2013-04-29

Panairi i librit në Prishtinë nga data 3-9 qershor 2013


Panairi i 15-të me radhë i librit i Prishtinës do të mbahet nga data 3-9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë. Edhe këtë vit, ky panair do të organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Duke qenë panair jubilar, do të ketë shumë risi dhe një varg aktivitetesh, që përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare, si: 100-vjetori i lindjes të Petro Markos, 100-vjetori i lindjes të Vedat Kokonës, 100-vjetori i lindjes të Isuf Luzajt, 90-vjetori i lindjes të Jakov Xoxës, 90-vjetori i lindjes të Vehap Shitës dhe 30-vjetori i vdekjes së Musine Kokalarit.


description


Trofeu i panairit

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të panairit. Këtë vit SHBK-ja do të nderojë me trofeun e panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital, si dhe stendën më të vizituar.

Papunësia, shqetësim psikologjik dhe faktik


I vetmi “dëfrim” i të rinjve tanë janë kafeteritë


Kjo gjendje do një vëmendje të qartë për të nesërmen e këtij populli, kësaj rinie të denjë për t’u angazhuar në ndërtimin e përbashkët të shoqërisë kosovare




Shkruan: Msc. Venera Limani-Kryeziu, psikologe klinike


Marrë për bazë të sotmen kosovare, papunësia radhitet ndër faktorët më shqetësues ndër ne. Popullata e Kosovës skajshmërisht po përballet me situata të vështira ekonomike dhe sociale - madje edhe ekzistenciale. Çdo ditë, numri i të papunësuarve shënon rritje, ndërsa në vazhdimësi shtohet numri i atyre që kërkojnë punë. Kjo gjendje e papranueshme dhe si e tillë e paqëndrueshme e do një vëmendje të qartë për të nesërmen e këtij populli, kësaj rinie të denjë për t’u angazhuar në ndërtimin e përbashkët të shoqërisë kosovare. Së këndejmi, popullata shqiptare më e reja në Evropë, e aftë për punë dhe e vullnetshme për të vepruar dhe kontribuar në shumë fusha shoqërore, sikur e anashkaluar, anamendas hiqet rrugëve të qyteteve të stërmbushura me të rinj, të cilët nuk shohin asgjë më shumë se shqetësimin e tyre të përditshëm për të sotmen dhe të nesërmen e tyre të pasigurt. Ëndrrat e tyre, që ta materializojnë mirëfilli shkollimin e tyre, mbetet vetëm një ëndërr syhapur, e cila e shton shqetësimin e tyre, duke mos parë ndonjë shteg të hapur drejt perspektivës së tyre për një jetë të shëndoshë, pa shqetësimet e të sotmes ngulfatëse. Në këtë kontekst, bazuar në statistikat zyrtare, mbi 45% të popullatës nuk e gëzojnë të drejtën e punësimit - me frikën se këto të dhëna janë në rritje e sipër. Këtu dhe në këtë kuptim, zë vend edhe nepotizmi, si dukuri e shëmtuar e shoqërisë sonë, ku punësimet aranzhohen nga pushtetarët, të cilëve nuk u bën përshtypje edukimi adekuat i kuadrove të arsimuara mirëfilli, por të afërmit e tyre, të cilët zënë vendet e huaja pa kualifikimet e duhura dhe pa shkollimet e përfunduara.
Shëtitoret e të papunëve
Në këtë frymë, të një shoqërie të papërgjegjshme, pa dyshim se papunësia bëhet faktor ndikimi i frikshëm psikologjik, i dalë nga pakënaqësia dhe mosangazhimi i faktorit njeri. Kjo dukuri, pa dashje shndërrohet në prodhues krimi dhe depresioni shoqëror, ku fatkeqësisht, nga papunësia dhe pasiguria për të nesërmen tonë, shumë të rinj, i dorëzohen situatës ngulfatëse duke përfunduar me jetën e tyre në kohën e lulëzimit të tyre. Në kuadër të kësaj fryme depresive, si askund në botë, në pikë të ditës, qytetet kosovare janë të shndërruara në shëtitore e të papunëve. I vetmi “dëfrim” i të rinjve tanë janë kafeteritë e stërmbushura, në çdo kohë dhe në çdo cep të qyteteve. Andaj, si ta gëlltisim të vërtetën e hidhur? Si të frymojmë nga ngulfatja e kohë së pa frymë? - kur resurset njerëzore, më të kërkuarat gjithandej dynjasë, tek ne bredhin rrugëve dhe shtrihen nëpër kafeteritë e mallkuara, të zhveshur nga shpresat dhe ëndrrat rinore, ngase, dita e tyre rrjedh e shurdhër, pa ndonjë strategji mbi jetën dhe vlerat njerëzore të nëpërkëmbura nga djallëzitë e kohës… Çfarë tjetër të themi…? Kur në fytyrat e një rinie të lodhur, qartë vërehen dhe shpalosen rudhimet mbi ballin e depresionit