2022-05-10

Libër që trajton trashëgiminë e pasur kulturore të trevës së Ulqinit

 


Libri “Busulla e artë ” i autorit Gazmend Çitakut i shkruar jo në tavolinën e tij të punës por në ecje e sipër anekënd fshatrave të Ulqinit dhe në brendësinë e qytetit, hedh dritë për shumë objekte nga trashëgimia e jonë historike dhe kombëtare

Qani Osmani

Libri “Busulla e artë” i autorit Gazmend Çitaku, brenda kopertinave të tij, përmban një lëndë të gjërë hulumtuese, studiuese dhe mbi të gjitha një të kaluar të bjerrur hullive të gjata e të largëta historike. Kjo e kaluar e largët e nënqiellit tonë, në të cilin frymojmë, ëndërrojmë dhe hulumtojmë të kaluarën tonë, nuk mund të na bëjë të rehatshëm kur të mirret parasysh e tërë pesha e rëndë e atyre fiseve dyndësish, që kaluan nëpër të kaluarën tonë duke na lënë kështu siç jemi, të copëtuar e me shumë kufi në mes vëllezërve të një gjaku, të një historie, të një të kaluare e cila nuk qe lehtë por e dhimbshme, pasojat e së cilës nuk mund t’i heqim për shekuj me radhë.
Leximi është veprim pasionant, sepse ngjall dhe rikujton të kaluarën, duke e mbajtur të fortë e të lidhur me historinë e vet, me fitoret dhe humbjet duke i nxjerrë në log të vërtetat historike dhe gjetjen e rrugëve për të shpëtuar çka është e mundshme ose për të ruajtur dhe gjetur atë që ka mbetur, për të kujtuar të kaluarën ose të fshehtën të cilës duhet t’i besojmë.
Të gjitha këto mu kujtuan duke shfletuar këtë libër, në dorëshkrim të Gazmend Çitakut, të cilën autori e titulloi “Busulla e artë ” dhe natyrisht më frymëzoi fuqishëm për të ecur gjurmëve të gjetjeve të shumta të një lënde të paeksploruar nga dora e sigurtë e për ta nxjerrë në pah, pa konotacion negativ, pa pasë pretendim të përvetësoj atë që nuk është për ta përvetësuar, atë që historikisht nuk është e fushës së krijuesve autoktonë, por e një dore të një njeriu hulumtues e humanitar i përmasave të gjeniut popullor. Ky është autori Gazmend Çitaku, i cili për ta bërë libër, grumbulloi lëndë të bollshme të klasifikuar në katër kapituj.

Marrë në përgjithësi, libri “Busulla e artë”, përbën një kontribut të dalluar të autorit në hulumtimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore kombëtare. Botimi i këtij libri do ta pasurojë literaturën shqiptare në Mal të Zi, dhe më gjerë për të zgjuar kureshtjen e studiuesve të rinj për t’u marrë me aspekte të tjera të kësaj problematike


Rradhitja e lëndës së grumbulluar me një përkushtim hulumtuesish e gjetësisht të pasionuar, e ka bërë këtë libër një arkiv të rëndësishëm për arkeologjinë, etnologjinë e historinë e vendbanimeve, pa përjashtim të komuniteteve që e popullojnë, arealin e Komunës së Ulqinit, por edhe më gjërë. Secili kapitull ka përmbajtjen e vet të begatshme me elementet e komponuara mirë, rrjedhshëm dhe tërheqës për lexuesin, sepse e bartin atë nëpër fshehtësitë që i ka ruajtur vetëm nëntoka, ngase shumë nga ato që ishin mbi tokë i gllabëroi ana e zezë e historisë, të cilën e përbëjnë uzurpatorët, akulturorët, përkatësisht ata që krijojnë antivlera mbi vlera.
Edhe pse e kaluara jonë shumë herë është kontestuar nga armiqtë tanë duke tentuar që ta përvetësojnë historinë tonë dhe figurat më markante kombëtare, puna hulumtuese mbetet arma më e fortë në dorën e intelektualëve dhe hulumtuesve shqiptarë, armë të cilën autori Gazmend Çitaku e ka përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme. Libri “Busulla e artë ” i autorit Gazmend Çitaku e shkruar jo në tavolinën e tij të punës, por në ecje të sipër anekënd fshatrave të Ulqinit dhe në brendësinë e qytetit, hedh dritë për shumë objekte nga trashigimia e jonë historike dhe kombëtare. Ky libër përveç të tjerave u shërben qytetarëve,por edhe intelektualëve për të dëshmuar prezencën shqiptare në këto troje shumë e shumë shekuj më parë, para se të vinin popuj të ndryshëm të cilët u vendosën në rajonin tonë dhe që padrejtësisht kërkojnë të përvetësojnë këto vlera të çmueshme. Duke i vënë në spikamë të gjitha objektet me vlerë të pakontestueshme kulturore dhe natyrore të rrethit të Ulqinit, autori edhe me fotografi na dëshmon për këto vlera dhe në një mënyrë duke i bërë të prekshme për të gjithë lexuesit e librit si dhe për të dëshmuar vazhdimësinë e jetës së shqiptarëve që nga kohërat e lashta parahistorike e pastaj nëpër të gjitha etapat historike, e deri në ditët e sotme.
Autori në përmbajtjen e këtij libri transmeton vlera të shkrimit dhe ruajtjes e kultivimit të trashigimisë kulturore nga shqiptarët e kësaj treve, andaj këtë libër duhet konsideruar si një vlerë të shtuar në studimet mbi trashëgiminë kulturore e natyrore e cila nuk duhet të lihet anash edhe nga ato historike. Rëndësia e këtij libri duhet parë edhe në një drejtim tjetër si në atë historik argumentues, me ç’rast autori përmes paraqitjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore, argumenton autenticitetin dhe kontunitetin e jetesës shqiptare në këtë trevë. Në këtë formë trashëgiminë e paraqet identike me atë të trevave shqiptare përreth dhe kështu dëshmohet lidhja e pandërprerë e kësaj treve me trungun shqiptar. Për trajtimin e këtyre çështjeve, autorit i është dashur të hulumtojë e trajtojë një shumësi të referencave burimore dhe në këtë formë edhe të dokumenteve arkivore. Përnga metodologjia, organizimi strukturor dhe problemet të cilat i nxjerr dhe i trajton libri, përmbushë në tërësi kriterin e një libri studimor.
Për faktin se Ulqini me vendbanimet përreth është një qytet i lashtë dhe turistik, shpresoj që ky libër i cili lexohet me një frymë duhet të përkthehet në gjuhët kryesore botërore me qëllimin e vetëm që edhe intelektualët e vendeve të ndryshme, si dhe opinioni i tyre publik të njihen më për së afërmi me vlerat kulturore dhe natyrore të Ulqinit.
Marrë në përgjithësi, libri “Busulla e artë”, përbën një kontribut të dalluar të autorit në hulumtimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore kombëtare. Botimi i këtij libri do ta pasurojë literaturën shqiptare në Mal të Zi, dhe më gjerë për të zgjuar kureshtjen e studiuesve të rinj për t’u marrë me aspekte të tjera të kësaj problematike.
Edhe pse ky është libri i parë i kësaj natyre, Gazmend Çitaku arriti të dëshmohet si një hulumtues dhe studiues i zellshëm, me një aftësi të veçantë të vëzhgimit, me një bazë metodologjike shkencore, gjuhë të pastër dhe të kuptueshme për çdo lexues. Andaj ky libër është i mirëseardhur për opinionin shqiptar në Mal të Zi, dhe më gjerë.

