i të arrestuarve ishte në përputhje të plotë me ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Nuk është hera e parë që Goran Rakiq fyen në mënyrë aq të paskrupullt udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës sikur që e mohon shtetin e Kosovës duke e konsideruar si pjesë të Serbisë dhe këtë e bënë falë Buxhetit të Kosovës e që në asnjë vend në botë nuk do të lejohej. Për këtë arsye , KMDLNj kërkon që ndaj Goran Rakiqit dhe të tjerëve të fillojnë hetimet ex – offitio nga autoritetet përkatëse dhe se për këtë aktivitetet armiqësorë ndaj shtetit të Kosovës të jep llogari para ligjit. Vet kërcënimi se do të japin dorëheqje pas takimit të Parisit dhe në pajtueshmëri të plotë me shtetin e Serbisë paraqet argument të mjaftueshëm të hetohet dhe gjykohet për shpërdorim të Buxhetit të Kosovës për faktin se për organizim të zgjedhjeve lokale janë shpenzuar afërsisht 800.000 euro nga Buxheti i Kosovës . Nëse Goran Rakiq deklarohet se është shtetas i Serbisë dhe se vetëm Vuçiqin e konsideron president të vetin si dhe Serbinë shtet që i bindet dhe i shërben atëherë ai duhet të trajtohet nga autoritetet kosovare në përputhje me këtë deklarim dhe sjellje !
KMDLNj konsideron se të gjithë ata që i fyejnë institucionet e Kosovës , pavarësisht përkatësisë etnike dhe të tjera duhet të sanksionohen me ligj dhe se të gjithë ata që punojnë kundër interesave shtetërore duke i shërbyer publikisht një shteti armiqësorë ndaj Kosovës duhet gjithashtu të sanksionohen me ligj sikur që nuk duhet të paguhen për këtë shpërfillje dhe dëmtim që i bëjnë shtetit të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet ta eliminojnë shprehjen e diskriminimit pozitiv , qoftë si term e lëre më si veprim për faktin se është një formulim politik dhe kundër të drejtave të njeriut . Kosova duhet të krijojë kushte për trajtim të barabartë dhe jo-diskriminues për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht përkatësisë etnike , gjinore , moshore , racore , bindjeve politike apo statusit në shoqëri që e obligon Kushtetuta e Kosovës dhe dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur që e bëjnë të gjitha vendet e botës e jo të krijojë rrethana diskriminuese ( për komunitetet tjera jo-serbe në Kosovë e që janë bashkëpunuese si dhe serbët e Kosovës e që gjithashtu janë bashkëpunues ) dhe rrethana favorizuese për serbët që përfaqësohen përmes Lista Srpska e që në asnjë mënyrë nuk duhet të përkrahen nga shteti i Kosovës !
Sipas KMDLNj tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe askush nuk ka të drejtë ta negociojë ( në çfarëdo forme qoftë ) tërësinë territoriale . Për këtë arsye , Goran Rakiq është kundër interesave të Kosovës , kundër interesave të serbëve të Kosovës dhe se aktiviteti i tij destruktiv dhe kriminal kundër Kosovës duhet të ndërpritet me masa ligjore. Në të kundërtën , për mosveprim , vet shteti i Kosovës do të marrë përgjegjësi për përshkallëzim të mundshëm të situatës në Veri të Kosovës e që duket të jetë i paevitueshëm!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...