shqetësues! Kur dita e tyre dhe “gëzimi” zgjasin aq sa gllënjkat e një filxhani kafeje, mbi të cilin, të përhumbur varin mendjet e tyre… duke u munduar që në mes tyre ta gjejnë këngën e ngushëllimit, që sadopak t’i amortizojnë brengat dhe shqetësimet e kohës, të një shoqërie të paorganizuar, e cila vazhdon të prodhojë pasiguri ekonomike dhe sociale. Si rrjedhojë e këtyre momenteve shqetësuese shpalosen brengat e përditshmërisë sonë. Pothuajse çdo ditë, nëpër masmediat tona, njerëzit e moshave të ndryshme në mënyrë kritike flasin dhe shprehin pakënaqësitë e tyre të shumta, duke filluar nga punësimi si bazë themeltare për jetën e njeriut, pensionet qesharake, mospërfillja e zërit të qytetarisë për shumë padrejtësi, brenga dhe shqetësime të shumta drejtuar në adresë të shtetit dhe organeve të drejtësisë, ndaj të cilave në masë të madhe është zbehur dhe ka humbur besimi i duhur. Në vorbullën e shumë ankesave ndër më të ndryshmet, e në veçanti pasiguria e ekzistencës, jepet një mesazh i qartë: se individi nuk mund të mbijetojë pa mbikëqyrjen sociale dhe ekonomike, pa të cilat nuk mund të kalohet në vetaktualizim, si pikënisje e rëndësishme për individin në realizimin e potencialit të tij krijues si pjesëtarë i barabartë i një shoqëri të qytetëruar, ku individi me të drejtë e fiton dhe e krijon hapësirën e tij racionale për të kontribuar në ndërtimin e shoqërisë dhe vetvetes së tij, duke i eliminuar pasojat psikologjike si faktorë potencialë në mbarëvajtjen e shëndetit publik.
A je duke punuar?...
Kjo pyetje, e cila dëgjohet më së shpeshti dhe pa dyshim është bërë brenga kryesore e përditshmërisë sonë - e ka marrë formën brenda një përshëndetjeje të zakonshme. Kështu, duke kaluar në një përshëndetje tashmë të rëndomtë, madje edhe mes njerëzish që nuk kanë ndonjë miqësi të thellë, brenga e papunësisë, natyrshëm e ka kapluar çdo mendje njeriu. Andaj, sikur vetvetiu na del nga goja dhe bashkëbiseduesin e pyesim: A je duke punuar diku? A ke gjetur ndonjë punë? Dhe, nëse e analizojmë këtë shprehje të lirë, si një shtysë inercioni të preokupimit tonë do të vinim në përfundim: se këtu rrjedh shqetësimi kryesor, si barrë e përditshmërisë, me të cilën ballafaqohemi. Dhe, çka ndodh brenda nesh si qenie njerëzore, kur nuk mund të jemi pjesë e një grupi aktiv, kur nuk kemi mundësi ta gjejmë veten dhe të kontribuojmë për shoqërinë, pjesë e së cilës jemi edhe ne? E tërë kjo luftë brenda nesh ndikon tejet rëndë në humorin dhe funksionimin psikologjik të individit. Prandaj, individi mund të ndihet i padobishëm për veten dhe rrethin ku jeton, i nënvlerësuar subjektivisht dhe objektivisht, i tensionuar, i stresuar, e madje edhe i depresionuar. Andaj, puna është pjesë përbërëse e aktivitetit dhe funksionimit tonë individual, madje në përputhje me komentin e Frojdit, i cili thotë: “puna është faktor kyç që kontribuon në shëndetin psikologjik dhe mirëqenien e individit”. Në kuptimin e mirëqenies shëndetësore, si popullatë e dalë pas tmerreve të luftës, është dashur ta kuptojmë seriozisht ndikimin psikologjik dhe të situatave stresogjene, që në mënyrë të organizuar të trajtohemi në frymë institucionale. Këtu, shteti dhe institucionet relevante kanë rol të rëndësishëm dhe parësor - që në menaxhimin e situatave mbi shëndetin publik të përfitonim shumë duke e ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e popullit tonë. Prandaj, duke kuptuar dhe kujtuar vështirësitë e shumë personave të traumatizuar nga përjetimet e situatave makabre dhe shumë faktorë në çrregullimet e personalitetit individual, ku hyn edhe papunësia si shkaktare e gjendjes së rëndë ekonomike dhe mungesa e jetës sociale, janë kanosës potencial i shëndetit individual me shumë shqetësime psikologjike të natyrës së lehtë, por edhe asaj të rëndë, me pasoja të paparashikueshme... Në këtë kuptim, mbetemi me shpresë dhe në vend të përshëndetjes pyetëse “A je duke punuar?”, “A ke gjetur ndonjë punë?”, të zëvendësohet me shprehjen “Si kalove sot në punë?” Kjo do të ishte mrekullia e kohës dhe e hapësirës sonë në të cilën kemi vendosur të frymojmë shqip…