Zot – Zeus

 

Paraardhësit e banorëve vendas e kishin prejardhjen nga jashtë; shumica e gjuhëve evropiane dhe aziatike jugperëndimore, rrjedhin nga një gjuhë amtare parahistorike të cilën e kanë quajtur “proto-indo-evropiane”; folësit origjinalë të saj janë quajtur “proto-indo-evropianë”

Për Koha Javore: Astrit Lulushi / Uashington

S’ka shqipfolës që nuk e di se Zeus e Zot janë një. Çështja është, nga e ka origjinën?
Paraardhësit e banorëve vendas e kishin prejardhjen nga jashtë; shumica e gjuhëve evropiane dhe aziatike jugperëndimore, rrjedhin nga një gjuhë amtare parahistorike të cilën e kanë quajtur “proto-indo-evropiane”; folësit origjinalë të saj janë quajtur “proto-indo-evropianë”.
Sipas “hipotezës së Kurganit” të pranuar gjerësisht, atdheu proto-indo-evropian ndodhej në stepat e asaj që sot është Rusia Jugperëndimore. Këtu e kanë origjinën paraardhësit e largët gjuhësorë të të gjithë folësve të gjuhëve indo-evropiane.

Sidoqoftë, vlen të përmendet se Zeusi ishte sinkronizuar edhe me një perëndi minoan me emër dhe origjinë të panjohur. Shumë histori të vërtetuara në burimet klasike, si historia e gjidhënies së Zeusit në shpellën nën malin Ida e treguar nga Hesiodi dhe historia e rrëmbimit nga Zeusi të princeshës fenikase Evropa, duke marë formën e një demi, e lidhin Zeusin me ishullin e Kretës, që ishte qendra kryesore e qytetërimit Minoan; dhe me demat, të cilët janë të zakonshëm në veprat e artit dhe simbolikën Minoan


Zeus – Zot është një refleks i perëndisë qiellore të rindërtuar proto-indo-evropian *Dyeus Phatër, emri i të cilit do të thotë “Ati qiellor”; bashkëlindësit e tij në gjuhët e tjera indo-evropiane përfshijnë perëndinë kryesore të panteonit romak, Iupiter (Jupiter) dhe gjermanike Tīwaz, që është rrënja e emrit të ditës së martë (anglisht ‘tuesday’).
Kështu, Zeusi e kishte origjinën nga jashtë, por nuk ishte “import i huaj”, sepse u adhurua nga paraardhësit më të hershëm kulturorë në stepa.

Sipas “hipotezës së Kurganit” të pranuar gjerësisht, atdheu proto-indo-evropian ndodhej në stepat e asaj që sot është Rusia Jugperëndimore. Këtu e kanë origjinën paraardhësit e largët gjuhësorë të të gjithë folësve të gjuhëve indo-evropiane.
Zeus – Zot është një refleks i perëndisë qiellore të rindërtuar proto-indo-evropian *Dyeus Phatër, emri i të cilit do të thotë “Ati qiellor”; bashkëlindësit e tij në gjuhët e tjera indo-evropiane përfshijnë perëndinë kryesore të panteonit romak, Iupiter (Jupiter) dhe gjermanike Tīwaz që është rrënja e emrit të ditës së martë (anglisht ‘tuesday’)


Sidoqoftë, vlen të përmendet se Zeusi ishte sinkronizuar edhe me një perëndi minoan me emër dhe origjinë të panjohur. Shumë histori të vërtetuara në burimet klasike, si historia e gjidhënies së Zeusit në shpellën nën malin Ida e treguar nga Hesiodi, dhe historia e rrëmbimit nga Zeusi të princeshës fenikase Evropa, duke marë formën e një demi, e lidhin Zeusin me ishullin e Kretës, që ishte qendra kryesore e qytetërimit Minoan; dhe me demat, të cilët janë të zakonshëm në veprat e artit dhe simbolikën Minoan.
Një tjetër fakt interesant që duhet përmendur është se *Dyëus Phatër ishte Zoti i qiellit të ndriçuar, “i ditës”. Zeusi ishte më së shumti i lidhur edhe me stuhitë dhe vetëtimat. Kjo tregon se Zeusi klasik ishte gjithashtu i ndikuar nga perënditë e stuhisë së Lindjes së Afërt si perëndia kananite Baal dhe perëndia mesopotamiane Enlil.

Zhgënjim i radhës


Sipas të gjitha gjasave, partitë politike shqiptare për gabimin trashanik të katër viteve më parë, të cilat përkundër 18 mandateve ia “falën” kryetarin e komunës DPS-së, u penalizuan nga vetë votuesi shqiptar, sepse formimi i pushtetit vendor nga partitë politike shqiptare kësaj radhe është vetëm teorikisht i mundur. Kështu, në vend të evoluimit të interesit për të votuar shqip, këto zgjedhje treguan se partitë politike shqiptare nuk janë më faktor kryesor për formimin e pushtetit vendor në Ulqin. Pra, për partitë shqiptare këto zgjedhje sollën defaktorizimin e tyre apo së paku fillimin e tij

Hajrullah Hajdari

Zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Ulqinit (27 mars 2022) nuk sollën asgjë të re për qytetarët e kësaj komune, përveçse zhgënjimin e radhës. Asnjë parti politike apo koalicion nuk ka arritur të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar dhe udhëhequr pushtetin vendor në katër vitet e ardhshme. Më e dhimbshme se kjo është defaktorizimi i partive shqiptare në këto zgjedhje, të shoqëruara me parregullsi të shumta, korrupsion dhe si rrjedhojë keqpërdorimi i radhës i votuesit nuk pati të ndalur. Vërtet këto zgjedhje u mbajtën në kushtet e krizës ekonomike, rritjes enorme të çmimeve të artikujve kryesorë të shportës mujore të qytetarëve, në një atmosferë të populizmit dhe krizës qeveritare të filluar shumë muaj më parë. Të gjitha këto dukuri negative i ndihmuan “manipuluesit zgjedhorë” që mos ta lënë zanatin e vjetër – “blerjen e votës”, por ta avancojnë atë edhe më shumë.

