2021-12-26

Ferid Hudhri: Rizbulimi i Shqipërisë nga artistët europianë


Ndryshe prej përshkrimeve të udhëtarëve, rrëfimeve nëpër libra, revista e botime të tjera, si dhe relacioneve për kancelaritë e kohës, shqiptarët e shekujve XVII-XX u paraqitën në pamjen e tyre më reale, më të plotë dhe më të bukur në veprat e piktorëve europianë. Përmes vizatimeve, gravurave, litografive, akuareleve apo tablove me ngjyra vaji, artistë nga vende të ndryshme sollën para syve të gjithë botës imazhe të realizuara direkt në mjediset ku jetonin shqiptarët.           

Krahas artistëve që erdhën posaçërisht  për të pikturuar, të tjerë që nuk mundën të vinin fizikisht, i huajtën kostume shqiptare nga kolegët, u mbyllën nëpër studio dhe me përkushtimin dhe intuitën e krijuesve të vërtetë realizuan disa nga tablotë më të bukura. Bashkë me veprat që u ekspozuan në sallonet e Parisit, të Londrës dhe qyteteve të tjera europiane, në të njëjtën periudhë, imazhet nga bota shqiptare u riprodhuan edhe në litografi, në katalogë dhe në albume arti. Që nga ajo kohë disa prej krijimeve me temë shqiptare u vendosën nëpër galeri, muze dhe koleksione nga më të njohurit nëpër botë.

Veç jehonës nëpër vendet ku u ekspozuan, krijimtaria e autorëve europianë ka një vlerë të veçantë  për historinë dhe kulturën shqiptare. Tablotë më të hershme të piktorëve britanikë, francezë, austriakë, gjermanë, italianë apo nga kombësi të tjera  u realizuan pikërisht në kohën kur nga piktorët vendas mungonin imazhe nga jeta e përditshme.

Ishte koha kur shqiptarët për disa shekuj mbetën nën pushtetin e Perandorive të Lindjes, ku krijimtaria artistike, e përqendruar kryesisht në pikturimin e ikonave dhe afreskeve, sipas kanoneve të artit Pasbizantin, apo arabeskave e ornamenteve floreale të stilit oriental, nuk arriti të pasqyrojë jetën reale të njerëzve.

Albert Kretschmer, Dasma shqiptare, akuarel i vitit 1906

Të ndodhur në skajin më të largët të Perandorisë Otomane, shqiptarët ndonëse për pak shekuj u ndjen gati të harruar, gjithsesi, ata patën fatin të ishin  pranë portave të Perëndimit, rrjedhimisht më pranë studiove të piktorëve dhe skulptorëve europianë, ku aspekte të jetës së përditshme përjetësoheshin në tablo, statuja e monumente, si dhe në gjini të tjera të artit. Për fatin e mirë të saj, hapësira shqiptare u vizitua më shpejt dhe më shpesh nga piktorët dhe skulptorët europianë, krahasimisht me vendet e tjera më në thellësi të perandorisë. Kështu, boshllëku që ishte krijuar prej disa shekujsh nga mungesa e tablove prej artistëve vendas u plotësua prej veprave e autorëve të ndryshëm që erdhën  nga Europa.

Nga krijimet më të hershme klasifikohen hartat e venecianëve gjatë shekullit XV. Siç dihet në ato skicime të thjeshta nuk paraqitej vetëm vija bregdetare apo kufizimet e qyteteve me emrat e lumenjve dhe liqeneve, por vizatoheshin kështjella, kisha, shtëpi, kodra me pemë, anije në breg të detit si edhe objekte të tjera. Duke dhënë një përfytyrim real figurativ, ato mund të përcaktohen si imazhe të moçme për trojet e banuara nga shqiptarët gjatë shekullit të zbulimeve dhe udhëtimeve të mëdha gjeografike. Nga ajo periudhë ruhen pamjet e hershme të Durrësit (Epidamno, Durazzo), Butrintit (Buthrōtum), Vlorës (Valona), Shkodrës (Scutari), Kaninës (Canina), si dhe të qyteteve apo krahinave të tjera.

Por korpusi më i madh i krijimeve të artistëve europianë iu kushtua qëndresës shqiptare ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Imazhi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468) është përjetësuar në qindra vizatime, gravura, litografi, tablo, qeramika, medalione, statuja dhe monumente që ndodhen nëpër muze, kështjella, galeri, sheshe qytetesh apo koleksione të ndryshme publike dhe private. Figurën e Skënderbeut e kanë vizatuar dhe pikturuar disa nga autorët më të shquar të artit europian si Gentile Bellini, Rembrandt Van Rijn, Jorg Breu, Cristofano dell’Altssimo, Jost Amman, Joris Hoefnagel, Aliprando Capriolo, Antonio M. Crespi,  Francesco Zucchi, si dhe shumë autorë të tjerë të njohur. 

Antal Ligeti, Grua shqiptare me veshje të kuqe, 1845

Pas tablosë “Mbrojtja e Shkodrës” nga Paolo Veronese ku paraqiten luftimet për ruajtjen e kështjellës së fundit antiosmane në Shqipëri, duket sikur humbi edhe interesi i artistëve ndaj banorëve që mbetën nën robërinë e pushtuesve. Ndërsa me të larguarit në bregun tjetër të Adriatikut, me arbëreshët ndodhi e kundërta. Artistë italianë dhe kolegë të tyre nga vende të tjera të Europës në kontaktet me shqiptarët e sapo ardhur gjetën motive të reja, të bukura dhe  të veçanta për tablotë e tyre. Kur pikturonte në Sicili, artisti francez Jean Houël shkruante se arbëreshet vishen gjithë madhështi e shkëlqim  dhe se ato  veshje i ruajnë nga atdheu i tyre i lashtë.  Ndërkohë që autorët vendas B. Pinelli, M. Vito, A. Cefaly, S. Gatta, E. Bergler e shumë të tjerë prej kohësh vazhdonin të pikturonin dhe të ekspozonin në Itali dhe nëpër vende të tjera tablo me motive nga jeta e arbëreshëve. Kështu për shumë e shumë vite imazhet e shqiptarëve u paraqitën në artin botëror vetëm përmes pikturimeve të realizuara në Itali. Disa nga portretet me titujt “Albanese”, “Albanesen”, “Albanaise”,  “Albanians” që ruhen edhe sot nëpër muze të njohur të botës, i takojnë  kësaj periudhe.

Kjo vazhdoi deri nga fillimi i shekullit XVIII kur atdheu i Skënderbeut ende dukej tepër e largët edhe për fqinjët më të afërt europianë. Siç shprehej historiani anglez Edward Gibbon (1737-1794), Shqipëria ishte një vend që duket nga Italia e që është më pak i njohur se brendësia e Amerikës. Por nga mesi i shekullit XVIII, artistët europianë u rikthyen përsëri në trojet shqiptare. Në periudhën midis shekujve XVIII-XIX shënohet koha me krijimtarinë më të pasur. Përmes veprave të shumta që u realizuan gjatë atyre viteve mund të themi se u bë Rizbulimi i dytë i Shqipërisë për europianët, të cilët thuajse e kishin harruar që nga koha e qëndresës antiosmane. Në trojet shqiptare zbritën edhe autorë të shquar të romantizmit europian. George Byron, i pikturuar me rroba shqiptare nga Thomas Philips dhe nga disa artistë të tjerë, u bë frymëzuesi i temës shqiptare në artin europian. Eugène Delacroix, Alexandre Colin, Richard Woodville ishin ndër të parët artistë që u nxitën direkt nga vargjet këtij poeti kushtuar shqiptarëve.

Artistë të tjerë europianë i pikturuan shqiptarët me veshjet e tyre karakteristike kudo që i takuan, gjatë udhëtimeve nëpër të gjitha vendet e perandorisë otomane. Egjipti i shekullit XIX për disa vite rresht dukej si një studio arti në natyrë, për pikturimin e tipave burrërorë me fustanellën e gjatë dhe jelekët e qëndisur me ar. Nën ndikimin e orientalistit të njohur Léon Gérôme, shqiptarët e atjeshëm u bënë po aq të pranishëm edhe në tablotë e artistëve Antoine Montfort, Charles Bargue, Joseph Benwell, Etienne Billet, Alexandre Bida, Arthur Bridgman, Albert Franke dhe autorëve të tjerë.

Shqiptarët me veshje tradicionale janë pikturuar edhe nëpër shumë vende të ndryshme të Lindjes, si në Turqi nga piktorët Van Mour, Alexandre Decamps, Thomas Allom, Etienne Vernet, Thomas Allom, Amedeo Preziosi, Charles Parsons, në Damask nga Charles-Théodore Frère në Maltë  nga Charles Brockdorff në Delhi nga Louis Noe, në Rumani nga Costantin Lecca dhe Károly Szathnáry, në Venedik nga Mikhail Scotti, në Trieste nga Francesco Beda, si edhe nëpër vende të tjera  të Mesdheut dhe të Ballkanit nga Theodor Valerio, Jaroslav Cermak, Louis Papety, Joseph Cartwright dhe artistë të tjerë.

Por numrin më të madh e përbëjnë tablotë që u krijuan për shqiptarët në trojet helene. Shkrimtari dhe eseisti francez Jacques Lacarrière, një nga njohësit më të mirë të historisë greke, kur shkruan se në tablotë me temë nga Greqia gjenden edhe figura shqiptarësh, që dallohen nga veshjet karakteristike (Tsigakou, F.: La Grèce retrouvée, f. 10, Paris, 1984), ka parasysh jo vetëm pikturat e shumta të artistit gjerman Peter von Hess, por dhe shumë e shumë vepra të tjera nga Thomas Hope, Edward Doduell, Carl Hallerstein,  Apollodore Callet, Francesco Hayes, Ludovico Lipparini, Charles Gleyre etj, ku shqiptarët janë gjithnjë të pranishëm.

Daniel Sweeney, Shqiptarja, akuarel i vitit 1932

Shumë vite më vonë, gjatë luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore nëpër trojet shqiptare erdhën edhe mjaft artistë nga vendet ndërluftuese. Kjo dëshmohet me veprat shumta që ruhen nga ajo periudhë. Në vitin 1918 u hap  në Shkodër ekspozita me portrete dhe peizazhe të krijuara prej piktorëve austro-hungarezë Armin Horovitz, Pravotinski dhe László Beszédes, që është e para veprimtari e këtij lloji në trojet shqiptare.