Rrahman. H ,vrau gruan sipas Kanunit, sepse e tradhtoi me turkun


Rrahman. H sot në Gjykatën e Sankt Gallen në Zvicër për dy orë foli se përse kishte vendosur ta vriste gruan e tij, që sipas tij, i rrënoi tërë jetën. "Fajet i ka bashkëshortja e ime vetë! Sikur ajo të mos kalonte me turkun, me siguri se ajo sot do ishte në jetë. Ju si Gjykatë duhet të dënoni edhe turkun ngase edhe ai ka fajin, pasi ka fjetur me gruan time që e kisha të kurorëzuar. Ndoshta jam edhe unë fajtor, por faji im është i vogël, sepse gruaja ime dhe dashnori i saj turk më kanë shkatërruar jetën!” ishin fjalët e emigrantit nga Kosova, Rrahman.H, i cili për dy orë ka folur para trupit gjykues për të sqaruar se përse kishte vendosur vrasjen e bashkëshortes. Rrahmani ka theksuar se “Kanuni shqiptar i ka lejuar të drejtën për vrasjen e gruas dhe se ka vepruar sipas këtij kodi”. Por, nga ana tjetër, Prokuroria zvicerane ka hedhur poshtë këto pretendime, duke bërë të ditur se kjo vepër vrasje nuk ka të bëjë me kanun apo kode të tilla. Pas dy orësh, dita e parë e procesit kundër kosovarit ka përfunduar dhe prokuroria spjegon se nesër do vazhdoj më tutje me procesin ndaj kosovarit. Prokuroria kërkon 19 vite burg për veprën e bërë. Emigranti 44 vjeçar nga një fshat i Suharekës një kohë të gjatë po jetonte me familjen në Zvicër, transmeton INA. Ai dy vite më parë kishte hetuar se gruaja e tij po çonte dashuri me një emigrant turk në qytetin St.Gallen, ku po jetonin. Ai nga xhelozia një ditë vendosi që të vrasë gruan e tij dhe aktin e vrasjes e kreu duke e goditur gruan me makinën e tij, derisa ajo po shkonte në punë.

Komisioni Hetimor per Edin Kristaq Ramen

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar vetëm me votat e shumicës kërkesën e mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor për incidentin e 24 prillit të ndodhur në Vjenë mes kryetarit të opozitës Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.Me 71 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim Kuvendi ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor.

Komisioni hetimor përbëhet nga 9 deputetë me kryetar Fatbardh Kadillin, ndërkohë që PS nuk ka caktuar anetarët, transmetojnë mediat shqiptare.

Vetëm pak kohe para nisjes se seancës Konferenca e Kryetarëve ka miratuar kërkesën e PD-se për ngritjen e një komisioni hetimor për incidentin mes kreut te PS dhe diplomatit Ceka.