Po çka është “blerja e votës”?!
S’është tjetër veçse një veprim djallëzor ndaj integritetit, moralit, vlerave dhe respektit të njeriut të ndershëm dhe të lirë, ose thënë ndryshe blerje-shitje me para e integritetit familjar në këmbim të zgjidhjes momentale të ndonjë halli momental të qytetarit hallexhi, por jo vetëm atij. Përfitues i “blerjes së votës” në këto zgjedhje nuk ishte vetëm qytetari hallexhi, por kushdo qoftë që ia kishte qejfi paranë. Ky matrapazllëk i ndyrë u bë modë, askush më nuk fliste për integritetin, moralin e lëre më për patriotizmin, në këtë rast shqiptar. Flitej vetëm për shumën e ofruar, e cila bëhej më joshëse e natyrisht më e madhe sa vinte e afrohej dita e zgjedhjeve, gjegjësisht oferta rritej në momentin që një parti politike shihte partinë tjetër më të avancuar në këtë korrupsion politik e si pasojë në rast të mosveprimit rrezikohej. Dikush thonte “të mjerët qytetarë, ç’i gjeti” e të tjerët thërrisnin: “luaj nafakë, luaj”! Sidoqoftë, zgjedhjet lokale të 27 marsit në Ulqin mund të ishin çdo gjë, por zgjedhje të lira e të ndershme jo!

Bashkëpunimi me DPS-në, zhgënjim i shqiptarëve
Jo të gjithë votuesit ranë pre e këtij matrapazllëku. Zhgënjimin e tyre ose mospajtimin me këtë formë të veprimit të partive politike e shprehën me injorimin e të drejtës së vet qytetare për të zgjedhur, ose me qenë i zgjedhur në organet përfaqësuese të pushtetit vendor. Ky pohim vërtetohet me pjesëmarrjen e vogël të qytetarëve në zgjedhje, vetëm 57.33% të votuesve dolën në zgjedhje.
Për zhgënjimin e qytetarëve nga qeverisja 30-vjeçare e DPS-së është folur, diskutuar e shkruar shumë e shumë herë. Nga ajo qeverisje është botërisht e ditur, trojet shqiptare ishin dhe mbeten vendet ekonomikisht më të pazhvilluara në Mal të Zi, përkundër resurseve të mëdha natyrore që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Pra, shqiptarët në Mal të Zi në aspektin zhvillimor ishin “non grata” të kësaj qeverie.
Instalimi i pluralizmit politik në Mal të Zi ngjalli te shqiptarët shpresën për një zhvillim më të shpejtë ekonomik e për një barazi politike të pranueshme. Por, si kalonin vitet kulti i lidershipit dhe interesat personale të tyre u fuqizuan aq shumë sa votuesi u shndërrua në “ushtarë” besnikë të tyre! Interesat personale u vendosën mbi interesat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik. Filloi një epokë e mbizotërimit të volumit mbi cilësinë. U bë modë punësimi i paligjshëm, lulëzonte nepotizmi, asfalti e poçat elektrikë dilnin si kërpudhat pas shiut, me kriter e pa kriter, keqpërdorimi i mjeteve financiare nga udhëheqësit lokalë dhe bashkëpunëtorët e tyre u bë dukuri e përditshme. Në këtë mënyrë edhe partitë politike shqiptare, sidomos nga viti 2007 e këndej, u bënë joshëse për votuesin shqiptar. Dhe vërtet votuesit shqiptarë të të gjitha këtyre viteve, votuan shqip. Por ç’e do kur lidershipi i tyre pas përfundimit të zgjedheve, pa zbardhur drita, shkonte në Podgoricë, tek “i madhi” për të bërë koalicion me DPS-në, edhe pse partitë politike shqiptare e kishin shumicën për krijimin e pushtetit vendor pa DPS-në. Kështu, vite me radhë lidershipi dhe interesxhinjtë e tyre e tjetërsonin vullnetin e votuesit besnik të tyre. Integriteti i qytetarit u bë “për pesë pare”. Natyrisht, përsëri zhgënjim dhe si pasojë e këtyre veprimeve dhe zhgënjimeve, besimi i shqiptarëve ndaj partive të tyre po zbehet gjithnjë e më shumë.

Fillimi i defaktorizimit të partive shqiptare
Zgjedhjet e fundit lokale në Ulqin karakterizohen me populizmin dhe fuqizimin e partisë politike URA, e cila përveç lidershipit të saj nuk mund të radhitet si parti politike shqiptare. Shumë shqiptarë u radhiten në krahun e kësaj partie politike e në mesin e tyre edhe dy parti politike shqiptare – PD-ja dhe ASH-ja, e cila deri në këto zgjedhje nuk ishte faktorizuar në Ulqin. Populizmi apo besimi te lidershipi i URA-s bëri që asaj t’i bashkohen edhe dy parti politike qytetare – PSD-ja dhe SD-ja dhe kështu me moton “Fillimi i Ri” u krijua një konglomerat apo bashkim mekanik partish të spektreve të ndryshme politike. Pritshmëria ishte e madhe saqë ky konglomerat pretendonte të merrte shumicën dhe të krijonte pushtetin vendor në Ulqin. Por, nuk ndodhi kështu. Ata morën vetëm 14 mandate këshilltarësh, nga të cilët URA vetëm 5 mandate, PD 5 mandate, ASH 1 mandat e të tjerët 3 mandate. Arsyet e këtij dështimi janë të shumta dhe ia vlen të analizohen! Gjithsesi ky numër i mandateve na lë të kuptojmë se ka pasur rrjedhje të votave nga partitë shqiptare në “Fillimin e Ri”, sidomos nga “Forca”, e cila është partia e vetme shqiptare që garoi e vetme dhe fitoi vetëm 5 mandate. Që shqiptarët të mos mbesin krejtësisht të zhgenjyer u kujdes koalicioni i vetëm shqiptar “UDSH – LD në MZ”, të cilët fituan 6 mandate dhe mund të cilësohen lirisht si fitues moral të këtyre zgjedhjeve. Kësaj radhe, sipas të gjitha gjasave, partitë politike shqiptare për gabimin trashanik të katër viteve më parë, të cilat përkundër 18 mandateve ia “falën” kryetarin e komunës DPS-së, u penalizuan nga vetë votuesi shqiptar, sepse rasti për formimin e pushtetit vendor nga partitë politike shqiptare është vetëm teorikisht i mundur. Kështu, në vend të evoluimit të interesit për të votuar shqip, këto zgjedhje treguan se partitë politike shqiptare nuk janë më faktor kryesor për formimin e pushtetit vendor në Ulqin. Pra, për partitë shqiptare këto zgjedhje sollën defaktorizimin e tyre apo së paku fillimin e tij.
Shumë “opionistë apo analistë” kanë shprehur mendimin se përgjegjës për fillimin e defaktorizimit të partive politike shqiptare janë vetë partitë politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre si pasojë e mosreformimit të tyre. Po a është e gjitha kjo? Siç cekëm më herët, befasia më e këndshme e këtyre zgjedhjeve është koalicioni UDSH – LD në MZ dhe për çudi këto dy parti udhëhiqen nga persona që janë në ato parti në vende udhëheqëse, që nga fillimi i pluralizmit politik. “Forca” jo shumë kohë para zgjedhjeve ka zgjedhur kryetarin e ri, por ky ndërrim nuk u tregua i suksesshëm. PD-ja është e vetmja parti politike shqiptare që nga themelimi i saj udhëhiqet nga i njëjti person dhe si rrjedhojë fitoi më pak mandate se në zgjedhjet e kaluara.
Duke u nisur nga rrethanat e përmendura (korrupsioni ekonomik e politik, nepotizmi, keqpërdorimet etj.) dhe rezultatet e arritura të partive politike shqiptare, mendoj se problemi është shumë më i thellë se vetëm reformimi i partive politike shqiptare. Reformimi, rifreskimi dhe përshtatja e programeve dhe platformave politike të partive shqiptare është më se i nevojshëm.
Mali i Zi përballet me grupe të shumta të krimit të organizuar, me korrupsion të lartë politik dhe ekonomik dhe si pasojë ngecja në zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare është i prekshëm. Blerja e votës me para në këmbim të një vendi pune, ose për lakmitë personale të individëve të caktuar e poshtëron qytetarin e ndershëm dhe thellon pakënaqësinë mes qytetarëve. Kjo quhet krizë që për pasojë ka shkatërrimin e institucioneve demokratike shtetërore. Pra, kemi të bëjmë me shkatërrimin e sistemit, ndalimin e të cilit është dashur ta bëjë dhe duhet ta bënte shteti. Por, shteti nuk e ndaloi, përkundrazi e stimuloi. Shteti me mosveprimin e tij kundër këtyre dukurive të shëmtuara e shkatërroi edhe sistemin zgjedhor në përgjithësi.