Qetësia dhe stabiliteti i përkohshëm i krijuar në vitet e mbretërisë solli më shumë artistë nga Europa. Pas ekspozitave të para të hapura në Shkodër (1918) dhe në Korçë (1932), kryeqyteti u kthye në qendrën artistëve të huaj që vinin për të pikturuar dhe ekspozuar në trojet shqiptare. Në Tiranën e vitit 1937 u organizua konkursi i parë ndërkombëtar për monumentin e Skënderbeut, ku morën pjesë disa artistë të njohur nga Europa. Çmimin e parë e mori skulptori kroat Antun Agustinčić. Gjatë atyre viteve u realizuan edhe disa vepra të tjera monumentale në skulpturë, në mozaik dhe në relieve për institucionet më të rëndësishme të vendit, prej artistëve italianë Alfredo Biagini, Giulio Rosso dhe Gianni Remuzzi.

Edhe gjatë viteve të Lufts së Dytë Botërore nuk u ndërpre krijimtaria e artistëve të huaj. Vetëm në dy nga veprimtaritë më të rëndësishme, për konkursin «Çmimi Shqipëria» (Premio Albanese, 1939) dhe për pavionin shqiptar në Panairin Fiera dell’ Levante (Bari, 1939) u realizuan qindra peizazhe, portrete, tablo, skulptura, relieve e vepra të tjera me temë shqiptare. Prej artistëve italianë u hapën gjithashtu disa ekspozita vetjake me peizazhe e portrete në disa qytete të Italisë si dhe në Tiranë. Në vitin 1940 u ngrit monumenti i parë i Skënderbeut në sheshin Albania, pranë Koloseut në Romë.

Pas vitit 1945 Shqipëria i shkëputi të gjitha lidhjet me artistët nga vendet e perëndimit. Dyert ishin të hapura vetëm për piktorët nga Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tjera të bllokut komunist të Lindjes. Gjatë kësaj periudhe u organizuan më shumë ekspozita dhe veprimtari të tjera të përbashkëta midis artistëve. Në shtator të vitit 1955 në portin e Durrësit zbritën 19 piktorë dhe skulptorë  nga Polonia. Pas pikturimeve nëpër krahina të ndryshme të vendit, në tetor të po atij viti artistët polakë hapën  në Tiranë ekspozitën  me 100 peizazhe, portrete, tablo, etyde, vizatime me laps dhe tush. Por   ekspozita më e madhe me vepra arti kushtuar Shqipërisë u hap në  Moskë në vitin 1959 nga piktorët Evgeni Zaicev, Juri Reiner dhe Grigor Khandjan. Aty u ekspozuan 215 piktura. Kjo është gjithashtu ekspozita më e madhe me temë shqiptare që është organizuar deri më sot nga artistët e huaj.

          Gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur Shqipëria u rihap përsëri me të gjitha shtetet, rifilloi ardhja e artistëve nga vende të ndryshme. Në Tiranë dhe qytete të tjera u organizuan disa veprimtari të përbashkëta me artistët vendas, krahas konkurseve ndërkombëtare apo ekspozitave vetjake nga artistët e huaj. Dy dukuritë më të rëndësishme të këtyre viteve, Bienalja e Akuarelit dhe Muralet (pikturimet në fasadat e pallateve), kanë shënuar pjesëmarrjen më të madhe të artistëve të huaj në trojet shqiptare.

          Në çdo etapë të historisë së trajtimit të temës shqiptare, me gjithë veçoritë karakteristike për llojin e punimeve apo stilin artistik,  i përbashkët dhe i dukshëm është përkushtimi i artistëve ndaj bukurive së natyrës. Të shumtë janë peizazhet e realizuara në çdo periudhë, po ashtu i shumëllojtë është edhe këndvështrimi artistik i autorëve. Admirimin e tyre për natyrën e Shqipërisë artistët kanë shprehur edhe përmes ditarëve, letrave apo shënimeve të ndryshme. 

Pompeo Marchesi, Monumenti Tarketa, 1835, Duomo, Milano

Vlerësimet se Shqipëria “është një vend i mrekullueshëm për artistët, se kostumet shqiptare janë shumë piktoreske”1 se “vështirë mund të gjendet një vend, vetëm nëntë ditë larg nga Parisi që të jetë kaq piktoresk sa Shqipëria, se për artistët është një vend mbi gjithë të tjerët»2 apo  “se vështirë të gjesh skena më madhështore dhe më hijerënda se sa këto të këtij vendi të famshëm»3,  tërhoqën më shumë vëmendjen e artistëve europianë gjatë shekujve XVIII-XIX për të pikturuar nëpër trojet shqiptare. Bukuritë e natyrës janë evidentuar edhe në vitet më të vështira të luftës.  Poeti çek Stanislav Neumann në ditët e Luftës së Parë Botërore, kur pikturonte akuarelet e tij nga rrethinat e Elbasanit, i shkruante së shoqes «në se do të mundesh të shkosh në Shqipëri do të shohësh bukuri të mahnitshme të natyrës»4. I njëjti vlerësim shprehet edhe shumë vite më pas, kur piktorja japoneze Kimiko Amabe shkruan nga Tokio “se gjatë qëndrimit në Shqipëri ditët ishin plot emocione nga peizazhet e atij vendi të bukur, ndoshta më i bukuri në botë».5

          Krahas  tablove më të bukura si «Mali i Tomorit» dhe «Bregdeti i Shqipërisë» (nga Edward Lear), në historikun e krijimeve artistike me temë shqiptare cikli i peizazheve kushtuar Maleve Acrokeraune vlerësohet si më i madhi në numër, më i larmishëm në teknikat piktorike dhe është realizuar nga disa prej autorëve të njohur të artit. Nga pikturimi i atyre maleve të lartë nis edhe kontakti i parë i shumë artistëve europianë që erdhën me për të rizbuluar botën shqiptare.

Le të shohim konkretisht kur dhe si u realizuan veprat nga filloi rizbulimi i Shqipërisë.

Vargmali i bregdetit të Jugut, prej shumë e shumë vitesh ka qenë peizazhi që i tërhiqte udhëtarët e huaj, kur kalonin pranë bregut perëndimor të trojeve shqiptare. Nga ai këndvështrim u realizuan edhe tablotë e para që e paraqitën Shqipërinë nëpër ekspozitat apo albumet e artit, në disa prej kryeqyteteve europiane midis shekujve XVIII-XIX. Gjatë periudhës së pushtimit otoman, në pamundësi për t’u futur në brendësi të vendit, imazhin e bukur e madhështor të maleve Akrokeraune (apo maleve të Vetëtimës, siç quhen nga vendasit), artistët e huaj e pikturuan nga bordet e anijeve apo nga ishulli i Korfuzit. Edhe në kohët e mëvonshme, gjatë viteve të komunizmit, kur Shqipëria u vetëmbyll, përsëri vetëm nga ai këndvështrim u realizuan peizazhet me malet e larta të Jugut. Siç duket, andej nga deti është këndi më i përshtatshëm dhe më i bukur për pikturimin e tyre.

Faqja perëndimore e malit të Çikës, që ngrihet mbi fshatrat Palasë, Dhërmi e Vuno, e çarë nga përrenj të thatë e humnera të thella, me pak gjelbërim në pjesën e ulët, duket më madhështore kur e vështron nga larg, në distancë prej bregut të detit. Nga ky këndvështrim janë më të dallueshme edhe vetëtimat që shkrepin mbi kryet e majave të larta, në ditët me shi. Sipërfaqja horizontale e detit atje duket si një bazament i sheshtë, prej nga ngrihet si një amfiteatër gjigant, deri në lartësinë 2040 m, vargmali shkëmbor i Jugut shqiptar. Këto janë Malet e Vetëtimës apo Malet Akrokeraune, siç njihen nga të huajt.

Andej nga vështrohet pamja e tyre më magjepsëse, po andej janë bërë edhe përshkrimet më të hershme për këtë monument të bukur të natyrës. Nga ana e detit i filluan përshkrimet e para edhe gjeografët e periudhës antike, Straboni e Ptolemeu, ndërkohë që madhështia e Maleve Akrokerauneu bë e pranishme në krijimtarinë e disa prej autorëve më të shquar të letrave botërore, si te Homeri, Horaci, Eskili, Virgjili, Klaudiani dhe Bajroni, duke i cilësuar si “male vigane që kufizojnë thellësitë e qeta” (Klaudian, epigrama LXXXV), apo si male “madhështore [që] lartësohen para syve/ si amfiteatër vullkanik natyre” (Bajron, Çajld Harold, strofa 51) etj. Virgjili, duke i përmendur te Eneida (pjesa e III), shkruan “Pranë shkëmbinjve të Keraunias vazhduam udhëtimin tonë/ Rruga më e shkurtër për në bregdetin italian…” (sipas përkthimeve nga R. Kadia). Shumë vite më pas, nga përcaktimi “Kopsht shkëmbor”, që u bëri këtyre maleve anglezi Paul Edmonds, mori titullin eseja e njohur e Konicës për Shqipërinë. Pasi përshkruan shtrirjen e maleve Akrokeraune vetë Konica ka nënvizuar se “madhështia e tyre i ka bërë përshtypje të madhe natyralistit romak, Plinit Plak, sa dikur në shkrimet e tij ai thotë për to: “Ato janë të harkuara si një teatër”, ndërsa në ditët tona,– vazhdon Konica, madhështia e tyre rripa-rripa i ka dhënë Shqipërisë përcaktimin e goditur “Kopsht shkëmbor i Europës Juglindore”.6