Ne mbledhjen e sotme opozita nuk ishte e pranishme, kështu që kërkesa u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

Diten e premte u depozitua ne Kuvend kërkesa e Grupit Parlamentar te Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”. Kërkesa e deputetëve të mazhorancës parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident.

Një tjetër medalje nga ana e PD-se e ka quajtur kreu socialist Edi Rama vendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për të quajturin incident i Vjenës.“Për sa i takon veshit shprehem i kënaqur që mora medaljen e radhës nga PD dhe kryetari i saj, pra komisionin e radhës, edhe pse rruga nga komisioni në komision ka degradim të vazhdueshëm, rrënim i rrugës logjike të komunikimit me popullin dhe opozitë, rrënimi i PD që është parti familjare”,  ka thënë Rama.

Sipas tij, sa i takon përmbajtjes se asaj që ngjau ka folur. “Përmbajtja ka vetëm një përgjigje; kam parë se pa pasur një mbështetje publike në rrjetet sociale propozimi i Velajt për ta shpallur 24 prillin ditën kombëtare të shkuljes së veshit, ditë e bukur kur secili t’i shkulë veshin vetes, apo kujtdo qoftë për çfarëdo nevojë për të reflektuar dhe përmirësuar veten dhe njëri tjetrin, shumë paqësore si ide dhe do të ishte një ditë e veçantë në 365 ditët e vitit”,  tha ai, transmeton Panorama.

Vetëvrasja e ish-ushtarëve, pasqyrë e zezë për Qeverine e Kosoves


Fenomeni i vetëvrasjes të ushtarëve të UÇK-së në kohë “paqeje”, i cili arrin në 44 sish që nga përfundimi i luftës, është pasqyra më e zezë e institucioneve shtetërore.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të UÇK-së, kjo është pasqyra më e zezë e politikës, e drejtësisë, e humanizmit dhe e demokracisë së institucioneve shtetërore dhe shoqërore të Kosovës, të cilat e mbajnë përgjegjësinë morale, ligjore dhe kushtetuese për braktisjen dhe për mosmbështetjen e gjithanshme ekzistenciale të ish- ushtarëve të UÇK-së.

Madje drejtuesit e këtij këshilli kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se kështu nuk shkohet përpara dhe nëse nuk punohet në këtë drejtim, “durimit për çdo ditë po i vjen fundi”.

Nga ana tjetër ky shqetësim është ngritur edhe nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se është mjaft shqetësuese rritja e numrit të vetëvrasjeve që nga viti 1999 e këndej.

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se qysh prej përfundimit të luftës institucionet tona pothuajse nuk janë marrë fare me veteranët e Luftës edhe përkundër reagimit disa herë rreth këtij problemi.

“Shkaku i anashkalimit nga institucionet, deri më sot 44 veteranë kanë bërë vetëvrasje, rasti më i freskët ishte në Dragash. Unë disa herë e kam ngritur zërin rreth kësaj çështje ngase vazhdimisht kam marrë mesazhe nga veteranët e luftës se do të bëjnë vetëvrasje. Mirëpo, ka qenë e kotë askush nga qeveritarët nuk është marrë me këtë problem, bile as nuk më kanë pyetur se kush janë ata të cilët të dërgojnë mesazhe”, është shprehur i zhgënjyer Qeriqi. Sipas tij, kjo tregon se në çfarë situate janë veteranet e luftës.

Sporti në Shqipëri



Shqipëria shtrihet në bregun lindor te gadishullit Ballkanik dhe përfshihet në zonën klimaterike mesdhetare, me dimër relativisht të shkurtër e të butë dhe me verë të nxehtë e të thatë. Si rezultat i relievit të thyer, klima është e ndryshueshme nga një krahinë në tjetrën, me kontraste në temperaturë, reshje, ndriçimin diellor, lagështirën e ajrit, etj.



 Kjo ndryshueshmëri klimaterike i jep Shqipërisë mundësinë për një shumëllojshmëri të florës dhe faunës, si dhe peisazhe të mrekullueshme malore dhe bregdetare.


 Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike, pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël, duke kontrolluar kalimin përmes kanalit detar të Otrantos.