Përgjegjësi në vazhdim e partive shqiptare
Ndaj, duke mos shfajësuar partitë politike shqiptare për konservatorizmin e tyre politik dhe përkrahjen e shabllonit të vjetër të udhëheqjes së partisë, është më se e qartë se problemi kryesor edhe për partitë shqiptare është shkatërrimi i institucioneve dhe sistemit demokratik në Mal të Zi. Kjo situatë edhe më shumë e bën të nevojshëm bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve të partive politike shqiptare me qëllim të unifikimit të kërkesave të tyre legjitime. Mbetja në pozicionet e tanishme, ku çdo parti ruan fort pozicionet e veta, nuk çon gjëkundi përveçse në bërje realitet të defaktorizimit të elementit shqiptar në Mal të Zi.

Presidenti sipas pazareve të partive politike

 

Ditëve të fundit në media ka filluar debati për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, duke dalë me propozime të ndryshme, ndërsa partitë politike ende nuk kanë ndonjë propozim konkret, ku sipas të gjitha gjasave do të dalin në momentin e fundit sikurse më parë, nga del se këtë institucion e trajtojnë vetëm formal, pa peshën e duhur, duke iu mohuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur Presidentin me votën e tyre

Nail Draga

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, 28 deputetë mund të propozojnë një kandidat për President, ku në saje të numrit të tyre, këtë mundësi e kanë dy grupe parlamentare përkatësisht PS dhe PD. Sipas Kushtetutës, parashihet të votohet në pesë raunde, fillimisht tre raunde me 84 vota, dhe në mungesë të tyre shkohet në votimin prej dy raunde me 71 vota. Sipas procedurës në katër raundet e para mund të ketë kandidatë të rinj në proces, ndërsa raundi i fundit nuk lejon kandidatë të rinj dhe nëse Presidenti nuk zgjidhet parlamenti shpërndahet duke kaluar në zgjedhje të parakohshme. Nëse Presidenti zgjidhet përpara datës 24 maj ai e merr detyrën me 24 korrik.
Në sajë të procedurës së zgjedhjes së Presidentit do të ishte me e drejtë të thuhet se parlamenti e emëron se sa e zgjedh atë, sepse zgjedhja ka të bëjë me votimin direkt të qytetarëve, që zgjedhin sipas preferencave të tyre.

Duhet mbështetje nga deputetët
Çështja e zgjedhjes së Presidentit nga viti 2008, ka mbetur peng në saje të marrëveshjes Berisha-Rama, e cila vazhdon të jetë ende në fuqi. Kemi të bëjmë me marrëveshje e cila nuk është në favor të qytetarëve, por të interesave të partive politike. Pikërisht nga një qasje e tillë, ata që duan të kandidohen për t’u zgjedhur mund të legjitimohen vetëm nëse sigurojnë 28 nënshkrime deputetësh, në të kundërtën ata të cilët nuk sigurojnë këtë mbështetje mbesin jashtë garës për tu zgjedhur.
Duke ditur se deputetët veprojnë sipas interesave të tyre politike, del qartë se kemi të bëjmë me një tallje me gjoja mundësinë e kandidimit për President nga qytetarët, apo shoqëria civile, sepse çdo gjë varët nga partitë politike të përfaqësuara në parlament.
Qytetarëve iu mohohet ta zgjedhin Presidentin
Në lidhje me këtë çështje në media debatohet për zgjedhjen e Presidentit, duke ftuar mysafirë të ndryshëm ne emisione, madje, duke dalë me propozime sipas shijes dhe preferencave personale. Po të zgjidhej Presidenti direkt nga populli, emisionet e tilla kanë vlerë dhe janë me peshë sensibilizuese të opinionit, duke dëshmuar gatishmëri qytetare për pluralizmin e institucionit të Presidentit sikurse në vendet me traditë demokratike.
Madje, kandidatët opinionit do t’ia kishin obligim për t’iu prezantuar programin e tyre zgjedhor duke sfiduar konkurrentët dhe përfituar elektoratin votues. Ndërsa zgjedhja e Presidentit nga parlamenti eliminon prezantimin konkurrues me program zgjedhor, ku për shumicën parlamentare thënë më së buti parësore mbetet përshtatshmëria politike.
Zgjedhja e Presidentit nga populli për Shqipërinë model mund të jenë edhe vendet fqinje apo në regjion sikurse janë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia apo Sllovenia. Ndërsa, përvoja nga këto vende në lidhje me kompetencat e Presidentit dëshmon se zgjedhja e tillë nuk ka ndikuar ne natyrën parlamentare të shtetit.
Por, mohimi i qytetarëve të drejtën për ta zgjedhur Presidentin me votën e tyre nuk mund të arsyetohet me asgjë, vetëm me interesin partiak që nuk është në favor të parimeve demokratike. Sepse zgjedhja direkte do të forconte integritetin e institucionit, lidhjen me qytetarët dhe përgjegjësisë publike të Presidentit. Nga ana tjetër do të dobësonte ndikimin e partive politike, duke avancuar votën popullore në zgjedhjen e kandidatit të merituar.
Kujtojmë me këtë rast se në pluralizëm në Shqipëri ka pasur 7 presidentë, e to 6 të zgjedhur nga mazhoranca dhe 1 me konsensus(PD-PS).