Gjenden edhe shumë përshkrime apo citime të tjera për malet Akrokeraune, ndërkohë që përjetësimet më të bukura për to janë bërë në art. Imazhet më të hershme piktorike që njihen deri tani u takojnë viteve të para të shekullit XIX. Akuareli “Malet shqiptare nga Korfuzi” u realizua prej piktorit William Haygarth në vitin 1810. Origjinali ndodhet në bibliotekën Genadio, në Athinë. Ndërsa në Muzeun Britanik në Londër ruhen dy vepra për malet Acroceraune; një vizatim dhe një akuarel nga piktori, arkeologu dhe udhëtari i njohur Sir William Gell. Artisti tjetër britanik H. W. Williams, gjatë udhëtimit nga Italia për në Greqi, në vitin 1819 i vëzhgoi që nga larg dhe i befasuar prej pamjes së tyre, vizatimin e parë e bëri që nga bordi i anijes. Ndonëse në plan të parë, si dhe në pjesën më të madhe të gravurës, paraqiten marinarë dhe objekte të ndryshme në mjediset e kuvertës, titulli i veprës ka ardhur nga malet e larta të bregut shqiptar, të vizatuara në sfondin e tablosë. Më pas, piktori që kishte ardhur për të pikturuar pamje nga Italia dhe Greqia, u afrua me anije pranë brigjeve të Vlorës e Himarës. Prej andej realizoi dhjetëra vizatime, mbi bazën e të cilave u dha formë tri gravurave të tjera që i titulloi: Panoramë malore në Shqipëri, Gjiri i Vlorës (Gulf of Avlona), Bregdeti i Shqipërisë së Jugut. Një vit më pas, kur u kthye në vendlindje, Williams, bashkë me librin Udhëtime në Itali, Greqi dhe ishujt jonianë (Travels in Italy, Greece and the Ionian Islands, Edinburg, 1820), botoi edhe gravurat e frymëzuara nga malet Akrokeraune. Pas nëntë vjetësh, më 1829, Williams i botoi përsëri në përmasa më të mëdha, ku ndihet më qartë tashmë mjeshtëria e piktorit në shëmbëllimin e disa peizazheve epike, ku deti i dallgëzuar që përplaset mbi shkëmbinjtë pranë maleve të larta me shkreptimat e rrufeve mbi krye, të krijon më shumë madhështi.

Pak vite më pas u realizua tabloja më e bukur në ngjyra vaji, që është krijuar deri tani me këtë motiv. Aty jepet më qartë ideja e maleve në formën e një amfiteatri natyror, siç është quajtur nga disa udhëtarë. Autori i kësaj pikture është anglezi Edward Lear. Para se të vinte në Shqipëri, për të pikturuar malet e larta që kufizojnë thellësitë e qeta, artisti anglez ishte njohur me madhështinë e tyre. Pas gravurave të Williams-it, të cilat i kishte parë në Londër, malet Akrokeraune i kishte vështruar edhe gjatë kohës kur pikturonte në Korfuz. Madje, që andej ai kishte realizuar edhe disa nga vizatimet, akuarelet e litografitë e para me atë motiv. Në ditarët e shkruar gjatë udhëtimit nëpër trojet shqiptare (Journals of a Landscape Painter in Albania & c. London, 1851), Lear tregon interesimin e veçantë dhe dëshirën për të arritur sa më shpejt pranë tyre. Në faqet e para të ditarit, sapo niset nga Durrësi, ai shkruan: …të shkoj drejt jugut duke i rënë nga bregu, do të futem në Vlorë dhe prej andej në Akrokeraunia. Ndërkohë, gjatë gjithë rrugës mblidhte të dhëna, bisedonte me të zotët e shtëpisë ku bujti natën e parë në Vlorë dhe në pasditen e 21 tetorit, kur arriti pranë maleve të larta, që i kishte parë nga Korfuzi, nuk u përmbajt nga emocioni dhe filloi të shkruante: …Çfarë bukurie! Në skajin e ngushtë të gjirit hapet një pamje e mrekullueshme, me detin si liqen i palëvizshëm dhe i errët nën murin e lartë të maleve të territorit të Himarës. Tragjasi, që mund të quhet edhe porta për në malet Akrokeraune, ngrihet mbi një lartësi mu përpara nesh, kurse mbi gjithë peizazhin mbizotëron maja madhështore e Çikës, e mbuluar nga dëbora. Maja më e lartë e Çikës duket qartë nga Korfuzi, kurse në Jug të saj shtrihen fshatrat e Himarës. Nuk më kujtohet të kem parë shpesh pamje më sublime e më të veçuar nga bota se kjo. Pasi tregon për skicat që bëri nga ajo pikë, duke i përshkruar pamjet më mbresëlënëse të një natyre të egër që nuk e kishte parë që kur ishte në Kalabri, Lear shpërthen duke iu drejtuar kolegëve të tij artistë: Shkoni o piktorë të vizitoni malet Akrokeraune! Po nuk shkuat atje, nuk keni për të mësuar për shkallët më madhështore të piktoreskes së egër, por klasike, qoftë ilire apo epirote, qofshin njerëz apo male; por shkoni, ama, me një udhërrëfyes të mirë… Malet Akrokeraune janë toka të pashkelura nga këmba e udhëtarit dhe mund të mos jenë fort të përshtatshme për një turist të vetmuar (f. 121,157, 160, sipas përkthimit të M. Nishkut).Nga gjithë pikturimet nëpër Shqipëri, pas qytetit të Beratit dhe malit të Tomorit, imazhet e maleve Akrokeraune janë më të pranishme midis vizatimeve dhe akuareleve të Lear-it.

Pesë vjet më pas, më 1853, drejt maleve rripa-rripa të Jugut shqiptar, u nis për t’i pikturuar edhe një autor tjetër britanik. Ndërkohë që i afrohej Korfuzit, piktorit Henry Cook  i mbetën sytë nga malet në bregun e Shqipërisë dhe duke shprehur admirim për to, i quajti male të bukura dhe më interesantet që ka parë.7 Pasi i pikturoi në distancë, nga ishulli grek, Cook iu afrua me anije bregut shqiptar dhe realizoi disa litografi me pamjen e maleve. Në të njëjtën kohë ai qëndroi edhe në Butrint, ku krijoi litografinë e tij më të bukur.

Nga kërkimet e deritanishme, këta janë pesë nga piktorët më të hershëm që pikturuan malet e larta të Jugut. Artistë të tjerë që udhëtuan në këtë periudhë, si C. Cockerell, J. Cartwright, L. Dupre, si dhe P. Beresford, ndonëse kaluan dhe pikturuan deri në Butrint dhe krahina të tjera përreth, nuk krijuan ndonjë vepër për malet Akrokeraune. Ndoshta për arsyen se në tokën shqiptare ata u futën përmes Greqisë, pa kaluar nga bregdeti i Jugut, andej nga duket pamja e tyre madhështore.

Rreth viteve 1884-1885 u realizua një peizazh i bregdetit të Jugut edhe nga mbretëresha Aleksandra, bashkëshorte e mbretit Edward VII, mbret i Britanisë së Madhe. Kjo tablo, e pikturuar gjatë një udhëtimi me jahtin mbretëror pranë bregut shqiptar, ruhet në Koleksionin Mbretëror të Anglisë (Royal Collection Trust, London). Në atë koleksion të pasur ruhet një nga peizazhet më të bukura me këtë temë nga piktori i njohur Carl Ross. Tabloja e këtij artisti gjerman është pikturuar nga ishulli i Korfuzit.

Thuajse të gjitha pikturat e tjera të artistëve të huaj që njihen deri tani, janë realizuar gjatë udhëtimit pranë brigjeve shqiptare apo nga Korfuzi. Madje, edhe piktori i njohur John Frederick Lewis, për të cilin është shkruar se ka pikturuar edhe në brendësi të trojeve shqiptare, malet Akrokeraune i pikturoi nga Korfuzi, në vitin 1840 (disa vjet përpara krijimeve të njohura të E. Lear-it dhe H. Cook-ut). Në arkivin e muzeut Viktoria dhe Albert në Londër, krahas akuarelit nga Butrinti prej piktorit H. Sandham, ruhet edhe një peizazh nga Korfuzi, ku, siç shihet në tablo dhe siç përshkruhet në skedën e veçantë të kësaj vepre, janë pikturuar malet shqiptare që duken në horizont (Fondi: Sandham, dosja 61, Victoria & Albert Museum, London).

Nga i njëjti këndvështrim janë realizuar edhe tablotë e artistëve Karl Krazeisen (1827), William Linton (1830), Otto Wagner (1831), Eugène Peytier (1831), William Page (1832), Clarkson Stanfield (1832), Edward Finden (1832), G. F. Sargent (1832), Peter William Hamilton (1834), Thomas Cromek (1934), Jean Pourvoyer (1835), Joseph Benetly (1839), Orrin Smith (1841), Pierre E. Grandsire (1878), Joseph Schranz (1877), Lordi Windsor (1882), Ernest Edward Briggs (1909), Michael Zeno Diemer (1929), James Tristram Ellis, Tuxen Lauritis, Patrik Leonard (1985), Valerio Adami (1990). Kështjella në Korfuz, me malet shqiptare në sfond, është motivi i disa veprave të reja nga artistët e ditëve tona, si të anglezëve Anne Durham (1993), William Serridge (2003), Sara Williams (2004), piktores polake Anna Witkowska (2005), që banon në Korfuz dhe artistit britanik Julian Baley (2012).

Ndërkohë që artistë nga bota vinin dhe vazhdojnë të vijnë në tokën greke për të pikturuar malet shqiptare, do të ishte e pamundur dhe e mangët që vetë piktorët grekë të mos kenë qenë të frymëzuar prej maleve të bukura dhe interesante që shihen vazhdimisht nga ishulli i tyre. Nga kërkimet e deritanishme, Agelos Giallians ka realizuar një nga imazhet më të veçanta që është krijuar për ato male. I ka pikturuar në çastin e perëndimit të diellit, kur rrezet e fundi, me ngjyra të praruara midis së verdhës dhe portokallisë, u japin këtyre maleve madhështore një ndriçim të veçantë që krijon përfytyrimin e flakëve të ndezura që duken sikur ngrihen nga deti.

Kohët e fundit, me rritjen e teknologjisë digjitale, kur fotografimet në distancë arrihen me cilësi të lartë teknike, janë realizuar shumë foto të bukura artistike, ku malet Akrokeraune, të vështruara nga Korfuzi, shfaqen si një mrekulli e rrallë natyrore. Nën efektin e dritës që merr nuanca të ndryshme nga refleksi i detit, si dhe nga ndriçimi i diellit mbi malet e larta, apo mjegulla e mëngjesit, që ndan sipërfaqen e ujit nga masa shkëmbore, krijohen imazhe nga më të larmishmet dhe shumë tërheqëse. Stephen Cotterell dhe Paul Cohan janë dy nga fotografët e ditëve të sotme, të cilët kanë realizuar disa nga fotot më të bukura të atyre maleve.