Luginat e saj më të gjëra janë ato të lumenjve Drin, Shkumbin dhe Vjosë, që lehtësojnë njëkohësisht lidhjen e brendshme të Ballkanit nëpërmjet detit Adriatik me viset e tjera europiane-mesdhetare. Bregdeti i Adriatikut shtrihet nga gryka e Bunës deri në Kepin e Gjuhëzës. Nga gjiri i Vlorës në drejtim të jugut, bregdeti është i lartë dhe shkëmbor, ku dominojnë malet e Vetëtimës dhe gadishulli i Karaburunit. Gjiret kryesore të Shqipërise janë: gjiri i Drinit, i Lalëzit, i Durrësit dhe i Vlorës, në hyrje të së cilës gjendet ishulli i Sazanit.


Sportet malore

Territori i Shqipërisë është i pasur me male dhe kodra, të cilat zënë 2/3 e sipërfaqes së vendit, të përhapura gjerësisht nga veriu deri në jug. Pikat më të rëndësishme malore janë Dajti, Llogaraja, Dardha, Bozdoveci, Voskopoja, Valbona e Thethi.


Këto pika ofrojnë mundësi të shumta natyrore për të praktikuar aktivitete të shumta si: alpinizëm, treking, ecjet, skitë, eksplorimin e shpellave (speleologjinë), biçikletat malore etj.



Përsa i përket Alpinizmit, Shqipëria ka tashmë një traditë të admirueshme. Federata Shqipëtare e Alpininizmit, e cila është themeluar në vitin 1958 ka organizuar dhe organizon veprimtari alpinistike në rajonet më spektakolarë të Shqipërisë.


Zonat më të rëndësishme për sportin e alpinizmit, janë Jezerca, mali i Hekurave, Razma e shumë të tjera në Alpe, Munella ne Puke, Korabi Radomira dhe Lura në rrethin e Dibrës, Biza në rrethin e Tiranës, mali i Cikës në rrethin e Vlorës, mali i Tomorrit në Berat, Gjinari në Elbasan, mali i Rungajës në Vithkuq, në parkun e Qafë Shtamës në rrethin e Krujës etj.


Përveç sportit te alpinizmit majat e maleve dhe territoret malore janë tërheqëse për ndërtimin e kampingjeve dhe akomodimin me çadra. Sigurisht, kjo gjatë stinës së ngrohtë, pasi dimri në lartësi të mëdha është i ashpër dhe e bën të pamundur, jo vetëm ngjitjen, por edhe ndërtimin e një kampingu.
Foto

Territori i Shqipërisë ofron mundësi të mëdha për të ushtruar edhe veprimtaritë e trekkingut dhe ngjitjeve malore. Zonat ku mund të zhvillohen këto veprimtari janë të shtrira nga veriu në jug. Tërheqës është programi i trekking-ut i quajtur "trekkingu i Çikës", i cili zhvillohet në zonën jugperëndimore të vendit, duke përshkuar luginën e përroit të Dukatit, vargun e Çikës, zonën e Kurveleshit dhe përfundon në bregdetin Jonian. Ky trekking zhvillohet përgjatë itinerarit Dukat-Tërbaç-Vranisht-Kuç-Kudhës-Qeparo. Zona të tjera të përshtatshme për trekking dhe ngjitje alpinistike janë Alpet e Shqipërisë në pika të tilla si: Vermosh, Theth, Razëm, Bogë, Valbonë, etj. Mali Tomorrit i shtrirë në rrethet e Beratit dhe Skraparit. Vithkuqi, Voskopoja, Drenova në rrethin e Korçës, Guri Kamjes në rrethin e Pogradecit, lugina e Drinos në zonën e Dropullit në rrethin e Gjirokastrës si dhe intinerari Borsh-Zhulat që përshkon Kurveleshin etj.


Shëtitjet me këmbë janë një mënyrë tjetër për të shijuar natyrën, duke bërë njëkohësisht edhe aktivitet fizik. Në të gjitha vendet malore evropiane, shëtitjet apo ecjet e gjata në këmbë janë baza e turizmit aktiv, pasi ky aktivitet shtrihet në të gjitha moshat. Në Shqipëri ecja në këmbë është gjithashtu një sport tepër i aplikuar, pasi natyra dhe territoret me shtigje të ngushta dhe monopate, ofrojnë një kënaqësi të veçantë. Zakonisht për grupe të ndryshme janë udhërrëfyes banorët e fshatrave pranë, të cilët e njohin mirë zonën. Shëtitjet me këmbë janë të prekshme nga të gjithë, mjafton dëshira për të kaluar një pjesë të kohës së lirë në natyrë, jashtë jetës frenetike të qytetit.