PS mund ta zgjedhë vetë Presidentin
Në sajë të raporteve politike në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca aktuale është komode, se Presidenti do të zgjidhet sipas shijes dhe disponimit të tyre. Andaj edhe debatet e kësaj natyre ditëve të fundit duken pa peshë sepse PS do të vendosë për kandidatin potencial për President. Andaj, opinioni është kureshtar për të ditur se cili do të jetë kandidati i preferuar i PS, përkatësisht i kryeministrit Edi Rama. Nuk ka dilemë se ai dëshiron një president formal i cili nuk do të ishte impulsiv dhe refuzues por të miratoj çdo gjë sipas shijes dhe disponimit të tij. Andaj, duke marrë parasysh raportet brenda PS, me shumicën e mjaftueshme për të vendosur për propozimin nga ana e shefit të tyre, deputetët do të votojnë për kandidatin për President, sepse askush nuk mund të besojë, se deputetët do ta refuzonin, ku si pasojë do ishte shpërndarja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Një grua për Presidente
Duke përfillur kriteret për President mendoj se ka ardhur koha që një grua për të parën herë në historinë e Shqipërisë të zgjidhet në këtë funksion. Një veprim i tillë do të dëshmojë qytetari e do të mirëpritej nga shqiptarët, sepse deri më tash gratë janë anashkaluar për këtë pozicion institucional.
Në këtë aspekt në regjion kemi shembuj pozitiv si më parë në Kroaci e tani në Kosovë, duke dëshmuar dhe vlerësuar barazinë gjinore. Në Shqipëri ka gra të përgatitura dhe të denja për ta kryer me përgjegjësi një detyrë të tillë shtetërore, ku kandidatja e tillë mendoj se do të mbështetej jo vetëm nga mazhoranca por edhe nga opozita parlamentare.

Duhet ndryshuar kushtetuta
Duke respektuar parimet demokratike shpresoj që kjo të jetë zgjedhja e fundit e Presidentit nga Kuvendi i Shqipërisë, sepse shqiptarët meritojnë të deklarohen me votë për Presidentin të cilin e duan, e jo t’iu imponojnë deputetët, përkatësisht pazaret e partive politike. Në këtë aspekt duhet të iniciohet ndryshimi i kushtetutës përkatësisht të ekzistojë vullneti politik i mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit nga vota e popullit.
Vetëm me një veprim të tillë politik do të dëshmohej se vlerësohet vota e qytetarëve dhe nderohet institucioni i Presidentit si kudo në botën demokratike, e jo duke mbetur peng i deputetëve në parlament.

Putini e nisi një luftë të re anti-kolonialiste, por këtë herë Moska është caku

 

Nick Cohen

Megjithatë, heroizmi befasues i rezistencës ukrainase dhe gabimi i çmendur i regjimit putinist po bëjnë që kundërshtarët e Rusisë, që nga Siria në Azinë Qendrore e deri te Gjeorgjia dhe Moldavia, ta shtrojnë pyetjen e kthesës rrënjësore: “Çka nëse?”
Çka nëse perandoria bie? Çka nëse strukturat që për shekuj të tërë kanë rezistuar dhe kanë skllavëruar, mund të shpërthejnë si kamionët që pëlcasin në autokolonën me municione ruse?
Kur flet me burrat dhe me gratë e përfshira në atë që është – sikur ta shihte e majta globale këtë – lufta më e madhe anti-kolonialiste e kohëve tona, dëgjon se si po kalojnë nëpër fazat e një përkushtimi revolucionar: që nga protestat paqësore, te dënimet me burg e deri te të kuptuarit se mosbindja civile kurrë nuk do të mjaftojë.
Jetët transformohen dhe gjasat shtohen. Historia e Timur Mitskievichit i jep jehonë protestave anti-kolonialiste të shekullit XX. Në vitin 2020 ishte adoleshent në Minsk, kur diktatori bjellorus, Alexander Lukashenko, i manipuloi zgjedhjet presidenciale – pasi e kishte shtypur çdo sfidë ndaj sundimit të tij, qëkur erdhi në pushtet në vitin 1994. Mbështetësit e kandidates së opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya, dolën në rrugë në demonstratat më të mëdha popullore në historinë e Bjellorusisë.
Paradoksi i mosbindjes civile është se taktikat jo të dhunshme funksionojnë vetëm kundër regjimeve që, sado shtypëse që protestuesit i konsiderojnë ato, nuk janë aq shtypëse sa të mos binden ndaj ndryshimit. Me gjithë krimet dhe paragjykimet, autoritetet perandorake britanike në Indi në vitet 1940, si dhe qeveria amerikane e viteve 1960, u detyruan t’i dëgjonin Mahatma Gandhin dhe Martin Luther Kingun. Lukashenko nuk i dëgjoi kundërshtarët e vet. I terrorizoi ata. Ai nuk kishte pse të shqetësohej për publicitetin e keq kur tashmë i kontrollonte mediat. As nuk duhet të shqetësohet për reagimin e “komunitetit ndërkombëtar” meqë Vladimir Putini tha se do të mbante diktatorin në pushtet nëse ai heq dorë nga ajo pak gjë që ka mbetur nga pavarësia e Bjellorusisë. Vendi u bë përsëri koloni ruse, gjë që ka qenë pothuajse vazhdimisht – qëkur perandoria ruse e merr kontrollin e vendit më 1795.