Nga ndjesia që përftohet kur sheh pikturimet dhe fotografimet e mësipërme, të duket  sikur shprehja e njohur madhështia e një mali të lartë kuptohet më mirë kur e sheh nga larg, është krijuar pasi janë soditur veprat e artit që paraqesin madhështinë e maleve Akrokeraune, të pikturuara nga largësia e bregdetit, apo ishulli i Korfuzit. Për banorët vendës, pikturat dhe fotot që përmendëm sjellin imazhet më magjepsëse që ata, për fat të keq, nuk kanë mundur t’i kundrojnë në përmasën e tyre të madhërishme kur kanë kaluar poshtë apo pranë dhe jo përtej e përballë tyre. Ndoshta ky është edhe shpjegimi më i saktë për mungesën e deritanishme të tablove me këtë motiv nga artistët shqiptarë, të cilët banojnë dhe pikturojnë në brendësi apo nën hijen e maleve Akrokeraune.

_____________________

1. Best, J.: Excursions in Albania, f. 200, London, 1842.

2. Mayhew, A.: In Albania with the Gegs, Scribner’s Monthly, vol. XXI, f. 377, New York, 1881.

3. Lear, E.: Journals of a Landscape Painter in Albania & c., f. 88, London, 1851.

4. Intervistë me gruan e S. Nojmanit, gazeta Drita, 30 prill, f. 3, Tiranë, 1961.

5. Amabe, K.: Shqipëria, vendlindja ime e dytë, gazeta Drita, Tiranë, 1 dhjetor 1985.

6. Konica, F.: Veprat, vëll. 2, f. 386, Botimet Dudaj,Tiranë, 1993.

7Cook, H.: Ionian Islands, Greece and Constantinople, f. 4-5, London, 1853.

Ermira Alija: Përse vazhdon të ribotohet romani “Të çmendur në parajsë” i Virion Graçit?

 

Të jep një kompleks ndjesish romani “Të çmendur në Parajsë ” i Virion Graçit. Stuhia e mendimeve dhe e emocioneve që provokon, i ka rrënjët e thella dhe ti si lexues e kupton se ato mbartin shumë gjëra mbas vetes.

Gjithçka fillon me lirinë. Ajo provokon tek personazhet e romanit standardet e tyre të vlerësimit për disa realitete të jashtme dhe të brendshme; provokon një krizë të raporteve të vetjeve të tyre: vetjes ekonomike, familjare, shoqërore, kombëtare… 

Ku po shkoj unë? Unë!?

Pa vendin tim, pa gjuhën time, pa shokët e mi. Pa gruan time, pa djalin tim, pa emrin tim, pa …

Kriza e fortë ekonomike i shtyn personazhet e romanit të shkelin rregulla, të shkojnë për të punuar në një vend të huaj ilegalisht. Kjo i bën të ndeshen me një realitet ndryshe, të pambrojtur nga ligji, në dorë të njerëzisë. E kështu, edhe liria e njerëzisë së huaj (si individë, si opinion shoqëror, si institucion), vihet nën provokim. 

Ky është ambienti në të cilin zhvillohen ngjarjet e romanit, ambient që hap mundësi për shumë shfaqje, përtej emërtimeve: 

Polici shqiptar na shtyn me shkopin e gomës …

Duhet ta lirojmë xhadenë… të kalojnë makinat shumëtonëshe. Makinat e tregtarëve, doganierëve…

Panajoti dhe Rexhepi u pëlqyen shumë shpejt midis tyre.

Madje unë jam tërhequr ca para kësaj miqësie bashkëmoshatarësh të ndryshëm.

Secili bisedon në gjuhën e vet pa e kuptuar tjetrin dhe kështu vazhdon ky komunikim shembullor dhe komik.

E shikoj në bebëza në mënyrë pyetëse. Me ankth. Ai pohon…

Një avull i ngrohtë më djeg lëkurën e zverkut.

Romani flet për të çmendur. Zakonisht çmenduria perceptohet si mungesë e pavetëdijshme e dëshirës për ta pranuar realitetin.  Të çmendur në Parajsë  guxon ta prekë atë realitet, të shfaqë caqe të pacekura të tij, ndoshta tabu. Luan me të kundërtat e valencave dhe parapëlqen të paraqesë skaje njerëzore, duke refuzuar pozicionimin:

Merina fiton shumë. Mbledh para … i ngelen dhe për veten …

Sa shumë ngjan me Lorën. Si dy pika uji. Lora u shpërbë.

U nda në disa pjesë: një djalë, një kufomë, një varr dhe një braktisje.

(Lora) Është një planet pa jetë. Një planet që kërkon orbitë.

Kërkon një orbitë të shuar. Një orbitë që nuk ka ekzistuar.

Një orbitë që nuk ka ekzistuar kurrë …

Një orbitë e imagjinuar.

Sana shikon si fajtore. Nuk ka se ku të mbështetet. Gjithçka rrafsh. Rrafsh.

Gjithçka që ndodh në roman vjen tek lexuesi si e vërtetë subjektive, që lëviz:

Nuk di të sillem. Jeta s’gjendet në trupat tanë. Jeta gjendet në lëvizje. Në shtegëtim të pandërprerë.

Gjithandej, asgjëkundi, gjithandej, asgjëkundi?!

Autori rrëfen duke provokuar me fjalë ndjesi, që nuk është e lehtë t’u vihet emër:

Lëshohem i tëri në një humnerë vdekësie.

Në një humnerë të shtruar me mjegull dhe shkurre të gjelbërta.

Në fund të saj është një yll i bukur. Turrem drejt tij. …

 I afrohem pafundësisht. Ai ndalet. Ndahet. Coptohet.

Në qindra pjesë. Në tre pjesë. Qindra yje me të njëjtën fytyrë. Një lloj. Qindra.

Shkas pambarimisht në thellësirat e mistershme të humnerës.

Mjegulla ngjishet dhe forcohet, kurse shkurret më mbajnë copa lëkure.

Psherëtij. Dhe pres sopatën e mprehtë të më godasë në shenjë, në gjoks, në kokë.

Majat e pemëve mbajnë mbi krye zymtësinë e qiellit. Yjet janë shuar.

E çuditshme se si ndjesitë në roman e tejkalojnë mendimin. Të shtrira përgjatë romanit, duket se fitojnë një lloj pavarësie, si një lloj e vërtete që është e paaftë për të qëndruar vetëm. Dhe kjo e vërtetë nganjëherë shfaqet si haraç i lartë i prishjes së raportit konvencional të vetjeve: 

−    Ju doni të më vrisni, − thotë më pas fare qartë.

−    Jo. Lora. Unë të dua.

−    Ti ike.

−    Ika të blinim shtëpi më të madhe.

−    Ti ike.

−    Ika por nuk ju harrova. Gjithmonë mendoja për ju.

−    Ti ike.

Herë shfaqet si haraç i një psikoze shoqërore, që e paguan preja e radhës:

−    Spiro ti nuk ke bërë asgjë të keqe, apo ke bërë? − më pyet ai me inat.

Sytë e kaltër i shkrepëtijnë. O njeri i mirë. O njeri.

−    Po. Kam punuar, kam punuar si skllav, kaq. Ky është faj i rëndë Panajoti.

Ai nxehet kurse unë prisja të qeshte me të madhe. Bërtet:

−    Ah, pushtat, − pastaj zbutet. − Rri urtë se të vrasin. Kjo është puna e tyre.

Herë si limit ekstrem i çbërjes së njeriut deri në mbijetesë:

Sana përdhe përkrah Fationit. Ky i fundit nuk është përmendur ende.

Dikush i ka futur midis këmbëve të mbathurat e gruas së tij, të njomura e të mbledhura shuk.

Sana fle me sy hapur. E shokuar.

Shpirti merr fytyrën e fatit.

Romani flet për të çmendur. Zakonisht çmenduria perceptohet si mungesë e pavetëdijshme e dëshirës për ta pranuar realitetin. E si mund të mos pranohet Parajsa?  Apo edhe Parajsa ka honet e saj?!

Gjithsesi romani nuk lexohet për të marrë përgjigje. Ai tejkalon limitet e kuptimësisë në favor të një letrariteti gati poetik:

Tani që Lora ka ikur, më lumturon optika e saj prej të çmendure. Më quajti … djalin … e saj… më quajti … djalin … tim… më quajti … Tori. Dhe unë rashë në duart e saj … i lehtë … si pupël … dhe i turbullt … si kjo … dritë neoni … rashë në duart e saj … dhe pashë si vdesin shekujt në konstruktet femërore… si vdesin teoritë dhe përgjithësimet … si vdesin vdekjet dhe lindjet, si vdes gjithësia dhe vdekja e gjithësisë … si vdes njeriu dhe vdekja e njeriut.

Autori vë në gojën e rrëfimtarit: …unë gjendem në sipërfaqen e gjithësisë. Tapë pluskuese…

Kjo është ndoshta arsyeja që romani përkthehet e vazhdon të ribotohet.

Floresha Dado: Sfidat e shkencës albanologjike në hartimin e historisë së letërsisë shqiptare

 


Pse sfida të albanologjisë?

Sepse ky projekt i madh shkencor jo vetëm pret, prej dekadash, të realizohet në nivelin e një monumenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare, por edhe sepse, sipas mendimit tim, akoma nuk po kuptohet se sa i domosdoshëm është diskutimi për zgjidhjen e disa parimeve konceptuale, që do të jenë garantim i suksesit të këtij realizimi. Hartimi i historisë së letërsisë shqiptare nuk është një dëshirë, por përgjegjshmëri shkencore, që duhet të ndjehet që në hapat e konceptimit të saj. Në problematikën shkencore, specifike për një histori letërsie, studiuesit do ndeshen patjetër me disa sfida, të cilat duhen diskutuar në tavolinë specialistësh. Disa prej këtyre sfidave :

Sfida e parë : Do ishte e habitshme për ndonjë, nëse them se nuk njihet tërësisht problematika e konceptimit të historiografisë letrare; kjo ndodh sepse jo gjithnjë është në  vemendje kompleksiteti i natyrës së letërsisë.  Një tërësi çeshtjesh dëshmojnë sot sa periferikë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi rreth këtij projekti themelor të kulturës shqiptare. Dilemat që nxit hartimi i “Historisë së Letërsisë Shqiptare” zgjidhen përmes një varg çeshtjesh të karakterit metodologjik, si çeshtjet e kritereve të hartimit, të  periodizimit, të metodave të studimit, të kuptimit të raportit të historiografisë letrare me historinë, të marrëdhënies së historianit të sotëm me krijimet në kohë, të raportit midis kuptimit historik dhe evolucionit të strukturave formale të letërsisë etj.