Sporti i skive është veçanërisht i zhvilluar në zonën e Korçës, e cila njihet për resortet e saj të skive. Zona kryesore për zhvillimin e sporteve dimërore është pika malore e Voskopojës si dhe pista e Bigëllit ne Boboshticë ku zhvillohen edhe garat e Kampionatit Kombëtar të skive. Ia vlen të përmendet këtu edhe Shishtaveci në zonën e Kuksit, Dardha ne rrethin e Korcës, alpet Shqiptare me Razmën, Bogën, Thethin dhe Grabovën ne rrethin e Gramshit.


Voskopoja: Voskopoja ndodhet rreth 21 km nga Korça mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive



Razma: Fshati i Razmës ndodhet rreth 41 km në veri të Shkodrës. Ai është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin malor dhe skitë. Fshatrat e tjerë rreth tij; Vermosh, Boga dhe Vukli janë unik për bukurinë e tyre natyrore. Kjo zonë shquhet për traditën në bujari dhe mikritje.

Speleologjia

Si rezultat i përhapjes së madhe të formacinoneve gëlqerore në territorin e Shqipërisë, ka një zhvillim të formave të shumëllojshme karstike, gjë e cila ka mundësuar egzistencën e shumë shpellave karstike me interes të madh për turizmin, apo siç quhet ndryshe speleologjia. Shqipëria shquhet në tërë territorin e rajonit për sasinë dhe shumëllojshmërinë e shpellave.


Vetëm në zonën e Shkodrës gjenden 35 shpella të tilla si e Zhylës, Jubanit, Murriqit, Pusit, e Birrëve me rathë etj. Me interes të veçantë turistik mund të përmendim "Shpellën e Pëllumbasit", e cila ndryshe quhet dhe "Shpella e Zezë", ajo ndodhet në juglindje të Tiranës. Shpellë tjetër atraktive është shpella e Pirrogashit e cila gjendet ne rrethin e Skraparit në jug të vendit, ajo është dhe shpella më e madhe në Shqipëri. Shpellat të tjera janë, shpella e Nezirit (Mat), shpella e Lekë Petës në Kurvelesh, e Trenit në Devoll etj.

Çiklizmi malor

Një aktivitet i veçantë që mund të ushtrohet në zonat malore është çiklizmi malor. Turet e çiklizmit malor zhvillohen në Alpet Shqiptare, si në Theth, Bogë, Vermosh etj

Aeronautika

Natyra shqiptare ofron mundësi të shumta për sporte dhe pushime aktive. Mjaft e zhvilluar këtu është aeronautika, e cila është e lidhur me kushtet e përshtatshme topografike dhe natyrore të Shqipërisë.


 Pika më e përshtatshme për të praktikuar këtë sport është Qafa e Llogarasë në zonën e Vlorës, ku drejtimi i erës është shumë i favorshëm.









Peshkimi

Peshkimi është një nga veprimtaritë më kryesore në bregdet dhe në ujërat e brendshme. Klima e përshtatshme në vendin tonë bën që sezoni i peshkimit në Shqipëri të jetë aktiv gjatë gjithë vitit. Kjo shtrirje e vazhdueshme kohore, ka luhatjet e saj në varësi të sezonit të shumimit të peshqve.


Kënaqësia e një sporti të tillë si peshkimi, plotësohet nga efektet relaksuese që ofron ky sport si edhe bukuria e egër e peisazhit shqiptarë. Vëndi ynë është i pasur me zona të përshtatshme per ushtrimin e kësaj veprimtarie. Ndër zonat ideale per peshkimin malor janë lugina e lumit Valbonë, përroi i Thethit ku gjuhet trofta e mermertë, lugina e sipërme e Vjosës, etj.


 Peshkimi sportiv me grepa ka mundësi të ushtrohet në grykëderdhjet e lumenjve si ato të Vjosës, Semanit, Matit, Drinit etj. Kënaqësi më vete është edhe peshkimi në laguna sidomos në Karavasta, Nartë, Kune-Vain etj.
Foto
Rafting

Me urdhër të MTKRS-së, nr. 135, datë 12 Maj 2011, sporteve rafting në Shqipëri u jepet statusi i Federatës Shqiptare të Rafting, e cila krijon kushte e mundësi të reja edhe më të mëdha progresi e zhvillimi të këtij sporti të vjetër e me tradita në Shqipëri. Është vetë terreni dhe luginat atraktive e të përshtatshme të lumenjëve tanë, që e kërkojnë një sport të tillë, siç është sporti ujor i rafting.