Historia po shkon në një skaj. Askush s’e di cilën anë do ta marrë. Ndoshta do të bie perandoria ruse, e fundit dhe më e tmerrshmja e perandorive evropiane. Ose, ndoshta do ta durojë goditjen dhe do të mbijetojë ashtu siç ka mbijetuar dhe siç është zgjeruar që nga shekulli XVII. Do të ishe budalla nëse vë bast kundër. Varrezat e Euroazisë janë plot me ata që e bënë këtë


Protestës iu bashkua edhe 17-vjeçari Mitskievich. Policia e rrahu aq keq sa që mjekët e futën në koma. Kur ishte në atë gjendje, nëna e tij vdesë duke i lënë pas nëntë fëmijë jetimë.
Mosbindja paqësore funksionon vetëm ndaj regjimeve që kanë aftësi për të pasur turp, por regjimet bjelloruse dhe ruse nuk kanë pikë turpi.
Bjellorusia, si Ukraina para vitit 2014, është një vend për të cilin perëndimorëve pak e hiç mendojnë. Nëse ky emër shkruhet sot, ajo është baza e Rusisë për sulmin e dështuar kundër Kievit. Në vitet 1990, triumfi i demokracisë liberale supozohej se ishte aq i pashmangshëm saqë Bjellorusinë e quajtëm “diktatura e fundit e Evropës”. Shiheni çudinë e kësaj, thamë ne. Por, ajo ende kapet pas sundimit të stilit sovjetik, një gabim që historia me siguri do ta korrigjonte kur marshonin idealet e tregjeve të lira dhe të shoqërive të lira.
Në vend që të ishte anakronik, Bjellorusia ishte model për të ardhmen. Pasi u bë shtet klientelist rus, Rusia u bë Bjellorusi e madhe, meqë Putini i hoqi liritë e kufizuara që ua kishte lejuar qytetarëve rusë në vitet 2000 dhe e imitoi diktaturën e Lukashenkos.
Për opozitën e dëbuar të Bjellorusisë, lufta e Ukrainës është lufta e tyre dhe një fitore e Ukrainës do ta hapte perspektivën e ndryshimeve radikale në të gjitha territoret që Rusia i frikëson dhe i kontrollon. Lufta e Ukrainës e ka bërë të qartë se si nacionalistët rusë i shohin sllavët lindorë – me paturpësinë për t’i refuzuar ata. Mediat zyrtare ruse thanë se ukrainasit, dhe si rrjedhojë bjellorusët, në fakt ishin rusë. Nëse e refuzojnë identitetin rus dhe thonë se i kanë kulturat dhe historitë e tyre të cilat ekzistonin përpara perandorisë ruse, veçse e vërtetojnë se janë “nazistë”. Asnjë formë e jetës njerëzore nuk mund të jetë kaq e ulët. Shteti rus e ka për detyrë t’i vrasë ose t’i dërgojë në kampet e punës; t’ua marrë fëmijët dhe ta shkel vendin e kulturën e tyre.
Kur javën e kaluar fola me këshilltarin e lartë të Tsikhanouskayas, Franak Viačorka – që është në mërgim në Poloni – ai tha se revolucioni është i vetmi opsion i mundshëm. Fliste me gjuhën e një oficeri të nëntokës e jo shumë si politikan që përpiqej të negocionte për zgjidhje. Regjimi i Lukashenkos është i “shtetit kolaboracionist”. Aktivistët që i sabotuan linjat hekurudhore të Bjellorusisë, për t’i ndaluar trupat dhe forcat e blinduara ruse që të shkojnë në Ukrainë, ishin “celula të rezistencës”.
Edhe në kohën sovjetike, Moska “e pranonte ekzistencën e kombeve bjelloruse dhe ukrainase”, tha Viačorka. Putini po e sjell një “formë të re të fashizmit” që e mohon qenien e tyre. Opozita bjelloruse me veprime të fshehta po lufton kundër kësaj. Ajo po përpiqet ta largojnë ushtrinë nga nënshtrimi ndaj Lukashenkos dhe ndaj Putinit. Në Bjellorusi, si në shumë vende të tjera, shpresa varet nga fitorja e Ukrainës që e ofron “mundësinë për të dalë nga sfera e influencës ruse”.
Epo, kemi mësuar të jemi shumë optimistë në vitet pas fundit të shekullit. Mund ta shohim mbijetesën e pushtetit brutal. Forcat e armatosura ruse padyshim se janë të korruptuara dhe të paafta. Por, mund ta shihni perandorinë duke fituar, siç ka fituar gjithmonë duke i hedhur rekrutët në beteja – pa menduar për jetët e tyre – dhe i duke terrorizuar civilët. Nga ana tjetër, inteligjenca perëndimore nuk e parashikon fitoren e shpejtë të Ukrainës, por një luftë të ashpër rezultati i së cilës është i pasigurt.
Ndaj gjithë kësaj, megjithatë ka një diçka, nëse jo optimizëm atëherë një pyetje e besueshme. Po sikur rënia e pjesshme e perandorisë ruse në vitet 1990 të pasohet nga disfata vendimtare në vitet 2020? Po sikur të bie e gjithë struktura e kalbur?
Mjekët e liruan Mitskievichin nga spitali. Ai tani po lufton në Ukrainë për versionin bjellorus të Brigadave Ndërkombëtare të Luftës Civile në Spanjë. Është njëri nga mijëra bjellorusët që dolën vullnetarë për t’iu bashkuar Batalionit “Kastuś Kalinoŭski”, i quajtur sipas udhëheqësit të një kryengritjeje kundër Perandorisë Ruse më 1863. Batalioni ka vepruar në betejat rreth Irpinit. Një ditë, anëtarët e saj do të kthehen në Bjellorusi me aftësi shumë të mira ushtarake. Ata do t’i shtrojnë pyetjet e tyre.

Gjama e burrave dhe vaji i grave në Malësi


Gjama e burrave, është një traditë që është përdorur nga burrat shqiptarë – malësorë vetëm për burrat e vdekur. Ky ritual mortor në trevën e Malësisë së Mbishkodrës është aq i vjetër sa edhe në malësitë –krahinat tjera veriore shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Labëri dhe në arbërorë të Greqisë