Sfida tjetër :  studimi i letërsisë sonë, në shtrirjen e gjatë kohore, në variushmërinë e drejtimeve dhe individualiteteve letrare, nxjerr në plan të parë mbështetjen në një sistem nocionesh teorike mbi thelbin dhe specifikën e objektit të saj (letërsisë), mbi konceptet që kanë të bëjnë me procese të zhvillimit historik, si për shembull : koncepti mbi rrymat dhe drejtimet letrare, mbi poetikat që karakterizojnë çdo drejtim, mbi kriteret e dallimit të gjinive letrare, mbi konceptin e saktë të metodës krijuese, që ka të bëjë me shkrimtarët, por dhe të metodës interpretuese, që ka të bëjë me studiuesin. Ndërsa historia e letërsisë kërkon gjenezën e gjinive dhe formave letrare, evolucionin dhe variacionet e tyre, në kohë dhe në hapësirë, teoria orienton mbi thelbin e strukturës dhe sistemit letrar, qëndrushmërinë dhe ndryshueshmëritë e tyre, modelet dhe normat krijuese, etj. 

Sfida tjetër : Historia e letërsisë sonë duhet të përcaktojë qartë kufijtë e objektit, ku në plan të parë është raporti me historinë. Historiografia letrare dhe historiciteti i saj, janë dy koncepte që, sa lidhen ngushtësisht me njeri tjetrin, aq thelbësisht të dallueshme i kanë specifikat e brendshme të tyre. Disa tekste të Historisë së Letërsisë Shqiptare, duke qenë të nënshtruar  ndaj konceptit të kronologjisë kohore, nuk kanë realizuar kuptimin e vërtetë të historicitetit të kësaj disipline. Në këtë mënyrë, ndonëse pretendojnë të ishin histori letrare, në të vërtetë mbetën kryesisht kalime në kohë. Evolucioni i raportit estetiko-historik, i shtrirë në kohë, nuk u konceptua si një kriter i rëndësishëm për të ndërtuar drejtë marrëdhëniet midis Historisë së Letërsisë dhe Historisë. Kjo është shumë e rëndësishme për të korregjuar trajtimet e deritanishme të këtij raporti në tekstet e historive të letërsisë.

Sfida tjetër : Saktësimi i natyrës dhe i funksionit të Historisë së Letërsisë korrigjon kuptimin e raportit midis historiografisë letrare dhe metaligjërimve të tjera. Historiografia letrare është një realizim ndërdisiplinor e ndërligjërimor, një nga fushat më bashkëpunuese, më krahasimtare dhe interpretuese.  Nëse ajo ka lidhje me disiplina të tjera, si teoria, kritika, poetika, stilistika, tekstologjia, letërsia krahasimtare (si metodë studimi) etj.; me disiplina të karakterit humanist, si filozofia, filologjia, historia e arteve, historia kombëtare, historia e religjioneve, antropologjia, sociologjia, studimet kulturore;  si dhe me disiplina të një sfondi më të gjerë të shkencave ekzakte,  si statistika, semiotika e përgjithshme, paleografia etj., duhet të kemi parasysh se në këtë specifikë të saj fshihet edhe rreziku i prishjes së kufijve të një histori letërsie.

 Sfida tjetër: Historicizmi dhe Historia e letërsisë  Ku qëndron dallimi midis historicizmit klasik dhe historicizmit të ri ? Historicizmi i ri zgjeroi, në studimet letrare, kuptimin e raportit midis letërsisë dhe historisë. Në pikëvështrimin e tyre  historia nuk shihet thjesht në linjën e vazhdimësisë dhe zhvillimit, por kryesisht nën pushtetin e një force sinkronike, si një forcë produktive, gjenerative. Ky aspekt nuk ka tërhequr vemendjen e studiuesve, ndonëse në kapërximin midis këtyre dy koncepteve të afërta ekziston një kuptim më i thellë i raportit letërsi-histori. Zhvillimi historiko-letrar, duhet parë jo thjesht si dokument, pasqyrim, por si pjesë e brendshme e zhvillimit.

Sfida tjetër Në hartimin e historisë së letërsisë del në plan të parë kuptimi i drejtë i raportit midis realitetit historiko-letrar dhe rrëfimit historiko-letrar, ku asnjeri nuk është i pavarur nga tjetri. Kjo kërkon interpretimin e marëdhënies midis ligjërimit specifik letrar dhe metaligjërimit, që  i përket një realiteti në distancë kohore. Dallimi midis këtyre dy kodeve ligjërimore, artistik dhe shkencor,  lidhet me  qëllimet dhe rrugët e ndryshme që ndjekin për njohjen e së vërtetës njerëzore. Historia e letërsisë synon përshkrimin, sipas standarteve teorike e metodologjike, ajo u referohet gjithë faktorëve të krijimit dhe komunikimit letrar, si shkrimtarit, veprës, lexuesit, kodit, sistemit të konvencioneve kulturore, etj. Kjo bën që ky lloj ligjërimi të shfaqet si kombinim i tipareve teorike, empirike-historike, kritike-interpretuese, pra si një model kompleks ligjërimor mbi  letërsinë. Kjo bën, gjithashtu, që ligjërimi i historisë së letërsisë të jetë më standart, më i qëndrueshëm në stereotipet strukturore.

Sfida tjetër : Zgjerimi i teorive moderne, mbi kuptimin e letërsisë, shtron domosdoshmërinë e zgjerimit të metodave të hartimit të historisë së letërsisë. Praktika e deritanishme e historiografisë sonë letrare ka treguar se problemi i metodologjisë dhe i përcaktimit të metodës së studimit është themelori për suksesin të këtij projekti.  Në mendimin metodologjik mbi përzgjedhjen e metodave shkencore do mund të diskutohej: a është e mundëshme që në studimin e letërsisë të vendoset një dominante, një metodë kyç e kërkimit; apo a mund të jetë e nevojshme të përdoren metoda plotësuese (policentrizëm metodologjik); dhe së fundi, a duhet kërkuar një metodë tërësore dhe integruese, që mund  të karakterizojë studimin e letërsisë ( centrizëm metodologjik).? Ky diskutim metodologjik është i rëndësishëm. Kur është fjala për studimin historiko-letrar sistemi i metodave, që mund të përdoren, i përshtatet si studimit të vazhdimësisë, vertikalisht (në diakroni), ashtu dhe studimit horizontal (në sinkroni).  Nëse Historia e Letërsisë Shqiptare do të mbështetej kryesisht në konceptin metodologjik të hetimit të evolucioneve stilistikore, kjo do të kërkonte ndjekjen e letërsisë në dy pikësynime kryesore : përcaktimin e fazës së formimit dhe kristalizimit të dominantes letrare, formave poetike; gjithashtu edhe përcaktimin e fazës së ripërtëritjes, ndryshimit, aktualizimit, kur parime estetike  zëvendësohen nga parime të reja. Kjo do të thotë se evolucionin e letërsisë sonë duhet ta interpretojmë vetëm si ndryshim të sistemit letrar dhe parimeve të ndërtimit të tij. Natyra e historisë së letërsisë do të kërkonte të  përcaktohej se sa sistemi letrar shqiptar e ka transformuar veten gjatë kohëve.

Sfida tjetër : Ç’kuptojmë me periodizim të letërsisë dhe cila është vlera e këtij aspekti në hartimin e historisë së letërsisë? Nocioni i periodizimit është, në një farë mënyre, gjthëpërfshirës, se i përket sa të veçantës së një periudhe të karakterizuar, aq edhe gjithë letërsisë. Kjo do të thotë se, duke përcaktuar periudhat letrare të shqipes, ne nuk i veçojmë ato, por njëkohësisht i kemi përfshirë në një sistem letrar, që i përket gjithë letërsisë shqiptare.

Sfida tjetër: Ç’probleme ka sjellë struktururimi i historisë së letërsisë sonë në analogji të plotë me historinë e Shqipërisë, siç ka ndodhur në disa tekste, që nga fillimi i shekullit XX, ? Kemi një abstraksion mbi tiparet dominuese  të zhvillimit në rrjedhë kronologjike të ngjarjeve letrare, që e bën këtë analogji jo një lidhje të rëndësishme ? Asnjë nga këto periodizime nuk mund të realizojë plotësisht sistemimin e letërsisë sonë, në të gjitha dukuritë e brendshme dhe të jashtme të zhvillimit të saj.

Përderisa fenomenet letrare shfaqen e zhduken në periudha të caktuara, përderisa letërsia, në tipologjinë gjinore të saj, shfaqet në nivele të ndryshme të lulëzimit, përderisa poetikat e saj ndryshojnë në aspektin artistik dhe në kushtëzimin hapsinor e kohor, përderisa autorët i përkasin mjediseve dhe ndikimeve kulturore të caktuara, etj. kjo do të thotë se problematika është e gjerë, madje, ajo vështirësohet më shumë për të përcaktuar se cili nga kriteret e shumta të periodizimit letrar, i shkon më përshtat sistemimit historiko-letrar të letërsisë shqiptare ?

Pikëpyetjet e periodizimit shfaqet edhe në një aspekt tjetër, atëhere kur një autor i përket historikisht një periudhe kohore, ndërsa estetikisht një periudhe tjetër, (Asdreni, Çajupi,etj.)   Prandaj problemi mbetet gjithnjë i hapur për diskutime midis specialistëve. Ose pyetja tjetër: në ç’masë historia e letërsisë shqiptare respekton përqasje me periodizimin e historisë politike ? A mund të ketë një përputhje absolute midis këtyre dy proceseve, që janë njëlloj historikë ? A është e vërtetë se gjatë zëvendësimit të periudhave historike-politike ndodh edhe ndryshimi i menjëhershëm i stileve dhe parimeve estetike të letërsisë ?.