Dihet tashmë se sportet ujore të rafting në Shqipëri, zhvillohen kryesisht në Luginat e lumenjëve, si: Osumi, Vjosa, Devolli, Valbona. Buna, Drini e Shkumbini, të cilat frekuentohen nga shumë turistë të huaj e vendas. Por, padyshim, kanionet e lumit të Osumit, janë ndër më të përmendurat dhe më të famshmet në Shqipëri, për vetë bukuritë dhe relievin karakteristik që i ka falur natyra kësaj lugine, me një peisazh tepër të rrallë e mahnitës të saj.

Ushtrimi i sporteve të rafting në këtë luginë, bëhet në itinerarin: Qafzez - Miçan - Corrovodë, ndërsa në luginën e Vjosës itinerari i sportit të raftig përshkon zonën: Ura e Dashit - Kanioni i Langaricës. Zona të tjera, ku ushtrohen këto sporte në Shqipëri janë: Lugina e Devollit në jug të vendit, si dhe luginat e Shalës dhe të Valbonës në zonën e Alpeve, etj.
Foto


Hipizmi

Hipizmi (i quajtur ndryshe sporti me kuaj), fillesat e veta në Shqipëri i startojnë rreth 100 vjet më parë në qytetin e Shkodrës. Më pas kanë vazhduar të organizuara më mirë gjatë periudhës së Mbretërisë së Zogut. Pas luftës së dytë botërore, për rreth dyzet vjet hipizmi, ushtrohej vetëm nga segmente të ushtrisë shqiptare në kompeticione të ndryshme.


Ky sport është praktikuar kryesisht në ato rrethe që kanë qendrat më cilësore të mbarështrimit të kuajve si, në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan (Cërrik), Korçë, Divjakë, Berat, Vlorë, Fusha e Pelave në Lurë, Shishtaveci në Kukës etj.



Shtrirja gjeografike të këtij sporti është tepër interesante, ku natyra tipike për secilin nga vendet e përmendura, gërshetohet me elementë të veçantë, gjeografike, historike dhe tradicionale
Foto: Noel Borshi fituese e tre medaljeve te arta ne kete miting tregoi qe eshte nje notare me mjafte perspektive dhe qe vazhdon te ule kohet e saj ne garat qe zhvillon . Te presim nga Noeli te vazhdoj ne rrugen e sukseseve
Sportet nënujore

Sportet nënujore në Shqipëri janë zhvilluar në përmasa profesionale vetëm pas viteve 90-të. Zona të përshtatshme për zhytjet nënujore do të përmendim Kepin e Rodonit, Kepin e Lagjit, në zonën rreth Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, plazhin e Dhërmiut, në plazhin e Zhironit në Ujë të Ftohtë Vlorë etj. Këto zona ofrojnë një florë dhe faunë të pasur nënujore, anije të mbytura, korale si dhe objekte me vlera arkeologjike. Në plazhin e Dhërmiut organizohen çdo vit kurse verore për këtë lloj aktiviteti. Zhytjet nënujore janë të lejuara në bazë të lejeve të posaçme të Institutit të Arkeologjisë.


Flori Bruqi

Ja si edukohen nxënësit e Kosovës !!!



Në një video të publikuar në internet shihet se në Shkollën e Mesme të ultë, “Thimi Mitko” në Gjilan vetëm mësim nuk zhvillohet.

Aty profesori dhe nxënësit nuk shihen fare duke mësuar, por duke luajtur dhe fjalosur mes vete.

Disa nxënës lehin sikur qentë, disa bërtasin sikur majmunë e disa të tjerë emitojnë lopën.

“Muuuu... aaaaaaaaaa”, dëgjohen nxënësit duke bërtitur derisa profesori mban në duar ditarin.

“Far lopash”, reagon një nxënëse derisa të tjerët i përplasin bankat. /express/


Linku:

 http://www.youtube.com/watch?v=kdTPwQlGfBQ



 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...