Gjekë Gjonaj

Sipas studiuesve vendas dhe të huaj të kësaj fushë riti i gjëmës ( vajtimit) zanafillën e ka që nga koha e Skënderbeut, por realisht praktika është më e vjetër dhe përshkrime të ritualeve të tilla gjenden që tek Odisea i Homerit. Kronikanët e kohës kanë shënuar se, kur vdiq Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në vitin 1468, Lekë Dukagjini rrihte gjoksin e shkulte flokët, siç bëri Akili kur u vra Patrokli në luftën e Trojës, 3.000 e më shumë vjet më parë. Udhëtarë e misionarë të huaj të shekujve XV-XVII, që kanë studiuar dhe vërejtur këtë dukuri të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, sidomos ritet e vajtimit ndër burra, i vlerësojnë ato si të natyrës pagane e të çuditshme. Esenca e këtij rituali është që të lihet dhimbja, të shkojë dhe të largohet nga njeriu e po ashtu edhe të respektohet i vdekuri. Në Hot, Grudë, Triesh e Kojë, ka qenë zakon që të vedekurin/ën ta vajtojnë burrat dhe gratë. Domethënë në Malësi ka pasur vajtorë ( gjamtarë) dhe vajtore.
Gjamtë e burrave ( Vajtorët )
Njeriu apo personi që shprehë ( thërret-bërtet) vaj ( qan me ligje të vdekurin) në Malësi quhet vajtor. Ai shkonte kudo merrte lajmin e vdekjes në Malësi, pa pagesë, për t’i thirrë vaj të vdekurit sipas zakonit në këtë trevë. Të vdekurin burrë e kanë vajtuar meshkujt dhe gratë, ndërsa nëse një e vdekur ka qenë femër, atë e kanë vajtuar vetëm gratë. Nuk jam në dijeni që në Malësi një burrë të ketë vajtuar një grua, por nuk e përjashtoj një fenomen të mundshëm të këtillë.
Gjamët e buarrave në Malësi kanë qenë në grupe (korale) dhe kanë vazhduar deri në ditët e para pas Luftës së Dytë Botërore. Çdo person i grupit thurte vargje ashtu siç dinte duke mbajtur duart në pozitë horizontale, me rrahje të krahërorit, me gërvishtje të fytyrës. Gjamë të tilla më nuk ka në Malësi.
Vajtimi në grupe, sipas studiuesve vendas dhe të huaj të kësaj fushë, bisedës me vajtorë e vajtore të vjetra , me pleq e me plaka, është zhvilluar në disa faza. Vajtorët në grup kishin prijësin e tyre i cili zgjidhej nga pjesëmarrësit e grupit. Ata në shenjë të dhimbjes thërrisnin vaj të gjithë përnjëherë me zë të lartë, duke rrahur gjoksin, duke i gërvishtur faqet, duke i shkulur flokët, duke rënë përmbys mbi të vdekurin ( vigun-arkivolin) dhe duke gjëmuar dhimbshëm me fjalët:“ Ëh, ëh, ëh”. Gratë e rrethonin vigun ( kufomën) , nga ana e kokës së të vdekurit , e shoqëronin gjamën e burrave me :“ Ëj, hë, ëj”.
Malësorët, përveç gjamëve kolektive, më vonë kanë thirrë vaj në mënyrë individuale, një nga një. Vajtori para se të thërrasë vaj qëndron në këmbë. Ai i vë dy duart në brez duke qitur njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, me fjalët : “ I mje-e-ri, o Gjelosh Toma”, por edhe : “ Mjer-o sot për ty Deli Meta” duke i theksuar ato virtyte e tipare që e kanë cilësuar të ndjerin, familjen e tij apo fisin. Vajtori mund të thërras vaj te shtëpia vetëm në mëngjes dhe aty ku i bëhet ceremonia e vdekjes. Natën nuk ka vajtorë te shtëpia, që thërrasin vaj. Gjithashtu, as vajtore. Vajtori thërret vaj për mashkullin e vdekur e jo për gruan. Malësia gjatë shekujve ka pasur shumë vajtorë të njohurë, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën shpirtërore të popullit tonë. Në vazhdim po përmendim disa prej tyre.

  1. Vajtorët (gjamëtarët) nga Hoti: (Nikollë Prëkë Dushaj, Traboin, Rrok Pjetër Zeku Camaj,Vuksanlekaj, Mark Paloka Junçaj, Rapshë, Cak ( Tomë) Gjoni Camaj, Vuksanlekaj.)
  2. Vajtorët nga Gruda: (Tomë Bishi Ivezaj, Kolë Zefi Lulgjuraj, Zef Ujka Lulgjuraj, Gjokë Kola Ivezaj, Zef Dasha Lulgjuraj, Dedë Luli Gjolaj, Lekë Ujka Lulgjuraj, Sokol Deda Kalaj.)
    3.Vajtorët nga Trieshi: (Dodë Smajli Gjeloshaj, Nikollë Gali Lekoçaj, Gjeto Gjeka Arapaj, Nikë Gjeti Arapaj, Gjon Deda Arapaj, Gjon Mixhi Gjurashaj, Nua Kola Gjurashaj, Kolë Gjoni Gjurashaj, Hilë Toma Margilaj, Nikollë Hila Margilaj, Gjergj Pali Ujkaj, Gjel Deda Nikprelaj, Zef Toma Dedivanaj, Zef Uci Memçaj, Prëkë Uci Gjolaj, Rrok Gjoka Gjokaj, Zef Toma Dedivanaj, Pjetër Prëla Lucaj, Mal Kaculi Cacaj, Mark Smajli Nikollaj, Mark Noshi Gjeloshaj, Gjekë Arapaj.)
  3. Vajtorët nga Koja: ( Mark Zeka Ulaj, Zef Zeka Ulaj,Dodë Paloka Ulaj, Gjergj Leka Ulaj, Prëtash Uci Ulaj, Bardh Miri Kërcaj, Kolë Bardhi Kërcaj, Prëlë Kola Kërcaj, Mark Gjeti Gjokaj, Mark Luca Gjokaj, Dokë Marashi Ivanaj, Dodë Prëka Ivanaj, Prëlë Gjeka Kolçaj, Mark Prëla Kolçaj, Pjetër Kola Lucaj, Fran Tushi Lucaj, Vuksan Leka Nucullaj.)
    Për kuriozitet themi se vajtorët në Hot, Grudë, Triesh e Kojë kanë qenë të besimit katolikë. Nuk mbahet mend të ketë pasur gjamtarë të besimit myslimanë
    Vajtimi i femrave ( Vajtoret)
    Siç theksuam më lartë te shqiptarët e besimit katolikë në Malësi është i përhapur dhe i njohur edhe vajtimi i femrave. Vajtimi i femrave dallohet nga ai i meshkujve. Vajtoret fillojnë vajin me fjalët: “ Ëj, hëë-ëj”. Këto poetesha popullore, për dallim nga vajtorët, të cilët mund t’i quajmë edhe poetë popullorë, kanë vajtuar edhe meshkujt edhe femrat. Vajtoret kanë vajtuar ulur pranë vigut. Me rëndësi është të theksohet një fenomen i rrrallë në Malësi se ka ndodhur që një grua myslimane të ketë qenë vajtore. Ajo është File Hasja Gjokaj, nga fshati Milesh, e martuar në Halaj të Kastratit.
    Kjo grua e cila ka vdekur në Shkodër, ka qenë vajtorja e vetme e cila i përketë fesë islame në Malësi që dihet deri më sot. Ashtu si vajtoret e tjera katolike, që në vajin e tyre përdorin aspekte kanunore kur qajnë një mysliman , ka vajtuar edhe kjo brimtare e fesë islame. Ndër vajtoret tjera të njohura në Malësi po përmendim:
    1.Nga Hoti: (Lulë Pjetra Camaj.)
    2.Nga Gruda : (Mari Markja Ivezaj.)
    3.Nga Trieshi: (Mare Gjonaj-Gegaj, Tereze Gjokaj, Pashkë Ujkja Dedivanaj, Age Gjonja Arapaj, Pakë Gjetja Memçaj.)
    4.Nga Koja: (Tringë Kolja Gorvokaj.)
    Vajtorët dhe vajtoret e Malësisë me fjalë shumë prekëse, me plot ndjenja emocionuese, me shprehje të bukura poetike, me një gjuhë të pastër dhe të pasur popullore theksojnë vetitë e mira njerëzore të të ndejrit/ës, gjendjen e vështirë që lë i vdekuri, e vdekura dhe pikëllimin e prindërve dhe familjes. Brimtarët dhe brimtaret në Malësi kanë qenë shumë të nderuar dhe të repsektuar. Ata gëzonin autoritet tek popullata vendase. Nuk mund të paramendohej asnjë vdekje pa pjesëmarrjen e vajtorëve dhe vajtoreve. Aq ishin të mirëpritur dhe të mirëseardhur në raste vdekjeje sa të pranishmit nga larg i vërenin në grupe njerëzish duke thënë ja po vjen filan vajtori. Ardhja e tyre në hatër vlerësohej si diçka madhore e madhështore dhe i gjithë populli i dëgjonte me shumë vëmendje e qetësi pothuaj absolute. Secili vajtuer dhe vajtore dallohej nga të tjerët për nga teknika e të bërtiturit vaj, nga mjeshtëria e thurjes së vajtimit, ngjyra dhe lartësia e e zërit të kthjellët si pushka.
    Zhdukja e këtij riti të vdekjes
    Ky zakon i lashtë i malësorëve nuk u ndërpre që nga zanafilla e tij e as në regjimin komunist në ish – Jugosllavi, siç ka ndodhur përshembull në Shqipëri në kohen e regjimit të egër të Enver Hoxhës. Por, për fat të keq, kjo traditë e shumëshekullore e malësorëve nuk arriti të mbijetojë në fillim të shekullit 21, që konsiderohet si shekull i teknologjisë. Tash disa vite u shua përfundimisht ky rit mortor në Malësi. Gjama e burrave dhe vaji i femrave në këtë trevë shqiptare u depozitua në muze e arkivë. Ndoshta përgjithmonë.