Sfida tjetër: A është pavarësia e historiografisë letrare e kufizuar, në vartësi të pavarësisë së kufizuar që ka vetë letërsia,?. Ky problem shfaqet sepse konceptet mbi thelbin e letërsisë nisin nga ato që mbështesin pavarësinë ekstreme të saj deri te pikëpamjet që e lidhin thelbin dhe zhvillimin e letërsisë me faktorët socialë (autor, histori, rrethana social-kulturore etj.)  Këto qëndrime të skajshme kanë provokuar vazhdimisht mbizotërimin e njerit apo tjetrit pozicion metodologjik.  Kjo lidhet drejtpërdrejtë me pyetjen se  ta do ta ngushtojë në maksimum historia e letërsisë shqiptare lidhjen me historinë, ? A do kemi vetëm histori të fenomeneve letrare, jashtë zhvillimeve historike : kulturore, fetare, publicistike etj., apo, ky raport do të jetë i kushtëzuar nga veçoritë e letërsive të shekujve të ndryshëm, ku, siç thamë, shekujt  letrarë, për vetë thelbin e zhvillimit të tyre, diktojnë një trajtim më specifik ?  Dallimi me trajtimet që i janë bërë letërsive të shekujve XVIII, XIX, XX është se në këto të fundit raporti i letërsisë me historinë është diktuar nga koncepti që e kufizonte interpretimin e letërsisë vetëm në kushtet historike të lulëzimit të saj. A është i justifikueshëm koncepti i parë, apo historia e letërsisë duhet të shmangë ato periudha kur kufijtë e letërsisë janë përzierë me krijime të tjera ?

Sfida tjetër:  Kriteret e konceptimit të Historisë së Letërsisë Shqiptare në strukturën e brendshme, mund të jenë të ndryshme. Nëse u referohemi dy kohëve : asaj të shkurtër, që ka të bëjë me historinë e rrethanave social-kulturore dhe kohës së gjatë, që ka të bëjë me historinë e jetës së veprave, gjinive, etj., është e pamundur të mos gjendemi përpara vështirësisë së përcaktimit të kriterit të hartimit të historisë së letërsisë. Praktika e hartimit të historive letrare, në kultura të ndryshme, ka hapur mundësinë e zbatimit të kritereve të ndryshme të konceptimit. Kështu : Kriteri gjinor, që është aplikuar në disa histori të letërsisë franceze.  (Claude-Edmonde Magny : Histoire du roman français depuis 1918,  Édition du Seuil, 1950 ) ; Kriteri i hartimit të historisë së letërsië shqiptare sipas drejtimeve letrare, atij të romantizmit  (Rexhep Qosja : Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi, I,II,II, Rilindja, botimi i vitit 1990); Kriteri monografik, që niset nga pikësynimi për të realizuar një studim të plotë shterrues mbi jetën dhe krijimtarinë e autorëve më të shquar, që përbëjnë një hallkë të rëndësishme në procesin e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare (Floresha Dado: Andon Zako Çajupi – Jeta dhe Vepra, Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë, Tiranë, 1983); Kriteri i kombinit të tre ndarjeve të mëdha  : të kontekstit historiko-kulturor, të traditës  në jetën letrare, të rrokjes së veprave të mëdha, çka do të bënte që praktika letrare të futet në tërësinë e aktivitetit historik. ( “L’Histoire de la literature française”,  koleksioni Pichois (Artaud,1968); Kriteri historik-kronologjik, sipas të cilit  pasqyrimi i letërsisë kombinohet me ndarjet e mëdha të zhvillimit historik : periudha e vjetër, mesjeta, renesansa, periudha moderne, shekulli XIX, XX.  ( Shih: David Lodge: Historicism and Literary History : Mapping the modern Period, London : Routledge, 1981 ) ; Kriteri : kombinim kriteresh, që është shfaqur në teoritë e sotme.  Kjo do të thotë përfshirje dhe interpretime tekstesh të vjetra, ndarja të letërsisë sipas shekujve, trajtim autorësh të veçantë, interpretim të dukurive artistike, etj. ( Laërence Buell “Literary History as a Hybrid Genre”, në  Neë Historical Literary Study. Ed.Jeffrey N. Cox and Larry J. Reynolds, Princeton (NJ): Princeton UP, 1993)  Një koncept i tillë e konsideron historinë e letërsisë  si një ‘gjini hibride’;Kriteri i konceptimit të letërsisë së përgjithshme (i trajtuar nga Ëellek dhe Ëarren ), që i jep hapësirë shumë të gjerë historiografisë letrare, dhe del nga kuadri i një letërsie të vetme; Kriteri krahasimtar, kur letërsia studiohet në plan përqasës me një, apo disa letërsi të tjera. (kjo sidomos kur kemi të bëjmë me letërsi që mbështeten mbi sisteme gjuhësore të njejta, për shembull letërsitë e gjuhëve sllave, apo latine, etj.); Kriteri hapësinor, që mund të rrokë studimin e letërsive të një rajoni, për shembull letërsia shqipe në letërsinë ballkanike.

Këto, dhe të tjerë kritere, dëshmojnë se studimi historik i letërsisë realizohet në plane e pikëvështrime nga më të ndryshmet. Por, gjithsesi boshti i kësaj sfide është; a do të ketë historia e letërsisë sonë një strukturë të brendshme, që nuk ka të bëjë thjesht me ndarjet e jashtme, formale, në pjesë, kapituj, etj., por me logjikën e realizimit të studimit të gjithë aspekteve, të brendshëm dhe të jashtëm, të letërsisë, e shtrirë kjo në disa shekuj?

Sfida tjetër:  Evolucioni letrar dhe estetika e perceptimit, një aspekt tepër i diskutueshëm . A duhet të merremi me autorë minorë, si N.Nikaj, K.Floqi, etj. që shënuan lëvrimin e parë të strukturave të reja (si romanin, dramën, etj.) në momente të caktuara të historisë letrare, apo duhet të qëndrojmë te autorët më të spikatur, që i zhvilluan këto struktura në nivele më të larta artistike ?  Sipas nesh, kjo pyetje na ve në vështirësi lidhur me përcaktimin e objektit të historianit të sotëm. A do ta shohim dukurinë e risisë aty ku lind, apo aty ku shfaqet në formën më të përsosur ?.  

Duke i qëndruar përsëri tezës së evolucionit të formave letrare, mund të shtrohej problemi se a do të mundëte një historian i letërsisë të përcaktonte raportet midis një forme të re letrare dhe formave më të vjetra ? Dhe më tej, sa do ta ndihmonte ky veprim përvijimin e saktë të zhvillimit të letërsisë sonë në aspektin e evoluimit të vlerave artistike ? A mundet të kalohet nëpër këtë rrugë : nëpërmjet një forme letrare të mund të arrijmë tek një formë pothuajse e harruar ? Kështu do të shtrohej problemi në përcaktimin e evolucionit të formave të poezisë së Mjedës, pak të përcaktuara në tekstet e deritanishme, për të shkuar te format paraprijse të tyre, apo përcaktimi i rrugës ku të çojnë trajtat poetike të Migjenit, etj. Për Eliotin problemi themelor nuk është përcaktimi i vlerave më të arrira letrare, por fakti që letërsia është vazhdimisht në lëvizje, në ndryshim. Domethënë, jo çdo formë letrare, që vjen më pas, kapërxen format paraardhëse. Kjo do të krijonte një pikëvështrim të ri në historinë e letërsisë : jo përcaktim të hierarkisë së vlerave, por hetim të dukurisë së ndryshimit të vazhdueshëm të formave letrare. Sipas nesh, ky pikëvështrim do të ishte i vlefshëm në rastin e hartimit të historisë së letërsisë shqiptare, shumë periudha letrare të së cilës nuk shquhen për kapërcime të theksuara artistike dhe ku ka rëndësi të përcaktohen dukuritë e ndryshimeve që kanë pësuar format letrare.

Sfida tjetër: Mënyra e kombinimit të qasjes në dy plane: diakronik e sinkronik

Të bësh një histori letërsie, do të thotë të konceptosh raportet diakronike dhe sinkronike midis letërsisë dhe metodologjisë së studimit të saj.  Thelbi i kësaj marrëdhënieje përfshin rrokjen e dyanshme, ku shkojnë krahas : nga njera anë gjykimi i proceseve letrare, si zhvillime historike, nga ana tjetër përcaktimi i vlerave estetike, që shpërfaqen në një periudhë të veçantë historike.

Studimi diakronik, që në të vërtetë është qasja më e parë në studimin e historisë së zhvillimit së letërsisë sonë, ka në themel të tij interpretimin e një vepre apo fenomeni letrar si një kategori, e parë jo thjesht në seri kronologjike të dukurive letrare, apo si një prezantim historik të letërsisë. Me këtë kemi parasysh përcaktimin e atyre faktorëve që i bëjnë poezitë e De Radës, Mjedës, Lasgushit etj. me të vërtetë të reja dhe sa u njohën dukuritë e tyre letrare në momentin e shfaqjes, në ç’përmasa u realizua kuptimi i tyre i plotë dhe a ishte momenti kulturor i tillë që këto dukuri të reja të ndryshonin parimet krijuese të traditave letrare paraardhëse ? Analiza në plan diakronik na krijon mundësinë për të kuptuar dhe interpretuar  fenomenin letrar të Koliqit, Kutelit, etj. si dukuri që u bënë kategori estetike, për të përcaktuar se a ndryshoi potenciali i tyre artistik rrjedhën historike të letërsisë shqiptare të ½ së parë të shekullit XX ?  Pra, dimensioni i vështrimit diakronik të letërsisë  sonë të traditës ka një përmasë më të gjerë se sa thjesht ndërtimi i një serie kronologjike veprash, të cilat kanë vlerën e paraqitjes historike të letërsisë sonë.

Por vështrimi diakronik duket sikur përmban brenda vetes edhe një sfidë. Në vështrimin diakronik, historiani i letërsisë arrin të dallojë se këto veçori tipologjike nuk shfaqen, në të gjitha periudhat, në trajta të njëllojta. Poezia e shekullit XIX nuk është e njëllojtë me poezinë e shekullit XX; kështu mund të thuhej edhe për prozën e për dramën. Kjo do të thotë se në qasjen ndaj letërsisë sonë, në rrafsh diakronik, krijohet një raport i veçantë midis tipareve tipologjike, të formësuara që nga fillimet e lulëzimit të një gjinie, apo lloji letrar, dhe dukurisë së evolucionit, ndryshimit që pësojnë këto kategori, nga një periudhë në tjetrën, nga një autor te tjetri. Studimi diakronik depërton në zhvillimet graduale të letërsisë, që kulmojnë në një ndryshim të dukshëm në stilin letrar të një autori, e sidomos të një periudhe. Kështu do ta interpretonte historiani i sotëm poezinë e Migjenit, që arriti pikën kulmore, si rezultat i zhvillimeve graduale që ndodhnin në letërsinë tonë gjatë viteve ’30-‘40 

Kontributi themelor i historianit të sotëm të letërsisë sonë do të ishte vetëdija për të hetuar dhe për të provuar se si analiza diakronike ndihmon për të nxjerrë në pah një kategori të re estetike historike, atëhere kur thellohet jo vetëm te përcaktimi i faktorëve të vërtetë historikë, që shkaktojnë diçka të re në një fenomen letrar, në ç’masë ajo modifikoi perspektivën e zhvillimit të letërsisë shqiptare. Kjo është thelbësore  dhe thelbi i qasjes në plan diakronik.

Sfida tjetër : A ka rrafsh sinkronik në historinë e letërsisë ?

Diakronia mund të ndalojë, të ngrijë në një moment të caktuar të zhvillimit të letërsisë, për të hapur rrugën e zbulimit  të raporteve të shkrimtarit, veprave letrare me bashkëkohësinë e tyre. Në prerjen sinkronike historiani i letërsisë do të mund të thellohej në një fazë të zhvillimit letrar, do të mund të depërtonte më mirë në strukturën letrare të një momenti të caktuar, për të pasqyruar evolucionin e vërtetë nga një periudhë në tjetrën. Në aspektin metodologjik, kjo do të thotë se, kur flitet për karakterin historik të letërsisë shqiptare, të cilësdo periudhe, trajtimi diakronik shkon krahas me ndalesën, ndërprerjen sinkronike, dhe vetëm në këtë mënyrë mund të përcaktohet dimensioni i vërtetë historik i saj.

Sfidë themelore : Realiteti i historisë dhe realiteti i të kuptuarit letrar të historisë.

A mund të pranohet se letërsia e kaluar, e shtrirë në periudha të ndryshme, vjen në historinë e letërsisë së hartuar sot në një kuptim “të ri” historik? A ndikon ky kalim kohor që vlerësimet të ndryshojnë, që ajo që është konsideruar në një kohë të caktuar vlerë estetike, të mos jetë më e tillë në ditët e sotme ?

Raporti i sistemit letrar me historinë e periudhës së krijimit, por dhe me historinë e periudhës së sotme të interpretimit, duhet parë në një spektër më të vemendshëm : nga njera anë nuk do të duhej të skematizohej ideja se çdo zhvillim letrar është thjesht “produkt i historisë”, por “produkt historik”, çka shpreh një dallim të rëndësishëm në mënyrën e konceptimit dhe të interpretimit të procesit tonë letrar. Estetika e krijimit të veprave të periudhave të ndryshme dhe estetika e kohës së sotme të interpretimit krijojnë marrëdhënie tepër të vështira, çka e ve historianin në pozicion jo të lehtë. Shtrohet pyetja : si do të kapërxehen këto mospërputhje estetike, për shembull me autorë të tillë  si N.Nikaj, M.Grebllesha, H.Stërmillit etj?.  A ekzistonr rreziku i vlerësimit  sipas shijeve të sotme ? Një problem i tillë çon në pikëpamjen se çdo vepër e së kaluarës, për shembull nga romantizmi, sentimentalizmi, etj., nuk mund t’i krijojë çdo studiuesi të sotëm të njejtat përjetime estetike. A do duhej të pranonim se në hartimin e historisë së letërsisë sonë fenomeni letrar ka lidhje jo vetëm me momentin e krijimit dhe botimit të tij, por edhe me kontekstin e momentit të hartuesve të kësaj historie ?. 

Eshtë fare e qartë se ky fakt komplikon qëndrimin e  historianit të sotëm ndaj trashëgimisë letrare, të krijuar në faza të ndryshme të pjekurisë letrare. 

***

Duke i kaluar shumë shkurt disa prej problematikave të hartimit të historisë së letërsisë sonë  theksoj se  kjo ndërmarrje ka nevojë për 1. konceptimin e një strukture të qartë, që reflekton, në radhë të parë, zgjidhjen e një tërësi problemesh teoriko-shkencore. Studiuesve të shekullit XXI, u duhet të interpretojnë zhvillimin historik të një letërsie 5 shekullore, hapësira dokumentare e së cilës  dhe spektri i dukurive është shumë i gjerë.

“Historia e Letërsisë Shqiptare” do të duhet të zgjidhë gjithashtu, përfundimisht, me kritere shkencore, problemin e gjeografisë së përfshirjes së letërsisë shqiptare, jo vetëm të shkrimtarëve të Kosovës, të arbëreshëve të Italisë, por të gjithë diasporës shqiptare. Ekuilibri midis aspektit etnik dhe atij estetik, në këtë rast, është tepër delikat dhe kërkon një kriter të përcaktuar mirë dhe përfundimtar.

2.  “Historia e Letërsisë Shqiptare”, e shkruar sot, duhet të kuptohet  edhe si një eksperiencë e re interpretuese. Krahas njohjes së poetikës dhe metodologjisë së interpretimit, ndërtimi i një bibliografie shterruese, kërkimi i gjithë dorëshkrimeve të mundshme, në arkiva, biblioteka e institucione që kanë qenë lidhur me jetën e autorëve, njohja e konteksteve historiko-kulturore të periudhave, ndjekja e shtypit të kohës dhe e organeve shkencore e kulturore, njohja e mjedisit të formimit kulturor, të raporteve me letërsitë e huaja, apo me autorë vendas, etj. etj. janë fushë tepër e gjerë, që  parapërgatit hartimin e kësaj vepre madhore të kulturës shqiptare.  Duke qenë vepër kolektive (nuk përjashtohen kurrsesi edhe iniciativat individuale) ajo është punë e specialistëve të letërsisë, të cilët duhet të unifikojnë kriteret e konceptimit dhe nocionet e trajtimit historiko-poetik të letërsisë sonë. Veç pasionit dhe intuitës interpretuese, është e rëndësishme të kuptohet se studimi historik i një letërsie dallon rrënjësisht nga interpretimi eseistik, apo nga natyra e një shkrimi kritik, ku aspekti subjektiv është i theksuar. Kështu, përballë qasjeve të tilla thelbësore në hartimin e Historisë së  Letërsisë Shqiptare  kuptohet sa i domosdoshëm është orientimi mbi bazën e disa kriterve konceptuale, të pranuar shkencërisht.

G.G. Márquez: Fantazma e çmimit Nobel


Përktheu Artur Spanjolli

Çdo vit, gjatë kësaj periudhe, një fantazëm trazon shkrimtarët e mëdhenj: çmimi Nobël për letërsi. Jorge Luis Borges, i cili është një nga më të mëdhenjtë gjithashtu edhe një nga kandidatët më të zellshëm, (paepur), një herë protestoi në një intervistë për gazetat për shkak të dy muajve të ankthit, kur atij i duhej të vuante prej shanceve dhe parashikimeve. Është e pashmangshme. Borges është shkrimtari që meriton më shumë artistikisht në gjuhën spanjolle, ndaj nuk mund të pretendojë që ta veçojnë, veç për mëshirë, nga parashikimet vjetore.Gjëja më e keqe është se rezultati final nuk varet nga e drejta e kandidatit, as nga gjykimi i zotave, por nga vullneti i pahetueshëm i pjestarëve të Akademisë suedeze.

Nuk kujtoj asnjë parashikim të qëlluar në shenjë. Fituesit e çmimit në përgjithësi, duken vetë ato, personat e parë që habiten më shumë. Kur dramaturgu anglez Samuel Beckett mori telefonatën e lajmit për çmimin, në vitin 69 klithi i zhgënjyer: “Zot i Madh, ç fatkeqësi!” Pablo Neruda, në vitin 1971, e mori vesht tre ditë përpara se lajmi të dilte nëpër gazeta, falë një mesazhi konfidencjal nga ambasada suedeze. Ndaj mbrëmjen e ditës tjetër ftoi për darkë një grup miqsh në Paris, ku në atë kohë ishte ambasador i Kilit, dhe asnjë nga ne nuk e mori vesht motivin e asaj feste, derisa gazetat e darkës nuk e publikuan lajmin. “Fakti është se nuk besoj asgjë derisa mos ta shoh të publikuar në gazetë!” na shpjegoi më pas Neruda me atë të qeshurën e tij të parrezistueshme. Mbas pak ditësh, tek hanim në një restorant plot zhurmë në bulevardin Montparnas, u kujtua se akoma nuk kishte shkruar fjalimin që i duhej të mbante gjatë ceremonisë së dhënjes së çmimit, i cili do të zhvillohej 48 orë më pas në Stokholm. Ndaj ktheu nga ana tjetër letrën e menusë, dhe pa pushuar fare, pa e vrarë mendjen nga zhurma, me të njëjtën natyrshmëri me të cilën merrte frymë dhe me të njëjtën bojë jeshile, pa i bërë syu tërr, shkroi aty për aty fjalimin i cili do ti vinte kurorën e lavdisë.

Versioni më i dëgjuar mes shkrimtarëve dhe kritikëve është se akademikët suedezë vihen dakord në maj, kur bora fillon të shkrijë, dhe studjojnë veprat e pak finalistëve gjatë vapës së verës. Në tetor, akoma të pjekur nga dielli i jugut, shprehin vendimin e tyre. Simbas një versioni tjetër, Borges ishte i përzgjedhuri qysh në maj të ’76, por nuk e votuan gjatë votimit final në nëntor. Në të vërtetë fituesi i atij viti qe i mrekullueshmi dhe zhgënjyesi Bellow, i zgjedhur me ngut në çastin e fundit, edhe pse shumë çmime të atij viti në fusha të tjera i kishin fituar amerikanët.