Mite dhe histori

 


Legjendat e origjinës trojane fituan popullaritet të jashtëzakonshëm. Aty pothuajse çdo komb mund të gjente, si në arkiva, titujt e tij më të lashtë të fisnikërisë

Për Koha Javore: Astrit Lulushi / Uashington

Gjatë Mesjetës në Evropë u vu re një fenomen i çuditshëm – çdo popull pretendonte një hero mitologjik si paraardhës dhe mbrojtës të tij. Kjo praktikë u bë e zakonshme; u shtua me formimin e popullsive të reja; dhe vazhdon të shfaqet duke marrë forma të reja historike të habitshme.
Legjendat e origjinës trojane fituan popullaritet të jashtëzakonshëm. Aty pothuajse çdo komb mund të gjente, si në arkiva, titujt e tij më të lashtë të fisnikërisë.
Vetëm gjermanët dhe francezët mund të mburreshin me prejardhje të padiskutueshme nga vetë Hektori; por të tjerët – Bretonët, Flamanët, Skandinavët, Normanët, Italianët dhe Spanjollët – gjetën gjithashtu mënyra për të pohuar marrëdhëniet me të; për të justifikuar ose krenarinë ose ambicien e tyre.
Emrat e heronjve të ndryshëm trojanë u shpërndanë si plaçkë lufte: Bretonët thonin se ishin pasardhës të Brutusit, mbretit të parë të Britanisë; spanjollët pasardhës të Hesperusit, italianët të Italusit, toskanët të Tuskut, romakët të Eneas, dhe burgundianët të Herakliut (Herkulit).

Vetëm gjermanët dhe francezët mund të mburreshin me prejardhje të padiskutueshme nga vetë Hektori; por të tjerët – bretonët, flamanët, skandinavët, normanët, italianët dhe spanjollët – gjetën gjithashtu mënyra për të pohuar marrëdhëniet me të; për të justifikuar ose krenarinë ose ambicien e tyre.
Emrat e heronjve të ndryshëm trojanë u shpërndanë si plaçkë lufte: bretonët thonin se ishin pasardhës të Brutusit, mbretit të parë të Britanisë; spanjollët pasardhës të Hesperusit, italianët të Italusit, toskanët të Tuskut, romakët të Eneas, dhe burgundianët të Herakliut (Herkulit).


Vetëm Francia zbuloi një prirje të re, e cila ishte veçanërisht e përshtatshme për Rilindjen Evropiane – ajo nuk u frymëzua nga “vetëdija etnike”, por nga krenaria dinastike. Charles IX mbikëqyri personalisht kompozimin e një poeme epike për të vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë midis 63 sovranëve të linjës së tij dhe antikitetit më përrallor.
Më vonë, dukët e Burgundisë do të krenoheshin me prejardhjen e tyre nga një gjysmëperëndi, Herkuli. Legjendat trojane ishin në favor të madh në oborrin e tyre që në shekullin e katërmbëdhjetë.
Në fund të shekullit të 15-të, atje lexoheshin tregimet e Trojës, dhe Herkulit i jepet një rëndësi e madhe, Sipas tyre, shkaku i luftës së Trojës nuk kishte qenë rrëmbimi i Helenës nga Parisi, dhe nuk kishte pasur Kalë Druri, por kishte qenë Herkuli, të cilit i ishte premtuar një princeshë trojane dhe kur premtimi nuk u mbajt, shkoi dhe e shkatërroi qytetin.
Sipas legjendës, Herkuli, duke udhëtuar për në Spanjë, kaloi nëpër tokën e Burgundisë dhe atje takoi një zonjë me bukuri të madhe dhe prejardhje fisnike, me emër Alise. Ata u martuan dhe nga bashkimi doli linja e princave burgundianë.

Në fund të shekullit të 15-të, atje lexoheshin tregimet e Trojës, dhe Herkulit i jepet një rëndësi e madhe, Sipas tyre, shkaku i luftës së Trojës nuk kishte qenë rrëmbimi i Helenës nga Parisi, dhe nuk kishte pasur Kalë Druri, por kishte qenë Herkuli, të cilit i ishte premtuar një princeshë trojane dhe kur premtimi nuk u mbajt, shkoi dhe e shkatërroi qytetin


Një tjetër hero mitologjik, Jason, ishte i njohur në oborrin Burgundian: Filipi e vuri veten nën kujdesin e tij kur, në 1430, themeloi Urdhrin e Lëkurës së Artë.
Përveç dukëve të Burgundisë dhe mbretërve të Francës, a duhet të citojmë ndoshta edhe shembullin e Papa Aleksandrit VI (1431-1503), i cili pranoi të mbante emrin Borgia I si garanci për dekorimin e tavanit të apartamenteve të tij në Vatikan me afreske që përfaqësonin historinë e Isis, Osiris dhe Apis – paraardhës të papritur për një papë të krishterë.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...