Fakti është se me 22 shtator të po atij viti – një muaj përpara votimit final, – Borges kishte bërë një gjest i cili nuk kishte fare lidhje me letërsinë e tij madhështore. I kishte bërë vizitë gjeneralit Pinochet. “është nder të cilin as nuk e meritoj të pritem nga ju, zoti president”, u shpreh në fjalimin e tij fatkeq. “Në Argjentinë dhe Kili dhe Uruguai po shpëtojnë lirinë dhe rregullin” vazhdoi edhe pse nuk e pyeti askush. Pastaj e mbylli pa e vrarë shumë mëndjen: “E gjitha kjo ndodh në një kontinent minuar nga anarkia dhe komunizmi”. Ishte e thjeshtë ta kuptoje se kaq shumë marrëzi thënë, njëra mbas tjetrës, nuk ishin gjë tjetër veç dëshira për t’u tallur me Pinochetin. Por suedezët, nuk e kanë ndjenjën e humorit të banorëve të Buenos Airesit. Që nga ai moment, emri i Borgesit ishte zhdukur nga lista e të përzgjedhurve. Tani, në fund të një pendese të padrejtë, u ka rishfaqur, dhe nuk na pëlqen aspak neve që jemi edhe lexuesit e tij të palodhur, por edhe kundërshtarët e tij politikë, ta dimë më në fund si ta çlirojmë nga ankthi vjetor. Rivalët e tij më të rrezikshëm janë dy romancjerë në gjuhën angleze. I pari ishte ngjitur deri atje pa shumë zhurmë gjatë viteve më parë, tani ishte bërë objekt promovimi plot zhurmë nga gazeta “Newseek!” e cila e ka vënë në kopertinë me datë 18 gusht, si mjeshtër i madh rrëfimi; dhe me motive të padiskutueshme. Emri i tij i plotë është V.S. Naipaul, është 47 vjeç dhe ka lindur këtu afër. Në ishullin Trinidad, me babë indù dhe nënën karaibike, dhe konsiderohet nga disa kritikë si shkrimtari më i madh aktual në gjuhën angleze. Kandidati tjetër ështe Greene, pesë vjet më i ri se Borges, por me të gjitha meritat, edhe pse me më shumë vite mbi shpatulla për të fituar këtë kurorë dafine në pleqëri.

Në vjeshtën e 72, në Londër, Naipaul nuk ishte aq shumë i ndërgjegjshëm se ishte shkrimtar karaibik. Ia bëra të qartë gjatë një takimi mes miqsh dhe ai mbeti pak si i befasuar. E mendoi për një çast, dhe një buzëqeshje e re i ndriçoi fytyrën e heshtur. “Good claim”, më tha. Ndërsa G. Greene, i cili ka lindur në Berkhamsted, nuk kish hezituar as edhe një çast kur gazetarët e kishin pyetur nëse ishte i ndërgjegjshëm   që ishte shkrimtar latinoamerikan. “Natyrisht!” u përgjigj. “Dhe jam i lumtur, sepse në amerikën latine, tani për tani gjenden shkrimtarët më të mirë si për shembull Borges”. Pak vite më parë, duke folur mbi shumë gjëra, i shpreha Green-it, pakënaqësinë time që një shkrimtari si ai, me një vepër aq të gjerë dhe aq origjinale, akoma nuk i kishin dhënë çmimin Nobel.  “Nuk do ma japin kurrë” më tha shumë serioz, “sepse nuk më konsiderojnë një shkrimtar serioz.”

Akademia suedeze, e ka për detyrë të japi çmimin Nobel për letërsi. Ajo dhe vetëm ajo, u themelua në vitin 1786, pa asnjë pretendim tjetër veç atij që t’i ngjante Akademisë franceze. Kur u krijua, asnjë nuk e imagjinonte, se me kalimin e kohës ajo do të jepte çmimin më prestigjoz dhe shenjtërues në botë. Ajo është e përbërë nga 8 pjesëtarë të përjetshëm në moshë të thyer, të seleksionuar nga vetë Akademia, mes figurave më të shquara të letërsisë suedeze.  Është e përbërë nga dy filozofë, dy historianë, tre specjalistë të gjuhëve nordike dhe vetëm një grua. Por nuk është vetëm kjo sintoma e maskilizmit; gjatë viteve 80, çmimi iu ka dhënë vetëm gjashtë grave, karshi 69 burrave. Këtë vit do të jepet pak ndryshe sepse një nga akademikët e çmimit, profesor Sten, vdiq me tre shtator. Plot 15 ditë më parë.

Si e kanë proçedurën, si vihen në ujdi, kush janë akordet e vërteta dhe se si vendosin, është  një nga sekretet më të mëdha të kohës tonë. Kriteret e tyre janë të paparashikueshme, plot kontradikta, i paprekur deri edhe nga oguret, dhe ajo që vendosin është sekrete, e mbrojtur nga ato vetë dhe ajo është e pacënueshme. Po mos të ishin kaq të rendësishëm, mund të mendohej se janë të ushqyer nga një dëshirë çapkëne për t’u tallur me çdo profeci.  Asnjë si ata nuk i shëmbëllen më shumë vdekjes. 

Një tjetër sekret i ruajtur me shumë kujdes është ai se si investohet kapitali që prodhon kaq shumë çmime. Alfred Nobel, (me theksin tek e-ja dhe jo tek o-ja) e krijoi çmimin në vitin 1895 me një kapital fillestar prej 9.200.000 dollarësh, interesat vjetore të të cilit duheshin ndarë për çdo vit, jo më larg se 15 nëntori, në mes të pesë pjestarëve fitues. Ndaj dhe shuma ndryshon çdo vit, varet nga fitimet e investimit. Në vitin 1901, kur çmimet u dhanë për herë të parë, çdo fituesi iu dhanë 30.160 korona suedeze. Në vitin 1979, i cili ishte edhe viti me interesa më të majme, çdo fitues mori nga 160.000 korona.

Thashethemet thonë se kapitali është investuar në minjerat e arit në Afrikën e Jugut, dhe si rrjedhojë, çmimi Nobel ushqehet me gjakun e skllevërve të zinj. Akademia suedeze e cila nuk ka bërë kurrë deklarata publike, as edhe nuk u ka përgjigjur kurrë fyerjeve, mund të mbrohet shumë mirë duke pohuar se nuk është ajo që merret me atë punë, por është Banka e Suedisë e cila administron paratë. Dhe bankat, siç dihet dhe siç e thotë vetë emri i tyre, nuk kanë zemër.

Enigma e tretë është kriteri politik që dominon brenda Akademisë suedeze. Në shumë rrethana, çmimet kanë lejuar të mendohet se anëtarët e saj janë liberalë idealistë. Incidenti i tyre më i famshëm dhe më i nderuari është ai i 1938, kur Hitleri i ndaloi gjermanët ta tërhiqnin çmimin Nobël duke thënë se nismëtari i tij ishte një hebre. Richard Khun, gjermani që atë vit meritoi çmimin për Kimi, u detyrua ta refuzonte. Për bindje o për kujdes, asnjë nga çmimet nuk u dha gjatë luftës së dytë botërore. Por sapo Europa e mori disi veten nga fatkeqësia, Akademia suedeze bëri një lëvizje që ia shtoi prestigjin. Ia akordoi çmimin për letërsi zotit Winston Churchill vetëm sepse ishte njeriu më me prestigj i kohës së tij dhe nuk ishte e mundur të jepej asnjë çmim tjetër, as edhe atë për paqjen.

Ndoshta raportet më të vështira të Akademisë suedeze kanë qenë ato me Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1958 kur çmimi iu dha të mrekullueshmit Boris Pasternak, ky i fundit e refuzoi nga frika se ndoshta nuk e lejonin të futej akoma në atdheun e tij. Por ndodhi që, kur në vitin 1965 çmimi iu dha Mihajl Shollohov, shkrimtari më zyrtar nga shkrimtarët sovjetikë, të njëjtat autoritete që i bënë presion Pastërnakut, tani festuan ngjarjen plot gëzim. Ndërsa, pesë vjet më vonë, kur ia dhanë çmimin disidentit Aleksander Solzhenicin, qeveria sovjetike e humbi fare dhe nuk hezitoi të shprehej se çmimi Nobel ishte një vegël e imperializmit. Kisha konstatuar gjithashtu se mesazhet më të ngrohta, pasi kishte marrë çmimin Nobel, Pablo Neruda i kishte marrë nga sferat më të larta të qeverisë Sovjetike. “Për ne”, më tha, duke buzëqeshur një mik rus, “çmimi Nobel ja vlen vetëm kur ai i jepet një shkrimtari që na pëlqen. Dhe nuk ia vlen kur ndodh e kundërta”. Shpjegimi nuk është aq i thjeshtë sa ç mund të mendohet. Ne të gjithë, thellë zemrës, ndjekim të njëjtat kritere.

I vetmi pjestar i Akademisë suedeze që lexon spanjisht, dhe e bën atë në mënyrë të përkryer, është poeti Artur Lundvikst. Ai është i vetmi që njeh veprat e shkrimtarëve tanë, që propozon kandidaturat dhe që lufton për to gjatë përleshjes sekrete. Dhe ky fakt e ka trasformuar, edhe pse nuk i pëlqen ky rrol, në një hyjni të largët dhe enigmatike, nga i cili varet deri diku edhe fati universal i letërsisë së shkruar në gjuhën spanjolle. Në jetën e përditshme ai është një zotëri i moshuar, me një ndjenjë humorizmi pak latin dhe me një shtëpi aq modeste sa duket e pamundur ta mendosh se nga ai varet fati i ndokujt.

Disa vite më parë, mbas një darke tipike suedeze në shtëpinë e tij – me mishra të ftohtë dhe birrë të nxehtë, – Lundvikst-i na ftoi të merrnim një kafe tek bibloteka e tij. Mbeta krejt i habitur. Ishte e pabesueshme të gjeje një sasi aq të madhe librash spanjisht. Nga më të mirët deri tek më të këqijtë, dhe gati të gjithë me dedikim nga autorët e tyre akoma të gjallë, në agonizi ose që kishin vdekur ndërsa prisnin. I mora leje poetit të lexoja disa dedikime, dhe ai ma dha lejen me një buzëqeshje të mirë plot bashkëpunim. Shumica e dedikimeve ishin plot mirëdashje dhe zemër për të mos thënë lajka, disa ishin aq direkte sa në momentin që po shkruaja dedikimin tim mu duk se edhe veç firma ishte e tepërt. Gjithkush ka komplekset e veta, dreqi e mori!

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...